Petraq Kolevica - E dashur, fli!

E dashur, fli!

E dashur, fli,
E qetë,
Mos shih ëndrra.
Do gdhihet përsëri
Dhe përsëri do vij;
Në rrugën për tek ti
S'do mbijë kurrë shpëndra.
Ti fli, e dashur.
Fli.
Dhe mos shih ëndrra...


Pa ty

Pa ty si munda të jetoj,
Si munda t'i shtyj vjetët!...
Pa ty, pa ty, e dashur moj,
Si munda t'i gdhij netët!...

Pa ty si munda të jetoj,
Një jetë që s'e ndjeja!...
Pa ty, pa ty, e dashur moj,
Që s'dija në të gjeja!...

Pa ty si munda të jetoj,
Të mundja ta rrëfeja!
Jo gjoksin tënd, e dashur moj,
Po gurët mund t'i breja!...


Arusha e madhe

Ne rrinim tok dhe shihnim yjet
Konstelacionet një nga një,
Arush' e Madhe tundte kryet
Na përshëndeste gjithnjë...

Arush' e Madhe sonte s'duket.
Të falat si t'ia çoj asaj?
Ajo, e vetme, në shtrat struket
Dhe ndoshta njom jastëkn' e saj.

Kaq tepër pak që rrimë ndarë
Dhe ngjan se shkuan vjet e mot.
Ajo kushedi se sa ka qarë,
Un' bëj të fle po nuk fle dot.

S'fle dot dhe ndal të flas me yjet,
Konstelacionet një nga një.
Arush' e Madhe del, tund kryet,
Sikur më pyet për atë.

1965


Ndoshta poezia e fundit

Dhe ndoshta, moj vajza, në qafë ju mora:
Dhe ndoshta, moj grua, do mbetesh e ve;
Dhe ndoshta të gjitha, të gjitha i bëra,
Po ja që donte i mjeri Atdhe.

Do mundnit të rronit të qeta, të qeta,
Të shkonit një jetë plot gaz e hare,
Po ja që qëllova poet, moj të shkreta.
Familja e poetit gëzimet s'i njeh

1991