Shuhet shkrimtari Dhimitër Xhuvani

Fatmira Nikolli

Ndërsa tik-taket shënuan orën 06.00 të mëngjesit të ditës së djeshme, zemra e shkrimtarit, tregimtarit dhe dramaturgut Dhimitër Xhuvani pushoi së rrahuri. Pas një jave në koma, ai u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare. Pranë tij qenë njerëzit më të afërt, ata që e deshën dhe që i qëndruan pranë në momentet e bukura e të vështira të një jete plot emocione të shumëllojshme, siç do të thoshte i biri, regjisori Gjergj Xhuvani. Mbas plot tri vitesh vuajtje e kurimesh me ilaçe të forta kundër kancerit në mushkëri, shkrimtari, autor i 50 veprave, mëngjesin e 19 tetorit do të ikte përgjithmonë duke lënë pas vetëm kujtimet e veprën e tij. Dita e djeshme do të ishte një ditë zije jo vetëm për familjen e Dhimitër Xhuvanit, por edhe për ata që e njohën, e patën mik dhe e deshën. Qielli ishte i vrenjtur e nuk ngurroi të shprehte me zymtësinë e vet dhimbjen për një humbje të madhe. Dje heshtja qe 'ulur' në fron në shtëpinë e të ndjerit. I biri, regjisori Gjergji Xhuvani dhe bashkëshortja e tij Luiza, por edhe familjarë të tjerë prisnin ngushëllime. Shtëpia nuk dukej më e njëjtë pa atë. E "fshehur" diku atje në rrugën "Ali Visha", afër shkollës "Mihal Grameno", shtëpia ku ai kaloi shumë vite të jetës së tij, dje e pa për herë të fundit. Në orët e paradites, pranë arkivolit qëndronin të veshur me të zeza njerëzit më të afërm. Qe dita e fundit e qëndrimit në shtëpinë ku kaloi aq shumë. Vdekja tinëzare trokiti përdhunshëm dhe e mori me vete drejt jetës së përtejme. Asnjë fjalë, qetësi, heshtje olimpike. Ai iku përgjithmonë. Në shkallët e pallatit qëndrojnë të afërmit, ndërkohë njëri pas tjetrit, miqtë vinin për ngushëllim. Nasi Lera, Kiço Blushi, Rikard Ljarja, Mehdi Malkaj, qenë vetëm disa që pamë ne që i bashkoheshin dhimbjes së familjes. Tej në qiellin e nxirë nga retë, shpirti i tij fluturonte i lirë. Ai nuk qe një kalimtar i thjeshtë në këtë botë. Në ecjen e tij të qetë e të heshtur, gjurmët që la qenë dhe janë të dukshme e të padvekshme. Edhe sot, kur përcillet për në banesën e fundit, ku do të prehet në paqe, ai na lë një pjesë të vetes, mendimet e tij, përjetimet e tij, rrëfimet e tij, intelektin e tij, dëshminë se qe, se ekzistoi dhe jetoi. Si shembull të vetes, ai na lë dhe mesazhin se njeriu i madh nuk vdes kurrë...! Dhe ai është i tillë, i madh!
Gjergj Xhuvani
Ngushëllimet familja i priti në shtëpinë ku ai jetoi deri në çastet e fundit. Para se të vdiste, i mirënjohuri Dhimitër Xhuvani pati lënë një amanet: "Nuk dua homazhe, dua të më nxirrni nga shtëpia". Për këtë i biri, Gjergj Xhuvani tha dje për "Gazetën" se "ai nuk ishte kundra homazheve, por dëshironte që rrugën për në varr ta niste nga shtëpia e tij. Donte që i vdekur, të dilte nga shtëpia e tij. Këtë e kishte lënë amanet dhe ishte një dëshirë e tij e vjetër. Gjatë gjithë jetës së vet, babai është lidhur direkt me njerëzit, jo nëpërmjet institucioneve. Ai ka pasur një lloj lidhjeje e afeksioni shumë normal me njerëzit. Ka pasur një lidhje tepër të fortë me familjen e tij e për të, gjëja më e shenjtë dhe e shtrenjtë ka qenë familja, ndaj ai donte të dilte nga shtëpia. Kjo ishte thjesht për humanizmin e tij, jo për ndonjë arsye tjetër". Më tej, edhe pse në një moment të papërshtatshëm, mes dhimbjes për humbjen e babait, regjisori Gjergj Xhuvani tregon se i ati kishte tre vjet që vuante nga kanceri në mushkëri. "Më përpara ai pati një ndërhyrje në zemër në një klinikë të specializuar nga e cila doli i kuruar, e më pas u mor vesh se kishte kancer në mushkëri". Por, njeriu që i mbijetoi momenteve të vështira në jetë, nuk do të mposhtej as nga sëmundja. "Ai ishte një njeri me kurajë të jashtëzakonshme. Deri para një jave kur ra në koma, ai bënte të tëra ritualet e jetës së tij të përditshme, lexonte libra edhe pse merrte shumë ilaçe të forta. Kohët e fundit ka lexuar disa tregime që ia kishte dhuruar Gjergj Vlashi, miku i tij i vjetër nga Durrësi dhe shihte filma, nuk e la cigaren, si miken e vet ndoshta vdekjeprurëse, që mbase i mori edhe jetën. Ai as atë nuk e tradhtoi", - tregon Gjergji. Më tej ai shton: "Im atë ishte nga ata që nuk tradhtonte njeri. Pra deri para një jave ai bëri jetën që kishte bërë gjithmonë, i rrethuar nga miq e shokë dhe të afërm të tij. Mendoj se pati një jetë të mirë. Ai e jetoi jetën e vet dhe kjo është e rëndësishme. Ai e jetoi jetën e vet me të gjitha llojet e emocioneve, jetoi edhe ditë të bukura, por edhe ditë shumë të vështira. Ka kaluar vështirësi të mëdha gjatë kohës që u internua për shkak të romanit "Tuneli". Por, edhe pse i kishte ndodhur kjo, ai asnjëherë nuk tha që jam disident, ai thjesht thoshte se mendova të bëja diçka më mirë. Im atë kështu e kaloi tërë jetën e tij, mes emocioneve të fuqishme, por unë mendoj se është një jetë e jetuar", - përfundon i biri. Po kur e pyesim, a la ai ndonjë amanet, ai përgjigjet: "Amanet? Ai tha atë që thonë kristianët: 'Paçin uratën të gjithë ata që ndenjën pranë meje, që më deshën dhe që i desha'. Ai nuk la ndonjë amanet artistik. Sigurisht që ka lënë disa dorëshkrime e disa skica, por do jenë për më vonë. Me kalimin e kohës besoj se diçka do t'ia rregulloj". Sot në orën 10.00, ai do të përcillet për në banesën e fundit, duke ikur përgjithmonë larg, pas 75-vitesh jetë dhe pas një pune kolosale si shkrimtar, skenarist, dramaturg e publicist. Ai do të prehet në Sharrë.
"Tuneli"
'Tuneli' ishte romani i parë i shkrimtarit që më vonë do të merrte emër e respekt prej veprave të tij. I botuar në vitin 1966, "Tuneli" do të paraqiste gjendjen e vërtetë në Shqipëri në ato vite. Xhuvani, për shkak të syrit të tij objektiv, do të shikohej me sy të keq nga regjimi, dhe për këtë arsye, shkrimtari i njohur do të dëbohej nga Tirana dhe do të punonte në Cërrik e në disa fabrika të qyteteve të tjera. Ai do të kalonte atje pesë vite të jetës së tij. Ndërkohë në Tiranë do të linte familjen, gruan Faten, dy fëmijët Gjergjin edhe Buqen, prindërit e motrën studente. Pas kthimit, Dhimitër Xhuvani "i rehabilituar" botoi në vitin 1970 romanin "Përsëri në këmbë". Për të vijuar më pas me botimin e disa romaneve si ai në vitin 1976, me titullin "Zgjimi i Nebi Surrelit", në vitin 1979, romanin me titullin "Do të jetojmë ndryshe", në vitin 1981, romanin "Vdekja e zotit Kaloti", ndërsa në vitin 1984, atë me titull "Bota ime" etj. Edhe pse ai do t'i rikthehej letërsisë, siç do ta thoshte edhe vetë, ajo që i ndodhi i "trembi" dorën. Të njohurit e miqtë pohuan dje se bashkë me të, letërsia shqiptare humbi një nga zërat kryesorë të shekullit të kaluar. Xhuvani studioi në Institutin "Gorki" në Moskë. Ai është autor i 50 veprave artistike, ndër më të njohurat: "Kambanat e fundit" (1958), "Midis dy netëve" (1962), "Tuneli" (1966), "Përsëri në këmbë" (1970), "Fan Smajli" (1971), "Zgjimi i Nebi Surrelit" (1976), "Shtegu i Bardhë" (1976), "Do të jetojmë ndryshe" (1979), "Vdekja e zotit Kaloti" (1981), "Bota ime" (1984), "Dhimbja e dritës" (1990), "E diel pas vdekjes" (1992), "Kambana e thyer e Kremlinit" (1996), "Kryqëzimi i dytë i Krishtit" (1996), "I mbyturi i Otrantos" (1998), "Fytyra e vdekjes" (tregime-1999), "Kupa e helmit" (2001), etj. Xhuvani është edhe autori i mbi 15 skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarëve të realizuar nga ish-Kinostudio "Shqipëria e re".
Dëbimi
Kohë më parë, në një intervistë në një gazetë të përditshme ai do të shprehej se, femrën e kishte vizatuar edhe në romanin e tij të parë 'Tuneli', tek i cili ishte një femër që bëhet shkak i një tragjedie. Ajo ishte një infermiere shumë e ndershme, shumë e mirë, shumë e përkushtuar, por fatkeqësisht pas botimit të romanit 'Tuneli', u mendua se ky personazh ishte Vajdeja, ish-infermierja e shtëpisë, e cila tradhtonte burrin, që bënte dashuri me inxhinierin, gjë të cilat nuk ishin fare të vërteta dhe ia atribuojnë asaj dhe e pushojnë nga puna si të pamoralshme. Në kohën kur ai ishte në Bistricë, i dëbuar nga Tirana punonte në një kamion për shpërndarje në një kantier. Atje rastësisht do të takonte edhe një grua... ja si e rrëfente ai këtë takim të veçantë: "Ishte e dënuar. Zbres, i marr lopatën nga dora, që ta mbushnim gropën sa më parë që të plotësohej norma për të marrë pagën ditore. Ajo më sheh, ka shumë inat në sy dhe pasi e mbusha gropën, jo që nuk më falënderoi, por më pyeti: Ti je ai Dhimitri i romanit? Po, i them! Unë në gropë, më thotë, edhe ti në gropë. Me një mllef të madh. E pyes si është puna, më shpjego kush je? Ajo ishte djegur nga dielli, ishte shpërfytyruar, unë jam Vajdeja, infermierja tate që më more erzin, më detyrove të bie në dashuri....duke më treguar kështu personazhin. Mundohem t'i shpjegoj teorinë e letërsisë, se ç'është personazhi dhe si e kisha shkruar. Lësho lopatën, - ma kthen - dhe mblidh rraqet e hip në makinë. Aty, unë shumë i revoltuar, shkoj në Komitet të Partisë të Sarandës. Kërkoj sekretarin e partisë: Ai i habitur, çne Dhimitër Xhuvani po e kërkonte. E takoj dhe i shpjegoj tragjedinë e Vajdesë. Unë bëra një roman të gabuar, më dënuat, po vij të heq kusuret e mia, po personazhi ç'faj ka, më duket absurde i them. Të lutem, nëse ke gjë në dorë, rregullo atë. Në fund ai e bëri një gjë të tillë, e çoi infermiere në një fshat të largët. Ky është një kujtim i hidhur", - do të rrëfente kohë më parë i madhi Dhimitër Xhuvani.

"Vdekja e tij, humbje jo vetëm për familjen"

Pas një sëmundjeje të rëndë, në orët e para të ditës 19 tetor, ndërroi jetë në Tiranë shkrimtari, dramaturgu, skenaristi dhe publicisti i mirënjohur, Dhimitër Xhuvani. Vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë kulturën dhe letërsinë kombëtare dhe për ata mijëra lexues e shikues që kanë ndjekur me interes e vëmendje veprat e krijuara prej Dhimitër Xhuvanit gjatë gjithë jetës së tij. Dhimitër Xhuvani u lind më 23 maj 1934, në Pogradec, në një familje intelektuale. Pas mbarimit të shkollës së mesme për mjekësi ka punuar për disa vjet me radhë në zonën e Librazhdit. Më pas studioi në Moskë. Pas kthimit në Shqipëri, punoi në shtypin letrar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Pas botimit të romanit "Tuneli", u dënua nga regjimi i kohës dhe u detyrua të punojë si punëtor në kantiere të ndryshme ndërtimi. Me shpirtin krijues që e karakterizonte, me dashurinë për letërsinë dhe artin, me humanizmin e gjerë dhe të pashoq, shkrimtari vazhdoi të shkruante dhe të botonte deri në fund të jetës së tij. Korpusit të tij krijues i përkasin një numër i madh tregimesh, novela, romane, drama, skenarë filmash artistikë etj. Veprat e tij të para "Kambana e fundit", "Midis dy netëve", "Tuneli" etj, dëshmojnë për një shkrimtar që u vu në radhët e para të asaj plejade shkrimtarësh shqiptarë, të cilët bënë përpjekje të shumta për të zhvilluar dhe emancipuar këtë letërsi, për ta zhvilluar atë më tej. Xhuvani deri në fund të jetës së tij i mbeti besnik kësaj prirjeje dhe iu përkushtua me devocion dhe me të gjitha energjitë përparimit të saj. Një kontribut të ndjeshëm ka dhënë Dhimitër Xhuvani edhe në fushën e dramaturgjisë dhe të kinematografisë kombëtare. Skenarët e shumtë dhe mjaft të njohur e radhisin atë ndër emrat më të përmendur të shkrimtarëve që ndihmuan për zhvillimin e kinematografisë sonë. Një nga skenarët më të njohur të tij, "I dashur armik", të cilin e realizoi në bashkëpunim të ngushtë me të birin, është pritur mjaft mirë edhe në festival e aktivitete prestigjioze ndërkombëtare. Xhuvani kaloi një jetë, të cilën ia kushtoi me devocion letërsisë, dramaturgjisë dhe kinematografisë shqiptare. Emri i tij do të kujtohet dhe do të nderohet gjatë si një nga emrat me kontribut të shquar në kulturën kombëtare.