Tirana Observer: “Kryemadhi bashkohet me Bashën: Gati për front të gjerë opozitar” plus 9 more

Tirana Observer: “Kryemadhi bashkohet me Bashën: Gati për front të gjerë opozitar” plus 9 more


Kryemadhi bashkohet me Bashën: Gati për front të gjerë opozitar

Posted: 04 Oct 2017 10:16 AM PDT

Në nisje të mbledhjes së komitetit drejtues të LSI-së, kryetarja Monika Kryemadhi i dha sinjale të qarta kryedemokratit Lulzim Basha se ishte gati për bashkëpunim me të, kur foli për "frontin e gjerë opozitar", të cilin e ka quajtur domosdoshmëri edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Kryemadhi tha se do pranonte në këtë front çdo forcë politikë të majtë apo të djathtë për t'i bërë ballë rrezikut të krimit që sipas saj, ka kapur policinë dhe po shtrin duart tek drejtësia.

"Koha nuk pret më, të krijojmë frontin e gjerë opozitar, qofshin ato me forca të majta dhe të djathta. Unë mendoj ta quajmë Front kombëtar kundër krimit të organizuar".

Tahiri thumbon Parlamentin: Nuk dëgjon. Një rracë e re dhunuesish po rritet

Posted: 04 Oct 2017 09:39 AM PDT

Lidhur me videon e publikuar ditën e sotme, ku një 14-vjeçar masakron një qen ka reaguar edhe ish-ministri i Brendshëm. Saimir Tahiri duket se ka thumbuar parlamentin në statusin e tij në Facebook, teksa thotë që para një viti propozoi një projekt ligj për mbrojtjen e kafshëve, por Kuvendi se dëgjoi.   

Statusi i plotë

Nje rrace e re dhunuesish po rritet. Sot me nje qen, neser me nje shok a familjar, e keshtu pa mbarim. Thuajse 1 vit me pare propozova nje p/ligj per mbrojtjen e kafsheve nga dhuna, por PARLAMENTI NUK DEGJON.

Me mbetet ta risjell perseri ne vemendje, me shpresen se te gjithe ata qe nga kjo e sotmja jane neveritur e frikesohen nga e ardhmja, te gjejne kohe te behen bashke e te detyrojne parlamentin te marre ne shqyrtim e te miratoje nje ligj per te ndalur perfundimisht masakren ndaj kafsheve.

Rama flet për herë të parë për deklaratat e Lu

Posted: 04 Oct 2017 09:28 AM PDT

Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka folur për ngjarjen e ndodhur në Elbasan disa ditë më parë, ku një Audi përplasi makinën e policisë.

Nga qyteti i Fierit ku ka zhvilluar konsultime publike për buxhetin e 2018-ës, kryeministri Rama i është përgjigjur interesit të qytetarëve për luftën ndaj krimit.

Kreu i Qeverisë tha se për ngjarjen e Elbasanit po vijojnë hetimet, dhe së shpejti do të ketë rezultate.

Ai tha se përpos bandave dhe grupeve kriminale, do të vihen para përgjegjësisë edhe të inkriminuarit në radhët e policisë.

"Falënderoj ambasadorin amerikan që përkrahu shqetësimin e ngritur prej nesh. Në mënyrë të përsëritur sa herë kemi bërë takimet e përbashkëta për të parë ecurinë në luftën kundër kultivimit të kanabisit, unë e kam thënë që duhet të hyjmë në një fazë të re.

Dhe përgatitja për këtë ka nisur prej kohësh, dhe ne jemi në fazë të re, pra kundër të fortëve të këtyre feudeve të ndara sipas influencës. Synojmë t'i shkojmë pas aseteve dhe pasurive kriminale.

Shumë mirë që e tha edhe ambasadori Lu, dhe ndërkohë ne po punojmë intensivisht. Ndodhi në Elbasan një ngjarje që mori goxha jehonë mediatike, e cila shërbeu si një lloj katalizatori për të rritur intensitetin e propagandës mbi këtë çështje. Ju siguroj se çështja e Elbasanit është në ndjekje të vazhdueshme", tha kryeministri Rama.

 

Ambasadori Lu: Kam kërkuar të zgjas mandatin tim në Shqipëri

Posted: 04 Oct 2017 07:52 AM PDT

Ambasadori amerikan në vendit tonë, Donald Lu i cili është kthyer qendër të vëmendjes mediatike për deklaratat e tij për 4 klanet dhe 20 familjet kriminale, ka bërë sot një tjetër deklaratë.

Por këtë herë, ndryshe nga e para.

Ai e ka quajtur Shqipërinë një vend të bukur dhe se do të donte të zgjaste mandatin e tij si ambasador i SHBA në Tiranë.

Nuk dimë nëse kjo do të jetë e mundur, por Lu tha se do ta kërkonte

Pyetje: Ambasador Lu, në janar ju mbushni tre vjet në Shqipëri. A do të largoheni atëherë?

Përgjigje: Ka qenë një nder i madh për mua dhe familjen time që kemi qenë këtu në Shqipëri në këto dy vite e gjysmë. E kemi shijuar aq shumë mikpritjen shqiptare sa kam kërkuar të qëndroj edhe më gjatë në këtë vend të bukur. Kam në plan të largohem nga Shqipëria në verën e vitit 2018. Deri atëherë, kemi shumë më tepër për të bërë sëbashku.

Rama: Refuzoni nëse zyrtarët e shtetit ju kërkojnë certifikatë

Posted: 04 Oct 2017 07:29 AM PDT

Kryeministri Edi Rama u ka bërë apel qytetarëve që të mos pranojnë më asnjë kërkesë nga nëpunësit e shtetit për certifikata.

Duke folur nga një takim në qytetin e Fierit, Rama shpjegoi se kjo barrë tashmë u takon vetëm zyrtarëve, të cilët mjafton ta printojnë nga sistemi online.

"Sot faktikisht një sërë dokumentesh që janë shumë të kërkuar nga shteti për të dhënë shërbime, duke filluar nga certifikata e lindjes, janë hequr si barrë për njerëzit, edhe pse vazhdon inercia, vazhdon prodhimi i certifikatave dhe kërkesa për të ardhur në një zyra.

U bëj apel qytetarëve që ta refuzojnë këtë kërkesë. Çdo zyrë shteti që jep shërbim ka detyrimin që ta nxjerrë certifikatën drejtpërdrejtë dhe me lehtësi të madhe nga kompjuteri për këdo që vjen në sportel. Çdo zyrtari që të kërkon certifikatën duhet t'i thoni ndize kompjuterin e printoje ti dhe të mos paguajnë asnjë lek për certifikatë dhe të mos dalin nga zyra pa marrë shërbimin.

Me vendimin e qeverisë në mbledhje e parë e kemi hequr. Po kështu janë edhe një sërë dokumentesh të tjera që sot ua kemi lënë barrë zyrave të shtetit që ti nxjerrin nga kompjuterat. Nuk mbaron me kaq, kemi bërë një inventar të licencave dhe dokumenteve e vërtetimeve e letrave që u kërkohen njerëzve dhe gjatë këtij 100 ditëshi të parë do të bëjmë një reduktim drastik edhe të vetë numrit të tyre. Kjo do të lehtësojë shumë marrëdhëniet e njerëzve me shtetin", tha Rama.

Kryeministri informoi se vetëm për marrjen e një certifikate ka rreth janë 4.5 milion kontakte në vit të qytetarëve me zyrat e shtetit. Sipas tij, kjo përbën një skandal të paimagjinueshëm.

VIDEO: Jeta në fshatin Rigerta Lokut, gruas që përloti Parlamentin

Posted: 04 Oct 2017 07:21 AM PDT

Rigerta Loku duket se nuk e ka thënë gjithë të vërtetën e realitetit të fshatit Rrushkull të Mirditës, në fjalimin e mbajtur në Kuvend tre ditë më parë.

Bashkëfshatarët e saj thonë se jetojnë më keq.

Kamera e Ora News udhëtoi drejt Perlatit të Mirditës, zonës ku jeton Rigerta Loku gruaja që fundjavën e shkuar përloti shumë nga ata që e ndoqën në sallën e Kuvendit të Shqipërisë por dhe që shkaktoi një sërë reagimesh pro e kundër në rrjetet sociale.

Realiteti në Rrushkull, fshati ku ndodhet dhe ferma e dhive e Rigertes, është edhe më i vështirë nga sa e përshkroi ajo.

"Në fshatin Rrushkull realiteti është i hidhur nuk ja ujë, rrugë, qendër shëndetësore apo shkollë. Ndërkohë banorët e kësaj zone jetojnë me shpresën se pas fjalimit të saj në parlament situata do të ndryshojë", thotë gazetari i Ora News, Elvis Hila i cili ka udhëtuar drejt fshatit për të treguar realitetin.

Shikoni videon më poshtë.

Mandati i dy deputetëve, Rama takim me Llallën

Posted: 04 Oct 2017 07:08 AM PDT

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në fokus të këtij mësohet të ketë qenë ligji i dekriminalizimit.

Ky takim ka ardhur menjëherë pas kërkesës së Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetit Aqif Rakipit të PDIU dhe Gjetan Gjetanit të PD.

PD i kërkoi KQZ t'iu heqë mandatin dy deputetëve, ndërsa Prokurorisë i kërkoi të kryejë verifikimet e plota të të dhënave të dy deputetëve në formularët e vetëdeklarimit.

Sipas selisë blu, deputetët Rakipi dhe Gjetani kanë rekorde kriminale në Itali.

Vetëm pak kohë pas kërkesës së PD, e bërë mesditën e sotme, kryeministri Rama ka thirrur në takim në Kryeministri Kryeprokurorin Llalla.

Takimi nisi rreth orës 13:00 dhe zgjati 30 minuta.

Njoftimi i Prokurorisë

“Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me kërkesë të kreut të Qeverisë. Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si "Për Dekriminalizimin", për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Aqif Rakipi.

Z. Llalla vuri në dijeni Kryeministrin se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin e thelluar ndaj deputetit Aqif Rakipi disa muaj më parë. Procedura e verifikimit për këtë subjekt është ende në zhvillim, pasi Sektori i Posaçëm për "Dekriminalizimin" në Prokurorinë e Përgjithshme është ende në pritje të përgjigjeve nga ana e disa prej autoriteteve të huaja, të cilave u është kërkuar informacion.

Në takim, z. Llalla shprehu garancitë e plota se Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se, po vijon bashkëpunimi me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit "Për Dekriminalizimin", ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal”.

Kjo video e justifikon vonesën, Obama i bënë këtë super urim Michelle për 25-vjetorin e martesës

Posted: 04 Oct 2017 06:52 AM PDT

Michelle dhe Barack Obama kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një ndër çiftet më të dashura, kjo për faktin se gjithmonë e kanë treguar dashurinë e tyre në publik, me shumë elegancë dhe finesë, pavarësisht faktit se Barack ishte një nga presidentët më të fuqishëm në botë dhe tjetra Michelle mbante titullin e "Zonjës së Parë".

Ditën e djeshme ish-çifti presidencial kanë festuar 25- vjetorin e martesës, plot një çerek shekulli së bashku dhe Michelle zgjodhi që të uronte bashkëshortin e saj nëpërmjet një postimi në Twitter ku shkruante: "Gëzuar përvjetorin e 25 të martesës Barack Obama. Mbas një çerek shekulli bashkë, ti je përsëri shoku im i ngushtë dhe njeriu më i jashtëzakonshëm që njoh. Të dua".

Duke qenë se Barack u vonua paksa, të gjithë menduam se ish-presidenti është mjaftuar me urimin që mund t'i kishte bërë bashkëshortes së tij ballë përballë, por e kemi pasur shumë gabim. Kjo video, e ka justifikuar totalisht vonesën e tij.

Në një video, Barack Obama ka përzgjedhur fjalët e duhura dhe jemi totalisht të bindur se Michelle është ndjerë pafund e lumtur kur ka parë diçka të tillë.

"Për mua nuk ishit vetëm një partnere e jashtëzakonshme , por ishit dhe një mikeshë shumë e mirë, dikush që gjithmonë më ka bërë të qeshë, dikush që më ka dhënë shumë siguri që unë po bëja një gjë të duhur, gjithashtu ke qenë dhe një shembull për vajzat tona dhe për të gjithë vendin. Ka qenë vendimi më i mirë i jetës sime që të kam propozuar ty e që më pas më pranove dhe shpresoj që dhe t'i të ndjesh të njëjtën gjë",thotë Obama në videon e tij.

 

Këtë video e kanë parë miliona ndjekës. Sa urim i bukur.

“Mos e sulmoni Nanon, i ka djemtë myslimanë të devotshëm”

Posted: 04 Oct 2017 06:51 AM PDT

Gazetari Ermir Hoxha ka komentuar debatin e Mustafa Nanos me imamin Elvis Naçi, mbrëmjen e djeshme në emisionin 'Opinion'.

Gazetari Hoxha thotë se nëse imami do i kishte renditur Nanos arsyet e vërteta përse kanë shmangur komentet negative për të, në krye do të qëndronte meraku që dy djemtë e tij dhe nusja e njërit prej tyre, të mos ndiheshin keq.

Ai pretendon se dy djemtë të analistit dhe nusja e njërit prej tyre janë myslimanë të devotshëm, ndaj të gjithë myslimanët duhet të kenë parasysh këtë fakt kur vendosin ta linçojnë Mustafa Nanon verbalisht.

Reagimi i Ermir Hoxhës:

Këshillë hem shoqërore e hem vëllazërore:

Po vërej një turfullim përzier eufori te një pjesë muslimanësh, karshi Mustafa Nanos lidhur me debatin e mbrëmshëm në Opinion.

Nëse Visi – siç ne e thërrasim shoqërisht dhe vëllazërisht po ashtu imam Elvis Naçin, do i kishte renditur Nanos arsyet se përse ai ka shmangur komente negative për të, në krye të tyre do kishte qenë meraku që dy xhematlinj, vëllezër të tij në fe, më saktë dy djemtë e Muçit – njërin prej të cilëve, Edin, e kam personalisht dhe mik, siç dhe vetë Muçin me të cilin na njohën redaksitë e medias këtu e 17 vjet më parë – të mos ndiheshin keq nga opinionet negative për babanë e tyre, përfshirë këtu dhe një motër muslimane, nga ato kokë e këmbë, për vjehrrin e saj.

Ndaj dhe, duke iu referuar etikës islame, e cila është mbrujtur me vetëpërmbajtje e durim, kijeni parasysh dhe këtë fakt kur vendosni ta linçoni verbalisht, mbi të gjitha pra, babanë e dy xhematlinjve dhe vjehrrin e një motre.

Më së paku, përzgjidhni fjalët për të ndarë personin nga fenomeni. Sepse më së paku, dhe parë thellë-thellë, armiku ynë nuk është Muç Nano dhe ne, si komunitet, sfidat nuk i kemi me Muç Nanon, por me veten; me ato qindra problematike, sidomos të sferës etike, të cilat i vuajmë çdo ditë në jetën tonë komunitare, për të cilat duhet thënë nganjëherë "shyqyr që ata jashtë nesh nuk i dijnë të gjitha!".

Qofshi të nderuar!

Lila: Në Spanjë me kokën lartë. Italinë e mundim. Sadiku: Ta tregojmë veten ndaj më të mirëve në botë

Posted: 04 Oct 2017 06:50 AM PDT

Mesditën e sotme, nga rezidenca e kombëtares në Durrës, kanë dalë në konferencë për shtyp dy kuqezinj: Armando Sadiku dhe Andi Lila.

Te të dy shihej qartë lumturia që do të ndeshen me dy nga skuadrat më të mira të botës, ku mund të shprehen dhe, pse jo, të bien në sy.

Lila

Pavarësisht se e thekson faktin që është fat të luash ndaj kombëtareve si Spanja dhe Italia, Andi Lila nuk e ka fshehur entuziazmin dhe dëshirën për rezultat pozitiv nga këto dy sfida.

"Është fat i madh për brezin tonë që na qëlloi të luanim ndaj dy skuadrave kampione të botës. Çdo lojtar i ka ëndërr ndeshje të tilla, sepse nuk luan dot përditë me lojtarë nga më të mirët në botë. Në ndeshjen e parë luajtëm mirë taktikisht deri në momentin e pësimit të golit, sepse Spanja ka individë që bëjnë diferencën në çdo moment. Spanja ka lojtarët më të mirë, por ne gjithmonë do të dalim në lojën tonë, sepse çdo minutë në Kombëtare nuk përsëritet sepse është fat të luash ndaj Spanjës dhe Italisë dhe të bësh gjëra pozitive."

Të flasësh për rezultat përballë Spanjës nuk është utopi dhe mbrojtësi 31-vjeçar po pret me padurim sfidën në Alikante.

"Në çdo ndeshje, jo vetëm me Spanjën, çdo lojtar duhet të japë 200 për qind. Si në ndeshje të tjera me ekipe të forta. Spanja është ndër ekipet më të forta se ka qenë kampione bote dhe Europe. Nevojiten të gjithë komponentet lart për rezultat. Ne do të bëjmë më të mirën për të dalë nga fusha me kokën lart. Edhe Spanja si ndeshjet e tjera vlen tre pikë. Edhe lojtarët vetë e presin me shumë dëshirë këtë ndeshje të madhe dhe trajneri po e përgatit shumë mirë dhe shumë qetë. Presim me padurim të premten që të luajmë", u shpreh Andi Lila.

Me pozitivitetin që e karakterizon, Andi Lila është optimist se Shqipëria do të arrijë të marrë rezultat në dy ndeshjet e fundit, madje parashikon fitore përballë Italisë në "Loro Boriçi".

"Një pikë? Mendoj që në Shkodër mund të marrim tre pikë. Por, ne do të hyjmë në fushë të japim maksimumin. Siç e dinë të gjithë do të jenë dy ndeshje shumë të vështira, por nuk do të jemi inferiorë ndaj askujt. Nuk kemi çfarë të humbasim. Personalisht jam optimist se do të marrim rezultat, madje tre pikët e plota ndaj Italisë, për të shkruar historinë se kemi fituar përballë një kampioni të botës. Ne kemi tifozët më të mirë. e treguam në europian se kush ishim dhe ndryshuan opinion për ne si popull. Kur hyj në fushë mundohem të jap 20 për qind edhe për tifozët. Ata na kanë mbështetur gjithmonë në çdo moment dhe i jam shumë mirënjohës. Do ti thosha të vazhdojnë me këtë rritëm sepse janë më të mirët", tha Lila.

Sadiku

Sulmuesi Sadiku nënvizoi në fjalën e tij: "Spanja dhe Italia? Kanë lojtarë me klas tjetër, luajnë në ekipet më të mira në botë. Për këtë ne i respektojmë. Ndeshjen e parë me Spanjën e kam shikuar nga televizioni, nuk kam qenë. Mendoj se do të jetë e vështirë. Megjithatë, nëse e tregojmë veten si në Europian dhe në Izrael, apo ndaj ekipeve të mëdha, të luajmë si skuadër, mund të bëjmë mirë. Individualisht duhet të bëjmë secili diçka më shumë, por në grup. Uroj t'ia dalim edhe në këtë ndeshje. Çfarë synoj personalisht? Do të doja t'u shënoja të dyja ekipeve, Spanjës dhe Italisë, kjo gjë as që diskutohet.

Nëse ne do të luajmë si grup, si më përpara, do t'i krijojmë vështirësi Spanjës dhe mund të kapim rezultat pozitiv. Shpresoj të shënoj, do të ishte diçka super për mua dhe për ekipin. Po morëm ndonjë pikë do të ishte diçka perfekte. Gjithmonë, kur vij në ekipin kombëtar, mendoj se do të lë gjurmë në çdo ndeshje. Kur kam munguar për arsye dëmtimesh, çaj përbrenda vetes, sepse nuk jam në fushë. Synoj të bëj diçka si askush, sepse kam besim te vetja ime. Kur vij në ekipin kombëtar e jap më të mirën time, vë zemrën në fushë, dua të lë gjurmë për objektivat e mia personale”.

Vendi i tretë në grup? Në të gjitha ndeshjet kemi dhënë më të mirën tonë. Fati i keq na qëlloi të kishim në grup këto dy ekipe kaq të forta, si Spanja dhe Italia. Këto dy ndeshje mendoj se do të jenë si përgatitje për eliminatoret e tjera të Europianit”.

Panucci? “Ishim mësuar me De Biazin, ai na njihte. Edhe kur merrte vendime, na njihte shumë mirë. Me trajnerin e ri shikohet edhe në stërvitje një impenjim tjetër, sepse të gjithë japin 100 për qindëshin. Panucci ka futur një frymë të re. Na duhet pak kohë të ambientohemi dhe të na njohë të gjithëve mirë. E rëndësishme është të japim maksimumin, pastaj vendos trajneri se kush luan. Ai do të bëjë eksperimente në funksion të kualifikueseve të tjera. T'i japim pak kohë trajnerit dhe shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë”.