In Memoriam
Dhori Qiriazi- Një ikonë e lirikës shqiptare
Dhori Qirjazi, poeti dhe përkthyesi i talentuar, vdiq në Tiranë, më 2 shtator 2009, në moshën 76 vjeçare.
Ne sot kemi një lajm dhe një dhimbje për të ndarë mes nesh, por jo vetëm mes nesh: Dhori Qirjazi, poeti përkthyesi dhe miku ynë i shtrenjtë nuk jeton më. Ai na ka bërë një shenjë dhe ka ikur në mënyrën më të qetë dhe të pabujshme, krejt njëlloj si jeta dhe poezia e tij. E vetmja gjë që s'ka mundur të marrë me vete është poezia dhe fjala e tij. Pesëdhjetë vjet më parë, Dhori Qirjazi, midis brezit të shkrimtarëve të viteve gjashtëdhjetë, u shfaq befasues, duke paralajmëruar një buqetë të veçantë në kurorën e lirikës shqiptare .Dhe ja ka mbërritur : Fjalë pas fjale, libër pas libri, Dhori Qirjazi do të mbetet në kujtesën e sotme dhe të nesërme si një ikonë e lirikës shqiptare.
Dhori Qirjazi është më së pari poeti dhe liriku i papërsëritshëm. Në bibliotekën e poezisë shqiptare, të gjitha librat e tij, që nga i pari " Kur zemra rreh së pari"dhe deri te i fundit, ende i pambaruar deri në fund,- janë të imët, të imët, si xhevahire të fshehura, që duhen zbuluar.
Dhori Qirjazi është edhe rasti i mbijetesës. Nëse besojmë se arti dhe poezia, si një thelb i artit është një komunikim me lirinë, rasti i Dhori Qirjazit është pa frikë rasti i mbijetesës, pa e tradhtuar komunikimin me lirinë. Për më shumë se tridhjetë vjet në Ersekë, në atë qytet të vogël juglindor të Shqipërisë, kur jo rrallë, ashtu si në të gjithë vendin, por atje ndoshta edhe me ashpër, frynin erëra të acarta edhe për shpirtin, edhe për lirinë e njeriut, Dhori Qirjazi nuk mund të ishte tjetër, veçse Bohemi shpërfillës përmes vargut të pabujë dhe tronditës, me thjeshtësinë dhe bukurinë e tij. Gjithë jeta e tij intelektuale ka qenë njëherazi edhe një mundim dhe në të njëjtën kohë një shpëtim.
Ne sot duhet të kujtojmë dhe të nderojmë përveç poetit edhe shqipëruesin e talentuar: Robert Bërnsi, Petrarka, Nekrasovi, etj., folën një shqipe të mrekullueshme për shkak të shpirtit dhe përkushtimit të Dhori Qirjazit.
Dhori Qirjazi, poeti, shkrimtari, përkthyesi dhe mësuesi i talentuar na ka bërë një shenjë të fundit dhe ka ikur. Por vargu i fundit, i shkruar nga shpirti i tij "Kam qënë i lirë" është si një testament i lënë prej tij: Na përket të gjithëve. U përket të gjithëve. Të jeni të lirë.
_____________________
Dritero Agolli, Sabri Godo,Teodor Laco, Suzana Turku, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Natasha Lako, Koci Petriti, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Nasho Jorgaqi, Nasi Lera, Petraq Zoto, Seit Mansaku , Moikom Zeqo, Albert Rakipi , Myslim Islami, Jorgji Qirjako, Valter File, Bajram Lapi.
Dhori Qiriazi lindi në vitin 1933, në Lëngëz të Kolonjës. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, në vitin 1958 për gjuhë-letërsi dhe histori. Ka punuar si mësues në qytetin e Ersekës dhe në fshatrat e Kolonjës deri në vitin 1988, kur doli në pension.
Mban titullin "Mësues i Popullit". Nga viti 2003 është anëtar i përjetshëm i Klubit "Bërns" (Irvine Burns Club), në qytetin Irvine në Skoci. Vdiq në Tiranë, më 2 tetor 2009.
Titujt e veprave:
* Kur zemra rreh së pari (1958)
* Balada intime (1963)
* Poema e ushtarit(1968)
* Pishat me kristale (1971)
* Poezia shqipe (1974)
* Poezi (botuar në Prishtinë) (1976)
* Vitet (1982)
* Blerta (1981)
* Nekrasov, "Kush rron i lumtur në Rusi" (1982)
* Guri i kripës (1984)
* Kukuli dhe shigjeta (1986)
* Libri i këngëve - Petrarka (përkthim) (1995)
* Memorje - Gjon Muzaka (përkthim dhe pajisje me shënime) [1996]
* Gjauri, I burgosuri i Shilonit - Bajron (përkthim) (1996)
* Lirika Antike Greke, Antologji (përkthim) (1997)
* Dhimitër Kamarda, studim (1997)
* Poezi - Robert Bërns (përkthim) (1998)
* Kujtime mbi Tolstoin (përkthim) (1998)
* Kufoma e gjallë - L. Tolstoi (Dramë) (përkthim) (1998)
* Krishterimi në Shqipëri (2000)
* Baladat intime (ribotim 2001)
* Sheshi i Shatrivanit - S. Kuazimodo (përkthim) (2001)
* Letra nga Shqipëria - Xh.K.Hobhauz (përkthim) (2001)
* Nga shpirti i shkrimtarëve dhe artistëve - F.Niçe (përkthim)(2001)
* Stinët njerëzore - Xh. Kits (përkthim) (2001)
* Flakët e vatrës (2002)
* Kaligrame lirike (ese) (2002)
* Zemër gruaje, tregime (përkthim) (2002)
* Krishterimi në Shqipëri (ribotim) (2005)
* Lirikat e borës - poezi (2007)'
* Xhorxh Bajron, Nusja e Abidos (përkthim)'' (2007)
* XH. Rumiu "Mas'navi Manavi" - poezi (përkthim) '(2007)'
* Vajza e pashait, - tregime (2009)
Një përkthyes, krijues në përkthimet nga gjuha ruse me Nekrasovin, Petrarkën nga gjuha italiane, nga gjuha angleze poetët e tij më të dashur Bajronin e Bërnsin, si edhe së fundi poetin persian Masnavi Manavi Rumiu
Dje u futa në Bibliotekën Kombëtare, u ngjita lart te salla e leximit, e mbushur plot me dritë dielli e me një vështrim të vetëm rroka tryezën tek rrinte e studionte përherë poeti Dhori Qiriazi. U çudita kur atje pashë dy tufa me lule të freskëta.
Aty takova Petraq Riston dhe Pandeli Koçin, që më thanë se Dhori ka ndërruar jetë e është varrosur të shtunën. Më erdhi shumë e papritur sepse nuk e dija se ai ishte i sëmurë.
Asnjë lajmërim në gazetë apo televizion. Asnjë për be. Nuk ka një shoqatë apo lidhje a klub që të marrim vesh për njëri-tjetrin e të bëjmë nderimet e duhura. Ai është poet, përkthyes e studiues e nuk është një njeri dokudo. Kështu ndodhi me Piro Kuqin, Agim Pepën, Kudret Velçën...
Ndërsa ne ishim gjimnazistë mezi prisnim ditët, kur do të dilte gazeta "Zëri i Rinisë" me faqen e saj letrare, e aty dallonin poetët: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Dhori Qiriazi... Mbaj mend kur isha nxënëse një takim me poetë e zyrtarë tek Shtëpia e vjetër e Kulturës në Pogradec kishte ardhur edhe Dhori Qiriazi, por Lasgushi recitoi "Norma" vjershë që mbaron me fjalët: "Norma është ajo gjë që duhet tejkaluar."
Dhori mbeti gjithë jetën mësues në gjimnazin e Ersekës, sepse i ati i tij pat mërguar në Australi, madje e pësoi më keq pas Plenumit të Katërt, kur e degdisën mësues në fshatin Mollas. Profesori im i matematikës në gjimnaz, Petro Prifti, shok me Dhori Qiriazin kur ishin studentë, më dha një ditë një vëllim dorëshkrim me poezi që titullohej "Të fala botës".
Ai dorëshkrim ishte paraqitur në një konkurs letrar, më duket për çlirimin e Atdheut, e Dhori nuk fitoi. Nga ai libër i pabotuar mësova disa poezi përmendësh sepse ishin shumë të bukura (që i di edhe sot e kësaj dite si për shembull "Zemra", "Ecja në muzg, më shoqëronin drurët", "Jo, nuk e desha një dashuri të verbër" e të tjera nga libri me poezi "Kur zemra rreh së pari").
E kam ndjekur krijimtarinë e Dhorit edhe si përkthyes, krijues në përkthimet nga gjuha ruse me Nekrasovin, Petrarkën nga gjuha italiane, nga gjuha angleze poetët e tij më të dashur Bajronin e Bërnsin si edhe së fundi poetin persian Masnavi Manavi Rumiu.
Ndërsa përkthente këtë të fundit, poet nga Irani siç më pat thënë, ndihej tepër entuziast ai u interesua dhe i lexoi poezitë të transkriptuara për të dëgjuar tingëllimin e fjalëve, për të bërë krahasimin me gjuhën shqipe e për të gjetur aty fjalë të njëjta të të dyja gjuhëve. E Dhori Qiriazi gjithë jetën mbeti njeri i thjeshtë, i qetë, pa bujë...
Më kujtohet se në vitin 1984 ndodheshim në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, darkën e fundit, festiven, qëlloi të uleshim tok me Dhorin në të njëjtën tryezë. U ngritëm për të kërcyer e në një çast, duke kujtuar krijimtarinë e tij të hershme unë fillova t'i them përmendësh poezitë e vëllimit të tij të dikurshëm.
Ai mbeti shumë i habitur, ndaluam më këmbë aty në mes të sallës e ai më tha: "Po unë e kam grisur këtë dorëshkrim, nuk i kam më këto poezi. Të lutem, a mund të m'i shkruash e të m'i dërgosh?"
E unë sapo u ktheva në shtëpi, u ula në makinën e shkrimit, i shtypa dhe ia dërgova. Dhori më dërgoi një letër falenderimi.
Gjithnjë kam menduar se poetët nuk janë qenie tokësore, por qiellore, e tani Dhori, shpirti i poetit u ngjit lart në qiell duke zënë vendin që i takon.





