At Anton Harapi, një lider i madh politik e shpirtëror i shqipta


At Anton Harapi, një lider i madh politik e shpirtëror i shqiptarëve.

Marre nga gazeta Rilindja Demokratike, 4 maj 2008



Kujtesa e përbashkët për kontributin e Pater Anton Harapit, françeskanit të madh shkodran, jo vetëm në lëmin fetar, por së pari në atë të modernizimit të kombit shqiptar ka mbledhur dje në një mjedis të posaçëm të hotel “Sheraton” në kryeqytet ajkën e kulturës, shkencës e publicistikës shqiptare.

Instituti i Studimeve Politike “Alcide de Gasperi”, në 120-vjetorin e lindjes së At Anton Harapit ka mbajtur konferencën “At Anton Harapi (1888-2008) - Një jetë kushtuar Shqipërisë”, ku lektorët kryesorë kanë qenë kontributorë të njohur të shkencës, por edhe drejtuar të institucioneve kulturologjike në vend.

“Pas përmbysjes së diktaturës komuniste, një nga trashëgimitë më të mnershme që i mbeti kombit, ishte manipulimi historik, armë në duart e pinjollëve të diktaturës, e njëkohësisht, një turp për të gjitha mendjet e shëndosha, e nisi fjalën e vet hyrëse, drejtori i Institutit “Alcide de Gasperi”, publicisti i njohur Fahri Balliu. Një fat të tillë pat edhe shqiptari i madh, figura më e rëndësishme e kulturës kombëtare, pas vdekjes së Fishtës e Konicës dhe ekzilit të Nolit, At Anton Harapi. Mbi të u hodh papushim baltë e egërsi nga propaganda komuniste, theksoi Balliu. Enver Hoxha do t’i mburrej ambasadorit jugosllav në Tiranë, Josip Gjergjias se ‘e vramë edhe Anton Harapin’. Sigurisht diktatori - vegël e provuar e sllavëve, mburrej se kishte vrarë më të shquarin e bashkombasve tanë të asaj kohe. Ana e turpshme që na sjell në kohët moderne e që s’na lë të harrojmë, është fakti se kjo mburrje sot e kësaj ditë përdoret si argument historik. Ajo mburrje vijon të mbetet krejt thelbi shkencor i historiografisë komuniste dhe i historianëve të saj mjeranë, batakçinj e të provuar si të vënë në shërbim të interesave sllave”, theksoi ndër të tjera Fahri Balliu, organizatori i konferencës së djeshme përkujtimore.

Duke patur si lejtmotiv, thënien e vetë françeskanit Harapi “A e dini se çdo ndërtese i vihen themelet n’dhe? Edhe n’vorr në hyjshim duhet t’jemi gurt e themelit t’asaj binaje t’cillen sot e quejm Shqipni”, kanë mbajtur ligjëratat e tyre personalitete të njohura të shkencës, kulturës e albanologjisë.
Prof. Ardian Marashi, drejtor i Qendrës Kombëtare të Albanologjisë mbajti kumtesën me titull, “Aty ku vlera shpirtnore e vlera intelektuale përputhen: At Anton Harapi”, në qendër të së cilës mbeti roli angazhues që mbajti
Pader Antoni gjatë viteve-zgrip të vendit, Luftës së Dytë Botërore.
Prof. Kolec Topalli, u ndal në kumtesën e vet tek shqyrtimet etimologjike mbi fjalë e forma të rralla, që janë përdorur në veprën letrare të Anton Harapit.
Kolonel Sander Lleshi u përqendrua gjatë kumtesës së vet në një aspekt të veçantë të personalitetit të At Anton Harapit; këndvështrimit që kishte për të Ministri gjerman Hermann Neubacher.
Kolec Çefa solli për audiencën e përzgjedhur të Institutit “Alcide de Gasperi” informacione për disa prej artikujve publicistikë të At Anton Harapit, ende pak të njohur nga publiku i gjerë.
Magjistër Evalda Paci ka sjellë nga Shkodra një tjetër këndvështrim ndriçues për veprën e françeskanit Anton Harapi, atë mbi disa vëzhgime gjuhësore mbi prozën e tij.
Sërish nga Shkodra, Dr. Gjovalin Çuni është ndalur tek njëri nga aspektet kryesore të kontributit publik të Pater Anton Harapit; përmasës së një lideri shpirtëror. Kumtesa e tij mbante titullin “Doktrina sociale e Kishës në ligjëratat e At Anton Harapit”.
Dr. Arben Ndreca, një studiues i njohur, që jeton e punon në Itali, solli për publikun një shtjellim të gjerë mbi pasqyrimin e problemeve shqiptare në aktivitetin publik e religjioz të At Anton Harapit.
Magjister Raim Beluli, një studiues nga Elbasani ka ndriçuar mbi njërin nga aspektet kryesore, të keqtreguara nga historiografia e kohës: Gjyqin e liderit Harapi. Beluli ka sjellë citime mjaft të vyera që treguan edhe përmasën publike që Pater Anton Harapit e avokati i tij i dhanë aspektit juridik të Mbrojtjes në procesin e montuar gjyqësor, që diktatura enveriste mbajti ndaj tij, menjëherë pas uzurpimit të pushtetit, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Doktoresha e shkencave filozofike, Ledri Kurti ka mbajtur një kumtesë mbi kontributet e Anton Harapit, si analist i kodeve etike, psikologjike dhe estetike të kombit shqiptar.
Mbi digresionet në prozën letrare të At Anton Harapit ka mbajtur një ligjëratë Dr. Anton Gojçaj, ndërkohë që për audiencën është sjellë edhe një dëshmi e Prof. Genc Korçës, djalit të patriotit Xhevat Korça, mbi çastet e fundit të jetës së françeskanit të madh.
Edhe Beqir Ajazi, Kalorës i Urdhrit të Meritës, të Republikës franceze, ish-gazetar e bashkëvuajtës i Anton Harapit, solli disa dëshmi personale nga personaliteti i madh e me rrezatim ndërkombëtar i françeskanit të madh.
Konferenca e Institutit të Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” për At Anton Harapin u mbajt në vazhdën e aktiviteteve spikatëse që ky forum intelektual zhvillon për evidentimin e kontributit mijëravjeçar të shqiptarëve, si bashkëthemelues të qytetërimit perëndimor.