Të gjitha romanet që Floberi nuk ka shkruar kurrë ndodhen në korrespondencën e tij të vrullshme, tre mijë e shtatëqind faqe letra. “Konti oriental”, për shembull. Flober e ka shkruar atë në letrat nga Egjipti. “…Aty ndodhen kërcimtaret, të shëmtuara, por tërheqëse në kompromentim, në degradimin e qëllimshëm të shikimit, femërore në lëvizje: trilli i muskujve, me gjoks, shpinë dhe ije të zhveshura, të mbuluara vetëm nga një vel i hollë i zi. “Ato vijnë drejt nesh, me krahët hapur dhe fytyra, nën trukun e djersitur, mbetet më e akullt se një statujë”.
Flitet për sodominë në publik dhe në tryezë: “Duke udhëtuar për t’u stërvitur dhe me një detyrë të rëndësishme, e konsideruam si detyrim përkushtimin tonë ndaj orgjive”. Rasti ende nuk është paraqitur, por Gustav e kërkon aty ku ai praktikohet. “Shkretëtira është një vjollcë e habitur, e çelur në mëngjes, gri në mesditë dhe rozë në mbrëmje”; në rërë Flober avancon duke vrapuar drejt Sfinksit të lashtë, që del nga toka si një qen i stërmadh. Një majmun rrugës tenton të masturbojë një gomar, që hedh shqelma; majmuni bërtet, gjithandej.
Duke u sjellë vërdallë nëpër pazar, shkrimtari përfundon në lagjen e prostitutave, pesë apo gjashtë rrugë me shtëpi balte; “fundet e gjera lodrojnë nën erën e ngrohtë; vargjet e arturinave të verbojnë”. Kurtizanen e famshme Kuciuk-Hanem e zë gjumi natën me gishtat e mbërthyera në pëllëmbën e Floberit, që duket i kënaqur me “aktin e dashurisë të përsëritur pesë herë”. Por, ai nxiton të shkruajë në letër se më pas e kishte gjetur kërcimtaren të ndryshuar. “Kishte qenë e sëmurë, e bëmë vetëm një herë”, shkruan ai. Klima është e rëndë dhe Flober e thith hidhërimin e saj në ajër, ndaj gjëja më e rëndësishme, që është metaforë, është letërsia.
Kuratori Franco Rella e ka përzgjedhur në 500 faqe të gjithë kontinentin e kësaj korrespondence, (Gustav Flober, vepra dhe sozia e tij”) me një ankth të mrekullueshëm, prej studiuesi, prej të dashuruari, për të na kthyer pak nga pak gjeniun. Shkrimi këtu ka një shpejtësi marramendëse (pas një dite të kaluar në kërkim të një fraze të vetme, ai e lë të lirë veten gjatë natës për të shkruar 10 apo 15 faqe letra, siç thotë kuratori). Aty ka një Flober gjithë jetë, të dashur dhe të adhuruar. Kështu romani sentimental është mes zonave më të dukshme në këtë zgjedhje. Rella na drejton dhe na bën të vëzhgojmë nga larg dashurinë e Floberit; na kujton se fraza “së largu, do të të dua shumë para se të resht së dashuri”, i është shkruar së pari poeteshës Colet një ditë pas përqafimit të parë në një shëtitje me kaloshinë në pyllin e Bulonjës (kujtoj përkundjen në erë: momentet që do të kthehen më pas te Zonja Bovari dhe do të rikujtohen në procesin e qëllimshëm ndaj romanit për imoralitet). Pasi e kishte lënë atë në Paris, Gustav gjen të ëmën që po e pret në stacionin Rouen; “Ajo qau kur më pa se u ktheva. Ti qave kur më pe duke ikur. Nuk mund të bësh një hap pa parë lot nga të gjitha anët”. Në mënyrë të dukshme, nuk janë fraza që të mbajnë larg një gruaje, sidomos një gruaje me temperamentin e “ndezur” të Louise Colet. Shkrimtari Alphonse Karr kishte qeshur me lidhjen e saj me studiuesin dhe Ministrin e Arsimit, Victor Cousin: “Poetesha, kishte shkruar, është shtatzënë për shkak të një pickimi të Cousin”. Louise Colet kishte shkuar të kërkonte shkrimtarin me thikë në dorë dhe kishte tentuar ta qëllonte, ai me zor kishte arritur ta ndalonte.
Në atë ditë të parë të largësisë, Flaubert e qetëson kështu: “Këtë muaj do të vij të të shoh. Do të rri një ditë të tërë”. I tregon se ka dashur nga mosha 14 deri në 20 vjeç një grua pa ia shprehur dashurinë, pa e prekur (është zonja Arnoux); “dhe për pasojë ka ndjenjur tre vjet pa bërë seks”. Kuptohet se Floberit i vjen keq se ajo erdhi me një majë gishti, i bëri lëmsh të gjitha. Shumë më vonë edhe George Sand tenton të “ndryshojë atë tërheqjen e tij prej rinoceronti, sepse dhimbja vjen nga afërsia”. Në të vërtetë, Gustav mbron punën e shkrimtarit.
Kërkon të dehet me një kurth, ashtu si të tjerët me alkool: “Pse, - i shkruan ai shkrimtares ambicioze, - jam i shkurtër, kam shpatulla hamalli dhe nervozitetin e pashmangshëm të shoqërueses së nuses. Fjalët “të kam dashur me shikim të parë” apo “e kam marrë letrën tënde të shumëdëshiruar, jam lagur i gjithi”, i drejtohen Feydeau dhe Louis Bouilhet. Më pas vjen roman i miqësisë; “Asgjë nuk është më e ëmbël se miqësia, ah miqësi e ëmbël, më shton dhjetë vjet jetë”.
Më pas, të gjitha shfaqjet e budallallëkut e ngushëllojnë dhe e argëtojnë atë. Letra e parë, e shkruar kur ishte dhjetë vjeç, nis me fjalën “budalla”. Më pas gjithnjë do të ironizojë me budallallëkun njerëzor para se të “inventarizojë” budallallëkun e Bouvard dhe Pécuchet. Dhe këtu ka një plagë autobiografike; “Për orë të tëra rrinte me një gisht në gojë, i habitur, me një pamje prej budallai”. Por, budallallëku përshkon gjithë korrespondencën, si një lente nëpërmjet të cilës vëzhgohet bota: letërsia e lehtë, shoqëria, politika. Mërzia dhe pesimizmi bëjnë hyjnoren e të zakonshmes. Edhe nëse realiteti nuk është i bukur, ai është i destinuar të jepet pas bukurisë: “Zhytem në perfeksion”, thotë ai.
Në udhëkryq mes dritës e territ. Zoti Bovari dhe ana tjetër e tij
Shkrim gjatë natës, shkrim jo perfekt, vrulli i ndërgjegjes së pandalur, kaligrafi e ndezur: ky është Floberi tjetër. Floberi tjetër në 500 letra. Që u janë shkruar miqve, shkrimtarëve, të afërmve, mikeshave, dashnoreve. Letra të shkurtra, të gjata, pasionale, tronditëse, të famshme në Francë, por të pabotuara në shumë vende të Europës. Rrëfime zemre, vëzhgime, shënime, ndjesi. Epistolari, “vepra e tij më e madhe” sipas André Gidesë, ka dalë në qarkullim një vit më parë në Itali, i rishikuar dhe i seleksionuar: “Gustav Flober, vepra dhe sozia e tij”. Nga letrat, (të botuara nga Fazi, në 500 faqe; me çmim 24,50 euro) nën kujdesin e Franco Rella-s, docent i estetikës në Venecia.
Profesor Rella, vepra dhe sozia e saj tregon ekzistencën e Floberit shkrimtar dhe një Floberi rrëfyes?
Floberi romancier do që të jetë perfekt në veprën e tij, në dokumentacionin e hollësishëm (të Zonjës Bovari, me pak faqe me ai merret për tre muaj rresht). Në roman nuk ka asnjë gjurmë të Floberit, ideve të tij, të shprehura në letra. Epistolari përmbledh të dyja anët e shkrintarit në një portret që asnjë biograf nuk ka mundur ta realizojë.
Si mund të na e tregoni?
“Me anë të një fragmenti të një letre. Ai pyet George Sand më 1 janar 1869: “Do ta gjej subjektin tim? A do të më bjerë vallë nga qielli një ide në harmoni të plotë me temperamentin? A mund të shkruaj një libër ku të shpreh vetveten?” E pra, vendi në të cilin ai shpreh veten plotësisht, janë letrat e tij”.
Janë 500 faqe të seleksionuara nga disa mijëra të tilla. Në ç’mënyrë janë përzgjedhur, cilat letra janë botuar dhe kujt u drejtohen ato?
“Isha i detyruar të bëja një sakrificë. Kam përzgjedhur më domethënëset, ato që shprehin estetikën floberiane, kam zgjedhur romanin e tij të fshehur. Ai punonte për Zonjën Bovari dhe i shkruante Louise Colet, dashurisë së tij të madhe. I shkruante miqve Chevalier, Alfred Le Poittevin, mikeshave dhe dashnoreve, Léonie Brainne, zonjës Roger des Genettes, shkrimtarëve Sand, Maupassant, Zola, Goncourt. Nënës, motrës, mbesës Karolinë...”.
Bëhet fjalë për një shkrim të errët dhe të vrullshëm?
“Po. Flober thoshte se romani i tij duhej të ishte perfekt, ashtu si Partenoni. Ishte atje shkrimi absolut. Letrat, në të kundërt, shprehin vrullin e mendimeve të tij të brendshme, groteskun, anën tjetër të jetës, sublimen e parë nga një tjetër këndvështrim. Një lojë mes perfektes dhe anëve të errëta. Floberi dhe sozia e tij, Floberi tjetër”.
Milosao
Home »
» Flober, në letra, romani që nuk u shkrua kurrë