Johan Volfgang GËTE - Kristja

Kaq herë zhytem në mendime
Dhe gjaku më rëndon!
Po kur jam pranë Kristës sime,
Çdo gjë zë më këndon.
E shoh këtej, e shoh matanë
Dhe nuk e di përse,
Dhe si e ku e në çdo anë
Më mbush me kaq hare.

Syzezë krejt e lozonjare
Dhe vetullzezë krejt,
Më çelet zemra vetmitare
Kur sytë ia shtie drejt.
Dhe skuq kjo gojë siç ma kënda,
Dhe faqk' e rrumbull plot?
Ah, dhe diçka e rrumbull brenda,
Sa syri s' ngopet dot.

Dhe kur pastaj mund ta kap lehtë
Me dans rinor gjerman,
Shkon puna paq posht' e përpjetë,
Asgjë nuk më përmban!
Dhe kur nga zjarri i bie zalia,
Në vrullin që më s' pyet,
E marr mes krahëve të mia,
Dhe jam mbret mbi mbret!

Pa kur ë vjen e përmalluar
Dhe s' pyet për asnjeri
Dhe i jap sakaq duke e shtrënguar
Një puthje me fuqi,
Zë më përshkon një si shigjetë
Në tërë trupin tim;
E jam i fortë e jam i zbehtë,
Kam dhembje e kam dëfrim!

Do shum' më tepër zemr' e ngratë,
S' më ngop jo dashuri;
Sikur ta kisha dhe një natë,
Nuk trëmbesha kurrsesi.
Them të më vijë ajo ndonj'herë
Se vetëm s' mund ta mbaj;
Në mos m'u shojtë dhembja e trerë,
Do vdes në gji të saj.