Nga Nonda Bulka (Chri-Chri)
Të mendosh pak, do të vësh re se
vlefta e njeriut në "flori" ka zbritur
në një mënyrë të jashtëzakonshme.
Në kohët e vjetra shiteshin njerëzit
sheshit dhe blerësit nuk mungonin. Sot
një tregti të tillë e ndalon ligji. Mirëpo,
sikur legjislatorit t'i merrte perëndia
mendtë dhe ta anulonte atë ligj ç'do të
ngjiste vallë? Asnjë ndryshim. Përfytyroni
një njeri: mua për shembull. Kam
pesë fëmijë, gruan dhe vjehrrën (meqë
kam hyrë dhëndër brenda). S'kam mjaft
fitime dhe dua të nxjerr në pjacë vjehrrën
e ta shes. Kush ma zë me dorë?
Sikur të paguash edhe dy dollarë, s'ta
merr njeri. sikur të nxjerr në pazar
gomarin, mund ta shes katër dollarë.
Përfytyroni një shtet që ka shumë
nëpunës, shumë tagrambledhës, shumë
ministra ose shumë deputetë. Për të
balancuar buxhetin vendos të shesë disa
prej tyre. S'ka shtet të huaj që të vërë
kalem në shitjen origjinale. Si do t'i
thuash tjetrit. - Sa e blen këtë deputet,
sa paguan për këtë llogaritar, ose sa
para jep për këtë protokollist?
Ai do të përgjigjet: - Do të të shes
unë?
Ashtu si në çdo gjë tjetër, kemi
"sipërprodhim njerëzish". Le të thonë
sa të duan se "beqarllëku është një
krim".
Vetëm një luftë i lan hallet. Kur
rriten në tre vjet e sipër dhjetë milionë
kreatyra të njoma, doemos që vlefta
ngrihet. Por luftë s'ka ngaherë. Çudi e
madhe! U mbushën plot 16 vjet që Evropa
nuk i ka shpallur luftë Evropës. Përse
kjo moskujdesje? Ç'bën konferenca e çarmatimit?
Cila është detyra e saj? Çdo
gjë ka masë: 16 vjet pa luftë është një
katastrofë paqësore...
Prandaj ra edhe vlefta e kafshës fodulle,
që quhet njeri.
Janar 1934





