“Sekretari Tillerson inkurajon Haradinajn për zgjidhje të demarkacionit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Sekretari Tillerson inkurajon Haradinajn për zgjidhje të demarkacionit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Sekretari Tillerson inkurajon Haradinajn për zgjidhje të demarkacionit

Posted: 02 Oct 2017 09:12 AM PDT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë telegram urimi për marrjen e përgjegjësive të reja nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex W. Tillerson. Lidershipi juaj është vendimtar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe bashkëpunimin e ngushtë me fqinjët, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë. Ndër të tjera në urimin e tij, sekretari Tillerson," ka inkurajuar kryeministrin Haradinaj, që të udhëheq me intensitet të shtuar e në mënyrë gjithëpërfshirëse, në zbatimin e reformave të nevojshme e urgjente." "Reformat e tilla përfshijnë fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit, dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik" "Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zgjidhja e çështjes së kufirit të Kosovës me Malin e Zi, janë thelbësore për progresin e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik" thuhet në urimin e sekretarit Tillerson, njofton për mes një komunikate zyra e kryeministrit . Do të punojmë ngushtë me qeverinë tuaj, në qëllimin tonë të përbashkët për Kosovën multietnike e demokratike, si pjesë e stabilitetit dhe prosperimit të Ballkanit

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ndahet nga jeta albanologu Robert Elsie

Posted: 02 Oct 2017 08:25 AM PDT

Në Gjermani, sot ka ndërruar jetë Robert Elsie, albanolog kanadez, përkthyes dhe autori i shumë veprave. Elsie ka ndërruar jetë në moshën 67 vjeçare. Ai ishte një nga albanologët më të shquar të botës dhe disa herë pjesëmarrës në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe. Elsie ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e ka përkujtuar Elsien, si njërin nga albanologët më të shquar. "Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Robert Elsie, njërit nga albanologët më të shquar të kohës sonë, studiues i gjuhës, i letërsisë, i historisë dhe të traditës shqiptare, përkthyes, hulumtues arkivash dhe dokumentesh të hershme, nga ato gjuhësore, historike, deri te zhvillimet më të reja të artit dhe të letërsisë sonë", thuhet në njoftimin e ASHAK-ut, duke e konsideruar humben e tij si "të pazëvendësueshme". ASHAK u shprehur ngushëllimet më të sinqerta anëtarëve të familjes Elsie, miqve dhe dashamirëve të tij të shumtë në të gjitha trojet shqiptare. Me rastin e ndarjes nga jeta të albanologut Robert Elsie, ASHAK do të mbajë një mbledhje përkujtimore në mjediset e Akademisë, më 4 tetor 2017.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lista Serbe shton presionin ndaj rivalëve politik

Posted: 02 Oct 2017 07:59 AM PDT

Presionet dhe frikësimet brendapërbrenda korpusit politik serb, po përsëriten edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 22 tetor në Kosovë. Komisioni vëzhgues i zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, pati vërtetuar një gjë të tillë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Në raportin e tij përfundimtar, është thënë se në kuadër të bashkësisë serbe në Kosovë "fushatën e kanë shkelur kërcënimet e shpeshta dhe rastet e incidenteve të dhunshme brenda bashkësisë, ndaj kandidatëve dhe votuesve, si dhe reagimi i pamjaftueshëm i Policisë dhe organeve tjera të zbatimit të ligjit". "Kjo ka përfshirë edhe presionin ndaj kandidatëve të ndryshëm që të tërhiqen, si dhe incidentet e dhunshme të shpeshta në Leposaviq, të cilat janë drejtuar konkretisht mbi partitë politike dhe kandidatët që kontestojnë dominimin e Listës Serbe", thuhet në raport. Pikërisht, për shkak të kërcënimeve, në qershor, Partia e Pavarur Liberale e Slobodan Petroviqit, e cila tash e 10 vjet vepron në skenën politike në Kosovë, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, nuk do të ketë kandidat për kryetar të komunës së Graçanicës. Kjo, siç ka thënë Petroviq për Radion Evropa e Lirë, po ndodhë për faktin se është e pamundur të mbrohet një kandidat i tillë. "Shkaqet janë të qarta. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ne si parti, gjegjësisht, kandidatët që ishin në listë, kemi pasur presion të paparë. Gjashtë kandidatët tanë, që ishin në listë, janë larguar nga vendet e punës, vetëm pse ishin në listën tonë. Ne nuk kemi mundur të bëjmë asgjë, përveç t'i lajmërojmë organet kompetente. Por, asgjë nuk është bërë", tha Petroviq. Gjithashtu, ka pasur edhe raste kur kandidatët janë tërhequr nga listat. Katër të tillë janë tërhequr nga lista e iniciativës qytetare SDP së Oliver Ivanoviqit. Ky i fundit thotë për Radion Evropa e Lirë se në mesin e këtyre kandidatëve ishte edhe Zoran Spasojeviq nga Mitrovica Veriore, i cili përmes një deklarate për publikun, u kishte bërë thirrje qytetarëve që votat t'ia japin Listës Serbe. "Këto nuk janë zgjedhje, kjo nuk është demokraci, kjo është dhunë mbi demokracinë. Krejt çka mund të bëj SDP-ja në këtë situatë është që të sqarojë publikisht lidhur me këtë çështje dhe natyrisht, u bëjmë thirrje autoriteteve, kudo qoftë, edhe atyre në Kosovë, por edhe atyre në Beograd, që të reagojnë ndaj kësaj situate. Jam i vetëdijshëm që autoritetet e Serbisë nuk mund të reagojnë drejtpërdrejtë, por këtë mund ta bëjnë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Kjo situatë mund të përshkallëzohet, mund të bëhet edhe më e keqe, ndonëse tashmë është mjaft e keqe dhe do të na duhet kohë që të sanojmë pasojat e kësaj sjelljeje të papërgjegjshme", tha Ivanoviq. Ivanoviq ka shtuar se personalisht nuk ndjehet i rrezikuar. Por, sipas tij, qytetarët që janë me të, janë të rrezikuar dhe se ata, në momentin e fundit, do të mendojnë nëse do të rrinë në Kosovë apo ta braktisin atë. "Nëse dikush që është në pushtet i luhatë themelet e mbijetesës këtu, atëherë nuk kam çfarë të them më shumë", tha Ivanoviq. Njohësi serb i zhvillimeve në Kosovë, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se është krejtësisht e qartë se kush dhe pse po bën presion. Sipas tij, kjo është Lista Serbe, e cila për veprimet e saj e ka mbështetjen e Beogradit, gjë të cilën, kjo listë po e shfrytëzon maksimalisht. "Dihet se në Kosovë janë në qarkullim para të madha. Nuk ka kontroll të madh mbi shpenzimin e tyre dhe natyrisht që ekziston frikë e madhe se, kur të vijën strukturat e reja, ato do të fillojnë të hulumtojnë. Siç ndodhë zakonisht, njëra palë e akuzon palën tjetër dhe denoncojnë", tha Nojkiq. Ai shton se serbët e Kosovës janë mjaft të varur nga Beogradi dhe janë të detyruar ta dëgjojnë. Sipas tij, Lista Serbe ka krijuar pushtet të dyfishtë, që nënkupton se ata që janë në institucionet politike serbe, janë edhe në institucionet politike të Kosovës. "Njerëzit janë në të dyja pushtetet, pikërisht që të mund të manipulojnë dhe njerëzve t'ua vështirësojnë jetën. Prandaj, ata që nuk janë në këto qarqe, u janë ekspozuar presioneve dhe ekzistenca e tyre është vënë në pikëpyetje të madhe", tha Nojkiq. Në këto qarqe nuk ka qenë Rada Trajkoviq, e cila ka qenë një nga viktimat e para të mospajtimit me politikën e Listës Serbe. Qeveria e Serbisë, e kishte ndërruar atë nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtorit të shtëpisë së shëndetit në Graçanicë, atëherë kur, siç thotë Trajkoviq, Aleksandar Vulin u bë përgjegjës për Kosovën. "E përjetova atë që të më merret e drejta, madje edhe që ta bëjë punën e mjekes, të jem e ngacmuar në mënyra të ndryshme, për disa prej të cilave as që mund të flas publikisht, e deri te ato profesionale. Kam pasur informacion se ka qenë detyrë që të hiqem nga skena politike e Kosovës. Të gjitha këto, me forcën dhe vullnetin që kam pasur, unë i kam duruar deri më sot", ka thënë Trajkoviq. Ajo ka shtuar që Listës Serbe, tashmë i lejohet që të shërbehet "me të gjitha mjetet, në kuptimin e ndjekjes së atyre që nuk mendojnë si ata". "Këto, aktualisht, janë sulmet fizike, largimet nga vendet e punës, kërcënimet, shantazhet, si dhe shfrytëzojnë më së shpeshti institucionet, të cilat fatkeqësisht, ende i mbajnë lidhjet me Beogradin, siç janë ato shëndetësore, arsimore, sociale, të cilat në mënyrë vitale e mbajnë jetën e serbëve në këto hapësira", ka thënë Trajkoviq. Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Listën Serbe lidhur me ankesat, të cilat i adresohen kësaj liste, se ajo qëndron prapa presioneve. Deputeti i Listës Serbe dhe shefi i zyrës së kësaj liste për bashkëpunim me media dhe sektorin civil, Igor Simiq, ka theksuar se të gjitha këto janë shpifje. Në një përgjigje me shkrim, Simiq ka sqaruar se Lista Serbe për çdo ditë lufton për avancimin e pozitës së serbëve në Kosovë, gjë e cila, sipas tij, kërkon mjaft punë dhe kohë. "Prandaj, nuk kam kohë që të komentoj shpifjet dhe nebulozat e tilla, me të cilat dikush po përpiqet që të reklamohet në fushatë, duke e sulmuar Listën Serbe, për shkak se nuk janë në gjendje që qytetarëve tu ofrojnë program për zgjedhjet, por vetëm urrejtje, gënjeshtra dhe mashtrime", ka shkruar Igor Simiq. Ndërkohë, shtetet e Quint-it ( Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) kanë ftuar të gjitha partitë politike që të angazhohen për fushatë të lirë dhe të qetë, pa frikësime, dhunë dhe presione. Për zgjedhjet lokale janë lajmëruar 17 subjekte politike serbe, prej të cilave vetëm Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë për të 10 komunave serbe, sa janë gjithsej në Kosovë. Përgatiti: Bekim Bislimi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Siri: Së paku 11 të vrarë nga një sulm me bombë

Posted: 02 Oct 2017 07:24 AM PDT

Aktivistët sirianë thonë se të paktën 11 persona janë vrarë nga një sulm me bombë në Damaskun qendror. Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër, ka thënë se një makinë-bombë ka shpërthyer në afërsi të një stacioni policor në lagjen Al-Midan të Damaskut dhe më pas dy sulmues vetëvrasës kanë shpërthyer eksplozivët e tyre. Ministria e Brendshme ka thënë se dy sulmuesit vetëvrasës kanë vrarë civilë dhe zyrtarë policorë, por nuk kanë dhënë numrin e saktë të viktimave. Duke cituar burime brenda shërbimeve të sigurisë siriane, agjencia shtetërore e lajmeve të Rusisë, RIA, ka raportuar se sulmi është kryer nga katër sulmues vetëvrasës. Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Gjatë gjashtë vjetëve të luftës civile në Siri, janë vrarë më shumë se 330,000 persona, ndërkaq vlerësohet se pesë milionë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre. Rusia dhe Irani mbështesin Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ndërkaq Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mbështesin grupet rebele. Grupi militant Shteti Islamik gjithashtu lufton në Siri me të gjitha palët e përfshira në këtë konflikt.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Të rreptë ndaj Burkas

Posted: 02 Oct 2017 06:49 AM PDT

Këto janë shtetet, të cilat deri në njëfarë mase e kanë ndaluar veshjen që mbulon fytyrën.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin viziton Turkmenistanin

Posted: 02 Oct 2017 06:35 AM PDT

Presidenti rus, Vladimir Putin po qëndron në Turkmenistan, duke shënuar vizitën e tij të parë zyrtare pas pesë vjetësh në shtetin e izoluar të Azisë Qendrore. Më herët Kremlini ka njoftuar se Putini do të diskutojë me homologun e tij, Gurbanguly Berdymukhammedov, për lidhjet dypalëshe dhe për çështjet rajonale dhe botërore. Raportet në mes të Rusisë dhe Turkmenistanit, dy shtete që prodhojnë gaz natyral, kanë qenë të tensionuara, për shkak të disa çështjeve, duke përfshirë furnizimin me gaz. Turkmenistani e konsideron veten si shtet neutral dhe nuk është anëtar i Bashkimit Ekonomik të Euro-Azisë që udhëhiqet nga Rusia. Putini ishte takuar për herë të fundit me presidentin turkmen Berdymuhkamedov në nëntor të vitit 2016 në Soçi të Rusisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Premtimet që përsëriten në çdo fushatë zgjedhore

Posted: 02 Oct 2017 06:29 AM PDT

Fushata e partive politike për zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë ka vazhduar me premtime afërsisht të ngjashme me ato që janë dhënë në fushatat e kaluara. Monitoruesit e proceseve zgjedhore dhe analistët politikë thonë se këto premtime jo vetëm që ngjasojnë me ato të para katër viteve, por edhe me premtimet e dhëna në periudhën e hershme të pasluftës. Zgjedhjet e para pas luftës në Kosovë ishin mbajtur në vitin 2001. E gjithë kjo, sipas tyre, lë të nënkuptohet se premtimet që ishin dhënë në të kaluarën nuk janë realizuar nga kandidatët që kishin zgjedhur për të udhëhequr me komunat. Premtimet që përsëriten, besohet se kanë të bëjnë me nevojat themelore të qytetarëve. Trajtimi i ujërave të zeza, shërbime cilësore publike, asfaltime rrugësh, cilësi në arsim dhe ndërtim i shkollave apo edhe ngritja e cilësisë në shërbimet shëndetësore, janë disa nga premtimet që përsëriten gati në çdo fushatë zgjedhore në Kosovë. Analisti i çështjeve politike, Ismajl Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo përsëritje e premtimeve lë të kuptohet se nuk është punuar si duhet nga kryetarët e komunave. "Për fat të keq, Kosovës i mungon lidershipi, i mungon edukimi jo vetëm politik, por edhe profesional i njerëzve që pranojnë kandidimin për një post. Ndër vite dhe në sa e sa zgjedhje komunale e nacionale që janë mbajtur që nga paslufta e këndej, gjithmonë është folur për trajtimin e ujërave të zeza, për deponitë e mbeturinave, për shërbime cilësore..., janë të gjitha këto gjëra të cilat nuk janë bërë", thotë Hasani. Ai e konsideron të pakuptim faktin se ka disa kandidatë të cilët, disa herë kanë kandiduar për kryetar komune me të njëjtat premtime. Ndërkohë edhe përfaqësues të organizatave që merren me monitorimin e fushatave zgjedhore në Kosovë thotë se premtimet e kandidatëve për kryetar të komunave janë të përsëritura, pasi që si të tilla nuk janë realizuar. Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo e cila merret me monitorimin e fushatës zgjedhore, thotë se mund të ketë aty këtu ndonjë përjashtim në komuna të caktuara, mirëpo në përgjithësi ende në gjithë vendin diskutohet për çështje bazike. Sipas tij, ende vazhdojnë premtimet për ujë të pijes, infrastrukturë rrugore, shërbime cilësore publike, largimi i mbeturinave e çështje të tjera. "Kjo fushatë për zgjedhjet lokale nuk ka sjellë ndonjë risi nëse krahasohet me fushata e mëhershme, qoftë për zgjedhje nacionale qoftë lokale. Nëse krahasohet me zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës premtimet paraelektorale janë të njëjta, shumica e tyre ndërlidhen me infrastrukturën ose me realizimin më të mirë të shërbimeve komunale", thotë Murati. Përsëritja e premtimeve të njëjta gati në çdo fushatë elektorale, shton Murati, janë treguesi më i mirë i dinamikës të punës që zhvillohet në vend. "Kjo tregon joseriozitetin që subjektet politike mund ta kenë në punën e tyre dhe në mospërmbushjen e premtimeve në këtë rast. Mjafton që të merret vota e qytetarit e pastaj punët kryhen më ngadalë dhe jo më vëmendjen e duhur", thekson Murati. Fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të zgjasë deri më 20 tetor. Më 21 tetor, do të jetë heshtje zgjedhore. Ndërsa, më 22 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës. Si rezultat do të zgjidhen kryetarët e rinj të komunave dhe këshilltarët nëpër asambletë komunale.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Të paktën 50 të vdekur nga të shtënat në Las Vegas

Posted: 02 Oct 2017 05:52 AM PDT

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se të paktën 50 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur, pas të shtënave me armë në Las Vegas. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hapet qendra për luftimin e sulmeve hibride në Evropë

Posted: 02 Oct 2017 05:45 AM PDT

Shefja për politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se Bashkimi Evropian, "nuk mund ta merrte më seriozisht se kaq çështjen e sulmeve hibride". Qendra, me iniciativë të Finladës, bashkon 10 vende të BE-së, bashkë me Norvegjinë dhe SHBA-në, që të fokusohen në hulumtime, trajnime dhe edukim. Mogherini ka folur para inaugurimt të Qendrës Evropiane të Përsosmërisë për Luftimin e Sulmeve Hibride, në Helksink. NATO dhe Bashkimi Evropian do të jenë në bordin udhëheqës, të cilën Mogherini e quajti si " kontribut thelbësor i kapaciteteve tona si përgjigjie ndaj krizave". Bashkimi Evropian ka rritur kohëve të fundit aktivitetet për të luftuar krimet hibride të formave të ndryshme. Komisioni Evropian, po ashtu ka propozuar që të themelohet edhe një agjenci për sigurinë kibernetike evropiane.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ministri i Jashtëm gjerman bën thirrje për bisedime në mes të Spanjës dhe Katalonisë

Posted: 02 Oct 2017 05:12 AM PDT

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka bërë thirrje urgjente për bisedime në mes të Katalonisë dhe Spanjës. Ai ka thënë se është jetike të shmangen ngjarjet që mund të dalin jashtë kontrollit, pas masave të dhunshme që ndërmori policia spanjolle në rajon, gjatë votës për pavarësi. "Imazhet që kanë arritur dje nga Spanja, tregojnë se sa e rëndësishme është ndalimi i eskalimeve", ka thënë Gabriel në një deklaratë, në të cilën ai nënvizoi thirrjet e Bashkimit Evropian për dialog në mes të Spanjës dhe Katalonisë. Gabriel, tha se të dyja palët duhet të "ruajnë qetësinë" dhe të punojnë drejt një zgjidhjeje politike që i përmbahet sundimit të ligjit, që është një ndër shtyllat kryesore që i bashkon vendet e Bashkimit Evropian.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ambasadori i ri i SHBA-së arrin në Moskë

Posted: 02 Oct 2017 04:28 AM PDT

Jon Huntsman, amabasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Rusi, ka arritur në Moskë. Zëdhënësja e ambasadës amerikane, Maria Olsen, ka mirëpritur ambasadorin dhe gruan e tij, në një postim në Twitter. Më 3 tetor, Huntsman, në një ceremoni do t'i paraqesë kredencialet e tij te presidenti rus, Vladimir Putin. Huntsman, 57 vjeçar, ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara, në Kinë nga viti 2009-2011, dhe ishte ambasador në Sinapor në vitet 1992 – 1993. Emërimi i Huntsmanit nga presidenti, Donald Trump, ishte aprovuar unanimisht nga Senati i Shteteve të Bashkuara, më 28 shtator.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Amerikanët fitues të Çmimit Nobel në fushën e Mjeksisë

Posted: 02 Oct 2017 04:15 AM PDT

Tre hulumtues amerikanë janë nderuar me Çmimit Nobel në fushën e Mjeksisë, për zbulimet e tyre rreth ritmeve kardiake, funksionimit ditor të trupit të njeriut. Fituesit janë, Jeffrey Hall, Michael Rosbach dhe Michal Young, njofton instituti, Karolinska, në Suedi. Fituesit e Çmimeve në fushën e Fizikës, Kimisë dhe  për Paqe do të bëhen të ditur gjatë javës. Për fituesin e Çmimit në Ekonomi do të njoftohet javën e ardhshme. Çmimi i shumë pritur është ai për Paqe, që do të prezantohet në kryeqytetin norvegjez, në Oslo. Pritet që ky çmim të shpallet me 6 tetor.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nënshkruhet ligji për kufirin në mes të Kirgizisë dhe Uzbekistanit

Posted: 02 Oct 2017 04:04 AM PDT

Presidenti i Kirgizisë Almazbek Atambaev, ka nënshkruar një ligj që shënon 85 përqind të kufirit 1280 kilometërsh, me Uzbekistanin. Sipas ligjit, 1171 kilometrat e kufirit në mes të dy ish-republikave sovjetike tani konsiderohen të jenë krejtësisht të definuara. Çështja e kufirit në mes të këtyre vendeve ka qenë problem i madh që kur ato u shpallën të pavaruara dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991. Ka pasur konflikte të shumta përgjatë kufirit, në disa raste edhe të shtëna armësh dhe forma tjera të dhunës. Situata ka filluar të përmirësohet që nga viti i kaluar, me vdekjen e presidentit, Islam Karimov. Pasardhësi i Karimovit, presidenti, Shavkat Mirziyoev, ka thënë se prioritet i politikës së Jashtme është përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjtë e Uzbekistanit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pushteti dhe opozita vazhdojnë me polemika e akuza në Kuvend

Posted: 02 Oct 2017 03:34 AM PDT

Me disa javë vonesë, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në rendin e ditës, përkatësisht debatin e thirrur nga opozita rreth parimeve programore të Qeverisë për vitin 2017 -2020. Deputetët opozitarë, iniciues të këtij debati, kanë kritikuar Qeverinë dhe programin e saj, duke vlerësuar se ai nuk është premtues. Shefi i grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se programi i Qeverisë Haradinaj është i njëjtë si ai i qeverive të kaluara që bazohet mbi premtime të parealizueshme. "Këto programe qeverisëse nuk janë asgjë më shumë sesa përmbledhje frazash formale të cilat e kanë për detyrë ta përmbushin veç një perceptim, perceptimin që Qeveria ka program, që Qeveria ka koncept. Prandaj unë them se më mirë është që Qeverinë Haradinaj të analizojë prej kur është themeluar e deri më sot, çfarë shembulli dha për 3 javë ditë. Më së pari se si u krijua na dha shembullin më të keq të një Qeverie të ndërtuar mbi pazare të ulëta", tha Konjufca. Kryeministri Ramush Haradinaj, ka shtuar Konjufca, po i ikë përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Kurse, Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se me zgjedhjen e Qeverisë Haradinaj, Kosova nuk ka evituar krizën. "Është thelluar kriza. Është e pafalshme që ende kemi 1600 të pagjetur dhe nuk mund të hapet kjo temë me ketë përbërjes të Qeverisë. Ne si LDK do të jemi gardianë të mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, për të ndaluar këtë Qeveri që të çojë vendin prapa ashtu siç ka filluar me shkelje të vazhdueshme duke shkarkuar borde me hu në krahë", tha Hoti. Duke vlerësuar se deputetët e Kuvendit nuk po i përmbahen pikës së rendit të ditës, kryeministri Ramush Haradinaj, ka marrë fjalën duke kërkuar korrektësi dhe debat konstruktiv. "Ju kam dërguar programin qeverisëse brenda javës. I mirë e i keq, e keni programin. Kurdo që jeni të gatshëm të diskutojmë për programin qeverisës që e keni marrë, do të vij dhe do t'ju respektoj. Ju respektoj edhe për kërkesën për seancën e nesërme për raportim e pyetje për interpelancë. Sa i përket kësaj teme, mendoj se jeni duke bërë hajgare dhe vazhdoni me hajgare", tha Haradinaj. Ai po ashtu thase opozita nuk ishte e interesuar për debat në ditën kur ishte votuar Qeveria, prandaj, sipas tij, akuzat që po i bënë tani opozita janë të padrejta. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar edhe ndaj kritikës së shprehur nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, i cili tha se Haradinaj ka një marrëveshje sekrete me Listën Serbe. "E vetmja marrëveshje që ka Ramush Haradinaj me Listën Serbe është se ne këto përgjegjësi i marrim dhe punojmë në bazë të përgjegjësive në vend dhe betimi është dhënë me Kushtetutën e vendit", tha Haradinaj. Duke e vlerësuar debatin si jokonstruktiv, Haradinaj bashkë me kabinetin e tij qeveritar lëshuan sallën duke u dhënë një mesazh deputetëve me fjalët- 'rrini në punë'. Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të jetë më serioz në raport me opozitën. Ndërkaq, Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se partitë politike në opozitë nuk e kanë lexuar fare programin e Qeverisë dhe po bëjnë kritika pa bazë. "E keni programin qeveritar. Urdhëroni lexojeni sepse njëri nga folësit tha se nuk duam ta lexojmë programin e kësaj Qeverie. E çuditshme pse duan të kritikojnë", tha Isufi. Debati në Kuvendit e Kosovës ka vazhduar edhe pa praninë e kabinetit qeveritar, kur janë dëgjuar akuza e kundër akuza. Madje, deputetet e partive politike opozitare, sidomos ata të LDK-së, kanë kërcënuar se nuk do të votojnë, Instrumentin për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA). IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit. Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti tha se kjo parti politike nuk do ta miraton dhe nuk do të merr pjesë në ratifikimin e marrëveshjeve, për të cilat kërkohen edhe votat e opozitës. "Ne nuk do ta votojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA dhe asnjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare që kërkon dy të tretat e opozitë", tha Hoti. Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se është hipokrizi e opozitës që kërkesat e tyre t'i lidh me dëme për vendin. Ai theksoi se LDK-ja po i shantazhin qytetarët duke kushtëzuar me votë për projektet strategjike, si IPA. "Këta sot na thanë se do të votojnë edhe kundër programit IPA, marrëveshje me BE-në, për t'i refuzuar 71. 5 milion euro që janë të dedikuara për qytetaret e Kosovës, sepse ato nuk janë mjetet të Qeverisë e as Kuvendit. Dhe, ne sot e pamë një shantazh publik, një kërcenim për krejt qytetaret e vendit tonë nga LDK-ja, që thanë se nuk ju votojmë nëse ju nuk i përmbaheni kushteve që ua vendosim ne", tha Krasniqi. Kurse deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku iu ka bërë thirrje deputetëve që të bëhen bashkë dhe ta kryejnë, siç tha ai një veprim patriotik, për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj. "Obligimi patriotik i yni është të ndalim këtë rrugëtim të kësaj 'Frankenshtain' qeverisje", ka thënë Abdixhiku duke iu drejtuar deputetëve të pozitës se mandati i tyre aktual në Kuvend është akti i fundit në politikë. Kjo seancë ishte thirrur nga opozita një ditë pas votimit të Qeverisë së Kosovës, më 9 shtator, por ishte ndërprerë pasi që partitë në pushtet dhe kabineti qeveritar nuk pranuan të marrin pjesë në të. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Referendumi i Katalonisë çon Spanjën në krizë

Posted: 02 Oct 2017 02:26 AM PDT

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, përballet me krizën më të madhe kushtetuese në disa dekada, pasi referendumi për pavarësi i Katalonisë i ka hapur këtij rajoni dyert për ndarje. Referendumi i së dielës, i shpallur jokushtetues nga autoritetet spanjolle, është shoqëruar me dhunë, pasi policia spanjolle ka përdorur forcën për të bllokuar votimin. Mbi 800 njerëz janë plagosur, dhjetëra janë arrestuar, por, në fund të ditës, zyrtarët katalanas, duke shpallur rezultatet, kanë thënë se 90 për qind e votuesve kanë zgjedhur të lënë Spanjën. Të hënën, rrugët e Barcelonës, kryeqytetit katalanas, kanë qenë të qeta, por editorialet në gazeta vlerësojnë se referendumi do të sjellë përplasje të reja. "Po hyjmë në një fazë të grevave dhe protestave në rrugë, me më shumë lëvizje, me më shumë shtypje", shkruan gazeta katalanase La Vanguardia. "Qeveria spanjolle ishte pa nevojë e vrullshme dhe e dhunshme në trajtimin e referendumit të Katalonisë. Tani është koha të flitet me qetësi", shkruan në anën tjetër gazeta britanike Times. Katalonia është qendër e industrisë dhe turizmit të Spanjës dhe përbën një të pestën e ekonomisë së saj. Rajoni është bazë e prodhimit për shumë kompani multinacionale, nisur nga Volkswagen deri te Nestle. Udhëheqësi katalanas, Carles Puigdemont, tha të dielën vonë se votuesit kanë fituar të drejtën për pavarësi nga Spanja. "Në këtë ditë shprese dhe vuajtjeje, qytetarët e Katalonisë kanë fituar të drejtën për shtet të pavarur në formë të republikës", tha Puigdemont në një fjalim televiziv. Por, kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ka fuqi kushtetuese për ta shkarkuar qeverinë rajonale dhe për ta vënë Kataloninë nën kontrollin qendror deri në zgjedhje të reja. Një gjë e tillë, siç vlerëson agjencia Reuters, do t'i rriste tutje tensionet në rajonin me 7.5 milionë banorë, që ka kulturën dhe gjuhën e vet, ndërsa mund ta dëmtojë edhe ekonominë e brishtë të Spanjës. Bankat kryesore të investimeve kanë thënë se presin që kriza të zgjidhet me një ofertë nga Rajoy për më shumë autonomi në Kataloni. Rajoy tha se është i gatshëm për diskutime politike, porse dialogu duhet të zhvillohet "brenda ligjit". "Propozoj që të gjitha partitë politike me përfaqësim parlamentar të takohen dhe të reflektojnë mbi të ardhmen", tha Rajoy. Mbi 40 sindikata dhe asociacione të Katalonisë kanë thirrur për të martën greva për shkak të, siç është thënë, "shkeljeve të rënda të të drejtave dhe lirive të njeriut". Marrëdhëniet e komplikuara të Spanjës me rajonin e Katalonisë po hyjnë në rrugë të panjohura, thuhet në një analizë të BBC-së. Pas dhunës nga policia spanjolle, shpallja e pavarësisë nga qeveria rajonale e Katalonisë duket më e mundshme se kurrë më parë, vlerëson BBC. Përgatiti: Valona Tela 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Së paku 50 të vrarë nga të shtënat në Las Vegas; IS-i merr përgjegjësinë

Posted: 02 Oct 2017 02:00 AM PDT

Policia në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara tha se së paku 50 veta janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri. Personi i armatosur, i identifikuar si Stephen Paddock, 64 vjeç, ka hapur zjarr nga kati i 32-të i Hotelit Mandalay Bay, drejt një festivali të muzikës që po mbahej pranë. Policia tha se i dyshuari, banor vendas, është qëlluar dhe vrarë nga oficerët. Policia po ashtu tha se është vënë në kërkim të një gruaje, të identifikuar si Marilou Danley, e cila besohet se ka udhëtuar me të dyshuarin. Grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) mori përgjegjësinë për sulmin përmes agjencisë së lajmeve Amaq dhe tha se sulmuesi "ishte konvertuar në Islam disa muaj më parë". Sherifi i policisë, Joe Lombardo, tha se policia beson se sulmuesi ka qenë nga të ashtuquajturit "ujq të vetmuar", që do të thotë individë të frymëzuar nga ideologjia ekstremiste, por që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me grupe të njohura terroriste. Lombardo tha se nuk mund të japë me saktësi numrin e të vrarëve dhe të plagosurve, por konfirmoi se dy oficerë jashtë detyrës janë në mesin e të vrarëve. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu ngushëllime për viktimat dhe familjarët e tyre. Videot e postuara në mediat sociale tregojnë turma njerëzish duke ikur nga vendi i ngjarjes, derisa dëgjohet zhurma e armës automatike. Autoritetet thanë se mbi 400 persona të plagosur janë shtruar në spital.  Shumë hotele pranë vendit të incidentit në Las Vegas mbeten të mbyllura. Disa fluturime u devijuan po ashtu. Festivali i muzikës ishte duke u zhvilluar që nga e premtja, pranë disa hoteleve në shiritin e Las Vegasit. Nevada, shteti ku ka ndodhur sulmi, ka disa nga ligjet më të buta të armëve në SHBA. Njerëzit lejohen të bartin armë dhe nuk duhet ta regjistrojnë veten si posedues të tyre. Kontrollet e historikut bëhen kur njerëzit i blejnë armët, por ata gjithashtu lejohen t'i shesin ato privatisht. Numri i viktimave në Las Vegas bën që këto të jenë të shtënat më masive vdekjeprurëse në historinë e SHBA-së.  Përgatiti: Valona Tela  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shtyhet aktakuza për ish-kryeministrin pakistanez

Posted: 02 Oct 2017 01:53 AM PDT

Një gjykatë në Pakistan ka shtyer aktakuzën për shtatë ditë, kundër ish- kryeministrit, Nawaz Sharif, pasi fëmijët e tij të pandehur nuk janë paraqitur në gjykatë. Gjykata në Islamabad, ka hapur padi për Sharifin, dy djemt e tij, vajzës dhe dhëndrit. Avokati i Sharifit, Shahnawaz Ranjha, ka thënë se fëmijët janë në Londër me nënë e tyre, e cila po merr trajtim mjekësor nga kanceri. Akuzat ndaj kryeministrit dhe fëmijëve të tij datojnë nga mandatet e tij të mëhershme, në vitet e 90-ta.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Seancë e jashtëzakonshme për programin e Qeverisë së re

Posted: 02 Oct 2017 01:44 AM PDT

Kuvendi i Kosovës po mban vazhdimin e seancën e jashtëzakonshme ku pikë e rendit të ditës është debati parlamentar lidhur me parimet programore të Qeverisë për vitin 2017 -2020. Seanca që kohë më parë ishte thirrur nga opozita, por nuk është mbajtur pasi që partitë në pushtet dhe kabineti qeveritar nuk kanë marr pjesë duke thënë se prezantimi i programit do të bëhet në momentin e finalizimit të tij. Për vazhdimin e kësaj seanca ka vendosur kryesia e Kuvendit, njësoj siç çka vendosur për të martën një seancë të re plenare.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kaos pas të shtënave në Las Vegas

Posted: 02 Oct 2017 01:34 AM PDT

Dy persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas të shtënave gjatë një festivali të muzikës në Las Vegas. Një video e postuar në rrjetet sociale shfaq momentin kur disa persona tentojnë të fshihen, ndërkaq dëgjohen të shtëna armësh. Policia në Las Vegas ka konfirmuar se një sulmues i dyshuar është vrarë, ndërkaq hetimet për këtë ngjarje janë duke vazhduar. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Formohet Këshilli kurd për referendumin

Posted: 02 Oct 2017 01:24 AM PDT

Liderët kurd të Irakut kanë formuar një Këshill politik që do të merret me referendumin për pavarësi, i cili u mbajt pavarësisht kundërshtimeve nga autoritetet nacionale në Bagdad. Zyrtarët thonë se Këshilli është krijuar për të nisur dialogun me Bagdadin dhe vendet tjera, pas referendumit për pavarësi. Media kurde, Rudaw, ka thënë se është mbajtur një takim në Irbil, i udhëhequr nga Masud Barzani, presidenti i rajonit autonom në Irak. Referendum për pavarësi kurde, i mbajtur me 25 shtator, është votuar në favor të pavarësisë nga 95 përqind e 3.3 milionë votuesve sa morën pjesë në votim.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now