Revolucioni i Tetorit: një mit për t'u zhbërë

Kanë kaluar mbi 90 vjet nga Revolucioni Rus. Tashmë mund të njihet gjithçka nga ajo që ndodhi në Rusi në vitin 1917


Kanë kaluar mbi 90 vjet nga Revolucioni Rus. Tashmë mund të njihet gjithçka nga ajo që ndodhi në Rusi në vitin 1917. Megjithatë, shabllonet që deformojnë politikisht historinë janë rezistentë dhe të përhapur respektivisht ndaj historisë së vërtetë. Mjafton të bëhet një eksperiment shumë i thjeshtë: të pyetet kushdo që është i pajisur me një arsim mesatar se çfarë ka qenë Revolucioni Rus. Shumë nuk e kanë studiuar kurrë ose nuk e kujtojnë. Nga ata që e kujtojnë, në bazë të asaj që kanë studiuar në librat e historisë, do të merret gjithmonë e njëjta përgjigje: komunistët, në krye të proletariatit, kanë përmbysur pushtetin carist dhe kanë themeluar Bashkimin Sovjetik.

Pastaj mund të pasojnë gjykime pozitive apo negative, lidhur me Bashkimin Sovjetik dhe komunizmin, por mbetet granitike siguria se alternativa në Rusi ishte midis Carit të vjetër (trashëgimi e monarkive të lashta evropiane) dhe komunistëve, gjë që i justifikon këta të fundit edhe për sytë e antikomunistëve: Rusia nuk mund ta mbante më Carin edhe në Nëntëqindën, ishte tashmë një regjim feudal që nuk kishte vend në botën moderne, prapëseprapë komunistët e kanë bërë Rusinë një vend modern, kanë krijuar industrinë e rëndë dhe kanë lëshuar Sputnikët në hapësirë, etj... Dukesh si provokator komunist, nëqoftëse tregon një histori tjetër: Partia Komuniste (Bolshevike) e mori pushtetin me forcë, kundër mendimit të proletariatit, të sindikatave punëtore dhe të shumicës dërrmuese të opinionit publik rus, në një vend që tashmë ishte çliruar nga monarkia cariste. Pas marrjes së pushtetit, komunistët kanë riçuar në epokën e shpellave një Rusi, e cila ishte në fazën e plotë të modernizimit. Qe ky viti 1917? Po. Ndodhi saktësisht kjo dhe mund të pohohet me zë të lartë për dy motive themelore.

Nga viti 1905 Rusia po modernizohej

Qysh në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të XIX-të, shoqëria ruse po evoluonte, duke zhvilluar një industri autonome, gjithnjë e më të lulëzuar dhe duke rritur ndërvarësitë ekonomike me Evropën. Pas humbjes së luftës ruso-japoneze të viteve 1904-1905, një revolucion i parë, i drejtuar nga liberalët, e kish shtrënguar Carin Nikolla i II-të në tetor të vitit 1905, që të lejonte një kartë kushtetuese, e cila parashikonte ngritjen e një Parlamenti kushtetues: Dumës. Garancitë kushtetuese qenë akoma shumë të kufizuar, si gjithmonë në vendet e privuara nga një traditë demokratike dhe një strukturë sociale e hapur e pluraliste, por hapi i parë i rëndësishëm tashmë ishte bërë. Në vitet e mëpasëm, Kryeministri Stolipin, megjithëse duke mos u kursyer revolucionarëve radikalë metoda jo tamam "garantiste" ("kollarja e Stolipinit" e famshme, referuar varjeve), gradualisht e futi Rusinë në rrugën e demokracisë liberale. Objektivat e tij qenë të qarta në këtë drejtim: të garantojë të drejtat e lirisë individuale; të moderojë praktikat e policisë (duke ua përshtatur standarteve evropiane); të transformojë Rusinë në një federatë autonomish lokale; t'u garantojë të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga seksi, etnia, besimi fetar; të legjitimojë sindikatat dhe të sigurojë garantimin e arsimit dhe shëndetësisë për të gjithë.

Por Stolipini nuk e kishte mbështetjen e institucioneve të tjera. Natyrisht që nuk kishte atë të kurorës, tepër e mbërthyer pas privilegjesh të lashta, por sidomos nuk pati mbështetjen e Dumës, e dominuar nga utopistë që nuk donin as të dëgjonin të flitej për një kompromis me Carin dhe ministrin e tij. As liberalët (Partia KD), që në historiografinë komuniste janë damkosur si "reaksionarë", nuk shpëtuan nga pikëpamje utopiste vetëdëmtuese: megjithëse duke u detyruar ta pranonin plotësisht programin e Stolipinit, ata e lanë veten të magjepsen nga programe radikale (si shpërndarja e tokës), për t'u marrë socialistëve votuesit. Me vdekjen tragjike të Stolipinit, në një atentat në shtator të vitit 1911 dhe deri në Luftën e Parë Botërore, politica ruse u transformua në një "mur kundër murit" midis Dumës e Carit dhe, në mënyrë të dukshme, çdo tentativë për reformë u hodh në erë. Ama, vetëm në dukje: përvoja kushtetuese dhe dinamizmi më i madh ekonomik po e ndryshonin rrënjësisht strukturën sociale ruse.

Klasa e mesme e pronarëve të vegjël të tokave (kulakët), e rritur si pasojë e reformave agrare të Stolipinit, garantonte një stabilitet social të qendrueshëm: fshatrat qenë gjithnjë e më të pasur dhe kjo eliminonte pjesën më të madhe të shkaqeve të konfliktualitetit social në një popull të përbërë, të paktën për dy të tretat, nga fshatarë. Industria ishte rritur në mënyrë të ndjeshme, aq sa Rusia në vitin 1914 ishte fuqia e katërt industriale e botës dhe industrializim më i madh nënkuptonte prani më të madhe teknikësh, punëtorësh të specializuar, punëtorësh të arsimuar dhe një klasë sipërmarrësish të pavarur. Grevat në rritje qenë një fenomen gjithnjë e më pak konfliktual, nga momenti që sindikatat qenë të legalizuara, ashtu siç ishte e drejta e grevës. Politizimi ekstremist i jetës ruse ishte në rënie: grupet radikale qenë gjithnjë e më pak të ndjekur. Rusia ishte akoma në rrugën e lirisë: do t'i duhej një reformë "çbllokuese" që të arrinte objektivat të cilat Stolipini, në 6 vjet qeverisje të urtë, nuk ia kish dalë që t'i arrinte. Kurse, i ra mbi kokë lufta botërore. Përveçse i shkaktoi Rusisë dëme të pafundme ekonomisë dhe miliona të vdekur, Lufta e Parë Botërore ashpërsoi konfliktet politike, etnike dhe sociale, duke zgjeruar të çarat, që qëndronin prej dekadash të tëra. Kjo përzierje shpërtheu në shkurt të vitit 1917, me përmbysjen e regjimit carist.

Duke shkatërruar monarkinë, revolucioni i shkurtit shkatërroi edhe shpresat e kujt synonte që ta reformonte gradualisht dhe paqësisht Rusinë. Me heqjen e mbulesës së Carit, shpërtheu "Kutia e Pandorës' ruse: anarki nëpër fshatra, shthurje në ushtri dhe lindje sindikatash, gjithnjë e më të forta, punëtorësh dhe ushtarësh sovjetë. Qenë sidomos ato shkaku i shpërbërjes së demokracisë ruse. Sovjetët qenë aq ndikues sa të konkuronin pushtetin në Dumë, që nëpërmjet një qeverie provizore do të duhej ta drejtonte vendin drejt tranzicionit në demokracinë liberale. Përkundrazi, sovjetët dhe organi i tyre i rakordimit burokratik, Ispolkomi, megjithëse përfaqësonin interesat e 10-15 përqind të popullsisë (fshatarët nuk përfaqësoheshin) dhe megjithëse duke mos qenë të zgjedhur dhe përgjegjës përpara një elektorati, mbanin kontrollin absolut mbi forcat e armatosura, mbi të gjitha mjetet e transportit e komunikimit, mbi pjesën më të madhe të informacionit, pse jo dhe të drejtën e vetos mbi çdo masë qeveritare. Nuk është e ekzagjeruar të pohohet se totalitarizmi sovjetik ka filluar të strukturohet gjatë vitit 1917.

Nga ana tjetër, Duma dhe qeveritë e përkohshme që shprehte herë pas here, qenë tepër të dobëta për ta përballuar situatën: megjithëse duke i kufizuar objektivat ushtarake (edhe për shkak të kundërshtimit të sovjetëve) dhe duke e pranuar dobësinë në të cilën lëngonte ushtria, qeveritë e mëpasme L'vov e Kerenskj, nuk patën forcë që të merrnin një vendim, përsa i përket vazhdimit ose jo të pjesëmarrjes në konflikt. Këto qenë kushtet, falë të cilave bolshevikët mundën të merrnin pushtetin. Nuk e vendosën regjimin e tyre në një vend stanjant feudal, por në një republikë që po lindte, duke përfituar nga dobësia institucionale që karakterizon çdo demokraci të re.

Pushteti i bolshevikëve mbështetej mbi forcën dhe jo mbi konsensusin

Qysh nga viti1917, partia e Leninit nuk kishte përkrahje në Rusi. Qe Gjermania perandorake, për motive lufte (ta nxirrte Rusinë nga konflikti), ajo që mundësoi kthimin e Leninit në atdhe dhe riorganizimin e Partisë Bolshevike. Suksesi i parë politik bolshevik u karakterizua menjëherë nga tentativa për të pushtuar qendrën e pushtetit nëpërmjet forcës. Kur më 4 korrik Lenini tentoi grushtin e shtetit për herë të parë, Qeveria shpëtoi vetëm falë çorganizimit të puçistëve dhe më pas nuk pati forcë dhe vendosmëri të mjaftueshme në kryerjen e represionit ndaj rebelëve. Si njeri i së majtës radikale të cilës i përkiste, Kerenskij nuk shikonte tek bolshevikët ndonjë kërcënim, por mbetej i terrorizuar nga një konspiracion fantazmagorik i djathtë. Duke tentuar që ta shuante këtë frikë, fillimisht kërkoi mbështetjen e Gjeneralit Kornilov (një gjeneral me fe të provuar liberale) kundër grushteve eventuale të tjera të shtetit, më pas, pas një serie keqkuptimesh të koklavitura, e arrestoi vetë Kornilovin dhe shtabin e përgjithshëm të tij. Jo vetëm kaq: duke ia pasur frikën një grushti shteti të djathtë, kreu lëvizjen vetëvrasëse të lejimit të riarmatimit të organizatave paraushtarake bolshevike dhe lirimin nga burgu të puçistëve të korrikut.

Me "aferën Kornilov", demokracia ruse është vetëvrarë, duke i privuar vetes çfarëdo mjeti mbrojtës. Në këtë pikë Lenini, i ndihmuar nga Trocki, mund ta merrte pushtetin. Në fund të tetorit, bolshevikët, të cilët qenë një minorancë në brendësi të sovjetëve, futën në dorë me një stratagjemë, kontrollin e organizatës: gjë që do të thoshte, të shtihej në dorë kontrolli i pushtetit real në vend. Duke i paraprirë me disa ditë Kongresit të Sovjetëve, por duke vepruar njëlloj në emrin e sovjetëve, Lenini udhëhoqi grushtin e shtetit të 7 nëntorit 1917. Edhe pas grushtit të shtetit, Partisë Bolshevike iu desh që ta vendosë me forcë pushtetin e saj: fabrika, ministri dhe administrata publike hynë menjëherë në grevë kundër regjimit të ri. Kështu, Leninit iu desh që t'i drejtohej frikësimit që të respektohej. I mbyti grevat, zëvendësoi personelin e ministrive, iu drejtua për herë të parë terrorit. Në provën e parë elektorale, zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese (zgjedhjet e para të lira në kuptimin e vërtetë të fjalës, me sufrazh universal dhe me votim të fshehtë), bolshevikët u votuan vetëm nga një minorancë e pakët.

Lenini, i cili tashmë e kish shtënë në dorë makinën shtetërore, e shpërndau Asamblenë Kushtetuese, më 19 janar të vitit 1918 dhe më pas qëlloi mbi turmën që protestonte për shtypjen e demokracisë. Mbetej të shtihej në dorë pjesa tjetër e Rusisë. Edhe kjo detyrë u realizua duke iu drejtuar forcës së shëmtuar. Lufta Civile midis bolshevikëve dhe ushtrive, që i kundërviheshin regjimit të ri (Ushtritë e Bardha), vazhdoi deri në vitin 1921 dhe i kushtoi Rusisë 1 milion të vdekur. Historiani i njohur amerikan, Richard Pipes, hedh poshtë edhe një shabllon tjetër: ai, sipas të cilit, fshatarët u rreshtuan nga ana e bolshevikëve, duke përcaktuar humbjen e Ushtrive të Bardha. Në të vërtetë, fshatarët nuk u rreshtuan në krahë të regjimit të ri: u rekrutuan me forcë nga të dyja ushtritë kur linjat e frontit herë pas here arrinin fshatrat e tyre. Bolshevikët fituan sepse qysh nga fillimi i Luftës Civile kishin kontrollin e rajoneve qëndrore dhe më të industrializuara të Rusisë, kishin mundësinë që të rekrutonin pjesën më të madhe të popullsisë urbane ruse (gjë që u garantoi atyre një superioritet numerik dërrmues gjatë të gjithë kohëzgjatjes së konfliktit) dhe mund të shfrytëzonin pjesën më të madhe të linjave hekurudhore për të spostuar trupat e tyre. Në të kundërt, Ushtritë e Bardha qenë të shpërndara në tri rajone periferike (veriu ekstrem, rajonet e Donit dhe Siberisë), jo komunikues dhe qenë gjithmonë në inferioritet numerik. Në kundërshtim me vulgatën që i do patjetër në shërbim të "fuqive imperialiste", mbështetja që patën nga fuqitë evropiane, nga Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, qe vetëm logjistike dhe e kufizuar në kohë.

Ndërkohë, regjimi i ri konsolidonte instrumentat për kontrollin absolut të pushtetit. Dy episode për t'u kujtuar, që të kuptohet natyra e regjimit bolshevik: themelimi i policisë politike (Çekas) më 20 dhjetor të vitit 1917 dhe themelimi i kampit të parë të përqëndrimit në Ishujt Solovki, në maj të vitit 1918. Policia politike dhe kampet e përqendrimit për punët e detyruara, më pas të quajtur Gulagë, nga emri i agjencisë që i administronte, qenë tiparet karakteristike të represionit komunist, më vonë të eksportuara në dhjetëvjeçarët e mëpasëm dhe të imituara nga regjimet e tjera totalitare, në radhë të parë ajo naziste. Të dy këto instrumenta qenë të domosdoshëm në përgatitjen e shoqërisë së re, nëpërmjet eliminimit fizik të mosbindjes politike, të besimit fetar, të shtresave të mesme, ashtu dhe të fshatarëve "që posedojnë grurin, por që nuk ia japin kolektivitetit" dhe që për këtë motiv u deklaruan zyrtarisht nga Lenini "armiq të popullit" qysh nga maji i vitit 1918. Represioni i Leninit i kushtoi Rusisë (nga viti 1917 në vitin 1924) rreth katër milion viktima, katër herë më shumë se numri i përgjithshëm i të rënëve në Luftën Civile. Do të ishte vetëm antipasta e asaj që Rusia provoi në 74 vitet e mëvonshme.

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Related Posts: