INSAJDERI: ““Pse situata e futbollit në Katalonjë dallon me atë në Kosovë?”” plus 19 more

INSAJDERI: ““Pse situata e futbollit në Katalonjë dallon me atë në Kosovë?”” plus 19 more


“Pse situata e futbollit në Katalonjë dallon me atë në Kosovë?”

Posted: 07 Oct 2017 09:57 AM PDT

Skuadrat e futbollit në Kosovë nuk kanë luajtur në ligën serbe para se të pavarësohej Kosova, ndërsa skuadrat katalanase luajnë në ligat e Spanjës. Kjo e bën situatën e futbollit në rajonin e Katalonjës, të ndryshme me situatën e futbollit në Kosovë – para se të shpallej pavarësia.

Kështu thotë Axel Torres, gazetari dhe komentatori i njohur katalanas, i cili në një intervistë ekskluzive me Gazetën Online Insajderi ka rrëfyer për situatën e krijuar në Katalonjë, pas mbajtjes së referendumit për pavarësi.

Torres, i cili punon si komentator i ndeshjeve të La Ligës spanjolle në televizionin BeIN Sports të Spanjës dhe si gazetar në radion e njohur madrilene Cadena SER, është duke shkruar një libër për futbollin e Kosovës.

"Kur e vizitova Kosovën për herë të parë, liga e futbollit dukej më shumë si një kompeticion amator që luhej në fshehtësi. Terrenet sportive dhe baza e futbollit ishin shumë të dobëta", rrëfen Axel Torres, për Insajderin.

34-vjeçari i lindur në Barcelonë deklaron se futbolli i Kosovës dhe futbolli i Katalonjës përbëjnë dy realitete të ndryshme. Axel Torres, i cili vizitoi Kosovën para pesë vitesh, tregon edhe për optimizmin e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.

"Duket si një utopi që ekipi kombëtar i Kosovës u pranua në UEFA dhe po luan ndeshje ndërkombëtare – megjithëse, unë duhet ta pranoj se Fadil Vokrri ishte shumë optimist për këtë; unë nuk e besoja, sepse dukej e pamundur, por ai [Fadil Vokrri v.j] kishte të drejtë. Por, Kosova nuk kishte futbollistë të njohur asokohe – edhe pse, Shaqiri, Januzaj dhe Xhaka ishin të famshëm, por ata po luanin për kombëtare të tjera – dhe nuk kishte ekipe të famshme. Katalonja ka FC Barcelonën dhe lojtarë si Piqué. Ka më shumë vëmendje ndërkombëtare", thotë Torres.

Por, Torres vazhdon edhe më tej, teksa tregon një detaj që dallon Kosovën me Katalonjën.

"Por, kur e vizitova Kosovën për herë të parë, Kosova veçse funksiononte si shtet i pavarur. Ekipet kosovare nuk kanë luajtur në ligën serbe dhe lojtarët kosovarë nuk kanë luajtur për ekipin kombëtar të Serbisë. Kjo është një situatë shumë e ndryshme", rrëfen gazetari katalanas.

Axel Torres, më parë ka punuar edhe në radiot e njohura spanjolle "Radio COPE" dhe "Radio Marca". Ai ka shkruar tre libra dhe njihet si ekspert i futbollit ndërkombëtar. /Insajderi.com

The post “Pse situata e futbollit në Katalonjë dallon me atë në Kosovë?” appeared first on INSAJDERI.

Pamje nga sulmi me veturë në Londër

Posted: 07 Oct 2017 09:54 AM PDT

Disa njerëz janë lënduar pasi një veturë hyri në trotuar dhe shkeli këmbësorët jashtë Muzeut Historik të Londrës këtë pasdite.

Një njeri u rrëzua për toke nga rojet e sigurisë dhe u arrestua nga policia në zemër të muzeut të kryeqytetit.

Qindra turistë të tmerruar u larguan nga skena përderisa një veturë Toyota Prius goditi një shenjë rrugore para se të futej në një turmë njerëzish, duke goditur 10 prej tyre, thuhet sipas dëshmitarëve atje.

Fotografi dramatike shfaqin rojet duke mbajtur një burrë të mbuluar me gjak në qosh të një rruge, transmeton Gazeta Express.

Muzetë e tjerë afër duke përfshirë atë të Shkencës, Victorian dhe Muzeun Alberti u evakuuan nga policia.

Autoritetet thonë se ende është shumë herët që të thuhet se ky incident ishte sulm terrorist, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të jetë.

Një zëdhënës tha se 'një numër njerëzish' janë lënduar në shkeljen tronditëse

 

The post Pamje nga sulmi me veturë në Londër appeared first on INSAJDERI.

Policia e Kosovës konfirmon arrestimin e anëtarit të VV-së në Shqipëri

Posted: 07 Oct 2017 09:39 AM PDT

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express se kanë marrë njoftim nga Policia e Shqipërisë për ndalimin e të dyshuarit për terrorizëm, Sadri Ramabaja. Kanë treguar se janë në kontakt me policinë shqiptare për procedurat e mëtejshme.

"Mund të konfirmojmë se personi me inicialet S. R. shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë në pikën kufitare dalëse të Durrësit. Këto informacione Policia e Kosovës i ka siguruar nga autoritet e Shqipërisë, me të cilët është në kontakt për procedura të mëtutjeshme lidhur me rastin", thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë Gazetës Express.

Ramabaja ka tentuar të lëshojë Shqipërinë por është ndalur pasi është zbuluar se ai është në kërkim nga Republika e Kosovë

"Ramabaja është ndaluar nga Policia e Durrësit për verifikim dokumentesh. Por, dokumentet i kanë dalë në rregull. Ndërsa, nga verifikimi që i ka bërë Policia e Durrësit, ai rezulton se ka qenë i shpallur në kërkim në Kosovë", ka thënë në Policinë e Shqipërisë.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ramabaja kishte publikuar thirrjen e Prokurorisë Speciale, e cila dyshonte se ai ishte i përfshirë në një sulm terrorist në Kosovë si dhe dyshohej se bënte plane për vrasjen e liderëve shtetërorë.

Rasti për të cilin dyshohet Ramabaja ka të bëjë me plagosjen e ish-anëtarit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, i cili tash është avokat. Plagosja e tij kishte ndodhur më 13 mars të këtij viti. I dyshuari kryesor për tentim vrasjen e Vllasit është Murat Jashari, një shqiptar, që jetonte në Zvicër.

The post Policia e Kosovës konfirmon arrestimin e anëtarit të VV-së në Shqipëri appeared first on INSAJDERI.

Dy futbullistët e Shqipërisë që do të mungojnë kundër Italisë

Posted: 07 Oct 2017 09:31 AM PDT

Barazimi 1-1 i Italisë me Maqedoninë mbrëmjen e shkuar, ka komplikuar akoma më shumë situatën e "axurrëve" për kualifikim në "play off"-in e Botërorit "Rusia 2018".

 

Tashmë skuadra e Venturës do të vijë në Shkodër ende me llogari të pambyllura. Megjithatë shansi i tyre për kualifikim mund të mbyllet edhe mbrëmjen e sotme, kur Bosnja do të përballet me Belgjikën e  kualifikuar.

Në rast fitoreje të Bosnjës, gjithçka është e hapur, por në rast fitoreje të belgëve, Italia mbyll llogaritë pa mbërritur në Shkodër.

Këto llogari bëhen pasi nga 9 grupe eliminatore, në fazën e "play off"-it shkojnë 8 vende të dyta dhe e dyta me rezultatin më të dobët, duke i hequr pikët e fituara me të fundit e grupit, eliminohet edhe nga "play off"-i.

Gjithsesi, për Shqipërinë situata mbetet jo shumë pozitive për ndeshjen e së hënës. Humbja me Spanjën, përpos rezultatit që nuk është katastrofik duke pasur parasysh kundërshtarin, nxori në pah gabime të tjera të trajnerit me formacionin, ashtu si edhe në ndeshjen me Maqedoninë.

Lajmi jo i mirë i largimit të Taulant Xhakës dhe Azdren Llullakut pas kartonëve në ndeshjen me Spanjën, balancohet me rikthimin e Odise Roshit, Burim Kukelit dhe Mërgim Mavrajt për takimin ndaj "axurrëve", raporton TCH.

Aktualisht, Shqipëria mbetet me objektivin e arritur edhe pse jo matematikisht, Izraeli me një pikë larg kur ka edhe një ndeshje për të zhvilluar mban ende llogaritë e hapura.

Ata ndeshjen e fundit do ta luajnë me Spanjën në shtëpinë e tyre, por këta të fundit shkojnë si të kualifikuar, ndërkohë që Shqipëria do të luaj me Italinë që minimumi i duhet një barazim për të mbyllur kualifikimin.

Një situatë kaotike kjo në përfaqësuesen kuqezi, që po kalon një tranzicion jo të lehtë nga De Biasi tek Panucci, i cili ende nuk ka arritur të konsolidojë një formacion bazë, i kushtëzuar në këto ndeshje të fundit edhe nga mungesat prej kartonëve apo dëmtimeve.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Italisë do të luhet më 9 tetor në “Loro Borici” në Shkodër.

The post Dy futbullistët e Shqipërisë që do të mungojnë kundër Italisë appeared first on INSAJDERI.

Ndahen Shakira dhe Pique

Posted: 07 Oct 2017 09:30 AM PDT

Pas gjashtë vjetësh Shakira dhe Gerard Pique i kanë dhënë fund lidhjes së tyre, shkruan portali spanjoll Cottileo, duke iu referuar mediave kolombiane.

Mediat shkruajnë se çifti është ndarë që disa muaj dhe tash kanë marrë vendimin përfundimtar.

Këngëtarja nga Kolumbia thuhet se ka vendosur t'i japë fund lidhjes dhe është zhvendosur nga shtëpia e tyre në Barcelonë.

Çifti për herë të fundit ishte paraqitur në publik në muajin korrik, në martesën e bashkëlojtarit të Pique në Barcelonë, Lionela Messi me Antonella Roccuzzo në Argjentinë.

Shakira dhe Pique kanë dy djem, 4-vjeçarin Milan dhe i 2-vjeçarin Sasha.

The post Ndahen Shakira dhe Pique appeared first on INSAJDERI.

Serbët e veriut mbajnë shpresat te Rusia dhe Putini

Posted: 07 Oct 2017 08:56 AM PDT

Mitrovica e veriut, një prej katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, me nxitjen e liderëve politikë lokalë, sot është një bastion pro-rus, ku simpatia për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, por edhe për shtetin rus, konfirmohet nga shumica e qytetarëve serbë të kësaj komune.

Nëpër rrugët e qytetit, valojnë flamujt rus dhe serbë, ndërkaq portreti i Putinit në ndërtesa ose i paraqitur edhe përmes mbishkrimeve, transmetojnë mesazhe të glorifikimit të aleancës serbo-ruse.

Disa qytetarë serbë të Mitrovicës së veriut e shohin Rusinë si aleatin e vetëm të Serbisë.

Miroslav Laketiq nga Mitrovica e veriut, shpreh mendimin se aleanca serbo-ruse, është krejtësisht e natyrshme.

"Kjo është një gjë që dihet në përgjithësi. Serbia gjithmonë ka qenë në udhëkryqin e interesave të perëndimit dhe të lindjes dhe kjo do të vazhdojë të jetë kështu edhe më tutje. Për dallim nga perëndimi, Rusia kurrë nuk na ka nxjerrë probleme, nuk na e ka rrezikuar sigurinë dhe mëvetësinë tonë".

"Ata janë miqtë tanë tradicional. Shpresojmë që edhe kësaj here, Rusia do të mbetet në këtë rrugë. Rusia e fortë nënkupton edhe një Serbi të fortë. Kur Rusia është e dobët, atëherë nuk do ta ndihmojë Serbinë, ashtu siç ka ndodhur me Jelcinin e çmendur", thotë Laketiq.

Mendim të ngjashëm ka edhe Bosanka Prodanoviq, serbe nga Mitrovica e veriut. Ajo thotë se populli në Mitrovicë të veriut, kryesisht, shpreson në mbështetjen e Rusisë:

"Na mjafton ndjenja që Rusia dhe Putini ekzistojnë. Kjo mjafton. Pres gjithçka pozitive nga ata. Populli këtu, kryesisht, beson në Rusinë, sepse ne nuk e dimë se çfarë po bisedohet në Bruksel".

Me këtë gatishmëri të opinionit të qytetarëve në Mitrovicë të veriut, nuk duhet befasuar se pse lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, së bashku me shefin e Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka vendosur që para zgjedhjeve lokale në Kosovë, që do të mbahen me 22 tetor, ka shkuar në Moskë për të marrë këshilla.

Por, njohësi i çështjeve të sigurisë nga Mitrovica e veriut, Veroljub Petroniq, nga organizata joqeveritare "Qendra humane në Mitrovicë", shpreh mendimin se rrëfimi për ndihmën e Rusisë për serbët në Kosovë, të cilit iu dha hov, është imagjinar dhe bëhet më tepër për propagandë. Sipas tij, një ndihmë e tillë nuk ekziston.

Petroniq thotë se kohë më parë ka marrë pjesë në një konferencë për sigurinë ndërkombëtare në Soçi. Bisedat që kishte bërë atje me përfaqësues rus, siç thotë ai, e kanë sjellë deri te përfundimet interesante.

"Kam pasur rastin të bisedoj me një deputet rus, i cili thjesht më ka bërë t'i hap sytë dhe të zbres në tokë. Ai më tha që në listën e tyre të interesave është në vendin e 17. Ai me tha se shteti i tij është vend që kufizohet me 19 shtete dhe ka dalje në 12 dete. Siç më tha, Armenia, Gruzia, Azerbaixhani, Kazakistani dhe të tjera, janë një grumbull i problemeve të tyre. Prandaj, ne jemi në vendin e 17 për ta".

"Madje, më ka thënë se Mali i Zi, para se të hynte në NATO, ka qenë një sferë apo zonë më e madhe e interesit për ta, se sa Serbia. Kjo, siç më tha ai, për arsyen e thjeshtë se do të ishte e mjaftueshme që e gjithë flota e Detit të Zi të shkojë dy herë në vit në Tivar, që të marr ujë për anijet dhe nëndetëset, të parakalojë nëpër Adriatik dhe ta tregojë forcën", thotë Petroniq.

Por, rezerva të tilla ndaj Rusisë, sikurse ato të Petroniqit, vështirë se mund t'i gjesh në Mitrovicën e veriut.

Jova Jovanoviq nga kjo komunë, thotë se Rusinë nuk mund ta shohë ndryshe, përveç si një vend mik të serbëve.

"Rusët i përjetoj si miq. Ata janë miqtë tanë më të mirë për qindra vjet, e jo vetëm tash. Atij që i pengon Rusia, ai është armiku më i madh i popullit serb. Ata na ndihmojnë gjithmonë, pa ndonjë kërkesë për kompensim. Ata në perëndim, kërkojnë t'iu ndihmojmë vetëm kur kanë interes", shprehet Jovanoviq.

Por, a ka ardhur mbështetja ruse për Listën Serbe në momentin e duhur, kur me lejen e Beogradit, kjo listë ka vendosur ta mbështesë Qeverinë e Kosovës, në krye të së cilës është Ramush Haradinaj, të cilin Serbia po e akuzon për krime lufte?

Megjithatë, serbët e veriut, e arsyetojnë këtë veprim të Listës Serbe. Një arsyetim të tillë e jep edhe Bosanka Prodanoviq:

"Ne kemi qenë kundër asaj që Lista Serbe të hyj në qeverinë e Haradinajt. Por, nëse këtë e ka thënë Putini dhe në qoftë se qeveria e jonë e thotë një gjë të tillë hapur, atëherë diçka do të dalë nga kjo".

Besimi në gatishmërinë e Rusisë për të sakrifikuar për të mirën e Serbisë, në Mitrovicë të veriut nuk është mit e as temë historike.

Një gjë të tillë e beson edhe Smiljana Jovanoviq, serbe nga Mitrovica e Veriut.

"E shihni si ndihmojnë për ushtrinë, për pajisje dhe për shumëçka tjetër", thotë Jovanoviq.

Bashkëpunimi ushtarak serbo-rus, ka marrë hov, përkundër politikës së balancimit, të cilën e proklamon qeveria në Serbi. Megjithatë, për shumë serbë të Mitrovicës së veriut, një gjë e tillë i thellon shpresat se Rusia do të vazhdojë mbështetjen për arritjen e qëllimit, që Kosova të jetë pjesë e Serbisë. /rel/

The post Serbët e veriut mbajnë shpresat te Rusia dhe Putini appeared first on INSAJDERI.

Shkëmbi u bie mbi veturë, humbin jetën tre persona

Posted: 07 Oct 2017 08:40 AM PDT

Policia e ka konfirmuar tashme se jane 3 viktima ne mjetin Fuoristrade qe u zu poshte nga nje masiv i madh shkembor ne Torovice. Nuk dihet ende identiteti i tyre, por thuhet se jane dy meshkuj dhe nje femer. Demtimi ka qene i madh dhe ata kane nderruar jete ne vend.

Sipas Policise, gjysma e makines eshte e shtypur dhe nuk duket gje ne kete pjese. Dyshimet jane se mund te jene edhe 2 persona te tjere qe ende nuk duken ne pjesen e shtypur te makines.

Mesohet se ata po leviznin nga Balldreni per ne Torovice.

Raportohet se eshte dashur qe makina te copetohet, te pritet ne menyre qe te behet e mundur nxjerrja e trupave.

Thuhet se nje masiv i madh shkembor eshte shkeputur nga mali per shkak te kohes se keqe dhe ka rene mbi mjetin qe po levizte ne zone ne kete kohe.

Informacioni nga Policia:

Me datë 07.10.2017, në rrugën Torovicë – Malecaj në Lezhë , një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali duke rënë mbi një mjet tip fuoristradë Land Rover me targë AA 322 CV.

Deri në këto momente, janë identifikuar 3 viktima të cilët ndodheshin brenda në mjet pasi gjysma e mjetit është e shtypur dhe mbuluar nga masivi shkëmbor.

Shërbimet policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, zjarrfikëset dhe ambulancën ndodhen në vendngjarje për veprime të mëtejshme.

The post Shkëmbi u bie mbi veturë, humbin jetën tre persona appeared first on INSAJDERI.

Reportazh për një masakër, pronari i “Uji Trebeshina” i mbylli në hotel punëtorët

Posted: 07 Oct 2017 08:36 AM PDT

Dritare.net ka qenë në "Grykën e Këlcyrës" dhe nga informacionet e marra nga personat që kanë parë ҫdo ditë punimet aty, mësohet se gjatë gjithë muajt shtator aty është punuar në fshehtësi të plotë.

Për të mbajtur këto punime tërësisht të izoluara për publikun, Heri Lena ka punësuar 8 punëtorë nga Kukësi dhe Mamurrasi, të cilët kanë qëndruar për një muaj në njërin nga hotelet e Këlcyrës. Burimet thane per dritare.net, se punëtorët nuk lejoheshin të lëviznin nga hoteli, përveҫ kur shkonin në punë.

Dritare.net disponon faturën tatimore që i detyrohet pronarit të hotelit , Hari Lena, i cili sipas informacioneve tona , prej ditësh është zhdukur , pa paguar faturën prej 55.000 lekësh të reja. Nga ana tjetër pasi kishin avancuar me punimet prej një muaji, drejt Grykës së Këlcyrës, kanë shkuar materialet e ndërtimit, hekura, beton, dërrasa, dhe tuba, të cilët kanë nisur duke i vënë në punë.

Nga moment që materialet kanë shkuar në vendngjarje, për 3 ditë me radhë punimet kanë vazhduar dhe është hedhur baza e urës që pretendohej të ndërtohej nga Lena. Pasi lajmi është bërë publik, Bashkia Këlcyrë së bashku me Policinë janë detyruar të shkojnë menjëherë në vendngjarje.

Sipas informacioneve të dritare.net, sapo policia ka shkuar në vend, punëtorët të trembur, janë arratisur menjëherë, madje mësohet se disa nga ata, për t'i shpëtuar një

Projekti

Dritare.net ka mundur të mësojë planin që ka Hari Lena në lidhje me burimin e ujërave të Vjosës. Aty pretendohet që të ndërtohet një depozitë e madhe, dhe më pas me anë të një ure e cila kalon përmes Vjosës, uji te shkoje në fabrikën "Trebeshina" që ndodhet përballë këtij burimi uji. Bashkia Në një prononcim për mediat, kryetari i Bashkisë Këlcyrë Klement Ndoni ka thënë: "I është lënë detyrë Policisë së Rendit që të gjejë se kush janë personat që po bëjnë këto punime", është shprehur Ndoni. Por në të njëjtën intervistë, Ndoni ka thënë: ''Tek ne nuk është paraqitur asnjë njeri, Policia ka ardhur te ne që të marrë mendimin në lidhje me punimet."

Kryetari nuk ka folur per dritare.net, pasi kete te shtune ishte në mbledhjen e Asamblesë. Dritare.net ka kontaktuar me zyrtarë të lartë të Bashkisë Këlcyrë të cilët shprehen se, nuk është e vërtetë , siҫ kanë dëgjuar, që zoti Lena ka paraqitur një kërkesë në Bashki për të zhvilluar punimet në atë zonë, por sipas tyre edhe nëse do të ishte depozituar një kërkesë e tillë, Bashkia nuk mund të ndërmarrë asnjë hap, pasi zona e Vjosës nuk është në kompetencë të Bashkisë Këlcyrës.

Zyrtarë të Bashkisë kanë treguar për dritare.net, se Harri Lena është një person që vazhdimisht ka pasur probleme në lidhje me zbatimin e ligjit, ata përmendin milionat e lekëve që ai ka borxh në Bashkinë e Kelcyres duke iu shmangur gjithmonë taksave.

Banorët

Në Këlcyrë të gjithë asin me zemërim për shkatërrimin e Lumit të Vjosës. Një zonjë e cila punonte në një restorant tregon për dritare.net, se si pranë restorantit ku ajo punonte kanë kaluar ҫdo natë punëtorët dhe punimet janë kryer kryesisht natën, derisa materialet e ndërtimit janë sjellë një mëngjes në mes të shtatorit, dhe arsyeja se përse materialet janë sjellë ditën, është për shkak të terrenit të thyer, gjë e cila është shumë në rrezik natën.

"Ai ka lluar duke gërryer gjithë malin, tanimë po ndërton edhe ura prej betoni dhe askush nuk merret me të. Nëse një banor hedh vetëm një tullë në shtëpi, futet në burg, por Hari Lenën askush nuk e fut në burg",-shprehet taksisti i cili na dërgoi deri tek gryka e Këlcyrës

 

The post Reportazh për një masakër, pronari i “Uji Trebeshina” i mbylli në hotel punëtorët appeared first on INSAJDERI.

Brenda rezidencës 33 milionë eurosh të Jim Belushit

Posted: 07 Oct 2017 08:35 AM PDT

Aktori i famshëm me prejardhje shqiptare, Jim Belushi i ka shëtitur brenda rezidencës së tij gazetarët e "Wall Street Journal".

Belushi ka një rezidencë super të madhe në Brentwood, Cilaf të Kalifornisë, transmeton Koha.net.

Rezidenca e tij nëse do të dilte në shitje, sot do të vlente hiq më pak se 33 milionë euro, ndërsa në të ka gjashtë dhoma gjumi, 11 banja ndërsa ka 1,300 metra katrorë.

The post Brenda rezidencës 33 milionë eurosh të Jim Belushit appeared first on INSAJDERI.

Rumania krahason Katalonjën me Kosovën, i cilëson vende ilegale

Posted: 07 Oct 2017 08:28 AM PDT

Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Teodor Meleskanu, ka reaguar sot për referendumin e mbajtur të dielën në rajonin e Katalonjës në Spanjë.

Sipas ministrit të Jashtëm të Rumanisë, nuk është e ligjshme të vendoset për ndarjen e një rajoni pa negociata me qeverinë përkatëse.

"Pozicioni jonë për situatën në Kosovë, e cila vlen edhe për Katalonjën dhe Kurdistanin, është pozicion i yni në parim", ka thënë ai.

"Ne besojmë se është e paligjshme të vendosët për ndarjen e një vendi pa negociata me qeverinë  dhe me shtetin që është praktikisht e vetmja organizatë që përfaqëson strukturimin e një vendi", tha Teodor Melescanu, shkruajnë mediet rumune.

Shteti rumun ende nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës.

The post Rumania krahason Katalonjën me Kosovën, i cilëson vende ilegale appeared first on INSAJDERI.

Alarmi i shkencëtarit: Një tërmet i madh do ndajë kontinentet përgjysmë

Posted: 07 Oct 2017 08:26 AM PDT

Falë ngrohjes globale, të gjithë e dimë se planti ynë është buzë shkatërrimit. Por shkatërrimi duket do të jetë aq i keq sa që do t'i ndajë dy kontinente dhe do të marrë miliona jetë me vete.

Sipas Dr. Mehran Keshe, një shkencëtar nuklear i specializuar në Inxhinieri Nukleare në Universitetin e Londrës, Tokën do ta shkatërrojë një tërmet shumë i madh.

Shtatorin e vitit 2015,  Mehran Keshe publikoi një video në të cilën parashikon se një tërmet i madh do ta shkatërrojë tërësisht Tokën.

Sipas parashikimit të tij, jo vetëm një kontinent por disa kontinente do të preken nga ky termet i madh. Sipas tij, Amerika e Jugut do të "ndahet" si pasojë e disa cunameve të forta që do ta godasin Amerikën dhe Azinë.

Ai tha gjithashtu se një tërmet i madh do të vrasë rreth 20 milionë njerëz në bregdetin perëndimor në Veri dhe Jug të Amerikës.

Ai madje tregoi edhe emrat e vendeve, të cilat do të preken më së shumti nga ky tërmet. Ai tha se Kina do të përjetojë një seri tërmetesh në vitet e ardhshme.

The post Alarmi i shkencëtarit: Një tërmet i madh do ndajë kontinentet përgjysmë appeared first on INSAJDERI.

Pyetja e gazetarit nga Kosova e “shkriu” së qeshuri Shevchenkon

Posted: 07 Oct 2017 08:21 AM PDT

Legjenda e Milanit, tani trajner i Ukrainës, Shevchenko, dikur ka gëzuar tej mase shumë tifozë anembanë botës e po ashtu edhe shqiptarë.

Ardhja e tij në Shqipëri për të luajtur me Kosovën ishte një mundësi e mirë për ata që e kishin idhull Andriy Shevchenkon dhe shfrytëzuan këtë shans për të bërë foto.

Një gazetar nga Kosova e pranoi këtë publikisht në konferencën për media kur i kërkoi trajnerit të Ukrainës që të bëjë foto pas përfundimit të saj.

"Pyetja ime është shumë e thjeshtë. Pas konferencës, a mund të bëjmë një foto së bashku", pyeti gazetari nga Kosova.

Përgjigjja e Shevës ishte pozitive. "Natyrisht, sa të duash", tha ai duke qeshur.

Por, ndërhyrja e zëdhënësit të Federatës prishi atmosferën. "Ju lutem të jeni më serioz në pyetjet tuaja", ndërhyri ai. Shevchenko u tregua sërish gjentëllmen duke ia kthyer sërish gazetarit. "Mos u brengos, e kemi zëdhënësin shumë serioz".

Sheva më pas foli për Kosovën. Ai e sheh një skuadër shumë të mirë, por që kanë nevojë për kohë për të treguar rezultate.

"Mendoj se çdo ndeshje ata po përmirësohen. Rezultati nuk është pasqyrë e ndeshjes që atë bënë. Ata kanë nevojë që të luajnë më shumë së bashku për t'u përmirësuar sepse kanë skuadër të re dhe të talentuar. Nuk e kishim të lehtë të fitonim ndaj tyre", deklaroi legjenda e Milanit.

Pyetjen e gazetarit dhe përgjigjen e Shevchenkon mund ta gjeni në videon e mëposhtme, minuta 6:33.

 

 

The post Pyetja e gazetarit nga Kosova e "shkriu" së qeshuri Shevchenkon appeared first on INSAJDERI.

Kapet “bossi” i prostitutave dhe kokainës në Durrës

Posted: 07 Oct 2017 08:17 AM PDT

Policia dhe prokuroria e Durrësit kanë arrestuar 38-vjeçarin nga Durrësi, Hektor Psatha, i cili shfrytëzonte femrat për prostitucion dhe furnizonte me kokainë, lokalet në plazhet e Durrësit.

Arrestimi i tij u bë pas një pune hetimore prej 6 muajsh, shkruan lapsi.al.

Policia njoftoi se "gjatë veprimeve hetimore të kryera nga Sektori i Krimit të Organizuar, është dokumentuar se Psatha shfrytëzonte femra për prostitucion kundrejt pagesës prej 50 € dhe shpërndante lëndë narkotike në lokalet e natës, kryesisht në zonën e Plazhit.

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

22 doza lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, një automjet tip Toyota Yaris dhe 2 telefona celularë.

Psatha është person me precedentë penal të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës.

Për shkak të hetimeve nuk jepen më shumë detaje rreth ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale " Shfrytëzim prostitucioni" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

The post Kapet "bossi" i prostitutave dhe kokainës në Durrës appeared first on INSAJDERI.

Gashi në Jabllanicë: Jeni pranë burimit e pa ujë, kjo nuk shkon

Posted: 07 Oct 2017 08:06 AM PDT

Kandidati për kryetar të komunës së Pejës nga radhët e AAK-së, Fatmir Gashi ka qëndruar në fshatrat Jabllanicë e vogël dhe e madhe e Pejës, ku ka bërë shpalosjen e programit qeverisës 4-vjeçar.

Gashi i AAK-së që ka marrë mbështetjen e komunitetit këtu, ka premtuar se në ditët e para të qeverisjes së tij me Pejën të dy Jabllanicat do të kenë furnizim të rregullt me ujë në sistem hidroforësh. Gashi ka thënë se për këso projekte komuna ka mjete porse ato po keqpërdoren nga pushteti në largim.

"Këto dy fshatra jetonjnë pranë burimit e pa ujë. Prioritet i ditëve të para të punës time si kryetar, do jetë uji me sistemin e hidroforave. Ky fshat ka të nevojshme edhe shumë investime. Komuna ka mjete vetëm nuk duhet keqpërdorë ato."-ka deklaruar Fatmir Gashi para banorëve të këtyre anëve.

Gashi i AAK-së më tej ka shtuar se garancë e fitores dhe e punës së tij për Pejën e pas 22 tetorit do të jetë edhe mbështetja e qeverisë Haradinaj për rrafshin e dukagjinit.

"Ju po shihni që në ditët e para të punës së tij, kryeministri Haradinaj po e kthen dukagjinin në hartën e Kosovës. Përkrahja e Qeverisë Haradinaj për rrafshin e dukagjinit dhe besimin në njerzit tonë, janë ura lidhëse e rrugëtimit tonë të përbashkët për fitore. Mbështetja që po e shoh tek ju për ne, për programin tonë është mbështetje për vizionin ndryshe, për qeverisje pa keqpërdorime dhe pa tenderomani", u ka thënë Fatmir Gashi banorëve të fshatrave të Jabllanicës.

The post Gashi në Jabllanicë: Jeni pranë burimit e pa ujë, kjo nuk shkon appeared first on INSAJDERI.

Pacolli premton autobusë dhe tren ekologjik

Posted: 07 Oct 2017 07:55 AM PDT

Në mandatin e tij me qeverisjen me Prishtinë, Selim Pacolli parasheh autobusë dhe trenin ekologjik, i cili do të lidhë Prishtinën, Fushë Kosovën dhe Aerportin.

Në deklaratën para Stacionit Hekurudhor në Prishtinë, Pacolli u zotua se treni ekologjik është pjesë e programit të tij për përmirësimin e transportit publik.

Për problemet që çdo ditë hasën në trafik, Pacolli si zgjidhje parasheh ndërtimin emergjent të disa nënkalimeve në Prishtinë. Ndërtimi i një nënkalimi para shkollës së mjekësisë "Ali Sokoli", dhe para dy shkollave në lagjen "Lakrishte" theksohen si më emërgjentet sipas tij.

Për më tepër Pacolli shtoi se në lagjen "Arbëri" duhet të funksionalizohet një mbikalim , që është zgjidhja e vetme për përmirësimin e komunikacionit në këtë pjesë, dhe në këtë mënyrë do e lidhë këtë lagje me qendrën e qytetit.

Në këtë takim ai foli edhe për sigurinë në shkolla, e cila në kryeqytet mungon.

Sipas tij nxënësit duhet të sigurohen  me ndonjë barrierë apo rrethojë eventuale që  ata të mos kenë direkt qasje në komunikacion. Ai po ashtu si zgjidhje për këtë parasheh edhe një bashkëpunim me policinë e Kosovës të cilët me praninë e tyre pranë shkollave do i siguronin fëmijët.

"Ju premtoj prindërve që fëmijët e tyre më nuk do t'i ekspozohen direkt rrezikut në komunikacion", theksoi Pacolli.

The post Pacolli premton autobusë dhe tren ekologjik appeared first on INSAJDERI.

Dy anëtarët që u larguan nga PDK-ja

Posted: 07 Oct 2017 07:52 AM PDT

Partia Demokratike e Kosovës, ka pësuar goditje, pasi e kanë braktisur dy anëtarë të saj. Profesoresha e Ekonomikut, Justina Pula, ka dorëzuar dorëheqjen nga pozita e Shefes së Forumit të Gruas në PDK dhe nga të gjitha pozitat tjera në këtë parti.

Ajo nuk ka treguar arsyen, por ka bërë të ditur se dorëheqjen e ka ofruar kohë më parë. "Moti ka ndodhur. Faleminderit shumë…", ka thënë zyrtarja e deritashme e PDK-së, kur është pyetur se pse ka dhënë dorëheqje prej Forumit të Gruas së PDK-së.

Ndërkaq, sot ish-anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së Xhevdet Smakiqi, i është bashkuar zyrtarisht Nismës për Kosovën, duke braktisur partinë e Kadri Veselit. Ai është prezantuar nga kryetari i Nismës Fatmir Limaj, i cili e ka vlerësuar si profesionist të madh Smakiqin.

"Xhevdet Smakiqi është një profesionist i madh. Është kënaqësi që ai po vjen në shtëpinë tij. Vendin e presin sfida të mëdha në vitet në vazhdim. Institucioneve të vendit u duhen njerëz profesionist si Smakiqi", ka thënë Limaj.

E, i sapo aderuari tek Nisma për Kosovën, Xhevdet Smakiqi është shprehur i lumtur që po i bashkohet Nismës. Ai është zotuar se do të japë kontributin e tij tek Nisma për Kosovën.

The post Dy anëtarët që u larguan nga PDK-ja appeared first on INSAJDERI.

Ish-mbrojtësi i Realit dënohet me 7 muaj burgim

Posted: 07 Oct 2017 07:46 AM PDT

Tashmë në Spanjë është bërë e modës që lojtarët e futbollit të dënohen nga gjykata për mashtrime me taksat. Pas Mesit që ia hodhi paq me një gjobë, dhe Ronaldos që është në gjykim për të njëjtën çështje, është portugezi Rikardo Karvaljo i cili është dënuar nga gjykata spanjolle për fshehje të taksave.

Ish-mbrojtësi i Çelsit dhe Realit të Madridit është shpallur fajtor dhe u dënua me 7 muaj heqje lirie dhe një gjobë prej 140 mijë eurosh.

Gjithsesi, mbrojtësi që aktivizohet në radhët e Shangai SIGP në Kinë, do t'ia hedhë paq vetëm me pagimin e gjobës, pa qëndruar asnjë ditë pas hekurave, pasi ligji spanjoll thotë se për dënimet nën 2 vite për krime jo të dhunshme, të dënuarit i shpëtojnë dënimit me burg, nëse nuk kanë dënime të tjera të mëparshme.

Nga i njëjti ligj shpëtoi edhe Lionel Mesi, i cili pak kohë më parë u shpall fajtor për mospagimin e taksave, por pagoi vetëm një gjobë prej 250 mijë eurosh./Panorama.

The post Ish-mbrojtësi i Realit dënohet me 7 muaj burgim appeared first on INSAJDERI.

Shevchenko i kërkon favor Kosovës

Posted: 07 Oct 2017 07:41 AM PDT

Trajneri i Ukrainës, Andriy Shevchenko, pas gëzimit të fitores ka vlerësuar lojën e Kosovës, por u ka kërkuar edhe një favor atyre në ndeshjen ndaj Islandës.

"E thashë para ndeshjes se Kosova ka një ekip kualitativ. Por, kushtet e rënda atmosferike ishin të vështira dhe na vështirësojnë qarkullimin e topit. Unë i uroj suksese në të ardhme Kosovës. Besoj se e kemi merituar fitoren në këtë takim.

"Jam i sigurt që Kosova ka një shpirt luftarak dhe se do t'ia vështirësojë lojën Islandës. Ne do mundohemi të fitojmë në takimin e fundit kundër Kroacisë, në mënyrë që të realizojmë objektivin tonë. Pra, presim edhe nga Kosova", u shpreh trajneri i Ukrainës.

Ukraina do të duhet ta mposhtë Kroacinë në mënyrë që të jetë në garë për tu kualifikuar në Botorin 'Rusi 2018', por fitorja e tyre nuk do të siguronte kualifikimin. Kosova do të duhet ta mposhte Islandën në mënyrë që Ukraina të kualifikohet në Kampionatin Botëror.

The post Shevchenko i kërkon favor Kosovës appeared first on INSAJDERI.

Një robot për të kënduar ninullat

Posted: 07 Oct 2017 07:40 AM PDT

E vendosur në qendër të kritikave nga aktivistët, kompania Mattel është tërhequr nga ideja e prodhimit dhe hedhjes në treg të një "kujdestareje fëmijësh" inteligjent.

Bëhet fjalë për një pajisje hi-tech e aftë të dallojë gjendjen e fëmijës dhe të reagojë sipas situatave të përshtatshme.

Kështu, nëse foshnja qan, atëherë pajisja e quajtur "Aristotle" e porositur nga Mattel do të këndonte ninulla për ta rivënë në gjumë.

Projekti është bërë publik që në muajin janar, por kritikat dhe fushata e aktivistëve detyruan kompaninë që të anulonte disa herë hedhjen e saj në treg deri në vendimin e marrë së fundmi për të hequr krejtësisht dorë nga ky projekt.

"Aristotle është dizenjuar me një qëllim dhe mision specifik për të ndihmuar prindërit me teknologjinë më të avancuar, që ata ta kenë më të lehtë për të mbrojtur dhe zhvilluar fëmijën e tyre", deklaronte Mattle disa muaj më parë.

Megjithatë, aktivistët këmbëngulën dhe në fushatën e tyre e cilësonin joetike përdorimin e inteligjencës artificiale për të rritur fëmijët, qoftë edhe për pak kohë.

The post Një robot për të kënduar ninullat appeared first on INSAJDERI.

Paniku në Aeroportin e Prishtinës “erdhi pas një sulmi nga zogjtë”

Posted: 07 Oct 2017 07:31 AM PDT

Raportimet se një aeroplan ka hasur në ngrica në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari" zëdhënësja e aeroportit, Valetina Gara i ka quajtura të pavërteta.

Gara, ka thënë për Gazetën Monitor se nuk bëhet fjalë për ngrica në pistën e aeroportit por që aeroplani në fjalë ka hasur në një sulm zogjësh.

Ajo tutje tha se udhëtarët të cilët do të udhëtojnë me këtë kompani, do të kenë vonesa në nisje.

"Fluturimi i Sëiss gjatë aterimit ka hasur në sulm zogjësh dhe jo për shkak të motit. Dhe për këtë arsye ka vonesë në nisje. Për çdo informatë shtesë në realizimin e fluturimit lusim udhëtarët të jenë në kontakt me kompaninë ajrore në fjalë", ka thënë Gara

The post Paniku në Aeroportin e Prishtinës "erdhi pas një sulmi nga zogjtë" appeared first on INSAJDERI.