Kundërvënie e stisur




Shekulli ynë është më fatkeq se i XIX; ai pati privilegjin e trishtuar të përpunojë më tej Ferrin (Henry James, Kafka) në mënyra më komplekse dhe më intime sesa ato të Poe-s. Vdekja dhe çmendia u bënë simbolet e vlerësuara për të komunikuar tmerrin e të jetuarit; në librat e tyre ata duhej të simulonin se të jetosh është diçka e bukur dhe se shkatërrimi i jetës nga çmendia dhe vdekja është mizor. Ndoshta edhe mund të thuhet se Poe sakrifikoi jetën për veprën e tij, jetën konkrete, por të vdekshme, për një fat pas vdekjes. Ekziston një zakon i ulët, i inauguruar nga Baudelaire-i dhe i papërqeshur prej Show-t, për të admiruar Poe-n si kundërshtar të SHBA, si një engjëll të mallkuar në një ferr të ftohtë e të pangopshëm. E vërteta është se Poe do të kishte vuajtur në çdo vend. Askush nuk ia kundërvën Baudelaire-n Francës apo Coleridge-in Anglisë.

Jorge Luis BORGES

Pas Edgar A. Poe-s (si dhe paa Swift-it, Carlyle-it, de Almafuerte-s) fshihet një neurozë. Interpretimi i veprës së tij duke u bazuar në këtë anomali mund të jetë si abuziv, ashtu dhe legjitim.
Eshtë abuziv, kur argumenti i neurozës përdoret për të dëmtuar ose mohuar veprën; është legjitim, kur përpiqemi të kuptojmë nëpërmjet saj gjenezën e veprës. Arthur Schopenhauer-i ka shkruar që nuk ka rrethanë të jetës sonë që të mos jetë e vullnetshme; në neurozën, ashtu si dhe në fatkeqësi të tjera, ne dallojmë një taktikë (artifis) të individit për të arritur një qëllim.
Neuroza e Poe-s shërbeu për përtëritjen e rrëfimit fantastik dhe shumëfishimin e formave letrare horror. Ndoshta edhe mund të thuhet se Poe sakrifikoi jetën për veprën e tij, jetën konkrete, por të vdekshme, për një fat pas vdekjes.
Shekulli ynë është më fatkeq se i XIX; ai pati privilegjin e trishtuar të përpunojë më tej Ferrin (Henry James, Kafka) në mënyra më komplekse dhe më intime sesa ato të Poe-s. Vdekja dhe çmendia u bënë simbolet e vlerësuar për të komunikuar tmerrin e të jetuarit; në librat e tyre ata duhej të simulonin se të jetosh është diçka e bukur dhe që shkatërrimi i jetës nga çmendia dhe vdekja është mizor.
Këto simbole e dobësojnë ndjenjën; për të mjerin Poe vetë fakti i ekzistencës është mizor. Kur më akuzuan se imitoja letërsinë gjermane, u përgjigja me sinqeritet: “Tmerri nuk vjen nga Gjermania. Ai vjen nga shpirti”.
Shumë më e qëndrueshme dhe jetëgjatë se poezitë e Poe-s është figura e tij si poet në përfytyrimin e njerëzve. ( e njëjta gjë ndodh me lord Byron-in e ndoshta me Goethe-n). Disa vargje të paharrueshmen - Was it not Fate, that, on this July midnight - kanë nderuar dhe justifikuar faqet e tij, por pjesa tjetër është e parëndësishme, melankolizma, shkrime me shije të keqe, paliativë të Thomas Moore-it.
Aldous Huxley na ka shpërqendruar duke shprehur me dialektin tepër origjinal të Poe-s disa strofa sentencë të Milton-it - rezultati është i mjerueshëm, siç dhe është e kuptueshme, kur përpiqemi të përkthejmë një paragraf të Brumbullit të artë apo të Bereniçes në prozën e pazbërthyeshme të Tetrakordon-it.
Përfytyrimi ynë për Poe-n si një krijues që paramendon dhe ekzekuton veprën e tij me një luciditet të qetë e të ngadalshëm, deri aq sa të mbrrijë popullaritetin, nuk ka si shkak aq shumë tregimet e Poe-s, sesa doktrinën e tij të shprehur në esenë Filozoia e kompozimit. Nga kjo doktrinë, dhe jo nga Toka e ëndrrave e Israel-it, ka dalë Mallarmé-ja dhe Paul Valery-a.
Poe besohej se ishte poet, vetëm poet, por rrethanat e detyruan të shkruante tregime dhe këto tregime të rastit që ai shkroi për bukën e gojës janë pavdekësia e tij. Në disa syresh ( E vërteta e rastit të z.Valdemar, Rënie në Maelström) shkëlqen aftësia e tij për shpikjen e rrethanave; në të tjera si (Ligeia, Maska e murtajës së kuqe, Eleonora) nga kjo aftësi buron mëndjekthjelltësia dhe përsosmëria e tij e paspjegueshme e aftësisë për të komunikuar.
Në të tjera (Krimet e Rue Morgue, Letra e vjedhur) lind proza policore që kurrë s’do të vdesë, që ilustron dhe Wilkie Collins-in, Stevenson-in dhe Chesterton-in. Pas këtyre veprave, është shpirti, është dhuntia e një jete fantastike, që buron nga tmerri dhe ankthi i Edgar Allan Poe-s.
Pasqyrë e shkollave të mundimshme të ushtrimit të artit vetmitar që s’dëshiron të bëhet zëdhënës i shumicës, at i Baudelaire-it, që lë pasardhës Mallarmé-në, dhe që ky i fundit lë pasardhës Valery-në, Poe i përket pazgjidhshmërisht letërsisë perëndimore, e cila nuk mund të kuptohet pa të.
Aty, dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe shumë intime, ai i përket të pakohshmes dhe të përjetshmes, për disa vargje dhe për shumë faqe të pakrahasueshme. Prej tyre do të nderoj së fundi Arthur Gordon Pym-in e Nantucket-it, që është një ëndërr e keqe sistematike, tema sekrete e së cilës është ngjyra e bardhë.
Shakespeare-i ka shkruar se janë të ëmbla frutet e fatkeqësive; pa neurozën, alkoolin, varfërinë, vetminë e pariparueshme, vepra e Poe-s nuk do të lindte. Ai krijoi një botë imagjinare për të shmangur atë realen; bota që ai ëndërroi do të mbijetojë, ndërsa botën tjetër (atë realen-sh.p.) ai pothuajse e ka shndërruar në një ëndërr.
Ekziston një zakon i ulët, i inauguruar nga Baudelaire-i dhe i papërqeshur prej Shaw-t, për të admiruar Poe-n si kundërshtar të SHBA, si një engjëll të mallkuar në një ferr të ftohtë dhe të pangopshëm.
E vërteta është se Poe do të kishte vuajtur në çdo vend. Askush nuk ia kundërvë Baudelaire-n Francës apo Coleridge-in Anglisë.

Përktheu Lluka Qafoku

Related Posts: