Në labirinthet e CIA-s

Historia e plotë e Agjencisë. "Në fillim, ne nuk dinim asgjë" CIA nën Truman nga 1945 deri më 1953


PJESA E PARË

1. "Inteligjenca duhet të jetë globale dhe totalitare"

Gjithçka Harry Truman donte, ishte një gazetë. I katapultuar në Shtëpinë e Bardhë me vdekjen e Presidentit Franklin D. Roosevelt, më 12 prill 1945, Truman nuk dinte asgjë rreth zhvillimeve të bombës atomike apo synimeve të aleatëve të tij sovjetikë. Ai kishte nevojë për informacion që ta përdorte pushtetin e tij. "Kur u ngjita në detyrë", i shkruan në një letër një miku vite më vonë, "Presidenti nuk kishte asnjë mjet për koordinimin e inteligjencës anembanë botës". Roosevelt kish krijuar Office of Strategic Services (Zyrën e Shërbimeve Strategjike), nën komandën e Gjeneralit William J. Donovan, si agjenci inteligjence e kohës së luftës të Amerikës. Por OSS-ja e Donovan nuk u ndërtua kurrë që të zgjaste. Kur Central Intelligence Agency e re u ngrit mbi gërmadhat e saj, Truman donte që ajo t'i shërbente atij vetëm si një shërbim global lajmesh, të shpërndante buletine të përditshme. "Ajo nuk qe konceptuar si një 'pajisje spiunazhi'!", shkruan ai. "Ishte konceptuar thjesht si një qendër për ta mbajtur të informuar Presidentin me çfarë po ndodhte në botë". Ai këmbënguli se kurrë nuk deshi që CIA "të vepronte si organizatë spiunazhi. Ky nuk qe kurrë qëllimi kur ajo u organizua". Misioni i tij u përmbys qysh nga fillimi. "Në një luftë globale dhe totalitare", besonte Gjenerali Donovan, "inteligjenca duhet të jetë globale dhe totalitare". Më 18 nëntor 1944, ai i kish shkruar Presidentit Roosevelt duke i propozuar që Shtetet e Bashkuara të krijonin një "Central Intelligence Service" në kohë paqeje. Ai kish filluar ta konceptonte planin e tij një vit më parë, sipas kërkesës së Gjeneral Lejtnantit Walter Bedell Smith, shef i stafit të Gjeneralit Dwight D. Eisenhower, i cili donte të dinte sesi OSS-ja do të bëhej pjesë e establishmentit ushtarak të Shteteve të Bashkuara. Donovan i thoshte Presidentit se mund t'i mësonte "kapacitetet, synimet dhe aktivitetet e vendeve të huaja" ndërsa të kryente "operacione subversive jashtë vendit" kundër armiqve të Amerikës. OSS-ja nuk kishte pasur asnjëherë më shumë se 1300 anëtarë, më pak se një divizion i vetëm ushtarak. Por shërbimi që konceptonte se do të ishte ushtria e tij, një forcë tejet e përgatitur për të luftuar komunizmin, për të mbrojtur Amerikën nga sulmet dhe për t'i ofruar sekrete Shtëpisë së Bardhë. Ai e këshillonte Presidentin që "ta niste anijen menjëherë" dhe vetë synonte të ishte kapiteni i saj.

I mbiquajtur "Wild Bill" pas një gjuajtësi të shpejtë, por gafaxhi, që menaxhoi New York Yankees nga viti 1915 deri më 1917, Donovan ishte një ushtar i vjetër trim - kish fituar Medaljen e Nderit të Kongresit për heroizëm në llogoret e Francës gjatë Luftës së Parë Botërore - por një politikan i vjetër. Shumë pak gjeneralë dhe admiralë i besonin. Ata qenë frikësuar nga ideja e tij për krijimin e shërbimi spiunazhi jashtë një përzgjedhje të padallimtë brokerash të Wall Street, "kokash të mëdha" të Ivy League, mercenarësh, reklamuesish, njerëzish të lajmeve, kaskadorësh dhe sharlatanësh. OSS-ja kish zhvilluar një organikë jashtëzakonisht amerikane analistësh inteligjence, por Donovan dhe oficeri yll i tij, Allen W. Dulles, qenë të magjepsur nga spiunazhi dhe kabotazhi, aftësi në të cilat amerikanët qenë amatorë. Donovan varej në inteligjencën britanike për të edukuar njerëzit e tij në artet e errëta.

Më të zotët e OSS-së, ata që frymëzonin legjendat, qenë njerëzit që u hodhën prapa linjave të armikut, duke qëlluar me automatikë, duke hedhur në erë ura, duke konspiruar kundër nazistëve me francezët dhe lëvizjet ballkanike të rezistencës. Në vitin e fundit të luftës, me forcat e tij të përhapura anembanë Europës, Afrikës Veriore dhe Azisë, Donovan deshi t'i hidhte agjentët e tij drejtpërsëdrejti në Gjermani. Veproi kështu dhe ata vdiqën. Ose prej 21 ekipeve prej 2 vetash që u hodhën, vetëm nga njëri pati lajme, përsëri këto qenë llojet e misioneve që Gjenerali Donovan ëndërronte çdo ditë - disa kurajoze, disa zhgënjyese. "Imagjinata e tij qe e pakufizuar", thotë krahu i djathtë i tij, David K. E. Bruce, më pas ambasador në Francë, Gjermani dhe Angli. "Idetë qenë lodrat e tij. Eksitimi e bënte atë të shfrynte si një garë me kuaj. Vuajtje për oficerin që refuzoi një projekt, sepse, përpara tij, ai dukej qesharak ose të paktën i pazakontë. Për javë të tëra të dhimbshme nën komandën e tij testova mundësinë e përdorjes së lakuriqëve të natës të marrë nga përqendrimet në shpellat perëndimore për të shkatërruar Tokion" - duke i lëshuar në qiell me bomba të vëna në kurrizët e tyre. Ky qe shpirti i OSS-së.

Presidenti Roosevelt kishte gjithmonë dyshimet e tij rreth Donovan. Në fillimin e vitit 1945 ai urdhëroi kryekëshilltarin e tij ushtarak, Kolonelin Richard Park, Jr., që të kryente një investigim të fshehtë në operacionet e kohës së luftës të OSS-së. Ndërsa Park filloi punën e tij, rrjedhjet nga Shtëpia e Bardhë krijuan tituj gazetash në New York, Chicago dhe Washington, duke paralajmëruar se Donovan donte të krijonte një "Gestapo amerikane". Kur historitë u përhapën, Presidenti e këshilloi t'i zhdukte poshtë qilimit planet e tij. Më 6 mars 1945, Shefat e Bashkuar të Shtabit formalisht i hodhën poshtë ato. Ata donin një shërbim të ri spiunazhi që t'i shërbente Pentagonit, jo Presidentit. Ajo çka ata kishin në kokë qe një shtëpi zhveshjeje të pajisur me kolonelë dhe burokratë, që distilonin informacionin e grumbulluar nga atashetë, diplomatët dhe spiunët, në favor të komandantëve me katër yje. Filloi kështu një betejë për kontrollin e inteligjencës amerikane që vazhdoi për tri breza me radhë.

"Një gjë jashtëzakonisht e rrezikshme"

OSS-ja kishte pak peshë në shtëpi dhe akoma më pak brenda Pentagonit. Organizata ndalohej nga të kqyrurit e komunikimeve më të rëndësishme të interceptuara nga Japonia dhe Gjermania. Oficerë të lartë ushtarakë amerikanë mendonin se një shërbim civil inteligjence i pavarur i drejtuar nga Donovan, me akses të drejtpërdrejtë tek Presidenti, do të ishte "një gjë jashtëzakonisht e rrezikshme", me fjalët e Gjeneral Majorit Clayton Bissell, ndihmësshef i stafit për inteligjencën ushtarake. Atje kishte shumë prej të njëjtëve njerëz që kishin fjetur gjatë Pearl Harbor. Kohë përpara mëngjesit të 7 dhjetorit 1941, ushtarakët amerikanë kishin zbërthyer disa prej kodeve japoneze. Kodi i zbërthyer ishte tepër sekret për t'u ndarë me komandantët në terren. Rivalitetet brenda forcave të armatosura nënkuptonin se informacioni ndahej, grumbullohej dhe shpërndahej. Për shkak se asnjëri nuk i posedonte të gjitha copat e mozaikut, askush nuk e dinte krejt situatën. Nuk ka qenë deri pas mbarimit të luftës kur Kongresi investigoi sesi kombi ishte kapur në befasi dhe jo deri më atëhere, që u bë e qartë se vendi kish nevojë për një mënyrë të re që të mbronte veten. Para Pearl Harbor, inteligjenca amerikane që mbulonte sipërfaqe të mëdha të globit mund të gjendej në një radhë të shkurtër rafte dosjesh në Departamentin e Shtetit. Vetëm pak ambasadorë dhe atashe ushtarakë qenë burimet e vetme të informacionit të saj. Në pranverën e vitit 1945, Shtetet e Bashkuara nuk dinin pothuajse asgjë rreth Bashkimit Sovjetik dhe pak më shumë rreth pjesës tjetër të botës. Franklin Roosevelt qe njeriu i vetëm që mund ta ringjallte ëndrrën e Donovan për një shërbim amerikan inteligjence largpamës e të gjithëfuqishëm. Kur Roosevelt ndërroi jetë më 12 prill, Donovan u dëshpërua për të ardhmen. Pasi ka qëndruar gjysmën e natës duke mbajtur zi, ai zbriti në barin e Ritz Hotel, vendqëndrimi i tij i preferuar në Parisin e çliruar dhe pati një darkë të zymtë me William J. Casey, një oficer i OSS-së dhe drejtor i ardhshëm i CIA-s. "Çfarë mendoni se nënkupton kjo për organizatën?", pyeti Casey. "Kam frikë se ndoshta është fundi", tha Donovan.

Po atë ditë, Koloneli Park firmosi raportin e tij top sekret lidhur me OSS-në për Presidentin e ri. Raporti, i deklasifikuar plotësisht vetëm pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, qe një armë vdekjeje politike, e përsosur nga ushtarakët dhe e mprehur nga J. Edgar Hoover, drejtor i FBI-së qysh nga viti 1924; Hoover e urrente Donovan dhe ushqente ambiciet e veta për të drejtuar një shërbim inteligjence mbarëbotëror. Raporti i Park e shkatërroi mundësinë e OSS-së për të vazhduar si pjesë e qeverisë amerikane, i çfryu mitet romantike që Donovan kish krijuar për të mbrojtur spiunët e tij dhe nguliti tek Harry Truman një mosbesim të thellë dhe permanent për operacionet e fshehta të inteligjencës. OSS-ja u kish shkaktuar "dëm serioz qytetarëve, interesave të biznesit dhe interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara", thoshte raporti. Park nuk pranonte asnjë rrethanë të rëndësishme në të cilën OSS-ja të kish ndihmuar për të fituar luftën, duke rreshtuar në mënyrë të pamëshirshme vetëm rrugët në të cilat kishte dështuar. Trajnimi i oficerëve të saj kish qenë "i trashë dhe i keqorganizuar". Drejtuesit e inteligjencës britanike i shikonin spiunët amerikanë si "plastelinë në duart e tyre". Në Kinë, lideri nacionalist Chiang Kai-Shek kish manipuluar OSS-në për qëllimet e tij. Spiunët e Gjermanisë i kishin penetruar operacionet e OSS-së kudo në Europë dhe në Afrikën Veriore. Ambasada japoneze në Lisbonë kishte zbuluar planet e OSS-së për të vjedhur librat e kodeve të saj dhe, për pasojë, japonezët i ndryshuan kodet e tyre, gjë që "rezultoi në një bllokim të plotë të informacioneve jetike ushtarake" në verën e vitit 1943. Një prej informatorëve të Park tha, "Se sa jetë amerikanësh në Paqësor përfaqësojnë koston e këtij budallallëku nga ana e OSS, nuk dihet". Inteligjenca e pasaktë e siguruar nga OSS-ja pas rënies së Romës në qershor të vitit 1944 çoi mijëra trupa franceze në një kurth nazist në ishullin Elba, shkruan Park dhe "si rezultat i këtyre gabimeve dhe keqllogaritjeve të forcave armike nga ana e OSS-së, rreth 1100 trupa franceze u vranë". Raporti e sulmonte personalisht Donovan. Ai thoshte se Gjenerali kishte humbur një çantë në një koktej në Bukuresht që ju "dorëzua Gestapos nga një vallëzuese rumune".

Marrja në punë dhe promovimi nga ana e tij i oficerëve të lartë mbështetej jo në merita, por në një rrjet lidhjesh miqsh e shokësh nga Wall Street dhe Social Register. Ai kish dërguar grupe njerëzish në vende të tilla të humbura si puna e Liberisë dhe i kish lënë në harresë. Në mënyrë të gabuar kish hedhur komando në Suedinë neutrale. Ai kish dërguar roje për të mbrojtur një depo municioni gjermanë në Francë dhe më pas i kish hedhur në erë. Koloneli Park pranonte se njerëzit e Donovan kishin kryer disa misione kabotazhi dhe shpëtime pilotësh të rrëzuar amerikanë të suksesshëm. Ai shprehej se dega e kërkimit dhe e analizës e OSS-së kishte bërë "një punë të lavdërueshme" dhe konkludonte se analistët mund ta gjenin një vend në Departamentin e Shtetit paslufte. Por pjesa tjetër e OSS-së duhej të largohej. "Kompromisi pothuajse i pashpresë i personelit të OSS-së", paralajmëronte ai, "e bënte të pakonceptueshëm përdorimin e tyre si një agjenci sekrete inteligjence në botën e pasluftës".

Pas ditës së fitores në Europës, Donovan u kthye në Washington në përpjekje për ta shpëtuar shërbimin e tij të spiunazhit. Një muaj zi për Presidentin Roosevelt po ia linte vendin një gare të çmendur për pushtet në Washington. Më 14 maj, në Sallën Ovale, Harry Truman dëgjoi për më pak se 15 minuta teksa Donovan bënte propozimin e tij për ta mbajtur nën fre komunizmin nëpërmjet minimit të Kremlinit. Presidenti me shpejtësi e largoi. Gjatë gjithë stinës së verës, Donovan luftoi në Kongres dhe në shtyp. Më së fundi, më 25 gusht, ai i tha Trumanit se i duhej të zgjidhte midis dijes dhe padijes. Shtetet e Bashkuara "nuk kanë një sistem të koordinuar inteligjence", paralajmëroi ai. "Difektet dhe rreziqet e kësaj situate përgjithësisht janë pranuar". Donovan kish shpresuar se mund të zbuste Truman, një njeri që ai gjithmonë e kish trajtuar me përbuzje, në krijimin e CIA-s, por e kishte keqlexuar Presidentin e vet. Truman kish vendosur që plani i Donovan kishte tiparet e një Gestapoje. Më 20 shtator të vitit 1945, gjashtë javë pasi lëshoi bombat atomike në Japoni, Presidenti i Shteteve të Bashkuara e shkarkoi Donovan dhe urdhëroi që OSS-ja të shkrihej brenda 10 ditësh. Shërbimi i spiunazhit të Amerikës u shkri.

2. "Logjika e forcës"

Në gërmadhat e Berlinit, Allen Dulles, oficeri kryesor i OSS-së në Gjermani, kishte gjetur një vilë të shkëlqyer dhe të mirëpajisur si seli të re të tij në verën e vitit 1945. Zëvendësi i tij favorit, Richard Helms, filloi të spiunojë sovjetikët. "Ajo çka duhet të kujtoni", thotë Helms një gjysmë shekulli më vonë, "është se në fillim ne nuk dinim asgjë. Dija jonë se deri ku qëndronte pala tjetër, synimet e tyre, aftësitë e tyre, qenë zero ose afër saj. Nëqoftëse vinit me një libër telefonash apo me hartën e ndonjë aeroporti, kjo qe gjë shumë e lartë. Qemë në errësirë rreth një pjese të madhe të botës". Helms ishte gëzuar që po kthehej në Berlin, ku ai kish krijuar emrin e tij si një reporter 23-vjeçar nëpërmjet intervistimit të Hitlerit në Lojërat Olimpike të vitit 1936. Ai mbeti i shtangur nga shkrirja e OSS-së. Në kompleksin e qendrës operacionale në Berlin, një fabrikë shampanje e sekuestruar, zemërimi dhe alkoli rrodhën si lumë natën që arriti urdhri nga Presidenti. Nuk do të kishte asnjë seli qendrore për inteligjencën amerikane siç kish parashikuar Dulles. Vetëm një grup minimal do të qëndronte përtej detit. Helms thjesht nuk mund ta besonte që misioni do të përfundonte. Ai u inkurajua pak ditë më pas kur arriti një mesazh nga selia qendrore e OSS-së në Washington, që i thoshte atij ta mbante vendin.

"Kauza e shenjtë e Inteligjencës Qëndrore"

Mesazhi vinte nga zëvendësi i Donovan, Gjeneral Brigade John Magruder, një ushtar xhentëlmen që kish qenë në forcat e armatosura qysh nga viti 1910. Ai besonte fuqimisht se pa një shërbim inteligjence, supremacia e re e Amerikës në botë do t'i lihej rastësisë ose do t'i vihej në ngarkim britanikëve. Më 26 shtator 1945, gjashtë ditë pasi Presidenti Truman i dha fund OSS-së, Gjeneral Magruder ju afrua korridoreve të pafundëm të Pentagonit. Momenti ishte i përshtatshëm: Sekretari i Luftës, Henry Stimson, kish dhënë dorëheqjen atë javë dhe Stimson kishte qenë krejtësisht kundër idesë së CIA-s. "Më duket si gjëja më e pamatur", i kish thënë Donovan disa muaj më parë. Tani Gjenerali Magruder e kapi boshllëkun e lënë nga largimi i Stimson. Ai u ul me një mik të vjetër të Donovan, ndihmëssekretarin e Luftës, John McCloy, një prej njerëzve më të mëdhenj që luanin fijet në Washington. Së bashku, të dy njerëzit e anulluan Presidentin. Magruder u largua atë ditë nga Pentagoni me një urdhër nga McCloy që lexonte, "operacionet e vazhdueshme të OSS-së duhet të kryhen me qëllim që të ruhen ato". Ajo copë letër e mbajti gjallë shpresën për një Central Intelligence Agency. Spiunët do të qëndronin në detyrë, nën një emër të ri, Strategic Services Unit, SSU. Më pas McCloy i kërkoi mikut të tij të mirë Robert A. Lovett, ndihmëssekretarit për Luftën Ajrore dhe Sekretar Mbrojtjeje i ardhshëm, që të krijonte një komision sekret për të konceptuar kursin për inteligjencën amerikane dhe për t'i thënë Harry Truman se çfarë duhej bërë. Në mënyrë konfidenciale, Magruder i informoi njerëzit e tij se "kauza e shenjtë e inteligjencës qëndrore" do të fitonte. I inkurajuar nga ndërprerja, Helms filloi të punojë në Berlin. Ai spastroi oficerët që qenë zhytur në tregun e zi të Berlinit, ku gjithçka dhe çdonjëri ishte për shitje - dy steka cigaresh Camels, të blera për 12 dollarë në dyqanin ushtarak amerikan, blenë një Mercedes-Benz të vitit 1939. Ai kërkoi për shkencëtarë dhe spiunë gjermanë për t'i nxjerrë në Perëndim, me synimin e mohimit të aftësive të tyre për sovjetikët dhe për t'i vënë të punonin për Shtetet e Bashkuara. Por këto objektiva shpejt kaluan në plan të dytë në luftën për të parë armikun e ri. Në tetor, "qe shumë e qartë se objektivi ynë parësor do të ishte se deri ku shkonin rusët", kujton Tom Polgar, në atë kohë një oficer 23-vjeçar në bazën e Berlinit.

Sovjetikët po kapnin hekurudhat dhe po kooptonin partitë politike të Gjermanisë Lindore. Fillimisht, maksimumi që mund të bënin spiunët amerikanë ishte që të përpiqeshin të kapnin lëvizjet e transportimeve ushtarake sovjetike drejt Berlinit, duke i dhënë Pentagonit një ndjesi se dikush po përpiqej ta mbante një sy mbi Ushtrinë e Kuqe. Të tërbuar ndaj tërheqjes së Washington përpara avancimit sovjetik, duke punuar kundër rezistencës së oficerëve madhorë amerikanë në Berlin, Helms dhe njerëzit e tij filluan të rekrutojnë policë dhe politikanë gjermanë për të krijuar rrjete spiunazhi në lindje. Në nëntor, "ne po shikonim marrjen nën kontroll total të sistemit Gjermani Lindore nga ana e rusëve", thotë Peter Sichel, një tjetër oficer 23-vjeçar i SSU-së në Berlin. Shefat e Bashkuar të Shtabit dhe Sekretari i fuqishëm i Marinës, James V. Forrestal, filluan tani të kenë frikën se mos sovjetikët, ashtu si nazistët përpara tyre, do të lëviznin për ta kapur të gjithë Europën dhe më pas të shtyheshin drejt Mesdheut lindor, Gjirit Persik, Kinës veriore dhe Koresë.

Një lëvizje e gabuar mund të çonte në konfrontim, të cilin askush nuk mund ta frenonte dhe, ndërsa frika për një luftë të re rritej, liderët e ardhshëm të inteligjencës amerikane u ndanë në dy kampe rivale. Njëri besonte në grumbullimin e ngadaltë e të kujdesshëm të inteligjencës sekrete nëpërmjet spiunazhit. Tjetri besonte në luftën e fshehtë - ndërmarrje lufte kundër armikut nëpërmjet aksioneve të mbuluara. Spiunazhi kërkon që ta njohësh botën. Ky qe Richard Helms. Aksionet e mbuluara kërkojnë që të ndryshohet bota. Ky do të ishte Frank Wisner. Wisner ishte djali i adhurueshëm i një pronari tokash nga Mississippi, një jurist i hijshëm kompanish me uniformë ushtarake sipas trupit. Në shtator 1944 ai kish fluturar në Bukuresht të Rumanisë si shefi i ri i stacionit të OSS-së. Ushtria e Kuqe dhe një mision i vogël ushtarak amerikan kishin vendosur kontroll në kryeqytet dhe urdhrat e Wisner qenë që të mbante një sy mbi rusët. Ai ishte në lavdinë e tij, duke konspiruar me Mbretin e ri Michael, duke menduar shpëtimin e pilotëve aleatë të rrëzuar dhe duke konfiskuar vilën e madhe 30 dhomëshe të një bosi të birrës të Bukureshtit. Nën llambadarët shkëlqyes të tij, oficerët rusë u përzien me amerikanët, duke uruar njëri tjetrin me shampanjë. Wisner ishte i drithëruar - ai ishte një prej njerëzve të parë të OSS-së që tokte dorën me rusët - dhe me krenari i raportoi qendrës se kish krijuar një kontakt të suksesshëm me shërbimin sovjetik të inteligjencës. Ai kish qenë spiun amerikan për më pak se një vit. Rusët kishin qenë në lojë për më shumë se dy shekuj. Tashmë ata kishin agjentë të vendosur shumë mirë brenda OSS-së dhe menjëherë e infiltruan rrethin e ngushtë të aleatëve dhe agjentëve rumunë të Wisner. Nga mesi i dimrit, ata vunë nën kontroll kryeqytetin, duke hipur dhjetëra mijëra rumunë që kishin gjak gjerman nëpër vagona dhe duke i çuar nga lindja drejt skllavërimit apo vdekjes. Wisner shikoi 27 vagonë mallrash të mbushur me ngarkesë njerëzore duke u larguar nga Rumania. Ai qe një njeri thellësisht i tronditur kur arriti në shtabin e OSS-së në Gjermani, ku ai dhe Helms u bënë aleatë të vështirë. Ata fluturuan së bashku drejt Washington në dhjetor të vitit 1945 dhe, teksa biseduan gjatë udhëtimit 18 orësh, kuptuan se nuk kishin asnjë ide nëse Shtetet e Bashkuara do ta kishin një shërbim të fshehtë pasi ata të zbrisnin.

"Një organizatë dukshëm bastarde"

Në Washington, beteja rreth shërbimit të ardhshëm amerikan të inteligjencës po bëhej e egër. Shefat e Bashkuar të Shtabit luftuan për një shërbim nën kontrollin e rreptë të tyre. Ushtria dhe Marina kërkonin të tyrin. J. Edgar Hoover donte që FBI-ja të kryente spiunazh mbarëbotëror. Departamenti i Shtetit kërkonte dominion. Edhe Postat e menduan një gjë të tillë. Gjenerali Magruder e përkufizoi problemin: "Operacionet klandestine të inteligjencës kërkojnë një shkelje konstante të të gjitha rregullave", shkruan ai. "Për ta thënë copë, operacione të tilla janë domosdoshmërisht ekstraligjore dhe nganjëherë joligjore". Në mënyrë bindëse, ai argumentonte se Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit nuk mund të rrezikonin bërjen e këtyre misioneve. Një shërbim i ri klandestin do të duhej të merrte komandën e tyre. Por pothuajse askush nuk kishte mbetur për të mbushur radhët e tij. "Përpjekjet për grumbullim inteligjence pak a shumë ranë në një ngërç", thotë Koloneli Bill Quinn, oficeri ekzekutiv i Gjeneralit Magruder në Strategic Services Unit. Pesë nga gjashtë veteranët e OSS-së ishin kthyer në jetët e tyre të mëparshme. Ata e shikuan atë që kish mbetur nga inteligjenca amerikane si "një organizatë dukshëm bastarde me jetëgjatësi të papërcaktueshme, të ndërtuar keq e me materiale të këqija dhe transitore", thotë Helms. Numri i tyre ra me pothuajse 10000 në tri muaj, duke arritur në 1967 nga fundi i 1945. Stacionet e Londrës, Parisit, Romës, Vjenës, Madridit, Lisbonës dhe Stokholmit i humbën pothuajse të gjithë oficerët e tyre. 15 nga 23 pikat aziatike u mbyllën. Në përvjetorin e katërt të Pearl Harbor, i bindur se Truman e kishte nxjerrë nga binarët inteligjencën amerikane, Allen Dulles u kthye në zyrën e tij tek "Sullivan and Cromwell", firma ligjore njujorkeze, ku i vëllai, John Foster Dulles, ishte ortak. Frank Wisner ndoqi shembullin e tij dhe u kthye edhe ai sërish në firmën e tij ligjore njujorkeze "Carter, Ledyard". Analistët e mbetur të inteligjencës qenë shpërndarë për të formuar një agjenci kërkimore të re në Departamentin e Shtetit. Ata trajtoheshin si njerëz të përzënë. "Nuk mendoj se ka pasur ose mund të ketë ndonjëherë ndonjë periudhë më të trishtueshme apo më të trazuar në jetën time", shkruan Sherman Kent, më pas baba themelues i drejtorisë së inteligjencës të CIA-s. Më të talentuarit shpejt u larguan të zhgënjyer, nëpër universitetet dhe gazetat e tyre. Asnjë zëvendësim nuk u kërkua. Nuk do të kishte asnjë raportim koherent inteligjence në qeverinë amerikane për shumë vite më pas. Presidenti Truman ishte mbështetur në drejtorin e tij të buxhetit, Harold D. Smith, në mbikëqyrjen e çmobilizimit të disiplinuar të makinës luftarake amerikane, por ky çmobilizim po kthehej në shpërbërje. Smith e paralajmëroi Presidentin ditën që ai shkriu OSS-në se Shtetet e Bashkuara ishin në rrezikun e kthimit në gjendjen e naivitetit që kish mbizotëruar përpara Pearl Harbor. Ai kishte frikë se inteligjenca amerikane ishte bërë "tërësisht e shkatërruar". Në një takim të organizuar me ngut në Shtëpinë e Bardhë më 9 janar 1946, Admirali William D. Leahy, shefi i vrazhdë i stafit ushtarak të Truman, i tha pa doreza Presidentit se "inteligjenca ishte menaxhuar në mënyrë të turpshme". Truman pa se kish bërë një lëmsh dhe vendosi që ta zgjidhte siç duhej. Ai thirri zëvendësdrejtorin e inteligjencës së marinës, Kundëradmiralin Sidney W. Souers. Një rezervist, Souers ishte një mbështetës i Partisë Demokratike nga Missouri, një biznesmen i pasur që i kish vënë paratë me sigurimin e jetës dhe dyqanet Piggy Wiggly, supermarketet e para me vetëshërbim të vendit. Ai kish shërbyer në një komision paslufte, duke studiuar të ardhmen e inteligjencës të krijuar nga Sekretari i Marinës, James Forrestal, por pikëpamjet e tij nuk qenë vendosur në asgjë më të madhe se një kthim i shpejtë në Saint Louis. Për tmerrin e tij, Souers zbuloi se Presidenti po e bënte atë drejtorin e parë të inteligjencës qendrore. Admirali Leahy e kujton momentin e betimit në ditarin e tij zyrtar më 24 janar 1946: "Sot në drekë në Shtëpinë e Bardhë, vetëm me anëtarë të stafit të pranishëm, Kundëradmirali Sidney Souers dhe unë u prezantuam me pallto të zeza, kapele të zeza dhe bastune të drunjtë", nga Truman. Presidenti më pas e "dekoroi" Souers si shefin e "Grupit Klandestin të Fuksave" dhe "Drejtor të Fuksimit të Centralizuar". Ky akt komik vendosi rezervistin e shokuar në drejtimin e organizatës ilegjitime dhe jetëshkurtër të quajtur Central Intelligence Group. Souers ishte tani në krye të rreth 2000 oficerëve të inteligjencës dhe stafit mbështetës që kontrollonin dokumentet dhe dosjet lidhur me rreth 400 mijë individë. Shumë prej tyre nuk kishin asnjë ide se çfarë po bënin apo se çfarë do të bënin. Dikush e pyeti Souers pas betimit të tij se çfarë donte të bënte. "Dua të shkoj në shtëpi", u shpreh ai. Ashtu si çdo pjestar i inteligjencës qendrore që pasoi atë, atij ju dha përgjegjësi e madhe pa autoritet ekuivalent. Ai nuk kishte asnjë direktivë nga Shtëpia e Bardhë. Problemi ishte që, në të vërtetë, askush nuk e donte se çfarë donte Presidenti - aq më pak vetë Presidenti. Truman thoshte se kishte nevojë vetëm për një përmbledhje inteligjence të përditshme, për ta larguar nga leximi i gjysmë metri dosjesh me telegrame çdo mëngjes. Anëtarëve themelues të Central Intelligence Group u dukej sikur ai qe aspekti i vetëm i punës së tyre që ai kish menduar ndonjëherë. Të tjerë e shikonin misionin shumë ndryshe. Gjenerali pohoi se kishte një mirëkuptim të heshtur në Shtëpinë e Bardhë se Central Intelligence Group do të aktivizonte një shërbim klandestin. Në këtë rast, asnjë fjalë për këtë nuk u shfaq në letë. Presidenti asnjëherë nuk foli për të, pothuajse asnjë tjetër në qeveri nuk e njohu legjitimitetin e grupit të ri. Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit refuzoi të fliste me Souers dhe njerëzit e tij. Ushtria, Marina dhe FBI-ja i trajtuan ata me përbuzjen më të thellë. Souers mezi zgjati nja 100 ditë si drejtor, megjithëse vazhdoi të qëndrojë për t'i shërbyer Presidentit si këshilltar. Ai la prapa vetëm një notë të rëndësishme, një memo top sekrete me kërkesën vijuese: "Ekziston një nevojë urgjente për të zhvilluar kualifikimin më të lartë të mundshëm të inteligjencës lidhur me Bashkimin Sovjetik në harkun kohor më të shpejtë të mundshëm". Perceptimet e vetme amerikane lidhur me Kremlinin në ato ditë erdhën nga ambasadori i sapoemëruar amerikan në Moskë, drejtori i ardhshëm i inteligjencës qendrore, Gjenerali Walter Bedell Smith dhe dora e tij e djathtë për Rusinë, një diplomat i quajtur George Kennan.

Përgatiti

ARMIN TIRANA