“Së paku 12 të vrarë nga një sulm vetëvrasës në Pakistan” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Së paku 12 të vrarë nga një sulm vetëvrasës në Pakistan” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Së paku 12 të vrarë nga një sulm vetëvrasës në Pakistan

Posted: 05 Oct 2017 09:48 AM PDT

Zyrtarët pakistanezë thonë se në një sulm vetëvrasës me bombë, në një vend të shenjtë shiit, në jugperëndim të vendit janë vrarë të paktën 12 vetë dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë. Sulmi ka ndodhur më 5 tetor, në lagjen Jhal Magsi, që ndodhet 300 kilometra në lindje të kryeqytetit të Provincës Balochistan. Zëdhënësi i provincës, Anwarul Haq Kakar, ka thënë se të vdekurit dhe të plagosurit po dërgohen në spitalet më të arërta. Deri më tani, asnjë grup terrorist nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Për sulme të ngjashme në të kaluarën, përgjegjësinë e kanë marrë grupe esktremiste si talibanët apo grupi ekstremist, Shteti Islamik.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Arrestohet përsëri shefi i fushtatës së Navalnit

Posted: 05 Oct 2017 09:23 AM PDT

Policia në Moskë ka arrestuar udhëheqësin e fushatës zgjedhore të Aleksei Navalnit, Leonid Volkov, vetëm pak orë pasi ai u lirua nga burgu, thotë avokati i tij. Ivan Zhdanov, ka shkruar në Twitter se klienti i tij ishte arrestuar përsëri pavarësisht nga vendimi i gjykatës në Moskë për të ulur dënimin e klientit të tij në 20 ditë burgim. Nuk është ende e qartë përse Volkov është arrestuar përsëri. Zhdanov kishte thënë më herët se Volkov ishte dërguar në rihetim në Nizhny Novgorod, ku ai ishte arrestuar herën e parë. Navalny dhe Volkov u shpallën fajtorë për thirrjet e tyre për protesta të paligjshme në qytetin e Rusisë, Nizhny Novgorod. Ata u dënuan me nga 20 ditë burgim.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

NATO po vlerëson nëse Rusia ka lënë ushtarë në Bjellorusi

Posted: 05 Oct 2017 09:08 AM PDT

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca Perëndimore ende po vlerëson nëse Rusia i ka tërhequr të gjitha trupat ushtarake që i ka dërguar në Bjellorusi, gjatë manovrave ushtarake muajin e kaluar. Në një intervistë në Bruksel për Radion Evropa e Lirë, Stoltenberg ka thënë se NATO "ka monitoruar nga afër manovrat Zapad" por se " është shumë herët të vlerësojmë" nëse Rusia ka lënë ushtarë në Bjellorusi. "E rëndësishme është që çdo ushtri mund të qëndrojë në Bjellorusi me përlqimin e qeverisë Bjelloruse, dhe ministri i mbrojtjes i Rusisë ka thënë se i ka tërhequr të gjithë trupat ushtarake", tha ai duke shtuar se " ne po e vlerësojmë tashmë këtë". Në Manovrat ushtarke në mes të Rusisë dhe Bellorusisë janë përfshirë 12.700 trupa ushtarake, por zyrtarët e Perëndimit thonë se numri i vërtetë i pjesëmarrjes ushtarake në këto prova, mund të ketë qenë rreth 100,000.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Parlamenti Evropian dënon persekutimet ruse në Krime

Posted: 05 Oct 2017 08:26 AM PDT

Parlamenti Evropian, ka adoptuar një rezulutë ku dënon vendimin e Rusisë për dënimin e dhjetra personave nga Krimea që kundërshtojnë pushtimin e gadishullit. Miratimi i kësaj rezolute, me 5 tetor, kritikon  gjykimin e 50 tatarëve nga Krimea, si dhe marrjen e rajonit të Detit të Zi në vitin 2014. Parlamenti Evropian, ka kundërshtuar edhe dënimet e fundit kundër liderëve të Krimesë, Ilmi Umerov dhe Akhtem Chiygoz, nga një gjykatë nën ndikimin rus në gadishull, dhe ka bërë thirrje për "lirimin e pakusht dhe të menjëhershëm" të tyre. Akuzat ndaj gazetarit të Krimesë, Mykola Semena, duhet të "hidhen poshtë menjëherë", bën thirrje rezoluta. SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar persekutimet e Rusisë në Krime, të cilët po ashtu kanë kundërshtuar edhe pushtimin e këtij gadishulli.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kocijas mohon të ketë kontestuar identitetin maqedon

Posted: 05 Oct 2017 07:58 AM PDT

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocijas ka mohuar të ketë deklaruar se krahas kontestit të emrit të Maqedonisë duhet biseduar edhe për çështjen e identitetit dhe të gjuhës maqedone. "Shpresoj se në një moment do të mund të jemi në gjendje që të kemi bisedime përmbajtësore. Asnjëherë nuk kam thënë se kjo ka lidhshmëri me gjuhën dhe çështje tjera. Unë jam përgjegjës për atë që e flas", ka deklaruar shefi i diplomacisë greke, pas takimit në Selanik të ministrave të jashtëm të Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Ai ka pranuar se Greqia ka pasur sjellje arrogante ndaj vendeve të rajonit në vitet e 90-ta dhe se nga një sjellje e tillë ka nxjerrë mësim andaj dhe tani është e orientuar për ndërtimin e miqësive. "Ne nuk duhet të frikësohemi, por duhet të jemi të gatshëm për kompromise. Duhet ti zgjidhim problemet", ka thënë Kocijas. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov tha se dialogu është mënyra më e mirë për zgjidhjen e të gjitha problemeve të hapura, si alternativë e vetme për një vizion pozitiv për të ardhmen e rajonit dhe më gjerë. "Në thelb biseduam për të ardhmen e rajonit, çfarë mund të bëjmë që të krijohet një vizion pozitiv për të ardhmen dhe më konkretisht biseduam për bashkëpunim më të afërt me organizatat e shoqërisë civile me shtetet tjera, organizatat akademike të universiteteve. Do të përpiqemi që ta forcojmë atë. Biseduam edhe për organizimin e një biznes forumi dhe një sërë çështjesh tjera. Por kryesorja ishte se biseduam si t'ia shtojmë një dritare pozitive bashkëpunimit tonë që u hap", ka thënë Dimitrov. Ministrat e jashtëm janë marr vesh edhe për një takim tjetër pas gjashtë muajve në të cilin do të bisedohet për bashkëpunimin dhe shfrytëzimin e fondeve të Bashkimit Evropian.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj: Për Demarkacionin vendosim pasi ta gjejmë të vërtetën

Posted: 05 Oct 2017 06:13 AM PDT

"Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën për Demarkacionin dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë do t'i drejtohemi partnerëve politikë në Kosovë por edhe partnerëve ndërkombëtarë". Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovë Ramush Haradinaj. Ai thotë po ashtu se në platformën e re të Qeverisë së Kosovës për dialogun do të përfshijë të gjithë akterët vendimmarrës në vend. Po ashtu, Haradinaj sqaron edhe arsyet e tërheqjes së Kosovës nga votimi për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL. Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, cilat ishin arsyet që Kosova u tërhoq nga anëtarësimi i saj në dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTEROPL-i? Ramush Haradinaj: Vitin që po e përmbyllim ishte vit i ndërprerjeve institucionale, pra shpallja e zgjedhjeve, vonesat në ndërtimin e institucioneve dhe në mungesën e një pune konsistente paraprake. Pra një agjendë jo e qëndrueshme ose e të arriturave jo të konsoliduara në drejtim të anëtarësimit në këto dy institucione ka bërë që ne ta rishqyrtojmë strategjinë tonë deri në anëtarësim. Do të thotë sa i takon INTERPOL-it kemi filluar veç punën për vitin që vjen. Ndërsa, për UNESCO është pas dy viteve. Por kërkohet një mobilizim më serioz, pra aplikimi ynë dhe hyrja në votim. Ndryshe, hyrja në votim pa sigurinë e plotë të votës do të ishte një precedent jo i mirë për Kosovën, në planin ndërkombëtar.  Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët në Beograd në vazhdimësi kanë deklaruar se do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata. A mund të ngrihet kjo çështje në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili është thënë se ka si qëllim normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi? Ramush Haradinaj: Besoj, po është me interes të trajtohet qasja e palës në dialog, në këtë rast e palës nga Beogradi. Pse?- Për shkak se ekziston një angazhim i madh, po e quaj ashtu, obstruktiv në perspektivën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mirëpo nuk është e tëra. Por, një pjesë e madhe e punës është e jona, sikurse të kishim një punë serioze në Kosovë, do të ishte një realitet tjetër. Ka munguar një punë serioze paraprake, nuk ka ekzistuar një mekanizëm ndërministror dhe me organet përkatëse që ka një politikë konsistente dhe është punuar në baza individuale paraprakisht dhe përveç mungesës së një pune të tillë serioze, ka munguar edhe mobilizimi i partnerëve që përkrahin dhe që janë me ne në këtë plan. Kësisoj, pra nuk është vetëm puna ose suksesi i Beogradit në kundërshtim, por është mungesa e një angazhimi serioz të palës kosovare në këto dy procese.  Radio Evropa e Lirë: Kur jeni të gatshëm t'i filloni takimet në kuadër të dialogut politik me Beogradin? Ramush Haradinaj: Ne e kemi një proces të dialogut që po vazhdon. Presidenti i vendit (Hashim Thaçi) është pjesë e këtij procesi dhe e përfaqëson Kosovën, por jemi në përgatitje të një platforme të mirëfilltë të asaj se çka pret Kosova nga dialogu. Për këtë platformë do të përfshijmë të gjithë akterët vendimmarrës në vend. Pra, duhet një diskutim i brendshëm për këtë, në mënyrë që vazhdim i dialogut të jetë shërbim për popujt, pra të mos mbetet dialog vetëm i liderëve dhe këtu na pret shumë punë në ditët që vijnë. Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë zoti kryeministër, ju keni takuar dje në Prishtinë, Drejtorin e Komisionit Evropian për Zgjerim, i cili përsëriti se kosovarët do të mund të llogarisin në liberalizimin e vizave kur t'i përmbushin dy kriteret e fundit, ku njëri ndër kryesorët mbetet ai i ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Kur do të procedoni tutje me çështjen e Demarkacionit? Ramush Haradinaj: Tani ne jemi realist në të gjitha temat. E dimë obligimin që i del Kosovës në reformat e brendshme në rend dhe ligj, në çrrënjosje të korrupsionit. Pra, nuk është vetëm një vlerësim...edhe Sekretari amerikan i Shtetit, po edhe të gjithë na drejtohen me një përkrahje të parezervë, që Kosova të përmirësojë gjendje në rend dhe ligj, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizimit. Ndërsa, edhe tema e Demarkacionit është temë e cila ka filluar dhe po procedohet më tutje. Për ratifikim në versionin që është, Kosova nuk i ka dy të tretat (e votave në Kuvend). Pra, duhet gjetur një zgjidhje, por nuk i ka dy të tretat për ratifikimin e versionit ekzistues.  Radio Evropa e Lirë: A prisni mbështetje nga faktori ndërkombëtar në përpjekjet e juaja që Marrëveshja për demarkacionin të rishikohet edhe njëherë, marrë parasysh kërkesat e faktorit të jashtëm, që marrëveshja të ratifikohet sa më shpejt? Ramush Haradinaj: Në gjendjen e tanishme askush nuk ka se si të ndërhyjë, për shkak se është një gjendje e atillë, ku Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen dhe e ka kryer obligimin e vet nga një marrëveshje paraprake. Kurse Kosova nuk po arrin ta ratifikojë në Parlament me shpjegimin se të gjeturat janë gabim. Pra, versioni ekzistues është gabim nga Komisioni (paraprak). Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë po do t'i drejtohem në fillim partnerëve politikë të gjithëve në Kosovë, po edhe partnerëve ndërkombëtarë që të trajtohet kjo temë në përputhje me substancën. Ekzistojnë proceduara standarde mes vendeve kur kanë konteste të tilla dhe ne nuk bëjmë përjashtim, pra janë vende të BE-së ose vende të NATO-s. Andaj, edhe ne nuk bëjmë përjashtim do t'i respektojmë ato procedura.  Radio Evropa e Lirë: Pra, prisni përkrahjen e faktorit ndërkombëtar? Ramush Haradinaj: Është disi ta quaj ashtu një angazhim që është në dobi, sepse avancimi i Malit të Zi drejt NATO-s, drejt BE-së, avancimi i Kosovës, zgjidhja e të gjitha temave të hapura, lehtëson agjendën edhe evropiane edhe të NATO-s, po edhe të Amerikës për rajonin. Edhe në jemi të interesuar që të mbërrimë te një zgjidhje. Duhet ndihma edhe mirëkuptimi edhe i palës malazeze. Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, nga dita e parë e punës keni hasur në një rezistencë mjaft të ashpër politike në Kuvend nga opozita. Sa e konsideroni sfiduese vendosjen e dialogut me opozitën për çështje për të cilat do të kërkohet mbështetja e këtij tabori politik? Ramush Haradinaj: Tani është fat i madh se jemi demokraci, ka opozitë dhe kjo është shumë e mirë për qeverisje. Pra, na obligon, jo vetëm në seriozitet në punë, por edhe në kujdes, në ballafaqim të angazhimeve tona. Kuptohet, për mua është interes vendosja e komunikimit me opozitën, me shoqërinë civile. Sot gjatë ditës kam punuar me shoqërinë civile. Kjo nuk bëhet për hatër të Qeverisë edhe nuk bëhet për shkak se Qeveria nuk mundet që t'i ushtrojë funksionet e veta, por kjo bëhet për shkak të obligimit që e kemi në vend edhe unë e mirëpres një komunikim me opozitën. Opozita e ka një qasje të kundërshtimit të caktuar opozitar. Ma merr mendja që ata do të evoluojnë në këtë, për shkak se kjo Qeveri është serioze, është vepruese, është kompetente edhe për tu përballur me këtë Qeveri nuk vlejnë praktikat që janë përdorur nga opozita për qeveritë e kaluara . Bëhet fjalë për një kualitet tjetër, për parametra të tjerë dhe është mirë që ata sa më shpejt të përballen me ne për planet qeverisëse që lidhen me zhvillimin ekonomik, me luftën kundër korrupsionit, me forcimin e rendit dhe ligjit. Nëse vazhdojnë që të përballen me ne me vënien në pikëpyetje të vlerave patriotike, të aspekteve të marrëdhënieve ndëretnike e të tjera, është humbje kohe për ta, për shkak se ne jemi njerëz që kemi rrugëtuar gjatë në interesin e Kosovës, për interesin e Kosovës. Po ashtu, vet jam njëri prej atyre që kam ndihmuar në partneritetin me miqtë e Kosovës, sidomos me ata që janë aleatë që kanë rrugëtuar me Kosovën në çdo etapë. Kështu që, më mirë do të ishte për ta që të fokusohen në temat që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të punës, me zhvillimin e jetës. Në tema të tjera, vërtetë janë gabim. Radio Evropa e Lirë: Do ta ftoni opozitën të jetë pjesë e dialogut me Beogradin?  Ramush Haradinaj: Qeveria aktualisht dhe unë do ta mbështesë agjendën që ka Presidenti (Hashim Thaçi) për dialogun. Pra, ne jemi mbështetës të kësaj agjende edhe vet roli i Presidentit është një rol si funksion institucional, është unifikues, është përfaqësues i të gjithëve. Unë e mirëpres angazhimin e opozitës në këtë temë. Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, një prej marrëveshjeve kryesore të dialogut me Serbinë deri në këtë fazë, është themelimi i Asociacionit të komunave serbe. Kur do të procedohet në drejtim të themelimit të këtij Asociacioni? Ramush Haradinaj: Tash ne kemi një gjendje të qartë, do të thotë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e gjen marrëveshjen për Asociacionin jo në harmoni me Kushtetutën. Ne na mbetet që të veprojmë në një të ardhme në bazë të asaj që parasheh Kushtetuta e vendit, duke respektuar edhe të gjeturat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, është një proces në të cilin Kosova mund të veprojë në rrethana të caktuara bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo që është po ashtu me rëndësi është që Kosova do të kishte vepruar në plot tema sikurse Kosova të ishte më e sigurt në perspektivën e vet. Një qasje e re e Serbisë që t'i adresohet vendeve të BE-së dhe të bëjë analogji të Kosovës me Kataloninë, nuk i lehtëson këto tema. Pra është një qasje e gabuar. Çdoherë është thënë se duhet të krijohet klimë për zbatim të obligimeve të ndërsjella. Kjo vërtetë e vështirëson klimën e ndërmarrjeve që duhet t'i merr Kosova në përputhje jo vetëm me dialogun por edhe me objektiva e veta që i ka. Ne nuk jemi kandidat për BE, ne jemi vetëm me MSA, do të thotë kjo është një fazë shumë e vonuar për Kosovën. Liberalizimi i vizave nuk na është dhënë. Ne nuk kemi avancuar drejt NATO-s në shkallën e duhur. Ende nuk e kemi dhënë emrin kushtetues të Ushtrisë së Kosovës dhe mandatin kushtetues. Pra, disa procese të këtilla e kishin rritë mundësinë, kapacitetin e Kosovës që të ndërmarrë veprime që janë të guximshme në avancim të mëtejmë për plot tema që i ka vendi. Radio Evropa e Lirë: Kur mendoni se do të bëhet kjo klimë për të proceduar me Asociacionin? Ramush Haradinaj: Kontribut të madh jep vet Qeveria me mënyrën e punës, me një angazhim serioz në tema që i përmenda më herët. Pra, vet qeverisja efektive, vepruese, e përgjegjshme dhe që garanton funksionimin e vendit ndihmon në këtë klimë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj: Demarkacioni aktual është gabim

Posted: 05 Oct 2017 06:05 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë ka thënë se do të procedohet me Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, pasi të mësohet e vërteta. Ai thotë se gjetjet e Komisionit paraprak për shënjimin e vijës kufitare, kanë qenë gabim.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Personat me sindromën Down dëshmohen me punën e tyre

Posted: 05 Oct 2017 05:52 AM PDT

Prej 900 personave me sindromën Down, sa prezantohet në shifrat zyrtare se ka në Kosovë, vetëm 5 prej tyre janë të punësuar. Që të pestit janë të punësuar në institucione private dhe asnjë në institucionet publike. Shoqata ''Down Sindrom Kosova'', prej themelimit të saj në vitin 2007 funksionon me qendra rajonale në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe në Mitrovicë dhe ka pasur për qëllim mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie të shoqërisë. Së fundmi, kjo shoqatë ua ka mundësuar këtyre personave që brenda institucionit të prodhojnë dhe paketojnë xhem nga mjedrat. Ky xhem, tashmë është në shitje, ku ditën e enjte edhe është bërë promovimi i kësaj pune. Në këtë projekt janë paguar për punën e tyre gjashtë persona me sindromën Down. Engine Avgje, menaxher i projektit ,''Xhem X21 Mjedra'', i cili ka për qëllim qasjen e tregut të punës për personat me sindromën Down tha për Radion Evropa e Lirë se pas trajnimeve që këta persona i kanë mbajtur, janë pavarësuar plotësisht për ta kryer punën e tyre, e që tashmë ka rezultuar me shumë sukses. "Me këtë projekt kemi filluar në muajin maj dhe kemi bashkëpunuar me teknologen për të na mësuar si të prodhohet xhemi. Më pas kemi filluar me prodhim dhe paketim. Gjashtë persona me sindromën Down dhe tre të tjerë nga qendra e personave me sindromën Down, janë angazhuar në këtë projekt". "Tash janë të aftë për ta përgatitur xhemin dhe qëllimi ka qenë me i tregu aftësitë e personave me sindromën Down, e që kanë mundësi dhe aftësi për të me punuar", thotë Avgje. Një nga të punësuarit është Agron Bilalli. Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se sa është i rëndësishëm ky program, dhe punësimi i tij në përgatitjen dhe paketimin e xhemit. "Sa i përket çështjes me xhemin, këta na kanë ndihmuar shumë. Unë kam punuar në këtë projekt. Ndihem shumë mirë. Kam punuar edhe me paketimin e mjaltit e që ka qenë projekt i mëhershëm dhe tashmë kanë thënë të punojmë edhe në projektin me xhem", tha Bilalli. Drejtoresha e shoqatës ''Down Sindrom Kosova'', Sebahate Beqiri tha se i gjithë procesi i prodhimit dhe paketimit bëhet brenda shoqatës, derisa qëllimi i gjithë kësaj është që të ngritet vetëdija e qytetarëve që personat me Down sindromë mund të jetojnë të pavarur. "Sa i përket trajnimit dhe aftësimit profesional, ky program është në kuadër të Shoqatës 'Down Sindrom Kosova' dhe ne po i mbështesim për një periudhë të gjatë kohore këta persona për zhvillimin e aftësive të tyre profesionale. Ne kemi dizajnuar programe si 'Kafeterinë X21' në Prishtinë , 'Bistro Garden' në Prizren , punëtoria për paketimin e mjaltit si dhe projekti i fundit për xhem, 'X21 mjedra'', tha Beqiri. Vetëm dhjetë vite më parë shumë prindër të fëmijëve me sindromën Down nuk kanë pasur njohuri për të drejtat e fëmijëve të tyre. Por, ndërkohë me angazhimin e zyrtarëve të organizatave siç është "Down Sindrom Kosova", informimi dhe përkrahja ka ndryshuar qasjen e tyre në shoqëri.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Shqetësim për arrestimin e punonjësit të konsullatës në Turqi

Posted: 05 Oct 2017 05:33 AM PDT

Shtetet e Bashkuara thonë se janë "thellësisht të shqetësuara" për arrestimin nga autoritetet e Turqisë të një punonjësi lokal të konsullatës amerikane në Stamboll. Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu, ka raportuar se një gjykatë në Stamboll mbrëmë vonë vendosi për mbetjen në arrest të këtij punëtori, lidhur me akuza për kontakte me klerikun, Fethullah Gulen, me seli në Shtetet e Bashkuara, për të cilin Ankaraja thotë se e ka orkestruar puçin e dështuar të vitit të kaluar. Ky i punësuar në konsullatën amerikane, të cilin mediat lokale e kanë identifikuar me inicialet M. T., është i akuzuar për spiunim dhe synim për përmbysjen e qeverisë turke, ka raportuar agjencia Anadolu. "Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar nga arrestimi i anëtarit lokal të personelit", thuhet në deklaratën e sotme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Ankara. "Ne besojmë se këto akuza janë tërësisht pa bazë", theksohet në deklaratën e ambasadës. Turqia, tash e sa kohë, i bën presion Uashingtonit për ekstradimin e zotit Gulen. Fethullah Gulen e ka hedhur poshtë çfarëdo lidhjeje me përpjekjen për puç në Turqi. Prej fillimit të kësaj jave, në Turqi janë arrestuar 291 njerëz të dyshuar se kanë lidhje me Gulenin, ka raportuar agjencia Anadolu.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Buxheti prej mbi dy miliardë euro, në pikëpyetje

Posted: 05 Oct 2017 04:30 AM PDT

Realizimi i buxhetit të Kosovës prej mbi dy miliardë euro për vitin 2018, vihet në pikëpyetje nga përfaqësues të bizneseve në vend. Sipas tyre, nuk janë bërë hapa të duhur nga autoritetet që t'i mundësonin shtetit një buxhet të tillë. Përveç tjerash, ata thonë, se agjenda politike ka ngufatur edhe objektivat për një buxhet prej mbi dy miliardë euro. Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë kishte paralajmëruar se Kosova do të ketë një buxhet prej mbi dy miliardë euro në vitin 2018. "Vlera e buxhetit do të jetë mbi dy miliardë euro, bazuar në burime të qëndrueshme. Sa u përket projeksioneve ne do të jemi të kujdesshëm që të jenë në përputhje me nivelin e rritjes ekonomike dhe normalisht për ndonjë pikë të përqindjes do të jetë më i lartë", pati deklaruar Hamza. Megjithatë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë për Radion Evropa e Lirë se një buxhet i tillë mund të realizohet, por jo në këto rrethana kur Parlamenti është në formën teknike, kur është një Qeveri e ri apo kur është cenuar, siç thotë ai, partneriteti me mekanizmat ndërkombëtarë. "Dua të besoj që të arrihet një buxhet i tillë, por në këto rrethana e kam frikën se do të jetë shumë e vështirë dhe do të jetë prapë një barrë që do të godet drejtpërsëdrejti sektorin privat. Kur kësaj i shtohet edhe fakti i prolongimit të paargumentuar të fillimit të zbatimit të pakos fiskale 2, atëherë mbetet për t'u dëshiruar, por vështirë për t'u realizuar", thotë Gërxhaliu. Derisa, buxhetin prej dy miliardë euro institucionet e Kosovës e kanë bazuar në fuqinë e sektorit privat, sipas Gërxhaliut, ky sektor duhet të ketë mbështetje. Për të mbështetur këtë sektor, Gërxhaliu thotë se është e nevojshme miratimi i Ligjit për tregti të brendshme, Ligji anti-damping dhe Ligji për mbrojtjen e produkteve vendore. "Buxheti pritet të grumbullohet nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, e që do të jetë një barrë për sektorin privat, por dua të besoj që nëse mendohet që të rritet buxheti, institucionet duhet të bëjnë më tepër të mbështet sektorin privat dhe ajo çka kërkon sektori privat është të këtë barazi si vendet e rajonit dhe mbi të gjitha të ketë mbrojtje", thotë Gërxhaliu. Buxhetin prej mbi dy miliardë euro, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka e pamundëson edhe niveli i lartë i ekonomisë jo formale. Ai thotë se autoritetet e Kosovës nuk janë treguar efektive në luftimin e ekonomisë në të zezë. "Nëse institucionet përgjegjëse arrijnë të tregojnë veprime më konkrete në luftimin e ekonomisë joformale, e cila është në shifra alarmante për vendi realizmi i një buxheti të tillë nuk do të duhej të ishte problematik. Megjithatë, me veprimet e treguar me nga ana e institucioneve në të kaluarën në luftimin e ekonomisë joformale, që kanë qenë veprime të mangëta, kjo mund të na bëjë që të jemi pesimist në lidhje me realizmin e një buxheti prej dy miliardë euro", thotë Zeka. Sa i përket ekonomisë joformale, zyrtarë qeveritarë në vazhdimësi kishin paralajmëruar luftë të pakompromis kundër kësaj dukurie. Ata kishin deklaruar se si pasojë e ekonomisë joligjore janë miliona euro në vit, të cilat nuk arkëtohen në arkën e shtetit. Ndërkohë, raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kishin vënë në pah se evazioni fiskal në Kosovë arrin në mbi 30 për qind. Buxheti i Kosovës edhe në vitin 2017, kishte shifrën e mbi dy miliardë eurove, e i cili ishte më i larti që nga paslufta në Kosovë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kazuo Ishiguro e fitoi Çmimin Nobel për letërsi

Posted: 05 Oct 2017 04:27 AM PDT

Shkrimtari nga Britania, Kazuo Ishiguro, është fitues i Çmimit Nobel 2017 për letërsi, për shkrimet e tij "me forcë të madhe emocionale", ka shpallur sot Akademia Suedeze. Ishiguro është i njohur për romanin e tij të vitit 1989, Mbetjet e Ditës (The Remains Of The Day). Ishiguro "në veprën e tij me forcë të madhe emocionale, i ka zbuluar ndjenjat tona iluzore nën humnerën e lidhjes me botën", thuhet në arsyetimin e Akademisë për dhënien e çmimit, i cili fituesit i sjell edhe 1.1 milion dollar amerikan. Ky shkrimtaar është i lindur në Nagasaki të Japonisë në vitin 1954, ndërsa si fëmijë ka kaluar në Britani, ku jeton edhe sot. Ai shkruan në gjuhën angleze. Fituesi i çmimit të sotëm paraqet kthesë në interpretimin kryesor të literaturës, pasi në vitin 2016 ky çmim iu dha këngëtarit amerikan, Bob Dylan. Këto çmime e bartin emrin e zbuluesit të dinamitit, Alfred Nobel, dhe prej vitit 1901, jepet për të arritura në shkencë, literaturë dhe për paqe.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Janë bastisur shtëpitë e pjesëtarëve të grupit Khodorkovsky

Posted: 05 Oct 2017 04:11 AM PDT

Shtëpitë në Moskë të disa punëtorëve të lëvizjes civile të themeluar nga pasaniku rus në ekzil, Mikhail Khodorkovsky, sot janë bastisur nga policia ruse. Lëvizja, Rusia e Hapur, ka njoftuar në faqen e saj në Internet, se hetuesit moskovitë i kanë bastisur shtëpitë e kryeredaktores së faqes në Internet të kësaj organizate, Veronika Kutsyllo, dhe prindërit e kryesuesit të këtij grupi, Aleksandar Solovyov. Këto hetime kanë lidhshmëri me rastin për një kohë të gjatë kundër kompanisë Yukos, dikur firma më e madhe e naftës në Rusi, e themeluar nga Mikhail Khodorkovsky. Yukos ishte shkatërruar pas arrestimit të Khodorkovskyt në vitin 2003, i cili më vonë u dënua për krime financiare në dy procese gjyqësore, për të cilat mbështetësit e tij thonë se ishin orkestruar nga Kremlini, për ta penguar financimin e tij të partive opozitare ruse, për ta dënuar atë për kundërshtimin e presidentit, Vlaidmir Putin, dhe për ta arsyetuar transferin e kapaciteteve kryesore prodhueese të Yukosit nën kontroll të shtetit. Khodorkovsky i kaloi 10 vjet në burg dhe u largua në Rusi, pasi u amnistua nga Putini në vitin 2013. Ai tash jeton në Evropën Perëndimore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Macron ka ofruar ndërmjetësim ndërmjet Irakut dhe kurdëve

Posted: 05 Oct 2017 02:51 AM PDT

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka ofruar të ndërmjetësojë ndërmjet qeverisë së Irakut dhe kurdëve, pas referendumit për pavarësi të mbajtur muajin e kaluar. Këtë ofertë ai ia paraqiti sot në Paris kryeministrit të Irakut, Haidar al-Abadi, ku ata kanë biseduar për shumë çështje, përfshirë mbështetjen franceze për luftën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, dhe për ripërtritjen e ekonomisë së Irakut. Iraku ka kërkuar anulimin e referendumit të mbajtur më 25 shtator në të cilin 92.7% e atyre që morën pjesë në votim, u shprehën për pavarësi. Macron tha se Franca e mbështet stabilitetin dhe integritetin territorial të Irakut dhe ka shprehur shqetësim për situatën me kurdët, pas referendunimit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Konsensus në Senat për përzierjen ruse në zgjedhje

Posted: 05 Oct 2017 01:41 AM PDT

Një komitet i Senatit të Shteteve të Bashkuara thotë se ekziston konsensus se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016, por ende po zhvillohen hetime lidhur me çështjen nëse ka pasur ndonjë marrëveshje të fshehtë ndërmjet Moskës dhe ekipit të fushatës së Donald Trumpit. Senatori republikan nga Karolina Veriore, Richard Burr, kryesues i Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara, tha mbrëmë në Uashington se komiteti "vazhdon të shikojë në të gjitha dëshmitë për të parë nëse atje ekziston çfarëdo prove për marrëveshje të fshehtë...po ne ende nuk jemi atje". Mëtutje, ai ka theksuar se komiteti i ka kryer më se 100 intervista, përfshirë shumë pjesëtarë të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe ish-presidentit, Barack Obama, dhe i ka shqyrtuar më se 100 mijë dokumente gjatë hetimit të tyre. Mëtutje, ai është shprehur: "Mendoj se ekziston konsensus i përgjithshëm në mesin e anëtarëve se ne u besojmë konkluzioneve të CIA-s, por ne nuk e mbyllim shqyrtimin tonë për këtë, megjithqë vështirë se do të gjejmë informatë shtesë gjatë kompletimit të hetimit tonë", tha Richar Burr. Vlerësimi i komunitetit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara ishte se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Senatori demokrat nga Virxhinia, Mark Warner, zëvendëskryesues i Komitetit të Inteligjencës, tha se ekziston "konsensus" se rusët "kanë ndërhyrë në mënyrë kibernetike në dosjet politike" të Shteteve të Bashkuara dhe kanë publikuar informacione në përpjekje për "të ndikuar në zgjedhje". Zoti Burr tha se megjithqë Rusia është përzier në zgjedhje, ai mund të thotë në mënyrë "të certifikuar" se totali i votave nuk e kanë ndryshuar rezultatin. Sipas tij, komiteti ka përcaktuar se involvimi rus në blerjen e shpalljeve në mediat sociale ishte "joselektiv" dhe nga kjo nuk ka përfituar "njëra palë e spektrit ideologjik ose tjetra". Senatori Burr tha se me shpalljet e blera është bërë "përpjekje për të krijuar kaos dhe do të thoja se ata ishin tmerrësisht të suksesshëm". Mëtutje, ai ka theksuar se shumë media sociale nuk i kanë marrë seriozisht kërcënimet nga ndikimi rus në procesin demokratik para zgjedhjeve dhe se zyrtarët nga kompanitë, Google, Twitter dhe Facebook, do të paraqiten në dëgjimet publike, "në mënyrë që amerikanët të dëgjojnë se si ata do ta mbrojnë procesin zgjedhor në të ardhmen dhe si do ta dinë nëse një shpallje është e gjeneruar nga një entitet i jashtëm". Rrjeti Facebook ka njoftuar para disa ditësh se do t'i angazhojë më se një mijë vetë për të ndihmuar në parandalimin e paraqitjeve të shpalljeve mashtruese në Facebook dhe ndikimin e zgjedhjeve të ardhshme. Facebook i ka dhënë Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara më se 3 mijë shpallje, për të cilat thotë se me gjasë ishin operuar jashtë Rusisë dhe kanë postuar çështje përçarse gjatë fushatës. Senatori Burr tha se Senati nuk do t'i publikoj këto shpallje por e ka inkurajuar Facebookun që ta bëjë këtë. "Në fund të fundit është me rëndësi për popullin amerikan që t'i shef këto shpallje", tha Burr. Senatori Warner tha se shërbimet e inteligjencës së Rusisë nuk janë kufizuar vetëm në zgjedhjet amerikane. "Masat e përpjekjeve aktive ruse nuk kanë përfunduar në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016. Ata nuk ishin të përqendruar vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi parë shqetësime që janë ngritur në Francë, në Holandë, në Gjermani, dhe për këtë arsye ne duhet të jemi në roje", tha Mark Warner. Përgatiti: Fatmir Bujupi  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Pesë ish-presidentë në koncertin për ndihmë të viktimave të uraganit

Posted: 05 Oct 2017 12:43 AM PDT

Të gjithë ish-pesë presidentët amerikanë, që janë gjallë, parashihet të marrin pjesë në një koncert në një universitet në Teksas, për t'i ndihmuar viktimat e uraganit. Koncerti do të mbahet më 21 të këtij muaji. Në kumtesën e mbrëmshme, theksohet se Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton, George H.W. Bush dhe Jimmy Carter, do të paraqiten së bashku në koncertin në Universitetin A&M në Teksas. Me këtë koncert do të tubohen fonde për viktimat e stuhive natyrore, që e kanë goditur pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara dhe rajonin e Karaibeve. Kjo shpallje u bë nga Libraria e Fondacionit Presidencial, George H.W. Bush, ku, po ashtu, theksohet se "të gjitha shitjet e biletave dhe të ardhurat e tjera" do të përdoren për ripërtritjet nga shkatërrimet e shkaktuara nga stuhitë në Teksas, Floridë dhe në Karaibe, përfshirë territorin amerikan, Porto-Riko. Në Teksas jeton familja Bush, nga e cila George H.W. dhe djali i tij, ishin presidentë të Shteteve të Bashkuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

I dërguari amerikan takohet me ndihmësin e Kremlinit

Posted: 05 Oct 2017 12:22 AM PDT

Kurt Volker, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për përpjekjet për ndaljen e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës, tha se do të takohet me ndihmësin e Kremlinit, Vladislav Surkov, në kryeqytetin Beograd në Serbi. "Ne do të takohemi me kolegun rus më 7 tetor në Beograd për të diskutuar se si ta shpejtojmë implementimin e marrëveshjes së Minskut dhe ta ripërtrijmë integritetin territoril të Ukrainës", ka shkruar sot herët në mëngjes zoti Volker në rrjetin Twitter. Ky do të jetë takimi i dytë ndërmjet amerikanit Kurt Volker dhe Vladislav Surkovit, që është përfaqësues i presidentit të Rusisë, Vladislav Surkov, për konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Irak: Forcat qeveritare e morën qendrën e një qyteti nga IS-it

Posted: 04 Oct 2017 11:27 PM PDT

Forcat irakiane thonë se e kanë rimarrë kontrollin ndaj qendrës së qytetit Havia, që ishte bazë e grupit ekstremist, Shteti Islamik, në provincën Kirkuk, dhe po avancojnë në sulmin e tyre në këtë qytet, që ka mbetur baza e fundit e militantëve në Irak. Ushtarët, policët dhe pjesëtarët e grupeve paramilitare, të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara "e çliruan tërë qendrën e qytetit Havia dhe po e vazhdojnë avancimin e tyre", tha komandanti i operacionit, Abdel Amir Yarallah. Kjo ofensivë ka filluar më 21 shtator. Havia ndodhet afro 240 kilometra në veri të kryeqytetit Bagdad dhe 50 kilometra në perëndim të Kirkukut. Kombet e Bashkuara para dy ditësh kanë njoftuar se vlerësohet se 12,500 njerëz janë larguar nga Havia, prej se ishte lansuar ofensiva e ushtrisë irakiane. Numri i sakt i njerëzve që ende ndodhen në qytet është i panjohur, por mendohet se ky numër mund të jetë më i lartë se 78 mijë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Iran: Një negociator atomik u dënua për spiunim

Posted: 04 Oct 2017 11:17 PM PDT

Një anëtar i ekipit të Iranit për negociatat për arritjen e marrëveshjes atomike me fuqitë botërore në vitin 2015, është dënuar me pesë vjet burg, pasi ishte akuzuar për spiunim. Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve e Iranit, Tasnim, në raportin e djeshëm nuk e ka dhënë emrin e personit të dënuar, por i vetmi anëtar i ekipit të negociatorëve që dihet se ballafaqohej me akuza penale është Abdolrasoul Dorri Esfahani, me shtetësi kanadeze dhe iraniane. "Dënimi i anëtarit të ekipit për negociata atomike, i cili ishte arrestuar dhe liruar në bazë të pagesës së paraparë ligjore, është konfirmuar në gjykatën e apelit në Teheran", thuhet në raport dhe theksohet se "ky person është dënuar me pesë vjet burg". Besohet se agjencia e lajmeve Tasnim është e afërt me Gardën revolucionare islamike të Iranit, që mbanë linjë të fortë. Një zëdhënës i qeverisë së Kanadasë tha pa elaboruar më detajisht, se zyrtarët janë "të vetëdijshëm për raportet në media se një person me shtetësi të dyfishtë është dënuar në Iran". Irani nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Raportohet për tre ushtarë amerikanë të vrarë në Nigeri

Posted: 04 Oct 2017 10:29 PM PDT

Tre pjesëtarë të njësive speciale të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, nga një sulm, derisa ata po patrullonin së bashku me forcat lokale të Nigerisë, kanë raportuar mediat amerikane. Duke i cituar zyrtarët amerikanë, e përditshmja New York Times dhe agjenci të tjera të lajmeve, raportuan se edhe disa ushtarë të Nigerisë ishin vrarë në këtë sulm, i cili me gjasë është kryer nga militantët e al-Kaidës. Nëse konfirmohen raportet, atëherë këto do të ishin vrasjet e para luftarake të ushtarëve amerikanë në këtë vend afrikan. Komanda e Shteteve të Bashkuara për Afrikë tha se ushtarët amerikanë në Nigeri ndihmojnë me stërvitje dhe operacione të sigurisë, në luftën e forcave vendëse kundër ekstremistëve të dhunshëm.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump viziton Las Vegasin

Posted: 04 Oct 2017 10:45 AM PDT

Presidenti Donald Trump, ka arritur në Las Vegas, udhëtim i cili do t'i testoj aftësitë e tij ngushëlluese, në një shtet të shokuar nga sulmi më i madh vdekjeprurës në historinë e SHBA-së. Presidenti dhe zonja e parë, Meladia Trump, së bashku me sherifin, Joseph Lombardo kanë vizituar një spital lokal, ata kishin planifikuar të vizitonin edhe viktimat me familjarët e tyre. "Është trishtuese. Ne do t'i respektojmë dhe  vizitojmë policinë që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, për një kohë shumë të shkurtër", ka thënë Trump para gazetarëve. Kjo është hera e  parë që Trump po përballet drejtpërdrejtë me pasojat e të shtënave vdekjeprurëse në SHBA, që si pasojë kanë vrarë qindra persona në vitet e fundit. Autori i tragjedisë, Stephen Paddock, 64-vjeçar,  kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të turmës, në një koncert në Las Vegas.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now