Prolog
Ëndërronte, vogëlushi Michel. Si të gjithë që kanë moshën për të ëndërruar. Shpikte ndeshje futbolli të pambarimta në oborrin përpara barit të gjyshit, atje në Jouef. Lokali ishte plot me italianë, pasi gjyshi kishte ardhur në Lorenë nga Agrate Conturbia, provincë e thellë e Novara, në kërkim të faktit dhe nga Italia, në atë kohë, kishin ardhur shumë për të punuar në minierat e rajonit. Ëndërronte, vogëlushi Michel. Shpikte sfida botërore të cilat natyrisht i fitonte, pasi me pak fantazi fitohet gjithmonë. Idhulli i tij quhej Pelé dhe në mes të oborrit Peléja ishte ai, ai dhe askush tjetër. Për këtë, çdo herë që i ndodhte të firmoste ndonjë copë letër, dëfrehej duke e përdredhur mbiemrin e vet. Djaloshi Michel transformohej, quhej Platini dhe çdo herë bëhej Peleatini. Fat, sigurisht që qëndron fati. Origjina italiane, dëshira e mallkuar për të qenë futbollist, për t'u ndjerë futbollist. Ditën që e thirrën në Bashki, për ta marrë kartën e tij të parë të identitetit, në zërin "profesion" shkroi pikërisht kështu: futbollist. Nëpunësi vendor i shpjegoi se ai nuk ishte profesion. E kishte gabim, e kishte shumë gabim. Djaloshi Michel nuk do të bëhej asnjëherë si Pelé. Ishte shkruar se do të bëhej Michel Platini dhe pikë. Unik, si të gjithë jashtëklasët. I ndryshëm, në mënyrën e tij të të qënit artist i topit, a natyral se të mos rëndonte, nganjëherë as të mos dukej. Si fëmijë, nuk kishte fizik. Shokët e lojës e quanin "ratz", formë e shkurtuar e rase bitume, shprehje loerenase që pakashumë do të thotë rrafsh me tokën. Nuk kishte fizikun, por kishte stofën, vogëlushi dhe shembuj të mëdhenj për të ndjekur. Kur sapo kish mbushur të 12-at, baba Aldo e çoi në Metz për të parë të madhin Kubala, që akoma shpërndante copëza klasi të pafundëm në fushat e futbollit francez. Michel vendosi se ai do të ishte modeli i tij dhe i hyri punës.
Nancy dhe St. Etienne
Pesë vjet më pas, në Nancy, Michel Platini nënshkruan kontratën e parë si profesionist. 6000 franga franceze në muaj, pakashumë 1 milion e 200 mijë lireta në muaj. Debuton në skuadrën e parë me 3 maj të vitit 1973, në ndeshjen Nancy-Nimes 3-1. Golat e parë, 2 të tillë, vijnë disa javë më pas, në ndeshjen Lyon-Nancy 2-4. Nancy është një lloj familjeje, dy hapa larg nga shtëpia. Është argëtim të bësh lojtarin, por bëhet zanat ose art ditë pas dite. Rritet Michel Platini, po ta shikosh mirë, pavarësisht atij fiziku që vetëm atletik nuk është. Muskuj pak dhe kundër nënës natyrë mund të bëhet e duhura. Atëhere përpara me ata këmbë magjike, me klasin që nuk mësohet dhe nuk futet, për të mbushur mangësi të caktuara. Rritet Michel Platini, fiton afeksionin e tifozëve dhe vëmendjen e specialistëve të sektorit. Edhe bluzën e kombëtare. Midis kujtimeve, një det kujtimesh të mira, është edhe ajo lloj përralle e debutimit në "Parkun e Princave" kundër Çekosllovakisë. Djaloshi Michel që bëhet burrë, që ndjehet paksa i përhumbur në atë vend plot me lavdi dhe me histori, por si zakonisht nuk e lejon që t'i duket. Fati vrapon dhe rivrapon. Italia e Michel është ajo e rrëfimeve të gjyshit, e pushimeve verore midis kushërinjve në Agrate Conturbia. E ardhmja është akoma më pak se një hipotezë. Megjithatë, rrugët kryqëzohen për herë të parë më 8 shkurt të vitit 1978 dhe dhimbjet janë për kaltëroshët: Michel mund dy herë Zoff me goditje dënimi, dy kryevepra me të cilat tashmë ka mësuar francezët dhe me të cilat do të mësojë edhe italianët. Një prej dy golave anullohet, kurse tjetri është ai i barazimit 2-2. Sezoni 1977 - 1978, Nancy fiton Kupën e Francës. Menjëherë pas gëzimit, Platini bën valixhet. Thirrja është prej atyre që nuk refuzohen: vjen nga St. Etienne. Është konsakrimi dhe vjen menjëherë pas Botërorit të Baires. St. Etienne është motori i futbollit transalpin, Michel Platini i bëhet lideri. Një hero i paharruar i Francës, Raymond Kopa, e konsakron publikisht si trashëgimtari legjitim të vetin. Titulli vjen në sezonin 1980 - 1981, publiku çmendet pas djaloshit të bërë burrë e të bërë kampion, atij që nuk kishte fizikun dhe që ndoshta akoma nuk e ka, por nuk ka fare rëndësi pasi kur ndodhet atje, në mes të një fushe futbolli, nuk i duket. Michel Platini është një përrallë e gjallë, është patok i shëmtuar që vesh këpucë me thumba e geta dhe zbret në fushë për të luajtur rolin e tij prej mjelme të mrekullueshme.
Juventus në zemër
Papritmas, në jetën e kampionit që donte shumë të ishte Peléja, futet Italia. Nuk është ajo e kujtimeve si fëmijë, e pushimeve verore, e kushërinjve të largët. Është Juventus, Zonja e futbollit. Avokati Gianni Agnelli e shikon, e vlerëson, e do. Edhe njëherë akoma, rasti është një sfidë midis së tashmes dhe së ardhmes. Francë-Itali, 23 shkurt 1982. Akoma Paris, akoma "Park i Princave" që dukshëm është një lloj fatsjellësi. Është ndeshja më e bukur e Michel me fanellën e kombëtares së tij, e thotë vetë dhe duhet besuar. Fiton Franhca, shënon Platini, dashurohet Agnelli. Histori e vjetër ajo e avokatit që ia imponon francezin trupës. E vjetër dhe më shumë se kurrë e vërtetë. Në krah të Zibì Boniek duhej të luante Liam Brady. Në të vërtetë vjen ylli i St. Etienne dhe irlandezi shkon tek Sampdoria. Shkreptimë frymëzimi e pastër kjo e Presidentit të FIAT-it dhe Boniperti, në kohë rekord, përfundon operacionin. Kushton 148 milion lireta kalimi i Platini tek Juventus. Edhe ky është një rekord, pasi në kohë blerja e tij do të rezultojë një aferë e mirë, edhe në profilin ekonomik. Por aspekti financiar për avokatin është i fundit i mendimeve. Ai ka zgjedhur Platini, sepse Platini i korrespondon saktësisht idesë së tij për futbollin. Argëtim, esencë e lojës, natyrshmëri. E përballon futbollin me të njëjtën elegancë, me të njëjtën lumturi me të cilën përballohet jeta. Është tashmë Michel Platini, kaq unik dhe kaq i papërsëritshëm.
Jo gjithçka lumturi
Me llogaritë e bëra, nëqoftëse rruga do të ishte e gjitha e mbuluar me petale trëndafilash përralla do të bëhej një përshesh tepër i sheqerosur, i vështirë për t'u kapërdirë. Realiteti është se edhe kampionët vuajnë, ligjit nuk i shpëton as Platini në fillimin e udhëtimit italian të tij. Ndjesia është ajo e vajtjes së përplasjes kundër një muri problemesh. Kur vjen, është i tronditur nga tërheqje muskulore që e pengojnë të japë maksimumin në fushë dhe Italia e topit e vë në diskutim.
Gjatë muajve të parë në Torino kultivon atë lloj cilësie individuale ndaj kritikave, ndaj pyetjeve me spec, ndaj proceseve, ndal "notave". Gjykimet, thotë ai, janë shumë të lidhura me rastësinë. Sigurisht që përplasen me mënyrën e interpretimit të futbollit të tij, që është spektakël i pastër, spektakël dhe kaq. Nisja është e vështirë. Mjaft sa për të ushqyer mendime heqje dore. Sigurisht që Michel mendon të braktisë gjithçka, por pastaj ecën përpara në rrugën e tij, pasi një kthim i tij në Francë do të ishte humbje. Më mirë do të ishte që të izolohej. Pak intervista, pak diskutime. Fakte, jo fjalë. Në mënyrë të papritur, fati ndërron kahje. Në të vërtetë, prapa konsakrimit të Michel Platini qëndron një punë e jashtëzakonshme. Është mësuar kështu, ndoshta prej punës së fizikut. Të punuarit rëndshëm për të mbuluar atë të cilën natyra nuk ia ka dhuruar dhe pastaj zbritje në fushë për ta transformuar të gjithë atë punë me lehtësi, me spontanitet të gëzueshëm. Michel Platini fillon që të drejtojë topa dhe njerëz, të imponojë mendimin e tij, të drejtojë. Edhe të shënojë.
Golashënuesi më i mirë i kampionatit për tri vjet me radhë, ai që sulmues i mirëfilltë nuk është, jo sipas rregullave. Regjisor që shpik ide për të lëshuar drejt rrjetës shokët dhe, nëqoftëse shokët nuk e kapin momentin, ai e gjen vetë rrugën e golit. Perfeksionist që studion mijëra e mijëra herë në stërvitje atë goditje dënimi magjike e të mrekullueshme nga hyrja e zonës, pasi arti duhet kultivuar me ushtrime, edhe pse pastaj në momentin e ekzekutimit duket thjesht gjenialitet dhe improvizim. Është lumturia, është e pashpërthyer, e përbërë me buzëqeshje, jo të qeshura. Me melankoli të lehtë, me sfumatura. Lumturia është Juve, "ajo" Juve, Juve e Platini. Dy tituj kampion (1983 - 1984 dhe 1985 - 1986), Kupë Italie në 1982 - 1983, pastaj sukseset ndërkombëtarë. Një Kupë Kupash, një Mundialito, një Interkontinentale, një Superkupë Europe dhe Michel kurorëzohet perandor i futbollit: nga 1983 deri më 1985 fiton tri herë radhazi Topin e Artë. Mungon diçka në listë. Trofeu më i dëshiruar, më i pritur nga Zonja e futbollit. Duhej Michel Platini për ta udhëhequr Juventus në fitimin e Kupës së Kampioneve. Më 29 maj të vitit 1985 është finalja në Bruksel kundër Liverpool. Duhet të kujtohet si nata e festës së pambarimtë. Hyn në histori si nata e tragjedisë, e çmendurisë, e vdekjes absurde. Pak përpara ndeshjes, huliganët anglezë sulmojnë tifozët italianë. Të frikësuar, njerëzit kërkojnë rrugët e shpëtimit më të pamundura. Në shkallët e stadiumit të vjetër Heysel mbesin 39 trupa pajetë. Në fushë, lojtarët e Juventus dhe të Liverpool luajnë të zhytur në ankth. Kanë vendosur të luajnë, sepse në atë moment është zgjedhja e vetme e mundshme. Michel Platini, si të gjithë ata që kanë jetuar ato orë ankthi, del thellësisht i shënuar nga përvoja. Ndoshta më shumë se të tjerët pyet lidhur me kuptimin e asaj që ka ndodhur. E fut Juventusin e tij në histori, por nuk ka as kohë e as dëshirë të festojë.
Nuk ka përfunduar epopeja e kampionit, por në dy sezonet e fundit torinezë antidivi Michel fiton hapësirë ndaj jashtëklasit Michel. Në mendime dhe në qëndrime. Ka akoma hapësirë për titullin e fundit, për Kupën Interkontinentale, për duartrokitjet e një Italie që më së fundi i ka hyrë në gjak, aq pasionale dhe sanguine, aq e ndryshme nga ai, por, pikërisht si ai, aq unike. Në dy sezonet e fundit torinezë dhe italianë konsumohet lamtumira, të paktën në kokën e tij. Data zyrtare mbetet e shkruar në vjetarët e futbollit: me 17 maj 1987 Juventus-Brescia përfundon me rezultatin 2-1 dhe përfundon në orën 17 e 47 minuta. Kampioni del nga fusha për herë të fundit. Në Itali, me fanellën e Juventus, ka luajtur 222 ndeshje dhe ka shënuar 103 gola midis kampionateve dhe kupave. Ka fituar 2 tituj kampion, një Kupë Italie, një Kupë Interkontinentale, një Superkupë, një Kupë Kampionesh, një Kupë Kupash, një Mundialito. Po ashtu dhe 3 herë Topin e Artë. Ka mjaft sa për të hyrë në legjendë.
Profet në atdhe
Një kapitull më vete. Michel Platini, bir bijsh italianë, nuk e ka harruar asnjëherë vendin e tij. I ka dhënë shumë kombëtares franceze, ka kaluar gëzime të mëdha dhe zhgënjime të pafundme. Me atë fanellë ka arritur një objektiv historik: titullin europian të vitit 1984, trofeu i parë i madh në 80 vite histori të futbollit në Francë. Ka marrë pjesë në 3 aventura botërore, njëra nga të cilat (Meksika 1986) priste Francën në një rol prej ekipi të parë. Zhgënjim i madh, vendi i tretë meksikan. Në mënyrë paradoksale, shumë më tepër nga vendi i katërt i siguruar katër vjet më parë në Spanjë. Sidomos zhgënjim për Roi Michel, që ka realizuar ëndrrat e tij si fëmijë, që ka shkuar përtej sepse donte të bëhej si Pelé, por në fakt është bërë vetëm Platini, një kampion i barabartë vetëm me veten. Ama një prej atyre ëndrrave ka mbetur atje, e parealizuar, nën yjet e Meksikës. Aventura tjetër në kombëtare është ajo e Platini në rolin e komisarit teknik. E nisur në ngjitje, me një humbje, atë të 18 nëntorit 1988 në Beograd të Jugosllavisë, Jugosllavi-Francë 3-2, e përfunduar në ngjitje, me një humbje tjetë, atë të 17 qershorit 1992 në Malmö, Danimarkë-Francë 2-0. Shuplaka të forta që lënë shenjë: e para është një shuplakë e pastër në rrugën që të çonte në Italia 1990 dhe në të vërtetë në fund Franca do të mbesë jashtë aktivitetit. E dyta korrespondon me zhgënjimin e fortë të Europianit suedez. Pas Malmö, Platini ngrihet nga stoli francez dhe largohet. Nuk përplas derën, nuk është në stilin e tij, por është i dukshëm hidhërimi që nuk ka arritur t'i transmetojë mjedisit, duke qenë i ulur në stol, idetë e tij të futbollit.
Lajmërimi i lamtumirës nga kombëtarja e komisarit teknik Platini vjen si një dush i ftohtë në ditën e festës. Është 2 korriku i vitit 1992 dhe FIFA sapo ka vendosur se Franca do të jetë vendi organizator i Botërorit të vitit 1998. Kusuri nuk është më histori, është kronikë që digjet dhe konsumohet ditë pas dite. "Le Roi" Platini drejton komitetin organizator të Botërorit francez të 1998. Thotë se vitet juventine i kanë shërbyer edhe në këtë, se nga Trapattoni ka mësuar të qëndrojë në stol, se nga Boniperti të qëndrojë pas një skrivanie. Këtu nuk duhet të habisë as zgjedhja e tij si drejtuesi i UEFA-s, ish-futbollisti i parë në atë skrivani. UEFA është tani e tashmja dhe e ardhmja e tij, është jetë e përditshme e artikuluar nga 20 cigare në ditë që nuk janë as risi. Janë të njëjtat që pinte në kohërat në të cilat bënte artistin në fushë.
Hobet. Nuk ka asnjë, nuk shkon as në kinema, preferon televizorin. Dashuron poezinë? Lamartine? Është përgjigjur sinqerisht: "Lamartine dhe unë jemi dy gjëra të ndryshme". Po Jacques Laffite? "Nuk më intereson shumë automobilizmi. Më pëlqen rregbia". Lojtarët që admiron më shumë janë dy. "Beckenbauer dhe Cruijff". Pastaj shton: "Edhe Gerd Muller, pasi dinte të bënte gola të mëdhenj". Është në favor të dënimit me vdekje dhe është për barazinë midis burrit dhe gruas. Gazetarët? "Bons, por janë shumë të ngjitur". I krahasuar shpesh me Raymond Kopa, ja ajo që mendon Albert Batteux, një prej trajnerëve më të famshëm të Francës: "Platini bën më shumë gola, është altruist, Kopa nuk lëshonte as edhe një top, por Platini është më pak i shpejtë dhe ka më pak temperament". Duket se Michel është një vetmitar. "Vetëm në dukje", korrigjon ai. 34 ndeshje me kombëtaren, 20 gola. "Në Itali luhet vetëm të dielën, do të kem më shumë kohë për familjen time dhe do të kem gjithmonë kohë për kombëtaren franceze. Je suis fier de la servir". Pushimet që preferon: Brazil, Martinikë, Tajlandë. Lojtarin që e konsideron më antipatik? Nicasin Huck që i tha një herë "Po kush mendon se je?". Michel i tha se është Platini, pastaj luajti 6 herë duke shënuar 4 gola dhe 2 pasime goli. Kundërshtarët me të cilët nuk e ka pasur asnjëherë të lehtë? Laposte i Paris Saint Germain dhe Kabyle i Nimes
Insufiçencë kardiake. E vërteta është se Michel Platini ishte çamarrok. Mësuesja e tij e re e anglishtes dhe shoferi i autobusit në të cilin Michel hipte për të shkuar në shkollë, njëfarë Parachini, dinin diçka. Por Parachini ishte i egër dhe, nëqoftëse Michel e tepronte në autobus, Parachini frenonte menjëherë dhe i thoshte Michel që të zbriste. Shumë herë "petit Platini" e bëri më këmbë rrugën nga shtëpia në shkollë, 6 kilometra. Mësuesve që e kritikonin, ai u përgjigjej: "Vous verrez quand je serai champion". Ka qenë i fjalës. "Në moshën 14-vjeçare, tregon Michel, shkoj në Paris, finale e konkursit për lojtarët e rinj më të mirë të Francës. Në stadiumin e Colombes kishte një erë të çmendur. Nuk arriti të prekë dhe të gjuajë asnjë top të vetëm të mirë. Më ofruan një biletë për të shëtitur në Senna më varkë dhe një për të parë Kullën Eiffel. Djemtë e tjerë mbetën në stadium për të luajtur futboll, kurse mua më këshilluan që të bëja turistin". Ishte maji i vitit 1969. Nuk shkoi më mirë në Metz. "17-vjeçar, shkova për të dhënë një provim. Vizita mjekësore. Më vunë përpara një spirometër. Një njeri më dha një tub dhe më tha: Fryji brenda. Fryva, por me maturi. Njeriu më tha: Fryj akoma më fort. E riprovova. Ai më thotë: akoma më fort. Nuk e di sesi, ndoshta emocioni, unë fryva fort dhe humba ndjenjat. Më thanë se gjilpëra treguese kishte shënuar 3 litra ajër, që është një kapacitet pulmonar i flashkët dhe më likuiduan me një shprehje të bukur: insuffisance cardiaque".
Dridhja. Si lojtar profesionist Michel debuton në Nancy një ditë maji kundër Nimes. I japin bluzen me numër 11. Kuzowski, titullari, është dëmtuar dhe i thonë që të rrijë përpara. Sezoni 1972, Michel është 17 vjeç. "Ai trak!", thotë. Çfarë dridhjeje! Për 20 minuta radhazi nuk prek top. "Nuk shihja asgjë, më ishte veshur shikimi. Për mua qe një ditë me mjegull, megjithëse ishte një diell i madh". Me kalimin e emocionit të debutimit (Platini bëhet më pas), Michel shënon 2 gola në ndeshjet e radhës, kundër Sedan dhe kundër Lyon. Gjërat ecin mirë, dridhja nuk do të ndodhë më. Fillon "legjenda". Por duhet ta dinë pak njerëz në Bastia, ku siç dihet jetojnë njerëz të këqinj, pasi atje legjenda - Platini pritet me pështytje dhe fyerje. Ndonjë fishkëllimë do të ketë në Saint Etienne edhe pasi Platini është bërë idhull nga këto anë, por, dihet, edhe idhujt fishkëllehen nganjëherë. Ndërsa me fanellën e gjelbër - "Les verts" - e Saint Etienne fluturon drejt një finaleje europiane, çan edhe në kombëtare, i thirrur nga Hidalgo, dhe "France Football" e quan "lokomotivën që çon francezët në Botëror". Me Hidalgo ka një përplasje të vogël opinionesh: ai do ta vërë të luajë si qendërsulmues, Michel ndjehet një "milieu de terrain", një mesfushor. Fiton Michel, ndeshja ka mbaruar. "Jam i çmendur për gola, por nuk jam qendërsulmues. Unë nisem nga larg, futem. Gjithmonë i kam admiruar regjisorët. Kur isha fëmijë, idhujt e mi qenë Rivera e Mazzola. Pastaj kam admiruar Guillou dhe kemi luajtur së bashku, me kënaqësi".
Kokë më kokë. Ka një dëmtim në të ardhmen tuaj. U duk slogani i Platini midis viteve 1972 e 1976. Dy herë i kërceu kavilja e majtë, një herë ju thye dora dhe një herë krahu; i kanë nxjerrë jashtë, kot dhe dhimbshëm, një menisk, por historike ka mbetur "kokë më koka" me Tresor, një përplasje spektakolare, stadiumi i heshtur. "Më kanë pyetur shpesh për dëmtimet e mia, por mos u preokuponi në Itali, jam i fortë. Pas operacionit në menisk, u shërova në 19 ditë. Kockat nuk më thërmohen". Pesimist në të vërtetë është Johnny Rep, hollandezi që luan tek Saint Etienne, që pyet për Krol, dhe pastaj thotë: "Me mbrojtësit që keni, nuk do të jetë e lehtë për Platini atje". Është pyetur Platini, që në kampionatin e tij të fundit francez ka shënuar 22 gola në 38 ndeshje, se sa do të shënojë në Itali në 30 ndeshje. Është përgjigjur: "10 gola të sigurtë dhe vij që ta bëj pak më sulmuese lojën italiane".
Udhëtimi në Itali. Kur është nisur për të nënshkruar për Juventus, Platini i ka kapur gafil të gjithë gazetarët. Nuk do të ishte mësuar asgjë sikur të mos kish funksionuar "telefoni i kuq" i Europe 1, kanalit radiofonik më popullor francez. Të veçantat i ka treguar Eugène Saccomano, mik i Platini dhe zë shumë i njohur i Europe 1. "Telefoni i kuq është një numër i veçantë i kanalit që të gjithë mund ta marrin për të na dhënë informacionin më të mirë të javës. Ai që përdorim më pas vlerësohet me 500 franga. Kështu, ditën e premte cingërron telefoni i kuq dhe një zë na thotë: "Po mar nga aeroporti i Lyon. Platini po niset për Itali". Informatori, për të cilin janë gati 500 frangat, është ende anonim, por vetëm një teknik i aeroportit të Lyon mund të na jepte një informacion të kësaj natyre, domethënë një në korrent të planeve të fluturimeve të paracaktuara nga Lyon. Kështu në Europe 1 kemi qenë të vetmit që dinim për udhëtimin e Platini në Torino në bordin e një petit Cessna 4 vendësh. Kur kemi lëshuar lajmin në Itali, askush nuk donte të na besonte. Për të bindur një gazetë të Milano, pasi ndërkohë kishim arritur telefonikisht Platini në Torino në studion e Boniperti, na është dashur që t'i jepnim për të dëgjuar regjistrimin e zërave të Platini e të Boniperti. Gazetari milanez që nuk donte të na besonte është dukur deri i hidhëruar, pasi vazhdonte të thoshte: "E pamundur, e pamundur, Platini është i Interit". Lidhur me udhëtimin sekret të Michel në Torino dhe rrogën e tij nga ana e Juventus, Franca tashmë di të gjitha detajet që janë zbuluar ekskluzivisht nga "Paris Match" në një shërbim prej 318 rreshtash, me një fotografi të Platini në një vaskë qetësuese hidromasazhi të stadiumit të Saint Etienne dhe me titull "Shtatë orët që kanë ndryshuar jetën time". Nga këto shtatë, tri kanë qenë shumë të ashpra. "Ka pasur tri orë diskutime me Boniperti", ka konfirmuar Platini i mahnitur nga stili i Presidentit juventin, por edhe i tronditur nga vendosmëria e prerë e tij.
Një parker krejtësisht prej floriri. Detajet që më shumë kanë impresionuar lexuesit e "Paris Match" janë si më poshtë:
1) Një ditë më parë "voyage en Italie" të Platini, 4 drejtues shumë simpatikë të Arsenal, të takuar me kampionin francez në një hotel të Saint Etienne, kishin mbetur me bindjen se kishin të njëjtat shanse si Juve, fifty-fifty;
2) Paris Saint Germain akoma nuk e ka kuptuar, duke ofruar pothuajse dyfishin e Juves, se pse Platini ka preferuar Italinë;
3) Michel Platini ka fluturuar në Itali me Bernard Genestar, këshilltarin e tij të biznesit, që ulej përkrah tij në avionin 4 vendësh Cessna dhe me Philippe Piat, këshilltar i lojtarëve profesionistë francezë, që në fakt qëndronte i ulur prapa;
4) Ndërsa avioni ulej në aeroportin Caselle, koka e Platini ishte bosh. Ai nuk kish marrë asnjë vendim, por mendonte për gjyshin Francesco dhe, duke shikuar qiellin e kaltër të Torino, i premtonte atij se "do të bëhej një yll në vendin e tij";
5) Në aeroportin Caselle ishte limuzina e hirtë e Monsieur Agnelli. Limuzina ishte e blinduar, Boniperti e voziste dhe shoferi qëndronte i ulur prapa;
6) Shoferi ishte i armatosur;
7) Në fund të një diskutimi 6 vetash - Michel Platini, Genestar, Piat, Boniperti, Giuliano, drejtori sportiv i Juve dhe një avokat italian mik i Genestar - Michel priste një darkë me mish viçi të mbuluar me ton apo një eskallop alla albese dhe një shishe verë barolo, por i ofroheshin dy sanduiçë (dhe një të tretë arrinte t'ia zhvaste Bonipertit);
8) Në kulm të vaktit zhgënjyes, Michel Platini ka dëgjuar të pyetet nga Boniperti nëse preferonte një lëng frutash natyral apo një lëng frutash me gaz;
9) Michel Platini i është përgjigjur me hare: "Non, président, champagne!" dhe ka mbërritur një shishe Asti;
10) Boniperti i ka thënë: "Tani që je i yni duhet të presësh flokët!" dhe Michel Platini me një "coup frane" gjuhe i është përgjigjur: "Keni frikë se mund të më bien?";
11) Michel Platini ka nënshkruar kontratën që e lidh me Juve për 2 vje me një stilograf Parker të florinjtë të huazuar nga Bernard Genestar;
12) Kthimi ka qenë i qetë, ndërsa në vajtje Michel, duke u vonuar për të pirë një kafe, e kish detyruar pilotin e Cessna që të ndryshonte planin e fluturimit.
Përgatiti
ARMIN TIRANA





