Modernia në Dramaturgjinë e Anton Pashkut

Behar GJOKA

Leximi dhe rileximi i dramaturgjisë së Anton Pashkut, posaçërisht i dy tragjedive moderne të emërtuara nga shkrimtari me titullin e
“Sinkopës” dhe “Gofit”, krijon shansin dhe shkasin e kuptimit, verifikimit dhe interpretimit si shenjë dhe gjurmë moderniteti. Modernia e këtillë, shpërfaqet në të gjitha format:
A. Formale ose sipërfaqësore, që kryekëput kanë të bëjnë vetëm me elemente të formësimit dramatik:
¯ Emërtimi si “Tragjedi Moderne”, qysh në krye të herës, konfirmon praninë e një formësimi modern dhe novator të gjinisë dramatike, së paku në letrat shqipe, e cila i ka rrënjët tek antikja, tek lëvrimi i hershëm, por edhe në situimet e shenjimeve bashkëkohore të shkrimit letrar, porse në këtë situatë tipologjike, realisht përmbyset dhe shënohet një lloj i ri dramatik.
¯ Ndarja me pjesë dhe jo me akte, një dallim formal dhe organik, pra jo siç ndodh rëndom me dramatikën klasike (tragjedi, komedi, dramë), në letërsinë botërore apo në letrat shqipe, çka dy veprat dramatike të Pashkut, më së shumti i rrëshqet në realitetin e teatrit absurd, një shenjë dhe tregues moderniteti i letrares së sendërtuar prej tij.
¯ Prania e qenies si individ i zakonshëm, madje krejt i rëndomtë, i cili sendërton një karakter të spikatun, që lufton me vetveten dhe të tjerët pa pikën e mbështetjes, çka në dramaturgjinë tradicionale, të së kaluarës, pa hyrë në analizë me dramatikën rozë të Realizmit Socialist, përfaqësohet nga heronj të madhërishëm dhe gati të hijezuar.
B. Logjike dhe të brendshme, që formatojnë dramacitetin jo-sublim, por një tipologji absurde si një artefak i shkrimit dramatik klasik:
¯ Monologu i dialoguar, si një përftesë autoriale, përshkon tekstin e dy veprave dramatike të shkrimtarit, madje forma e shprehjes së dialogur dhe monologur, artikulon modernen e ligjërimit letrar edhe si shkrim dramatik.
¯ Konflikti dramatik, i mbiquajturi kolizion dramatik, është më së shumti një kolizion i brendshëm, madje gati i padukshëm, si një ndeshje brenda qenies, brenda individit, si tregues i krizës ekzistenciale të njeriut në modernitet.
¯ Veprim dramatik statik, por shpesh edhe i lëvizshëm, i rrëfyer përmes dialogut dhe monologut, e po ashtu e parashtruar si procedim vetjak, si një situate dhe teatër absurde.
¯ Ritmika e fjalës, herë pas here ajo të fanitet si muzikalitet poetik, po ashtu edhe me sekuenca rrëfimore të ligjërimit të folur, si dhe me vibrime dramatike të zakonta.
Modernia e shpallur, organike dhe letrare, artikuluar estetikisht në materien tekstologjike të të dy tragjedive moderne, dëshmon edhe prirjen, por edhe vetëdijen letrare të autorit për ta modeluar letraren, tashmë në struktura të tjera, si teknikë dhe procedurë shkrimore. Në këtë linjë të lëvrimit të modernes, si mesazh dhe shprehësi, me një fjalë si art më përtej nevojës dhe dobisë, në përgjithësi në letërsinë e shkruar prej Pashkut, e sidomos në lëvrimin e dramatikës moderne, dallohen dy pamje letrare:
Së pari: Sprova e parë ose eksperimenti i përfunduar i “Sinkopës”, një tekst që shpalos kulmime dramatike, ku jeta zhugatet në mjerim dhe shpërfytyrim. Tragjedia “Sinkopa” bart në substancën e vetë edhe një humbje vetëdije, pra një rënie në asgjë, edhe një humbje (rënie) tingullore, thjesht si element stilistik, poetik më së shumti, duke i çelur kështu udhën ligjërimit modern në dramaturgjinë shqipe. Vepra e parë e shkrimtarit, emërtuara jo rastësisht “Sinkopa”, përbëhet nga dy pjesë:
¯ Mbarimi i fillimit, një sintagmë gjuhësore e papritur që lajmëron për një situim tjetër, të çfarsojshëm prej teksteve të cilat i kemi prekur rëndomë në letrat shqipe, që shpalos monologun e Xhexheut. Vetë emërtimi i kësaj pjese, pra “Sinkopa”, një rënie jo e zakontë, veçon dhe shënon vetëdijen e kërkimit dhe të shpërndërrimit të zhanrit dramatik në një zhanër të ri, në letrat shqipe dhe më gjerë sesa kaq.
¯ Fillimi i mbarimit, një situatë tjetër e përmbysur, quhet pjesa e dytë e tragjedisë. Këtu ngjet edhe një ndërrim, sipërfaqësor dhe logjik, tashmë kemi një dialog të identifikuar. Kemi dialogun ndërmjet dy protagonistëve, Xhexheut dhe Gjegjeut, të cilët herë faniten si dy heronj, herë si një i vetëm, gjë që shenjtëron tragjikën absurde bashkëkohore. Vetë emrat, Xhexheu dhe Gjegjeu, më tepër shënojnë një situatë ligjërimi bisedore.
Një peshë specifike, me rol formal dhe organik, në të kryemet e kësaj tragjedie, mbartin edhe dy figurat simbolike, thika dhe telefoni, të cilat kryejnë edhe rolin e detajeve të mirëfilltë. Emërtimi i parë shënon thikën, pra një detaj mjaft i hershëm dhe bashkëkohor, që në fakt gjithëherët lajmton tmerr, vrasje, vdekje enigmatike, mbase edhe agjësend, por thjesht një prani të domosdoshme. Nga ana tjetër, telefoni, detaji i dytë, shpërfaq një element bashkëkohor, një element të mirëfilltë ndërlidhjeje midis njerëzve, porse prej telefonit ka gjasa të përçohet edhe urdhëri për zhdukjen e dikujt nga kjo botë. Prania dhe pranëvënia e tyre, pra e thikës dhe telefonit, si imazh konkret apo si sendërtim i veseve njerëzore, atëbotë e rrëshqet lëndën dramatike, skenat, fjalët, veprimet e personazheve, kryekreje në linjat e shtjellimit absurd.

Shtjellimi dramatik absurd bëhet i prekshëm:
¯ Në praninë e monologut të dialoguar, të Xhexheut, të dialogut të monologuar, si replika ndërmjet Gjegjeut dhe Xhexheut, që në fakt shënojnë edhe të njëjtën figurë.
¯ Në rolin e fjalës së ligjëruar, e cila merret me ligjërata bisedore, administrative dhe mediatike, si një trefishim i kumtit dramatik.
¯ Në shpirtëzimin e sendeve deri në cakun e gjallesave, një animizim i gjetur dhe funksional për të përçuar situatën.
Tragjedia moderne “Sinkopa”, tragjikën e individit, tashmë të rrudhur në fatin e humbjes së vetë, e sheh dhe e lëvron edhe në rrafsh filozofik, si trinitet i Lumnisë, Lumtunisë dhe Shpresës, që megjithatë varen nga Atlantida, ëndrra e pandërprerë, duke krijuar kështu një kërkim iluzor të lumturisë, mbase një iluzion çudibërës të realitetit absurd dramatik, ku jeta gjason me realitetin.
Së dyti: Nivelin kulmor, si shenjim dhe gjendje tërësore, dramatika moderne e Pashkut e mbërrin me tragjedinë “Gof”, një zjarrmi e përthekuar letrare, ku përthyerja dhe dyzimi i japin një dimension tjetër edhe më të përveçuar, një përthekimi i paraqitjes së një figure në një personazh të trefishtë. Struktura tërsore e këtij teksti:
¯ Zë fill me një epilog, që zakonisht qëndron në fund të veprave në prozë apo në dramatikë, pra me një përmbysje të plotë strukturore dhe komponuese, krahasuar me dramaturgjinë e hershme, antike dhe të rilindjes. Epilogu, këtu vendoset në krye të tekstit, përmbledh një zë dhe shumë zëra, një kombinim i monofonisë me polifoninë, çka i jep materies letrare një natyrë të pastër melodike dhe ritmike.
¯ Për të vijuar me “Pas një Epilogu”, një shtesë dhe përftesë autoriale krejt e papritur, ku edhe zhvillohet dialogu midis tre personazheve ose më qartë ende monologu i një të vetmi. Kjo ndarje shpërfaq shenjat e lëvrimit të teatrit absurd, kemi edhe tre perzsonzhe, por edhe një të vetëm, që llafitet me tre tone dhe shkallë zashmënie.
¯ Pjesa e dytë “Para një prologu”, një thyreje e dyfishtë, në krahasim me fillimin e tekstit dramatik, ku shpaloset tjetërsimi i tre të tjerëve në një dhe anasjelltas, çka artistikisht formëson zjarrmin e çastit tronditës, prilli 1939, pra pushtimi i atdheut.
¯ Tragjedia mbyllet me “Një prolog”, një befasi e pritur nga shenjat e pranishme të fillimit të dialogut të monologuar, si dhe të veprimeve të personazhit të trefishtë, ku hiçgjëja ka pushtuar gjithçkanë.
Niveli i shtjellimit absurd në materien tekstologjike të tragjedisë “Gof”, pra të kulmit letrar të shkrimtarit në gjininë dramatike, shkon drejt përsosjes dhe riformulimit të plotë:
¯ Hapet me “epilogun” dhe mbyllet me “prologun”, si një përmbysje totale dhe ndryshim i kërkuar dhe aspiruar, me funksion letrar dhe domethënës.
¯ Dy pjesët kryesore të veprës, të rrethqarkuar nga fillesa e përmbysur me “Epilogun”, kundërvihen në strukturim e befasishëm, “Mbas një Epilogu” dhe “Para një Prologu”, ku fjala e parë e të dy emërtimeve bart edhe shenjën thelbësore të kundërshtisë.
¯ Dialogu i pastër ndërmjet protagonistëve të shumëfishuar dhe individualizuar vetëm sa e pasuron formatin shprehës të një monologu të fshehur, të padukshëm në sipërfaqe të artikulimit, por që në fakt ndikon në sendërtimin e poetikës dramatike.
¯ Shmangia e luftës si realitet dhe përqëndrimi në pasojat që krijon ajo, degradimin e qenies deri në shpërfytyrimin e plotë, që sfumon dhe vë në zgrip ato tekste të shkruar për luftën më tepër përmes faktologjisë historike dhe reale, shformësuar në një realitet letrar.
¯ Stilizimi i kohës reale si një kohë pa kohë, i vendit si hapësirë pa hapësirë, ku qenia njerëzore gremiset në humbje. Artistikisht jemi në një realitet letrar absurd, çka limitohet dhe fromatohet edhe nga pakohësia e synuar, por njëherit edhe nga hapësirë pa kufizime hapësinore. Madje, mungesa e synuar e dy përmasave, pra e kohës dhe hapësirës, bart edhe një shenjë tjetër të komunikmit me teatrin absurd të kohës, më saktë me dramatikën e Joneskos dhe Beketit, dy mjeshtrave teatrit absurd, si një kundërshti e teatrit klasik, si një poetikë e tjetërsojshme e kumteve dramatike në kohërat moderne.
Tragjeditë moderne “Sinkopa” dhe “Gof”, jo vetëm pse autori i shënon si të tillë qysh në krye të herës, por më tepër nga formati konceptual, sidomos për replikat e shkëmbyera të personazheve, si dialog dhe monolog, i përkasin shkrimit dramatik të teatrit absurd. Përmbysjet strukturore dhe kompozicionale, formësuese dhe figuruese të personave, të ndryshimit të vendit dhe radhës, të një shkapërderdhjeje strukturore, të mënjanimit tradicional të ndarjeve dramatike, japin shkas për të kundruar dhe verifikuar një poetikë dramatike moderne e të mëvetësishme. Veprimi dramatik këtu, përmbyset në mosveprim ose padukshmëri e tij, pra në pasivitet dramatik, që dëshmon dhe shenjon teatrin absurd. Risi konceptuale absurde shënon edhe teksti dramatik, i cili organizohet me një teknikë shkrimore tjetër, që ngjan më tepër me antitekstin dramatik. Aty ku është monologu i personazheve ose i personazhit të trefishuar, gjellin edhe dialogu i fshehtë, si nëntekst që shkërmoq tekstin parak, i ngjizur diku në thellësinë e qenies. Ky tipar i shkrimit të tekstit dramatik si një antitekst i pastër antidramatik, shpërfaqet edhe anasjelltas, pra brenda dialogut integrohet edhe monologu i paartikuluar. Ngjizja e një shkrimi dramatik kaq të ndërliqshëm, ku dialogu dhe monologu integrohen dhe gërshtohen midis tyre, dëshmon për hullitë e reja që ka çelur A. Pashku me veprën letrare, veçmas me dramatikën. Konturimi i një tjetër poetike të shkrimit dramatik, të veprimit si mosveprim, të tekstin si antitekst, në kolizionin pa shenja të qarta përplasjeje, të ndryshme prej dramaturgjisë tradicionale dhe klasike, pra në përbërësit e gjinisë, rrafsheve kompozicionale, figurimit të personazheve, edhe të maturimit të pamjeve, me përthyerje dhe esenca të ndryshueshme, shënon thelbin e dramaturgjisë së Pashkut. Në këtë optikë shqyrtimore, pra si autori më modern i letërsisë bashkëkohore, është parë dhe fromatuar nga të gjithë ata që janë marrë me studimin e dramatikës së shqipes. Studimet për veprën letrare të autorit, bazuar në teoritë e reja përmbi verifikimin e letrares, për dramat e tij, zënë fill me përfundimet e nxjerra nga Sabri Hamiti, ku ndërsa shtjellon “Gofin” arrin në përfundimin domethënës: Konstatimi se “Gof” në radhë të parë është tekst artistik e në radhë të dytë dramë, si rrjedhim na sjell te mendimi se në krijimin letrar modern janë prishur, janë rrëmuar kufijtë në mes të gjinive e llojeve të ndryshme letrare që i parashtron përherë para letërsisë estetika tradicionale (1986 : 11), një gjykim që gjendet tek parathënia e Tragjedive Moderne. Po aty, teksa analizon dhe interpreton veprën dramatike “Sinkopa”, mes të tjerash shkruan: Një antidramë në kuptimin përmbysës dhe mospërfillës të një përvoje dramatike (1986 : 20), duke nënvizuar dhe zbuluar rrafshet moderne të dramatikës, si një shkrim i përkundërt me dramën klasike. Po në këtë linjë interpretimi dhe përfundimi e sheh edhe në librin “Letra Shqipe”, madje këtu qysh në krye theksohet: Me të (Pashkun- B. Gj) zë fill ajo që ne sot e quajmë letërsi moderne tek ne (1986 : 167), pra duke i vënë edhe breroren e të parit dhe më të afirmuarit shkrimtar modern të letrave shqipe. Një trajtim të gjerë i bën veprës dramatike të Pashkut edhe Mensur Raifi, ndërsa shprehet: Njësoj sikurse te Beketi, në dramat e Anton Pashkut, nuk ndodh kurrgjë (1988 : 95), një përqasje e njëmendtë, e cila tashmë do të duhet të ketë hapësirën e vetë shqyrtimore në verifikimin e vlerave letrare. Diku tjetër, gjithnjë si krahasim i gjasshëm dhe i nevojshëm, Raifi, nënvizon: Ezhen Jonesko në dramën komike “Ora e Mësimit” lejon mundësinë që thika, si instrument i mësimit të konkretizuar dhe i dhunës, të jetë “reale dhe imagjinare”, pra thikë apo gjest. Analogjia me pantonimën e “Sinkopës” është evidente (1998 : 107), tek libri “Mozaiku Letrar”. Situata e vështrimit të vlerave letrare A. Pashkut në përqasje të argumentuar me përvojat shkrimore të Beketit dhe Joneskos, ndihmon për të nxjerrë më në pah shenjat letrare pashkiane. Po ashtu, me vlerë është edhe pohimi i bërë prej tij: Treshi pashkian i ngjan treshit sartrian të pjesës teatrale “Me dyer të mbyllura” (1998 : 99), ndërsa analizon tragjedinë “Gof”, një klithmë letrare e pagjasshme në letrat shqipe. Kujtim M. Shala, me qasjen e përveçme, thellon analizën e tekstit letrar të A. Pashkut, kur thekson: Teksti i Pashkut edhe këtu më shumë se dialogues, është shenjues. Kjo i hap rrugë tekstit të figurshëm, figurave, simboleve; një teksti simbolik së fundmi (2002 : 69), padyshim një zbulesë e çfarsojshme e vlershmërisë që përçon teksti dramatik, kur flet për “Gofin”. Intensë sugjeruese zgjon edhe ideja e hedhur nga Shala teksa shprehet: Në një ose në mënyrën tjetër, Pashku mbet i lidhur me letërsinë e autorëve të Veriut. Jo vetëm si autor – geg, por së pari e më së shumti me tekstet e temave të etnisë. Lidhja më e madhe e kësaj fryme, është ajo me Ernest Koliqin, (2002 : 74), e formuluar në librin “VOX i Anton Pashkut”. Përqasja dhe krahasimi verifikohet brenda letrave shqipe, madje me të drejtë, si dhe duke kapur ato shenja të komunikimit të pandërprerë të shkrimtarisë në gjuhën shqipe, që i ka tejkaluar sinoret përndarëse krahinore, fetare dhe ideologjike. Këtu, gjurmohet dhe shenjohet bartja e personazhit Lulash nga teksti i Koliqit në tekstin e Pashkut, pra fundekrye si një prani e dëshmuar edhe si parapëlqim autorial. Përthyesi Robert Elsie, tek libri “Letërsia Shqipe”, një histori e shkurtuar e letërsisë shqipe, botuar në anglisht në 2005 dhe në vitin 2006 edhe në shqip, në mënyrë të shpejtë, heq paralele përqasje të dramatikës së A. Pashkut me autorë të letërsisë së përbotshme, teksa shkruan: ...dramat e tij ekperimentale, që kanë afri me veprat e (Xhorxh Oruellit (Eric Arthur Blair, 1903 – ’50), Franc Kafkës (1883 – 1924) dhe Robert Muzilit ... (2006 :204), një pohim ky që zgjeron e gamën verifikuese të shkrimtarisë së autorit tonë.
Dramaturgjia e përveçme Pashkut, e brendashkruar në dy tragjeditë moderne, “Gof” dhe “Sinkopa”, në formësim dhe në teknikën shkrimore, në gdhendjen e personazheve të dyfishura, e sidomos në kreativen absurde, shënon një gjurmë unike dhe tërësore të lëvrimit të letërsisë moderne. Letrarja moderne e dramatikës së Pashkut, përfshin:
¯ Mesazhet e thella dhe të gjithanshme, por edhe të riformuluara të pakohësisë, të një pakohësie të synuar dhe të dhënë qëllimisht ashtu nga ana e shkrimtarit, si një prani e tjetërsuar, të një realitetit përfytyrues, pra imanizhinist të qenies njerëzore.
¯ Polisemantika (shumëkuptimësia), e bartur në dramatikën e tij, por edhe në shkrimin e prozës së shkurtër dhe të gjatë, si një prani e polifonisë zamadhe, që herë-herë megjithatë shpërfaqet edhe si monofoni identifikuese, madje edhe shumëfishimit të vetë ekzistencës së një personazhi të disafishuar, padyshim dëshmon risi të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, duke i dhënë letërsisë një status dhe nivel të ri shkrimi.
¯ Strukturat e reja, tashmë të rimarra dhe të përmbysura, sendërtuar duke rifomatuar në format dhe skenat ndarëse të mëparshme, e shndërrojnë dramatikën e tij në një shenjë letrare të vetvetishme dhe të mëvetësishëme.
¯ Organizimi i tekstit letrar në njësi të shumta, i parateksteve, mbiteksteve dhe nënteksteve, pra si një situatë e mbingarkuar mbitekstuale, që fokusojnë dhe zbulojnë vetë tekstin parak në gjendje me të ngritur letrare, japin ngjyrimet e një stilisti të rrallë.
¯ Dramaturgjia pa ngjarje dhe veprim të jashtëm, pra krejt e veçantë në shkrimin dramatik në letrat shqipe, madje me pikëpërkime të prekshme në dramaturgjinë e huaj, por me situata dhe heronj që bien dhe shkërrmoqen, e përveçon veprën e tij në kontekst të lëvrimit europian të kësaj gjinie, si teatër absurd.
Modernia në dramaturgjinë e Pashkut, si shenjë e shkrimit dramatik, materializohet në përmbajtje dhe formë, në replika dhe veprimin e personazheve si mosveprim i dukshëm, ajo nuk është lojë dhe shaka e radhës, s’është eksperiment dhe sprovë e qëmtimeve letërsishkrimore, nuk është përzierje e modeleve letrare pa vetëdije dhe shenjim letrar. Modernia në penën e Pashkut është vetë thelbi i thadrimit letrar, është esenca artistike e gdhendur në krijimet e tij, ose siç shprehet kritiku dhe studiuesi Arshi Pipa: ...Kanuni i dinjitetit të vetë: identitetin mes tekstit e vetvetes, (2006 : 24), natyrisht duke pasur parasysh shkrimtarin e veçantë.
Prania e kërkimit autorial në shpalosjen e vlerave dhe riformulimin e disa zhanreve letrare, e shpërndërrojnë veprën letrare të Pashkut në një dukuri të vetvetishme. Në një dukuri që i ka shenjëzimet për ta parë krijimtarinë e Pashkut brenda rrjedhave të letërsisë shqipe bashkëkohore, por edhe më gjerë sesa kaq. Dramatika e formatuar fare qartësisht në tragjeditë moderne “Sinkopa” dhe “Gof”, jep shkas dhe shans për të kundruar shtegtimin e letrave shqipe:
¯ Dramat e Pashkut, konceptuar si shkrim dramatik absurd, pra si dëshmi e kohës shkrimore, kur edhe kanë ngjarë përmbysje të mëdha në sendërgjimin e skenave, personazheve dhe të vetë fjalëve që shkëmbejnë ato ndërmjetshëm, zbulojnë esencat letrare dhe mundësitë e shqipes edhe në lëvrimin e dramaturgjisë, gjinisë më të prapambetur në letërsinë shqipe, sipas përfundimeve të historiografisë letrare të shqipes.
¯ Vepra dramatike e shkrimtarit, e shënuar jo rastësisht nga autori si tragjedi moderne, përveç lëvrimit të prozës, së shkurtër dhe të gjatë, me kualitet letrar, megjithatë pikërisht krijimtaria e gjerë letrare, madje e mbushur me prurje të përveçme letrare, konfirmon më së miri vijueshmërinë e koinesë letrare të gegnishtes, gjurmës më të hershme të ligjërimit të shkruar në gjuhën shqipe, madje variantit që shënon edhe zanafillën e shkrimit të gjuhës shqipe, si gjuhë shkollimi, kulture, letërsie dhe shkence, në periudhën e mesjetës së vonë, së paku siç e dëshmojnë dokumentat e shkrimit të librave në gjuhën shqipe. Anton Pashku dhe krijimtaria e tij, e larmishme dhe krejt moderne, në shpërfaqje dhe formësim, në semantikë dhe shprehësinë letrare, bashkë me veprën poetike dhe studimore të Martin Camajt, Arshi Pipës, Kasëm Trebeshina, Bilal Xhaferrit, Beqir Musliut etj., përfaqësojnë një kulm të shkrimit letrar bashkëkohor, së paku në dy gjinitë letrare, në prozë dhe dramatikë, që Pashku i kishte më për zemër, por kjo e fundit, pra dramatika, dëshmon dhe shenjtëron edhe mundësitë shprehëse të shqipes në këtë gjini, më të prapambetur, siç e shënojnë përfundimet e shkencës letrare të socrealizmit, në mënyrë të pargumentuar. Sugjerimi i T. S. Eliot (1888 – 1965), teksa shprehej: ... përderisa flasim të njëjtën gjuhë dhe kemi për bazë të njëjtën kulturë me atë që prodhoi letërsia e së kaluarës, dëshirojmë t’i ruajmë dy gjëra, një krenari për atë që ka arritur letërsia dhe një besim në atë që mund të arrijmë në të ardhmen. (1992 : 155), tek libri “Ese të Zgjedhura”, për të reflektuar mbi praninë e vlerave letrare në gjuhën shqipe.
¯ Dramat e autorit, të ngjyrave dhe teknikave moderne, të plasimit dhe plazmimit të personazheve si karaktere, të shkrimit dhe shprehësisë absurde, lëvrohen në koherencë me lulëzimin e teatrit modern të Samuel Beckett (1906 – ’89), Juneskos, Musli etj., madje në një përputhshmëri shkrimore të habitshme, që gati rrallë ka ngjarë me letrat shqipe. Përputhja e lëvrimit të dramaturgjisë së Pashkut me prirjet moderne dhe pasmoderne të dramaturgjisë botërore, madje dukshëm edhe më autorët që përmendëm, e formaton dramaticitetin e tij si shenjë referuese dhe kulmore e nivelit dhe shprehësisë së letrave shqipe.
Këto dy vepra, pra “Sinkopa” dhe “Gofi” , po ashtu edhe dy tekstet dramatike të Martin Camajt, “Lojë mbasdreke” dhe “Kandilja argjandit”, si dhe vepra e gjerë dramatike e Kasëm Trebeshinës, e cila i kapërcen të 76 titujt, ku përfshihen të gjitha llojet dramatike, klasike dhe moderne, japin shpresë dhe rrezatime tekstesh se dramaturgjia shqipe po rilindet, madje ka rilindur dhe po shenjëzon gjurmë literariteti midis gjinive dhe zhanreve të ndryshme letrare.