Të përkthesh a të mos përkthesh!

Mirela Kumbaro

Nisur nga pyetja provokuese e Mira Meksit, bërë pak ditë më parë e të cilën po e përkthej siç do më pëlqente: "A doni shtëpi o përkthyes?", ka filluar një diskutim lidhur me nevojën e nxitjes së përkthimeve. Nuk besoj se grishjen e mësipërme do ta refuzonte çdokush që mendon se ka lyer penën në bojën e përkthimit. Por, para se të bëhet kjo, do të ishte e nevojshme të kuptojmë më mirë se çfarë ndodh me përkthimin, çfarë ofrohet për t‘u përkthyer, sa vlen të përkthehet dhe sa i jepet përkthimit. Në të vërtetë, ideja e hedhur në gazetën "Shqip" të para pak ditëve propozon një strukturë që të mbështesë e të promovojë përkthimin e letrave shqipe në gjuhë të tjera, për ta eksportuar atë në një treg ndërkombëtar të librit. Duke u nisur nga modelet ekzistuese sot në Europë të këtyre "strehëzave" të përkthimit letrar është krejt e udhës që ky propozim t‘i drejtohet në radhë të parë institucioneve që jo vetëm janë të interesuara për kultivimin e përhapjen e vlerave shqiptare, por që e kanë atë detyrë parësore. Kjo do të ishte e dobishme për të mos i lënë të tilla ndërmarrje vetëm në dorë të fondacioneve private, që jo rrallë reduktohen në shtëpi botuese private të rrogëtarit të fondacionit. Krijimi i një vatre të tillë do të ishte padyshim një kontribut i vyer i shtetit shqiptar nëse Ministria e Kulturës mendon se për promovimin e më të mirëve të artistëve të letrave shqipe, do të bënte më shumë se sa një gjest që përkthehet në dhënien e një çmimi një herë në vit. Më vjen mirë që tek punëtorët e librit kjo ide gjeti një jehonë, por jo shumë. Që të jem e sinqertë as unë nuk jam shumë entuziaste se shteti do bjerë përmbys për ta bërë këtë, ashtu sikurse nuk besoj se edhe po ta bënte kjo do "t‘i dyfishojë apo trefishojë" botimet shqiptare jashtë.

Nëse flasim për promovim të letrave shqipe në tregun ndërkombëtar, duke i dhënë gjithë kuptimin e konkurrencës së lirë e cilësore fjalës "treg", kemi në radhë të parë një problem me vetë letërsinë shqipe. Kjo letërsi është e privuar nga çdo lloj sistemi hierarkik të vlerave për shkak të mungesës totale të institucionit të kritikës letrare. Autorët e librave, të çfarëdolloj gjinie qofshin, e dinë këtë më mirë se askush. Çdo botim që del mund të ngrihet në qiell si kryevepra e vitit nga vetë botuesi ose shoku i lagjes, sikurse dhe mund të hidhet në këmbët e "mullixhiut për inat të vjehrrës". Ose në rastin më të keq libri mbetet anonim e nuk bën dot as hije në raftin e librarive, ndërsa në biblioteka individuale s‘ka asnjë gjasë që të futet as si dhuratë. Kaq mjafton për të thënë se prodhimet letrare në vend janë të dënuara të mbeten provinciale. Ato nuk sprovohen në asnjë debat kritik të mirëfilltë që do ta fuste leximin e letërsisë që botohet në hullinë e kritikave profesionale, aq të domosdoshme jo vetëm për edukimin e shijeve letrare të publikut, por edhe për të bërë seleksionimin e vlerave të mirëfillta letrare, të cilat do të ishin të denja të mbështeteshin, të promovoheshin e të eksportoheshin.

Në këtë kuptim nuk mund ta vëmë gishtin vetëm mbi shtetin. Veprat e plota të Ismail Kadaresë e më vonë libra të Mustafajit, Kongolit, Shehut, nuk u përkthyen e nuk u botuan në Europë se u mbështetën nga ndonjë politikë shtetërore letrare. Ato u futën në hapësirën ndërkombëtare jo prej pasaportës shqiptare, por si Letra artistike. Nga ana tjetër, ma do mendja se kur flasim për letërsi të përkthyer, problemi i parë është me vetë "përkthimin" letrar si fenomen krijues. Ai është lënë totalisht në dorë të fatit në rastin më të keq, ose në dorë të pasionit të individit (botues apo përkthyes) në rastin më të mirë. Dhe këtu është rasti të themi se kjo ka të bëjë jo vetëm me tregun dhe profesionalizmin e botimeve, por edhe me politikat mbështetëse të shtetit për librin shqip, që vazhdon të konsiderohet si një mall i barabartë me çorapet që shiten te rrugica përballë Ministrisë së Kulturës. Nuk do të hap këtu një temë e cila do të përbënte objekt të një trajtese të veçantë, por do të doja, megjithatë, të theksoja se gjithë çka thashë më lart nuk është arsye për të ndenjur duarkryq e për të mos përkrahur nisma të tilla që ndërtojnë e nuk shkatërrojnë, që hapin dritare e nuk mbyllin dyer, pa rënë në pozita nihiliste, se kjo na ka marrë shpesh në qafë. Përkundrazi, do të ishte në nder të autoriteteve publike të mbështesnin e të garantonin krijimin e një "strehe" të përhapjes së letrave shqipe, sikurse dhe të letrave në shqip.