Home »
» Thelbësorja vetjake dhe hija e tjetrit
Thelbësorja vetjake dhe hija e tjetrit
Mario Vargas LLOSA
Çfarë e përcakton suksesin e gjuhës së një romani? Dy cilësi: koherenca dhe thelbësorja. Historia që mund të tregojë një roman mund të jetë inkoherente, por gjuha që e formëson atë duhet të jetë koherente, në rast se kërkon të krijojë një inkoherencë reale e bindëse. Një shembull i kësaj mund të ishte monologu i Molli Blumit në fund të librit “Uliksi”, të Joyce-it, një vërshim kujtimesh, ndjenjash, mendimesh e emocionesh. Forca e tij magjepsëse rrjedh nga një prozë që, në dukje e thepisur dhe e copëzuar, nën sipërfaqen e pabindur e anarkike, ruan një koherencë të madhe, vijueshmëri strukturore që ndjek një model a sistem origjinal rregullash e parimesh, të cilit nuk i shmanget për asnjë çast. A është monologu një përshkrim i saktë i ndërgjegjes në lëvizje? Jo. Ai është një krijim letrar kaq bindës, sa lexuesit i duket se po ndjek ecejaket e ngatërruara të ndërgjegjes së Mollit, kur në të vërtetë gjithçka nuk është veçse një sajesë.
Në vitet e mëvonshme, Julio Cortàzar-i mburrej se me kalimin e kohës po shkruante “gjithnjë e më keq”. Me këtë donte të thoshte se, për të shprehur atë që dëshironte në tregimet e romanet e tij, ishte gjithnjë e më shumë i detyruar të kërkonte forma shprehjeje gjithnjë e më larg formave klasike, të sfidonte gjuhën e rrjedhshme e t’i impononte asaj ritmin, modelet, fjalët e shtrembërimet që do t’i mundësonin prozës së krijuar të shprehte në një formë më bindëse karakteret a ndodhitë e sajuara. Në të vërtetë, ajo që Cortàzar-i e quante të shkruar i keq, është të shkruar shumë i mirë. Proza e tij ishte e qartë dhe e rrjedhshme, imitonte bukur të folurit, duke futur dhe bërë të vetat, me një siguri të përsosur, spërdredhjet, karakteristikat dhe frazat e gjuhës së folur: natyrisht ai përdorte shprehjet e gjuhës së folur argjentinase, por edhe shprehje të gjuhës frënge, duke krijuar fjalë e shprehje me kaq zgjuarsi e finesë, sa nuk tingëllonin keq në fjalitë e tij, përkundrazi, i pasuronin ato me “tharmin” që Azorìn besonte se kërkohej prej një shkrimtari të mirë.
Besueshmëria e një historie (forca e saj bindëse) nuk varet vetëm nga koherenca e stilit, në të cilin tregohet, roli i teknikës së rrëfimit është jo më pak i rëndësishëm. Por pa koherencë nuk ka besueshmëri, ose të themi bëhet gati zero. Stili i një shkrimtari mund të jetë i pakëndshëm e, megjithatë, në sajë të koherencës arrin të bëhet i efektshëm. Kështu ndodh, për shembull, me një autor si Louis Ferdinand Céline. Mund të mos pajtohesh me mua, por për mendimin tim, fjalitë e tij të shkurtra, që ngecin, të mbushura plot elipse e habi, si dhe shprehje të gjuhës së folur e të pashkollë, të cingërisin nervat. E megjithatë, nuk kam as më të voglin dyshim se “Udhëtim në skaj të natës” si dhe “Vdekje me këst”, ndonëse në mënyrë jo aq të padiskutueshme, janë romane me një forcë të jashtëzakonshme bindëse. Fjalërrjedhja e shfrenuar dhe ekstravaganca e tyre na hipnotizojnë, duke zhvlerësuar çdo kundërshtim estetik a etik që mund të kishim, po të donim të kishim një ndërgjegje të qetë.
Të njëjtin reagim kam edhe ndaj shkrimtarit kubanez Alejo Carpentier, një nga romancierët më të mëdhenj të gjuhës spanjolle. E nxjerrë nga konteksti i romaneve, proza e tij është ekzaktësisht e kundërta e shkrimeve të tij, që i adhuroj (e di se është e pamundur të bësh një dallim të tillë, por e bëj për të sqaruar këtë që them). Nuk më pëlqen ngurtësia e tij, akademizmi e manierizmat e tij libreske, që gjithnjë më krijojnë idenë se mbështeten në kërkime metikuloze nëpër fjalorë, produkt i pasionit të vjetër për arkaizma e sajesa të shkrimtarëve barokë të shekullit të shtatëmbëdhjetë. E megjithatë, e njëjta prozë, kur Carpentier-i flet për historinë e Ti Noelit dhe Henri Kristofit në romanin e tij të vitit 1949, “Mbretëria e kësaj bote”, kryevepër e vërtetë, të cilën e kam lexuar të paktën tri herë, m’i largon të gjitha rezervat e antipatitë që kam me forcën e saj të pakundërshtueshme e të papërballueshme, dhe më mahnit, duke më bërë të besoj me gjithë shpirt gjithçka që ai rrëfen. Si e arrin këtë stili i ngrirë, i mbërthyer deri në grykë i Alejo Carpentier-it? Me anë të një koherence të pandërprerë dhe aurës së domosdoshmërisë së saj. Stili i tij ngërthen një forcë të tillë bindëse, që e bën lexuesin të besojë se kjo është e vetmja mënyrë e rrëfimit të kësaj historie: pikërisht me ato fjalë e fraza dhe me atë ritëm.
* * *
Të flasësh për koherencën e një stili është relativisht e lehtë, por më e vështirë të shpjegosh se çfarë kam parasysh me thelbësoren, një cilësi që i kërkohet gjuhës së një romani për të qenë bindës. Ndoshta mënyra më e mirë për të përshkurar thelbësoren është të shpjegosh të kundërtën e tij, stilin që dështon në të treguarit e një historie për shkak se na mban larg saj dhe na lë mendjekthjellët; me fjalë të tjera, një stil që na bën të vetëdijshëm se jemi duke lexuar diçka të huaj, na pengon të përjetojmë historinë së bashku me personazhet dhe të marrim pjesë në të së bashku me ta. Kjo gjë kuptohet kur lexuesi ndien një boshllëk, të cilin romancieri nuk arrin ta mbushë me historinë që ka shkruar, një boshllëk midis asaj që po tregohet e gjuhës me të cilën tregohet. Ky largim apo kjo ndarje midis gjuhës së një tregimi dhe historisë që rrëfehet, e zhduk forcën bindëse të rrëfenjës. Lexuesi nuk e beson atë që po i tregojnë, për shkak se ngathtësia e papërshtatshmëria e stilit bëjnë që ai ta ndiejë se midis fjalës dhe veprës ka një ndarje të madhe, një çarje që nxjerr në pah të gjithë sajesën dhe arbitraritetin mbi të cilin mbështetet letërsia e që vetëm letërsia e sukseshme ia del mbanë ta zhdukë a ta fshehë.
Një stil i tillë dështon, sepse na duket se është i panevojshëm; kur lexojmë, e kuptojmë se, po të tregohej ndryshe a me fjalë të tjera, e njëjta histori do të ishte më e mirë (që nga pikëpamja letrare do të thotë thjesht më bindëse). Në asnjë çast nuk ndiejmë ndonjë ndarje në gjuhë a brendi, kur lexojmë romanet e Faulkner-it, tregimet e Borges-it ose të Isak Dinesen-it. Stilet e këtyre autorëve – secili shumë i ndryshëm prej tjetrit – na bindin, sepse në këto stile fjalët, personazhet e sendet përbëjnë një tërësi të pazgjidhshme; sepse është e pamundur që pjesët t’i shohësh të ndara prej njëra-tjetrës. Dhe kur flas për cilësinë e thelbësores, që duhet të ketë çdo shkrim letrar, kam parasysh pikërisht një shkrirje të tillë të përsosur mes stilit e brendisë.
Thelbësorja e gjuhës së shkrimtarëve të mëdhenj dallohet krahasuar me të shkruarit e sforcuar dhe të stisur të pasuesve të tyre. Borges-i është një nga stilistët më origjinalë të gjuhës spanjolle, ndoshta më i madhi stilist spanjoll i shek. XX. Pikërisht kjo është arsyeja përse ka ushtruar ndikim të madh e, në rast se mund ta them, një ndikim për të ardhur keq. Stili i Borges-it është i pagabueshëm e funksionon jashtëzakonisht mirë, duke i dhënë jetë e besueshmëri një bote me ide, kërshëri intelektuale dhe abstrakte të sofistikuara. Në këtë botë sisemet filozofike, stërhollimet teologjike, mitet e simbolet letrare, reflektimet e spekulimet, dhe historia universale (parë nga një këndvështrim shumë letrar) janë lëndët e para të krijimit. Stili i Bogres-it i përshtatet subjektit e shkrihet me të në aliazh të fuqishëm, duke e bërë lexuesin të ndiejë që në fjalitë e para të tregimeve dhe shumë prej eseve të tij të panumërta, se këto vepra kanë tiparet letrare dhe mëvetësinë e letërsisë së vërtetë, dhe se vetëm kështu mund të rrëfeheshin, me këtë gjuhë inteligjente, ironike dhe me saktësi matematike – pa asnjë fjalë më shumë a më pak – me elegancën e ftohtë dhe epërsinë aristokratike, duke i dhënë përparësi intelektit e dijes përkundrejt ndijimit dhe emocionit, duke luajtur me erudicionin, duke e kthyer hamendësimin në teknikë, duke u ikur formave të sentimentalizmit e duke shpërfillur trupin dhe sensualitetin (ose duke i parë nga shumë larg, si shfaqjet më të ulëta të ekzistencës). Tregimet e tij bëhen njerëzore në sajë të ironisë së hollë, një flladi të freskët që lehtëson kompleksitetin e argumenteve, labirinteve intelektuale e ndërtimeve baroke, që pothuaj janë përherë lënda e parë e temave të tyre. Ngjyra dhe hijeshia e stilit të Borges-it qëndron, pikësëpari, në përdorimin e mbiemrave, që e trondisin lexuesin me guximin dhe ekscentricitetin (“Askush nuk e pa të zbriste në tokë atë natë të njëzëshme”) dhe te metaforat e dhunshme e të papritura, mbiemrat e ndajfoljet e të cilit, përveçse trupëzojnë idetë, përforcojnë një tipar fizik ose psikologjik, shpesh shërbejnë për të krijuar një atmosferë borgeziane. Pikërisht sepse është i qenësishëm, stili i Borges-it është i paimitueshëm. Kur adhuruesit a imituesit letrarë kopjojnë mënyrën e tij të përdorimit të mbiemrave, batutat shpërfillëse, mençurinë e pozat e tij, stilet e tyre janë tepër pa vend, sikurse paruket e bëra keq që nuk mund të merren aspak për flokë të vërtetë, duke nxjerrë në pah falsitetin e karakterin qesharak të kokave mjerane që mbulojnë. Jorge Luis Borges ishte një krijues i pamposhtur dhe nuk ka asgjë më irrituese a të bezdisshme se imituesit “mini-Borges”, imitacioneve të të cilëve u mungon thelbësorja e prozës që kopjojnë, duke e kthyer atë që ishte origjinale, autentike, e bukur e frymëzuese në diçka karikaturale, të shëmtuar e të pasinqertë. (Çështja e sinqeritetit apo e mungesës së tij në letërsi është një çështje estetike, jo etike.)
Diçka e ngjashme ka ndodhur në lidhje me një tjetër stilist të madh të prozës, Gabriel Garcìa Màrquez. Ndryshe nga stili i Borges-it, stili i tij nuk është i kthjellët, por i fryrë e aspak i intelektualizuar, madje, ai është ndijimor e sensual. Qartësia dhe korrektesa e stilit të tij nxjerrin në pah origjinën klasike, por megjithatë ai nuk është i ngurtë apo i vjetëruar, është i gatshëm të thithë thënie e shprehje popullore, neologjizma e fjalë të huaja, mbrujtur me muzikalitet dhe pastërti konceptesh, pa komplikime a lojëra fjalësh intelektuale. Nxehtësia, shijet, muzika, të gjitha nuancat e perceptimit dhe orekset e trupit shprehen natyrshëm e pa bujë, por edhe fantazia merr frymë me të njëjtën liri, duke u hedhur drejt së jashtëzakonshmes. Kur lexojmë “Njëqind vjet vetmi” apo “Dashuri në kohën e kolerës”, jemi të sigurt se vetëm me ato fjalë, me atë hir e ritëm mund të bëheshin të besueshme, bindëse, të mahnitshme, prekëse dhe se pa këto fjalë, romanet e tij nuk do të kishin mundur të na magjepsnin siç na kanë magjepsur: rrëfimet e tij janë vetë fjalët përmes të cilave ato tregohen.
Dhe e vërteta është se fjalët janë edhe trgimet që ato rrëfejnë. Si pasojë, kur një shkrimtar huazon një stil, letërsia që prodhon tingëllon e rreme, thjesht parodi. Pas Borges-it, Garcìa Màrquez është shkrimtari më i imituar në gjuhë dhe, ndonëse disa prej pasuesve të tij kanë qenë të suksesshëm – dua të them, kanë tërhequr një numër të madh lexuesish – vepra, sado i zellshëm pasuesi, nuk arrin të ketë një jetë më vete dhe karakteri i saj dytësor, i sforcuar, bie në sy menjëherë. Letërsia është thjesht sajesë, por ndërsa letërsia e madhe është e aftë ta fshehë këtë fakt, letërsia mediokre e tradhton veten.
* * *
Pavarësisht se më duket se të kam rrëfyer gjithçka që di për stilin, duke pasur parasysh kërkesën e letrës sate për këshilla praktike, po të jap këtë këshillë: meqë do që të jesh shkrimtar, dhe i tillë nuk mund të bëhesh pa një stil koherent e thelbësor, fillo të kërkosh stilin tënd. Lexo vazhdimisht, sepse është e pamundur të krijosh një ide të pasur e të plotë rreth gjuhës pa lexuar shumë letërsi të mirë, dhe përpiqu sa të mundesh, ndonëse nuk është fort e lehtë, të mos imitosh stilet e romancierëve që adhuron më shumë, të cilët qenë të parët që të mësuan ta duash letërsinë. Imitoji ata në çdo gjë tjetër: në përkushtim, disiplinë, zakonet e tyre; në rast se të duket e drejtë, bindjet e tyre bëji të tuat. Por përpiqu t’i bësh bisht riprodhimit mekanik të modeleve dhe ritmeve të të shkruarit të tyre, sepse, po nuk arrite të krijosh stilin vetjak që t’i përshtatet temës që ke zgjedhur, tregimet e tua ka të ngjarë të mos e kenë kurrë forcën bindëse për t’u bërë jetësore.
Të kërkosh e të gjesh stilin tënd, është e mundur. Lexo romanet e para të Faulkner-it. Ke për të parë se nga libri mediokër “Mushkonjat”, te libri i vlerësuar “Flamuj në pluhur”, siç u quajt versioni i parë i “Sartoris”, Faulkner-i mundi të gjente stilin e tij, gjuhën e lakuar, madhështore, pjesërisht fetare, pjesërisht mitike e pjesërisht epike. Po ashtu, Flaubert-i e kërkoi dhe e gjeti stilin e tij që nga versioni i parë i librit “Tundimet e Shën Antonit”, të shkruar në një stil të vrullshëm, të rrjedhshëm, romantiko-lirik, deri te “Zonja Bovari”, ku stili i tij i shfrenuar bëhet rreptësisht i përmbajtur, ndërkohë që shpërthimi emocional e lirik ndrydhet së tepërmi për të krijuar “iluzionin e realitetit”, të cilin ai arrin ta përsosë gjatë pesë viteve pune të mbinatyrshme, kohë që iu desh të shkruajë kryeveprën e tij të parë. Siç e di, Flaubert-i kishte një teori për stilin, atë të mot juste. Fjala e duhur ishte një fjalë – e vetmja fjalë – që mund të shprehte ashtu siç duhej një ide. Detyrimi i shkrimtarit ishte ta gjente atë fjalë. Nga ta dinte kur e kish gjetur? Nga një pëshpërimë ne vesh: ishte fjala e duhur kur tingëllonte mirë. Përkimi i përsosur i formës me brendinë – i fjalës me idenë – përkthehej në harmoni muzikore. Prandaj Flaubert-i ia nënshtronte fjalët e tij provës së pëllitjes, provës së thënies së frazave me zë të lartë e të fortë. Ai dilte për të lexuar me zë të lartë gjithçka që kish shkruar, në një rrugicë me pemë limoni aguridhe, që është edhe sot pranë ish-shtëpisë së tij në Croisset: allee des gueulades, rrugica e pëllitjeve. Aty lexonte me zë të lartë sa mundte ato që kishte shkruar dhe veshi i thoshte nëse ia kishte dalë mbanë, a nëse duhej të vazhdonte të provonte përsëri e përsëri të shkruante fjalë e fjali, derisa të arrinte përsosmërinë artistike, pas së cilës u dha më nje këmbëngulje fanatike.
Të kujtohet rreshti i shkruar nga Rubén Darìo: “Stili im kërkon një formë”? Për një kohë të gjatë, kjo fjali më turbullonte: a nuk janë e njëjta gjë stili e forma? Si është e mundur të kërkosh formën, kur e ke përpara syve? Tani e kuptoj më mirë sepse, siç të përmendja në njërën prej letrave të mëparshme, të shkruarit është vetëm një aspekt i formës letrare. Një aspekt tjetër, jo më pak i rëndësishëm, është teknika, meqenëse vetëm fjalët nuk mjaftojnë për të rrëfyer tregime të mira. Por kjo letër doli tepër e gjatë, kështu që diskutimin e kësaj teme më mirë po e lë për herën tjetër.
Përktheu Engjëllushe Shqarri





