Shfuqizoi Forcat e Armatosura, për të investuar në shëndetësi e arsim
"Si, lo prometemos!" (Po betohemi!). Është ora nëntë e gjysmë e mëngjesit në Los Kiles, një qytezë e vogël e Kosta Rikës Veriore. Djemtë janë mbledhur në fushën e futbollit dhe kanë veshur një uniformë blu. Me sytë e fiksuar mbi flamur ngrenë dorën e djathtë dhe betohen se e duan vendin e tyre, që e njohin historinë e tij dhe do të angazhohen më shumë për t‘i lejuar flamurit trengjyrësh blu, të bardhë e të kuq të mbetet një simbol ideal i paqes dhe drejtësisë. Por, në këtë ditë të shënuar të festës kombëtare, nuk është parashikuar një marshim ushtarak, sepse prej 60 vjetësh Kosta Rika është një vend pa ushtri. Për të kuptuar motivin e këtij vendimi duhet të kthehemi prapa në kohë, pikërisht më 1 dhjetor të vitit 1948. Vendi nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga një luftë civile, e cila kishte shkaktuar vdekjen e qindra personave. Pas dy muajsh luftime, lideri social demokrat José Figueres Ferrer, i quajtur ndryshe Don Pepe, mori drejtimin e qeverisë së përkohshme. Ferrer shtetëzoi bankat dhe anonçoi shfuqizimin e ushtrisë.
Më 1 dhjetor, pas firmës së dekretit ligjor, Don Pepe shkoi në kazermën Bellavista, në qendër të kryeqytetit San Jose: në sy të gjithë turmës mori një palë shkallë, hipi mbi to dhe me një çekan goditi simbolikisht murin e kazermës. Largimi i ushtrisë për një kohë të gjatë si institucion u aprovua pak kohë më pas nga Parlamenti dhe u vendos në Kushtetutën e vitit 1949. Po atë ditë, më 1 dhjetor, Don Pepe ia ofroi kazermën Bellavista Universitetit të Kosta Rikës, që e transformoi në një muze kombëtar.
Motivi kryesor për shfuqizimin e ushtrisë ishte ky: eliminimi i shpenzimeve ushtarake për të rritur fondet e destinuara për arsimin dhe për të përmirësuar nivelin e jetesës së këtij qyteti të vogël, i vendosur mes Panamasë dhe Nikaraguas. "Shfuqizimi i ushtrisë lidhet veçanërisht me një nevojë politike", shpjegon një profesor i shkencave politike në Universitetin e Kosta Rikës. "Ushtria ishte e ndarë dhe duhej të shmangnim çdo lloj rreziku për ndonjë grusht shteti ushtarak. Në dhjetë vitet pasardhëse, shpresa për jetën u rrit, vdekshmëria që lidhej me sëmundjet jo të rënda u zvogëlua dhe arsimi pati një progres të jashtëzakonshëm. Thënia ‘nuk duhet të blejmë më armë, por të paguajmë më shumë profesorë dhe doktorë‘ nuk ishte një slogan retorik", thekson profesori. Sipas fondacionit "Arias" për paqen dhe progresin njerëzor, shfuqizimi i forcave të armatosura lejon që të financohen çdo vit universitetet publike dhe tri spitale. Sot Kosta Rika ka një përqindje shkrimi e këndimi prej 96 për qind.
Qytetarët e pasigurt
Në fakt, dikush i vë në diskutim këto rezultate. Zëvendësdrejtoresha e një instituti teknik në zonën malore dhe rurale të Kosto Brus, i njeh mirë cilësitë e sistemit të arsimit kombëtar: "Në çdo cep të qytetit ka shkolla. Ndërkohë që në San José studentët kanë salla informatike dhe biblioteka, këtu situata është krejtësisht ndryshe. Çfarë lloj dijeje do të marrin fëmijët që janë të detyruar të studiojnë në një godinë prej llamarine?" - kritikon ashpër pabarazinë.
Banorët e Kosta Rikës kanë një asistencë shëndetësore dhe sociale të mjaftueshme. "Jo gjithçka që shkëlqen është flori", thotë një vajzë që studion për t‘u bërë infermiere. "Në spital vijnë njerëz që duhen operuar urgjentisht, por janë të detyruar të presin gjashtë muaj, ose një vit". Gjithsesi, populli është i vetëdijshëm për diferencën e madhe mes treguesit të zhvillimit të Kosta Rikës dhe atij të vendeve të tjera. Kosta Rika është në vendin e 48-të në klasifikimin botëror, ndërsa fqinji Nikaragua është në vendin e 110-të dhe Guatemala në të 118-in. Askush nuk guxon ta vërë në diskutim ndalimin e shpenzimeve ushtarake. "Një rikthim i ushtrisë? Do të ishte absurde", thekson një grup njerëzish që janë mbledhur nën hijen e një peme në Los Chiles, pranë kufirit me Nikaraguan. "Kosta Rika është një vend i qetë, më i qëndrueshmi e më demokratiku në Amerikën Qendrore dhe ky është kufiri më i sigurt i vendit. Për çfarë do të na shërbente një ushtri?" Në vitin 1985, Amerika Qendrore ishte e shkatërruar nga luftërat në Guatemala, Salvador dhe Nikaragua. Përballë rrezikut që dhuna mund të mbërrinte edhe në Kosta Rika, qeveria i kërkoi popullit nëse ishte e nevojshme apo jo rikthimi i forcave të armatosura. Në këtë sondazh, 90 për qind e të intervistuarve ishte kundër.
"Jam nga Guatemala, por jetoj prej pak kohësh në Kosta Rika", thotë një qytetar. "Tani mund të them me plot bindjen se Kosta Rika ka një kulturë politike unike. Më 2006-ën, para referendumit për Traktatin e Shkëmbimit të Lirë me Shtetet e Bashkuara, situata politike ishte shumë e tensionuar. Në prag të një manifestimi të madh, Presidenti Oskar Arias u shpreh kështu: ‘Nëse 50 për qind e vendit është në favor të traktatit dhe 50 për qind është kundër, atëherë ta lëmë që 50 për qind e shesheve të përdoret nga ata që thonë jo dhe dëshirojnë ‘të shpërthejnë‘ dhe gjysma tjetër nga ata që thonë se duan të punojnë‘. Dhe kështu u bë, pa qenë e nevojshme që të ndërhynte ushtria, ose policia. Një gjë e tillë do të ishte e papërfytyrueshme në Bolivi, Guatemala, apo Salvador".
Shfuqizimi i forcave të armatosura, që i është kërkuar Dom Pepes nga pjesa më e madhe e popullit, nuk ndodhi rastësisht. "Në vitin 1825", kujton historiania Klotilde Obregon, "u mbyllën burgjet ushtarake. Që nga ajo kohë ushtarët janë gjykuar nga gjyqet civile. Kosta Rika zgjodhi shumë shpejt të bëhej një shtet i të drejtave". Kështu, gjatë viteve të para të 1900-ës, fondet e destinuara për ushtrinë filluan të uleshin. "Më pas, me Luftën e Parë Botërore kuptuam se për të pasur një ushtri të mirëfilltë, nevojiten shumë para. Që prej momentit që paratë filluan të pakësoheshin, njerëzit u bindën se investimet në armë ishin të kota. Shfuqizimi i ushtrisë u propozua nga dy deputetë në vitin 1947", vazhdon më tej historiania.
Paqja është simboli më prestigjioz i Kosta Rikës. Që prej 1979-ës, në San Jose ndodhet Gjykata ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut dhe prej viteve ‘80 Universiteti i Paqes drejtuar nga OKB-ja. Ja se cili është imazhi i këtij vendi, sipas një studenti të angazhuar në manifestimet kundër Traktatit për Shkëmbimin e Lirë: "Është pozitive të arrish në majë të diçkaje me flamurin e bardhë në një njërën dorë dhe njerëzit e paqes në dorën tjetër. Por, në këtë mënyrë, harrohet që korrupsioni dhe shtypja ekzistojnë edhe këtu". Për ministrin e Sigurisë Publike, ky imazh është një armë e rëndësishme: "Shquhemi se jemi një vend paqësor dhe askush nuk na sulmon".
Por çfarë do të ndodhte në rast sulmi? Vendi është pjesë e Organizatës së Shteteve të Bashkuara dhe në rast sulmi, do të ketë menjëherë ndihmën e pjesëtarëve të tjerë.





