Dashnorja e Papëve


Historia e Mbretëreshës dinake Marocia. U martua me një mbret, u dashurua nga Serxho i III-të, por u tradhtua nga një gotë verë

Epsh, kënaqësi mishtore dhe ves vendosën fatet e Europës gjatë shekujve, të paktën po aq sa forca, kurajoja dhe vlera. Në dhomat martesore erëqelbura të shtretërve me baldakin të të fuqishmëve, gra të zgjuara dhe shumë të bukura, krejtësisht të privuara nga skrupujt dhe morali, imponuan vullnetin e tyre ndaj sovranëve, princave dhe papëve, të korruptuar nga dëshira dhe të rënë pre e instinkteve të tyre. Të dominuara ne jetën publike, por padrone të padiskutueshme dhe të pathyeshme në jetën private, këto mëkatare të mëdha, manipuluese të vërteta të historisë, konspiruan në errësirë dhe manovruan me dinakëri burrat që i dëshironin për të përfituar në shkëmbim favore dhe pushtet. Këto ndodhitë (jo për të gjithë të njohura) e bashkëshorteve, nënave, bijave, konkubinave, dashnoreve. Marocia qe njëra prej tyre.

E lindur në vitin 890 në një Romë të korruptuar, të shkatërruar nga luftëra e pushtime, e shpopulluar nga zi buke e epidemi sëmundjesh, ishte e destinuar të bëhej një prej grave më të fuqishme dhe më mizore të historisë. Cinike dhe ambicioze, e pajisur me një hir të parezistueshëm, Marocia ishte bijë e Teodorës dhe e Teofilatit, pasardhës të Alberikos nga Tuskolo, familje e kodrinave Albane. Tashmë e shfrenuara Teodora, nëna e saj, ishte grua llogaritëse dhe e vendosur, e tepruar në vese dhe në ambiciet për pushtet. Për rreth 40 vjet, Teodora dhe Marocia kontribuan të transformohej qyteti i përjetshëm në atë "Roma deplorabilis", kundër së cilës më vonë do të sokëllinte Martin Luteri. Qe kështu që nëpër rrugët e fëlliqura, teatër luftërash të vazhdueshme midis fraksionesh kundërshtarë, një popullsi e paarmatosur pa identitet, e gjuajtur tani nga dikush fuqishëm, tani nga një tjetër, pa të sfilojnë në pragun papnor rreth 20 papë në vetëm 35 vjet, pjesa më e madhe e të cilëve të rënë pre e instinkteve më të ulëta, pothuajse të gjithë të vrarë në mënyrat më mizore.

E gjithë historia e pati fillimin (nëqoftëse do t'i jepet një i tillë) fill pas lindjes së vogëlushes Marocia, saktësisht në shkurt të vitit 897, vit në të cilin populli i Romës, i frenuar nga ushtarët, u derdh në sheshin e Shën Gjonit në Laterano për një ngjarje të jashtëzakonshme: Procesin kundër Papës Formozo. Ati i Shenjtë, i akuzuar se kishte uzurpuar pragun papnor, ishte çvarrosur pas 10 muajsh nga vdekja dhe kockat e ngrata, që mezi u rezistonin veshjeve papnore, të vendosura në pozicion uljeje në qendër të sinedrit të madh. Akuza publike përfaqësohej nga Serxho III, në atë kohë Peshkop i Çeres. I njohur si fajtor, Papës iu prenë tri gishtat e bekimit të dorës së djathtë dhe iu hodhën në lumin Tiber, midis duartrokitjeve të një turme në delir.

Legjenda thotë që kufoma e Papës së mjerë u gjet nga një peshkatar, e ngecur në rrjetat e tij dhe u rikthyen në Shën Pjetër ose, sipas disa të tjerëve thuhej se, i ndjeri Formozo iu shfaq në ëndërr një murgu dhe i tregoi se në çfarë pike të bregut të lumit do ta gjente kufomën për ta varrosur. Nga ana tjetër, ai proces ndaj Papës Formozo nuk ishte gjë tjetër veçse mjeti i duhur për të vënë në qendër të skenës protagonistët e tij, të parin nga të gjithë atë Serxho të Çeres, manipulues i aftë, që pak vite më pas do të komplotonte në krah të Teofilatit dhe Teodorës, duke u krijuar fatin. Për momentin, me të rënë euforia e ngjarjes makabre, procesi i kishte mundësuar fraksionit formozian për të nxitur popullin, të rënduar nga brerja e ndërgjegjes, që t'i përzinte armiqtë spoletas, të cilëve u përkiste edhe Teofilati dhe gruaja e tij Teodora.

Aspak të mundur, në vitet e mërgimit këta të dy e përgatitën në hije hakmarrjen e tyre. Lidhur me ta qarkullonin shumë zëra. Kishte që thonin se në rini ajo ishte ushtruar në bordelin më prestigjioz të Romës dhe se i shoqi e përdorte si armë për të realizuar ambiciet e tij. Sigurisht që dihet se ishte një grua me një bukuri të rrallë dhe krejtësisht e privuar nga skrupujt. Në fakt, gjatë largimit, Teodora nuk kishte humbur kohë dhe, me nuhatjen e potencialiteteve karizmatike të Peshkopit të Çeres, ishte bërë dashnorja e tij. Kështu, të kthyer më së fundi në Romë në vitin 903, Teofilati dhe Teodora e kishin përgatitur mirë terrenin për ngjitjen e tyre drejt pushtetit. I përzënë Papa legjitim, falë mbështetjes ushtarake të Alberikut, Dukës së Kamerinos dhe Spoletos, Teofilati e futi në Romë Peshkopin Serxho dhe e imponoi si Papën e ri me emrin Serxho III.

Mirëkuptimi midis Serxhos së III-të dhe familjes së Kontëve Tuskolo ishte e përkryer. Teofilati u emërua menjëherë vestararius, domethënë shef i administratës financiare të Kishës, ndërsa gruaja e tij Teodora u bë vestarissa. Por projektet ambicioze të të dy bashkëshortëve, sidomos të Teodorës, nuk u ndalën këtu. Marocia ishte vetëm 15 vjeç kur dërgohet nga e ëma e saj në dhomën martesore të plakut Serxho i III-të, i cili u bë dashnor i nënës dhe dashnor i bijës pak më shumë se fëmijë. Shpresa e Teodorës ishte që vajza e saj të mbetej shtatzënë me Papën, për t'u bërë kështu "papeshë - nënë" dhe ajo, për pasojë, një lloj "papeshe - gjyshe". Kështu ndodhi. Por mos të krijohet ndonjë keqkuptim, Marocia me 15 vitet e saj nuk ishte aspak viktimë dhe e nënshtruar e një nëne despotike. Njëlloj, në mos më keq, se ajo, Marocia ishte një grua me ambicie e vendosmëri të tillë e të shumtë dhe e aftë për guxim të tillë, saqë historiani Gibëns sugjeron se ka qenë frymëzuar prej saj legjenda e Papeshës Xhovana, të cilës iu besua deri tek Reforma.

Në një vit të pasaktësuar që lëkundet midis vitit 907 dhe vitit 910, Marocia pati nga Papa Serxho i III-të një djalë, Xhovanin dhe vetëm në moshën 18-vjeçare emërohet senatore. Nënë e bijë qenë në atë kohë gratë më të frikshme dhe më të fuqishme jo vetëm të Romës, por të gjithë Italisë. Megjithatë për Teodorën fundi ishte tashmë i afërt. E paditur për atë që e priste, ajo kishte zënë ndërkohë një dashnor tjetër të ri, Xhovanin nga Tosinjano, një arqiprift i dërguar në Romë nga Arqipeshkëvi i Ravenës si njeri i besuar i tij. Shumë shpejt ai u bë këshilltar i ngushtë i oborrit të Teofilatit, ndërsa Teodora bëri gjithçka për t'i lehtësuar ngjitjen në fronin papnor.

Me vdekjen e Papës Serxho i III-të në vitin 911, Marocia, që sapo kishte mbushur të 20-at (duhet të gjente shpejt një burrë tjetër me të cilin të rrinte afër dhe ta ndihmonte në ngjitjen e saj drejt pushtetit. Vendosi për atë Alberik Dukë të Spoletos dhe Markez të Kamerinos që vite më parë kishte ndihmuar Teofilatin për të futur në Romë të sapovdekurin Serxho i III-të. Në vitin 916, nga bashkimi i Marocias dhe Alberikut lindi djali Alberiku i II-të. Megjithatë, bashkëshorti i ri i Marocias nuk ishte njeri i fuqishëm, nuk kishte aleanca të rëndësishme, madje përbuzej nga shumë oborre italiane që e konsideronin si një lloj lakeu.

Bërja një njeri i madh, i admiruar dhe i respektuar ishte misioni i Marocias. Rasti erdhi kur pas dy papëve kukulla, dashnor - nxënësi i ri i Teodorës, Xhovani nga Tosinjano, emërohet Papë me emrin Gjoni i X-të. Ngjarje kjo e destinuar që të shënonte fillimin e fundit për çiftin Tuskolo. Jo Papë kukull si paraardhësit, por njeri me këllqe, energjik dhe i zgjuar, Gjoni i X-të e urrente idenë se manovrohej nga duart e afta të Teofilatit dhe Teodorës, edhe pse ia detyronte atyre fatin e tij. I nxitur nga i vëllai Pietro nga Tosinjano dhe i mbështetur nga familja e Kreshencëve, që gjithmonë e kundërshtonin stërfuqinë e Tuskolove, Gjoni i X-të vrau Teodorën dhe Teofilatin. Marocia dhe Alberiku më fëmijë më pas u arratisën në Orte, kështjellën e markezatit më afër me Romën, por u sulmuan gjatë natës nga hungarët e rekrutuar nga Tosinjanot.

Marocia arriti të shpëtojë me të vegjëlit Xhovani dhe Alberiku i II-të për t'u strehuar në margravin e Tushias të vëllait për babë të Mbretit të Italisë, Guidos, ndërsa Alberiku pas disa ditësh rezistence krenare vritet. Në këtë pikë Marocia, e mbetur edhe njëherë akoma e vetme, nuk pati zgjedhje tjetër përveçse të bashkohej me Guidon dhe të nisej me të në ripushtimin e Romës. Kapitullimi qe i menjëhershëm. Pietro Tosinjanos iu pre koka dhe Papa Gjoni i X-të u mbyll në Kështjellën Sant'Anxhelo, ku disa ditë më pas u mbyt. Në këtë pikë Marocia, përveçse ishte senatore dhe patrice, u bë edhe Konteshë e Tuskolos, Markezë e Kamerinos dhe Dukeshë e Toskanës.

Padrone e pakundërshtueshme e qytetit, me një pushtet të pafundmë dhe një pasuri të pafundme të akumuluar, Marocia ishte gati të realizonte të gjithë ëndrrat e saj të madhështisë. Por fati deshi që edhe njëherë akoma të mbetej e vetme, pasi Guido u ndesh me një vdekje të papritur. Në tri vitet e ardhshme gruaja zgjodhi dhe vrau papë të ndryshëm në pritje që djali i madh i saj të arrinte një moshë të tillë që të mund të bëhej vetë papë, gjë që nuk mund të ndodhte përpara vitit 930, kur Xhovani, vetëm 25-vjeçar, u ngjit në fronin papnor me emrin Gjoni i XI-të. Në njëfarë kuptimi planet e nënës Teodorë që e kishte shtyrë të bijën 15-vjeçare në dhomën martesore të Serxhos së III-të që të mbetej shtatzënë me një Papë të ardhshëm qenë realizuar. Por Marocia, jo e shpërblyer, synonte akoma më lart.

Makutëria e saj, e barabartë vetëm me etjen e saj për pushtet, e bënte të dëshironte titullin e Mbretëreshës së Italisë. Për ta bërë të vërtetë këtë ëndërr ishte e nevojshme që të martohej me Ugon e Provansës, ish-Mbret i Italisë, vëlla për babë i burrit të ndjerë të saj. Në kushte normale, pengesa e vetme do të ishte ligji kanonik, sipas të cilit nuk ishte e mundur në atë kohë që të martoheshe me kunatin tënd. Pengesë lehtësisht e xhirueshme për një grua me pushtet të tillë, për më tepër nënë e një Pape. Në fakt, nga njëra anë Ugo gënjeu nën betim duke pohuar se Guido nuk ishte vëllai për babë i tij, ndërsa nga ana tjetër Marocia verboi vëllain e tretë të tyre, Lamberton, Dukë të Toskanës, i cili kishte akuzuar Ugon për tradhti, ndërsa i paarmatosuri Gjoni i XI-të nga ana e tij, bekoi martesën midis së ëmës dhe babait të ri të tij në dhomat e Kastel Sant'Anxhelos.

Marocia dukej e papërmbajtshme, çdo projekt i saj, çdo dëshirë e saj, çdo plan i saj, boll që ta mendonte dhe menjëherë ai konkretizohej. Nuk e dinte se pak kohë më pas do të ishte pikërisht gjaku i gjakut të saj ai që do ta ndalonte. Ishte pikërisht Alberiku i II-të "ai bir që nuk e kishte dashur kurrë ishte pjesa e errët, i pakapshëm në vetvete që herët a vonë, siç e kishte ditur gjithmonë, do ta mundte". (Laura Toskano "Jeta e jashtëzakonshme dhe e ndyrë e Marocias që deshi të bënte Perandoren"). Sapo kishte mbushur të 23-at, ai ishte portreti i nënës së vet. "Shumë i hijshëm dhe i fuqishëm si person", siç do të shkruhej shekuj më pas, "nga Marocia kishte marrë bukurinë, mendjen e lartë dhe ambicien; nga i ati kurajën, guximin dhe nxehtësinë".

Gjithçka ndodhi papritmas prej një fataliteti gjatë ceremonisë martesore. Arroganti Ugo i Provansës në fakt pretendoi që t'i njiheshin nderimet mbretërore që i takonin dhe të ishte jo një pap i çfarëdoshëm, por Alberiku i II-të personalisht ai që t'i servirte verën, në shenjë nënshtrimi dhe respekti. Djaloshi, krenar, refuzoi dhe madje derdhi nga njerku gotën e verës që kishte në dorë, duke marrë si përgjigje një shpullë. Në këtë pikë "edhe muzikantët u ndalën. Marocia e ngurosur priste reagimet e të birit. Ai e shikoi dhe buzëqeshi. Atëhere ajo kuptoi se momenti i frikshëm dhe i pritur qysh nga lindja e tij kishte ardhur". Alberiku i II-të shtathedhur dhe krenar doli nga salla, "i ndjekur menjëherë nga të rinjtë Franxhipane, Kapicuki, Kreshenci e Pierleoni. E gjithë fisnikëria romane ishte rreshtuar".

Në një çast krijoi një revoltë midis atyre, të lodhur nga stërfuqia e Marocias, donin të hakmerreshin. Menjëherë kështjella u sulmua nga çdo anë "patkonjtë e kuajve kumbonin me zhurmë në sallat e mëdha, në korridoret e gjerë, përgjatë rampës helikoidale. Tërbimi i atij sulmi të papritur nuk u ndal përpara asgjëje". Ugo tentoi arratisjen duke zbritur me një litar, por u kap dhe masakrua me të gjithë ndjekësit e tij. Edhe Papa Gjoni i XI-të u tërhoq mënjanë dhe u izolua. Aty për aty, në konfuzionin e krijuar "askush nuk e vrau mendjen për Marocian që edhe njëherë akoma u braktis. Por kësaj radhe as ajo nuk tentoi të shpëtonte, siç do të kishte bërë sigurisht nëqoftëse armiku do të kishte qenë i ndryshëm". Kur gjithçka mbaroi dhe njerëzit e Alberikut të II-të u rikthyen në dhomën ku kishte qenë banketi, atë e gjetën aty, "të vetme, duke ndenjur me krenari, e gatshme që të ndiqte fatin e saj". Fillimisht u mbyll në një kuvend, u vra brutalisht pak më vonë nga disa doras të dërguar nga i biri.

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Related Posts: