Kur Kosova u bë drita e botës

NGA: MARIUS CHELARU



(Shkrim i botuar në Floripress,Facebook,Twiter dhe Bota sot)


Duke e prurë Jahja Llukën në gjuhën rumune, Baki Ymeri ia shton edhe një pjesë magjike misterit poetik nëpërmjet të cilit autori ynë mund të krijojë një përfytyrim mbi mënyrën se si ndjehet dhe shkruhet në gjuhën e sotme shqipe, në vende të ndryshme ku gjenden pasardhësit e dardanëve.


Dy janë koordonatat ndërmjet të cilave mund t’i plasojmë tekstet e Jahja Llukës, poet shqiptar nga Kosova, jeta e të cilit i është përkushtuar edhe veprimtarisë sociale dhe politike, gjë për të cilën ka qenë i burgosur (nga regjimi serb) si pasojë e bindjeve të tij, periudhë të cilën e gjejmë në poezinë „I burgosur” (Në qelinë ku drita e diellit/ nuk futej/ frymova me zor për muaj / s`e dija as kur ishte ditë/ e as kur ishte natë./ I lodhur asht e lëkurë/ lutesha të dilja i gjallë/ vetëm ta puthja edhe një herë / baltën e dheut tim.). Dhe pastaj pason dashuria ndaj atdheut (atdheu është si feniksi/ ringjallet/ nga hiri i tij/ për ta kthyer/ shkëlqimin e humbur/ ndër shekuj), për liri.
Poeti shqiptar shkruan edhe për femrën, për të dashurën, për pritje, për kujtimin e të priturës apo të humburës (Veç kujtimet më mbetën / jam lodhur/ s'e pres më / kthimin tënd.). Apo: “Në portën e shtëpisë sime/ më vjen hija jote/ natë për natë”, një hije e heshtur që iku në pakthim (Bukuria ime/ përse vallë/ ike me furi?). Apo: “Po flas me ty/ duke të përshëndetur/ kudo që je/ për përgëzimet që m’i dhurove.”; “Bukuria zgjat pak/ I lumtur se të njoha!”; “Ti ishe drita ime/ ishe shpresa ime/ ishe fryma ime/ dashuria ime/ ishe çdo gjë për mua/ tani jam një i humbur”, etj. Dhe me siguri, në mënyrën e llojit në të cilin shkruan për përjetimet e tij, ai shkruan edhe për degdisjen e dashurisë (Dalngadalë/ kështjella e vjetër/ e dashurisë / po shembet.). Dhe më tej: “Malli që kam për ty/ më është bë lak në fyt.”. Ndërkaq, në anën tjetër, dashuria konsumon gjithëçka, çfarëdoqoftë lloji bariere zbehet para përmallimit. Poeti është i disponuar të presë kthimin e së dashurës, në njërën apo në mënyrën tjetër të pritjes (Të pres/ deri në pambarim.// E ndjej kthimin tënd/ e dij se më përket.).

Nga ana tjetër, poeti shkruan për Shqipërinë (Më e bukura e dheut / bijë Zeusi/ që gjithë bota të lakmoi), vendi në të cilin, kur atdheu digjet, digjet flaka e ëndrrave si një mallkim. Dhe vjen Kosova (margaritar i vogël/ i Ballkanit të përgjakur), vuajtjet e së cilës janë më të mëdha se shekujt, por ku sot “lotët e fëmijëve tu/ u shndërruan në lule/ plagët e nënave/ u shndërruan në gëzim.”. Poeti shkruan me dashuri për të shkuarën e lavdishme dhe për tanishmërinë, për mitet dhe legjendat e popullit shqiptar (Rozafa: Emër sacrifice/ simbol besnikërie/ mishërim bukurie/ ëndërr burri./ Rozafë / kështjellë/ krenari/ dhimbje / frymë/ gjurmë loti). Pason përshkrimi i femrës shqiptare, “Mbretëreshë e historisë”, me sy shqiponje e trup hyjneshe, bukuria e së cilës “shkund malet”. Në substratin e lirikës së tij, poeti e prek edhe situatën e zonës së Kosovës.

Pasojnë edhe plane tjera të cilat i prek kalimthi, duke na e bërë të ditur se sa të shkurta janë çastet e bukura në jetë (Gjithçka zhduket lehtas/ e ne veten e fajsojmë/ se nuk ditëm vlerën/ e cikrrimave të lumturisë.) Bota e sotme, mënyra në të cilën e ndjen autori, me zhurrmën, marrëzinë, kaosin. Bota sipas tij, për çdo ditë rrëshqet në kaos, dhe gjithçka duket se është e përmbysur (i drejti shkelet/ tradhëtari lartësohet/ e mira përbuzet/ e keqja shenjëtrohet/ dija rrënohet/ injoranca përgëzohet). Dhe jo vetëm që s’e sheh një zgjidhje në vizionin e tij: “nuk e di si do jetë fundi/ se fund nuk ka”, por nuk duket se ku e ka vendin njeriu në të gjitha këto (ku mbeti njeriu/ a thua është vra?). Pason rrjedha e kohës, ardhja e pleqërisë: as vuajtje, as burg, as dhimbje, me të gjitha pasojat (Kur të vjen pleqëria/ askush në derë nuk të troket/ të gjithë të harrojnë/ sikur nuk je më.) Ja poezia “Pa kthim”, njëra nga vjershat më të bukura të poetit kosovar: “Janë disa rrugë/ që nuk shkelen dy herë,/ janë disa ndjenja/ që nuk kthehen dy herë,/ janë disa fjalë/ që nuk thuhen dy herë,/ janë disa ëndrra/ që s'ëndërrohen dy herë,/ janë disa dashuri/ që nuk përjetohen dy herë./ Pa kthim/ shpesh gjërat ndodhin.”

Egzistojnë autorë, siç është Jahja Lluka me këtë rast, për të cilët, tejmatanë poezisë, madje edhe përtej faktit për të qenë poet, më e rëndësishme është ajo që ka për t’i thënë botës. Janë autorë që pikësëpari u japin rëndësi përjetimeve personale, përjetime që ua djegin shpirtin. Për çdo poet, këto përjetime e zënë vendin elementar. Duke i lexuar këto vargje, kuptojmë se nga mënyra në të cilën i parashtron mendimet, sentimentet, opcionet e jetës, përjetimet e mveshura me petkun poetik, poeti kërkon një ekspresivitet të veçantë, një fjalor të sofistikuar, një “lojë” të metaforës në kuptimin e mirëfilltë. Në anën tjetër vjen edhe mënyra për të plasuar vetëveten, duke shkruar faktikisht për dashuri, për atdhe, për historinë e shkuar dhe të tanishme. Poeti kështusoj bën një analizë të ekzistenciales, të gjendjes faktike në të cilën jeton, duke u përpjekur t’i sistematizojë gjërat përrreth, përjetimet, situatat, jetën personale dhe jetën e fjalës, duke u shndërruar në një “rrobaqepës” teshash të bukura, duke i dhënë prioritet konceptit të kuptimit dhe mirëkuptimit.

Mesazhi që duket në qendër të gravitetit, ia shton vlerën diskursit poetik, imagjinatës së bujshme, përfytyrimeve që i parashtron për „vizatimin” me fjalë, duke patur përballë një stil dhe një fjalim të drejtërpërdrejtë. Në këtë kontekst mund të themi se nuk i mungojnë figurat e stilit. Për poetin është e rëndësishme të kuptohet mesazhi i tij për atdhe, për dashuri, për femrën e dashur, për pritje dhe kërkime. Ngase, shkruan duke derdhur lotë, për gjakun e dashurisë, duke e nxjerrë në pah jetën nëpërmjet vuajtjes. Kurse, kur është i lumtur dhe i gëzuar, poeti me penën e tij bën magji. Duke e prurë Jahja Llukën në gjuhën rumune, Baki Ymeri ia shton edhe një pjesë magjike misterit poetik nëpërmjet të cilit autori ynë mund të krijojë një përfytyrim mbi mënyrën se si ndjehet e shkruhet në gjuhën e sotme shqipe, në vende të ndryshme ku gjenden pasardhësit e dardanëve.


--------------

Image result for jahja lluka



Jahja Lluka veprimtar i kauzës kombëtare, i burgosuri që përjetoi masakrën e Dubravës dhe ferrin e kazamateve serbe, kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngul nga trojet e tyre, krijues i disa veprave letrare, sot edhe një herë befasoi këndshëm adhuruesit e fjalës se shkruar duke bërë promovimin e pesë veprave të tij dhe atë “ Kosova nga Naçertanie e deri të Pavarësia 1844-2008”, “Shpërngulja e shqiptarëve nga Peja dhe rrethina në vitet 1912-1994“ si dhe librat me poezi të shkruara në burgjet serbe.


Dr. Muhamet Mala vlerësoi lartë kontributin e Jahja LLukës ne këtA dy libra të tija, ku ofrohen shifra e fakte që flasin edhe për plagën e rendë të popullit shqiptar dhe hemarogjinë e vazhdueshme te tij, për fatin e rëndë të shpërnguljes së popullit të këtyre vatrave dhe të Kosovës, duke filluar nga vitet 1912 -1994 , por duke mos harruar edhe eksodin biblik të viteve 1998 -1999, dhe ikjen e fundit të shqiptarëve nga Kosova .

Një nga e veçantat ne Librin “Kosova nga Naçertanie e deri të Pavarësia 1844-2008”, sipas recensentit Prof.Dr. Hakif Bajrami, është fakti i Konventës Jugosllavo –Turke, për shpërnguljen e shqiptarëve nga Shqipëria Kontinentale. Ndërkaq, për prof,dr. Irna Peshkopia ky libër, ashtu sikurse edhe ai për shpërnguljen e shqiptarëve, janë vepra te formatit akademik dhe universitar, duke sjelle një vështrim te ri historik edhe në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duke folur për krijimtarinë e Jahja Llukës në rrafshin poetik ,krijuesi dhe publicist Pejanë Profesor Sejdi Berisha, ndër të tjera vlerësoi se në vargjet e Jahja Llukës, ngërthen ndijesimi i fortë shpirtëror, i cili pjesën dërmuese te poezive e ka shkruar ne burg. Berisha në veçanti u ndal ne vargjet e botuara në përmbledhjen e Jahës “ Edhe ti atdhe” në të cilën Jaha, i këndon fuqishëm lirisë, dashurisë ndaj atdheut dhe njerëzve të tij, dhe dashurisë madhe ndaj shokëve dhe bashkëveprimtarëve ete tij.

Po kush është Jahja Lluka ?

Jahja Lluka u lind më 17 mars 1952, në Pejë, ku e përfundoi edukimin fillor dhe atë të mesëm, ndërsa studimet e larta të Elektroteknikës i vijoi në Zagreb. Pas kthimit nga Zagrebi, studioi në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Magjister i maredhanjeve nderkomtare. Në vitin 1989 filloi aktivisht të merret me angazhimet kundër ndryshimeve kushtetuese të Kosovës. Në vitin 1990, pas protestave të shumta në qytetin e Pejës, themeloi së bashku me shumë shokë Shoqatën për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, ndërsa në Kuvendin e Parë të Shoqatës u zgjodh kryetar, post të cilin e mban edhe aktualisht. Me largimin me dhunë të punëtorëve shqiptarë nga puna, nga ana e ish-regjimit të dhunshëm serb, u paraqit nevoja për krijimin e një subjekti i cili do të ndihmonte shumë familje të cilat vuanin edhe për kafshatën e gojës. Z. Lluka, bashkë me veprimtarë të tjerë pejanë, themeloi Këshillin e Solidaritetit, këshill ky i cili ndihmoi minatorët e “Trepçës”, të Goleshit, të Kishnicës, të Fabrikës së Municionit në Skënderaj si dhe grumbulluan e dhanë pagat e para për arsimtarët shqiptarë të Komunës së Pejës. Në vitin 1995 u burgos nga regjimi serb, pas organizimit me shumë shokë të përpjekjeve për armatosjen e shqiptarëve të Kosovës për t’u vetëmbrojtur nga hordhitë serbe. Ka bërë disa vite burg në Burgun e Dubravës, të Lipjanit, të Pejës dhe të Pozharevcit. Është edhe krijues letrar. Ka botuar përmbledhjet me poezi “Edhe ti Atdhe” dhe “Vargje vetmie” librin faktografik “Shpërngulja e shqiptarëve nga Peja dhe rrethina 1912/1994” dhe Monografin “Për Shtetin tim, Kosovën”. Aktivitet e tij nëpër vite:

• Themelues i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta (1990);
• Themelues i Këshillit të Solidaritetit në Pejë dhe Kryetar i sajë (1990);
• Themelues i Partisë Republikane të Kosovës dhe nënkryetar i saj;
 • Themelues i Odës Ekonomike të Kosovës;
• Anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
• Shef i Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj (2004/2005);
 • Shef i Kabinetit dhe Këshilltar i Kryeministrit Bajram Kosumi;
• Këshilltar i Kryeministrit Agim Çeku;
•Këshilltar i Kryeministrit  Ramush Haradinaj(2017 -)
• Është anëtar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.
• Themelues i çmimit “Hasan Prishtina” i cili ndahet për merita të veçanta për pengimin e pastrimit Etnik të Kosovës dhe për krijimin e kushteve për kthim, (deri me tani ky çmim ju ka nda: Nënës shqiptare – nënë e cila ka lind 16 fëmij dhe të gjithë kanë qendruar në Kosovë, Presidentit Klinton, Kryeministrit Tony Bler, Sekretares se shtetit znj. Olbrait, Familjes Jasharaj, Familjes Haradinaj, Gjeneralit Klark, Ambasadorit Voker dhe Ambasadorit Wisner);
Botimet: • Shpërngulja e Shqiptarëve nga Peja dhe Rrethina – 1912 – 1994
 • Përmbledhje me poezi “Malli i Atdheut”
• Përmbledhje me poezi “Vargje Vetmie”
 • Monografi – “Për Shtetin Tim, Kosovën”
• Në klanë e zemrës sime(2018)

Flori Bruqi