Dhënia e tepruar ndaj seksit është një patologji si shumë të tjera, me rrënjët e ngulura thellë në fëmijëri. Bëhet fjalë për sjellje që ta nxjerrin jetën jashtë kontrollit dhe ta fusin nëpër hulli të paimagjinueshme. Varësia ndaj seksit nuk karakterizohet vetëm nga dobësia e marrjes së vendimit të duhur kur je përballë një tundimi apo një joshjeje, por ka të bëjë edhe me sjelljen seksuale në tërësi
Historia e Tiger Woods, sportistit më të pasur dhe më të famshëm të botës dhe dramës së tij të fundit familjare dihet. Megjithatë, për ata që nuk e kanë dëgjuar bëhet fjalë për publikimin e dhjetëra marrëdhënieve dhe historive që kampioni i golfit ka pasur me bukuroshe të ndryshme, ndërkohë që ka qenë i martuar. Kështu, për të shpëtuar emrin dhe ndoshta edhe martesën, atij i rekomanduan që të shkonte të “dezintoksikohej” në një shtëpi të posaçme kure, ku rehabilitohen ata që kanë probleme me varësinë ndaj seksit, sepse rasti i Wood pa dyshim që ka të bëjë me një patologji, edhe pse për disa ai mund të jetë thjesht një donzhuan i rëndomtë. Kështu, më 16 janar, pas bujës së madhe të shtypit që nuk la të dashur pa i nxjerrë, po sipas shtypit djaloshi Wood u regjistrua për të marrë pjesë në programin e intoksikimit që ofron një spital i posaçëm në një cep të Shteteve të Bashkuara, për ata që nuk mund të frenojnë dot tundimet dhe joshjet. Por, ndërsa Wood, në tentativë për të shpëtuar emrin dhe martesën, mund të ndodhet aktualisht brenda mureve të kësaj qendre, pakkush ka informacion dhe dijeni se me çfarë konkretisht merret një qendër e tillë intoksikimi, që tenton të kthejë në rrugë të mbarë veç atyre të dhënë pas seksit, edhe ata që nuk heqin dot nga alkooli, droga, apo vese të tjera shkatërrimtare. Dhënia e tepruar ndaj seksit është një patologji si shumë të tjera, me rrënjët e ngulura thellë në fëmijëri. Bëhet fjalë për sjellje që ta nxjerrin jetën jashtë kontrollit dhe ta fusin nëpër hulli të paimagjinueshme. Varësia ndaj seksit nuk karakterizohet vetëm nga dobësia e marrjes së vendimit të duhur kur je përballë një tundimi apo një joshjeje, por ka të bëjë edhe me sjelljen seksuale në tërësi. Ka shumë lloje varësish seksuale, që variojnë nga ata që janë shumë të dhënë pas seksit, e deri tek ata që nuk e çojnë nëpër mend marrëdhënien apo kontaktin fizik me një qenie tjetër, mashkull apo femër nuk ka rëndësi. Ka edhe nga ata që nuk kryejnë marrëdhënie dot me partnerin e tyre, edhe pse mund ta dashurojnë, e ndërkohë ëndërrojnë gjatë gjithë kohës të tjerë. Në këto fusha nuk ka kërkime shkencore të mirëfillta dhe si pasojë statistikat e sakta mungojnë dhe pikat e referencës nuk janë të shumta, sepse deri pak kohë më parë kjo është konsideruar si një çështje tabu e mbi të gjitha si një çështje që nuk ka nevojë për marrjen e masave. Është parë thjesht në kuadrin e një vesi e jo të një patologjie të mirëfilltë, që si çdo patologji ka nevojë për kurën e duhur për t’u shëruar. Por, pavarësisht mungesës së statistikave të plota, pjesa më e madhe e mjekëve dhe psikologëve që janë marrë me kërkime në këtë fushë janë të mendimit se 90% e personave që kanë krijuar varësi seksuale janë meshkuj dhe vetëm 10% janë femra. Nuk dihet ende pseja e një statistike të tillë, por ndoshta kjo mund të shpjegohet edhe me lirinë që meshkujt kanë pasur dhe kanë tradicionalisht për të bërë disa gjëra dhe për të mos u stigmatizuar e paragjykuar, ndryshe nga sa ndodh me femrat. Për sa i përket periudhës së rehabilitimit, që duhet t’i nënshtrohet një “i sëmurë” në shtëpinë e rehabilitimit nga varësitë seksuale, ajo mund të nisë me një periudhë 2-javore deri në një periudhë 6-javore. Tiger Woods thuhet se ka zgjedhur këtë të fundit. Trajtimi ka të bëjë si me varësinë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe me gjetjen dhe kurimin e shkaqeve që kanë çuar në një sjellje të tillë. Në të bëjnë pjesë terapi personale kokë më kokë me psikologun, por edhe terapi në grup, me persona të tjerë me një problem të tillë. Pjesë e trajtimit është edhe konsultimi me familjen dhe puna me pjesën tjetër të familjes, gjithmonë nëse ajo është e gatshme që të marrë pjesë në shërimin dhe ndryshimin e njeriut të dashur, por që ka një zakon të keq dhe të “turpshëm”. Hapi i parë në trajtimin e një personi me varësi seksuale është një vlerësim i plotë i historisë së pacientit dhe mbi të gjitha i traumës së tij. “Të gjithë meshkujt me të cilët kam punuar, kanë pasur përvoja të hershme abuzimi apo kanë kaluar fëmijëri të braktisur”, thotë një mjek që merret me rehabilitimin e personave me probleme varësish. Sipas tij, nëse me këtë çështje nuk merret një psikolog që i shkon çështjes në rrënjë, shpresat e shpëtimit janë të pakta. Faza e dytë ka të bëjë me përballjen e pacientit me atë çka ai ka bërë, ose më mirë me këndvështrimin e shtrembër që ka ai me realitetin. Por pacienti duhet të jetë i sinqertë kur flet për dëshirat dhe veset e tij, për arsyet e nxitjeve dhe epsheve të cilave ai nuk mund t’u rezistojë. Pacienti duhet të dalë lakuriq para mjekut dhe të rrëfejë në detaje dhe pa turp gjithë çka i shkon ndër mend kur i jepet varësisë së tij. Pacientit nuk duhet t’i vijë zor nga pyetjet e paturpta që mund t’i bëjë mjeku, sepse vetëm e vërteta mund të çojë në rrugë të drejtë dhe në zgjidhjen e problemit të varësisë. E rëndësishme është që pacienti të kuptojë mekanizmat që e kanë çuar atë në një sjellje të tillë. Ndërsa faza e fundit e trajtimit është parandalimi i rikthimit të zakonit. Terapistët dhe pacientët diskutojnë hapur për mënyrat e rikthimit të varësisë dhe për mënyrat e parandalimit e të ndalimit të tyre. Një rol shumë të madh, edhe pse kjo nuk ndodh shpesh, luan në kurimin e varësisë partneri, apo partnerja e pacientit. Në rastin e Tiger Wood, bashkëshortja e tij, Elin Nordegen, i ka bërë të shoqit disa vizita në qendrën e intoksikimit. Terapia e kurës nuk ka vetëm për qëllim të rehabilitojë personin që ka varësi, por edhe martesën e tij, pra rehabilitimin dhe korrigjimin e marrëdhënies në çift. Varësia ndaj seksit është shumë e përhapur te meshkujt. Dikush e shpreh me vajtjen me shumë femra, të tjerë janë të varur nga pornografia dhe shpesh kjo nuk ka të bëjë me faktin se këta individë nuk e duan partneren, por thjesht janë të varur dhe nuk e kanë veten në dorë kur është fjala për një gjë të caktuar. Seksi në këtë rast është si alkooli, apo cigarja, vetëm se ato nuk bëhen shkaqe divorci, ndërsa seksi bëhet. Kjo edhe për shkak se shpesh ata që kanë varësi ndaj seksit janë shumë të fshehtë ndaj grave të tyre dhe kur ato e marrin vesh një gjë të tillë trauma që pësojnë nga kjo e papritur është shumë më e madhe se trauma që mund të pësonin nga vetë bëmat. Por një terapi intoksikimi nuk përfundon me 6 javë. Ajo është një proces që vazhdon dhe zgjat në kohë dhe mbi të gjitha duhet monitoruar e vetëmonitoruar që situatat të mos përsëriten. Dhe ja një fjali e fundit, që në fakt përmbledh thelbin e terapisë. Dezintoksikimi nga varësia seksuale nuk ka të bëjë me shndërrimin në një qenie që nuk bën seks, por në një qenie që ndien lumturi nga të bërit seks, e jo vetëm epsh.





