Bota mes dy luftërave / Pas Traktatit të Versajës
20 vjet paqe mes ankthit
MARCO UNIA
Të nesërmen e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, lulëzuan në Evropë dhe në të gjithë botën shpresat për rindërtimin e një bote më të mirë, e rigjeneruar dhe përfundimisht e paqësuar, pas atij simbolikisht u quajt "i fundmi i konflikteve". Pritshmëritë kishin të bënin me përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, zhvillimin e një shoqërie më të drejtë, rritjen e mirëqenies dhe ato qenë të përhapura si në vendet fituese të luftës, ashtu edhe në të humburit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe qëllimeve të mirë, njëzetë vjeçari mes dy luftërave nuk ishte aspak periudha e artë e ëndërruar nga shumëkush. Madje qe një epokë krize e thellë për institucionet politike, ekonomitë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Faktori i parë i instabilitetit politik u vërejt në Rusinë e revolucionit bolshevik në tetor të 1917. Mënyra se si u zhvillua ky revolucion dhe pasojat që ai solli në Evropë krijuan kushte instabiliteti që do të vazhdoheshin të ndiheshin në njëzetë vitet e ardhshëm. Nëse revolucioni i shkurtit 1917 bazohej në një projekt transformimi progresiv të shoqërisë drejt formave të demokracisë, revolucioni i tetorit mori shumë shpejt karakteristikat e një zhvillimi autoritar të imponuar nga drejtuesit e Partisë Bolshevike.
Vështirësitë për shpëtimin e revolucionit nga tentativat e mundshme kundër revolucionare, por edhe bindja e Leninit se vetëm një pararojë revolucionare mund të transformonte një vend si Rusia, shtyu liderët bolshevikë që të adoptonin qasje diktatoriale.
Në momentin kur zhvilloheshin ngjarjet në revolucionin rus, ato shkaktuan një jehonë të madhe në Evropë. Politikanët evropianë, vendet e të cilëve ishin të angazhuar në luftë kur shpërtheu revolucioni rus, nisën t'i druhen përhapjes së sëmundjes revolucionare në vendet e tyre. Një parashikim që kishte shumë elementë të së vërtetës, për arsye se Lufta Botërore po prodhonte pakënaqësi të mëdha në opinionin publik dhe revolucioni komunist po prezantohej si një mesazh pacifist: "lufë luftës", ishte një prej sloganëve të komunizmit në këtë periudhë. Ideja e një shpërthimi të revolucionit në të gjithë Evropën mbështetej edhe nga bolshevikët rusë, të cilët shihnin në një "eksortim" të tillë kushtin e domosdoshëm për mbijetesën e revolucionit të tyre.
Në realitet, revolucioni bolshevik nuk gjeti mbështetje në Evropën perëndimore, për arsye se trazirat në këto shoqëri ishin mbi të gjitha një fenomen që kish të bënte me luftën dhe jo një problem strukturor. Eksportimi i revolucionit dështoi edhe sepse në Evropë, shumica e partive socialiste ishin reformiste dhe ishin ato të parat kundër afirmimit të komunizmit të markës ruse. Ndryshe nga sa ndodhi me carin, politikanët evropianë arritën të nuhasin herët shenjat e rrezikut dhe nxituan të reformojnë shoqëritë në drejtimin demokratik, duke mbështetur veprimet dhe kërkesat e reformistëve dhe duke u djegur tokën nën këmbë revolucionarëve.
Përmirësimi i kushteve të punës dhe pagave, si dhe bashkëpunimi mes borgjezisë dhe lëvizjes punëtore shërbyen për të larguar spektrin e revoluconit, edhe pse në disa raste politika e moderimit nuk funksionoi, siç ishte ai i Italisë.
Në vitet mes dy luftërave, një tjetër faktor i madh krize e pasigurie nisi të përcaktohet nga përparimi i modernitetit. Fenomeni, që i pati fillesat që në nisjen e shekullit, apo sipas një periodizimi tjetër, që nga revolucioni i dytë industrial i 1870, ishte një përshpejtim i dukshëm me ardhjen e luftës, me transformimit që kjo shkaktoi në ciklet e prodhimit dhe në strukturat sociale. Modernizimi nënkuptonte urbanizim, laicizim dhe industrializim të shoqërisë. Një fenomen që thuajse të gjithë qeveritë e shteteve të ndryshëm evropianë e gjykonin në këndvështrime pozitivë dhe që tentonin ta mbështesnin, por që në realitet shihej me armiqësi nga pjesët përbërëse të shoqërisë, të cilat ndiheshin të rrezikuara nga këto lloj transformimesh. Ndryshimi ishte kaq i fortë dhe radikal, saqë përfundoi duke ndarë më dysh shoqëri tradicionalisht të bashkuara.
Për të kuptuar dimensionet e fenomenit mjafton të mendojmë që në vitin 1900 dy të tretat e popullsisë evropiane ishin fshatarë dhe në 1939 kjo qe reduktuar në një të tretat dhe që në të njëjtën periudhë ndodhi dyfishimi i prodhimit industrial. Në periudhat mes dy luftërave u përhap miti i planifikimit, si një instrument i aftë të optimizonte sistemin prodhues - ashtu si demonstronte Fordi me fabrikën e tij të automobilëve - por edhe si një instrument në gjendje të përmirësonte qytetet dhe jetën familjare: planifikim qe një folje që përdorej në projektimin e qyteteve, si dhe në vendimet për kontrollin e lindjeve në ato vite në familjet borgjeze.
Kjo shoqëri e re, e bazuar mbi racionalitetin dhe laicizmin, ishte thellësisht armiqësore ndaj botës fshatare, bartëse e vlerave të tjera dhe që po mënjanohej progresivisht. Industrializimi goditi në radhë të parë banorët e fshatrave që duke parë të binin fitimet e tyre dhe që shpeshherë vendosnin të braktisnin veprimtarinë e të gjenin një punë në fabrikë, e cila nuk qe më pak e lodhshme, por ishte më fitimprurëse. Megjithatë, nuk bëhej fjalë për një krizë ekonomike për ta: ishte një krizë vlerash morale e sociale e prodhuar prej modernitetit.
Moderniteti sillte me vete besimin në racionalitetin dhe refuzimin e fesë që ishte, në fakt, një karaktestikë e botës së fshatarëve. Moderniteti sillte me vete konceptin e lëvizshmërisë sociale dhe sipërmarrjen individuale, në kontrast të thellë me sistemin hierarkik të botës fshatare, të bazuar në respektin e rolit dhe statusit social, si dhe të bazuar në një ideal të jetës komunitare. Moderniteti përbënte më së fundi për fshatarët një rënie të pushtetit politik: socialistë e liberalë, borgjezë e punëtorë ishin në fakt në favor të modernitetit e, rrjedhimisht, aleatë në dënimin si reaksionarë të elementëve fshatarë që ishin armiqësorë ndaj progresit.
Përpara këtij sulmi të modernitetit, fshatarë, artizanë e klasa të mesme tradicionale tentuan një reagim, i cili në asnjë rast nuk u organizua në mënyrë të programuar, por që u manifestua kudo nga pak në Evropë. Në Bashkimin Sovjetik, fshatarët në vitet tridhjetë tentuan të reagojnë ndaj tentativës më të madhe të transformimit social nga lartë, që ishte provuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit deri atëherë dhe që ishte eksperimenti i Stalinit për modernizimin e Rusisë. Diktatori komunist vendosi të transformojë një shoqëri fshatare në një shoqëri industriale dhe të shkatërrojë atë formë specifike të bashkëjetesës sociale ruse që ishte komuniteti në fshat. Për ta zbatuar, Stalini detyri me forcë fshatarët që të shkonin të punonin në fabrika të mëdha të kolektivizuara dhe menaxhuara nga shteti, duke detyruar një numër të madh prej tyre që të punonin në fabrikak si dhe duke nisur një aksion shfarosjeje të të ashtuquajturve fshatarë të pasur. Ndaj këtij eksperimenti, fshatarët rusë u përpoqën të reagojnë me çdo mjet, duke penguar transformimin e fshatrave, duke kërkuar të ruajnë besimin fetar që ndërkohë kërcënohej nga një fushatë e dhunshme persekutimesh kundër klerit katolik dhe kundër qendrave të kultit.
Ishte një luftë civile e heshtur, që në fund pa të mbizotërojë logjika staliniane, "një fitore" e cila erdhi me shumë jetë të humbura e shumë gjak të derdhur. Në Evropë gjërat ishin ndryshe. Protesta e fshatarëve, por edhe në klasat e mesme borgjeze, drejtohej kundër socialistëve, financës ndërkombëtare, si dhe grupeve të mëdhenj të biznesit. Ajo gjeti një vendshkarkim tek fashizmi. Në të vërtetë, nazifashizmi, që u mbështet mbi të gjitha nga fshatarët dhe klasat e mesme, nuk u zhvillua vetëm si një model politik i reaksionit. Klasat sociale që e mbështesnin nuk donin në fakt vetëm një rikthim në të shkuarën, që e kujtonin të dominuar nga latifondistët dhe nga borgjezia urbane. Këto klasa ishin në kërkim të një organizimi politik që mbronte masat konservatore, kombet dhe vlerat e traditës, duke arritur të paqësojnë një shoqëri gjithnjë e më të ndarë nga konfliktet e brendshëm. Pikërisht në këtë mënyrë reagimi ndaj modernitetit i dha jetë fashizmit italian, nazizmit gjerman, diktaturës spanjolle, sa për të cituar disa prej rasteve më të rëndësishëm në Evropë.
Manifestimi më evident i krizës së periudhës mes dy luftërave ishte rënia ekonomike botërore që u shfaq duke nisur nga 1929. Shembja e Wall Street ishte një kohësisht një shkak dhe efekt i një krize ekonomike botërore që përfshiu të gjithë botën dhe që përfundoi vetëm me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, ekzaktësisht dhjetë vite më vonë. Kriza e 1929 ishte një pasojë e asaj që kish ndodhur më herët, sepse ajo buronte në pjesën më të madhe nga rezultati i Luftës së Parë Botërore dhe nga ndryshimet që ajo prodhoi në ekonominë botërore. Në fakt, duke nisur nga paslufta u panë risi të ndryshme, mes të cilave duhet konsideruar rënia e centralitetit anglez në tregjet botërore.
Britania e Madhe, e dalë e përgjakur nga lufta, nuk ishte më në gjendje që të drejtonte tregtinë botërore ashtu si kish bërë në periudhën para luftës, kjo edhe sepse ekonomi të tjera u demonstruan shumë më konkuruese dhe vitale se sa ajo britanike. Kriza e Britanisë së Madhe përfaqësonte humbjen e bariqendrës në ekonominë botërore, sepse ajo vuri në diskutim praktikën e shkëmbimit të lirë, mbi të cilën anglezët kishin mbështetur pushtetin dhe suksesin e tyre. Në fakt, për Anglinë pasuria varej nga aftësia e shkëmbimeve të produkteve dhe tregtisë dhe politikat e saj ekonomike të brendshme e të jashtme kishin prirjen që të lehtësonin sa më shumë praktika të tilla.
I ndryshëm ishte rasti i Shteteve të Bashkuara, të cilët kishin potencialisht disponueshmërinë për të zëvendësuar anglezët, por politika ekonomike e tyre qe e mbështetur tek vetëmbështetja, si dhe në logjikën e tregut të brendshëm dhe që kishin vështirësi të merrnin përsipër përgjegjësi që lidheshin me lidershipin e tyre. Tkurrjes së tregjeve botërore iu shtua edhe një krizë superprodhimi, e shkaktuar nga hyrjet në tregjet botërore të protagonistëve të rinj, si vetë SHBA dhe Japonia, si dhe nga zhvillimi i makinerive të reja, si dhe modeleve të reja të organizimit industrial, në gjendje të prodhonin me ritme të paimagjinueshëm deri në atë kohë.
Tkurrja e tregut dhe rritja e prodhimit shkaktuan një rënie të çmimeve të produkteve dhe kjo gjë vuri në vështirësi shumë industri, duke shkaktuar një krizë punësimi të paprecedentë në Evropë dhe në Amerikë. Kriza ekonomike u transformua shumë shpejt në krizë morale dhe kulturore për t'u shndërruar më pas në krizë politike, përpara se të zgjidhej problemi ekonomik. Për komunistët dhe konservatorët antimodernistë kjo gjë materializonte parashikimet apokaliptike mbi fundin e sistemit kapitalist dhe në këtë periudhë, shumë intelektualë gjetën strehë në komunizmin dhe fashizmin. Më pas, kriza ekonomike nisi të rëndojë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, sepse shumë shtete reaguan ndaj saj duke u mbyllur në vetvete dhe duke praktikuar politika shumë proteksioniste, të orientuara nga mbrojtja e produkteve vendas.
Në planin social, nuk duhet harruar se mënyra e parë e reagimit ndaj krizës ishte ulja e shpenzimeve, gjë që vetëm sa e rëndoi situatën e vështirë të popullatave, si dhe zemërimin e tyre ndaj qeverive. Në këtë kuptim, duhet pranuar se kriza ekonomike e 1929 kontribuoi në mënyrë vendimtare në afirmimin e nazizmit në Gjermani dhe vuri në vështirësi imazhin e demokracive, që në krahasim me regjimet totalitare dukeshin në atë kohë më pak të afta të dilnin nga kriza, me përjashtim të SHBA.
Nëse kriza ekonomike e 1929 përbënte problemin më të dukshëm të periudhës, kriza e sistemeve politikë demokratikë përfaqësonte transformimin më radikal në jetën shoqërore dhe ndryshimin më të mbushur me pasoja, si në planin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm. Kriza e sistemeve demokratikë vërehet duke analizuar evoluimin e situatës në Evropë nga Paslufta e Parë deri në vitin 1939: në 1920, në shumicën e shteteve ishte në fuqi demokracia, ndërkohë që 20 vjet më vonë kishte mbi të gjitha diktatura, me qeveri autoritare dhe parti unike. Diktaturat u vendosën progresivisht në kontinentin e vjetër dhe e para që lindi pas luftës ishte ajo ruse, kur Lenini shpërndau Ansamblenë, duke instaluar diktaturën e proletariatit.
Ndër regjimet e para autoritare që u vendosën në pjesën tjetër të Evropës ishte, duke nisur nga 1922, ai i Musolinit. Më 1923 erdhi radha e Spanjës me diktaturën e gjeneralit Primo de Rivera, i cili shpërndau Parlamentin me mbështetjen e ushtrisë dhe të njëjtat forca që do të mbështesnin pas tij gjeneralin Franko në fitoren e tij kundër demokracisë së rilindur spanjolle në vitin 1936. Edhe në Poloni ishte ushtria që e mori pushtetin në vitin 1926 me marshallin Pilsudski, i cili e mori komandën me një grusht shteti, në dëm të demokracisë së brishtë postbelike.
Më shumë, në fakt, zgjati demokracia në Gjermani, deri kur u gjunjëzua prej krizës ekonomike të 1929: në fakt, tentativa e parë e ngjitjes së Hitlerit u tërhoq lehtësisht, pasi nuk ekzistonin kushtet politike që të hidhte rrënjë. Por, në 1932 besimi në sistemin parlamentar kish marë fund dhe Hitleri mori në dorë frenat e qeverisjes në 1933, duke i dhënë kështu start një diktature të pamëshirshme. Gjithmonë në vitet tridhjetë, pati diktatura monopartiake në vendet balltikë, në Estoni, Lituani e Letoni. Në vitin 1932 ishte radha e Portugalisë, ku Salazar krijoi një shtet diktatorial sipas modelit fashist, i cili i dha fund një demokracie, e cila zgjaste prej vitit 1910. Në Hungari, pushtetin e mori marshalli Horti, i cili gëzonte mbështetjen e forcave të armatosura, si dhe aristokracisë së vjetër të ish-Perandorisë së Habsburgëve.
Situata ishte më e ndërlikuar në Ballkan, ku kishte konflikte mes forcave popullore të së majtës, elitave të vjetra, forcave radikale dhe fashistëve. Greqia pa demokracinë e saj të merrte fund në 1935, kur u rivendos monarkia dhe në 1936 gjenerali Metaksa u emërua kryetar i përjetshëm i shtetit, pra diktator. Në vitin 1933, në Bullgari qeveria mori pushtetin dhe shfuqizoi kushtetutën, ndërsa dy vjet më vonë mbreti Boris III vendosi një diktaturë monarkike. Të njëjtin shembull ndoqi mbreti i Rumanisë Karol në 1938, por që u përmbys nga një grusht shteti me frymëzim fashist të drejtuar nga gjenerali Ionesku në 1941.
Në vitin 1929, edhe Aleksandri I vendosi në Jugosllavi një diktaturë që mbështetej në forcën e ushtrisë dhe nomenklaturës serbe. Jashtë Evropës, në Turqi, u krijua një diktaturë ushtarake e udhëhequr nga udhëheqësi shumë popullor Qemal Ataturk, ndërkohë që në Kinë ishte gjenerali Cian Kai Shek që mori pushtetin. Në vitet tridhjetë pushteti kaloi nën kontrollin e forcave të armatosura edhe në Japoni, ku vepronin edhe lëvizje fashiste me konotacion të fortë nacionalist dhe armike ndaj hapjes së vendit.
Ishin faktorë të ndryshëm që kontribuan në krizën e demokracive. Në radhë të parë, ishte zhvillimi në Evropë i lëvizjeve të fuqishme antiparlamentare, si të djathta edhe të majta. Sipas shumë eksponentëve të së majtës, Parlamenti nuk ishte gjë tjetër përveçse një shprehje e pushtetit borgjez; kjo ishte për shembull, bindja e Leninit dhe Stalinit.
Një prej kritikave ndaj sistemeve demokratikë dhe parlamentarë ishte ajo që këta qenë produkte të perëndimit dhe shteteve liberalë e si rrjedhim, nuk ishin të përshtatshëm për të qeverisur vende aziatikë si, Japonia e Rusia, e madje as shtete si Gjermania të mësuar me rendin perandorak. Të gjitha këto kritika shkaktuan lindjen e sistemeve totalitarë dhe/ose diktatorialë në të gjithë Evropën, me përjashtim vetëm të Francës dhe Anglisë, që për shkak të traditës mbetën demokratike, pavarësisht krizave të shumta të brendshme, si ajo që përfshiu Republikën Franceze në 1934.
Ky triumf i totalitarizmave përbënte një prej aspekteve më dramatikë të periudhës mes dy luftërave. Kriza e viteve njëzetë-tridhjetë ishte një prej shkaqeve të Luftës së Dytë Botërore. Lufta nuk ishte diçka e papritur dhe irracionale, por rezultat i një faze të gjatë e kritike e nisur që të nesërmen e Luftës së Parë. Asetet politikë ndërkombëtarë të vendosur me traktatet e Versajës, hynin progresivisht në krizë me kalimin e viteve dhe u bënë copë në vitet tridhjetë.
Në radhë të parë, funksionimi i Lidhjes së Kombeve, institucioni botëror i ndërtuar për të siguruar paqen në botë kushtëzohej fuqimisht nga një seri problemesh. Parimet frymëzues të Lidhjes mbështeteshin në të drejtën e vetëvendosjes së popujve mbështetur nga Presidenti amerikan Uilson, si dhe vullnetin për paqe që nxiste vendet e dalë nga lufta dhe që u konkretizua me një marrëveshje për reduktimin e armatimeve.
Megjithatë, që në lindje, Lidhja duhej të përballej me refuzimin e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë, për shkak të votës kundër të Senatit amerikan për pjesëmarrjen e Amerikës, e cila po orientohej nga një politikë e jashtme gjithnjë e më izolacioniste.
Një tjetër i munguar i madh ishte BRSS, përjashtuar për shkak të kredencialeve komuniste, përjashtim që e vuante deri në 1926 edhe Gjermania e mundur. Problemeve të Lidhjes së Kombeve iu shtuan edhe ata të traktateve të Versajës, të cilët historianët unanimisht i konsiderojnë si shkakun parësor të rritjes së nazizmit dhe shpërthimit të Luftës së Dytë. Ashpërsia e tepruar e ndëshkimeve ndaj Gjermanisë - që nga kërkesa e tepruar për riparimet e luftës deri tek konfiskimi i territoreve të Alsasës e Lorenës dhe çmilitarizimit drastik - ushqyen në fakt një dëshirë shpagimi tek gjermanët që i dha shtysë nazizmit.
Këtyre pakënaqësive të gjermanëve iu shtuan edhe ato sovjetike, pasi edhe BRSS doli i penalizuar nga lufta e parë dhe nga Italia, që edhe pse kish fituar luftën, konsideronte si të pamjaftueshme aq sa kish marrë pas pjesëmarrjes së saj në konflikt. Të vetmet shtete realisht të kënaqur nga rezultati i marëveshjeve të paqes ishin Franca e Anglia, por atyre u binte barra të mbanin në këmbë një sistem ekuilibrash botërorë, që mbahej peng prej mazhorancës së shteteve të tjerë. Për t'ia dalë mbanë, anglezët dhe francezët u mbështetën në sistemin e "diplomacisë liberale" të bazuar në arritjen e marrëveshjeve të paqes përmes ndërmjetësimit dhe tratativave, edhe pse për ta do të kish qenë e pamundur të përballonin njëkohësisht dhe ushtarakisht të gjithë sfidat që shfaqte ky skenar botëror. Politika e zbutjes e përdorur kundrejt Gjermanisë hitleriane ishte gjithashtu një tentativë për të vazhduar drejtimin e fateve të botës përmes përdorimit të diplomacisë dhe jo vetëm shfaqje e një qëndrimi shumë të dobët të demokracive përballë totalitarizmave. Shumëllojshmëria e problemeve që hasnin Franca dhe Anglia në vitet tridhjetë ishte më e madhe se sa forcat që ato kishin në dispozicion, qoftë sepse ato kishin zvogëluar shpenzimet për armatime, qoftë sepse popullsitë e tyre civile ishin gjithnjë e më shumë shkuarjes në luftëra që nuk kishin të bënin direkt me çështje të mbijetesës së tyre. Dhe shtetet e pakënaqur nga rendi botëror nisën kështu të vihen në lëvizje për ta modifikuar: Japonia pushtoi Mançurinë në fillim të viteve tridhjetë, Italia sulmoi Etiopinë në 1935, Gjermania nisi rishikimin e traktateve të Versajës që nga ardhja në pushtet e Hitlerit, duke riarmatosur fillimisht ushtrinë e më pas duke ripushtuar Renanian dhe në 1938 Austrinë.
Tashmë lufta ishte pranë. Lidhje e Kombeve qe tashmë e copëtuar. Gjermania, Italia e Japonia dolën prej saj në vitet '30. Asnjë aleancë e qëndrueshme nuk lidhte shtetet e mëdhenj dhe rendi ndërkombëtar bazohej tashmë në një gjendje të tipit hobezian, lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Për këtë arsye, çdo fuqi e madhe nisi të riarmatoset. Dhe ky riarmatim shkaktoi nga ana e tij pasiguri e tensione të reja.
Ja pra, të gjithë ingredienët e krizës ndërkombëtare: Nga njëra anë Britania e Madhe e Franca që i bënin shërbim rendit të tyre të sëmurë, teksa përpiqeshin të sistemonin presionet e brendshëm për paqe, revoltat e perandorisë, si dhe një seri të atyre që Chamberlain i quante aventurierë të shkretë në luftë për pushtet. Nga ana tjetër, ishin shtetet e rinj të fuqishëm, Gjermania, Bashkimi Sovjetik e Japonia, të cilët sistemi i vjetër nuk arrinte t'i kënaqte më.
Çelësi i krizës ishte 1938. Deri në aneksimin e Austrisë, veprimet e Hitlerit në politikën e jashtme mund të dukeshin agresive por të arsyeshme, por kërcënimi për pushtimin e Çekosllovakisë ishte diçka që shkonte përtej rishikimit të traktateve të paqes. Britania e Madhe dhe Franca u angazhuan për të përmbushur kërkesat gjermane, duke paralajmëruar Hitlerin se pushtimi i Çekosllovakisë do të shënonte fillimin e luftës. Marrëveshjet e Mynihut në shtator 1938, ku firmosën Franca, Anglia, Italia e Gjermania, vendosën që vetëm rajoni i Sudeten me shumicë gjermane do të duhej të kalonte nën kontrollin gjerman dhe në këmbim Hitleri do të hiqte dorë nga pushtimi i pjesës tjetër të vendit.
Marrëveshja penalizonte Çekosllovakinë demokratike, e cila as nuk mori pjesë në takime, por ruante paqen dhe kështu që u përshëndet nga shtetet evropianë. Musolini u lëvdua në vendin e tij si shpëtimtar i paqes, por në Angli, një politikan me inteligjencë të lartë si Churchilli, kuptoi se pas Mynihut lufta vetëm sa ishte shtyrë dhe që ndërkohë Franca e Britania kishin humbur nderin. Në fakt, disa muaj më vonë, në mars 1939, Gjermania pushtoi pjesën tjetër të Çekosllovakisë. Në këtë pikë, Hitleri qe i bindur për dobësinë e demokracive perëndimore dhe nisi të kërcënojë Poloninë.
Në gusht të vitit 1939, Molotovi dhe Ribentropi, ministrat e Jashtëm gjerman dhe rusë firmosën një pakt mossulmimi që parashikonte në një klauzolë të fshehtë ndarjen e Polonisë mes dy vendeve. Dy armiqtë e mëdhenj ideologjikë firmosën këtë marrëveshje, qoftë sepse ajo shtynte për një tjetër moment përballjen e tyre finale për të cilën asnjëri nuk ndihej i gatshëm, qoftë sepse u lejonte të dy palëve që të modifikonin me të rendin politik të vendosur në Versajë. Në realitet, shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore ndodhi pas pushtimit të Polonisë nga Gjermania dhe ai nuk ishte vlerësuar as nga Hitleri, as nga Franca e Britania, sepse të dy qenë të bindur se kundërshtari do të kish bërë lëshime përpara se të shpërthente një tjetër konflikt i madh. Megjithatë, arsyet e shpërthimit të luftës e kishin burimin disa vite më herët dhe konflikti qe i vetmi rezultat i mundshëm i një krize që po tërhiqte zvarrë botën prej njëzetë vjetësh.