Në lashtësi, luftëtarët ishin një klasë (kastë) e veçantë shoqërore. Nëse do të shikojmë tek çdo qytetërim, do të shohim se në Indi kemi klasën e Ksatrija, në Egjipt po ashtu, në Japoni kemi Samurajtë. Platoni tek "Republika" e tij na flet për klasën e rojtarëve, madje dhe tek qytetërimet e indianëve të Amerikës kemi klasën e luftëtarëve. Luftëtarët ndiqnin një mënyrë jetese të caktuar dhe kishin një mënyrë të veçantë veshjeje dhe ushqimi, por edhe edukimi. Roli i tyre ishte ruajtja e drejtësisë dhe e paqes në rajonin e tyre. Zakonisht, mbreti i ardhshëm dilte nga klasa e luftëtarëve.
Samurajtë:
Klasa e luftëtarëve në Japoni fillimisht ishin rojtarët e qeveritarëve lokalë. Edukimi i tyre fillonte që në moshën 8-vjeçare, ku dhe u jepeshin dy shpatat e tyre, që konsideroheshin si shtrirje e trupit të tyre. Për këta luftëtarë, vdekja ishte një lloj vetërealizmi dhe e konsideronin gjithmonë si një mik të tyrin. Këshilla e tyre e përhershme ishte të mbanin vdekjen gjithmonë përpara syve, domethënë Samurajtë ishin vazhdimisht vigjilentë. Virtytet që i veçonin ishin modestia, maturia dhe guximi. Kishin një Kod Nderi të rreptë, Bushidon (domethënë rrugën e Luftëtarit - Kavalier). Gjithashtu, përveç luftës, Samurajtë ndesheshin dhe me poezi, para luftës, që është një tregues i kultivimit të tyre shpirtëror.
Shao Lin:
Në Kinë kemi murgjit - luftëtarët Shao Lin. Shaolinët kalonin të paktën 10 vite të mbyllur në manastire, ku dhe stërviteshin. Nëpërmjet përdorimit të arteve marciale dhe sidomos të Kung Fusë, arrinin të harmonizonin mendjen dhe trupin dhe si rezultat bëheshin luftëtarët më të mirë dhe rojtarët e mbretit. Ekzistonin pesë stile në Kung Fu, aq sa dhe elementet e natyrës. Kështu, kemi stilin e Tigrit - Tokë, stilin e Leopardit - Ujë, Lejlekut - Erë, gjarpërit - Zjarr dhe stilin e Dragoit të Artë - Eter. Kur mbaronte edukimi i Shaolinëve, pasi kalonin disa teste, murgjit e rinj vendosnin në duart e tyre simbolet e tigrit dhe dragoit nga një enë metali e skuqur nga zjarri, simbole që simbolizonin harmonizimin e Tokës me Qiellin.
Spartanët:
Që nga momenti kur lindnin, spartanëve u duhej të fitonin të drejtën e të jetuarit. Kështu, ekzistonte një këshill pleqsh që gjykonin nëse foshnjat që lindin ishin të afta për t'iu ofruar shoqërisë. Nëse jo, foshnja hidhej në një greminë.
Që nga mosha shtatëvjeçare, djemtë iknin nga shtëpia dhe që në atë moment e tutje, ata i përkisnin shoqërisë, ishin djemtë e të gjithëve. Atëherë fillonin stërvitjen e tyre, që përveç artit të luftës, gjithashtu mësonin dhe muzikë dhe shkenca, ashtu si dhe të gjithë luftëtarët e qytetërimeve të tjera tradicionale. Kështu, që nga mosha fëminore mësonin të duronin jo vetëm fatkeqësitë, por edhe të mos kishin frikë vdekjen. Gjatë luftës thuhet se vishnin një mantel të kuq, në mënyrë që të mos dukej kur të gjakoseshin dhe të demoralizonin bashkëluftëtarët e tyre, por ai mantel ishte dhe një tregues luftarak, pasi ngjyra e kuqe ishte një ngjyrë shumë brendësore e jetës - energji.
Për shkak të edukimit të tyre kultivonin dhe virtyte të tjera, si devotshmëria ndaj atdheut të tyre, hetimi nëpërmjet mësimeve t'i shërbenin qytetit të tyre, mbretit të tyre, por edhe drejtësisë. Dihet që mbanin mburoja shumë të mëdha, me të cilat dërgonin të vdekurit në shtëpitë e tyre. Me mburojën çdo spartan mbronte shokun e tij, që kishte në krah dhe jo veten e tij. Në këtë mënyrë zhvilluan shumë virtytet e bashkëjetesës dhe të vetsakrifikimit.
Pasi të mbushte një moshë të caktuar, për t'u quajtur dikush luftëtar, i duhej më parë të kalonte disa teste. Kur ishin të vegjël, prisnin flokët e tyre të shkurtër për të treguar se nuk e kishin kaluar akoma testin e luftëtarit. Të njëjtën gjë bënin edhe femrat, ndërsa në moshën e adoleshencës dhe pasi kalonin testet e nevojshme, i linin flokët e gjatë. Gjithashtu, spartanët dalloheshin për xhentilesën e tyre. Plutarku thotë se, gjatë Lojërave Olimpike, banorët e çdo qyteti uleshin në vende të caktuara dhe se një herë një plak ishte vonuar për të zënë vend në stadium. Kur arriti bëri xhiron e stadiumit, se mos gjente ndonjë vend dhe vetëm kur arriti tek ana e spartanëve, ata u çuan të gjithë në këmbë për t'i liruar vendin e tyre për t'u ulur. Atëherë, plaku tha se të gjithë e dinë se çfarë është e mira, por vetëm spartanët e bëjnë atë.
Një veprim i madh vetsakrifice ishte dhe ai i betejës së Thermopileve. Aty me të vërtetë spartanët provuan se nuk kishin frikë vdekjen dhe që preferojnë të vdesin me nder se sa të jetojnë në një mënyrë të pandershme.
Nga mosha 20 e deri në 60 vjeç, spartanët i përkisnin ushtrisë dhe që nga momenti që hynin në ushtri, fitonin të drejta politike. Gjithashtu, një karakteristikë e tyre ishte se dënoheshin jo vetëm kur bënin diçka të keqe, por edhe kur ndërsa kishin mundësi për të ndryshuar gjërat për së miri, nuk e bënin një gjë të tillë. Shpesh thonin se nuk ekzistojnë spartanë, por vetëm Sparta.
Një mënyrë të tillë jetese kishin dhe minoritet.
Indianët:
Dhe tek ky qytetërim kemi një kastë të veçantë luftëtarësh, të cilët stërviteshin në shtëpitë e diturisë. Sidomos tek indianët e Amerikës së Veriut, shikojmë testin e luftëtarit me manitunë e tij. Për një distancë kohore, adoleshenti indian ikte i vetëm në pyll dhe nëpërmes disa lutjesh dhe pastrimesh shpirtërore, takonte shpirtin - mbrojtës të tij. Një nga lojërat më karakteristike të indianëve ishte loja e topit, lojë në të cilën vetëm me legenin (trupor) dhe me bërrylat përpiqeshin të fusnin një top lëkure në një kurorë horizontale. Fituesit sakrifikoheshin për Zotin, për të treguar se nuk kishin frikë nga vdekja dhe ishte një nder për ta për të vdekur për Zotin e tyre.
Më vonë, do të kemi falangon e famshme maqedonase dhe legjeonat romakë, të cilat kishin pak a shumë një përgatitje të njëjtë me ato që thamë më parë.
Por edhe në epokën e Mesjetës kemi modelin e luftëtarit tek urdhërat kavaliere, ashtu sikur templarët ose kavalierët e tempullit, rodostavrët ose kryqtrëndafilët etj. Të gjithë këta luftëtarë mbronin dijen, flakën misticiste nga akullanja e Mesjetës. Shumë njerëz thonë se, vetëm falë këtyre urdhërave, më vonë do të shfaqej Revolucioni Francez dhe epoka e Rilindjes.
Modeli i luftëtarit është një nga shprehjet burrërore, ashtu sikur dhe kleriku, mbreti dhe artisti. Kështu e shohim tek mitologjia botërore. Heronjtë luftëtarë janë çdonjëri nga ne, që ftohet nga fati për të gjetur vetveten e tij të vërtetë (shpirtin - damë), duke luftuar pasionet e tij inferiore (dragojtë, ciklopët etj).
Duke filluar nga mitologjia greke, kemi mitin e Herkulit, të Teseut, Odisesë, Orfeut, Akilit, që të gjithë ata kaluan teste të vështira dhe madje arritën të zbrisnin deri tek Hadesi, për të zbuluar thesarin që fshihnin brenda tyre, Afërditën Qiellore, Shpirtin e tyre të Pavdekshëm. Kështu, kemi udhëtimin e Odisesë, Orfeun që zbriti deri tek Hades për të gjetur Evridikin, Teseun, që kërkonte lëkurën flokartë dhe Herkulin që bëri 12 bëmat e tij.
Në Persi, kemi eposin e Gilgamesit, të heroit, i cili kërkonte lëngun e pavdekshmërisë. Në Indi kemi eposin e Mahabharata, nga ku te pjesa e Bagavat Gitës kemi Arzunën (Ksatrija - Luftëtar) që i duhet të përballet me të afërmit e tij, domethënë me dobësitë e tij, gjithmonë nën udhëheqjen e mësuesit të tij Krisna, e njëjta gjë dhe tek eposi tjetër i Indisë, Ramajana, aty ku Rama shpëton Sitën. Një tjetër shembull është ai i Don Kishotit dhe i Dulcinesë. Gjithashtu, në mitologjinë e driideve, kemi mitin e mbretit Artur dhe të tavolinës së rrumbullakët. Ndërsa në fenë e krishterë, kemi mitin e Shën Gjergjit, i cili vret dragoin etj.
Në të gjithë shembujt e mësipërm, herojtë kanë mbështetjen e perëndive. Kështu është perëndesha Thetis, e cila ndihmon Akilin, duke i dhënë koracën që kishte bërë Hefesti, Mbreti Artur, i cili zotëron ekskaliburin magjik që ju dha nga Merlin, Odisea, i cili ka ndihmën e Perëndeshës Athina dhe Arzuna, i cili ka ndihmën e Krisnës. Është karakteristike, se heroit për të fituar pavdekësinë i duhet të kalojë testet e katër elementëve të natyrës: tokës, ujit, erës dhe zjarrit.
Luftëtari është simboli i përjetshëm i nxënësit, i njeriut që bën punë fillimisht brenda tij dhe në vazhdim del në botë për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën. Është njeriu, i cili harmonizon shenjtësinë dhe profanitetin, domethënë lëvizjen drejt qendrës dhe atë jashtë qendrës. Është simboli i njeriut, që funksionon me mendje, zemër dhe duar dhe që është i devotshëm kundrejt mësuesit dhe idealit të tij. Pasi nëse nuk është i drejtë dhe i vërtetë me vetveten e tij, si do të mund të jetë me njerëzit e tjerë. Këtu na kujton shumë mitin e shpellës së Platonit, ku njerëzit janë brenda një shpelle dhe shikojnë hijet që godasin murin kur disa objekte kalojnë jashtë shpellës. Por, njerëzit kujtojë se shikojnë realitetin. Disa njerëz arrijnë t'i thyejnë zinxhirët e tyre dhe dalin jashtë në dritë dhe atëherë vendosin të kthehen përsëri brenda shpellës, në mënyrë që të mund të ndihmojnë dhe të tjerët. Të njëjtën gjë shikojmë dhe tek Teseu dhe Labirinti, por edhe tek Orfeu, i cili zbret në Hades. Kështu pra, fillimisht kemi një kërkim brendësor dhe më vonë kërkimin e jashtëm.
Heroi pra, është ai që është i etur për të mësuar, është Santiagoja i Alkemistit, i cili kërkon të gjejë thesarin e tij deri në Egjipt dhe më në fund zbulon se thesari i tij ndodhet brenda tij. Vjen momenti kur heroi ndodhet përpara kryqëzimit të Virtytit dhe të Ligësisë dhe është i lirë të zgjedhë se cilën rrugë do të ndjekë.
Disa nga karakteristikat e heroit janë guximi i tij, besimi tek vetvetja, por tek elementi më superior i vetvetes, në mënyrë që të arrijë të largohet nga rutina e jetës. Një karakteristikë tjetër është durimi dhe këmbëngulja në momentet e vështira që i dalin përpara. Tjetër karakteristikë është pasioni, domethënë kuptimi më i lartë i dashurisë për një qëllim. Por gjithashtu dhe xhentilesa e tij kundrejt të gjitha qenieve të natyrës.
Por një luftëtar nuk lufton vetëm me armët e tij, por edhe me idetë. Mund të themi se idetë janë ato që i japin një arsye ekzistence. Është, domethënë një luftëtar i së vërtetës. Kështu mund të flasim për një Sokrat, i cili vdiq për idetë e tij, për një Giordano Bruno, që deri në minutën e tij të fundit mbështeti idetë e tij dhe, që e dogjën në fushën e luleve në vitin 1600. Akoma dhe E. P. Blavatskin, e cila megjithë vështirësitë e asaj epoke, ajo luftoi dhe solli një pranverë shpirtërore në Europën e asaj epoke, duke themeluar Shoqërinë Teofizike dhe duke shkruar tekste të vyera. Të gjithë ata që përmendëm, jetuan dhe vdiqën për idetë e tyre, dhe kjo është apo nuk është një qëndrim heroik?
Gjithmonë, herojtë ishin më përpara se epoka e tyre dhe për këtë arsye dhe njerëzit nuk i kuptonin gjithmonë dhe i konsiderojnë si njerëz të çmendur ose heretikë ose ateistë, fjalë që në të vërtetë mund të karakterizojnë vetëm ata që i thonë. Më vonë, njerëzit do të kuptojnë arsyen që erdhën këta njerëz dhe kështu do të mund të bënte punë.
Madje edhe në kohën tonë kemi modele heronjsh, si vogëlushi Frodo, Supermani, Indiana Gjouns etj.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI