Operacioni rrënues i Italisë
Mëngjesin e 10 qershorit 1940, Galeaco Çiano, dhëndërr i Musolinit, si dhe ministër i Jashtëm i qeverisë fashiste, i dorëzonte deklarimin e luftës ambasadorëve të Francës dhe të Britanisë së Madhe. Vetë Musolini përjetoi ngurrime të gjata dhe të dhimbshme, por në fund çedoi dhe zgjodhi opsionin luftarak: ato që e shtynë qenë jo vetëm kërcënimet pak a shumë të mbuluara të aleatit gjerman, por edhe triumfet e makinës luftarake naziste, e aftë që brenda pak javësh të pushtonte Poloninë, Norvegjinë e Danimarkën, dhe të lëshonte një sulm të papërmbajtshëm në frontin perëndimor, sulm që me shpejtësi po e çonte Francën në kolaps. Edhe Belgjika dhe Holanda kishin rënë nën kryqin e thyer të Rajhut gjerman. Duçja ishte i bindur se, lufta ishte tashmë në momentet e fundit të saj dhe se kjo, brenda një kohe të shkurtër, do të çonte në një paqe të përgjithësuar. Ky kalkulim e përforcoi më tej bindjen e tij për nevojën e një kontributi të drejtpërdrejtë italian në konflikt, ndëshkim deklasimi i Italisë në fuqi "vasale" në një Europë të rikonceptuar nga fituesit gjermanë.
Në një promemorie, Musolini përpiqej dhe planifikonte një bindje vendimtare të tillë, duke futur konceptin e "luftës paralele": Italia vërtet do të luftonte me aleatët gjermanë, por duke ndjekur objektiva autonomë dhe të pavarur. Qëllimi ishte që të krijohej një sferë hegjemoniste në Afrikë e në Mesdhe, sferë që më pas të peshonte gjatë bisedimeve të ardhshme të paqes kur konflikti do të përfundonte me fitoren e sigurtë të nazistëve (e thënë më saktë: më 11 tetor 1940, Hitleri shpallte se u kish dhënë "mbrojtjeve vendburimeve të naftës rumune". Duçja kaloi në tërbim, por, si zakonisht, e gëlltiti goditjen. Kësaj radhe do t'ia kthej me të njëjtën monedhë. Do ta mësojë nga gazetat se kam pushtuar Greqinë"). Nga ana tjetër, Musolini nuk kish qenë asnjëherë i përjashtuar nga projekte luftarake. Qysh në verën e 1933 me 300 000 njerëz donte të pushtonte Francën. Në janar të të njëjtit vit, kishte një program ekspedite ndëshkimore kundër Jugosllavisë. Ai që e ndaloi nga qëllimet e tij luftënxitëse mendoi ministri i atëhershëm i Luftës, gjenerali Pietro Gaxera, një ushtarak me këmbë në tokë. Disfata libiane dhe humbja e kolonive afrikane qenë shkëmbinj të vërtetë, që filluan të thyejnë besimin e italianëve ndaj regjimit. Ambiciet e Duçes dhe megalomania egoiste e disa hierarkive dhe e shtëpisë mbretërore po e çonin Italinë në dramën më të zezë. Por, një katastrofë e mëtejshme kishte ndodhur. Katastrofa e groposi përgjithmonë mitin e "luftës paralele" dhe e dënoi Italinë dhe fashizmin në fatin e tij të trishtuar. Kjo rënie fillestare qe sulmi i pamenduar mirë italian ndaj Greqisë. Gabimi më trashanik dhe më i rëndë me pasoja për Musolinin në dyvjeçarin katastrofik 1940-'41, qe pikërisht marrja e vendimit për ta sulmuar në mënyrë të pakujdesshme gadishullin helen: qe një zgjedhje e bërë me një lehtësi të pabesueshme, jo e kushtëzuar nga motivacione strategjike apo ushtarake, por prej një manie të çfrenuar të thjeshtë për prestigj personal. Edhe këtu, ashtu si në rastin e Francës, Duçja mendonte për një "shëtitje" që do t'i sillte lavdi dhe plaçkë të majme. Edhe këtu faktet do t'i refuzonin në mënyrë tragjike mburrjet e tij.
Shqipëria do të ishte baza e nisjes për ofensivën e ushtrisë mbretërore dhe kjo bëri që të hynte rëndshëm në lojë dhëndërri i Musolinit, Galeaco Çiano. Ky e konsideronte vendin e shqiponjave si çifligun e tij personal dhe e mbështeti nxehtësisht projektin e vjehrrit, i bindur se ai do t'i sillte merita dhe pasuri të reja. Egoizmi dhe oportunizmi i Çianos, shkaktuan më shumë dëm se vetë ambiciet e Duçes: në fakt, deri përgatitja logjistike dhe strategjike e ndërmarrjes kundër Greqisë u bë me një pakujdesshmëri amatoreske, duke shikuar vetëm nga aspektet pastërtisht propagandistike. Nuk u vlerësuan siç duhet zonat nga ku do të nisej sulmi, ju besua lloqeve të dykuptimta dhe pakuptim të Çianos që flisnin për një qeveri greke të korruptuar dhe të paqëndrueshme, domethënë e lehtë për t'u përmbysur dhe nuk ia nënshtruan kritikës informacionet e grumbulluara lidhur me aftësitë mbrojtëse/sulmuese të ushtrisë greke. Veç kësaj, çdo vendim u nxitua për të penguar ndërhyrje të vendosura të Hitlerit, i cili tashmë ia kish bërë të ditur aleatit fashist se, ishte kundër çdo operacioni ushtarak italian në Ballkan. Ai do t'u ofronte anglezëve rastin për të ndërhyrë masivisht në këtë zonë, duke i vënë në rrezik vendburimet e naftës të Rumanisë të nevojshme për sulmin e afërt që pas pak kohe nazistët do të lëshonin kundër Bashkimit Sovjetik (Operacioni Barbarosa, 22 qershor 1941). Por Duçja donte që t'i kthente aleatit faktin që kish shpërthyer, Luftën e Dytë Botërore ça e këshilluar aspak qeverinë italiane, me të cilën ishte lidhur nga një pakt i çeliktë. Kështu që veproi me kokën e tij, duke e ndryshuar krejtësisht panoramën e përgjithshme të konfliktit. Në fakt, agresioni ushtarak italian ndaj Greqisë provokoi një seri ngjarjesh me efekt zinxhir: vuri në lëvizje të gjithë situatën e Europës Juglindore, u mundësoi anglezëve të instaloheshin në Kretë dhe në lokalitete të tjera të rëndësishëm të Egjeut (nga ku u përzunë më pas me vështirësi të madhe), kontribuoi në një ndryshim të rëndësishëm në politikën jugosllave që e shtrëngoi Gjermaninë në një ndërhyrje ushtarake të dhunshme dhe të padëshiruar në Jugosllavi, sidomos bëri të shtyhej me 5 javë të rëndësishme Operacioni Barbarosa tashmë i parashikuar kundër Bashkimit Sovjetik. Por, përtej këtij kuadri historik, nuk duhet harruar se pasojat më të këqija të sjelljes musoliniane u paguan nga ushtarët e shkretë të dërguar në frontin grek për të bërë një luftë numerike jo të barabartë.
Çfarë do të kishin thënë e bërë apo lënë të bënin grekët e kërcënuar nga pushtimi i afërt nuk kishte as rëndësinë më të vogël. Zotat e Olimpit musolinian tashmë e kishin vendosur për vete dhe e gjitha kjo ishte më shumë se e mjaftueshme. Indro Montanelli e quajti fushatën e Greqisë si "një mburravecëri të Musolinit". Mburravecëria kushtoi: 13 755 të vdekur, 50 784 të plagosur, 12 638 të ngrirë, 25 067 të humbur, 52 108 invalidë. Këto qenë frytet e "planit logjik dhe bindës" të përpunuar nga diplomacia fashiste e epokës, e përsosur nga Musolini dhe nga Çiano, e miratuar nga Gjenerali Sebastiano Viskonti Praska (komandant i trupave në Shqipëri) dhe pranuar nga Pietro Badolio (Shef i Shtabit të Përgjithshëm) pa kurrfarë ngurrimi. "Vrasës, vrasës, njëmijë herë vrasës...", i shkruan shtëpisë së tij një ushtar nga Greqia në dhjetor të 1940. Qysh më 1939, Gjenerali Alfredo Guxoni (komandant i trupës ekspedicionare italiane në Shqipëri) kishte përpunuar një plan të ngjashëm që do të kërkonte 3 muaj përgatitje dhe 20 divizione, por Musolini dhe Çiano kishin përcaktuar një sulm të shpejtë, një luftë rrufe, "alla gjermane", për t'u filluar me pak divizione dhe brenda 10 ditësh maksimumi, duke u bazuar në supozime të guximshme, pse jo absurde:
se grekët nuk do të luftonin, sepse populli e urrente qeverinë e tij diktatoriale proangleze;
se Çiano kishte shpenzuar miliona lireta për të korruptuar gjeneralët helenë (por, prapa krahëve të tij, të njëjtën gjë kishin bërë edhe anglezët);
se banorët e Çamërisë (pjesë e Epirit), me shumicë shqiptare, do të ngriheshin kundër fqinjve të tyre armiq;
se bullgarët do të ndërhynin në konfliktin italo - grek në krah të Musolinit, duke pushtuar Selanikun dhe Greqinë lindore;
se trupat shqiptare, të integruara në ushtrinë italiane, do të jepnin një kontribut të rëndësishëm në këtë ndërmarrje, sepse njihnin shumë mirë terrenin, ashtu dhe pse donin të çlironin Çamërinë shqiptare;
së fundi, se anglezët, duke pasur parasysh forcat e pakta që kishin në Afrikë për të mbrojtur Egjiptin, nuk do të ndërhynin në ndihmë të popullit grek.
Të gjitha këto supozime rezultuan falso apo të gabuara, por Musolini pati kurajon që të pohojë: "Operacioni është përgatitur deri në detajet më të hollësishme dhe është i përkyer përsa i mundshëm nga pikëpamja njerëzore". Grekët, siç ishte logjike, luftonin heroikisht për të mbrojtur atdheun e tyre të kërcënuar nga pushtimi i papritur. U drejtuan nga gjeneralë të aftë strategjikisht dhe faktikisht. Milionat e Çianos ndoshta u futën në xhep, por të gjithë bënë detyrën e ushtarit të armatosur kundër pushtuesit të huaj. Mbreti Borsi i Bullgarisë pohoi publikisht se nuk do të ndërhynte kurrë në konfliktin në zhvillim. Banorët e Çamërisë nuk u ngritën. Trupat shqiptare, pas humbjeve të para të pësuara, dezertuan pothuajse menjëherë. Ndihma të bollshme angleze arritën në ndihmë të grekëve të sulmuar nga italianët. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, në Shqipëri nuk ishin 20 divizionet e llogaritura nga Guxoni, por vetëm 7: "Ferrara", "Centauro", "Siena", "Litorale", "Julia", "Parma" dhe "Piemonte" (dy të fundit të pozicionuara në mbrojtje të Korçës, në rastin në të cilin do të shfaqeshin trupat greke nga Maqedonia dhe Thraka). Kështu, që me shumë më pak divizione se ato të përdorura kundër abisinëve ëndërrohej një blitzkrieg, "një aksion i shpejtë dhe shkatërrimtar" që do të shkatërronte forcat kundërshtare në mënyrë që "t'i thyheshin brinjët Greqisë", siç u deklamoi shumë herë Musolini bashkëpunëtorëve të tij dhe popullit italian.
Emanuele Graci, ambasadori italian në Athinë, kishte paralajmëruar se ushtarët grekë të mobilizuar nuk qenë më shumë se 250 000. Pjesa më e madhe ndodheshin në kufij të gatshme për të luftuar kundër pushtuesit, por nuk u dëgjua aspak (me kthimin në Itali deri u marxhinalizua). Në total, 7 divizionet italiane kishin një efektiv prej 87 000 njerëzish. Sipas zakonit të gjermanëve, Duçja mendoi edhe që të urdhërojë një incident kufitar, duke bërë të besohej se e kishin shkaktuar grekët. Donte t'i hidhte pak hi syve opinionit publik botëror. Çiano i kërkoi Musolinit: "Kur doni që të ndodhë incidenti?". "Më 24 tetor (1940, shënimi im.)", u përgjigj Musolini dhe Çiano menjëherë: "Me 24 do ta keni incidentin". Në vërtetësinë e incidentit mund të besonin vetëm gazetat italiane të manipuluara me art nga regjimi i liktorit. Në Pallatin Venecia, Musolini dhe hierarkët e tjerë, të bindur se mund ta likuidonin Monarkinë pas dorëzimit preventiv të Anglisë, e linin Mbretin, Viktor Emanuelin e III-të, jashtë nga çdo vendim me karakter ushtarak e strategjik mbi drejtimin e luftës së programuar. Ata tentonin që ta kalonin shtëpinë mbretërore si një grup buburrecësh frikacakë dhe të paaftë (gjë që ishte e vërtetë). Më 19 tetor, Musolini i shkroi Hitlerit për t'i shpallur vendimin luftarak të marrë. Fyhreri ishte akoma në udhëtim për Hendaje dhe Montua `su lë Luar (Akuitani dhe Francë). Duket se letra (teksti i së cilës nuk ka dalë në dritë asnjëherë) e ka ndjekur këmba këmbës. Kur më së fundi e ka arritur, ai i propozoi menjëherë Musolinit një takim për të diskutuar situatën e përgjithshme në Europë. Ky takim u zhvillua në Firence më 28 tetor 1940. Po atë mëngjes kishte filluar sulmi italian ndaj Greqisë. Por duket se, Hitleri nuk ka dashur të diskutojë lidhur me aventurën luftarake fashiste në Ballkan. Ai tha me mirësjellje se, Gjermania ishte dakord me aksionin ushtarak të ndërmarrë nga Italia në Greqi. Pastaj kaloi duke treguar sesi qenë zhvilluar takimet e tij me Gjeneralin spanjoll Fransisko Franko dhe me kolaboracionistin francez Filip Peten. Nuk mund të kihet kurrfarë dyshimi se nuk i pëlqente shumë ajo që ortaku i tij italian po bënte në Ballkan. Pak javë më pas, më 20 nëntor, kur sulmi ndaj Greqisë tashmë ishte bllokuar, ai i shkroi Musolinit: "Kur unë t'u luta që të më prisje në Firence, e fillova udhëtimin me shpresën se mund t'ju ekspozoja mendimet e mia (heqja dorë nga konflikti kundër grekëve, shënimi im.) përpara se të kishte filluar kundërshtia kërcënuese me Greqinë, për të cilën kisha pasur ndjesi vetëm në përgjithësi". Por, në tërësi ai e pranoi vendimin e aleatit dhe mësuesit të vjetër të tij, Benito Musolini.
Përpara agimit të 28 tetorit, ambasadori italian në Athinë (E. Graci) i paraqiti një ultimatum Xhon Metaksait, kryeministër dhe diktator grek. Musolini kërkonte që e gjithë Greqia të pushtohej nga trupat italiane. Njëkohësisht, armata italiane e Shqipërisë pushtonte Greqinë në pika të ndryshme. Qeveria greke, që kishte forca të gatshme në kufi, e refuzoi ultimatumin musolinian. Ai i bëri apel edhe garancisë së dhënë nga Nevil Çembërleni (Kancelari britanik i Skakierës) më 13 prill 1939. Pas këshillës së Kabinetit të Luftës dhe për "një impuls të zemrës së saj albionike", qeveria e Madhërisë së Tij britanike ju përgjigj kështu qeverise helene: "Kauza juaj është kauza jonë, ne do të luftojmë kundër një armiku të përbashkët". Uinston Çërçilli e konfirmoi konceptin, duke i thënë Gjeneral Metaksait: "Ne do t'ju japim të gjithë ndihmën që është në fuqinë tonë. Ne do të luftojmë kundër një armiku të përbashkët dhe do të ndajmë një fitore të bashkuar". Ky impenjim u mbajt pas shumë andrallash. Në bisedimet me Musolinin, Hitleri ishte deklaruar kundër ofensivës italiane në Ballkan, sepse do të viheshin në vështirësi planet e tij të sulmit kundër Rusisë me hapjen e një fronti të konsideruar jo thelbësor për projektet e tij dhe në një sektor, ku Gjermania preferonte ta shmangte ndërhyrjen ushtarake të drejtpërdrejtë në favor të një kontrolli jo të drejtpërdrejtë, nëpërmjet qeverish mike, të atij që e konsideronte hinterlandin natyral të "frontit lindor" të ardhshëm. Kurse Italia e konsideronte Jugosllavinë dhe Greqinë midis objektivave kryesorë të saj ekspansioniste të agresionit. Përparimi në lindje përbënte praktikisht një argument tradicional të politikës dhe të ideologjisë nacionalfashiste që synonte mbi të gjitha të destabilizonte Jugosllavinë, pengesën kryesore të penetrimit të saj në Ballkan. Ndërkohë, qysh nga viti 1933, asistohej në një prani ekonomike dhe politike në rritje të aleatit gjerman në zonën ballkanike, veçanërisht në Rumani e në Bullgari, ndërsa aneksimi i Austrisë nga Gjermania i vitit 1938 shkaktonte një krizë të të gjithë diplomacisë të kryer deri më atëhere nga fashizmi në zonë dhe zbulonte se ishte Gjermania kundërshtari i vërtetë i Italisë fashiste, natyrisht përveç Britanisë së Madhe që gëzonte një influencë tradicionale në Mesdheun qendror. Zhgënjimet e pësuara në fazën e parë të luftës, me fitoret e rrufeshme gjermane dhe figurën e dobët të bërë deri atëhere nga forcat italiane, e kishin forcuar ndjenjën e frustrimit dhe të inferioritetit të diktatorit italian ndaj kolegut gjerman. Ndërsa ushtria, pas dorëzimit të Francës, çmobilizonte gjysmën e divizioneve të përqendruara në ultësirën padane, grupi drejtues italian, nga Mbreti Viktor Emanueli i III-të, tek Duçja, tek ministri i Jashtëm, Çiano dhe tek Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Badolio, bindej për nevojën e gjetjes së një hapësire, e cila, të paktën në letër, të dukej si e lehtë për t'u përfunduar me sukses: pushtimin territorial të Greqisë. Megjithatë, Italisë i mungonte pikërisht ajo forcë ushtarake efikase që do t'i mundësonte të mbështeste ambiciet ndërkombëtare të saj, pa këtë forcë bëhej fjalë më shumë për një strategji utopike dhe të rrezikshme. Në fakt, fillimi i krizës së regjimit të liktorit mund të gjendet pikërisht në sulmin e paarsyeshëm ndaj Greqisë së drejtuar nga diktatori Metaksa (shef i qeverisë greke pas puçit antibolshevik të kryer nga Mbreti Jorgo i II-të më 1936). Në 1939, Rumania ra dakord me Berlinin për eksportimin e lëndëve të para, duke përjashtuar konkurrenten Angli. Pas Rumanisë dhe pas pushtimit italian të Shqipërisë, edhe pse Bullgaria, Jugosllavia dhe Hungaria, vendosën që të qëndrojnë neutrale, kundër vullnetit të tyre do të ngërthehen në manovrat ekonomike gjermane dhe të vendosura përpara zgjedhjesh të detyruara për të mos pësuar pushtimin nga ana e nazistëve. Mbetej Greqia. Orientimi probritanik i saj përbënte një objektiv ushtarak të mundshëm nga ana e forcave të Boshtit, por pse vende megjithatë në gjendje që t'i paraqisnin një rezistencë diplomatike, pse jo dhe ushtarake, janë tërhequr dhe burgosur brenda një kohe të shkurtër në skemat imperialiste të Rajhut gjerman dhe të qeverisë fashiste? Përgjigja është një e vetme: mund ta kishin shmangur një përfshirje të drejtpërdrejtë të tyren, të paktën akoma edhe për disa kohë, sikur t'i kishin kundërvënë aspiratave të Hitlerit dhe të Musolinit, një front të bashkuar dhe kompakt. Por vetë ata qenë në pozicione kundërzhvënëse dhe Boshti do ta kishte te lehtë në nxitjen e rivaliteteve reciproke, veçanërisht përsa u përket çështjeve territoriale që kishin mbetur të pazgjidhura nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore. Qenë krijuar kështu dy blloqe: nga njëra anë Rumania, Greqia e Jugosllavia, nga ana tjetër Bullgaria dhe Hungaria. Por, çështja ka anën proverbiale të medaljes: ajo që preokuponte Hitlerin ishte rreziku i një pushtimi sovjetik i territoreve të tilla përpara se të fillonte Operacioni Barbarosa. Faktikisht Moska, sipas marrëveshjes së Mossulmimit me Berlinin (Pakti Ribentrop - Molotov i 23 gushtit 1939), reklamonte tashmë Besarabinë dhe Bukovinën veriore, e populluar me ukrainas, pikërisht në kurriz të Rumanisë. Për të mos i kompromentuar marrëveshjet ruso - gjermane, Hitleri la që Ushtria e Kuqe t'i pushtonte këto rajone, as nuk dërgoi ndonjë ndihmë në favor të popullsive të pushtuara nga rusët, as nuk propozoi ndërmjetësimin paqëtues të Gjermanisë.
Sipas shembullit të Rusisë, pak muaj më pas edhe Bullgaria dhe Hungaria reklamuan posedimet e humbura me traktatet e viteve Njëzet, por kësaj radhe Rumania urdhëroi mobilizimin e ushtrisë. Kur kriza qe në pikën e shpërthimit, Fyhreri vendosi që të ndërhyjë, duke i dërguar një letër zyrtare sovranit dhe diktatorit rumun Karoli i II-të, në të cilën i lutej që të kthehej në vendimin e tij për të filluar luftimet. Duhej zgjidhur, kësaj radhe me ndërmjetësimin e Gjermanisë, çdo çështje në tryezën e bisedimeve. Pas jo pak vështirësish, nga momenti që kërkesat bullgare qenë me rreze të kufizuar (kishin të bënin në fakt vetëm me një pjesë të Dobruxhës jugore), Mbreti Karol vendosi që të pranojë, ndërsa u demonstrua më shumë se kurrë kundra për të konsideruar kërkesat hungareze lidhur me Transilvaninë e banuar nga etni bashkëmotra. Kur bisedimet e ndërprenë prej papajtueshmërisë së dukshme midis palëve në bisedime, Fyhreri ndërhyri në mënyrë drastike, duke imponuar ligjin e tij. Përfaqësuesit e Rumanisë dhe të Hungarisë u thirrën në Vjenë për një tentativë të fundit paqeje, por e kuptuan shumë shpejt, se nuk bëhej më fjalë për të marrë pjesë aktive në përcaktimin e marrëveshjes së paqes, por për të qenë të detyruar të nënshkruar një traktat, të hartuar nga ministri i Jashtëm gjerman, Joakim Fon Ribbentrop, tashmë i vendosur nga fuqitë e Boshtit: kthimin Hugarisë të 1/3 të Transilvanisë veriore, me të drejtën e përdorimit për Rumaninë të të gjitha pasurive nëntokësore. Është dokumenti i bërë i njohur si Arbitrazhi i Dytë i Vjenës (30 gusht 1940). Pasojat qenë një tharje e papritur e raporteve ruso - gjermane dhe fundi i diktaturës të Karolit të II-të. Në të vërtetë, tirani nazist nuk i kish besuar kurrë monarkut rumun dhe nuk u tregua se i erdhi keq kushedi se çfarë kur më 6 shtator 1940 Mbreti abdikoi në favor të të birit Mihal, dhe ia delegoi të gjitha pushtetet Gjeneralit pronazist, Ion Antonesku. Ky i fundit u ngut që të kërkojë zyrtarisht ndërhyrjen ushtarake gjermane nga frika e revoltave popullore dhe për mbrojtjen e vendburimeve të saj të naftës. Kështu, Vermahti hyri "ligjërisht" në Rumani dhe me kokën lart me Divizionin e XIII-të të korracuar, reparte sulmuese dhe njësi kundërajrore. Përballë një lëvizjeje të tillë të papritur, Musolini u ndje në njëfarë mënyre i anashkaluar nga aleati i tij luftarak i përtejalpeve. Është atëhere që u formësua në mendjen musoliniane projekti i pushtimit të Greqisë. Ishte tashmë një çështje politike dhe prestigji: Italia nuk mund t'i lejonte vetes, që të dukej si spektator i thjeshtë ose më keq, si një "qen nën zinxhirin e Gjermanisë " që priste vetëm mbeturinat e padronit bashkëluftarak prepotent të saj.
Qeveria "armike" ajo e diktatorit Metaksa, lëkundej midis influencës ideologjike të boshtit dhe pranisë të Britanisë së Madhe në Mesdhe. Pa përbërë një problem të vërtetë për strategjitë kontinentale italo - gjermane, pa një përgatitje ushtarake të përshtatshme, përkundrazi, me një nënvlerësim të paparë të forcave të armikut, si ushtarake, ashtu dhe politike, me plane pushtimi të improvizuara, duke menduar se qeveria e Metaksait ishte e paaftë që të reagonte dhe se popullsia nuk do t'i kundërvihej pushtimit italian dhe pa motivacione strategjike reale, me 28 tetor 1940 ju paraqit Greqisë një ultimatum i pamundur për t'u pranuar. Metaksai e kuptoi se lufta qe e pashmangshme. Ai e priti sulmin nga Shqipëria dhe një pushtim nga deti. Për këtë, kërkoi ndërhyrjen e flotës angleze, por e dinte se përplasja tashmë ishte vendosur, duhej luftuar vetëm për nderin e kombit. Popullsia greke reagoi ndaj pushtimit, duke e ndihmuar me të gjitha forcat e saj ushtrinë, një valë patriotizmi mbështeti qeverinë Metaksa në aksionin mbrojtës dhe, në raste të caktuara, popullsia civile mori pjesë drejtpërsëdrejti në luftën për mbijetesën e saj. Vetë Musolini, pas parashikimeve optimiste, por edhe iluzive, lidhur me cedimin e shpejtë të supozuar të "frontit të brendshëm" armik, pohoi: "Grekët e urrejnë Italinë si asnjë popull tjetër. Është një urrejtje që në shikim të parë duket e pashpjegueshme, por është e përgjithshme, e thellë, e pashërueshme, në të gjitha klasat, në qytete, në fshatra, lart, poshtë, kudo. Pse-ja është mister". Pas sulmit gjerman ndaj Polonisë, deklarimi i asnjëanësisë së Italisë u vlerësua nga grekët me lehtësim të madh. Në Poloni, fjala u takonte pancerëve, por pasi që Roma (poli tjetër i Boshtit Romë - Berlin) çuditërisht qëndronte neutrale, lufta mbetej larg nga baseni jonian. Sidomos në një moment në të cilin raportet italo - greke qenë shumë të tendosura, qëndrimi pacifist i Musolinit përfaqësonte një motiv qetësie për popullin helen. Kontaktet midis Italisë dhe Greqisë nuk kishin qenë asnjëherë shumë të përzemërta. Nëqoftëse e kthejmë shikimin prapa, do të shikohet se pikat e kontrastit midis dy vendeve kishin lindur qysh nga Lufta e Parë Botërore. Në fakt, gjatë traktativave që kishin çuar në nënshkrimin e Paktit të Londrës (26 prill 1915) fuqitë e Aleancës së Trifishtë (Francë, Angli dhe Rusi, shpejt të shoqëruara nga Japonia dhe më pas nga Rumania) i kishin premtuar si Greqisë, ashtu dhe Italisë dhënien e sferave të influencës që shtriheshin në të njëjtat zona të Azisë së Vogël. Gjatë kaluarit për nënshkrimin e marrëveshjeve të paqes (Versajë, 18 janar 1919), Elefterios Venizellos (kreu i qeverisë greke) kish arritur të siguronte konçesione shumë të mëdha të gjitha në dëm të Italisë, ndërsa kontrastet vazhdonin për përcaktimin e kufijve midis Shqipërisë dhe Greqisë: Italia, e sigurtë se e para do të binte herët a vonë nën dominimin e drejtpërdrejtë ose jo të liktorit kërkonte që ta favorizonte në pretendimet e saj, ndërsa Greqia nuk e fshihte një pakënaqësi të thellë për aq pak sa kish siguruar gjatë luftërave ballkanike. Veç të tjerash, e konsideronte përkatësi të saj të gjithë Shqipërinë jugore, të paktën deri në zonën e Gjirokastrës. Do të mjaftojë të kujtohet një fakt: pikërisht teksa procedohej me përcaktimin e kufirit greko - shqiptar, vritet në Janinë Gjenerali Enriko Telini. Nga kjo u shkaktua ndërhyrja e përkohshme ushtarake italiane në Korfuz, një kujtim që akoma digjte në shpirtin e grekëve. Më 27 gusht 1923, Telini drejtonte një komision ushtarak të ngarkuar nga Konferenca e Versajës për të përcaktuar kufirin e kontestuar midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Italisë i qenë kontestuar synimet aneksioniste mbi të gjithë Heptanezin, arkipelagun e ishujve jonianë. Në të vërtetë, frika është joproporcionale me entitetin e orekseve italiane të stimuluara nga lëngjet gastrike të një rrethi të ngushtë personalitetesh fashiste. Mund të pohohet në mënyrë të arsyeshme, se opinioni italian nuk interesohej për Heptanezin, ashtu si për të gjithë Greqinë. Por në Greqi kjo nuk vihej në hesap dhe herëpashere frikërat e goditjeve në Jon gjallëroheshin sidomos kur ato që i nxisnin qenë burime të denja për respekt. Nëqoftëse u duhet zënë besë disa dokumentave të epokës, zëra të kësaj natyre e gjenin nganjëherë origjinën e tyre në ambientet e Vatikanit. Motiv mosmarrëveshjeje ishte pushtimi i Dodekanezit, rrëmbyer Turqisë nga grekët, por që gëzonte një popullsi kryesisht greke. Nga ana tjetër, kuptohej se pas njohjes së legjitimitetit të posedimit italian nga ana e fuqive të mëdha (Versaja), kishte pak për t'u shpresuar në Greqi rreth fitimit përfundimtar të këtij sektori të Egjeut jugor. Një goditje e mëtejshme ndaj marrëdhënieve të brishta italo - greke qe pushtimi i Shqipërisë. Italia bëhej një fqinj i papëlqyer pikërisht në kufij të kontestuar. Nëqoftëse u pranuan me mirënjohje të dukshme sigurimet italiane lidhur me mungesën absolute të synimeve agresive ndaj popullit grek, u pranuan njëlloj me favor mirënjohës "garancitë" e Francës dhe të Britanisë së Madhe (mbështetje politiko - ushtarake) të drejtuara në mënyrë të dukshme kundër interesave të Italisë në Peloponez. Mëngjesin e 28 tetorit 1940, ambasadori italian në Athinë i paraqiti një ultimatum qeverisë greke. Italia pretendonte të pushtone një seri të tërë vendesh strategjike për të "garantuar neutralitetin e Greqisë". Pushtimi do të zgjaste gjatë të gjithë luftës kundër Britanisë së Madhe. Sipas notës së ardhur nga Roma, grekët kishin 3 orë për t'ju përgjigjur pozitivisht apo negativisht ultimatumit. Italia nuk ishte e gatshme të bëntë traktativa. Gjenerali Xhon Metaksai, kreu i qeverisë greke, nuk ju përgjigj aspak kërkesës dramatike italiane. Në orën 6 të mëngjesit të së njëjtës ditë, trupat italianë kaluan kufirin greko - shqiptar. CSTA-ja (Komanda e Lartë e Trupave në Shqipëri) kishte marrë urdhërin që të fillonte luftimet kundër Greqisë pas orës zero të 28 tetorit (1940) dhe një urdhër i njëjtë ju transmetua komandave në varësi, duke saktësuar se aksioni duhej të hynte në fazën ekzekutive në orën 7 e 30 minuta. Moti i keq dhe konsiderata personale i shtynë komandantët e dy korparmatave të destinuara për në Greqi të lëviznin në mëngjes. Patrullat e para e kaluan kufirin grek nga ora 6 e 30 minuta, por qe vetëm një rastësi nëse ndonjë nuk lëvizi menjëherë pas mesit të natës dhe, për pasojë, përpara akoma se ambasadori italian t'i paraqiste Metaksait urdhërin final të Romës. Kjo veçanti është shpjeguese e të gjithë mendjelehtësisë që i parapriu përgatitjes së konfliktit italo - grek. Më 28 tetor 1940, pa motive dhe pa një përgatitje të përshtatshme, filloi hyrja në fushatën moçal të Greqisë. Në gjyqin e Veronës, që në janar të 1944 e pa të dënuar me vdekje dhe, për pasojë të pushkatuar, ambiciozi Çiano ishte gjykuar për "komplotin" e 25 korrikut, por ai qe vetëm kurorëzimi i mënyrës së tij të ngutur të të vepruarit. Më parë, i kish shkaktuar tashmë kombit dëme të pamatshme (nënshkrimin e Paktit të Çeliktë më 22 maj 1939). Fushata e Greqisë qe kryevepra e tij politiko - ushtarake. Tregoi - dhe u besua - se kish korruptuar elementë ushtarakë grekë të nivelit të lartë. Nga ana e tij, Pietro Badoglio, me lehtësi kriminale pranoi që ta miratojë operacionin e përtejdetit pa u konsultuar as me përgjegjësit e Marinës dhe të Aviacionit.
Strategjikisht, fushata qe një operacion idiotesk. U vendos të sulmohej nga malet, me perspektivën se nëqoftëse gjërat do të ecnin mirë, do të duhej të kalohej një zinxhir malesh njëri pas tjetrit dhe për më tepër u sulmua në kushtet e një inferioriteti të madh numerik. Duke pranuar nevojën për ta bërë, lufta me Greqinë mund të ishte zgjidhur brenda pak orësh: nga Taranto, flota do të arrinte Pireun dhe po atë mbrëmje Greqia do të gjendej me një qeveri të lidhur pas pozicioneve të Boshtit. Nuk u zbatua as "emergjenca G" që parashikonte zbarkimin në Korfuz, pak kilometra largësi nga kontinenti. Zgjidhje tjetër, po aq logjike dhe pak e kushtueshme, do të kishte qenë ajo e rakordimit të operacionit luftarak me aleatin gjerman. E gjitha kjo u shpërfill dhe pasojat qenë të pamëshirshme: nga ai moment e prapa, e mundur në Greqi, Italia e Musolinit do të bëhej një entitet shtetëror dhe ushtarak që varej ekskluzivisht nga vendimet e Adolf Hitlerit, Fyhrerit despotik të nazistëve. Vetëm ai arriti që ta nxirrte nga belaja mikun Musolini, duke penetruar në Greqi me panterat e tij nga kufiri bullgar dhe duke arritur Selanikun brenda pak ditësh pa luftuar, pasi kishte xhiruar linjën greke Metaksas (Operacioni Marita, 6 prill 1941). Sëmundje, pushime, paspune, pensione, çertifikata invaliditeti, mbrojtje sociale, shtëpi popullore, inspektoriat pune, korporata për klasa, kooperativa shoqërore, e drejtë pune për gratë, çeqe familjare, bonuse fëmijë, shkollë falas për fëmijët e punëtorëve, reformë shkollore, ndarje kapitalit social midis punonjësve, 100 000 punësime në sektorin publik dhe ndërtim i mbi 6000 lagjeve popullore. Gjithçka fashizmi kishte bërë të mirë zhdukej po qe se krahasohej me disfatën ushtarake të pësuar në Greqi.
Përgatiti: ARMIN TIRANA





