“EKSPRESS”
Lorka nuk ka një varr të vetin rreth të cilit adhuruesit e fjalës lorkiane do të mund të shkonin e të bënin pelegrinazh. Nderimi që do t’i bëhej mbi varr, do të kishte qenë “për Lorkën” ose “për të gjithë krijuesit e vrarë”. Shumë mendojnë se mbi të u krye një krim i pandreqshëm, bile edhe populli i vet i përulur vazhdon ta dënojë atë dhe të ndihet i turpëruar. Por, ai ishte krijues dhe çdo krijues e parandien fatin e vet dhe e di çfarë duhet të japësh për të zënë një vend në univers. Nuk kanë rëndësi plagët, as netët nën varrin e paemër, as realiteti i zymtë i kohës në të cilën jetoi: e dinte ç’sakrificë duhej të bënte në emër të vetin dhe e dinte se vdekja fizike është e pakuptimtë dhe absurde për krijuesin, zëri i të cilit e tejkalon vdekjen, jo një herë, po shumë herë. “Poezia është një tjetër botë”, - pati shkruar poeti, duke e besuar atë si një libër të madh me vargje, fjalë e germa, të cilit do t’i falej tërësisht.
Lufta civile spanjolle ekzekutoi mbi 50.000 njerëz, ndër ta ishte edhe Federiko Garsia Lorka. Sot, ai është krijuesi martir në shoqërinë spanjolle, e cila kërkon falje për këtë akt. Një shembull ndër mijëra të tjerë: një njeri rrëmbehet dhe qëllohet përpara një peme ulliri - Përse më vrisni në një natë me hënë?! - qe thirrja e tij para vdekjes. Lorka u lind në vitin 1898, në Fuente Vaqueros, Granada, dhe u vra nga fashistët më 19 gusht, të vitit 1936, afër vendlindjes.
Avangarda spanjolle
Federiko Garsia Lorka pati miqësi të afërt me mjeshtrin ekscentrik të avangardës Salvador Dalin dhe me regjisorin Luis Bunuel. Të tre, Lorka, Dali dhe Bunuel qenë përfaqësuesit kryesorë të gjeneratës që e quajtën “Gjenerata e 27-s” (La generacion del 27), e që emëroi grupin surrealist të artistëve spanjoll.
Lorka, Bunuel dhe Dali kanë studiuar në të njëjtën shkollë (Institución Libre de Enseñanza), në Madrid. Kinemanë, pikturën, skulpturën dhe letërsinë ata i shndërruan në kryevepra e në mënyrë paradoksale të paragjykuarit dhe të anatemuarit arritën që jetën, kulturën, artin dhe fatkeqësitë e veta t’i kthejnë në vepra artistike, në periudhën më eksituese dhe më të tmerrshme të historisë së vonshme spanjolle. Së bashku, ata formojnë “trion” avangardë spanjolle; tipa të modës dhe dandi, që e kaluan jetën nëpër bare dhe restorante, duke e deklaruar zëshëm një lloj provokimi e kundërshtimi ndaj tradicionales, për të besuar se e ardhmja është ekskluzivisht e tyre.
Miqësia e poetit-dramaturg “të rebeluar” me “babain” e surrealizmit dhe themeluesin e filmit e të kinemasë moderne, bëri një bashkim të mistershëm “alla spanjoll”, kundërshtues dhe antikonservativ. Duke e thyer traditën dhe eksperimentuar me teknikat surrealiste, arritën të bëheshin përfaqësuesit e “lëvizjes së çlirimit kreativ” siç e quajti surrealizmin poeti Oktavio Paz.
Inkuizicioni modern
U desh të vdiste regjimi e të mund të flitej për punën, jetën dhe vdekjen e Lorkës; të zbërthehej qenia njerëzore, ndjenjat e tij, idetë, veprimet dhe emri i tij i vërtetë. Përpjekjet e sulmuesve ishin eufemizëm për t’ia rrënuar emrin. Këtë fat letrar e pati edhe Lorka fatkeq. Tek e fundit, për “të qenë”, duhet të japësh. Tokësori gjithmonë vuan. Një, shumë, asnjë? Ky shkatërrim i përkryer i fali kohën absolute.
Libri i tij poetik nuk projekton doktrina ose moral, por projekton imazhin e botës së një poeti të ikur në kohë e hapësirë. Ai i vulosi simbolet e veta, u shkri dhe u shndërrua në to; ndërlidhi oralen me modernen, duke i zhvendosur e rivendosur strukturat e caktuara brenda formave të veta.
Poezia e Lorkës ndahet në tri periudha: dy të parat përfshijnë folklorin andaluzian, me mitet e përrallat, me romancat cigane përplot muzikë, dramaticitet dhe sensualitet pagan, të përjetuara nga Lorka njeri; ndërsa, periudhën e tretë e përbënë poezia njujorkeze, e konsideruar surrealiste, diabolike, me divanet e kulturës arabo-andaluziane dhe sonetet klasike. Lorka njeri i jetoi temat tabu, Lorka poet e shndërroi dashurinë në një akth ekzistencial, në dyshen seks-vdekje dhe në thyerjen e kulturës konservative spanjolle. Një poet homoseksual?! (le të më fal autori për këtë etiketim, meqë kurrë s’i ka dashur!). Tjetri Lorkë është ai fëmijë, që ëndërron e i bën një regres së kaluarës për të rrëfyer atë që ka qenë. Dhe i fundit, ekziston Lorka i vdekur, që në vdekje pa jetën, larg refrenit të përditshmërisë si të pamjaftueshme. “Të gjitha gjërat kanë misterin e tyre dhe poezia është misteri që i ka të gjitha gjërat”. E folura e tij do të bëhet e folur absolute, gjithnjë në ankth, po me zë të lirë të krijesës njerëzore që synon të arrijë të pakohshmen. Bota fiksionale e thellë-thellë metafizike e bëri të ndihej i huaj në botën reale, i persekutuar e rebel dhe gjithnjë i vetëdijshëm për një vdekje të hershme, megjithëse, besoj, se ai i ka kuptuar këto botëra si të ngjashme me njëra-tjetrën.
Në “Odise” lexohet se perënditë thurin fatkeqësitë që brezat e rinj të kenë për çfarë të flasin. Nëse nuk gabohem, Lorkën e ka përcjellë kjo “fatkeqësi” që e bëri më të njohur e më të famshëm. Ky njeri diku në misticizmin e vet kishte shkruar: “Pastaj e kuptova se më kishin vrarë. Ata më kërkonin nëpër kafene, nëpër varreza e kisha… por nuk më gjetën kurrë. A më gjetën ndonjëherë? Jo. Ata kurrë s’më gjetën”.
“Ekspress”





