“Putini nuk ka vendosur nëse do të rikandidojë për president” plus 18 more Radio Evropa e Lirë |
- Putini nuk ka vendosur nëse do të rikandidojë për president
- Navalny nga burgu bën thirrje për pjesëmarrje në protesta
- Erdogan dhe Rohani kundërshtojnë shtetin kurd
- BE-ja nuk tërhiqet nga kriteret për liberalizim të vizave
- Rihapja e rastit “Monstra”, ngjall shpresat për gjykim të drejtë
- Kosova fiton 71 milionë euro nga IPA
- Kroaci: Presidenca konfirmon shtyrjen e vizitës së Vuçiqit
- Gjykata Evropiane: Rusia e ka shkelur të drejtën e lirisë së shprehjes
- Një jetë pritje për trupat e pajetë
- Në pritje të trupave të pajetë
- Çmimin Nobel për kimi e fituan tre shkencëtarë
- Lideri i Katalonisë: Pavarësia do të shpallet “brenda ditëve”
- Danielsson: Kosova të plotësojë kriteret e fundit për liberalizim të vizave
- Siri: Nga sulmi rus janë vrarë 12 militantë dhe është plagosur një lider
- Mbreti i Spanjës i ka dënuar organizatorët e referendumit
- Pakistan: Janë ekzekutuar tre militantë të dënuar për terror
- SHBA: Urdhërohet reduktim i personelit të Ambasadës së Kubës
- Sulmuesi në Las Vegas kishte shumë armatime
- Bullgaria, Greqia dhe Rumania e mbështesin Serbinë në BE
| Putini nuk ka vendosur nëse do të rikandidojë për president Posted: 04 Oct 2017 09:49 AM PDT Kanë mbetur më pak se gjashtë muaj deri në zgjedhjet e ardhshme në Rusi, dhe presidenti Vladimir Putin, ende nuk ka vendosur nëse do të kërkojë edhe një mandat tjetër gjashtëvjeçar. Nuk është për tu habitur nëse Putin, i cili pritet të kandidojë dhe të fitojë mandatin e katërt si president i një vendi me sistem politik rreptësisht të kontrolluar, do të kërkojë edhe një madat tjetër. "Jo vetëm që nuk kam vedosur nëse do të kandidoj kundër dikujt, ende nuk kam vendosur nëse edhe do të kanditoj", ka thënë Putin gjatë një konference ndërkombëtare në Moskë, kur ishte pyetur se kundër kujt do të kandidonte. Putin, nuk e ka përmendur fare Aleksei Nacalny-n, politikanin opozitar i burgosur nga Kremlini dhe i cili synon të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në Rusi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Navalny nga burgu bën thirrje për pjesëmarrje në protesta Posted: 04 Oct 2017 08:53 AM PDT Lideri i burgosur opozitar rus, Aleksei Navalny, u ka bërë thirrje përkrahësve të tij që të marrin pjesë në protestat e organizuara në ditën e ditëlindjes së presidentit rus, Vladimir Putin. Navalny e ka bërë këtë thirrje, pavarësisht paralajmërimeve nga Kremlini se organizatorët e tubimeve publike do të persekutohen. "7 tetori është dita ku ne do të flasim, të gjithë së bashku... Putini duhet të na dëgjojë dhe të tërhiqet", ka shkruar Navalny në një letër të postuar në faqen e tij të internetit. " Ai (Putini) ka qenë në pushtet për 18 vite dhe kjo është mjaft", ka thënë ai. Navalny, i cili do të garojë për zgjedhjet presidenciale në mars, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që t'i përdorin të gjitha mjetet, përfshirë internetin që të bëjnë fushtatë për zgjedhje fer dhe të hapura. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Erdogan dhe Rohani kundërshtojnë shtetin kurd Posted: 04 Oct 2017 08:03 AM PDT Presidenti iranian dhe ai turk, kanë thënë se shtetet e tyre do të ndërmarrin hapa për tu siguruar se kufijtë në rajon nuk do të ndryshohen, pas referendumit të fundit për pavarësi të rajonit autonom kurd. "Ne nuk do të pranojnë ndryshimin e kufijve në rajon", ka thënë presidenti iranian, Hassan Rohani, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan. "Turqia, Irani dhe Iraku nuk kanë zgjidhje tjetër përpos që të marrin masa serioze dhe të nevojshme për të mbrojtur qëllimet strategjike që kanë në rajon", ka thënë Rohani. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rohani po ashtu ka thënë se "Turqia do të importojë më shumë gaz në Iran dhe se takimi do të mbahet javën e ardhshme për të diskutuar detajet". Erdogan do të takojë Liderin Suprem iranian, Aytollah Ali Khamenei, gjatë vizitës së tij në vend. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| BE-ja nuk tërhiqet nga kriteret për liberalizim të vizave Posted: 04 Oct 2017 06:47 AM PDT Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mbeten dy kushtet e fundit, pa plotësimin e të cilave, Kosova nuk mund të sigurojë liberalizimin e vizave. Këtë e ka bërë të qartë Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë. Danielsson, i cili është takuar të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin kanë nisur zyrtarisht Programin për Reforma Ekonomike, ka thënë se një nga sfidat në përpjekjet për t'i realizuar reformat, është adresimi i çështjes së krimit të organizuar, si dhe korrupsionit. "Është e rëndësishme për disa arsye. Është e rëndësishme për vet Kosovën. Është e rëndësishme për klimën e biznesit. Nëse flasim me operatorët ekonomik dhe i pyesim se cilat janë çështjet e rëndësishme për ta dhe që do të mundësonte krijimin e vendeve të punës, ata e përmendin korrupsionin dhe krimin e organizuar", tha Danielsson. "Prandaj, është me rëndësi që të adresohen këto çështje. Gjithashtu, kjo është një nga kriteret, sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", theksoi ai. Ai tha po ashtu se për të marrë liberalizimin e vizave, kriter tjetër mbetet ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. "Kriteret janë të njohura publikisht dhe ne këshillojmë që të shikohet se si të adresohen këto kritere. Kjo i takon Qeverisë së Kosovës. Nga ana jonë, zotimi është i qartë. Një hap është kryer. Komisioni (Evropian) është i gatshëm që të bëj rekomandimin për liberalizim të vizave, sapo të kryhen këto çështje", tha Danielsson. Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati deklaruar se përgjigja nga Brukseli rreth liberalizimit të vizave, mund t'i vinte Kosovës brenda tre muajve. Kurse ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli javën e kaluar qëndroi në Bruksel ku kërkoi që Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, të anashkalohet si kusht për liberalizimin e vizave, të paktën për një periudhë të caktuar. Por, kjo kërkesë, deri më tani, nuk është mbështetur me ndonjë deklaratë publike nga zyrtarët e BE-së, të cilët kanë ritheksuar se ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi mbetet kushti që Kosova të ecë përpara në procesin e heqjes së vizave. Kryeministri Haradinaj, njihet si një prej kundërshtarëve më të rreptë të versionit aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ai ka mandatuar tashmë Komisionin e ri shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe i ka dhënë kompetenca për të korrigjuar Marrëveshjen tashmë të nënshkruar nga Qeveria e kaluar e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi. Kjo marrëveshje, megjithatë është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi, por jo edhe në atë të Kosovës. Ndërkaq pas takimit me zyrtarin e lartë të BE-së, Haradinaj tha se zbatimi i reformave të nevojshme është me rëndësi për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Sipas tij reformat në rend, ligj dhe gjyqësor, në të cilat janë shënuar ngecje, janë me interes të drejtpërdrejtë për Kosovën. Megjithatë, sipas tij, fokusi i takimit të sotëm me zotin Danielsson, ka qenë Programi për reforma ekonomike dhe nisja e këtij programit për vitin që vjen. "Ishte një mundësi e mirë që të marrim, drejtpërdrejtë nga zoti Danielsson, sugjerimet për aspektet më me rëndësi të këtij programi. Kjo e vërteton përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane për Kosovën dhe për rajonin tonë", ka thënë Haradinaj. Ai ka shtuar se në rast se Kosova nuk i përmbushë reformat dhe nuk e dëshmon seriozitetin e saj në këtë çështje, "do ta dënoj vetën, për shkak se proceset ngadalësohen dhe ndihmat pakësohen ose ndalen". Kryeministri Haradinaj gjithashtu ka theksuar se Programi për Reforma Ekonomike nuk është përgjegjësi vetëm e Qeverisë, por edhe e shoqërisë civile, e partive politike dhe e të gjitha bashkësive dhe komuniteteve në Kosovë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rihapja e rastit “Monstra”, ngjall shpresat për gjykim të drejtë Posted: 04 Oct 2017 05:55 AM PDT Kërkesa e Prokurorisë Publike për anulimin e vendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të Gjykatës së Apelit për rastin e njohur si "Monstra" dhe hapjen e një procesi të ri gjyqësor, ka ngjallur shpresat e familjarëve të gjashtë shqiptarëve të dënuar me burg të përjetshëm për rigjykim të drejtë. Ata besojnë se të afërmit e tyre nuk janë fajtor për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, në prill të vitit 2012, në vendin e quajtur liqeni i Smillkovës në Shkup, pasi sipas tyre, bëhet fjalë për proces të montuar pas të cilit mund të qëndrojnë persona të politikës nga qeveria e kaluar. Bedri Ajdari nga këshilli i familjarëve, tha për Radion Evropa e Lirë se pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila duhet së shpejti të vendosë për kërkesën e prokurorisë, të afërmit e tyre do të gjenden të lirë për të dëshmuar pafajësinë e tyre para një trupi gjyqësor të pavarur. "Gjasat janë shumë reale që pas shfuqizimit të vendimit t'i prezantojmë argumentet tona dhe të kërkojmë nga ata që akuzojnë që të jenë të qartë, të prerë dhe të argumentojnë se janë apo nuk janë fajtorë këta të akuzuar. Besoj se kemi gjasa shumë reale që të zbardhim rastin që bashku me palën mbrojtëse, pra me avokatët, të arrijmë tek e vërteta. Ne e dimë se jemi të pafajshëm, por nëse duhet ta vërtetojmë përmes fakteve, edhe këtë do ta bëjmë", thotë Hajdari. Pala mbrojtëse thotë se dënimet me burg të përjetshëm ndaj klientëve të tyre janë dhënë pa asnjë provë relevante të besueshme. Avokati Sasho Dukovski, thotë se vendimet janë dhënë në bazë të disa bisedave telefonike, që fare nuk kanë të bëjnë me rastin, apo mbi bazën e literaturës fetare që është gjendur në shtëpitë e tyre, për çka edhe janë dënuar për veprën e terrorizëmit. "Vlerësojmë se Gjykata Supreme vendimin për këtë rast duhet ta bazojë në fakte. Prokurori ka vepruar në bazë të dispozitave të Kodit Penal duke prezantuar fakte mbi nevojën që ky proces edhe njëherë të kthehet për rigjykim. Duke marrë parasysh të gjitha dëshmitë e prezantuar deri më tani, besojmë se vendimi do të jetë pozitiv, pra se do të vërtetohet propozimi i prokurores për anulimin e vendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit", thotë Dukovski. Lidhur me kërkesën e prokurorisë kanë reaguar edhe partitë politike. Ato në pushtet thonë se janë meritore për një vendim të tillë, në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët. "Me shkarkimin e prokurorit Marko Zvrlevski, sundimi i ligjit në Maqedoni po merr trajtën e duhur dhe trajtën e drejtë. Edhe njëherë apelojmë tek Gjykata Supreme që vendimin ta merr sa më parë, që të lirohen nga burgu dhe të vazhdohet me rigjykimin transparent dhe me monitorim ndërkombëtar", ka deklaruar Artan Grubi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim. Rasti "Monstra", ka ndodhur pikërisht gjatë qeverisjes së BDI-së me VMRO- DPMNE-në. Deputeti Grubi tha se si këto parti edhe në atë kohë kanë bërë përpjekje për të zbardhur rastin, por rasti epilog pozitiv po merr tani në qeverisjen me LSDM-në, pas kushtëzimeve, sipas tij, që ky rast të jetë në agjendën kryesore të punës së Qeverisë së Maqedonisë. Lëvizja Besa ka thënë se "meritor për zbardhjen e rastit janë shqiptarët të cilët në vazhdimësi kanë protestuar dhe kanë kërkuar drejtësi për të burgosurit e pafajshëm". Se të dënuarit mund të jenë të pafajshëm, këtë disa herë e kishte deklaruar edhe lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, aktualisht kryeministër Maqedonisë. Ai pati premtuar se do të bëjë çmos që përmes institucioneve të drejtësisë do të zbardhë të vërtetën për vrasjen në Smillkovcë. Katër nga të dënuarit për këtë rast, Halil Demiri, Haki Aizir, Fejzi Aziri, Sami Luta, po vuajnë dënimin në burgun e Shkupit, ndërsa dy të tjerë, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq po ashtu të dënuar me burg të përjetshëm ndodhen në arrati. Zbardhjen e këtij rasti në vazhdimësi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kosova fiton 71 milionë euro nga IPA Posted: 04 Oct 2017 05:29 AM PDT Me gjithë paralajmërimet se do të ketë probleme në votim, Kuvendi i Kosovës me votat e partive në pushtet dhe atyre në opozitë, ka miratuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare të Instrumentit për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) 2016, në një vlerë prej 71.15 milionë euro. IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga Bashkimi Evropian, që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE. Ministrja e Integrimit Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha ka thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se miratimi i këtij ligji është i domosdoshëm për shkak se afati përfundimtar për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje është më 31 dhjetori të këtij viti. "Kjo marrëveshje përfshinë gjashtë projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e komuniteteve, rritjen e konkurrueshmërisë për ndërmarrjet kosovare si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale". "Në tërësi, programi konsiston me financimin e 45.5 milionë euro nga ana e Bashkimit Evropian për Kosovën, ndërsa shuma totale është 71.15 milionë euro, ku përfshihet edhe ofrimi i kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim", ka thënë Hoxha. Në mars të vitit 2014, në Kosovë ndërkaq ka hyrë në fuqi edhe Rregullorja IPA II për sigurimin e asistencës së para-anëtarësimit për periudhën 2014-2020, me të cilën synohet të mbështetet Kosova për përmbushjen e perspektivës së saj evropiane. Alokimi për periudhën 2014-2020, përfshinë shumën prej 645.5 milionë euro të ndara në fusha të politikave. Përveç kësaj marrëveshje, Kosova ka edhe disa marrëveshje tjera me institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare në bazë të Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare. Por, për shkak të vonesave që ishin krijuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit dhe konstituimit të institucioneve të reja, Kosova pati humbur 16 milionë euro kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se për këtë çështje duhet të ndërrohet legjislacioni aktual në fuqi. Naim Gashi thotë se në vend është krijuar një praktikë se çdo herë kur ka zgjedhje të përgjithshme dhe vakum institucionale, po shtyhen proceset dhe programet ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare. "Në fakt legjislacioni në Kosovë duhet të ndërrohet në atë mënyrë që me ndërrimin e pushteteve dhe qeverive mos të ketë asnjë ndikim në relacionet e Kosovës dhe obligimeve ndërkombëtare që i ka shteti si ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare, ashtu edhe ndaj investitorëve potencialë", tha Gashi. Ndërkaq, në lidhje me Marrëveshjen e re me Bashkimin Evropian, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se nëse ka projekte të cilat kanë kthim dhe arsyeshmëri ai është i gatshëm që të negociojë me institucionet monetare ndërkombëtare, si me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim, por edhe me institucione të tjera financiare ndërkombëtare. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kroaci: Presidenca konfirmon shtyrjen e vizitës së Vuçiqit Posted: 04 Oct 2017 05:28 AM PDT Kabineti i presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, sot zyrtarisht ka konfirmuar se është shtyrë vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Zagreb. "Për arsye të zhvillimit më të ri dhe atmosferës e cila nuk i kontribuon ndërtimit të besimit reciprok, presidentja e Republikës së Kroacisë ka vlerësuar se në këtë moment nuk ekzistojnë parakushte për realizimin e vizitës. Në kontaktet e të dy kabineteve është arrituir pajtueshmëri për shtyrjen e vizitës, e cila ishte e planifikuar deri në fund të këtij viti", thuhet në deklaratën e palës kroate, që është nënshkruar nga Ivana Cërniq, zëdhënëse e presidentes kroate. Në këtë deklaratë pastja theksohet se Kolinda Grabar-Kitaroviq, disa herë ka theksuar se dialogu nuk ka alternativë në raportet me të gjithë fqinjët, përfshirë Serbinë, dhe se me nënshkrimin e "Deklaratës së Suboticës" kanë filluar të krijohen parakushtet për zgjidhjen e çështjeve të hapura. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Gjykata Evropiane: Rusia e ka shkelur të drejtën e lirisë së shprehjes Posted: 04 Oct 2017 04:58 AM PDT Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) e ka urdhëruar Rusinë që të paguaj kompensim për një aktivist të të drejtave të njeriut, pasi mori vendim se dënimi i tij për krim të urrejtjes i ka shkelur të drejtat e tij për liri të të shprehurit. Kjo gjykatë me seli në Strasburg të Spanjës ka vendosur dje në favor të personit, Stanislav Dmitriyevsky, që është aktivist për të drejtat e njeriut në qytetin rus, Nizhny Novgorod. Dmitriyevsky ishte dënuar në gjykatë pasi kishte publikuar atikuj që përmbanin deklarata të liderëve separatistë çeçenë, Aslan Maskhadov dhe Akhmed Zakayev, në gazetën e tij, Pravo-Zashchita (Mbrojtja e të Drejtave) në vitin 2004. Autoritetet lokale e kishin akuzuar atë për ekstremizëm dhe në vitin 2006 ishte dënuar për nxitje të urrejtjes "të ndërlidhur me dhunë" me dy vjet burg me kusht. Në vendimin e saj, gjykata në Strasburg tha se "pikëpamjet e paraqitura në artikuj nuk mund të lexohen si nxitje e dhunës e as nuk mund të interpretohen si urrejtje apo jotolerancë që shkakton çfarëdo dhune". Gjykata evropiane e ka urdhëruar Rusinë që të paguaj kompensim prej 16 mijë dollarëve amerikanë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Një jetë pritje për trupat e pajetë Posted: 04 Oct 2017 04:23 AM PDT Ferdonie Qerkezi, 65 vjeçe nga Gjakova, i mbanë të freskëta kujtimet e hidhura të vitit 1999, kur forcat serbe i kishin vrarë burrin dhe katër djemtë e saj. Ajo rrëfen se si me datën 27 mars të vitit 1999, policia serbe hyri në shtëpinë e saj dhe ia morën bashkëshortin dhe katër djemtë, Artanin 24 vjeç, Armendin 23, Ardianin 18 dhe Edmondin 14 vjeç. Tani ajo jeton vetëm në "Shtëpinë muze", të mbushur me gjësendet e më të dashurve të saj. Për lajmin e parë, Ferdonia ka pritur deri më 2005, kur ekspertiza ligjore kishte dëshmuar identifikimin e trupave të dy djemve të saj të vrarë. Por, sot e kësaj dite, 18 vjet pas, vazhdon t'i kërkojë trupat e bashkëshortit dhe dy djemve tjerë, të cilët ende konsiderohen si persona të pagjetur të luftës. "Në vitin 2005 kam marrë lajmin se pas analizave të bëra janë gjetur trupat e Artanit, i vrarë në Rogovë të Hasit, si dhe të Edmondit, të cilit trupin ja kanë gjetur në Vërmicë të Prizrenit", thotë Qerkezi për Radion Evropa e Lirë. Edhe pse në vitin 2008, ajo i ka identifikuar vetëm rrobat e djalit të saj Ardianit, të gjetura nga misionet ndërkombëtare, zonja Ferdonie thotë se trupin nuk i ka gjetur, ndonëse ajo tregohet e vendosur t'i kërkojë. Me lot në sy, Ferdonie Qerkezi rrëfen jetën e saj të lumtur para 18 vjetësh kur në shtëpinë e saj jetonin nëntë anëtarë të familjes. Atëherë, ishte 46 vjeçare dhe jetonte me bashkëshortin dhe katër djemtë, dy prej të cilëve ishin martuar të njëjtën ditë. Zonja Ferdonie nuk arriti të bëhet gjyshe, pasi vetëm katër muaj pas martesës, të dy djemtë iu vranë. Data 27 mars e vitit 1999, për të dhe familjen e saj, ishte data më e kobshme. "Në vitin 1999, në shtëpinë time ka ndodhur një tragjedi e madhe. Policia serbe mi mori burrin edhe 4 djemtë e mi. Në orën 11, kanë ardhur policia. Në shtëpi kemi qenë 23 persona, 11 meshkuj, 12 femra". "Këta (të tjerët) kanë qenë fqinjë e familjarë, si dhe shokë të djalit. Gjithë meshkujt i ka marrë policia atë ditë", rrëfen ajo. "Policia fillimisht i kërkoi lejet e identifikimit. I dërgoi në Polici dhe më pas u kthyen. Na mbyllën fillimisht brenda në shtëpi, ku më pas i morën meshkujt dhe dolën. Unë mendova se donin t'i shpëtonin, pasi policët që erdhën, ne i njihnim ata. Ishin të Gjakovës dhe njiheshim me ta'', thotë zonja Qerkezi. Ajo rrëfen edhe një episod tjetër tragjik të asaj dite, kur policia ia mori edhe djalin e vogël, i cili ishte ende fëmijë. "Unë e zgjova e dhe djalin e vogël i cili atëherë ishte 14 vjeç, që t'ua dorëzojë atyre për ta shpëtuar, sepse edhe në shtëpi ishim në rrezik". "Ata flisnin shqip shumë mirë. Dhe më thanë, nuk ke nevojë të frikësohesh sepse ne erdhëm që t'ju mbrojmë dhe t'ua shpëtojmë jetën. Por pasi i morën unë më kurrë nuk i pashë, as bashkëshortin e as katër djemtë e mi, të cilët ende vazhdoj t'i kërkojë'', tha Qerkezi. Familja Qerkezi është një nga shumë familjet në Kosovë që përjetuan tmerret më të rënda të luftës së viteve 1998-99. Institucionet e Kosovës nuk kanë të dhëna të sakta, por thonë se janë mbi 12 mijë persona të vrarë gjatë kësaj lufte. Kurse 1656 persona konsiderohen ende të zhdukur. Nga varrezat e ndryshme në Kosovës e Serbi janë identifikuar rreth 2500 persona, kurse të paidentifikuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndodhen edhe 400 pjesë nga mbetjet mortore. Është paralajmëruar se në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi i Kosovës do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë një nga temat e diskutimit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Në pritje të trupave të pajetë Posted: 04 Oct 2017 04:12 AM PDT Ferdonie Qerkezit gjatë luftës së fundit në Kosovë, forcat serbe i vranë burrin dhe katër djemtë e saj. Ajo e ka kthyer shtëpinë e saj në muze, për të kujtuar familjarët e saj të vrarë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Çmimin Nobel për kimi e fituan tre shkencëtarë Posted: 04 Oct 2017 03:50 AM PDT Shkencëtarët Jacques Dubochet, Joachim Frank dhe Richard Henderson, e kanë fituar Çmimin Nobel për kimi, për zhvillimin e mikroskopisë së krio-elektronit, ka shpallur sot Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave. E ashtuquajtura "metodë e ftohtë" e zbuluar nga këta tre shkencëtarë, e thjeshtëson dhe e përmirëson pamjen e biomolekulave, thuhet në arsyetimin e Akademisë. "Kjo metodë e ka lëvizur biokiminë në një epokë të re", thuhet në arsyetimin me rastin e shpalljes së fituesve të çmimit, që sjell edhe shumën e të hollave në vlerë prej 1.1 milion dollarë amerikanë. "Kërkuesit tash mund t'i ngrijnë biomolekulat gjysmëlëvizëse dhe t'i vizuelizojnë proceset, që kurrë nuk janë parë më herët, dhe kjo është vendimtare për kuptimin bazik të kimisë së jetës dhe për zhvillimin e mjeteve farmaceutike", tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm. Shkencëtari Dubochet është zviceran, Frank është shtetas amerikan i lindur në Gjermani, ndërsa Henderson është britanik. Çmimi për kimi u shpall sot, pasi më parë u shpallën fituesit e këtij çmimi prestigjioz për mjekësi dhe fizikë. Këto çmime e bartin emrin e zbuluesit të dinamitit, Alfred Nobel, dhe prej vitit 1901, jepet për të arritura në shkencë, literaturë dhe për paqe. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Lideri i Katalonisë: Pavarësia do të shpallet “brenda ditëve” Posted: 04 Oct 2017 02:44 AM PDT Lideri i Katalonisë thotë se ky rajon do ta shpallë pavarësinë brenda "disa ditëve" dhe kjo lëvizje me siguri do t'i ashpërsojë edhe më tepër tensionet edhe ashtu tejet të larta me autoritetet qendrore në Madrid. Lideri secesionist, Carles Puigdemont, i tha mbrëmë rrjetit BBC, se Qeveria e tij do të "veprojë në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme", derisa janë shtuar protestat në mbështetje të referendumit për pavarësi në këtë rajon prosperues. Zoti Puigdemont ka tërhequr vërejtjen se nëse Qeveria e Spanjës do të përpiqet të intervenojë për ta marrë kontrollin ndaj Qeverisë së Katalonisë, atëherë ky do të ishte "një gabim që i ndryshon të gjitha". Autoritetet e Katalonisë thonë se afro 90% e 2.26 milionë njerëzve, që morën pjesë në referendun më 1 tetor, kanë votuar për pavarësi dhe ndarje nga Spanja. Zyrtarët thanë se dalja në votime ishte afro 42%, prej gjithsej 5.34 milionë votuesve të regjistruar. Para votimeve, hulumtimet e opinionit paralajmëronin se një pakicë prej 40% e rajonit me gjithsej 7.5 milionë banorë të Katalonisë, e mbështesnin pavarësinë, por shumë prej personave që e kundërshtonin referendumin, nuk morën pjesë në votime. Gjykata Kushtetuee e Spanjës pat marrë vendim se referendumi është ilegal, ndërsa policia e Spanjës ka lëvizur për t'i bllokuar vendvotimet në ditën e mbajtjes së referendumit, me ç'rast raportohej se janë lënduar afro 900 njerëz gjatë përleshjeve me zyrtarët e zbatimit të ligjit. Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ka vlerësuar se votimet ishin "tallje" e demokracisë, ndërsa Komisioni Evropian ka shpehur mbështetje për pozicionin e Qeverisë në Madrid. Gjatë një fjalimi për kombin mbrëmë në televizion, Mbreti i Spanjës, Felipe i VI-ti, i ka akuzuar liderët secesionisët për shkelje të parimeve demokratike dhe për përçarje të shoqërisë së Katalonisë. Mëtutje, gjatë këtij fjalimi që është vlerësuar si ndërhyrje e rrallë e Mbretit, ai tha se "sjellja e papërgjegjshme" e liderëve të Katalonisë e ka shkatërruar harmoninë shoqërore në rajon. "Sot, shoqëria në Kataloni është e përçarë dhe në konflikt", tha Mbreti Felipe. Gjatë ditës së djeshme, punëtorët që po bëjnë grevë dhe qindra mijëra persona të tjerë, kanë dalur në rrugët e kryeqytetit Barcelonë, dhe në qytetet e tjera të Katalonjës, për të protestuar kundër dhunës policore, duke e bllokuar trafikun dhe transportin publik dhe dëmtuar bizneset. Katalonia autonome është rajoni më i pasur në Spanjë. Në këtë rajon përdoret gjuhë e ndryshmee nga spanjollishtja. Rajoni, po ashtu, ka kulturë tjetër. Ky rajon është pjesë e Spanjës prej shekullit të 15-të, por ka histori të gjatë të ndjenjës separatiste. Përgatiti: Fatmir Bujupi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Danielsson: Kosova të plotësojë kriteret e fundit për liberalizim të vizave Posted: 04 Oct 2017 02:37 AM PDT Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mbeten dy kushtet e fundit për tu plotësuar, në mënyrë që Kosova të sigurojë liberalizimin e vizave, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson. "Kriteret janë të njohura publikisht dhe ne këshillojmë që të shikohet se si të adresohen këto kritere. Kjo i takon Qeverisë së Kosovës. Nga ana jonë, zotimi është i qartë. Një hap është kryer. Komisioni (Evropian) është i gatshëm që të bëjë rekomandimin për liberalizim të vizave, sapo të kryhen këto çështje", tha Danielsson. Deklaratat e tilla, zoti Danielsson i ka bërë sot pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin kanë nisur Programin për Reforma Ekonomike. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Siri: Nga sulmi rus janë vrarë 12 militantë dhe është plagosur një lider Posted: 04 Oct 2017 01:29 AM PDT Ministria e mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar sot se nga një sulm ajror i forcave të veta në Siri, janë vrarë 12 komandantë lokalë të Frontit Al-Nusra dhe është plagosur seriozisht një lider i këtij grupi. Fronti Al-Nusra është një grup militant, i cili aktualisht është i njohur si Jabhat Fateh al-Sham dhe vlerësohet se është degë e Al-Kaidës në Siri. "Si rezultat i sulmit lideri i Fronit Al-Nusra, Abu Muhammad al-Golani, ka pësuar plagosje të shumta dhe e ka humbur një gjymturë, sipas infomacioneve nga disa burime të pavarura", ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov. Sipas tij, janë vrarë, poashtu, 12 komandantë lokalë të Frontit Al-Nusra dhe afro 50 rojtarë. Këto shifra nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Mbreti i Spanjës i ka dënuar organizatorët e referendumit Posted: 04 Oct 2017 12:49 AM PDT Mbreti i Spanjës, Felipe i VI-të, i ka dënuar organizatorët e referendumit për pavarësi në Katalonjë, duke thënë se ata e kanë vënë vetveten "jashtë ligjit" dhe ka kërkuar nga autoritetet shtetërore për ta mbrojtur "rendin kushtetues" në këtë rajon veriperëndimor të Spanjës. Në fjalimin e mbrëmshëm televiziv, Mbreti i Spanjës ka kërkuar unitet, duke thënë se situata në vend po ballafaqohet me krizë "shumë serioze". Njëherësh, qindra mijëra njerëz kanë dalur në rrugët e Barcelonës, që është kryeqytet i Katalonjës, për të protestuar kundër dhunës policore gjatë referendumit të mbajtur para tri ditësh, me ç'rast ishin lënduar qindra vetë. Protestuesit i bllokuan rrugët në Barcelonë, ndërsa shërbyesit civilë e ndalën punën pas ftesës së grupeve për pavarësi në rajon, pasi policia e Spanjës me forcë ishte përpjekur për t'i mbyllur vendvotimet gjatë referendumit. Me këtë grevë janë prekur sektori publik, ai i transportit dhe shërbimet themelore në Barcelonë. Në shenjë të mbështetjes për grevë, klubi i njohur i futbollit, Barcelona, e ka pezulluar stërvitjen. Autoritetet e Katalonjës thonë se 2.2 milionë njerëz votuan në referendum, ndërsa 90% prej tyre e kanë mbështetur pavarësinë. Gjykata Kushtetuese e Spanjës e kishte ndaluar mbajtjen e referendumit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pakistan: Janë ekzekutuar tre militantë të dënuar për terror Posted: 03 Oct 2017 11:49 PM PDT Autoritetet e Pakistanit i kanë ekzekutuar tre militantë të dënuar me vdekje nga një gjykatë ushtarake, për shkak se kanë kryer sulme terroriste gjatë viteve të fundit, ka njoftuar ushtria. Ekzekutimet janë kryer sot në një burg në pjesën veriperëndimore të Pakistanit. Një ditë para ekzekutimeve, një grup për të drejtat e njeriut në Pakistan, ka shprehur shqetësim për rritjen e dënimeve me vdekje, duke thënë se në Pakistan, prej vitit 2014 janë ekzekutuar 477 të burgosur. Ky grup ka shpallur një fushatë njëjavore të vetëdijësimit publik kundër ekzekutimeve para 10 tetorit, kur shënohet Dita Botërore Kundër Dënimit me Vdekje. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| SHBA: Urdhërohet reduktim i personelit të Ambasadës së Kubës Posted: 03 Oct 2017 11:29 PM PDT Administrata e Shteteve të Bashkuara ka urdhëruar dëbimin e 15 diplomatëve të Kubës, duke e akuzuar qeverinë e këtij vendi se ka dështuar t'i mbrojë diplomatët amerikanë, pas një vargu të incidenteve misterioze, në të cilat janë dëmtuar pjesëtarët e personelit diplomatik amerikan në Havanë. Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha mbrëmë se vendimi është bërë "për shkak të dështimit të Kubës për të ndërmarrë masa përkatëse për mbrojtjen e diplomatëve amerikanë". Zoti Tillerson, mëtutje, ka theksuar se vendimi për tërheqjen e 60% të diplomatëve amerikanë nga Kuba do të mbetet në fuqi, derisa qeveria kubane "të garantojë siguri për diplomatët tanë në Kubë". Ministri i jashtëm kuban, Bruno Roriguez, këtë veprim të autoriteteve amerikane e ka vlerësuar si "të paarsyeshëm" dhe tha se administrata e Shteteve të Bashkuara është "përgjegjëse për gjendjen aktuale dhe përkeqësimin e mundshëm në të ardhmen të marrëdhënieve të dyanshme". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Sulmuesi në Las Vegas kishte shumë armatime Posted: 03 Oct 2017 11:17 PM PDT Njeriu përgjegjës për të shtënat masive në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara, i kishte më se 50 armë në tri lokacione dhe kishte vendosur kamerë në dhomën e tij dhe në sallonin e hotelit, derisa kishte hapur zjarr kundër turmës së njerëzve në një festival të muzikës popullore, kanë thënë zyrtarët federalë. Jill Schneider nga Byroja për alkool, duhan dhe armë zjarri, mëtutje u tha gazetarëve mbrëmë se sulmuesi, Stephen Paddock, i kishte dhjetëra armatime, përfshirë municion, revole dhe pushkë. Policia tha se ky person 64 vjeçar, kishte hapur zjarr për afro 11 minuta para tri ditësh nga kati i 32-të i hotelit, Mandalay Bay, në drejtim të festivalit muzikor, që mbahej në terren të hapur, duke i vrarë 59 vetë dhe plagosur më tepër se 500 të tjerë. Autoritetet thonë se sulmuesi Paddock, i cili ishte gjetur i vrarë në dhomën e tij të hotelit, pasi policia kishte depërtuar me dhunë, kishte vendosur kamerë brenda një vrime në dhomën e tij për të pasur pamje derisa sulmonte me të shtëna. Motivi i këtij personi për kryerjen e këtyre vrasjeve mbetet misterioz. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Bullgaria, Greqia dhe Rumania e mbështesin Serbinë në BE Posted: 03 Oct 2017 10:35 PM PDT Kryeministrat e Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë, kanë shprehur mbështetje për synimin e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se ky integrim do të ndihmonte në garantimin e sigurisë dhe paqes rajonale. "Të gjithë ne e dimë se vendi natyror i Serbisë është në Bashkimin Evropian", u tha mbrëmë gazetarëve kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, pas një samiti të mbajtur në qytetin bregdetar, Varna, në Bullgari. Në këtë samit, po ashtu, kanë marrë pjesë, kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ai i Rumanisë, Mihai Tudose, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky takim ishte fokusuar në projektet e përbashkëta të infrastrukturës, të ekonomisë, të energjsë dhe të sigurisë. Borissov tha se të tri shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të punojnë për ta përshpejtuar procesin e prnaimit të Serbisë në BE, që aktualisht i ka 28 antarë. Britania është në proces të largimit nga BE-ja. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





