"Mund të ketë qenie të tjera të krijuara nga Zoti". Teologu astronom Funes: edhe ata mund të gëzojnë mëshirën e Zotit
QYTETI I VATIKANIT - "Është e mundur të besosh në Zot dhe tek jashtëtokësorët njëkohësisht. Mund të pranohet ekzistenca e qenieve të tjera, edhe më tepër të zhvilluara në krahasim me ne, por pa vënë në diskutim besimin mbi krijimin e qenieve, mbi mishërimin e shpirtit dhe mbi jetën e përtejme". Këtë e afirmon shefi i astronomëve të Vatikanit, jezuiti argjentinas Jose Gabriele Funes, 45 vjeç, i diplomuar në teologji dhe astrofizikë. Nuk ka arsye për të besuar se ndonjë gazetarë e ka shtyrë të thotë këto fjalë, sepse intervista është e Osservatore Romano dhe për më tepër nuk është hera e parë që Funes guxon të bëjë afrimime të tilla. "Ashtu siç ekziston një shumëllojshmëri krijesash në tokë, - vazhdon ati Funes - mund të ketë edhe qenie të tjera dhe shumë inteligjente të krijuara nga Zoti. Kjo nuk bie në kundërshtim me fenë tonë, sepse nuk mund të vëmë limite në lirinë krijuese të Zotit". Kundërshtim marramendës: Po nga kush janë shlyer këta alienë? Përgjigje e ftohtë nga astrofizikanti teolog: "Nuk është e thënë që ata mund të kenë nevojë për shlyerje. Mund të kenë ngelur në paqe totale me krijuesin e tyre".
Po sikur këta jashtëtokësorë të jenë mëkatarë? Rrini të qetë: "Edhe ata, në një lloj mënyre, do të kenë mundësinë të gëzojnë mëshirën e Zotit, ashtu siç ndodh me ne njerëzit". Sipas Funes, mund të kesh besim tek "Zoti krijues" dhe mund të pranosh hipotezën e Big Bangut, e cila është "shpjegimi më i mirë i origjinës së universit që kemi deri tani" dhe "nuk bie në kundërshtim me fenë, përkundrazi, është mjaft e arsyeshme". Në këtë mënyrë, ai kombinon Biblën me teleskopin: "Unë si astronom vazhdoj të mendoj se Zoti është krijuesi i universit dhe se ne nuk jemi produkt i rastësisë, por jemi bijtë e një ati të mirë. Bibla në mënyrë thelbësore nuk është një libër shkencor, d.m.th nuk mund t'i kërkosh asaj një përgjigje shkencore". Nuk është hera e parë - kuptohet - që një njeri i Kishës ndërmerr aventura të tilla në këtë terren. Edhe paraardhësi jezuit i Funes në Kishë, George Coyne, e ka përkufizuar si "guximtare dhe kryeneçe" në shumë raste "idenë që nuk mund të ekzistojnë qenie të tjera të gjalla, përveç atyre që jetojnë në Tokë". Kryesia katolike nuk po mban asnjë pozicion përsa i përket kësaj fushe të rrezikshme. Fillimi i një depati të tillë midis teologëve ka qenë në vitet pesëqind, kur flitej shumë mbi UFO-t dhe ëndërrohej një kontakt i afërt me qenie të tjera inteligjente.
Ati dominikan Raimondo Spiazzi dhe ati françeskan Gino Cancetti kanë shprehur më parë ide të ngjashme me ato të atit Funes. Flitet madje që edhe At Pio, shenjtor i madh, por jo teolog dhe as astrofizikan, ka qenë mbështetës i kësaj fushe. Dikujt që kishte kundërshtim mbi këtë ide dikur i është përgjigjur: "Mendon se plotfuqia e Zotit është limituar në planetin e vogël të Tokës?".
Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI





