Rusia komuniste
Në Rusinë ortodokse të fillimit të nëntëqindës, Kishat me rite perëndimore dhe në veprim janë pothuajse dy mijë, më shumë se dy mijë janë priftërnjtë katolikë dhe mbi 500 milion janë besimtarët, por me Revolucionin rus të vitit 1917, situata për kishën katolike do të bëhej gjithnjë e më e vështirë.
Pas një faze të parë kushtetueso-demokratike fryt i "revolucionit të shkurtit" të vitit 1905 që i dha fund regjimit carist, në fakt kryengritja e bolshevikëve në 1917 solli një regjim diktatorial e socialist të bazuar mbi pushtetin e sovjetikëve e që, mes të tjerave parashikon rishpërndarjen tek fshatarët të tokave të latifondistëve si dhe mohimin total të ekzistencës së Zotit.
E nëse në Kushtetutën e korrikut të vitit 1918 flitej vetëm për "ndarjen" mes Kishës dhe Shtetit, në fakt bolshevikët do të anulonin çdo formë besimi brenda vendit: Lenini nisi që në fillim organizimin jo vetëm të një propagande antifetare, por edhe ateizmin militant kundër Kishës Ortodokse (institucioni më i rëndësishëm në Rusi) dhe kundër Kishës Katolike.
Me anë të një dekreti, bolshevikët e udhëhequr nga Lenini shpronësuan të gjithë pronat e Kishës, që nga tokat e deri tek vendet e kultit, që nga manastirët e deri tek të gjithë vendet e shenjtë, si dhe u hoqën të drejtën e votës të gjithë priftërinjve, të cilët panë t'u hiqet edhe e drejta e kishës. Lideri i partisë kërkonte që Kisha të goditej "me një forcë të tillë sa që të qëndrojë e shkatërruar për të paktën 50 vite". Pas këtyre masave të para, në vitet 1919 erdhën edhe arrestimet e parë që, të përdorur fillimisht vetëm si kërcënime nisën të pësojnë një rritje eksponenciale që nga viti 1922, atëherë kur priftërinjtë nisën të akuzohen për "veprimtari kundërrevolucionare".
Procesi i parë kolektiv kundër katolikëve ndodhi në fakt pikërisht në vitin 1922, ndërsa i dyti dhe i treti ndodhën mes viteve 1928 dhe 1932. Me këta tre procese u arrestua praktikisht i gjithë kleri rus; si pasojë, i gjithë komuniteti katolik në Bashkimin Sovjetik mbeti pa udhëheqje shpirtërore, një element ky i cili shkaktonte shqetësim të madh për Vatikanin.
Siç tregon shkencëtari Anatolij Krasikov, "shumë prej drejtuesve të shtetit dhe të partisë ishin nxënës të dikurshëm të seminareve ortodoksë, dhe kështu që në rolin e tyre të ri kishin vendosur portrete të anëtarëve të zyrës politike në vend të ikonës, duke transformuar ritet fetarë në rite politikë".
Mes viteve 1922 dhe 1923, pikërisht në periudhën kur ndodhën arrestimet e para si dhe internimet e para në gulagët e destinuar për klerin, nisi një tratativë diplomatike ndërmjet qeverisë bolshevike dhe Vatikanit me qëllimin për t'i bërë marrëdhëniet më pak të tensionuara: në këtë moment, në fakt Bashkimi Sovjetik është krejtësisht i izoluar politikisht dhe ka një nevojë jetësore për njohje ndërkombëtare, ndërkohë që Vatikani është i interesuar për dialog pikërisht se synon rindërtimin e në hierarkie fetare në Bashkimin Sovjetik. Por, kanalet diplomatikë mes dy fuqive nuk sjellin rezultatet e shpresuar, dhe kështu që në 1926 në Bashkimin Sovjetik nuk do të kishte as edhe një Peshkop.
Michel d'Herbigny dhe Kolegji Russicum
Eshtë viti 1929 dhe Papa Piu XI, me sugjerimin e jezuitit francez, atë Michel d'Herbigny, krijon Kolegjin Russicum, historia e të cilit megjithatë e ka zanafillën disa vite më herët dhe pikërisht në 1912, kur atë Vladimir Ledokovski, kreu i ardhshëm i jezuitëve do të shkruante një dokument në të cilin shprehte shqetësimin e tij në lidhje me Bashkimin Sovjetik si dhe domosdoshmërinë për të përgatitur katolikë për t'i dërguar në atë vend ku, që nga revolucioni i shkurtit, kish patur gjithnjë e më shumë presion kundër komunitetit katolik.
Përpara se të themelonte Kolegjin, papa Piu XI dërgoi atë d'Hebigny dy herë në Moskë: por këto "ekspedita" zhvillohen gjithsesi në mister aq sa shumë prej dokumenteve që kanë të bëjnë me to mbeten sekret edhe sot e kësaj dite. Atë çfarë dihet e rrëfen historiani dhe gazetari atë Antoine Venger: "Nuk kishte më peshkopë dhe për Kishën Katolike nuk kish asnjë mënyrë për të mbijetuar pa ndihmën e peshkopëve. Problemi ishte jetësor dhe pikërisht në këtë fazë, monsinjor d'Herbigny hartoi planin e tij të fshehtë: arriti të bindë Papën dhe Sekretarin e tij të Shtetit, Pietro Gaspari që ta dërgonin në Moskë, pasi ishte emëruar në fshehtësi peshkop në Berlin. Në këtë mënyrë do të ishte në gjendje të konsakronte peshkopë të rinj në Rusi pa shkaktuar dyshime. Jo më kot, Gaspari (Sekretar Shteti i Vatikanit nga 1919 deri në 1930) i dha si titull atë të "Peshkopit të Trojës"; ishte si një lloj kali troje".
Pasi u pagëzua në fshehtësi Peshko në 29 mars të vitit 1926, në 21 prill monsinjor d'Hebigny mbërrin në Moskë dhe vendoset në Hotel Savoy (ekziston edhe sot). Herët në mëngjes shkon në Kishën e Shën Luigjit të francezëve dhe konsakron nga ana e tij Peshkopin atë Eugjen Nevju, prifti francez i Makevkës, në një atmosferë thjeshtësie të madhe dhe me shumë pak dëshmitarë. Më pas do të konsakronte të tjerë drejtues apostolikë për qytetet e Leningradit, Minskut dhe Odesës.
Por këta udhëtime të shkurtër nuk janë të mjaftueshëm për të risjellë në jetë hierarkitë fetare, duhen të dërguar të tjerë. Kështu që, në vitin 1929 themelohet në Romë Kolegji russicum me qëllimin për të përgatitur priftërinj të rinj me një mision të dyfishtë: të bëhen apostuj të Ungjillit si dhe të shkonin për të përmbushur nevojat spirituale të Rusisë. Ideja origjinale ishte që kolegji të bëhej një qendër për studentë me kombësi ruse dhe me rite bizantine-sllavonke, por gjetja e kandidatëve rusë që nuk ishin të ritit ortodoks ishte shumë e vështirë, kështu që, shumë shpejt russicum mbushet me kandidatë të kombësive të ndryshme, por të gjithë me të njëjtin qëllim: deklarimin se do të predikonin ungjillin në Rusi, duke marrë parasysh edhe vdekjen.
Spiunë apo misionarë?
Atmosfera në russicum, siç kujton një ish-student, atë Ludovik Pihler, është e mbushur me entuziasëm, për priftërinjtë e rinj motoja ishte "të shkojmë në Rusi e të predikojmë edhe nëse rrezikojmë të vdesim". Një tjetër pjesëmarrës i Russicum, atë Romano Skalfi rrëfen qasjen e tij personale në kolegj dhe në botën ruse: "Liturgjia bizantine ishte një liturgji shumë e bukur, e gjitha e mbushur me këngë fetare dhe unë mbeta i mrekulluar! Brenda meje ekzistonte prej kohësh dëshira për të qenë misionar në ndonjë pjesë të botës, e pasi mora pjesë në këtë liturgji, i thashë vetes: "Do të shkoj në Rusi, sepse këtu është bukuria dhe liturgjia që më tërheq". Që nga ai moment nisa të lexoj libra për Rusinë, dhe i vetëm, me aq sa mundesha edhe gjuhën e tyre".
Më pas, në kolegj u futën studimi i gjuhës dhe letërsisë ruse, historia e liturgjisë bizantine dhe ortodokse si dhe bazat e ideologjisë sovjetike. Futen edhe kurse marksizmi me qëllim që t'u lejohej priftërinjve të rinj që, pasi të hynin në Rusi, të takohesin me njerëz dhe t'i kundërviheshin ideologjisë.
Fillimisht, misionarët shpresojnë për një marrëveshje mes Vatikanit dhe qeverisë sovjetike që do t'i lejonte të zhvillonin në mënyrë të lirë veprimtarinë e tyre. Por atëherë kur u bë e qartë se një marrëveshje e tillë nuk do të vinte asnjëherë, u hodhën tek ideja e martirizimit: e dinin që bolshevikët ishin shumë represivë ndaj Kishës dhe nëse arrestoheshin, Selia e Shenjtë nuk do të mundte të bënte asgjë për ta, përveçse të lutej.
Deri në vitet Pesëdhjetë do të jenë më shumë se tridhjetë priftërinjtë e urdhëruar për këtë mision dhe historiania Irina Osipova ka arritur që të gjejë dokumenta për 11 prej tyre: "Duke punuar nëpër arkivat e KGB-së arrita të gjej dosjet e 11 prej tyre: 2 të pushkatuar, dy të vdekur dhe 7 të internuar në gulagë. Kombësitë janë të ndryshme: polakë, çekë, italianë, amerikanë... Mes të gjithë dosjeve, figura që më goditi më shumë ishte ajo e Pietro Leonit, italian: ishte më pak i priruri për kompromise".
Historia e Pietro Leonit
Atë Pietro Leoni kishte lindur në Premilkuore, një provincë e Forli në janar të 1909 dhe ishte i pesti i gjashtë vëllezërve në një familje modeste fshatare. Ai ishte një prej atyre që u përgatitën në Kolegjin e russicum. Mbërrin në 1934 dhe pas pesë vitesh emërohet prift në një klimë të vështirë: shqetësimi për fatin e të krishterëve në Bashkimin Sovjetik është gjithnjë e më i madh në Vatikan dhe mes besimtarëve dhe kjo gjë vetëm sa i jep më shumë forcë. Atë Leoni u nis për në Rusi nën maskimin e kapelanit ushtarak në vitin 1941. Pasi u kthye në Itali pas humbjes së 1942, vendosi që të rikthehet për në Bashkimin Sovjetik si prift i komunitetit katolik të Odesës, ku megjithatë u arrestua në 29 prill të vitit 1945. Lufta tashmë ka përfunduar, madje është fituar dhe Stalini heq menjëherë edhe atë pak tolerancë fetare që ishte përdorur për të ngrohur shpirtin e popullit rus përballë sakrificave njerëzore të shkaktuara prej konfliktit.
Për Atë Leonin filloi një kalvar i gjatë, duke nisur që nga inkuizicioni i KGB-së, të cilëve u përgjigjet: "Unë nuk kam kryer krime kundër shtetit sovjetik; spiunazhin as nuk e di se si bëhet. Dhe gjithmonë kam qëndruar larg propagandës antisovjetike për të mos kompromentuar ungjillin, të paktën nëse për ju predikimi i ungjillit nuk është propagandë antisovjetike... në rast se është, atëherë jam fajtor".
Pas arrestimit u transferua në Moskë dhe më pas gjatë marrjes në pyetje, refuzoi të japë emrat e priftërinjve të tjerë që veprojnë në Rusi e madje i kundërvihet në mënyrë të hapur qeverisë bolshevike, duke pohuar që në Bashkimin Sovjetik mungon demokracia dhe liria e fjalës dhe shtypit. Gjyqi i tij mbyllet me një dënim me dhjetë vite burg në kampet e riedukimit, mes të cilëve gulagu i arkipelagut të Solovkit.
Solovki, arkipelagu gulag
Thuhet se në shekullin XVII, një murg që kishte qenë njeriu ku rrëfehej Cari Pjetri i Madh, mbërriti në Solovki, arkipelagun rus që ndodhet 160 kilometra larg nga qarku polar i Arktikut, dhe këtu u burgos në një kështjellë ku një natë pati një vizion: Nëna e Zotit i tha se, një pjesë e atij ishulli do të bëhej golgota e re, domethënë, një vend ku do të kishte vuajtje të mëdha. Kjo profeci u shndërrua në një të vërtetë me marrjen e pushtetit nga bolshevikët, kur u krijua gulagu i parë sovjetik: në vitin 1923, faltorja e shenjtë ortodokse e ndërtuar në një prej ishujve të arkipelagut u transformua në një kamp përqendrimi, në një lloj akademie terrori ku studiohen teknikat më shkencore të dhunës dhe metodat më të përshtatshme të pushkatimit. Priftërinjtë e parë që mbërritën në Solovki ishin ortodoksët e gjykuar në Moskë në 1924. Në vitin 1926 ishte radha e të parit prift që ndiqte ritet latine dhe këtyre iu bashkuan shumë të tjerë të dënuar për spiunazh dhe, në bazë të Nenit 58 të Kodit Penal të Republikës Sovjetike federale Socialiste, edhe për veprimtari kundërrevolucionare. Pikërisht për shkak të këtij neni të Kodit Penal rus dënohej "kushdo që vepronte në mënyrë kundërrevolucionare", Stalini kishte në duar armën për të hequr qafe çdo kundërshtar, duke e dënuar me pushkatim apo internim në gulagë.
Letrat flasin për afro 1 milion të burgosur të përfunduar në gulagë; prej tyre, të paktën 250 mijë gjetën vdekjen. Ata që dënoheshin ishin intelektualë, shkrimtarë, artistë, shkencëtarë, njerëz të Carit, militantë politikë dhe të gjithë ata që në një farë mënyre mund të ishin pengesë për regjimin komunist. Mes tyre, edhe priftërinj.





