BESNIK MUSTAFAJ
Një turist francez vizitonte një fshat të Shqipërisë. Kryetari i këshillit popullor, pasi vuri gjithë shpirtin në shpjegimin e transformimeve rrënjësore të fshatit të tyre nën udhëheqjen e Partisë e të shokut Enver, priti shpërthimin e admirimit të mikut të largët. Për çudi, francezi mbeti i zymtë, gojëkyçur. Atëherë vendasi u detyrua ta pyeste përkthyesin se ç’hall kishte i huaji që rrinte aq i vrarë.
- Lëre, të shkretin! Mos ia ngacmo plagën! Kujton vendin e tij, që kapitalizmi e ka zhytur në mjerim, - iu përgjigj përkthyesi i shkathët.
- I thuaj të mos mërzitet, po të mbledhë mendjen së bashku me shokët e vet e të krijojë Partinë Komuniste. Ndihma e Partisë sonë nuk do t’u mungojë. Populli i tij mund ta ndërtojë të ardhmen vetëm duke ecur sipas mësimeve të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit e shokut Enver. Atëherë do ta shohë ai edhe Parisin të lulëzojë si fshati ynë. I pari i pushtetit të atij fshati ishte i sigurt se po i jepte mysafirit këshillën dhe ngushëllimin më të përshtatshëm.
Kaq thotë anekdota që tregohej në Shqipëri të paktën nga fillimi i viteve tetëdhjetë, kur unë isha ende student. Ndodhia është e trilluar, por personazhet janë sidoqoftë të vërtetë. Po të përdorim një nga termat më të preferuar të propagandës komuniste, do të thoshim se fshatari paraqet në mënyrë simptomatike NJERIUN E RI shqiptar, të fabrikuar gradualisht gjatë 45 vjetëve nga makina e tmerrshme e shtetit të diktaturës së proletariatit. Nuk ka pikë dyshimi se entuziazmi i tij është i sinqertë, siç është i sinqertë edhe trishtimi që ndien ai nga ftohtësia e mikut të largët para realitetit madhështor të vendit të tij. Mosha dhe detyra e lejojnë personazhin tonë të mishërojë nivelin mesatar të formimit politik e kulturor të mjedisit ku jetonte. Le ta shtyjmë me përfytyrim turistin francez ta pyesë pritësin se çfarë di për botën. Ja si do të përgjigjej ai:
Bota ndahet në dy hemisfera politike të papajtueshme.
Në njërën bëjnë pjesë vendet kapitaliste të Evropës, Amerikës, Afrikës, Azisë, me në krye SHBA. Nga fundi i viteve pesëdhjetë, kur në BRSS erdhi në fuqi Hrushovi, dhe Partia jonë me shokun Enver Hoxha ia çorën maskën e tradhtisë, në këtë hemisferë kaluan edhe vendet e ish-kampit socialist, të cilat ia hapën rrugën degjenerimit të pushtetit popullor. Në krye të këtyre vendeve, si xhandar dhe jo i parë midis të barabartëve, është BRSS. Popujt, si në Lindje e në Perëndim, jetojnë në mjerim, shtypen e shfrytëzohen barbarisht, ndërsa një pakicë, afër 0,01 për qind e popullsisë, jeton mes luksit përrallor.
Hemisfera tjetër, edhe pse tani për tani, për arsye të shpjeguara në analizat e Partisë sonë, dhe në veprat e shokut Enver, zë vetëm 28 mijë kilometra katrorë dhe ka një popullsi prej 3 milion banorësh, është më e rëndësishmja e planetit. Aty ndodhet Shqipëria, i vetmi vend ku në fuqi është populli. Si ka deklaruar në Moskë, në nëntor 1960, përmes gojës së birit të vet më të shtrenjtë, arkitektit të Shqipërisë së re, Enver Hoxhës, populli shqiptar do të hajë edhe bar, por parimet e komunizmit nuk do t’i tradhtojë. Duke mbrojtur këto parime të pavdekshme ky vend ka fituar prestigj të pashembullt në sytë e popujve liridashës të botës. Shqipëria me Partinë largpamëse, të udhëhequr nga shoku Enver Hoxha, është zotuar para historisë ta mbajë gjallë në këto kohë tepër të vështira ëndrrën më të bukur të njerëzimit: Komunizmin. Popujt e botës, në shenjë mirënjohjeje të thellë për misionin e udhërrëfyeses drejt së ardhmes, që kryen ndaj tyre Partia e Punës e Shqipërisë, e quajnë atë me nderimin më të madh: Zëri i së vërtetës.
Por, mirënjohjen më të pakufishme Partia e Punës dhe shoku Enver e gëzojnë te populli shqiptar. Kjo mirënjohje shprehet politikisht në parullën: PARTI-ENVER, JEMI GATI KURDOHERË. Dhe Partia i përgjigjet: Ç’THOTË PARTIA-BËN POPULLI, Ç’DO POPULLI-BËN PARTIA, parullë e formuluar nga vetë shoku Enver dhe ku sintetizohet në mënyrë të shkëlqyer uniteti i pathyeshëm PARTI-POPULL, i cili është, si thotë përsëri shoku Enver, kyçi i artë i të gjitha fitoreve tona.
Kuptohet se, edhe arti, frymëzimet duhej t’i gjente në jetën dhe në veprën madhore të Enver Hoxhës. Janë shkruar kilometra me vargje. Janë harxhuar tonelata me bojëra për të mbushur telajot gjigante me fytyrën e qeshur e njëkohësisht të menduar thellë të UDHËRRËFYESIT. Dhe sidomos këngët përmbytën jo vetëm radion, që ishte shtetërore, por edhe të gjitha llojet e koncerteve, anembanë Shqipërisë.
Njëra sish, ajo me titullin “Enver Hoxha, tungjatjeta”, i zuri vendin edhe Himnit Kombëtar.
Në të vërtetë, Komiteti Qendror nuk kishte lëshuar ndonjë urdhër për një veprim të tillë. Por nuk ishte nevoja. Në regjimet diktatoriale gjendet rruga për të vendosur rregulla të pashkruara. Madje, rregullat e pashkruara përcaktojnë në një masë shumë më të madhe se ligjet mënyrën e jetesës së shoqërisë. Kjo e bën individin të ndihet vazhdimisht i pambrojtur dhe dora-dorës atij i krijohet një psikologji krejt e veçantë, ku sundon kompleksi ekzistencial i frikës, me të cilën individi mësohet, domethënë bëhet gjithnjë e më i pavetëdijshëm për ankthin e vet dhe i mbillet një verbëri e çuditshme në gjykim. Kjo verbëri shënon fitoren përfundimtare të diktaturës. Ashtu si ato bishat e xhunglës, që e magjepsin me vështrim prenë para se ta çajnë, edhe regjimi diktatorial e magjeps pa u ndier individin, i shkakton atij dehjen e trurit. Në vend të realitetit përreth, individi sheh një realitet iluzor, përshkrimin e të cilit e gjen në propagandën zyrtare. Në një pjesë të madhe të popullit kjo dehje është totale. Asaj nuk i shpëton asnjë qoshe e trurit, ku mund të përpunohej një arsyetim sadopak logjik. Për të përfytyruar deri ku shkonte kjo dehje, po sjell një shembull: Ndër dhjetëra mijë të dënuar politikë, që ka pasur Shqipëria gjatë viteve të diktaturës, janë të rrallë ata që e kanë pranuar akuzën si kundërshtarë të regjimit. Po të shfletohen dosjet e tyre, do të gjenden plot betime për besnikëri ndaj Partisë dhe Enver Hoxhës. Madje, ka ndër ta që edhe në fjalën e fundit, pasi kanë marrë dënimin absurd me 15, 20, 25 vjet burg, apo edhe me pushkatim, në vend që të këmbëngulnin për padrejtësinë dhe të denoncojnë dhunën, kanë thirrur: “Rroftë Partia! Rroftë shoku Enver Hoxha!”
Përballë kësi shembujsh të papërfytyrueshëm nga jashtë, apo nga një kohë tjetër, futja e këngës “Enver Hoxha, tungjatjeta”, si uverturë e spektakleve publike të jetës shqiptare ngjan e natyrshme. Kjo këngë është pa dyshim një nga ditirambet më emfatike thurur një diktatori, e që shpreh më së miri përmasat e megalomanisë së tij. Ja një strofë e saj:
Po thonë popujt nëpër botë
Një yll drite ka në Evropë,
Nga ky yll që ka Shqipëria,
Lum kujt i bien rrezet e tija.
Del kështu se dy nga tri personazhet e anekdotës hynin ndër qytetarët e privilegjuar të botës në këtë fundshekull. Ata ishin rritur nën dritën e këtij ylli. Mbase, për sytë e të huajit, shefi i fshatit dhe përkthyesi i ri ngjanin të panatyrshëm e njësoj të çmendur, si ngjajnë krijesat e rritura me dritë artificiale. Nuk janë njësoj. Madje kanë një ndryshim që, pa kaluar shumë vite, do t’i çonte në ballafaqim me njëri-tjetrin. Le t’i paraqesim secilin shkurtimisht:
Fshatari me pushtet po kapërcen të pesëdhjetat. Është një burrë eshtëror, me dy këmbë të holla e të harkuara, që spikatin mirë nën kilotat e leshta, të zeza, të cilat nuk i japin vapë as në pikun e verës. Supet e imëta e të mbledhura, që ia fshehin çuditërisht kraharorin krejt të rrafshët, mbulohen me një setër ushtarake të çngjyrosur paksa nga mbajtja e gjatë, të cilës i janë hequr shenjat e uniformës së oficerit, por që mbajtja e saj ka një domethënie: ai vetë është oficer i liruar, natyrisht, për arsye të shpjegueshme, përderisa vazhdon të zërë një vend në pushtet, ose ka lidhje familjare me dikë që punon në ushtri. Më e mundshmja është ta ketë djalin oficer. Pra, sidoqoftë është njeri i besuar. Kokën e vogël e të qethur shkurt e mbulon me një kasketë të errët, zakon i fituar nga dëshira për t’u ngjarë pak shokëve të komitetit të partisë së rrethit, me të cilët takohet nëpër mbledhjet e shpeshta në qytet. Sytë e futur thellë ngjajnë edhe më të vegjël dhe nuk arrijnë ta gjallërojnë sadopak fytyrën e rreshkur tej mase nga të qëndruarit e gjatë jashtë, në diell e në kohë të keqe. Vështrimi i tij e përfshin gjithë mëshirë fytyrën e turistit. Lëkura e bardhë, e lëmuar e asaj fytyre të huaj, për shqiptarin pesëdhjetëvjeçar nuk ka emër tjetër veç zbehtësi nga ushqimi i pamjaftueshëm. Ose është dëshmi e ndonjë sëmundjeje të keqe, të cilën i huaji, viktimë e shfrytëzimit barbar kapitalist, nuk ka paratë e nevojshme ta kurojë. Është gati t’i lutet mikut të largët të pranojë pak nga gjaku i tij, pa përfytyruar se edhe në kokën e turistit vërtitet pak a shumë i njëjti mendim për të. Lëkura e djegur e fytyrës së tij i mjafton të huajit për të kuptuar çfarë jete kishte bërë e bënte ai fshatar i lumtur.
Përkthyesi ka moshën e djalit të vogël të fshatarit. Ai kryen vitin e fundit të fakultetit të gjuhëve të huaja dhe ka një vetëndjerje në rritje për rolin e vështirë të ndërmjetësit midis vendit të tij dhe të huajve. Ky rol e vë nën një trysni të dyanshme. Njerëzit të cilëve u përket i kërkojnë të paraqesë me dinjitet atdheun. Kjo kupton që të huajve t’u tregohen vetëm përparimet madhështore, gjë që përkthyesi e kishte detyrë morale dhe patriotike, por edhe detyrë shtetërore të padiskutueshme, shkelja pak e së cilës e çonte në duart e Sigurimit. Detyrimi moral, i shprehur në proverbin se mikut i tregohet vetëm oda e mirë, dhe i ngarkuar me propagandën intensive rreth qëllimeve të mbrapshta të botës reaksionare ndaj socializmit të vërtetë të mishëruar nga Partia jonë, kishte sidoqoftë një ndikim psikologjik frenues në sjelljen e përkthyesit të ri me të huajt. Por kryesori ishte detyrimi shtetëror, shkelja e të cilit, si pasojën më të lehtë, pra, nëse i shpëtonte akuzës për spiunazh, kishte dhjetë vjet burg për propagandë kundër pushtetit popullor. Është një kërcënim që nuk përballohet lehtë. Aq më tepër nga një njëzetvjeçar.
Përkthyesi i ri nuk ka udhëtuar jashtë, por ka udhëtuar shumë nëpër Shqipëri si shoqërues i të huajve. Ka udhëtuar në vetura luksoze “Volvo”, ka fjetur në hotele turistike dhe ka ngrënë, pa u merakosur për shpenzimet, në restorante të kategorisë së parë. Ka provuar kështu nga jeta një kënaqësi tjetër nga ajo e predikuar me zellin më të madh nga Partia dhe shoku Enver, si luftë kundër rehatisë mikroborgjeze.
Përkthyesit të ri, fshehurazi edhe vetes, i kishte lindur tashmë dëshira të punonte edhe ai për pak rehati. Po si?
Por nuk ishte kjo e gjithë trazira e trurit të tij të njomë. Duke qëndruar pranë vizitorit të huaj, fillon t’i duket gjithnjë e më pa shije, e shëmtuar, mënyra e veshjes së vet. Është e natyrshme për moshën, që lëkundjet e para ai t’i pësonte në normat e paraqitjes, e cila asokohe ishte në qendër të vëmendjes së Partisë. Protagonistit të anekdotës sonë fillon t’i duket gjithnjë e më absurde rëndësia e madhe politike dhe ideologjike që i jepet gjerësisë së këmbëzave të pantallonave, apo gjatësisë së flokëve. Psikologjia e tij e homogjenizuar pëson kështu një të çarë, e cila duket kur i huaji e pyet se ç’dëme i shkaktojnë socializmit mustaqet, kur edhe Stalini ka pasur të tilla, dhe përkthyesi i ri, i skuqur flakë, belbëzon nëpër dhëmbë, pa ditur ç’përgjigje të japë. Citati i shokut Enver se, modë do të thotë degjenerim moral dhe degjenerimin moral e ndan vetëm një hap nga degjenerimi politik, nuk i mjafton më as për të bindur veten e aq më pak të huajin.
Drama e tij absurde vazhdon. Gjuhët e huaja i kanë dhënë mundësinë të lexojë herë pas here libra të ndaluar, të cilat, pavarësisht nga kujdesi i regjimit për mbylljen hermetike të portave të Shqipërisë, arrijnë të futen. “Doktor Zhivago”, “Shakaja”, “Pavijoni i kancerozëve”... Studenti tërhiqet drejt tyre nga kureshtja e zakonshme djaloshare për të provuar mollën e ndaluar dhe me kalimin e kohës zë veten në mëkat: ka filluar të mendojë ndryshe. Ndërkaq sheh se ka gjithnjë e më fort dëshirë të çelë biseda me vizitorët e huaj rreth qytetërimit, artit, filozofisë. Të huajt, për çudi, nuk i presin me bezdi pyetjet e tij. Ata nuk nënqeshin me nënvleftësim as kur pyetjet janë naive për një student të vitit të fundit të universitetit. Bisedat janë veçanërisht të këndshme gjatë drekave dhe darkave, kur vera ndikon edhe tek ai për t’ia liruar pak gjuhën. Por ky ndikim i verës nuk arrin ta shtyjë në zona tepër të rrezikshme. Gojë pas goje ka mësuar se në tavolinat ku ulen të huajt ashtu si në dhomat ku flenë ata, ka veshë të mprehtë. Kjo domosdoshmëri vetëkontrollimi, e panatyrshme për moshën e tij, e lodh tepër, ia zvogëlon kënaqësitë e punës që kryen pa asnjë pagesë. Kësaj i shtohet edhe lodhja e përkthimit të bisedave të llojit të asaj që i huaji pati me fshatarin.
Pasi e ka përcjellë turistin në aeroportin e Rinasit, ai kthehet të kalojë një mbrëmje të shkurtër me të dashurën, edhe ajo studente. Nëpër xhepa ka fshehur disa peta çamçakëzi, që miku i huaj i ka dhënë vjedhurazi syve të Sigurimit. Ai është i kënaqur ta gëzojë të dashurën e vet me këtë dhuratë të rrallë, një nga simbolet e degjenerimit të rinisë në vendet borgjeze.
Vajza është e etur të mësojë si kishte kaluar ai. Në kokën e saj janë mbledhur një mori pyetjesh, të cilat ia zbraz të dashurit para se t’i thotë atë që në të vërtetë është më kryesorja: e ka marrë malli shumë.
“Si ishte ai?”, “Si hante?”, “Ç’mendonte për martesën?”, “A kishte makinë?”, “A kishte udhëtuar në vende të tjera?”, “A është e vërtetë se flitet që Kadareja do të marrë çmimin Nobel?”, “A...?”
Djali e dëgjon i shpërqendruar, gjë që e pengon vajzën e pafajshme t’u shkojë në fund pyetjeve që e brejnë. I mbetet zëri pezull dhe e heton gjatë me sy të dashurin, si për të kuptuar ç’zien në kokën e tij. Djali, thua se kishte pritur heshtjen e saj për të hapur gojën, i drejtohet:
- Më mirë të mos shkoj më me të huaj... S’është punë...
Dhe ka një mpirje penguese për t’i dhënë një të puthur të dashurës së përmallur. Edhe ai vetë është tepër i përmallur për përkëdhelitë e saj. Por, as ai dhe, as vajza, nuk dinë ende kë të bëjnë fajtor për prishjen e idilit të tyre të asaj mbrëmjeje. Më saktë nuk dinë ende kë të bëjnë fajtor për prishjen në përgjithësi nga pak të bukurisë së lidhjes së tyre. Ja, pra, sa të ndryshme janë dy personazhet shqiptare të anekdotës. Janë ndryshimet e dy brezave, të cilët, pa qenë as vetë krejt të ndërgjegjshëm, do të ushtronin si kurrë më parë mbi itinerarin politik të Shqipërisë gjatë viteve tetëdhjetë një presion nga dy kahe të kundërta. Fitorja ishte e paracaktuar nga ligjet e natyrës për të riun. E keqja ishte se midis të dyve ishte këputur arteria që do t’i çonte në bashkimin e forcave. Pra, dhe fitorja do të vonohej. Asnjëri nuk kishte ende mjaft forca për ta përzënë tjetrin nga skena.
box
Mustafaj: Ëndrra e përbashkët është arritur, liria
Shkrimtari Besnik Mustafaj boton të plotë esenë “Midis krimeve dhe mirazheve, Shqipëria”, shkruar në periudhën maj-dhjetor 1991 dhe botuar së pari në përkthimin frëngjisht tek Actes Sud në mars 1992. Në këtë hark kohor, në shtator të ’91, në gazetën “Zëri i Rinisë” ka botuar me vazhdime kapitullin “Kambanat e papritura të 8 dhjetorit” me titullin e përkohshëm “Piedestalet e zbrazura”.
Në qershor të ’95, nga ky libër botohet në periodikë shqiptarë, kapitulli “Fillimi i fikjes së yllit”, ndërkohë që ishte i botuar vetëm në gjuhë të huaj, në frëngjisht, dhe italisht. Ky që po i prezantohet lexuesit shqiptar përbën botimin e plotë të esesë ku përfshihen këto kapituj: “Ura mbi det”, shkruar në dhjetor 1992 - janar 1993, i cili nga botimi francez la jashtë përkthimit të tij kapitullin “Edhe ne si gjithë Evropa”. Po ashtu përfshihet edhe kapitulli shtesë “Marramendja”, shkruar në maj 1997.
“Historia e Shqipërisë, keq a mirë, ka ecur gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Bashkë me të kanë ndryshuar edhe protagonistët e këtij libri. Ata kanë ndërtuar itinerare politike të paparashikuara ndoshta as nga ata vetë në pikën e nisjes tonë të përbashkët. Në mjaft raste ata janë shkëputur nga njëri-tjetri, madje edhe me të shara të ndërsjellta në disa raste. Punë e tyre! Secili ka bërë dhe bën hesapet e veta, ndjek rrugën që i përshtatet. Menduar më gjerë do të thosha se edhe një fakt i tillë dëshmon se ëndrra jonë e përbashkët e fillimit është arritur: liria”, shkruan Mustafaj me rastin e botimit të plotë në shqip të esesë. Shkrimtari i tërhequr në fillim të këtij viti nga tapeti i politikës, gjithçka lidhet me esenë e sheh si çështje të marrëdhënieve vetjake me pushtetin, ndaj edhe me rishikimin e tekstit për botimin e tij të parë të plotë në shqipe më 1999, thotë se është kujdesur të ruajë vërtetësinë e fakteve. “Nuk kisha të drejtë të rektifikoja ngjarjet dhe as gjykimet e mia për to asokohe, pavarësisht nga vlerësimet e reja që mund të kisha tashmë. Në këtë kuptim iu përmbajta vërtet parimit të ribotimit”. Krejt ndryshe në qëndrimin e ftohtë ndaj rrjedhës historiko-politike të esesë, Mustafaj thotë se këtë libër do t’ia dedikonte si homazh mikut të tij, shkrimtarit të ndarë nga jeta në gusht të 2002, Tedor Kekos. Duke qenë një libër me një vështrim personal, dhe prej shkrimtari, ku ndërthuren dëshmitë e tij imediate me kujtime dhe refleksionet për një të shkruar të afërme, dhe mbi të ardhmen, siç e ka përfytyronte në vitin 1991. “Nuk është, pra, as libër i mirëfilltë historik dhe as nuk merr përsipër të paraqesë kronikën e plotë të ngjarjeve që ndryshuan drejtimin e historisë shqiptare në kapërcyellin e shekujve”.