Vrasja Kennedy, zgjidhje të papritura nga hetimet e reja

UFO-ja e rrëzuar në afërsitë e Roswell-it mund të ishte një prototip i krijuar me fshehtësi të madhe dhe i përdorur nga ekspertë të Air Force


Për vrasjen e John F. Kennedy-it (1917 - 1963), presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është folur dhe shkruar shumë, shpesh në mënyrë të tepruar dhe me pakujdesi të tepruar. Lidhur me këtë janë formuluar hipotezat më fantazioze, duke akredituar doras të ndryshëm të vrasjes dhe identitet të organizatave të përfshira në aferën e dyshimtë.

Kohët e fundit, është shfaqur një zgjidhje e re e mundshme e enigmës së koklepsur, një pistë në dukje fantazioze dhe origjinale, prandaj le t'i shpjegojmë sipas rradhës.

Anthony Kimery, shkrimtar dhe gazetar i "Tucson Bullettin", në vitin 1999 ka filluar të merret me rastin e njohur Roswell dhe të UFO-përplasjes (disqe fluturues të rrëzuar). Për atë që nuk ka dijeni fare nga ufologjia, le të kujtojmë se çfarë ndodhi në qytezën e vogël të New Mexico. Në verën e vitit 1947, në Roswell po lindte shtylla e ardhshme e doktrinës strategjike amerikane. Në atë kohë, "Roswell Army Air Base" ishte selia e repartit unik në botë për bombardierët atomikë. Në poligonin e afërt të White Sands, më i dalluari i ushtrisë amerikane, kolaudoheshin raketat balistike V-2. Më datën 8 korrik, "Roswell Daily Record" nxorri në faqe të parë titullin: "Aeronautika kap një disk fluturues". Lajmi merret nga agjensitë e shtypit dhe nga stacionet radiofonike: Zyra e Informacionit të Grupit 509 të Bombardierëve me qëndrim në bazën ajrore të Roswell-it kishte anonçuar hyrjen në posedim të një disku fluturues.

Sipas deklaratave të Major J. Marcel, disku ishte rekuperuar në një ranch, atëhere kur një fermer (një farë Brazel) kishte paralajmëruar sherifin e zonës për gjetjen e tij. Air Force, pasi e kishte lëvizur "objektin" dhe shqyrtuar pranë bazës ajrore, e kishte dërguar në Shtabin e Përgjithshëm. Pak orë më vonë, një tjetër surprizë. Materiali i transportuar ndërkohë në bazën ajrore të Fort Worth në Texas, identifikohej sikur i përkiste një balloni banal metereologjik. Çështja ishte mbyllur. Pas një heshtjeje të rëndë, e cila zgjati 30 vjet, dy ufologët amerikanë (Friedman dhe Moore) u përplasën tek Majori Marcel, oficeri që i inspektoi i pari fragmentet. Ky bashkëpunoi aktivisht në rindërtimin e ngjarjeve, duke siguruar veçanti që nuk ishin thënë kurrë më parë.

Çelej një dosje kontradiktore të cilës i janë kushtuar dhjetëra libra dhe artikuj të panumërt. Duke u kufizuar në dëshmitë e Brazel dhe të Marcel, në një fushë pak milje larg Roswell, do të gjendeshin mbeturina me bollëk: Shufra të një materiali "metalik", por në disa aspekte të ngjashme me plastikën, copëzat, fletët dhe filamentet, disa kaq të lehta sa të ngriheshin me fryrjen e erës, por në të njëjtën kohë dhe aq rezistente sa të mos preheshin dot me thikë apo të digjeshin me shkrepse.

Air Force hodhi një vello sekrete mbi ç'ka kishte ndodhur: Postblloqe, Brazeli i shtrënguar të rishikojë deklaratat e tij për shtypin dhe gazetat lokale, nuk mund të jepte më informacione mbi episodin.

Edhe në ditët tona kontradikta është e hapur. Hipotezat e hedhura variojnë nga ajo "fondamentaliste", që thekson se bëhej fjalë për një mjet fluturues alien, në atë "minimizuese", sipas së cilës ishte një objekt konvencional që për një seri ekuivokesh nuk u identifikua menjëherë, duke kaluar në atë "dietrologjike". Historia e "diskut flutures" u përdor për të mbuluar ndonjë eksperiment, i cili për kohën ishte tepër sekret. Kimery ynë mund të përkufizohet si anëtari i radhës së dendur të dietrologëve.

Duke iu apeluar GAO-s (General Accounting Office), ekuivalenti i Shërbimit të Kontrollit të Shtetit në Shqipëri, gazetari amerikan ka zbuluar se të gjitha mesazhet e dërguara nga baza ajrore e Roswell-it për drejtuesit ushtarakë gjatë periudhës 1946 - 1949 janë shkatërruar, duke dhunuar haptazi procedurat e zakonshme të parashikuara. Asnjë dokument i pabotuar mbi rastin e debatuar nuk ka dalë. Natyrisht, ishte ky element që e bindi Kimery-n të mendonte se ndoshta ishte në zhvillim prej kohësh një operacion sistematik censure.

Sipas rezultateve të bërë publike në vitin 1994 nga Aeronautika ushtarake amerikane, UFO-ja e rënë në Roswell në korrik të 1947, në realitet do të ishte një ballonash me bistakë të lëshuar në kuadër të dikurshmit tepër sekret "Projektit Mogul", i destinuar në misione spiunazhi në aktivitetin bërthamor të Bashkimit Sovjetik. Ballonat e ngritura në fluturim nga baza e Alamogordo, të pajisura me instrumente telemtrikë dhe ndjesorë akustikë, të cilat për shkak të korrenteve të forta do të binin në një zonë afër Roswell. Pak i bindur nga skenari i propozuar nga ana e USAF-it dhe falë FOIA-s (Freedom of Information Act), një ligj kombëtar mbi lirinë e informacionit, Kimery shikon pjesë të dokumentacionit sekret të akumuluar nga FBI-ja (Federal Bureau of Investigation) lidhur me çështjen Roswell. Investigimi e ka çuar gazetarin në rezultate të çmuara: Pavarësisht mohimeve zyrtare, përhapur nga ushtarakët në ditët menjëherë pas gjetjes, një dokument i FBI-së (teletype8-7-47 Dallas) demostron se mbeturinat, realisht, u transportuan në Wright Field (Ohio), selia e Aeronautikës ku ndodhej selia e Air Material Command dhe ku Divizioni Teknologji të Huaja i Air Technical Intelligence Center, mirëpriti më vonë Projektin "Blue Book". Përtej kësaj, Kimery gjeti edhe mundësinë të zbulojë se në shumë raste Aeronautika tentoi të prishë hetimet e FBI.

Në fund të vitit 1947, Gjeneral Ramey, oficer komandant pranë selisë qëndrore të VIII Air Force, kontaktoi John Edgar Hoover. Drejtor i FBI-së nga viti 1924 deri në vitin 1972, duke iu lutur shprehimisht t'i jepte fund çdo lloj kërkimi lidhur me çështjen Roswell nga ana e agjentëve të tij. Jo vetëm kaq, por Ramey i kërkoi mbështetjen e agjentëve federalë me qëllim që të bashkëpunonin për të shmangur një rrjedhje të lajmeve që mund të futeshin në zotërim të organeve të informacionit. Në realitet, disa prej informacioneve të grumbulluara nga gazetari skrupuloz, tashmë qenë të njohura në ambiente të caktuara ufologjike. Boll të mendosh se qysh nga viti 1976 është aktiv në Washington CAUS-i (Citizens Against UFO Secrecy), një grup i specializuar në shqyrtimin dhe në kërkesat e lëshimit të dokumentave ufologjike nga ana e enteve publike.

Në janar të vitit 1999, Kimery afroi Brad Steiger-in, rreshter pranë bazës së Roswell-it, i liruar në vitin 1955 pas ngacmimesh të supozuara seksuale në dëm të një gruaje të re me ngjyrë.

Sipas versionit të Steiger, lirimi i turpshëm i dhënë është për t'u lidhur me disa lajme që ai në mënyrë të pamatur la të kalonin lidhur me çështjen Roswell. Në vitin 1947 ndodhej me shërbim në zyrën e Gjeneralit Ramey dhe gjatë muajit gusht ky i fundit mbajti biseda të përsëritura me oficerë të lartë të Zyrës së Investigimeve Speciale të Distriktit të Shtatë të Air Force (AFOSI) me qëndrim pranë bazës së Kirtland, New Mexico.

Steiger kujton në mënyrë të vecantë Kolonelin Doyle Rees, komandant i AFOSI-t. Me të rënë buja e çështjes Roswell, këta në mënyrë të përsëritur do ta ftonin Ramey të rifillonin fluturimet eksperimentale të një aparati të mbiquajtur "Caledonia 4". Në mënyrë naive, Steiger foli për këtë argument me Graham Binsell-in, i cili në atë kohë ishte një i apasionuar pas ufologjisë në kërkim të një rënieje në sy dhe parasë.

Në shkurt të vitit 1955, Binsell arriti të botojë një libërth të titulluar "Flying Saucers from Venus". Kjo është një vepër patjetër modeste dhe e pabesueshme, në të cilën ufologu theksonte një kolonizim të planetit tonë si vepër të alienëve të ardhur nga Afërdita. Në kapitullin e fundit, duke pasur informacionet e marra nga Steiger, Binsell akuzonte Aeronautikën se përdorte mjete fluturuese të bazuara në teknologji venusiane, pikërisht për "Caledonia 4": UFO-ja e Roswell-it do të kish qenë njëra nga këto aparatura eksperimentale. Puna e Binsell, e shtypur në pak mijëra kopje, arriti një sukes modest, por ishte e mjaftueshme për ta shkatërruar Steiger-in. Historia e ngacmimeve seksuale do të ishte një mistifikim i gjetur i arkitektuar për të diskredituar dhe larguar ish rreshterin e varfër nga baza e Roswell-it. Gruaja që akuzoi Steiger-in, e quajtur Melissa Howe, përveçse ishte prostitutë, në ato kohëra ndodhej në vështirësi ekonomike.

Një sipërmarrje mjaft e lehtë për ta bindur, me anë të një shpërblimi të majmë, për ta denoncuar duke shpikur një ngacmim të paqenë. Steigeri u dënua me nëntë muaj burg dhe u detyruar ta lërë Aeronautikën. Dy elementë tërhoqën vëmendjen e Kimery: Përse asnjë ufolog tjetër në të kaluarën nuk e kish intervistuar Steiger-in? Veç kësaj, përse emri "Caledonia 4" përmendej në mënyrë të vetme në librin banal të Binsell-it? Duke hetuar për jetën e Binsell-it, gazetari i "Tucson Bullettin" nuk zbuloi asgjë të rëndësishme, përveçse ky kishte mbajtur raporte me Fred Lee Crisman. I lindur në vitin 1919 në Tacoma, Crismani ishte pilot avioni gjuajtës gjatë Luftës së Dytë Botërore, shërbeu pranë Air Force gjatë luftës në Kore dhe punoi për një kohë të shkurtër për kompaninë Boeing Co në Seattle. Jeta e tij ka qenë vërtet me ulje - ngritje: çfarë mund të thuhet për një njeri që qe mësues anglishteje në shkollat e mesme, komentator radiofonik, partner i një gjysëm dyzine shoqërishë dhe ipeshkvi Universal në Life Church? Nuk është e mjaftueshme. Në verën e vitit 1968, prokurori distriktual i Neë Orleans, Jim Garrison, e ftoi të shfaqej përpara jurisë së madhe. Një person që i ngjante i vërejtur në disa fotografi të bëra në Dealy Plaza të Dallas ditën në të cilën u vra Kennedy. Ngjarja tragjike ndodhi në vitin 1963, pikërisht kur Binselli njohu Crisman. Garrison nuk arriti të provojë përfshirjen e Crisman-it, as që ishte i lidhur me njerëzit që po tentonte t'i akuzonte për vrasjen e Presidentit.

Binselli, i vdekur në mars të vitit 1999, i tregoi Kimery-t se takimi me Crisman nuk qe i rastësishëm. Pas "Flying Saucers from Venus" ishte ambicja e tij të shkruante një libër të dytë të përqëndruar mbi një operacion top sekret të shërbimeve që filloi në vitin 1945, projektin "Paperclip". Bëhej fjalë për një program të gjerë mbulimi për të transferuar armë sekrete naziste dhe ideatorët e tyre në Amerikë.

Binsell-it, emri i Crisman-it ju dha nga T.B.Beckham, një disc jockey i njohur nga New Orleans, i dyshuar për përfshirje me emigrantët kubanezë antikastristë.

Në vitin 1966, ai dhe Crismani ngritën shtatë shoqëri të mira në Olympia, në shtetin Washigton. Crisman do t'i rrëfente Beckham-it se kishte marrë pjesë në Projektin "Paperclip" në fundin e vitit. Binselli nuk arriti ta përfundonte punën e tij, as nuk siguroi bashkëpunimin e jetëshkurtërit Crisman. Mësoi vetëm se Presidenti Kennedy synonte të çelte një investigim mbi personazhet (zyrtarë të lartë dhe agjentë të CIA-s) të përfshirë në projektin e dyshimtë. Pranë niveleve drejtuese ushtarake dhe qeverisë amerikane ishte gjerësisht i njohur angazhimi i fuqishëm i CIA-s në Projektin "Paperclip". Detyra për të transferuar në fshehtësinë më të madhe në Shtetet e Bashkuara studiues të rëndësishëm gjermanë anëtarë të Partisë Naziste i qe besuar nga CIA Kolonelit Boris Pash.

Në periudhën midis viteve 1943 dhe 1945 kishte drejtuar ALSOS-in, Shërbimin Amerikan të Informacioneve Atomike. Objektiv kryesor i operacionit ishte të filloheshin në Amerikë kërkime lidhur me efektet e radiacioneve mbi qëniet njerëzore. Në këtë kuadër, disa kërkues nazistë si Webb Haymaker e Hubertus Strughhold, qenë sinjalizuar duke kryer në Gjermani eksperimente mbi kavje njerëzore. Kjo përbënte vetëm një aspekt të çështjes. Të tjerë shkencëtarë të shquar, në vecanti Profesori Sanger, qysh prej vitesh po shqyrtonin mundësinë e ndërtimit të mjeteve, forca lëvizëse e të cilëve të barej nga fusha shtytëse të bazuara në natyrën korpuskulare të radiacionit të ndritshëm.

Në një artikull të tij, Kimery formuloi hipotezën që "Caledonia 4" nuk ishte gjë tjetër veçse një aparat në gjendje të shfrytëzonte teknologjitë e fluturimit të ideuara nga kërkuesit gjermanë në shërbim të CIA-s. UFO-ja e rrëzuar në afërsitë e Roswell-it mund të ishte një prototip i krijuar me fshehtësi të madhe dhe i përdorur nga ekspertë të Air Force.

Përse duhej të kishte një formë diskoidale? Mund të demostrohet matematikisht se forma më racionale për një makinë që të përdorte një motor rrotullues do të ishte pikërisht, ai i përshkruar në shikime të shumta me karakter ufologjik (pjatë e përmbysur me një kupolë përsipër).

Majori Marcel, krejtësisht i paditur për ekzistencën e "Caledonia 4", nuk mund të theksonte tjetër që mbeturinat e gjetura nga Brazel që i përkisnin një disku fluturues me origjinë jotokësore. Por mungon një copës vendimtare në hetimin e artikuluar: Çfarë lidhjeje ekziston midis UFO-përplasjes së Roswell-it dhe vrasjes Kennedy? Dy ngjarjet qëndrojnë larg njëra-tjetrës me 16 vjet dhe në dukje eksperimentet e Aeronautikës nuk duhet të jenë të lidhura me aktivitetin e një Presidenti.

Sipas Kimery, pasi ka pyetur Jean Goupil, inxhinier dhe anëtar i Grupit të Studimit të Fenomeneve Ajrore, prototipet "Caledonia 4" do të ishin të paqëndrueshëm dhe të pasigurtë; përveç përshpejtimeve të mahnitshme, karakteristika të motorëve me rrotullim, do të ishin pak të durueshëm nga një ekuipazh në bord. Është e besueshme, gjithmonë për gazetarin amerikan, se jo pak "Caledonia 4" janë rrëzuar për tokë (përvec Roswell), duke shkatuar vdekjen e parakohëshme të pilotëve (në atë kohë nuk mund të radiokomandoheshin nga toka).

Një mjet i veçantë fluturimi me motor rrotullues me radiacion të ndritshëm do të kushtonte (vlerësime të Goupil), jo më pak se disa qindra milion dollarë. Për vite me rradhë, CIA dhe Air Force do të harxhonin resurse të konsiderueshme ekonomike dhe sidomos njerëzore në mënyrë të shfrenuar. Rezultatet do të ishin komplesivisht negative, pasi që Aeronautika nuk duket të përdorë në kohën e sotme avionë me radiacion të ndritshëm korpuskular. Në thelb, një harxhim i kotë jetësh dhe parashë që nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e Presidentit Kennedy. Kësaj i shtohet fakti që shkencëtarët nazistë (të rekrutuar me Projektin "Paperclip") duket të kenë vdekur me radiacione qindra qytetarë amerikanë, falë mbulesës sistematike të orkestruar nga CIA.

Duke përdorur një eufemizëm, investigimi i shtyrë nga Kennedi do të kishte ngritur një "tymnajë të pafundme". Kështu, që ekzistonte një motiv i mirë për të eliminuar Presidentin, edhe pse lista e armiqve potencialë të tij (mafie, eksponentë ushtarakë, grupe të mëdha ekonomike, etj.) në vitin 1963 ishte pothuajse e pambarimtë. Teza e Kimery-it është sugjestive dhe ndoshta e arsyeshme, por sigurisht u shtohet shumë të tjerave të lëshuara gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit. Ekzistojnë aspekte shqetësuese që gjithsesi meritojnë një refleksion:

1) Një prej organizatorëve të mundshëm të vrasjes është Clay Shaw, agjent i CIA-s, antikomunist i ekstremit të djathtë dhe i përfshirë fuqishëm në Projektin Paperclip;

2) Autopsia e dytë mbi kufomën e Kennedy-it (e para iu besua Doktor Malcolm Perry) u krye nga mjekë ushtarakë të Air Force me qëllimin e dukshëm të përhapjes së teorisë së vrasësist vetmitar (Lee Harvey Oswald);

3) Lyndon Johnson, Zëvendëspresident dhe mbështetës i vendosur i të diskutueshmit Warren Commision, e kish takuar shumë herë në Texas Clay Shaw dhe mbështetur Kolonelin Pash në kohën e tij;

4) Transporti i kufomës së Kennedy nga Dallas në Washington, gjë që u dha rrugë kundërshtive të ashpra, pasi që gjatë rrugës ose pak më vonë, kufoma pësoi një operacion kirurgjik të finalizuar në heqjen e trurit, u realizua nga oficerë të Air Force me mbikëqyrjen e agjentëve të CIA-s.

Në dëm të teorisë "kimeriane" duhet vërejtur një papajtueshmëri e caktuar midis materialit* që duket se është zbuluar në Roswell, si për shembull goma, letër e argjenduar, tarversëza prej dru balsami, ngjitës dhe mbeturinat e një mjeti fluturues për epokën teknologjikisht novatore.

E përplasur në tokë, "Caledonia 4" duhet të linte një lloj sasie të caktuar mbeturinash dhe copëzash metalike. As nuk theksohet në rekuperimin e kufomave të pilotëve të përfshirë në fluturimet e pafata eksperimentale, edhe pse asnjë dëshmi (zyrtare) e epokës duket se nuk aludon për qënie njerëzore të pajeta të zbuluara nga Brazeli në fermën e tij. Në mënyrë të dukshme, ka akoma elementë të tjerë, pjesërisht të hequra nga gazetari amerikan, për t'u peshuar me vëmendje në të ardhmen.

*Jesse Marcel Jr. ishte djali i Majorit Marcel që pati mundësinë të inspektonte fragmentet, i nënshtruar një regresioni hipnotik nga ana e Doktor Hibler. Ai nuk tregoi asgjë që të mund të kishte ndonjë karakteristikë ekzotike apo gjithësesi "jotokësore". As nuk rezulton që nga një kërkim i drejtuar nga Kent Jeffrey, ufolog dhe pilot avioni, ndonjë oficer i Foreign Technology Division (FTD) në Wright Patterson të ketë dëgjuar fjalë për ekzistencën e mjeteve ajrore sekrete në dispozicion të USAAF-it. Po kaq fantazioze duken pastaj afirmimet e Frank Kaufmann, që thekson se ka marrë pjesë në rekuperimin e anijes kozmike aliene të Roswell nëpërmjet aerotransportimit. Dimensionet e treguara për këtë të fundit (gjatësi 8 metra, gjerësi 5 metra dhe lartësi 2 metra) do të kishin penguar transferimin me çfarëdo lloj aeroplani, civil apo ushtarak, që disponoheshin në atë kohë.

Përgatiti: ARMIN TIRANA