Shkencëtarët e NASA-s kanë zbuluar nga disa kampionë të marrë nga kometa Wild 2 gjurmë të aminoacidit glicinë, një substancë kjo thelbësore për qeniet njerëzore. Është hera e parë që një aminoacid formohet në një kometë, por zbulimi më i rëndësishëm për shkencëtarët e NASA-s është se kjo ndodhi mbështet një teori jo fort të lakuar nga shkencëtarët, atë të prejardhjes së elementëve jetësorë nga hapësira, që kanë arritur më pas në Tokë përmes kometave ose meteorëve. “Nëse ka aminoacid në kometa, kjo gjë rrit besueshmërinë e idesë që komponentët bazikë të jetesës mund të përhapen përmes universit”, - thotë biologu i planetëve Max Bernstein i Institutit të Astrobiologjisë në NASA (që nuk ka marrë pjesë në kërkimin). “Një gjë janë konkluzionet nga të cilat unë mund të shtoj nga kërkimet e mia që kryej në laborator dhe tjetër gjë është zbulimi real i lëndëve në objektet e studiuara”. Glicina është izoluar nga disa kampionë të Wild 2, të treguara më 2004 përmes ecejakeve të anijes hapësinore të NASA-s, Stardust. Kalimi i anijes në retë e ngjeshura të gazit dhe të pluhurit që rrethojnë bërthamën e kometës, bllokoi në krahët e saj pjesë të kësaj substance. Në 2006-n kapsulat me substancën kanë rënë në Tokë dhe shkencëtarët janë vënë në garë për t’i studiuar. Gjetja e glicinës mbase është gjetur prej disa kohësh, por shkencëtarët nuk kishin ende kampionë të mjaftueshëm të kësaj substance, për të përcaktuar nëse aminoacidi është i pranishëm në Tokë ose nëse realisht ka ardhur nga hapësira. Për të gjetur glicinën e nevojshme për analizat e tyre, shkencëtarët kanë dërguar një petë alumini që u vendos në brendësi të kometës, duke izoluar një pjesë të substancës. Por, edhe peta e aluminit solli në Tokë vetëm gjysmën e nanomoleve të glicinës që shërbente për kërkime, duke u bërë arsyeja se përse shkencëtarëve u janë dashur dy vjet për të konfirmuar kërkimin e tyre: origjinën jashtëtokësore të glicinës.
“Ajo që kemi bërë, ka qenë të vëzhgojmë izotopet e karbonit”, - ka shpjeguar Jamie Elsila, shkencëtar i NASA-s, që ka marrë hua studion e tij për takimin me Shoqatën Kimike Amerikane në Uashington DC. “Materiali tokësor është shumë i veçantë, ndryshe nga ai jashtëtokësor. Duke vëzhguar glicinën dhe duke analizuar kompozimin e saj, kemi vënë re që është me origjinë jashtëtokësore”.
Elsila dyshon që glicina jashtëtokësore mund të jetë formuar nga kometa kur drita ultravjollcë ka goditur procesorët molekularë, duke shkaktuar kështu reaksion. Kërkuesit pohojnë që kjo është prova më e mirë e gjetur deri tani që demonstron se jeta ka pasur origjinë nga hapësira.
“Nuk e dimë se në çfarë mënyre ka filluar jeta në fillim në Tokë, por jemi të bindur që kometat dhe meteorët që kanë bombarduar Tokën, kanë sjellë shumë materiale të nevojshme”.
Bima... mishngrënëse
Letërsia, kinemaja dhe video game-t na i kanë treguar, por vështirë se i besonim. Tregimet me bimët mishngrënëse, gjithmonë të etura, me tentakulat e tyre tejet të mëdha e që janë në gjendje të gllabërojnë me fletët-gojë gjithkënd që gjendet rrethe e përqark tyre, janë mjaft të njohura. Imazhet e këtyre krijesave të frikshme me prejardhje nga kopshti botanik do të vazhdojnë të ushqejnë fantazinë e shkrimtarëve dhe regjisorëve të filmave horror falë edhe gjetjes së një specieje të re, bimës mishngrënëse.
Bima është zbuluar nga një grup shkencëtarësh anglezë, gjatë eksplorimit në malin Viktoria, një rrafshnaltë në rajonin qendror të Palawan, Filipine.
Legjenda për ekzistencën në këtë mal të kësaj bime gjigande mishngrënëse qarkullonte prej më se 2 mijë vjetësh, kohë kur dy misionarë të krishterë kishin udhëtuar mbi një shpat e të cilët arritën të shpëtonin vetëm falë ndërhyrjes së miqve të tyre. Pas mbarimit të udhëtimit, misionarët e krishterë kishin treguar për ekzistencën e një bime mishngrënëse e gjatë sa një banesë njëkatëshe.
Fjalët e dy pelegrinëve fetarë janë besuar nga eksploruesit Stewart McPherson dhe prej dy botanistëve Alastair Robinson dhe Heinrich Volker. Të tre, me nga një çantë në shpinën e tyre, janë nisur për të eksploruar këtë mal në Filipine për një periudhë prej 2 muajsh. "Kur ne ishim në 1,600 metra mbi nivelin e detit, papritmas pamë një pemë të madhe dhe pastaj një të dytë dhe shumë më tepër. Ishte shumë e qartë se ajo që ishte para nesh, ishte një specie krejtësisht e panjohur", - tha McPherson për BBC-në. Bima, që botanistët e kanë pagëzuar si “Nepenthes Attenborough”, në kujtim të gazetarit anglez të historive në natyrë David Attenborough, e ka formën si një filxhan, mjaftueshëm e madhe për të futur në grackë jo vetëm insekte, por edhe brejtës. Kjo bimë është mishngrënësja më e madhe ndër llojet e bimëve të njohura deri më tani dhe është e aftë të zbatojë kurthe spektakolaere për të tërhequr vëmendjen e viktimave të saj.





