FLURANS ILIA
Me Gustave Flaubert për herë të parë duhet të jem ndeshur diku aty nga fundi i marsit apo fillimi i prillit, në vitin 1998. Një kohë dilemash të shumëllojshme; përballë sprovash po aq të larmishme; kundrejt edukimit të ndjenjave që vetë jeta shpaloste, brinjazi, në rrugëtimin tim, përmes një bote të huaj. Më vjen mirë në mendje ajo stinë sepse, ndërsa përshkoja rreshtat e “L’education sentimentale” ose, siç është quajtur ndryshe romani i tij i Parisit, përshkoja njëherazi me autobus linjën urbane Rive-Sud – Montreal, duke u futur në zallamahinë e zhurmshme të qytetit ku, frëngjishtja gjithmonë e më tepër vjen dhe shndërrohet në një faktor komunikimi në këtë cep të Amerikës së Veriut; i shqetësuar për ekzistencën time si individ (në ato vite); si refugjat i paftuar në sofrën e një gjuhe të huaj (e Flaubert në këtë rast); kapërceja për çdo ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, urën Champlain, poshtë së cilës masivët e akullit fillonin e thyheshin në këtë stinë të vitit dhe copa-copa merrnin rrjedhën e tyre përgjatë ujërave të ftohta të lumit Saint-Laurent. Për një arsye ose një tjetër, m’u desh jo më pak se njëmbëdhjetë vjet për t’u përballur me një tjetër vepër nga Flaubert. Kësaj here me hijeshinë e Madame Bovary. Jetoj në pjesën veri-perëndimore të qytetit, në Cartierville. Jam më i qetë se njëmbëdhjetë vjet më parë, jo nga pozicioni gjeografik ku jetoj (gati-gati si në një provincë ku zhvillohet subjekti i romanit), sesa nga pajtesat e paqta me udhën e jetës. Dhe Madame Bovary shëtit me mua gjithandej, ka arsye t’i nguli thonjtë thellë në shtratin tim të rrugës Daigle, në masivin e pemëve në parkun përbri rrugës “Salaberry”, në kabinën e makinës time të parkuar në pjesën veriore të lumit Saint-Laurent, në lokalet aspak të zhurmshme ku njerëzit gjerbin urtësisht kafenë, bri rrugëve të ngjeshura nga trafiku dhe shtëpizave mbuluar nga bryma. Gruaja ime shqetësohet më kotë ndërsa më sheh të kushtoj vëmendje të tepruar ndaj Emma Bovary. Është shqetësimi normal i çdo femre për mashkullin e saj. Dhe prej këtu lindi titulli i kësaj kuturisjeje fluide. Një ditë, në vend të më thoshte: “Akoma nuk e ke mbaruar së lexuar Madame Bovary”?, si për lapsus, ç’mbështolli një të vërtetë të padukshme në pamje të jashtme duke më thënë: “Akoma nuk e ke mbaruar së lexuari Madame Flaubert?”. Zonja Flobert? Gustave Flaubert! Shkrimtari, artisti, burri i pamëshirshëm i letrave, i njëtrajtëzuar me identitetin e personazhit të tij, i shkrirë njëtrajtësisht me veprën e tij, i kthyer kokë-poshtë si figura e plakut-maç, më kishte ngelur në dorë si në një lojë kumari, ku të gjitha bastet e vëna në emër të hamendësimit se: ç’është një vepër e mirëfilltë arti? Ç’është vetë shkrimtari në fund të fundit? Kishin rezultuar të humbura dhe të pasakta. Pasi vendosa ta titulloj: “Madame Flaubert” shkrimin tim, që në fakt nuk pretendon të jetë veçse një variacion mbi përjetimin, kuptova se pak rend dhe organizim të dhënash faktike mbi romanin, do të ishte kundërhelmi më i mirë kundrejt pikëpyetjeve që, si larvat e molës shumohen pambarimisht në dollapin e mendimeve.
***
Pas kthimit nga një sërë udhëtimesh, përfshi Egjiptin, Tokën e Shenjtë, Turqi, Greqi dhe Itali, më 20 shtator 1851 Flaubert i shkruan Louise Colet: “E fillova dje në darkë romanin tim”. Në pranverë të vitit 1852, pretendon se për një vit do ta ketë mbaruar së shkruari veprën e tij, për çka ishte i gabuar sepse, zonja Bovary u mbarua së shkruari vetëm në mars të vitit 1855. “Bovary po më mbyt” shkruan Flaubert, “më lë pa gjumë”, “do t’ia dal mbanë, por ka për të qenë vështirë”. Gjashtëdhjetë e pesë faqe shkruan për pesë muaj; më tej në tri ditë, vetëm tetë fjali. Por tek e fundit: “Zonja Bovary, jam unë, sipas meje” i dëshmon në një letër Amelie Bosquet. “Zonja Bovary, jam unë”! - Dëshmon Flaubert! Viti 1857, në historinë e letërsisë, është viti i dy proceseve famëkeqe gjyqësore: procesit të romanit Madame Bovary nga Gustave Flaubert, dhe librit poetik Les fleurs du Mal të një tjetër burri të pamëshirshëm të letrave, poetit Charles Baudelair. Arsyeja? Vepra të mbushura me karaktere të një “realizmi të rëndomtë dhe shpeshherë tronditës”. Kjo frazë përmbledh (krah frazash të tjera) ankesat e Ministrisë Publike kundër zonjës Bovary që, sapo ishte publikuar në gjashtë numrat e radhës të Revistës së Parisit (La Revue de Paris), nga 1 tetor gjer më 15 dhjetor, të vitit 1856. Flaubert fitoi pafajësinë në fund të procesit gjyqësor dhe romani i tij u shfaq si botim i plotë më tej tek Michel Levy në prill të vitit 1857. Baudelair pati më pak fat. Autori dhe botonjësi i librit “Lulet e së keqes”, do t’i duhej të paguante shpenzimet e procesit të mbajtur ndaj vëllimit me të vetmen akuzë se duhej qysh më parë të kishte kryer paraprerjen, parashkurtimin dhe paramospërfshirjen në botim të shumë poezive të tij, që tash kishin hipnotizuar syrin e lexuesit me bukurinë e tyre poetike prej djallushke të gjelbër. Buja e këtyre proceseve famëkeqe në fakt i dha krah veprave. Publiku i asaj kohe i etur për çka shpërfaqej pas proceseve gjyqësore u zhyt me kokë në ujërat e vrullshme dhe shpesh të rrezikshme të “luleve të së keqes” dhe “Bavaryzmit”. I përpiu rreshtat e këtyre librave. I paravendosi aty – në opusin e letërsisë - si vepra të së ardhmes vetëm e vetëm në saj të rrethanave në të cilat u shfaqën ato në atë kohë (si kryevepra!). Pas gjurmëve të tyre në pamje të parë u vu re një shpirt totalisht njerëzor i tronditur dhe i magnetizuar nga të vërtetat e pathëna mbi realitetin bashkëkohor të shoqërisë së atëhershme. Një shoqëri e tërë ndjeu trandjen si reflektim nga fjalët e vendosura në thelb të subjektit. I mëshoj kësaj teze për disa arsye themeltare. Sapo përfundon rreshtat e fundit të romanit ndjen se brenda teje vepra ka krijuar një boshllëk kaotik që i jep hov dhe i përmbyt refleksionet dhe abstragimet e tua si lexues. Kjo ndodh sepse në brendi të romanit sikurse në thellësi të shpirtit të Emës nuk gjen absolutisht asgjë. Një shëmbëlltyrë e absurdit? Një refleksion mbi jetën? Përpëlitje krahësh në ajri? Fjalë. Fjalë. Por tek e fundit nuk gjen asgjë të themeluar si ide. As të konsideruar si të tillë. Si moral jo-e-jo. Duam apo jo pra, ideja - si objekt i shkëputur - nuk ekziston për Flaubert si shkrimtar. Ideja ekziston për të veç si një mori e një-pas-njëshme përjetimesh estetike. Madje vetë fjala nuk mëshon për të përqafur dhe konkretizuar idenë si nocion. Qëllimi i saj nuk është aspak i tillë. Fjala e Flaubert synon subjektin. Çdo përdorim i fjalës së duhur në vendin e duhur (qëllim i epërm i Flaubert, njeriut të apasionuar e të sëmurë nga fjalët dhe loja e harmonishme me to), në rrjedh të logjikës dhe analizës (Flaubert ngelet një profesionist në këtë pikë), në shtrat të kumtesës (Flaubert nuk pretendon filozofin, fenomenologun etj., ai ka vetëdijen e rrëfimtarit të pastër, asgjë më tepër), në kuadër të stilit të tij tejet vetjak (Flaubert, stilist dhe novator i një forme krejt të re dhe origjinale), në mënyrën më matematikore, jo si me qenë në letërsi, por në terrenin e shkencave ekzakte (përllogaritja në veprën e tij), në mënyrën më tiranike (zonat e paeksploruara të domethënieve), më të pamëshirshme (“misteri”: Cili jeni ju zoti Flaubert?), më të pavarur nga subjekti (gjenialiteti i tij si artist!), mahnit me vërtetësi, me hijeshinë e thjeshtë natyrore të një detaji në funksion të po atij subjekti të cilit i kishte dëshmuar pavarësinë pak më parë, po aq sa skandalizon syrin e lexuesit, e bashkë me të edhe idetë e krijuara në mendjen e këtij të fundit si forma abstraguese mbi tekstin. Kur fillon shfletimin e faqeve të para të Zonjës Bovary, ndjen dendësinë e mprehtë të detajeve, skenave, karaktereve që pasojnë njëri-tjetrin në një proces zinxhir në trajtën e hallkave që ndërthurin krejt subjektin. Heroina kryesore e romanit që prisnim me aq ngut të ishte një heroinë nuk na paskërka qenë fare një heroinë, ashtu siç e prisnim. Mund ta konsiderojmë (sikur Don Kishotin) personazhin e Emës, të parin personazh antihero në rrjedhë të romanit. Në fakt i pari personazh i gjinisë femërore në këto pozita. Madame Bovary (po aq sa Don Kishoti i Servantesit), konsiderohet lirshëm një pionier i antiromanit. Kjo ndodh ngaqë fjalët skandalizojnë shqisat tona, por, asnjëherë shpirtrat tanë të mbrujtur me një hapësirë shumë herë më të madhe shëronjëse sesa dëmi që shkakton e vërteta e njëzetekatërorëshit në loçkë të zemrës. Flaubert nuk e njeh kultin e virtytit. Mohon moralin. Anashkalon idenë. Eksploron njëzetekatërorëshin. Na jep veprën e artit. Një model. Thjesht, një kryevepër. Një antiroman me një antihero si zemrek ore në qendër të kohës që duhet të përshkojë rrëfimi i subjektit. E megjithëse para tij fatmirësisht trashëgojmë një roman-model si “Don Kishoti i Mançës”, përsëri, Flaubert ka arsye shumë të forta të ngelet një stilist, romancier, nga më të mëdhenjtë, në artin e romanit. Nuk mund ta krahasojmë Flaubert me paraardhësit e tij. Me pasardhësit po. Por Marcel Proust-i, e thënë nënvete, ndërsa e lexoj në këtë çast, më vë në gjumë, në një gjumë letargjik, gjumë që i përngjan opiumit, dhe jetës (in)ekzistente përmes kujtesës. James Joyce, e thënë me gjysmëzë, i lexuar tash në këtë çast, është një përbindësh me shumë koka që po të tentosh të presësh njërën prej tyre të tjera dalin; Joyce më çmend. Kafka më trishton me parashikimet e tij. Ndërsa Flaubert lexohet (në shekullin tonë) ende me shumë ëndje dhe etje të përshpirtshme. Flaubert ngelet një artist i pamëshirshëm që mbart shumë vërtetësi. Një shkrimtar që i kthen vërtetësisë sytë e pamëshirshmërisë së tij. Të gjitha shkollat e mëpastajshme më kotë u munduan ta kanalizonin veprën dhe autorin si pjesë të tyre, ndërkohë që Flaubert dhe vepra e tij, qëndrojnë në këtë çast, me shumë “Bavaryzëm”, me shumë “donkishotizëm”: steril, të paprekur nga ngjyrimet e lexuesit dhe shkollave letrare. Zanafillat e përpjekjeve për ta futur Flaubert nën çatinë e një shkolle, ideje, rryme të caktuar së cilës “duhej me doemos” t’i përkiste, vazhdojnë të jenë të dështuara sipas meje. Pyes veten: A është e nevojshme kjo? Ç’është tek e fundit një vepër arti? A duhet me të vërtetë arti, arti i romanit, arti i fjalës, të matet me metrin e një shkolle apo periudhe të caktuar të historisë? Në vjeshtën e vitit 1856, ndërsa Zonja Bovary publikohej numër pas numri në Revistën e Parisit, paralelisht, në publik filloi të dilte një tjetër revistë me titullin Realizëm (Realisme), e themeluar nga romancieri Edmond Duranty. Numri i parë i revistës daton në 15 nëntor 1856. Revista pati një jetë krejt efemere. Pas numrit të saj të gjashtë (prill-maj 1857) u ndërpre së publikuari. U ndërpre pikërisht në momentin kur Zonja Bovary u shfaq në volum tek Michel Levy në prill të vitit 1857. Realistët nuk reshtnin së konsideruari Flaubert dhe romanin e tij si pjesë të ideve estetike dhe moralit të tyre. Flaubert dora vetë në 6 shkurt të vitit 1857 i shkruante George Sand: “Po të nënvizoj se e kam mort atë që vjen për hise të quhet realizëm, mirë kjo, por më kanë bërë kacagjel të tyre pale”. Përgjatë këtij harku kohor, njëri nga frekuentuesit e lokaleve të grupimit realist ishte edhe poeti Charles Baudelair. Ishte i vetmi bohem ndër ta, që kishte sy të shikonte, shpirt të lirë të dëshmonte, vizion dhe domethënie në atë që parashtronte. Në një artikull që daton më 18 tetor 1857 për revistën Artisti (L’Artiste), Baudelair hedh poshtë pretendimet e shfaqura nga realistët. Poeti kundërshton me forcë që Flaubert dhe romani i tij i përkasin realizmit. Madame Bovary nuk është një roman realist. Nuk është një tablo e jetës së provincës apo e kushteve të femrës në ato vite. Jo. Është më tepër se kaq! Zonja Bovary është vërtetësi. Kryekëput një vepër arti. Flaubert ja ka dalë mbanë vetëm në saj të stilit të vet. Dhe romani i tij është nga të paktat vepra që mbart një disiplinë spartane për të shndërruar një subjekt të rëndomtë në më të mirin e më të mirave kryevepra të letërsisë. Baudelair si lexues na jep versionin e vet të çuditshëm - po aq sa ndriçues - se si ai e sheh dhe kupton Bovary-në dhe rolin e Flaubert si shkrimtar. Kam përshtypjen instinktive nga të gjitha ato që kam stërlexuar se, varianti i opinionit të Baudelair është variacioni më i saktë që i përafrohet pyetjeve që, si larvat e molës shumohen pambarimisht në dollapin e mendimeve... Cili jeni ju zoti Flaubert? Ç’është tek e fundit një vepër arti? Ç’është një vepër e mirëfilltë? Ç’është vetë shkrimtari në fund të fundit? A duhet me të vërtetë arti, arti i romanit, arti i fjalës, të matet me metrin e një shkolle apo periudhe të caktuar të historisë? Pyes veten: A është e nevojshme kjo? As që e marr mundimin t’i përgjigjem të gjitha këtyre pikëpyetjeve që në fakt në embrionin e tyre mbartin refleksionin e drejtpërdrejtë të veprës. Kjo ndodh ngaqë një vepër e mirëfilltë arti dhe autori i saj ka një gravitet shumë herë më të epërm se përpjekja time si lexues për t’i dhënë një kuptim dhe konfigurim diku. Ku? Si? Në fund të fundit. Nuk di të përgjigjem, por mjaftohem dhe kuptoj shqetësimin e gruas time, ndërsa vëren se i kushtoj më tepër vëmendje seç duhet Emës, ndërsa më thotë: “Akoma nuk e ke mbaruar së lexuar Madame Flaubert”? Zonja Flaubert?! Thua të jetë thjesht një lapsus i pavetëdijshëm? Apo Gustave Flaubert, shkrimtari, artisti, burri i pamëshirshëm i letrave, është i njëtrajtëzuar kaq fort me identitetin e personazhit të tij? Ngelet një shkrimtar i shkrirë njëtrajtësisht me veprën e tij? Një qenie e çuditshme që në pamje të parë si figura e plakut-maç i kthyer kokë-poshtë, (literalisht) të ngel në dorë në trajtat e një reflektimi mbi veprën e cila si në një lojë-kumari (ka shumë gjasa të rezultojë në të gjitha drejtimet e çastit të së vërtetës, një bast i humbur) që e kap në ngërç dhe ngadhënjen mbi moralin e qenies njerëzore dhe unin në veçanti. Po ashtu pyetja: ç’është shkrimtari?, mund të ngelet pa përgjigje, ose përgjigjja nuk është fare e domosdoshme qyshkur si lexues kemi fituar veprën.
***
Shkrimi im ndalet sot tek bora e parë e këtij dimri që sapo troket në dritaret e shtëpisë time në Cartierville. Përballë dritareve kam shkretinë e parkut Salaberry që ka filluar të zhveshi vetveten. Për të gjithë ata që jetojnë këtu, ky është veç fillimi i një dimri të stërzgjatur. Gjer në prill kur akujt do të rifillojnë të shkrijnë rishtazi dhe rrjedhat e lumenjve do të marrin udhën e tyre të natyrshme, monotonia e përditshmërisë së jetës do mbretërojë, dhe gjithsecili e ka të qartë se njëzetekatërorëshit nuk i shpëton dot kudo që të jetojë. Në këtë pikë jam fare i qetë dhe i paqtuar me mendimin tim përfundimtar nga larmia e të gjitha variacioneve që përjetoj me artin e Flaubert. Një art i veçantë. I ndryshëm nga të tjerët. Pse? Sepse fillon nga pika e lëngët dhe vjen drejt ngrirjes. Kjo është ndjesia që përjetoj ndërsa lexoj Flaubert. Ka një pikë ngrirjeje (kam përshtypjen se shkrimtari e konsideron të mbyllur, të vdekur, të ngrirë, të mumifikuar, në atë pikë, veprën e vet) dhe vepra vjen dhe ftohet për t’u rishkrirë në vetëdijen e lexuesit më tej. Edhe pse e kam konsideruar gjithmonë me vlerë të shtroj pyetje se sa të përgjigjem, për të mos qenë i vetëm në kuadër të po këtyre rrethanave, si pjesë bashkëvepruese e po të njëjtave refleksione, në sa vijon, po bashkëngjis me këtë tekst dy variacione (fragmentare) të cilat më ndihmojnë të mbivendos pak dritë mbi Flaubert si shkrimtar dhe natyrisht mbi veprën e tij, çka në fakt është shumë komplekse në tërësinë e vet, dhe unë mbetem tepër i brishtë t’i shkoj gjer në fund. Ndihmesa e parë vjen nga Charles Baudelair. Ngelet për mua opinioni më i saktë që mund t’i afrohej të vërtetës. Baudelair është një poet me vizion dhe shpirt krejt të lirë. Ndihmesa e dytë vjen prej Mimoza Ahmetit (prej një trilli artistik, prej një të vërtete, nga një penë e ndjerë dhe tërësisht bashkëkohore). Për mua ky fragment i Mozës mbart po aq vërtetësi, jo edhe aq rastësore sepse, vjen prej shpirtit dhe vizionit të një poeteje të cilën nuk kam nevojë ta përkthej, sepse më flet direkt në gjuhë të nënës time. Më flet nga pozicioni i universit të femrës, nga shpirti i Ema Bovary-së, nga njëzetekatërorëshi tentakular i përditshmërisë.
Montreal, tetor 2009
©Flurans Ilia
Gri poshtë tekstit
Arti Romantik
Charles Baudelair
Pas shumë vitesh, pjesa e vëmendjes që publiku i ka dhënë gjërave shpirtërore ishte veçanërisht zvogëluar; buxheti i tij i ndërkalljes shkonte dhe tkurrej çdo ditë. Vitet e fundit të Lui-Filipit panë shpërthimet e fundit të një shpirti gjithmonë të ndezur prej lojës së imagjinatës; por romancierët e rinj u gjendën përballë një shoqërie vjetërsisht të shumëpërdorur – akoma më keq të drobitur, - të budallallepsur dhe makute, një shoqëri që kishte tmerr veç prej trillimit, dhe dashurisë veçse për zotërim.
Në kushte të ngjashme, një shpirt i ushqyer mirë, flakadan ndaj së bukurës, por i magjepsur nga një lojë-shpatash e fortë, shpeshherë gjykues i pasojave të së mirës dhe së keqes, do të thoshte: “Kush është mjeti më e sigurt t’i zbythi të gjitha këto shpirtra të plakura? Këto shpirtra nuk njohin në realitet atë çka dashurojnë; ato nuk mbartin një neveri pozitive veç pompozitetit; ndjenjës naive, të përvëluar, braktisja poetike i bën ato të skuqen dhe i lëndon.
Qofshim pra të rëndomtë në zgjedhjen e subjektit, ndërsa zgjedhja e një subjekti tepër të madh është një fyerje tepër e madhe për lexuesin e shekullit XIX. Njëherazi ngërthen të mbajtur mirë braktisjen tonë dhe fjalosjen në emër të çështjes tonë në veçanti. Ne do të ishim pasqyra duke rrëfyer ndjenjat dhe kuturisjet ku bashkësia e botës vendos zjarrminë e saj; ne do të ishim, sikurse shkolla dëfton, objektiv dhe të pavetishëm.
Gjithashtu, veshët tanë sikur të ishin rraskapitur në këto kohë të fundit nga dërdëllitja e shkollave foshnjarake, sikurse kemi dëgjuar të flitet për një farë procesi letrar të quajtur realizëm, - fyes i neveritshëm flakur në surrat të të gjithë analistëve, fjalë të turbullta dhe të fushkëta që kanë kuptim veç për të rëndomtin, jo një metodë e re krijimi, por një përshkrim me imtësi plotësuese të dorës së dytë, - ne përfitojmë nga amullia e shpirtrave dhe mosdija universale. Ne shtrojmë një stil gjithë nerv, piktoresk, mendjehollë, të njëmendtë, mbi një kanavacë të rëndomtë. Ne kyçim ndjenjat më të ngrohta dhe më të zjarrta në kuturisjen më banale. Fjalët më madhështore, më vendimtare, të rrjedhura prej buzëve më të marrëzishme.
Cili është terreni i marrëzisë, ambienti më idiot, më prodhues në absurditet, më i bollshëm ndër torollakë që nuk lëshojnë udhë?
- Krahina.
Cilët janë aktorët më të padurueshëm?
- Njerëzit e vegjël që shqetësohen kah funksionet e vogla në të cilat ushtrojnë gabimisht idetë e tyre.
Cila është e dhëna më e dalë boje, më e kurvëruara, sedra e barbarisë më të rraskapitur?
- Një shkelës(e) kurore.
“Nuk kam nevojë, thotë poeti, që heroina ime të jetë një heroinë. Me kusht që ajo të jetë mjaftueshëm e bukur, të ketë nerv, dëshira sipërore, një frymëmarrje të pandalshme drejt një bote të epërme, ajo duhet të jetë tërheqëse. Rrethi i forcës, përveç kësaj, duhet të jetë fisnikërisht fisnik, dhe mëkatet tona do të jenë së paku të merituara, - krahasimisht jo i rëndomtë, - shques i dërdëllimave të mërzitshme të epokës që na ka paraprirë.”
“Nuk kam nevojë të shqetësohem për stilin, vendosjet piktoreske, përshkrimet e ambientit; e zotëroj të gjithë këtë dhunti me një fuqi të tepruar; marshoj i mbështetur mbi analizën dhe logjikën, dhe do të mundesha gjithashtu që t’i bëja të gjitha subjektet të ishin pa dallim të mira apo të këqija, nga mënyra se si janë trajtuar, dhe ku më i rëndomti mund të bëhet më i miri i të mirave.”
Bash prej këtu, Zonja Bovary, - një kuturisje, një kuturisje e vërtetë, një bast, si të gjitha veprat e artit, - u krijua.
Autorit nuk i ngelet gjë tjetër, për ta kompletuat rrethin e forcave në tërësinë e vet, veçse ta rrjepë e ta zhveshi (sa të jetë e mundur) seksin e tij dhe të bëhet grua. Dhe kjo i ka rezultuar si një mrekulli; gjë e cila, pavarësisht zellit të tij të aktorit, nuk ka mundur më tej mos me i shtënë një gjak burrëror në vena krijesës së tij, dhe që zonja Bovary, për të pasur në ‘të më tepër energji dhe ambicie, gjithashtu më tepër ëndërrim, zonja Bovary pra ka ngelur një burrë. Si Athina Pallas e armatosur, e dalë prej trurit të Zeusit, kjo androgjene e çuditshme mbart të gjithë ngashënjimin e një shpirti burrëror në një trup epshndjellës femëror.
Përktheu nga origjinali: Flurans Ilia





