Poezi nga Nichita Stanescu (1933–1983, Rumani)


Aroma nga kodra e lartë

BËHEM I PADUKSHËM

Bëhem i padukshëm duke fërkuar llampën e Aladinit
Rrallohem me fjalë e gjithçka;
Rrjetë nën thonjtë e një zoti johyjnor, -
Në vete do kap yje me fytyrë;

Yje me dhëmbë, yje me bisht,
Yje me një sy në ballë,
Kollona me kapitele nën një Eladhë,
Oblike piramida, i përmbysur mali

Antikohë, dhe, antiekzistencë-
Aromë e planetit shkulur nga qielli,
Për hundën me tetë vrima, thelbi,
Dhe për askënd, ngricë e ashpër.

I padukshëm kaloi përmes askujtve, të tjerëve,
Me përbindshin tim personal shkoj për peshkim.
Antixhuxhët dhe antizdapët
Do të kapin në kordat e nervave të mia, një mit.

AROMA NGA KODRA E LARTË

Sikur të kish rënë shi prej kohësh, tokë e zezë
Rrëshqitëse, bubuzhelë
Me këmbë të qullta të mbajtura ngjitur pas trupit
Në gjethe të zeza
Ose, në xhama, në çardakë o zot,
Oh,
Dhe një ajër si i ndenjur sënduqësh
Me ngjyrë të gjelbërt zhupkosur

Iku pra Zoti ah, iku
Më kot kam aromë, më kot
Kodër e lartë me luginë, kodër e lartë
Ziosur nxirë, me bar të zi…


Ç’ ËSHTË NJERIU?
CILA ËSHTË ORIGJINA?
ÇFARË LLOJ SHORTI KA AI?

Njeriu është gjethja e parë nga njeriu.
Njeriu është lulja që i mban erë njeriu,
Njeriu është kali i shaluar nga njeriu,
Njeriu është pjeshka e shijuar nga njeriu.

Njeriu është deti i ledhatuar nga njeriu.
Njeriu është rrota,
Njeriu është qumështi i dhisë i pirë nga njeriu.

Njeriu është lindja e diellit mbi njeriun.
Njeriu është ëndrra e natës,
Njeriu është kënaqësia e qiellit të kaltër parë nga
Njeriu.
Njeriu është fluturim i zogut i fluturuar nga njeriu.

Njeriu është fjala e folur nga njeriu.
Njeriu është fjala e kuptuar.
Njeriu është fjala e lexuar nga njeriu.
Njeriu është fjala e pakuptuar.

Njeriu është fjala që fle në gurët e njeriut.
Njeriu është fjala që prehet nën yjet
Mbi njeriun.
Njeriu është jofjala e njeriut.

Njeriu nuk ka lindur dhe pra s’ka si vdes.
Eshtë i përjetshëm dhe i gjithëhershëm
Se përmes tij bëhen dëshmitë
Rreth atyre që ekzistojnë.
Njeriu nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistojë asnjëherë
Sepse joekzistenca është dhe ajo dëshmitare.
Dhe megjithatë njeriu, njeriu, njeriu
Është ai që nuk beson
Që nuk besonte
Që nuk besonim
Se do të mësojë të vdesë ndonjëherë.


AUTOPORTRET ME NJË GJETHE
VJESHTE

Është bërë që të më dominojë jo të gjithin
Hyjnesha pa krahë, zoti pa kyçe këmbësh.
Pemë pa trungje, bar pa gjelbërim,
slalom të bardhë përmes vertikalesh terri.
Kacavirren merimagat në heshtjen e qosheve
Dhe kthehen mbrapsht në përçapjet e shkëputura,
tërhiqet zemra në një trup më të vjetër, më të vetmuar,
me kohën e shkuar, konture të rrjedhura.
Është bërë që të më dominojë jo të gjithin,
medalje e rrahur vetëm në një anë
ditë që fillojnë mbasdite dhe mbarojnë po mbasdite,
pa vazhduar më tej.


CILA ËSHTË FORCA E EPËRME
Ç’ SJELL UNIVERSI
DHE KRIJON JETA?

Forca të jesh, por veçanërisht forca
Që të kesh qenë - duke qenë.
Forca për të mos qenë,
Por veçanërisht forca
Për të mos kesh qenë - duke qenë.
Forca, ah, forca
Për të mos patur forcë,
a-e-i-o-u, e-i-a-u-o,
u-a-i-e-o,
tingull me aromë
vazhdimësi pa kohë
zemra mërgimtare
duke transplantuar trupa.

Kur nuk je më, është sikur
As mos kesh qenë,
Të jesh, është sikur
As ke qenë,
a-e-i-o-u, u-o-i-e-a,
A dhe E
dhe I dhe O
dhe U…

13 shkurt

U trembe dhe ti nga ketri
Duke u ngjitur në një trung të pa kallur në dhe
Ç’të të them më,
Të shohësh me sy të çlirë!
Nuk ka aq shumë zogj këtë mbasdite
Që të varrosim trungje të vdekur në ta.
Ç’të të them më!
Ishte një ketër
Që ia mbathte në trungun e pemës së vdekur.

Shenja 1

Fluturonte një lule bliri
në brendësinë e një mendimi abstrakt
shkretetëtira ishte mbushur me luanë
dhe me bimë.
Një i ri metal i tejdukshëm
hollak si brisk prerës
priste horizonte me kthesa dhe ngadalë
ndante vështrimin nga syri
fjalën, nga idetë
rrezen, nga dielli
që kur fluturonte një lule bliri
në brendësinë e një mendimi abstrakt.

Shenjë 21

Si një zog i zi në një vezë të bardhë
Ashtu qëndroj dhe mallë kam për ty
Si një zog i bardhë në një vezë të zezë
Ashtu qëndroj dhe mallë kam për ty
Si askush për asgjë
Ashtu qëndroj dhe kam një mallë për ty
Si i askujt për askënd
Ashtu qëndroj dhe kam një mallë për ty.
Bardh e zi, bardh e zi
Sa mallë kam për ty
Zog i krisur dhe vezë fluturuese
O Zot, çfarë malli mund të kem për ty


Përktheu dhe përgatiti: Luan Topçiu