MIRKO KOVAç
Gyorgy Konrad është një autoritet i padiskutueshëm literal, shkrimtar, të cilin e lexoj me endje dhe shpesh e citoj. Mendja e tij është dinamike e lucide, sidomos tek esetë dhe meditimet për politikën dhe për rolin e intelektualëve në shoqëritë totalitare, kurse në librin brilant “Antipolitika” (1989) ka arritur atë plotni që është privilegj vetëm i intelektualëve të rrallë, të talentuar me mendje. Shkrimtarët e rangut të tij, siç janë H. Enzensbergeri ose Jeana Baudrillard e kanë prekur, secili në mënyrën e vet, fenomenin e luftërave, prandaj edhe të këtyre në pjesën tonë të truallit ballkanik. Gyorgy Konrad nuk ka dashur të mbetet prapa kolegëve mendjemprehtë dhe depërtues, prandaj edhe është nxituar me libërthin që mban titullin “Lufta jugosllave” (Jugoslavenski rat), botuar në Beograd dhe Budapest. Derisa p.sh., Jean Baudrillardi ka plasuar idetë polemiste dhe “idetë më të marra të modës intelektuale franceze”, ku bëjnë pjesë edhe tekstet për serbizimin e Perëndimit apo të dyfytyrësisë së luftërave të NATO-s, Gyorgy Konrad ofron një buqetë të njohurive të pakta, dykuptimëshe e sipërfaqësore. Më bëhet sikur është shkruar me nxitim, në kabinetin e Dobrica Qosiqit. Që nga koha e luftës në Kroaci nuk më pëlqenin meditimet e Konradit, por atëherë ende mund të polemizohej me gjykimet e tij të njëanshme e të gabuara, kurse tash më duket se një punë e tillë do të ishte e mërzitshme, prandaj do të mbetem vetëm në regjistrimin të disa qyfyreve të tij, i pavullnetshëm që ndonjë gjë të përmirësojë, për të cilat gjithmonë kam ngritur duart. Megjithatë, duke lexuar këtë libërth, kam nënvizuar disa radhë irrituese, i habitur se si një autor i kalibrit të tillë t’i keqpërdorë klishetë e këqija. Nuk kam pasur ndërmend të hartoj tekst polemizues, por vetëm që shënimet nga margjina i kam rregulluar dhe i kam shndërruar në njëlloj recensioni. Do ta kisha më të lehtë dhe më mirë sikur Gyorgy Konrad ta kishte bërë një rrëfim vetjak intim dhe sikur ta kishte vendosur, edhe këtë libërth, në kontekstin kohor nga marsi deri te qershori 1999, dhe sikur bombardimet e NATO-s të Serbisë t’i shkruante në njëlloj ditari personal e t’u kishte dhënë një formë të përshtatshme provokuese. Sepse kur çështjeve iu qasemi në mënyrën socio-psikologjike, kur autori merret me fakte historike - në ato raste duhet futur parmenda më thellë dhe duhet kafshuar më fort me dhëmbë. Gjithsesi, mendimtarët e shkrimtarët interesantë, ndër të cilët bën pjesë edhe Gyorgy Konrad, duhet t’i trajtojmë me seriozitet dhe me respektin e duhur, madje edhe atëherë kur gabojnë.
Gyorgy Konrad pa shumë hamendësime e shpjegon se bashkësia ndërkombëtare e ka shpërbërë Jugosllavinë, sepse, siç pohon, i ka pëlqyer "shpërbërja". Është e pabesueshme që dikush i fuqishëm ta ketë marrë vendimin për shkatërrimin e një shteti, vetëm nga shkaku se ashtu ka pasur dëshirë, duke u shtrirë në fotele e duke pohuar; "ejani të shtrihemi në fotele e të shikojmë se çfarë do të na sjellë kjo shpërbërje”- “bërtasin urtakët e bashkësisë ndërkombëtare”. Shkrimtari pohon se ajo ka qenë kundër Jugosllavisë si një "krijesë artificiale", e pastaj me forcën e armës e kanë përkrahur shtetin e ri të Bosnjës, që, po ashtu është një "krijesë artificiale". Një shkrimtar i tillë, politikan e filozof i tillë, nuk do të guxonte t’i aprovojë sintagma të tilla për shtetet si "kreatura artificiale", sepse floskula të tilla të konsumuara e të keqpërdorura, janë karakteristike për tipa banalë, të cilët i duan klishetë, sepse nuk e njohin budallallëkun e mbi të gjitha, shumëçka mund të quhet "kreaturë artificiale" - porse a është e domosdoshme ta shkatërrosh atë që është “kreaturë artificiale”, nëse si e tillë funksionon?!
Jo vetëm që bashkësia ndërkombëtare, shkaku i argëtimit, e ka shkatërruar një shtet, por ajo është vënë në anën e "terroristëve shqiptarë", - pohon shkrimtari, ashtu siç është vënë vite më parë në anën e politikës secesioniste, sllovene e kroate. Autori më tutje pohon se, perëndimorët të gjitha gabimet e tyre ia kanë ngarkuar Millosheviçit, duke e pagëzuar monstrum, vetëm e vetëm për ta fajësuar "tërë popullin serb", që ata prodhojnë demonin kryesor kundër të cilit pastaj do nisnin fushatën ajrore.
Bëhet sikur në këtë rrëfim ballkanik është më e pafajshmja bagëtia politike vendore, e cila ka kalëruar nëpër këto hapësira të shkreta, apo që kalëron, ja më shumë se dhjetë vjet... Çuditem sesi një Konrad aq me shije e ka pëlqyer gjellën bajate nga mensa politike serbe, dhe si e ka marrë për të vërtetë e fakt të kryer çamçakëzin për "serbët myslimanë" e mbi të gjitha për ustashët. Kur shkruhet një studim i këtillë, atëherë duhet të merren parasysh të gjitha finesat dhe të hartohen me pedanteri. Autori i broshurës "Lufta jugosllave" gjithnjë e kapërcen Serbinë, e cila është fajtore kryesore e luftës, sigurisht që më vonë atë ta proklamojë si një viktimë sa më të pafajshme të "agresionit të NATO-s". Krimet e APJ-së nuk kanë rëndësi për të, Konradin, kurse për dhunën ndaj shqiptarëve janë fajtorë vetë shqiptarët, sepse ata i paskan bojkotuar zgjedhjet dhe "nuk qenkan bashkuar me opozitën që në pushtet të sillnin ndoshta disa njerëz tjerë". Konrad do duhej ta dinte se opozita serbe është edhe më shumë nacionaliste, e, edhe më shumë antishqiptare. Ajo, opozita serbe ia sheh për të madhe Millosheviçit, pse shqiptarët nuk i ka vrarë e dëbuar edhe më parë, edhe më herët...
Në argumentimin e tij, aduti më i fortë është që serbët askënd nuk kanë sulmuar, veçse ata janë të sulmuar nga aviacioni i NATO-s. Ai me hidhërim e mohon se serbët i zhdukin shqiptarët, pasi sipas tij, është krejt një pamje tjetër, pasi "gjysmë milioni serbë i kanë provuar vrasjet dhe spastrimet etnike në Sllavoni, në Krajinë dhe në pjesët myslimane e kroate të Bosnjës e Hercegovinës. Ai shkruan se, Perëndimi ka pasur nevojë për Millosheviçin si një satana që liderët e NATO-s të shndrisnin në mirësinë morale. Ai, Millosheviçin e fajëson vetëm për faktin se është "inkuadruar" në imazhin e dreqit", sipas masës së Perëndimit, kështu u "konvenon sikur të ishte i porositur".
Është e pamundur të citohen shumë radhë nga ky libërth, shpesh herë në mënyrë brengosëse origjinale, sikur ajo që "kallashnikovi është një detaj mode në pamjen e të rinjve", dhe se është normale egërsia dhe brutaliteti i ushtarëve serbë, sepse edhe vetë janë të dëbuar, kurse guerila shqiptare ua ka djegur shtëpitë. Konradit më së shumti i dhemb ajo, se "NATO është vënë në anën e diktaturës nacionaliste shqiptare", aq më tepër, sipas tij, kur dihet se nacionalizmi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte aleat i shtetit fashist kroat". Autori këtu sikur ka rënë në kurthin e miteve serbe dhe ka rënë në zbrazëtinë e njëjtë. E, atëherë paksa në mënyrë shpotitëse shkruan, se si përkrahësit e sulmeve ajrore "ndjejnë aq shumë me shqiptarët kosovarë saqë edhe “do të qajnë". Pavarësisht që shkrimtari në fjalë Konrad tallet me lotët, dua të pranoj se varfëria dhe mjerimi i dëbimit shqiptar, tragjikja e eksodit të tyre, aq shpesh më ka mërzitur, më ka pikëlluar dhe më ka bërë të qajë.
Autori
Mirko Kovaç është lindur më 26.12.1938 në Petroviqi të Bileqas (Bosnjë- Hercegovinë). Ka studiuar në Akademinë për Teatër e Film, grupin e dramaturgjisë. Që nga viti 1962 shkruan romane, tregime, ese, drama. Është autor i dhjetëra skenarësh filmi, si dhe autor i një numri të madh të teledramave e i radiodramave. Librat e tij janë përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, suedisht, italisht, holandisht, danisht, hungarisht, polonisht, sllovenisht dhe shqip. Romani i tij “Malvina” është botuar në Paris, në botim xhepi, në 20 mijë ekzemplarë. Është laureat i shumë shpërblimeve letrare. Me shkrime paraqitet në fillimin e viteve ‘60 të shekullit të shkuar, si ithtar i valës së zezë të realitetit të poetikës, ndërkaq në vitet ‘70-‘80 llogaritej si një klasik i gjallë. Në vitet ‘80 të shekullit të kaluar trajtohej si një yll i letërsisë serbe, në fillimet e vitit ‘90 si një kundërshtar i diktaturës së Millosheviçit, ikën nga Beogradi për t’u vendosur në qytezën bregdetare kroate Rovinj. Duke pranuar e shkruar në gjuhën kroate, konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj të kësaj gjuhe. Tashmë llogaritet si shkrimtar kroat, serb, malazez dhe boshnjak. Siç ka deklaruar një miku i tij, po ashtu shkrimtar i njohur, pas Mirko Kovaçit do të vrapojnë 3-4 letërsi që ta përvetësojnë.





