INSAJDERI: “MPJ tregon pse Kosova u tërhoq edhe nga UNESCO” plus 19 more

INSAJDERI: “MPJ tregon pse Kosova u tërhoq edhe nga UNESCO” plus 19 more


MPJ tregon pse Kosova u tërhoq edhe nga UNESCO

Posted: 04 Oct 2017 09:57 AM PDT

Ministria e Punëve të Jashtme ka treguar pse Kosova është tërhequr nga anëtarësimi në UNESCO.

Përmes një komunikate MPJ ka informuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Organizata rajonale, kontinentale dhe globale, gjegjësisht në OKB dhe agjencitë e ndërlidhura me të është dhe mbetet synim prioritar i Kosovës.

Kosova deri më tash është anëtarësuar në mbi gjashtëdhjetë Organizata rajonale, kontinetale dhe globale dhe secili veprim i aplikimit, procedurave apo procesit të anëtarësimit bëhet në koordinim të plotë dhe të ngushtë me aleatët strategjik dhe historikë të Kosovës, respektivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, thuhet në komunikatë.

Kosova është aleate e perëndimit dhe kjo aleancë është e përjetshme dhe e pakthyeshme.

Shtyrja pragmatike e anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe UNESCO është e mbështetur në koordinimin e plotë dhe të ngushtë me SHBA-të dhe vendet e tjera të Kuintit.

Ministria e Punëve të Jashtme ri-thekson se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme vepron në mënyrë koordinuar, të matur, të përgjegjshme dhe në mbrojtje të interesit nacional.

Çdo pretendim tjetër për krijimin e narracionit negativ tek publiku është i paarsyeshëm dhe joprofesional.

Ministria e Jashtme vlerëson se këto veprime i kontribuojnë forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve me shtetet partnere dhe aleate, garantimit të sigurisë si dhe promovimit të paqes në rajon.

The post MPJ tregon pse Kosova u tërhoq edhe nga UNESCO appeared first on INSAJDERI.

Prokuroria nis hetimet ndaj deputetit të VV-së dhe dy zyrtarëve komunal

Posted: 04 Oct 2017 09:51 AM PDT

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili dikur ka mbajtur postin e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Bashkë më Aliun po hetohen edhe tre zyrtarë të tjerë në komunën e Prishtinës.

Aliu po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në kohën sa ishte drejtor i Urbanizmit në Prishtinë, për një leje ndërtimi që kishte dhënë në muajin mars të këtij viti.

Bashkë më Aliun po hetohen edhe pesë persona të tjerë, zyrtarë në komunën e Prishtinës. Nora Kelmendi, drejtoreshë e Kadastrës, Sazane Raskova, zyrtare në Drejtorinë e Urbanizimit të Komunës së Prishtinës  dhe Zejnullah Rexhepi, zyrtar i lartë për planifikim ne Drejtorinë e Urbanizmit.

Kështu ka bërë me dije, për Express, kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka.

"Hetimet lidhur me këtë çështje po i zhvillon Prokuroria Speciale. Sa i përket ndërtimeve tek ne është e regjistruar një lëndë", ka thënë Beka.

Tutje ai ka sqaruar se për rastin, kallëzim penal ka bërë policia e Kosovës. Beka tregon se cilët janë zyrtarët e tjerë që po hetohen për këtë rast.

"Kallëzimin penal e ka ushtruar Policia e Kosovës. Është në zhvillim hetimor. Tek ne është sjellë me 01.03.2017. Në këtë lëndë janë të përfshirë zyrtarët e Komunës, Liburni Aliu, Sazane Raskova, Nora Kelmendi dhe Zejnullah Rexhepi", ka deklaruar Beka.

 

The post Prokuroria nis hetimet ndaj deputetit të VV-së dhe dy zyrtarëve komunal appeared first on INSAJDERI.

Dënim me burg të përjetshëm për komplotin për ta vrarë Erdoganin

Posted: 04 Oct 2017 09:43 AM PDT

Një gjykatë turke i ka dënuar sot 34 persona me burgim të përjetshëm për tentimin për ta vrarë presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Dyzet e gjashtë persona u gjykuan nën dyshimet për komplotin për ta vrarë presidentin turk gjatë puçit të dështuar të vitit të kaluar në Turqi, raporton BBC.

Shumica e tyre ishin ish-ushtarë të Forcave Speciale Turke, të akuzuar për nisjen e operacionit në hotelin ku po qëndronte Erdogani në pushime.

Këto dënime të profilit të lartë janë më të fundit në një seri gjykimesh ndaj qindra pjesëmarrësve të dyshuar në puç.

Kleriku i dëbuar turk, Fethullah Gulen, i cili jeton në SHBA, ishte në mesin e të gjykuarave, por nuk është paraqitur në gjykatë dhe si rrjedhojë asnjë vendim s'është marrë në rastin e tij.

Turqia e akuzon Gulenin se qëndron prapa puçit, ndërsa shumë prej atyre që janë arrestuar apo pushuar nga puna janë akuzuar se janë ndjekës të tij. Lëvizja e Gulenit tani konsiderohet organizatë terroriste në Turqi.

Gulen mohon çfarëdo përfshirje në puçin e dështuar të korrikut 2016.

The post Dënim me burg të përjetshëm për komplotin për ta vrarë Erdoganin appeared first on INSAJDERI.

Abrashi iu premton çerdhe dhe terren sportiv banorëve tek “Bunari i Hjaratit”

Posted: 04 Oct 2017 09:34 AM PDT

Gjatë një vizitë që ju ka bërë lagjes "Bunari i Hajratit" deri rrugës për Grashticë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka premtuar ndërtimin e një çerdhe publike dhe një terren sportiv për nevojat e kësaj zone.

"Vizituan rrugën nga 'Bunari i Hajratit' deri rrugës për Grashticë dhe kemi plane konkrete për këtë zonë. Ne mendojmë se kjo zonë ka potenciale të fuqishme ekonomike, por siç e pamë edhe vetë, zotimet tona mbeten tek infrastruktura, si zgjerimi i rrugës me katër korsi, që përfshin edhe trotuare dhe ndriçim. Do të bëjmë asfaltimin e të gjitha rrugicave në këtë lokalitet, ndërsa në këtë pjesë do të bëhet edhe ndërtimi i Spitalit të Qytetit", tha Abrashi.

Sipas tij, te Fusha e Pajtimit do të ndërtohet një qendër rekreative sportive.

"Pas kërkesave të banorëve kemi vendosur për ndërtimin e një kopshti publik (çerdhe) për fëmijët e lagjes. Marrim si zotim që të matim dendësinë e popullsisë dhe të shohim nëse ka nevojë për ndërtimin edhe të një shkolle", shtoi Abrashi.

Ai tha se në ditët në vijim do të dalim me një plan konkret për komplet Zonën e Gollakut, ku parashihen ndërtimi i kapaciteteve ekonomike, turistike etj.

The post Abrashi iu premton çerdhe dhe terren sportiv banorëve tek "Bunari i Hjaratit" appeared first on INSAJDERI.

BE kërkon dialog mes Madridit dhe Katalonjës

Posted: 04 Oct 2017 09:28 AM PDT

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans konfirmoi sot se ka ardhur koha për të dialoguar, në respektim të Kushtetutës spanjolle, për të zgjidhur krizën e rëndë politike në Kataloni.

"Ka ardhur koha për të dialoguar, për të folur, për të gjetur rrugëdalje nga ngërçi dhe për të punuar konform urdhrit kushtetues spanjoll", theksoi Timmermans, gjatë një debati urgjent para deputetëve evropianë të mbledhur në seancë plenare në Strasburg.

"Është e nevojshme arritja e një marrëveshjeje të përbashkët për të shkuar përpara në Spanjë", shtoi ai.

Në deklaratën e tij, numri dy i ekzekutivit evropian u shpreh në mbështetje të shtetit të së drejtës duke dhënë mbështetje për qeverinë e Madridit.

"Detyra për të respektuar dhe mbrojtur shtetin e së drejtës mund të kërkojë ndonjëherë një përdorim proporcional të forcës", nënvizoi ai.

The post BE kërkon dialog mes Madridit dhe Katalonjës appeared first on INSAJDERI.

Fabregas pranon se e kishte gjuajtur me picë Fergusonin

Posted: 04 Oct 2017 09:23 AM PDT

Misteri rreth "Pizzagate" më në fund është zbuluar.

Ish-mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka pranuar se ishte ai futbollisti i cili e kishte gjuajtur me picë trajnerin legjendar të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, në tetor të vitit 2004.

Një përleshje e futbollistëve të dy klubeve kishte ndodhur në tunelin e zhveshtores pas fitores 2 me 0 të Unitedit, duke i dhënë fund serisë historike të Arsenalit prej 49 ndeshjeve rresht pa humbje, transmeton Koha.net.

Dy ekipet ishin përleshur pas ndeshjes, para se Fergusoni të mbeste me picë në fytyrë dhe gjithë trupin pasi një futbollist e kishte gjuajtur atë në drejtim të trajnerit të famshëm.

Fabregas, tani pjesë e Chelseat, përmendej vazhdimisht si futbollisti i cili e kishte bërë këtë vepër, ndërsa tani pas 13 vjetësh kjo është konfirmuar.

"Po. Krejt papritmas, dëgjova zhurma dhe thash çfarë po ndodh. Andaj dola me picën time dhe e pash Sol Campbell, Rio Ferdinandin, Martin Keownin – të gjithë duke shtyrë njëri-tjetrin. Doja të hyja, dhe e hodha picën. Nuk e kam parë se nga po shkonte, kënd po e godiste… I kërkoj falje Sir Alexit, në të vërtetë nuk e kam menduar ta bëja atë!", ka thënë Fabregas për "Sky".

Edhe Fergusoni kishte folur për këtë incident në librin autobiografik.

"Kam parë picën gjithandej në trupin tim. Ne vendosim ushqim në zhveshtore pas çdo ndeshje. Pica, pulë. Shumica e klubeve e bëjnë. Ushqimi i Arsenalit ishte më i miri. Thonë që Fabregasi e gjuajti picën, por akoma as sot, nuk kam ide se kush ishte ai që e bëri këtë vepër", kishte shkruar Ferguson.

The post Fabregas pranon se e kishte gjuajtur me picë Fergusonin appeared first on INSAJDERI.

Pas gurit, edhe flamuri i Kosovës në Parlamentin e Serbisë

Posted: 04 Oct 2017 09:09 AM PDT

Serbia duket se është futur në një debat të nxehtë parlamentar sa i përket Kosovës. Në një seancë të mbajtur dje në Parlamentin e Serbisë ishte parashikuar të mbahej edhe një diskutim për hyrjen e Listës Serbe në koalicion me Ramush Haradinajn. Por aty ndodhën dy eksese të cilat bënë bujë në Serbi

Deputetët radikal në Serbi kanë bërë disa performanca të komentuara në mediat atje brenda një 24 orëshi. Pasi ia dërguan ministrit të Infrastrukturës një torte për nder të 20 vjetorit të fillimit të legalizimit të ndërtimeve që ende nuk ka përfunduar, kanë shkuar në Kuvendin e Serbisë.

Aty mes të tjerash ka pasur të mbahet edhe një diskutim për cështjen e Kosovës, që në Serbi ende i referohen si Kosovë e Metohi.

Por këtë seancë e kishin bojkotuar shumica e partive. Megjithatë ka pasur kuorum që të vazhdohen diskutimet. E kur diskutimet janë hapur, aty ka nisur edhe spektakli.

Fillimisht ishte shefi i grupit të deputetëve Dveri Boshko Obradoviq i cili me tu ngritur në këmbë për të kërkuar që të miratohet një rezolutë përmes së cilës Kuvendi i Serbisë do të obligonte Qeverinë që të garantojë se Kosova do të jetë pjesë përbërëse e Serbisë, nxori edhe një guri dhe nisi të recitojë një poezi për atdheun.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë Maja Gojkoviq e pengoi recitimin duke i kërkuar deputetit që ta largojë gurin nga salla.

"Kjo llogaritet armë e ftohtë sepse mund ta lëndosh dikë", i tha ajo, teksa deputeti uli gurin në tavlonë.

"Nuk e kuptoj pse iu pengon guri të cilin dje e solla nga Kosova dhe poezia ",tha Obradoviq.

Seanca megjithatë u ndërpre për disa minuta por me të nisur sërish nuk u ndërprenë performancat e deputetëve radikal.

Deputetët e opozitës radikale vazhduan kundërshtimin e tyre edhe në diskutimet e Komisionit Parlamentar për Kosovë dhe Metohi në Kuvendin e Serbisë.  Aty, ata shprehen kundërshtimet e tyre në lidhje me Listën Serbe, duke pyetur se pse kjo parti ka hyrë në koalicion me, siç e quajtën ata, një kriminel lufte si Ramush Haradinaj.

Milijan Damajnoviq nga Partia Radikale Serbe, ia ka gjuajtur flamurin e Kosovës, Milovan Drecun, i cili është Kryetar i Komisionit Parlamentar për Kosovën, duke i thënë që t'ia dërgoj drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Marko Gjuriq.

Drecun i ka dhënë një paralajmërim Damajnoviq, pas të cili ky i fundit e quajti Drecun hipokrit ngaqë i ka dhënë mbështetje qeverisë Haradinaj, shkruan Dan.

Mediat në Serbi po raportojnë se opozita ka egërsuar fjalorin pasi atje Vuçiq ka nisur të flas më hapur për Kosovën shtet dhe realitetin e ri të krijuar në Kosovë./Insajderi.com

The post Pas gurit, edhe flamuri i Kosovës në Parlamentin e Serbisë appeared first on INSAJDERI.

Zbulohet varri i njërit prej figurave më enigmatike në histori

Posted: 04 Oct 2017 08:22 AM PDT

Hulumtuesit besojnë se përfundimisht kanë gjetur varrin e Shën Nikollës. Arkeologët në Turqi kanë gjetur varrin në qytetin Demre, për të cilin besojnë se është vendi ku prehet Shën Nikolla.

Besohet se varri ndodhet nën kishë dhe është detektuar me skaner. Cemil Karabajram, lider i ekipit hulumtues, tha se ky është zbulim i madh dhe se punimet do të fillojnë së shpejti.

"Do të gërmojmë tokën dhe mund të gjejmë trupin e Shën Nikollës", tha ai. Peshkopi Shën Nikolla ka jetuar në shekullin e katërt dhe ishte i njohur për dhunti sekrete.

The post Zbulohet varri i njërit prej figurave më enigmatike në histori appeared first on INSAJDERI.

Porosia e qartë BE-së, problem për kryeministrin

Posted: 04 Oct 2017 08:14 AM PDT

Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mbeten dy kushtet e fundit, pa plotësimin e të cilave, Kosova nuk mund të sigurojë liberalizimin e vizave.

Këtë e ka bërë të qartë Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë.

Danielsson, i cili është takuar të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin kanë nisur zyrtarisht Programin për Reforma Ekonomike, ka thënë se një nga sfidat në përpjekjet për t'i realizuar reformat, është adresimi i çështjes së krimit të organizuar, si dhe korrupsionit.

"Është e rëndësishme për disa arsye. Është e rëndësishme për vet Kosovën. Është e rëndësishme për klimën e biznesit. Nëse flasim me operatorët ekonomik dhe i pyesim se cilat janë çështjet e rëndësishme për ta dhe që do të mundësonte krijimin e vendeve të punës, ata e përmendin korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Danielsson.

“Prandaj, është me rëndësi që të adresohen këto çështje. Gjithashtu, kjo është një nga kriteret, sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", theksoi ai.

Ai tha po ashtu se për të marrë liberalizimin e vizave, kriter tjetër mbetet ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

"Kriteret janë të njohura publikisht dhe ne këshillojmë që të shikohet se si të adresohen këto kritere. Kjo i takon Qeverisë së Kosovës. Nga ana jonë, zotimi është i qartë. Një hap është kryer. Komisioni (Evropian) është i gatshëm që të bëj rekomandimin për liberalizim të vizave, sapo të kryhen këto çështje", tha Danielsson.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati deklaruar se përgjigja nga Brukseli rreth liberalizimit të vizave, mund t'i vinte Kosovës brenda tre muajve.

Kurse ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli javën e kaluar qëndroi në Bruksel ku kërkoi që Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, të anashkalohet si kusht për liberalizimin e vizave, të paktën për një periudhë të caktuar. Por, kjo kërkesë, deri më tani, nuk është mbështetur me ndonjë deklaratë publike nga zyrtarët e BE-së, të cilët kanë ritheksuar se ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi mbetet kushti që Kosova të ecë përpara në procesin e heqjes së vizave.

Kryeministri Haradinaj, njihet si një prej kundërshtarëve më të rreptë të versionit aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ai ka mandatuar tashmë Komisionin e ri shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe i ka dhënë kompetenca për të korrigjuar Marrëveshjen tashmë të nënshkruar nga Qeveria e kaluar e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi. Kjo marrëveshje, megjithatë është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi, por jo edhe në atë të Kosovës.

Ndërkaq pas takimit me zyrtarin e lartë të BE-së, Haradinaj tha se zbatimi i reformave të nevojshme është me rëndësi për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Sipas tij reformat në rend, ligj dhe gjyqësor, në të cilat janë shënuar ngecje, janë me interes të drejtpërdrejtë për Kosovën. Megjithatë, sipas tij, fokusi i takimit të sotëm me zotin Danielsson, ka qenë Programi për reforma ekonomike dhe nisja e këtij programit për vitin që vjen.

"Ishte një mundësi e mirë që të marrim, drejtpërdrejtë nga zoti Danielsson, sugjerimet për aspektet më me rëndësi të këtij programi. Kjo e vërteton përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane për Kosovën dhe për rajonin tonë", ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se në rast se Kosova nuk i përmbushë reformat dhe nuk e dëshmon seriozitetin e saj në këtë çështje, "do ta dënoj vetën, për shkak se proceset ngadalësohen dhe ndihmat pakësohen ose ndalen".

Kryeministri Haradinaj gjithashtu ka theksuar se Programi për Reforma Ekonomike nuk është përgjegjësi vetëm e Qeverisë, por edhe e shoqërisë civile, e partive politike dhe e të gjitha bashkësive dhe komuniteteve në Kosovë.

The post Porosia e qartë BE-së, problem për kryeministrin appeared first on INSAJDERI.

Dita kur Katalonia pritët të shpallë pavarësinë

Posted: 04 Oct 2017 07:31 AM PDT

Katalonia do të vendosë të hënën e ardhshme për shpalljen e pavarësisë nga Spanja, ka bërë të ditur një burim qeveritar.

Partitë pro-pavarësisë, të cilat e kontrollojnë parlamentin rajonal, kanë kërkuar që të mbahet një debat dhe votimi këtë të hënë për shpalljen e pavarësisë, njofton ky burim, raporton Reuters. Shpallja e pavarësisë pritet të bëhet pas votimit, edhe pse nuk është e qartë se kur saktësisht.

Ndërkohë, presidenti katalan, Carles Puigdemont, ka thënë mbrëmë për BBC se qeveria e tij do t'i kërkojë parlamentit rajonal ta shpallë pavarësinë numërimit të të gjitha votave të referendumit, për të cilin Madridi ka insistuar si ishte i jashtëligjshëm.

"Kjo mbase do të përfundojë sapo t'i numërojmë të gjitha votat nga jashtë në fund të javës dhe me shumë mundësi do të veprojmë gjatë fundjavës apo në fillim të javës së ardhshme", ka thënë Puigdemont.

The post Dita kur Katalonia pritët të shpallë pavarësinë appeared first on INSAJDERI.

Ekspertët vijnë në një përfundim të ri për vrasësin e 3 shqiptarëve në Mynih

Posted: 04 Oct 2017 07:24 AM PDT

David S. Me origjinë iraniane vrau nëntë vetë, përfshirë 3 shqiptarë, në një qendër tregtare në Mynih vitin e kaluar, përpara se të vriste veten. Autoritetet nuk besonin se sulmi kishte motive ideologjike, por të dhëna të reja e kundërshtojnë këtë.

Vitin e kaluar, më 25 korrik të rinjtë nga Kosova Armela Segashi, Dijamant Zabërgja dhe Sabinë Sulaj, kishin mbetur të vrarë në një qendër tregtare të Munihut, ku banojnë shumë imigrantë. Gjithsej në këtë sulm kishin mbetur të vrarë 9 persona dhe mbi 25 të plagosur.

Në mesin e të plagosurve ishin edhe dy kosovarë tjerë, Lumnije Azemi dhe një 14 vjeçar me inicialet B.A., të dy me vendbanim në Gjermani.

Dëshmitarët thanë se autori i sulmit, një 18-vjeçar iraniano-gjerman, i lindur në Gjermani, qëlloi me armë, me sharje kundër imigrantëve.

Në dallim nga rezultatet e punës së policisë, një panel ekspertësh i angazhuar nga qyteti i Mynihut arriti në përfundimin se David S. ka qenë i motivuar nga ideologji ekstremiste e djathtë, kur hapi zjarr dhe vrau nëntë vetë në një qendër tregtare në Bavari, shkruan DW.

Autoritetet vitin e kaluar e kategorizuan incidentin më tepër si tërbim, se sa një sulm i qëllimshëm. Zyra e prokurorit publik shkroi se “nuk mund të supozohet se krimi kishte motive politike”, kurse Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, e përshkroi David S. si një “hakmarrës të sëmurë psiqik”, por jo “luftëtar terrorist”.

Por, një panel ekspertësh të shkencave sociale i tha gazetës Süddeutsche Zeitung të martën se hetuesit zyrtarë i patën nënvlerësuar motivet raciste, dhe veçanërisht kundër migrantëve, duke mos mbajtur parasysh as që dorasi e kishte planifikuar me imtësi sulmin.

Migrantët ishin objektivi

Të nëntë personat që u vranë në sulmin e tij qenë migrantë. Në një kohë që David S. nuk i njihte personalisht viktimat, e dinte se do të ndeshej me persona me origjinë migranti në qendrën tregtare të Mynihut, thanë ekspertët.

Ekspertët gjetën edhe që David S. kishte shkruar një si manifest, në të cilin ai betohej se do të ekzekutonte “qënie inferiore të huaja” për të mbrojtur Gjermaninë nga “infiltrimi i huaj”.

Koha e sulmit qe e rëndësishme për të krijuar lidhjen me ekstremin e djathtë. David S. i kreu vrasjet në përvjetorin e vrasjes në vitin 2011 të 77 vetëve, kryesisht fëmijë, nga ekstremisti i djathtë Anders Behring Breivik.

Paneli arriti në përfundimin se origjina iraniane e David S. nuk i kish ndaluar te ai ndjenjat raciste ndaj migrantëve. Në fakt, dukej se dorasi donte ta tregonte veten si “gjerman të vërtetë”, duke degraduar dhe vrarë gjermanë jo etnikë. Të dhënat e panelit pritet të ekspozohen në bashkinë e Mynihut të premten.

 

 

The post Ekspertët vijnë në një përfundim të ri për vrasësin e 3 shqiptarëve në Mynih appeared first on INSAJDERI.

Për nëntë muaj, 815 milionë euro të hyra në dogana

Posted: 04 Oct 2017 07:23 AM PDT

Dogana e Kosovës ka vazhduar me performacën e lartë në mbledhjen e të hyrave. Raporti për nëntë (9) mujorin e këtij viti tregon qartazi për një rritje të performancës dhe arritje të objektivave të paraparë.

"Krahasimi në mes të projeksionit dhe të arriturave  për vitin 2017 tregon qartazi për arritje në mbledhjen e suksesshme të hyrave  pasi projeksioni për nëntë (9) mujorin e këtij viti kërkonte nga dogana të mbledh 808 milion pra 1% më shumë se projeksioni apo shprehur në shifra rreth 7 milion më shumë.", thuhet në një kumtesë të Doganës.

Krahasimi ne mes të viteve 2016 dhe 2017 në periudha të njëjta kohore tregon që kemi një rritje prej 6% më shumë, apo shprehur në milion kjo është afër 42 milion euro më shumë. Pra gjatë viti 2016 dogana kishte mbledhur 773 milion euro derisa në këtë periudhë janë mbledhur 815milion euro.

Drejtori i përgjithshëm Bahri Berisha theksoi se Dogana ka rritur profesionalizmin dhe përkushtimi.

"Vlen të theksohet se kemi vërejtur rritje të vet-përmbushjes së obligimeve nga ana e kompanive kosovar derisa niveli i vet-përmbushjes ka arritur në shkallën prej 94% e të gjitha të hyrave që mbledh Dogana", ka thënë Berisha.

The post Për nëntë muaj, 815 milionë euro të hyra në dogana appeared first on INSAJDERI.

Lëndohet super sulmuesi i Shqipërisë – mungon kundër Spanjës dhe Italisë

Posted: 04 Oct 2017 07:22 AM PDT

Kombëtarja shqiptare humbet edhe shërbimet e Sokol Cikalleshit për ndeshjet me Spanjën dhe Italinë, të fundit të kualifikueseve për Botërorin e 2018-s në Rusi.

Sulmuesi shqiptar pësoi një dëmtim gjatë seancës stërvitore të ditës së martë, e është larguar nga grumbullimi, për t'iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore.

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar vetëm këtë të mërkurë lajmin për dëmtimin e Cikalleshit, duke theksuar se futbollisti do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për 3 javë.

Në të njëjtën kohë, FSHF komunikon se Cikalleshi do të niset ditën e enjte drejt Turqisë, te klubi i tij, për të nisur procesin e riaftësimit./ Top Channel

The post Lëndohet super sulmuesi i Shqipërisë – mungon kundër Spanjës dhe Italisë appeared first on INSAJDERI.

Gjykata Supreme shpallë vendimin ndaj Agim Bahtirit

Posted: 04 Oct 2017 07:16 AM PDT

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e aktakuzës ndaj Agim Bahtirit dhe të tjerëve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Si rezultat Gjykata Supreme e ka konsideruar të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë që i shkoi asaj nga Prokuroria Speciale në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për aktakuzën ndaj Agim Bahtirit, Haxhimet Feratit e Gazmend Kelmendit.

Aktakuza ndaj Agim Bahtirit ishte ngritur më 1 mars të vitit të kaluar ndërsa në dhjetor të po atij viti ishte mbajtur seanca fillestare ku ishte deklaruar i pafajshëm.

Klan Kosova ka siguruar dhe vendimin e Gjykatës Supreme, të cilin mund ta shihni të publikuar më poshtë:

The post Gjykata Supreme shpallë vendimin ndaj Agim Bahtirit appeared first on INSAJDERI.

Punësonte persona përmes telefonit me Grabovcin – thotë se ka vepruar sipas ligjit

Posted: 04 Oct 2017 07:16 AM PDT

Besim Beqaj i cili është bërë ministër në qeverinë Haradinaj, në ministrinë më të re në Kosovë, Inovacionit dhe Ndërmarrësis, e që po hetohet nga Prokuroria e Shtetit për emërime në Trainkos, Infrakos dhe Postë Telekomin e Kosovës, është shprehur se ka vepruar në harmoni me ligjin.

Në serinë e dymbëdhjetë të përgjimet telefonike "Dosja e Shefave", që ka publikuar Insajderi, gjatë vitit të kaluar, Beqaj bënte plane për vendosje të njerëzve që përfaqësonin interesin e tyre në këto ndërmarrje milionëshe.

Mirëpo për këtë Beqaj në një intervistë për "Telegrafin",ka thënë se secili veprim që unë kam bërë është në harmoni me ligjin dhe me rregullat e Kosovës.

"Unë do të jem jo vetëm me prokurorin, po kush do që ka nevojë për çka do sqarimi, për të gjitha proceset me të cilat kam qenë përgjegjës dhe të përgjigjem në çdo kohë, në çdo moment, me dokumentacion", ka thënë Beqaj.

Beqaj ka thënë se është i gatshëm çdo herë për t'ju dhënë shpjegim institucioneve përgjegjëse dhe pres që ata të përfundojnë shpejt.

Mirëpo të gjitha këto veprimet që i ka bërë Beqaj, për të janë gjëra të cilat janë rregulluar me ligj.

"Normalisht ne jemi takuar kemi bashkëbiseduar, ja kemi shpjeguar se nëse flasim për ato emërimet, për ndërhyrjen e famshme në PTK, janë procedura të ndërtuara me ligj, ku ligji për ndërmarje publike thotë se: "Drejtori ekzekutiv i një ndërmarrje jep dorëheqje në mënyrë të drejt përdrejtë përgjegjësia e parë bie mbi zyrtarë më të lartë në ndërmarrje, janë gjana hipotetike që janë ndërtu", ka thënë Beqaj.

Beqar ndër tjerash thotë se të gjitha këto janë bërë për prishje të imazhit.

"Unë pres që prokuroria pas hetimeve, që ta bënë nëse e gjen fajtor për X, Y, Z, atëherë mu, duhet të veproj, por edhe atëherë nëse unë nuk jam fajtor prokuroria duhet të veproj sepse ajo çka jemi duke parë viteve të fundit është tendencë për ta dëmtuar imazhin e njerëzve",është shprehur në fund Beqaj.

Në publikimet të cilat i ka publikuar Insajderi Beqaj dëgjohet duke e porosit Grabovcin që të flas me kryeministrin për ushtrues detyre të PTK-së. Grabovci, i thotë që këtë do ta bisedojnë në drekë. /Insajderi.com

The post Punësonte persona përmes telefonit me Grabovcin – thotë se ka vepruar sipas ligjit appeared first on INSAJDERI.

Qeveria ende nuk ka vendosur nëse do të aplikojë për anëtarësim në UNESCO

Posted: 04 Oct 2017 07:09 AM PDT

Qeveria e Kosovës ende nuk ka marr vendim nëse këtë vit do të aplikojë për anëtarësim në Organizatën së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Në Qeveri thonë se janë duke u konsultuar me mekanizmat relevant ndërkombëtarë dhe aleatët, pastaj do të marr vendim nëse do të dorëzojë aplikimin.

Ndonëse zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli javë më parë kishte deklaruar se Kosova i ka votat për anëtarësim është një tjetër pengesë që po e vështirëson aplikimin për tu anëtarësuar në këtë organizatë.

Drejtori i Zyrës për Komunikim në Qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi ka thënë për lajmi.net se janë dy ligie të rëndësishme që duhet kryer, që sipas tij, është dashur të kryhen në vitin 2015.

"Qeveria është në konsulta me të gjithë mekanizmat relevant ndërkombëtar si dhe me aleatët strategjik të Republikës së Kosovës dhe në koordinim të plotë me ta do të vendosë rreth aplikimit ose jo në UNESCO",

"Qeveria Haradinaj është tre javë në detyrë, prandaj nuk është arritur të përmbyllen dy ligje kruciale për UNESCO-n, ai për liritë fetare dhe ai për trashëgiminë kulturore edhe pse Kosova është dashur që t'i përmbyllë ato që nga viti 2015", është shprehur Matoshi.

Ish-zëvendësministri i Jashtëm, Valon Murtezaj ditë më parë kishte thënë se Qeveria aktuale duhet ta dorëzojë aplikimin, por që sipas tij nuk edhe shumë kohë.

Ndonëse Qeveria e Kosovës ende nuk vendim nëse do të aplikojë për anëtarësim në UNESCO, zyrtarë të shtetit të Serbisë thonë se tashmë Kosova ka humbur afatin për aplikim.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq sot në mënyre ironike u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të aplikojnë.

The post Qeveria ende nuk ka vendosur nëse do të aplikojë për anëtarësim në UNESCO appeared first on INSAJDERI.

Theresa May pengohet gjatë fjalimit (Video)

Posted: 04 Oct 2017 07:07 AM PDT

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, u pengua nga një aktivist gjatë fjalimit të saj, ku premtoi që do të "rinovoj ëndrrën britanike".

Aktivisti në fjalë i dha kryeministres një dokument P45 (dokument/dëshmi për shkëputje të marrëdhënies së punës), duke i thënë "Boris me ka porositur t'ju jap këtë".

Pas pak ai u largua nga podium, ndërsa May vazhdoi fjalimin e saj me ç'rast paralajmëroi  saktësimin e çmimeve të energjisë.

 

The post Theresa May pengohet gjatë fjalimit (Video) appeared first on INSAJDERI.

Turku mashtrues, zhvati mbi 100 mijë euro

Posted: 04 Oct 2017 07:00 AM PDT

Me premtimet për biznes, një shtetas turk nëpërmjet mashtrimit ka mundur të përvetësojë mbi 100 mijë euro nga dy biznesmenë shqiptarë dhe një kosovar për t'u zhdukur më pas pa lënë gjurmë.

Prokuroria e Tiranës hetoi dhe dërgoi për gjykim në mungesë shtetasin turk Yasin Pekdemir, për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.

Nga hetimet e kryera si dhe nga dëshmitë e tre biznesmenëve të mashtruar, turku Pekdemir u sillte atyre kallëpe për prodhimin e materialeve të ndryshme plastike. Por kallëpet rezultonin me probleme dhe Pekdemit u merrte sërish lekë biznesmenëve për t'i riparuar apo zëvendësuar ato dhe pasi u ka marrë tre biznesmenëve lekë edhe për shitjen e kallëpëve edhe për riparimin apo zëvendësimin e tyre, është zhdukur pa lënë gjurmë, duke përvetësuar një shumë që i kalonte 100 mijë euro.

Fillimisht, këtë skemë mashtrimi e pësoi një biznesmen nga Fieri, më pas një tjetër nga Durrësi dhe në fund viktimë e këtij skenari mashtrimi kishte rënë edhe një biznesmen kosovar.

Nisur nga skema e përdorur, hetuesit kanë arritur në konkluzionin se kallëpët vinin qëllimisht me defekte që shfaqeshin pasi fillonte procesi i punës për të realizuar mashtrimin e dytë me riparimin e tyre.

Aktualisht dosja në ngarkim të Yasin Pekdemir ndodhet në Gjykatën e Tiranës, ndërsa policia ka nisur kërkimin e shtetasit turk, i cili rrezikon një dënim që shkon deri në 10 vite burgim. Nëse ai nuk gjendet, atëherë procesi sipas parashikimeve të reja të kodit të procedurës, pezullohet për një vit për të rifilluar më pas në mungesë të të akuzuarit./Top Channel

The post Turku mashtrues, zhvati mbi 100 mijë euro appeared first on INSAJDERI.

Ish-studenti i UBT-së krijon fabrikën e parë në regjion për prodhimin e paneleve

Posted: 04 Oct 2017 06:57 AM PDT

Ish-studenti i programit Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në nivelin master,, Feim Brava, tashmë pjesë e stafit të UBT-së, ka filluar të prodhojë diçka të veçantë për tregun tonë, por edhe më gjerë.

Për herë të parë në Kosovë, ai ka krijuar fabrikën " Euro Panel", në Obiliq, që merret me prodhimin e paneleve.

Sipas tij, panelet janë produkte shumë të kërkuara në tregun vendor e ndërkombëtar dhe po përdoren me të madhe në ndërtimtari, andaj përmes prodhimit të tyre në kompaninë e tij, ai po synon ta mbulojë tregun vendor, por edhe atë ndërkombëtar.

"Çdo vit në Kosovë importohen në vlerë tregtare rreth 10 milionë euro panele nga vendet e ndryshme të botës, kurse tash, ne jemi prodhuesit e vetëm të paneleve në Kosovë dhe regjion", tregoi Brava, teksa shtoi se ka zgjedhur pa asnjë ngurrim t’i punësojë studentët e UBT-së, sepse sipas tij, i plotësojnë të gjitha kriteret që kërkohen në tregun  e punës.

"UBT është një nga institucionet më serioze dhe që i aftëson studentët për tregun e punës. Jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe besoj se ky bashkëpunim do të funksionojë shumë mirë sepse UBT ka qenë njëra nga mundësitë më të mëdha për mua, veçanërisht falë bashkëpunimit me rektorin Edmond Hajrizi".

Ndonëse niveli i ulët i punësimit të të rinjve kosovarë është në shifra të ulëta, ish-studenti Brava ka siguruar punë edhe për dhjetëra studentë të UBT-së, t cilët janë duke ndërtuar karrierë në profesionin e tyre.

Njëri ndër studentët e punësuar në kompani, Gentrit Makolli tha se asnjëherë nuk e kishte menduar se do të mund të punësohet ende pa i përfunduar studimet.

"Kjo është një mundësi shumë e mirë për ta dëshmuar veten, por edhe me siguruar të ardhura sepse kur filluam fakultetin para tri viteve, nuk kam menduar që do të jetë kaq e thjeshtë të punësohesh", tregoi studenti Makolli.

Rreth  90% e studentëve dhe ish-studentëve të UBT-së, kanë arritur të punësohen nëpër kompani të ndryshme, por edhe të krijojnë kompanitë e tyre, duke gjeneruar vende pune jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët.

https://www.youtube.com/watch?v=j94UQRqQ4SM&feature=share

The post Ish-studenti i UBT-së krijon fabrikën e parë në regjion për prodhimin e paneleve appeared first on INSAJDERI.

Televizionet penalizohen për shkelje gjatë fushatës zgjedhore

Posted: 04 Oct 2017 06:51 AM PDT

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) në Shkup në bazë të raportit nga monitorimi raportimit të mediave gjatë procesit zgjedhor, ka vërejtur shkelje të procedurave nga TV Nova, Alsat-M dhe TV24, për shkak të tejkalimit të kufirit për program të paguar politik.

"Monitorimi mbi Alsat-M tregon se në 26 dhe 28 shtatori në një orë emitim, është ndarë më shumë kohë nga se që lejohet me ligj për partitë politike në Kuvend, që nuk kanë grupe të deputetëve. Në mbikëqyrjen e TV Nova, prej 28 shtator deri 1 tetor, në një orë ka emituar program të paguar politik nga partitë opozitare, për më shumë se që lejohet me ligj. Procedura ndaj TV24 është ngritur për shkak të mosrespektimit të rregullores për shpalljen e rezultateve të mendimit publike në kronikën me titull "Dita e shtatë e fushatës së zgjedhjeve lokale", e transmetuar më 1 tetor", thuhet në njoftimin e ASHMAA.

ASHMAA prej fillimit të procesit zgjedhor, ka filluar me monitorimin e raportimit tek mediat dhe publikon raporte çdo dy javë.

The post Televizionet penalizohen për shkelje gjatë fushatës zgjedhore appeared first on INSAJDERI.