
Poeti amerikan, Paul Polansky, ka nisur në Itali një turne për të paraqitur para lexuesit librin e tij të ri të titulluar "Undefeated", ("I pambrojtur") që është një vëllim me poezi të përzgjedhura nga viti 1991 deri në vitin 2008.
Ai është shkrimtar, poet, por është edhe fotograf. E kanë quajtur deri edhe "personazh legjendar"... jo më kot. Jeta e tij është një aventurë e vërtetë, e mbushur me episode që kanë lënë shenjë. Prej shumë vitesh ka zgjedhur të jetojë në Ballkan për t‘i dhënë zërin e tij poetik komunitetit më të keqtrajtuar dhe më të shtypur, atij "rom". Paul Polansky është një luftëtar i denjë i të drejtave të njeriut. Është amerikan i gjeneratës së luftës së Vietnamit, por që ndryshe nga shumë të tjerë refuzoi të ishte pjesë e saj, sepse kishte parë "shumë shokë shkolle të ktheheshin të shkatërruar prej asaj lufte". Në shkrimet, poezitë dhe mendimet e hedhura në letër gjen eksperiencën e një 77-vjeçari. Vite të jetuara intensivisht ku ndihet forca dhe dëshira për t‘i dalë krah kulturës, zakoneve, traditave dhe gjuhës së komunitetit rom, të cilën qytetërimi perëndimor e trajton sikur të dojë ta fshijë përgjithmonë. Prej vitit 1999, Polansky e zhvillon betejën e tij në Kosovë si aktivist dhe mbrojtës i të drejtave të popullatës rome, e cila qysh prej fundit të luftës mes serbëve e shqiptarëve, vuajnë një gjenocid të vërtetë. Pikërisht viteve të jetuara në Kosovë i detyrohet edhe një pjesë të mirë dhe të rëndësishme të njohjes ndërkombëtare të tij. Me vitet ai është kthyer në një personazh mitik pikërisht për fushatën e ndërmarrë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vitin 1994 në Vajmar të Gjermanisë i është dorëzuar çmimi prestigjioz "Human Rights Award", të cilin ia ka dorëzuar fituesi i çmimit "Nobel për letërsinë", Günther Grass. Prej disa kohësh, Paul Polansky ka nisur në Itali një turne për të paraqitur para lexuesit librin e tij të ri të titulluar "Undefeated", ("I pambrojtur") që është një vëllim me poezi të përzgjedhura nga viti 1991 deri në vitin 2008. Libri vjen i publikuar prej shtëpisë botuese "Multimedia" si në gjuhën angleze edhe në atë italiane.
Amerikani Paul Polansky është përgjegjës i "Kosovo Roma Refugee Foundation". Është njeri i vendosur, çka ia përforcon edhe mjekra e dendur dhe mënyra e të folurit. Prej vitesh lëviz mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë, në kabinën e një kamperi të vjetër që është për të edhe shtëpi edhe zyrë edhe laborator. Prej vitesh ai gjendet në mes të një beteje. Deri kur? "Deri kur asnjë familje rome të mos jetë më në gjendjen që është sot". Dhe poeti nuk e ka me ngut: udhëtimi i tij ka nisur plot 40 vjet më parë dhe ende vazhdon. "Herën e parë që pashë një rom, ishte në Spanjë në nëntor të vitit 1963. Isha larguar prej Shteteve të Bashkuara. Nuk doja të shkoja në Vietnam. Kisha parë plot miq të mirë të shkollës, të cilët u kthyen të shkatërruar prej asaj lufte". Prej asaj kohe, studenti i Mason City, Iowa, nuk është ndalur më. Romët u kthyen në historinë e tij, fillimisht kaloi në vendet e Europës Lindore, më pas u ndal në Ballkan, aty ku ata vuanin prej spastrimit etnik. Arkivi i tij personal është i mbushur me fotografi, dokumente, denoncime, apo kartela klinike. "Ata duan të jetojnë si qenie njerëzore. T‘i rrisin fëmijët në një ambient të shëndetshëm dhe të rindërtojnë një komunitet. Duan liri lëvizje dhe punësimi... Thjesht: duan gjithçka që duan njerëzit normalë. "Më rrëmbyen në merkato/aty ku njerëzit e mi shisnin veshje një herë e një kohë/aty ku tani shqiptarët bëjnë kontrabandë./Katër burra më hodhën në sediljen e pasme të një makine "Lada" blu, duke bërtitur "Ua kemi thënë, nuk duam më ciganë në Prishtinë/...". Janë këto disa prej vargjeve të njërës prej poezisë më të njohur të tij të titulluar "Pusi". Vargje ku ndihet veprimi. E tillë është poezia e Polansky-t. Veprim autobiografik i njeriut. Ai është i aftë t‘i japë zërin një gruaje, viktimë e Holokaustit ashtu siç është i aftë të përshkruajë një ëndërr dhe të përpunojë imazhe duke bërë të ndjesh dhe të mos vësh në dyshim asgjë duke thënë: "Po, kjo ka ndodhur vërtet". Nëpërmjet poezisë së Polansky-t lexuesi hyn në një botë të cilën nuk e njeh, por që menjëherë më pas kërkon të dijë më shumë për të. Transmetimi i historisë së një populli që ndoshta më shumë se të tjerët ka vuajtur në heshtje ngjarjet tragjike të Ballkanit, sipas Polansky-t vazhdon të mbetet i padukshëm në sytë e pakujdesshëm të organizmave ndërkombëtarë: për këtë arsye poeti vazhdon të ecë përpara dhe nëpërmjet shkrimeve të tij rrëfen gjithçka ndodh dhe shikon në Kosovë. Poezitë e Polansky-t sido që të jenë të godasin menjëherë si një grusht në stomak. Varieteti i eksperiencave njerëzore të përshkruara, të jetuara personalisht apo të para nga sytë e atij që lëviz me pasionin e madh në trup dhe në shpirt dhe që lufton në mënyrë që të përmirësojë diçka. Fjala mund të ndryshojë botën, sidomos kur ajo është refleksi i shkruar i një veprimi të përmbushur apo të një zëri që ulëret kundër padrejtësive që ndodhin në botë. Kjo është poezia e Paul Polansky-t: pasqyra e një njeriu që nuk ka lejuar asnjëherë që ngjarjet apo episodet e ndodhura t‘i zinin frymën. Përkundrazi u është afruar ai i pari. I ka lënë ato që ta prekin dhe ta plagosin pa pasur asnjëherë frikë, pa iu shmangur. Polansky prej vitesh bën betejën e tij, si një boksier i vjetër që ende nuk është shtrirë në ring. U reziston ofensivave të një shoqërie të padrejtë, sepse e di që asgjë nuk ka humbur as për të dhe as për njerëzit që ai mbështet dhe mbron. Paul Polansky ka lindur në Mason City, Iowa, në vitin 1942. Qysh kur mori vendimin për të ndjekur kolegjin në Universitetin e Madridit ai nuk i është ndarë Europës. Përmbledhjet me poezi "Living Through It Twice", "The River Killed My Brother", "Kosovo blood" dhe "Not a refugee" përshkruajnë veprimet e kryera prej çekëve, sllovakëve, e shqiptarëve kundër atij komuniteti. Aktualisht ai drejton disa projekte në ndihmë të këtij komuniteti në Kosovë e Serbi.
Ar. He





