Çfarë do të rekomandonim për pacientët që kanë të tilla probleme, dhe sidomos ata në moshë të vogël?


Është e rëndësishme të theksojmë që në fillim se dhimbjet e barkut kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm mjekësor. Prandaj nuk duhen nënvlerësuar. Si për fëmijët, edhe për më të rriturit, në kushte shtëpie mund të përdoret vetëm çaji kamomili dhe ushqyerja të jetë e shpeshtë dhe në porcione të vogla. Mos përdorni kurrë preparate që qetësojnë dhimbjet e barkut pa këshillimin e mjekut! Qetësimi i dhimbjeve mund të manipulojë diagnostikimin e saktë. Në rastin e diarreve është bërë e zakonshme që njerëzit përdorin loperamidin pa këshillimin e mjekut. Loperamidi përdoret në kushte të përcaktuara nga mjeku dhe në qoftë se nuk përdoret si duhet ai jo vetëm që nuk e ndalon diarrenë, por përkundrazi, mund ta thellojë atë dhe të shtojë dhimbjet e barkut. Kujdes duhet të bëjnë pacientët që përdorin për periudha të gjata preparate kortizonike, aspirinë dhe hollues të gjakut. Këta duhet të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekëve. Për sa i përket stilit të jetesës, rekomandohet një dietë e mirë ushqimore, kujdes në përdorimin e duhanit dhe konsumin e tepërt të alkoolit. E rëndësishme është edhe higjiena personale (lani sa më shpesh duart) për të shmangur kontaminimin me viruset dhe bakteret, duke zvogëluar kështu shkakun e dhimbjeve të barkut nga faktorët e shumtë infektivë. Mos hezitoni të paraqiteni te mjeku për vlerësimin e dhimbjeve të barkut.