Ashtu si erdhi ashtu edhe iku, pa zhurmë, pa të bërtitura, pa duartrokitje, por nuk di sepse na u dhëmbka dhe do të na dhëmb shumë kjo ikja jote Dhori!... shin vitet e fundit të viteve pesëdhjetë. Ato vite, pesëdhjetëvjet më parë suallnë njëherësh katër poetë që koha e vërtetoi se ishin sa katër motorë të ndezur që do ta çonin përpara poezinë shqipe: Dhe këto motorë ishin poetët Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi, Fatos Arapi dhe Ismail Kadare. Ishte kjo katërshe që patën guximin sa rinor, qytetar por mbi të gjitha guximin prej intelektualësh e krijuesish të rinj që kërkonin diçka të re, diçka të freskët jo vetëm në poezinë shqipe, por në tërë letërsinë shqipe.
Të gjithëve ju kujtohet takimi dhe përplasja midis “të rinjve” dhe “të vjetërve” në vitet gjashtëdhjetë. Dhe një zë që u ndje në atë katërshe ishte edhe zëri i Dhori Qiriazit, (as me fjalime, as me të bërtitura, por vetëm me lirikën e poezisë së tij), që sapo kishte dalë me një libërz lirikash “Kur zëmra rreh së pari” vjersha që dhe sot pas gjysëm shekulli i lexon dhe i rilexon e përsëri të duken të freskëta, e përsëri mendon se sa pak firo mund të ketë bërë koha nga ai libër. Por jo vetëm nga ai libër, por nga e gjithë krijimtaria e Dhorit pak gjëra mund të ketë seleksionuar, apo redaktuar vetë koha.
Këto ditë, duke u takuar krejt rastësisht me shokët dhe aq më tepër me kolëgët poetë, biseda e parë që fillonte do të niste me disa vargje që gjithkush i dinte përmendësh. Kështu më ndodhi me Apostolin me Petraqin me Merin... po kështu më kujtohet se si shumë vite më parë “Balada e ushtarit” një ushtar i repartit tim e dinte gjithë vëllimin përmendësh dhe e recitonte gjithë pathos e zjarr por që në gjithë vargjet ndihej ajo ëmbëlsi e melodi e veçantë e vargut të Dhorit që binte erë trëndelinë, manushaqe e xhumbricë, që rritej në pllajën e Kolonjës apo në shpatet e Gramozit.
Për Dhorin kujtimet s’kanë fund. Por do të kujtoj vetëm nja dy çaste:
Kur përgatisja veprën e Sefulla Malëshovës (Lame Kodra) për botim i thashë Dhorit që të ishte reçezent dhe redaktor i veprës. Ai nuk hezitoi aspak, me gjithë se poemën “Kush rron mirë në Rusi” të Nekrasovit. Dhori e kishte përkthyer dhe botuar shumë vite më parë. Pa patur aspak xhelozi krijuesi apo konkurrencë ai e bëri me dëshirë atë redaktim dhe jo vetëm kaq por një poemth “Kostandini” i shkruar në italisht nga Lame Kodra ai e përktheu dhe sot mban firmën e Dhori Qiriazit.
Po sa shumë përkthime dhe sa autorë të mëdhenj ka përkthyer Dhori! Kujtojmë Lirikën greke, Petrarkën, poemat e Bajronit, Nekrasovin, Pushkinin, dramat dhe kujtimet e Leon Tolstojit dhe mbi të gjitha lirikën e Bërnsit, të cilat e shpallën antarin e përhershëm të klubit “Bërns”.
Thonë se lumi sa më i thellë dhe më i gjerë të jetë aq me më pak zhurmë është por edhe aq shumë i pasur është me prurjet e tij. Kështu ishte edhe Dhori.
Ai ishte poet, ishte përkthyes, ishte kritik, ishte tregimtar, ishte mik i fëmijve me krijimet xhevaire për ta – ishte studiues e hartues monografish në fusha nga më të ndryshme si për veprën e Kamardës e deri te kontributi i veçantë me veprën e parë në llojin e vet “Krishterimi në Shqipëri” etj. Pasuria dhe njohuritë e gjera nga disa gjuhë, nga disa fusha, përgjegjësia dhe nevoja qytetare për t’i dhënë popullit dhe kulturës së vet vepra që i ka të domosdoshme. Kështu ndodhi edhe me veprën “Gjenealogjia e Muzakajve” të cilën e kishte botuar një herë iu rikthye disa herë që nga përkthimi, nga pajisja me shënimet dhe me sa kuptoja ishte dhe mbetet një nga veprat më të dashura të tij.
Çdo ditë në vapën e Tiranës por edhe gjatë dimrit, edhe atëherë kur kaloi një operacion të vështirë do ta gjenje në të njëjtin vend, në Bibliotekën Kombëtare.
Punonte për të përfunduar një vepër shkencore një vepër që i mungon historisë, gjuhësisë dhe kulturës shqiptare. Ishte monografia mbi mbiemrat shqiptarë, prejardhja e tyre dhe ajo që është më e rëndësishme, autoktonia e tyre.
Kam shpresë që një ditë, dhe jo shumë vonë kjo vepër do të shohë dritën e botimit.
Ne kujtojmë dhe bisedat s’kanë fund për krijimtarinë e tij por nuk mund të harrojmë punën e tij pedagogjike, mësimdhënëse, punën me ata mijra nxënës që ka nxjerrë që sot janë që nga profesionet më të thjeshta e deri poetë, përkthyes, mjekë e inxhinjerë e deri ministra, apo politikanë të rangjeve të larta.
Dhe më kujtohet Dhori hipur në makinat “rebolabl” që transportonin gurë e rërë, në “zisa” që transportonin dru, që shkonte nga Erseka, zbriste te lumi në Qafëzez, do udhëtonte me këmbë për të shkuar në fshatin Boshoj ku e kishin çuar për ta kalitur “ideologjikisht”. Dhe kjo rrugë bëhej nga poeti çdo ditë në zhegun e vapës së pllajës së Kolonjës dhe në thellimin e akullt të dimrit. A s’ishte ky një internim, një persekutim i sofistikuar për poetin??
Dhe poeti asnjëherë nuk u ankua, nuk i ra gjoksit dhe të qaramëndej si i persekutuar.
Ky ishte dhe mbetet Dhori Qiriazi njëriu më fisnik, më njerëzori, njeriut që gjithëkush i kërkoi diçka dhe ai kurrë nuk i tha jo.
Ky ishte Dhori që e meritonte emrin Njeri me “NJ” të madhe, aq i njerëzishëm, aq i mirëkuptueshëm, me shokët, me miqtë, me bashkëshorten, me fëmijët si të bekuar nga Perëndia, dhe në mënyrë të veçantë me mbeskën e tij “shpirtin e gjyshit” që sa herë e njoftonja për ndonjë aktivitet letrar më përgjigjej se paradite s’dilte dot se kishte mbesën nën patronazh.
Prandaj na u dhëmb kaq shumë Dhori sepse ikja e tij na krijoi një boshllëk të madh, largimi i tij aq në heshtje, na i shumëfishoi si boshllëkun edhe dhimbjen, por përsëri kemi një ngushëllim të madh, sa herë të na marrë malli për të, do të bëjmë ashtu siç na thotë shoku i rinis ës ëhershme të tij, Dritëroi, do të gjejmë Dhorinduke shfletuar veprën e tij, do t’i kthehemi dhe rikthehemi duke e lexuar e rilexuar, duke synuar botimin e çdo vargu, e çdo copë letre e shkruar me dorën e tij. Kjo ndoshta do të na e zvogëlojë sadopak dhëmbjen për të.
Mehmet Gëzhilli
*)Botues
Tiranë, më 15.10.2009





