Michael Elliott
Nëse mendoni se ndonjëherë jeni aq të përkëdhelur nga fakti sa të keni luksin e zgjedhjes, mendoni pak një redaktor lajmesh në fundjavën e parë të qershorit të vitit 1989. Në pasditen e të shtunës, 3 qershor, gjendja shëndetësore e Ajatollah Ruhollah Khomeinit, Lideri Suprem i Iranit nisi të përkeqësohet me ritme të shpejtë.
Teherani është tre orë e gjysmë mbrapa Pekinit, kështu që pikërisht në momentet kur turmat në Iran po dilnin në rrugë në një shprehje të jashtëzakonshme dhimbjeje, njerëzit në Pekin, jo më pak të shokuar, sapo kishin nisur të bënin hesapet me atë çfarë kish ndodhur në orët e para të atij mëngjesi të diele. Trupat e Ushtrisë Popullore Çlirimtare kishin spastruar mbetjet e protestave të studentëve në Sheshin 'Tiananmen', duke qëlluar në drejtim të turmës.
Por nuk ishte gjithçka. Teksa dhimbja dhe tmerri mbështillte respektivisht Teheranin dhe Pekinin, polakët po zgjoheshin në një ditë shprese.
Në pranverë, Partia Komuniste në pushtet në Poloni kish qenë detyruar që të hapte bisedime në një tryezë të rrumbullakët me opozitën, duke përfshirë edhe përfaqësues të Solidaritetit, grupi civil dhe sindikalist që i kish mbijetuar vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 1981.
Në Hungari në vitin 1956, dhe sërish në Çekosllovaki në vitin 1968, tanket sovjetikë kishin shtypur lëvizjet popullore reformatore. Por tashmë, në 1989 erërat e ndryshimit në Evropën Lindore kishin fituar një forcë të papërballueshme.
Në vetë Bashkimin Sovjetik, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, Mikhail Gorbachev, po zhvishej nga zakonet e vjetër, ashtu sikurse një adoleshent heq dorë nga moda e vitit që kaloi. Dhe kështu në 4 qershor, Polonia do të mbante një palë zgjedhje, ndonëse zgjedhje, në të cilat pozita e Partisë Komuniste ishte e mbrojtur.
Kur u numëruan dy raunde të votimit, Solidariteti kishte fituar pothuajse çdo vend në Sejm, Parlamenti polak. Ndarja që kishte munduar Evropën që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore po merrte fund. Pecinat në Perden e Hekurt kishin nisur të shqiteshin.
Gjithçka e NDRYSHUAR
Historianët, duke shqyrtuar atë që kish ndodhur më parë, duke rishikuar gjykimet e të shkuarës, do të të thonë se kuptimi që ne kemi për të shkuarën nuk është asnjëherë përfundimtar. Ato që mendoheshin se ishin ngjarje që ndryshonin botën, zvogëlohen e tkurren brenda temave të një teze të turbullt të një Profesor Doktori; ato që dukeshin thjeshtë si lajme të vegjël, do të shndërroheshin në të tillë që i jepnin formë historisë. Gjithçka është relative.
Megjithatë, 1989 ishte me të vërtetë një nga ata vite në të cilët bota u zhvendos mbi boshtin e saj. Disa gjëra ndryshuan vërtetë, dhe ndryshuan rrënjësisht; ne vazhdojmë të jetojmë me pasojat e tyre.
Disa gjëra morën fund gjithashtu - jo vetëm komunizmi si një praktikë, për shembull, por edhe ideja që sistemi ndërkombëtar çohet përpara vetëm prej ndërhyrjes shtetërore. Në një mënyrë të tillë që shumë pak perceptohej njëzetë vite më parë, elementë të tillë si biznesi i shumëkombësheve, risitë teknologjike dhe besimi personal tashmë i japin formë botës sonë po aq sa edhe shtetet.
Cilado qoftë rëndësia e ngjarjeve pas vitit 1989, vetë ai vit është i tillë që ka hyrë një herë e mirë në histori. Kjo gjë u kuptua në atë kohë.
Në analizën më të famshme bashkëkohore të gjërave si ndodhnin, Francis Fukuyama, një akademik brilant amerikan, i cili në atë kohë shërbente në stafin e hartimit të politikave në Departamentin e Shtetit, botoi një ese në revistën National Interest, të titulluar "Fundi i Historisë". Deklarata e tezës së tij qendrore ishte e paekuivok: "Ajo që ne jemi duke parë sot nuk është thjeshtë fundi i Luftës së Ftohtë, apo kalimi i një periudhe të caktuar të historisë së pasluftës, por është fundi i historisë si e tillë: domethënë, pika e fundme e evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizimi i demokracisë liberale perëndimore si forma përfundimtare e qeverisjes njerëzore". (Më vonë, Fukuyama e shndërroi artikullin në një libër, dhe me kalimin e viteve, në një frymë hapjeje bujare intelektuale e mbrojti dhe e përpunoi tezën e tij pas shumë sulmeve që iu bënë).
Në orën me rërë që mat kohën e historisë, 20 vite janë vetëm një kokërr rërë. Eshtë ende herët për të ditur nëse pretendimet e Fukuyamës do të konfirmohen. Teksa shkruaj këtë artikull, bota është e shpuar tejpërtej nga ngjarjet në Iran, një shtet që rrallë përmendej në artikullin origjinal të Fukuyamës. Por një aspekt i tezës së Fukuyamës është vërtetuar menjëherë.
Pavarësisht faktit që ekonomia botërore është në mesin e kontraksionit më të keq ekonomik që nga vitet tridhjetë, ka patur me të vërtetë një "fitore të pamohueshme të liberalizmit ekonomik" kundër një sistemi konkurues ekonomik, atij të një ekonomie të centralizuar - që dikur dukej se ofronte një alternativë për tregun e lirë.
Tashmë, në 1989 të gjithë udhëheqësit edhe më të kalcifikuar të botës komuniste e dinin se në nivelin më praktik të mundshëm - ofrimi i një standardi të përshtatshëm jetese për popujt e tyre - perëndia e tyre kish dështuar. Kapardisja e udhëheqësve sovjetikë që dikur dukej se besonin se ekonomitë e centralizuara do të "varrosnin" perëndimin ishin zhdukur. Një zyrtar i lartë gjermano-perëndimor më ka thënë dikur se, momenti i rrezikut maksimal në garën ndërmjet komunizmit dhe kapitalizmit kish qenë në fillimin e viteve shtatëdhjetë, atëherë kur pjesët më eficiente të bllokut komunist lindor ishin të dukshme për ekonomitë perëndimore me performancën më të keqe. Por në atë moment, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Evropën Perëndimore dhe në Japoni, revolucioni në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit fitoi vrull të jashtëzakonshëm, i nxitur edhe nga ai lloj inovacioni, ndërrmarje risku dhe aksesi në kapital që ekonomitë e centralizuara nuk mund ta arrinin dot asnjëherë.
Kjo i dha një avantazh shumë të madh bizneseve Perëndimore, përballë homologëve të tyre Lindorë. Duke vëzhguar jetën e vështirë e të frenuar që bënin popujt e tyre si dhe dyqanet e mbushur me mallra dhe ushqime të skaduar, udhëheqësit sovjetikë si Mikhail Gorbachev dhe Aleksandr Yakovlev, që kishin kaluar 10 vite të jetës së tyre në Kanada, e dinin tashmë se kapitalizmi kish fituar.
Një Rikardo KINEZ
Nuk ishin vetëm komunistët europianë, që kishin mbërritur në këtë konkluzion. Fukuyama shkruante se, "çdokush që e njeh mirë pamjen dhe sjelljen e elitës teknokrate që qeveris tani Kinën, e di mirë se marksizmi dhe parimet ideologjike janë bërë krejt pa lidhje si guida për politikat që duhen ndjekur, dhe se konsumerizmi borgjez ka një kuptim real në atë vend, për herë të parë që nga koha e revolucionit'.
Në ditarët e sapo botuar të Zhao Zyiangut, një ekonomist reformist, i cili u ngjit në shkallë deri sa u bë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste kineze, përpara se të dëbohej pak kohë para masakrës së Tiananmenit, ka një paragraf të mrekullueshëm, jashtëzakonshëm që flet për mrekullitë e tregut të lirë.
Zhao shprehej me keqardhje, se në Kinën e Maos "vetëbesimi dhe vetësiguria ishin një virtyt absolut. U shndërrua në një aktivitet ideologjik dhe u politizua". Vetëm pas reformave, vazhdon ai, "mundëm ne kinezët që të përfitojmë nga ajo që kishim dhe të tregotnim për ato që kishim nevojë.
Çdo vend dhe çdo shoqëri ka pikat e saj të forta; edhe rajonet e varfëra kanë avantazhet e tyre". David Ricardo nuk mund ta kish hedhur më mirë në letër këtë ide.
Konsensusi i gjerë se tregjet e lirë dhe tregtia e lirë janë rruga më e sigurtë drejt përhapjes së prosperitetit u ka mbijetuar shumë krizave moderne të kapitalizmit.
Kriza e rëndë financiare aziatike e vitit 1997 nuk solli despotizëm dhe anarki, por një ekzaminim të kapitalizmit nepotik, i cili kishte prerë hovin e funksionimit normal të tregjeve. Pas plasjes së fluskës së Internetit në vitin 2000, investitorët në ekonomitë perëndimore nuk i fshehën kursimet e tyre nën dyshekë, por i hodhën ato në prona dhe derivativë financiarë, deri kur tregu u zhyt sërish në krizë.
As edhe recesioni i madh i kohëve të sotme nuk i ka bindur njerëzit që të hedhin poshtë sistemin e tregut të lirë dhe të zgjedhin planifikimin shtetëror si alternativë. Në zgjedhjet e kohëve të fundit për Parlamentin Europian - dhe Europa supozohet që është ajo pjesë e botës së zhvilluar që është të paktën intelektualisht e dashuruar me kapitalizmin e tregut të lirë - partitë e qendrës së djathtë morën një rezultat shumë të mirë.
Natyrisht, nga SHBA në Kinë, reagimet ndaj krizës ekonomike kanë kërkuar një rol në rritje të shtetit. Por ka një hendek të madh intelektual mes paketave stimuluese Keinesiane dhe pronësisë së përkohshme publike të aksioneve të bankave nga njëra anë, si dhe pranimit që shteti mundet dhe duhet të planifikojë ekonominë, nga ana tjetër. Ata që kanë dyshime dhe që mendojnë se bota (përfshirë Shtetet e Bashkuara!) do të bëhen socialiste, janë shumë të rinj ndoshta për të kujtuar guximin absolut të atyre që dikur mendonin se ekonomitë mund të planifikohen, apo pasojat e mjerueshme që u solli atyre ky besim.
Lavdia e HUMBUR
Një pasojë e reagimit të përbashkët ndaj krizës ekonomike ka qenë ndërgjegjësimi se, siç e përshkruante profesori i Universitetit të Californias në Los Angeles, Peter Baldwin, në revistën Prospect, Atlantiku është më i ngushtë nga sa ka besuar shumëkush. Sigurisht që ka dallime në këndvështrimin amerikan dhe atë evropian për botën, sidomos në qasjet e tyre për përdorimin e forcës si një mjet politike.
Për shumë amerikanë, ka shkruajtur historiani Tony Judt, "mesazhi i shekullit të fundit është se lufta funksionon, të bën punë".
Me kujtimet e historisë së tyre të vonë të përgjakur, pak evropianë e mendojnë kështu. George W. Bush, me krekosjen e tij teksane dhe bindjen se Zoti ishte në anën e tij, ishte aspak joshës për shumë evropianë. Por Bushi nuk është më president; tani president është Barack Obama, dhe europianët janë të lumtur ta shohin të ardhmen e tyre të lidhur me këto që është në gjendje të nxjerrë në rrugë e të bëjë të brohorasin 200 000 gjermanë.
Ia vlen ta kujtosh: si Europa ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë shoqëri të hapura, kapitaliste e demokrartike. Përkundër idesë europiane se SHBA është një vend ku e keqja është e fshehur, kombet në të dy anët e Atlantikut i vlerësojnë rrjetet socialë të sigurisë. "Shteti social amerikan është më i zgjeruar nga sa e kuptojmë shpesh", shkruan Baldwin. "Arritjet totale në politikat sociale në SHBA janë ekzaktësisht në një nivel me ato europiane".
Sado të vështirë që ta kenë që të besojnë pretendimin e tyre, shumë europianë janë kënaqur me politikat që administrata Obama ka ndjekur që në momentin kur shpërtheu kriza financiare. Në vendosmërinë e saj për të kontrolluar tepritë e tregjeve financiarë, SHBA mund të duket tashmë pothuajse skandinave në përkushtimin e saj ndaj një lloj kapitalizmi të butë. Mjafton për të bërë disa europianë të mendojnë - siç kanë bërë disa që nga viti 1989 - se kur vjen puna për fuqinë e shembullit në botë, është Europa, me kombinimin e saj të tregjeve të lirë dhe mbrojtjes sociale, dhe jo SHBA që do të udhëheqë rrugën.
Eshtë një mendim qetësues, por gjërat nuk janë të prera me thikë. Paradoksalisht, 1989, ai vit kur Europa shihte plot lavdi ndarjen e saj tek zhdukej, shënoi gjithashtu fundin e të qenit të saj në qendër në çështjet ndërkombëtare. Për 200 vite, idetë europiane, luftërat europiane, ideologjitë europiane dhe teknologjitë europiane që i kishin patur rrënjët e tyre në shkencën europiane, sëbashku i dhanë jetë dhe formë botës moderne. Kjo gjë zgjati deri në 1989. Sigurisht, Lufta e Ftohtë nuk u luftua vetëm në Europë; disa prej incidenteve të saj më të rrezikshëm ndodhën në vendet në zhvillim si Kuba. Por dominimi i Europës - politik e ideologjik, ashtu sikurse dhe ushtarak - ishte çmimi i saj.
Njëzetë vite pas annus mirabilis-it të saj, Europa ka më pak rëndësi nga sa kishte dikur. Kjo nuk do të thotë se ajo është një dështim. Aspak; dy dekadat që nga viti 1989 kanë shenjuar një epokë të artë të Europës, e cila është shndërruar në hapësirën më të gjerë të paqes dhe prosperitetit në botë. Dhe ndërkohë që europianët janë mësuar më shumë me negociatat prej xhentëlmenësh dhe kompromiset që janë tipikë për Bashkimin Europian - sot me 27 anëtarë, ndërkohë që kishte vetëm 12 në vitin 1989 - po kështu edhe nacionalizmat e dikurshëm, të cilët dy herë gjatë shekullit të kaluar tërhoqën të gjithë botën në grindjet e Europës, janë zhdukur. Në vend të tyre ka dalë në skenë ai që mund të quhet "nacionalizmi futbollistik" - valëvitja e flamujve kombëtarë si dhe këndimi zëlartë i himneve kombëtarë që bëhet jo për të dërguar djemtë në luftë, por për të gëzuar nëpër stadiume sportivë. Në shumë drejtime, Europa e sotme përbën një udhë të mrekullueshme të zhvillimit njerëzor. Por nuk është një e tillë që i jep Europës shumë ndikim jashtë saj.
Veçanërisht jo në Azi. Teksa ekonomia aziatike vazhdon të shënojë rritje - dhe bashkë me të fuqia politike aziatike - bëhet gjithnjë e më e qartë se do të jetë pozitarelative e Evropës që do të vuajë, dhe jo ajo e SHBA. Disa ekonomi europiane - Italia, për shembull, apo shtetet e ish-bllokut komunist - janë të kërcënuara nga rritja e prodhimeve me çmim të ulët dhe cilësi të lartë në Azi.
Politikisht, Europa është me rëndësi të pakët në Azi (kështu ka qenë që në vitet dyzetë dhe pesëdhjetë, kohë kur fuqitë koloniale u dëbuan kudo, nga Singapori në Dien Bien Phu), por SHBA jo.
Në një rajon ku rivalitetet e kahershëm - të themi mes Indisë dhe Pakistanit, apo Kinës dhe Japonisë - mundet ende që të ndizen flakë, fuqia e SHBA shërben si një mekanizëm jetësor ekuilibrimi. SHBA ka qenë një forcë në Paqësor për më shumë se njëqind vjet; roli i saj atje do të vazhdojë të mbështesë rëndësinë strategjike të Uashingtonit në shekullin e ri.
Përtej shtrirjes SË SHTETIT
Lufta e Ftohtë ishte shumë gjëra - një garë ideologjike, një e tillë politike dhe ushtarake - por ajo ishte mbi të gjitha një luftë ndërmjet shteteve dhe aleatëve të tyre. Megjithatë, që në momentin kur ajo përfundoi, tre faktorë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të shtetit i kanë dhënë formë sistemit ndërkombëtar.
I pari prej këtyre është globalizimi, ose integrimi në rritje i ekonomive nacionale dhe bizneseve. Globalizimi ka qenë në qendër të zhvillimit më rrënjësor që ka pësuar bota që nga viti 1989: rritja ekonomike e qëndrueshme e Azisë. Globalizimi jo vetëm ka përmirësuar mundësitë e jetesës të më shumë njerëzve në një periudhë kohe më të shkurtër se kurrë më parë, as nuk ka qenë vetëm një shndërrues i bizneseve ndërkombëtarë në aktorë të rëndësishëm: ai ka sjellë përpara botës dhe ka ofruar mundësi të reja strategjike.
Origjina e mrekullisë aziatike qëndron në politikat e orientuara nga jashtë që nxitën integrimin e kapacitetit lokal të prodhimit me linjat globale të furnizimit, duke ofruar vende pune për miliona njerëz.
Kina, mbi të gjitha përfitoi nga globalizimi, në më shumë se një drejtim. Pas tragjedisë së Tiananmenit, udhëheqja e Kinës ndihej tashmë e humbur dhe konfuze. U desh të vinte viti 1992 me turin e famshëm në jug të Ten Hsiao Pinit, që politikat e reformave dhe hapjes, që ai kishte nxitur që nga viti 1978, të riktheheshin në udhë të mbarë.
Kjo gjë shpëtoi autoritetin e Partisë Komuniste. Duke siguruar një valvul sigurie për pakënaqësitë, bumi në Kinë ndihmoi në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm politik. Më shumë se kaq: duke lidhur ekonominë kineze me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, globalizimi kontribuoi për sigurinë globale në të njëjtën kohë.
Në modelet klasikë të marrëdhënieve ndërkombëtare, është shumë e lehtë të kuptosh që Kina dhe SHBA mund të jenë fare mirë rivalë - njëra fuqi e vendosur tashmë, tjetra fuqi në ngjitje, të dyja me një shkallë të lartë kohezioni nacional dhe qëllimi gjithashtu. Por me çdo javë që kalon, teksa një takim i radhës mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre kinezë zhvillohet diku, teksa më shumë studentë kinezë studiojnë në SHBA dhe më shumë biznesmenë amerikanë udhëtojnë drejt Deltës së Lumit Perlë, po kështu edhe rrjeti i kontakteve ndërmjet Kinës dhe Rusisë fiton forcë. Këto janë shoqëri që po e njohin më mirë njëra-tjetrën, dhe njohja është themeli për besimin dhe respektin reciprok.
Faktori i dytë joshtetëror që i ka dhënë formë botës që nga viti 1989 është rritja e ekstremizmit fetar. Kjo nuk doli nga hiçi; Khomeini kish marrë pushtetin në Iran në vitin 1979, ndërkohë që kishin kaluar më shumë se 20 vite që kur Lufta e Gjashtë Ditëve kish nxitur njëkohësisht një ringjallje të Judaizmit politik dhe i kish bërë arabët, të zemëruar prej dështimit të nacionalizmit laik, që të ktheheshin nga Islami për ndihmë.
Megjithatë, shumica e vëzhguesve e injoruan domethënien e islamit radikal në vitin 1989. Ky ishte një gabim që mund të shmangej. Trupat e mposhtura sovjetike ishin larguar më në fund nga Afganistani në shkurt, të mposhtura jo vetëm nga armët dhe raketat Stinger, por edhe nga një bindje e atyre që luftonin kundër tyre, se ishin të përfshirë në një luftë të shenjtë kundër pushtuesit të pafe. Duhej që, në fund të fundit të ngrihej pyetja: Ç'do të bënin tani ata luftëtarë? Përgjigja do të vinte shumë shpejt, teksa Islami radikal doli nga qendra e tij dhe mori formën e terrorizmit ndërkombëtar. Lufta e gjatë dhe e papërfunduar kundër terrorit që nga viti 2001 është një provë e bollshme se sa të vështirë e kanë patur fuqitë shtetërore të përballen me ata që janë të motivuar prej fesë, në luftëra asimetrike.
Së treti, teknologjia e ka ndryshuar botën. Në 1989, kompjuterat personalë ishin të zakonshëm në Perëndim, ndërkohë që telefonat celularë, ndonëse të mëdhenj e të rëndë sa një tullë, po shndërroheshin në një simbol statusi.
Por në mars, pa u vënë re përveçse prej një grupi entuziastësh, Tim Berners-Lee, një shkencëtar britanik kompjuterash që punonte në laboratorin CERN në Gjenevë hartoi skicën e blloqeve të ndërtimit që mundësuan shndërrimin e internetit në një mjet të kudogjendur komunikimi dhe informimi.
Rritja e fuqisë së kompjuterave dhe interneti kanë qenë forca esenciale e globalizimit; pa to, kompanitë e logjistikës në Hong Kong që menaxhojnë linjat globale të furnizimit nuk do të ishin në gjendje të bënin punën e tyre. Por më shumë se kaq, ato kanë shkundur fuqinë e shtetit në mënyra të tilla që teoritë tradicionale të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk janë në gjendje t'i shpjegojnë. Në një kohë kur komuniteti kinez në internet u bë bashkë për të mbrojtur një grua që akuzohej se kish vrarë një burrë, i cili po përpiqej ta përdhunonte, dhe kur protestuesit në rrugët e Iranit përdornin Twitterin për të përcjellë mesazhin e tyre në botën e jashtme, fuqia revolucionare e teknologjisë edhe në shoqëritë më autokratike rrallëherë ka qenë kaq shumë e dukshme, do të vazhdojë të rritet.
Këtë gjë ne nuk e kishim parashikuar në vitin 1989. Por kjo është e falshme. Siç do t'ju kish thënë një redaktor lajmesh në atë kohë, në atë vit të jashtëzakonshëm po ndodhnin shumë gjëra.