INSAJDERI: “Haradinaj ngushëllon popullin amerikan pas sulmit në Las Vegas” plus 19 more |
- Haradinaj ngushëllon popullin amerikan pas sulmit në Las Vegas
- Haradinaj u dërgon letër tre ministrave për Trepçën, ka kërkesa konkrete
- Incizon vetë-aksidentin në Veternik, bën thirrje për kujdes
- Haradinajn e uron Sekretari Amerikan i Shtetit
- UBT hapi Qendrën e Inovacionit Social, “Colibri”
- ISIS e merr përgjegjësinë: Vrasësi në Las Vegas ishte ushtar i yni
- LDK në Prishtinë shpërfill urdhrin e kryetarit Mustafa, përmes posterit të Abrashit
- Thaçi: Kosova mban zi për viktimat në Las Vegas
- Ministri Gashi falënderon Ambasadorin amerikan për dy çështje
- Fushata e PDK-së përfshin edhe takimin me të dyshuarin për kurdisje të ndeshjeve futbollistike
- Premtimet që përsëriten në çdo fushatë zgjedhore
- Haradinaj: Elsie do mbahet mend për përkthimin e “Lahutës së Malësisë”
- Hapet qendra për luftimin e sulmeve hibride në Evropë
- I vërtetohet dënimi të akuzuarit për marrje ryshfeti
- Komisioni Evropian i përgjigjet Vuçiqit: Katalonja nuk krahasohet me Kosovën
- Robert Elsie, kanadezi që zbuloi “thesaret” e kulturës shqiptare
- Sulmi në Las Vegas: Mbi 400 të plagosur po trajtohen në spital, në turmë ishin mbi 22 mijë persona
- Policia e Kosovës realizon aktivitete me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafik
- 15 policët e jugut në Mitrovicë nuk e pranojnë fajësinë për marrje ryshfeti
- Vetëvritet adoleshenti sepse shkolla nuk i pranoi emrin e ri
| Haradinaj ngushëllon popullin amerikan pas sulmit në Las Vegas Posted: 02 Oct 2017 09:37 AM PDT Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur sot ngushëllime për sulmin e ndodhur në Las Vegas, në të cilin mbetën të vrarë dhjeta dhe u plagosën qindra amerikanë. Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, kryeministri ka thënë se populli i Kosovës ndan dhimbjen me popullin amerikan, raporton Insajderi. "Jam i tronditur nga lajmet që vijnë nga Las Vegas-i dhe Amerika, ku nga një sulm barbar, mbetën të vrarë dhjeta dhe u plagosën qindra amerikane dhe amerikanë. Ndaj dhembjen time dhe të familjes sime, me familjet e viktimave; Ndaj dhembjen e popullit kosovar dhe të Qeverisë që unë e drejtoj, me kombin krenar amerikan dhe me Qeverinë e ShBA-së", ka thënë Haradinaj. Ai ka thënë se "egërsia dhe barbaria sot kanë shkaktuar shumë vuajtje në Las Vegas, prandaj në këtë dhimbje qëndrojmë së bashku me familjet e viktimave dhe me ShBA-në. /Insajderi.com The post Haradinaj ngushëllon popullin amerikan pas sulmit në Las Vegas appeared first on INSAJDERI. |
| Haradinaj u dërgon letër tre ministrave për Trepçën, ka kërkesa konkrete Posted: 02 Oct 2017 09:35 AM PDT Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj u ka shkruar letra tre ministrave të Qeverisë që ai drejton, nga të cilët kërkon që të përfshihen me veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për Trepçën si dhe adresimin e kërkesave tjera të minatorëve të Trepçës. Në letrën e Kryeministrit Haradinaj për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, atij i kërkohet të shqyrtojë kërkesat e natyrës ligjore të parashtruara nga Ahmet Tmava, menaxher i Ndërmarrjes Trepça: – Të miratohet Statuti i Trepça SH.A. duke u bazuar në nenin 6 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën; Të bëhet regjistrimi Trepça SH.A në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (MTI) duke u bazuar në nenin 7 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën; Gjithashtu MZHE bazuar në nenin 7 të Ligjit të lartcekur të bëjë regjistrimin e njësive banesore Trepça SH.A. të cekura në nenin 2, paragrafet 2.1, 2.2 dhe 2.3 të këtij Ligji; Bazuar në nenin 3 paragrafi 3.1, 3.2 dhe 3.3 të Ligjit dhe arsyeshmërinë ekonomike dhe financiare, të formohen edhe njësitë e parapara në këtë dispozitë. Ndërsa nga ministri, Skender Reçica, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kryeministri, në bazë të vlerësimeve të Tmavës kërkon që: – Të sigurohet baza juridike për dhënien e pensioneve me 70% nga paga e punëtorëve, ashtu siç janë pensionet në disa institucione në Republikën e Kosovës; – Të sigurohet baza juridike për pranimin e stazhit të punës për vitet 1990-1999; – Punësimi i të rinjve, dhe Zbatimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës. Dhe së fundi në letrën dërguar ministrit, Bedri Hamza, ministria e Financave, Kryeministri Haradinaj i kërkon atij që: – Duke u bazuar në Ligjin mbi faljen e Borxheve Publike nr.05/0119, Ndërmarrja Trepça si Shoqëri Aksionare i është drejtuar Komisionit Qeveritar për përfshirje në falje të borxheve të saj të krijuara në kohën e UNMIK-ut. The post Haradinaj u dërgon letër tre ministrave për Trepçën, ka kërkesa konkrete appeared first on INSAJDERI. |
| Incizon vetë-aksidentin në Veternik, bën thirrje për kujdes Posted: 02 Oct 2017 08:57 AM PDT Një qytetar ka incizuar një vetë-aksident në Veternik pak ditë më parë, ndërsa tani e ka postuar atë në rrjete sociale duke bërë thirrje që të gjithë të tregojnë kujdes në rrugë. Në një video të postuar në grupin "Marakli t'Kerreve", qytetari ka treguar se shkaktar i vetë-aksidentit me BMW M3 ishte shpejtësia e madhe. Duke sqaruar se ka qenë në vozitje tejet të shpejtë, aika lutur të gjithë të tregojnë kujdes në rrugë, raporton Koha.net. "Keni kujdes secili prej jush se sado që jeni shofer të mirë, prapë ka dështime", ka shkruar ai. Videon mund ta shihni në këtë link: VIDEO *Shembulli personal që jep ngasësi i këtij automjeti është për t'u duartrokitur. Ai pranon gabimin dhe për më tepër bën thirrje të gjithëve që mos të përsërisin një gjë të tillë. The post Incizon vetë-aksidentin në Veternik, bën thirrje për kujdes appeared first on INSAJDERI. |
| Haradinajn e uron Sekretari Amerikan i Shtetit Posted: 02 Oct 2017 08:51 AM PDT Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë telegram urimi për marrjen e përgjegjësive të reja nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex W. Tillerson. Në urim thuhet: Shkëlqesisë së tij Ramush Haradinaj, Kryeministër i Republikës së Kosovës I nderuar zoti Kryeministër, Pranoni urimet e mia për ju dhe popullin e Kosovës për zgjedhjet e mbajtura dhe formimin e qeverisë. Zgjedhjet e qershorit të këtij viti ishin shenjë e qartë se vendi juaj ka arritur pjekurinë demokratike. Lidershipi juaj është vendimtar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe bashkëpunimin e ngushtë me fqinjtë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë. Ju inkurajoj fuqishëm që të udhëhiqni me intensitet të shtuar e në mënyrë gjithëpërfshirëse, në zbatimin e reformave të nevojshme e urgjente. Reformat e tilla përfshijnë fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit, dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zgjidhja e çështjes së kufirit të Kosovës me Malin e Zi, janë thelbësore për progresin e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik. Do të punojmë ngushtë me qeverinë tuaj, në qëllimin tonë të përbashkët për Kosovën multietnike e demokratike, si pjesë e stabilitetit dhe prosperimit të Ballkanit. Sinqerisht, Rex W. Tillerson The post Haradinajn e uron Sekretari Amerikan i Shtetit appeared first on INSAJDERI. |
| UBT hapi Qendrën e Inovacionit Social, “Colibri” Posted: 02 Oct 2017 08:47 AM PDT Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është bërë hapja e Qendrës së Inovacionit Social, "Colibri", që është themeluar si rezultat i bashkëpunimit mes UNICEF-it dhe UBT-së, aktivitet ky që u shënua me hapjen e Javës së Inovacionit, gjatë të cilës do të mbahen aktivitete të shumta, kryesisht të karakterit social. Colibri do të jetë qendra e parë e karakterit të tillë në Kosovë, që do të merret me identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve sociale të shoqërisë kosovare, dhe në këtë mes, UBT do të ofrojë vazhdimisht kontribut dhe mbështetje për inovatorët e rinj dhe idetë inovative, që të zhvillohen nën ombrellën e kësaj qendre. Me rastin e hapjes së Colibri-t, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se hapja e kësaj qendre është iniciativë unike dhe e rëndësishme për Kosovën, por edhe në aspektin global, sepse sipas tij, është në funksion të zgjidhjes së problemeve sociale. "Colibri, si një ndërlidhje mes organizatave ndërkombëtare dhe akademisë, paraqet një koncept modern dhe unik, në atë mënyrë që të gjenerohen zgjidhje inovative, të bëhen transformime të bazuara në inovacion, për çështjet dhe problemet sociale që dëshirojmë t'ju qasemi dhe t'i zgjidhim në Kosovë dhe në regjion", theksoi ai. Hajrizi shprehu gatishmërinë e UBT-së, duke përfshirë edhe stafin akademik dhe studentët, për të ofruar ide për zgjidhjen e problemeve më të mëdha dhe më aktuale të shoqërisë, përfshirë ato në shëndetësi, në zhvillim ekonomik dhe në të gjitha sferat e tjera të jetës. "Kjo qendër nuk do të jetë një destinacion, por do të jetë një rrugëtim dhe synimi ynë është që të mbërrijmë sa më larg sepse nuk mjafton që të përfshihen vetëm elemente të kreativitetit dhe të ideve të reja, këto janë raste që kërkojnë një përmbajtje të thellë të dijes, hulumtimeve shkencore, akademike, testime të ndryshme dhe ndërlidhjes së dijeve", vlerësoi Hajrizi. Shefi i UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, duke e vënë në pah faktin se, Kosova e ka popullësinë më të re në Evropë, tha se ende ekziston hapësira për ofrimin e ndihmës dhe për përgatitjen e të rinjve për treg të punës. "Përmes kësaj qendre, qëllimi ynë është që t'ua japim të rinjve mundësinë për të shfaqur potencialin e tyre të plotë si inovatorë socialë, sipërmarrës dhe agjentë të ndryshimeve sociale", potencoi Co, teksa shtoi se ndjehet gjithmonë i lumtur kur ndodhet përreth njerëzve të rinj, duke qenë se, sipas tij, janë përplot energji, kapacitet dhe potencial. Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj e vlerësoi lart hapjen e Colibri-t, teksa tregoi që, me qëllim të përkrahjes së ideve inovative dhe pas bashkëbisedimit me shumë të rinj kosovarë, është vendosur që të bëhet themelimi i një ministrie që do të merret veçanërisht me identifikimin dhe përkrahjen e inovatorëve të rinj. "Roli i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është që t'ju hapë rrugë të gjithë njerëzve që kanë ide, por edhe të ofrojë përkrahje për ndërmarrësit që janë në proces të realizimit dhe pastaj të gjitha këto inovacione do të vihen në fokus të zhvillimit ekonomik dhe në fokus të efekteve ekonomike", theksoi Beqaj. Në fund, para pjesëmarrësve, studentët e UBT-së prezantuan punimet dhe projektet e tyre inovative, të cilat u shndërruan në produkte konkrete në laboratorët e sofistikuar të UBT-së, si dhe në fund, u vizituan objektet dhe hapësirat brenda kampusit të UBT-së, në Lipjan, përfshirë laboratorët, inkubatorët, bibliotekën, leximoret dhe sallat e ligjëratave.
The post UBT hapi Qendrën e Inovacionit Social, "Colibri" appeared first on INSAJDERI. |
| ISIS e merr përgjegjësinë: Vrasësi në Las Vegas ishte ushtar i yni Posted: 02 Oct 2017 08:09 AM PDT Shteti Islamik (ISIS) e ka marrë përgjegjësinë për sulmin me të shtëna që la të vdekur të paktën 50 persona dhe mbi 400 të tjerë të plagosur në Las Vegas. Në një komunikatë të publikuar në agjencinë propaganduese të grupit "Amaq", ISIS pohoi se sulmuesi ishte ushtar i Shtetit Islamik, raporton Independent, përcjell Express. Grupi terrorsit ka pohuar se Paddock u konvertua në islam pak ditë para sulmit. Ndërkohë, policia amerikane ka thënë sot se nuk dihen motivet e sulmuesit, të identifikuar si Stephen Paddock, 64-vjeçar, nga Mesquite, Nevada. Paddock vrau veten para se policia të mbërrinte në hotelin ku po qëndronte ai. Ai nuk ka pasur lidhje me ndonjë grup terrorist, sipas policisë amerikane. Policia në Mesquite, ku shtëpia e Paddock është duke u bastisur, thotë se ai nuk ka pasur histori krimi. "Nuk dimë shumë për Paddock. Ai jetonte në qytetin tonë. Ne si zyrtarë ligjorë nuk kemi pasur kontakt me të në të kaluarën", ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Policisë në Mesquite, Quinn Averett. Në këtë departament nuk ka asnjë raport rreth Paddock, asnjë arrestim e madje asnjë rekord për ndalje në trafik. The post ISIS e merr përgjegjësinë: Vrasësi në Las Vegas ishte ushtar i yni appeared first on INSAJDERI. |
| LDK në Prishtinë shpërfill urdhrin e kryetarit Mustafa, përmes posterit të Abrashit Posted: 02 Oct 2017 08:01 AM PDT Një poster i kandidatit për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arban Abrashit, i vendosur në një ndërtesë në qendër të kryeqytetit ka vënë në pah se Dega e LDK-së në Prishtinë ka shpërfillur urdhrin e kryetarit Isa Mustafa dhe Kryesisë së LDK-së. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa kishte premtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të respektojë në maksimum pronat publike. Madje, kryetari i LDK-së kumtoi lajmin se LDK kishte hequr dorë nga posterët në zgjedhje lokale, më datë 25 shtator. E urdhrin e Isa Mustafës nuk e ka respektuar as ish-ministri dhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, një poster i të cilit është parë i vendosur sot në Prishtinë. /Insajderi.com The post LDK në Prishtinë shpërfill urdhrin e kryetarit Mustafa, përmes posterit të Abrashit appeared first on INSAJDERI. |
| Thaçi: Kosova mban zi për viktimat në Las Vegas Posted: 02 Oct 2017 07:39 AM PDT Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar ndaj sulmit vdekjeprurës që ndodhi në Las Vegas. Si pasojë e të shtënave me automatik mbetën të vdekur më shumë se 50 persona e qindra të tjerë të plagosur. Në një reagim në llogarinë e tij në Twitter, Thaçi shkruan se Kosova i qëndron afër SHBA-së në këto raste të rënda. "Lajme tronditëse nga Las Vegas me humbje të jashtëzakonshme të jetëve. Kosova mban zi për viktimat dhe lutet për familjet e atyre që janë goditur nga sulmi”, përfundon Presidenti Thaçi. /Insajderi.com The post Thaçi: Kosova mban zi për viktimat në Las Vegas appeared first on INSAJDERI. |
| Ministri Gashi falënderon Ambasadorin amerikan për dy çështje Posted: 02 Oct 2017 07:35 AM PDT Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot, në një takim njohës, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë dhe Ambasadës së SHBA-së në vendin tonë. Siç thuhet në komunikatën e MKRS-së, Ministri e falënderoi ambasadorin amerikan për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer që Qeveria amerikane ka dhënë në shtet ndërtimin e Kosovës dhe po jep për forcimin e shtetësisë së Kosovës. Ministri Gashi dhe ambasadori Delawie vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë të dy shteteve, e në veçanti të MKRS-së me Ambasadën Amerikane në dikasteret që ka në përgjegjësi ministria. Po kështu, ministri Kujtim Gashi e njoftoi ambasadorin Delawie për politikat dhe planet që po i ndjek MKRS-ja për zhvillimin e kulturës në vend dhe promovimin e diversitetit kulturor. Ambasadori Delawie premtoi vazhdimin e bashkëpunimit në fushat që janë me interes të MKRS-së. Po ashtu, ambasadori Delawie theksoi se qeveria e vendit të tij, përmes Ambasadës në Prishtinë, do të jetë përkrah ministrisë duke mbështetur aktivitete të ndryshme rinore e kulturore, të cilat e promovojnë diversitetin dhe respektin e ndërsjellë në Kosovë, si dhe aktivitetet e dizajnuara që të kundërshtojnë ekstremizmin e dhunshëm. Ministri e ambasadori u pajtuan për thellim të bashkëpunimit dhe angazhimit në realizimin e projekteve konkrete në kulturë, trashëgimi, e me theks të veçantë në avancimin dhe integrimin e rinisë në jetën institucionale e shtetërore të Kosovës. /Insajderi.com The post Ministri Gashi falënderon Ambasadorin amerikan për dy çështje appeared first on INSAJDERI. |
| Fushata e PDK-së përfshin edhe takimin me të dyshuarin për kurdisje të ndeshjeve futbollistike Posted: 02 Oct 2017 07:29 AM PDT Enver Hoxhaj shkoi sot në Therandë. Atje, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) takoi udhëheqësit dhe futbollistët e Klubit të Fubollit “Ballkani”. Hoxhaj u premtoi drejtuesve të KF Ballkanit se “shumë shpejtë” do të përfundojnë punimet për renovimin e stadiumit në Therandë. “Jam i lumtur që së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, do të angazhohemi që punimet në ndërtimin e stadiumit në Therandë të përfundojnë sa më shpejtë”, ka thënë Hoxhaj, përmes një shkrimi në Facebook. Në mesin e personave me të cilët u takua sot Hoxhaj në Therandë, ishte edhe kryetari i klubit, Florim Kryeziu. Kryetari i KF Ballkanit, i cili pos pozitës së kryetarit të klubit, mban edhe një pozitë të lartë në Ministrinë e Sporteve, dyshohet se kishte kurdisur një ndeshje të Ligës së Parë të futbollit në Kosovë. Bëhet fjalë për ndeshjen ndërmjet KF Ballkanit dhe KF Ramiz Sadikut, e cila u zhvillua në muajin prill të këtij viti.
Ish-trajneri i Ballkanit të Suharekës, Gëzim Hasi u kishte kërkuar futbollistëve që të humbnin ndeshjen me skuadrën Ramiz Sadiku. Kjo, sipas tij kishte qenë kërkesë e kryetarit të klubit, Florim Kryeziu. E, në vizitën e sotme në Therandë, Enver Hoxhaj është shprehur i lumtur për takimin që pati me Kryeziun. Tha se u njoftua për rezultatet e mira të klubit therandas. “Sot kam bashkëbiseduar me lojtarët dhe stafin teknik të klubit futbollistik "KF Ballkani" nga Theranda, i vetmi klub i futbollit në këtë qytet. Nga kryesia dhe kryetari i klubit, Florim Kryeziu, dhe trajneri Zymer Elshani u njoftova nga afër me rezultatet e mira të tyre – pozita e dytë në ligën e parë të Kosovës – edhe përkundër kushteve të vështira financiare dhe infrastrukturore”, shkroi Hoxhaj në Facebook. /Insajderi.com
The post Fushata e PDK-së përfshin edhe takimin me të dyshuarin për kurdisje të ndeshjeve futbollistike appeared first on INSAJDERI. |
| Premtimet që përsëriten në çdo fushatë zgjedhore Posted: 02 Oct 2017 07:10 AM PDT Fushata e partive politike për zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë ka vazhduar me premtime afërsisht të ngjashme me ato që janë dhënë në fushatat e kaluara. Monitoruesit e proceseve zgjedhore dhe analistët politikë thonë se këto premtime jo vetëm që ngjasojnë me ato të para katër viteve, por edhe me premtimet e dhëna në periudhën e hershme të pasluftës. Zgjedhjet e para pas luftës në Kosovë ishin mbajtur në vitin 2001. E gjithë kjo, sipas tyre, lë të nënkuptohet se premtimet që ishin dhënë në të kaluarën nuk janë realizuar nga kandidatët që kishin zgjedhur për të udhëhequr me komunat. Premtimet që përsëriten, besohet se kanë të bëjnë me nevojat themelore të qytetarëve. Trajtimi i ujërave të zeza, shërbime cilësore publike, asfaltime rrugësh, cilësi në arsim dhe ndërtim i shkollave apo edhe ngritja e cilësisë në shërbimet shëndetësore, janë disa nga premtimet që përsëriten gati në çdo fushatë zgjedhore në Kosovë. Analisti i çështjeve politike, Ismajl Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo përsëritje e premtimeve lë të kuptohet se nuk është punuar si duhet nga kryetarët e komunave. "Për fat të keq, Kosovës i mungon lidershipi, i mungon edukimi jo vetëm politik, por edhe profesional i njerëzve që pranojnë kandidimin për një post. Ndër vite dhe në sa e sa zgjedhje komunale e nacionale që janë mbajtur që nga paslufta e këndej, gjithmonë është folur për trajtimin e ujërave të zeza, për deponitë e mbeturinave, për shërbime cilësore…, janë të gjitha këto gjëra të cilat nuk janë bërë", thotë Hasani. Ai e konsideron të pakuptim faktin se ka disa kandidatë të cilët, disa herë kanë kandiduar për kryetar komune me të njëjtat premtime. Ndërkohë edhe përfaqësues të organizatave që merren me monitorimin e fushatave zgjedhore në Kosovë thotë se premtimet e kandidatëve për kryetar të komunave janë të përsëritura, pasi që si të tilla nuk janë realizuar. Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo e cila merret me monitorimin e fushatës zgjedhore, thotë se mund të ketë aty këtu ndonjë përjashtim në komuna të caktuara, mirëpo në përgjithësi ende në gjithë vendin diskutohet për çështje bazike. Sipas tij, ende vazhdojnë premtimet për ujë të pijes, infrastrukturë rrugore, shërbime cilësore publike, largimi i mbeturinave e çështje të tjera. "Kjo fushatë për zgjedhjet lokale nuk ka sjellë ndonjë risi nëse krahasohet me fushata e mëhershme, qoftë për zgjedhje nacionale qoftë lokale. Nëse krahasohet me zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës premtimet paraelektorale janë të njëjta, shumica e tyre ndërlidhen me infrastrukturën ose me realizimin më të mirë të shërbimeve komunale", thotë Murati. Përsëritja e premtimeve të njëjta gati në çdo fushatë elektorale, shton Murati, janë treguesi më i mirë i dinamikës të punës që zhvillohet në vend. "Kjo tregon joseriozitetin që subjektet politike mund ta kenë në punën e tyre dhe në mospërmbushjen e premtimeve në këtë rast. Mjafton që të merret vota e qytetarit e pastaj punët kryhen më ngadalë dhe jo më vëmendjen e duhur", thekson Murati. Fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të zgjasë deri më 20 tetor. Më 21 tetor, do të jetë heshtje zgjedhore. Ndërsa, më 22 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës. Si rezultat do të zgjidhen kryetarët e rinj të komunave dhe këshilltarët nëpër asambletë komunale. The post Premtimet që përsëriten në çdo fushatë zgjedhore appeared first on INSAJDERI. |
| Haradinaj: Elsie do mbahet mend për përkthimin e “Lahutës së Malësisë” Posted: 02 Oct 2017 07:01 AM PDT Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e albanologut kanadez me prejardhje gjermane, Robert Elsie. "Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e papritur të albanologut kanadez me origjinë gjermane, ndër më të shquarit e kohës sonë, Robert Elsie", ka shkruar Haradinaj në Facebook. Ai ka thënë se Elsei ishte njeriu ndër më meritorët në fushën e albanologjisë në kohën tonë. "Elsie ishte albanologu më prodhimtar, autor i dhjeta librave nga fusha e albanologjisë si dhe kritik e përkthyes në anglisht i letrave shqipe", ka shkruar më tej ai. Sipas Haradinajt, ai do të mbahet mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malësisë”. "Elsie kishte përpiluar edhe fjalorë të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës. Vdekja e tij është humbje e madhe për familjen dhe miqtë, por njëherësh edhe për albanologjinë dhe historiografinë, për shqiptarët përgjithësisht dhe Kosovën në veçanti", vazhdon tutje mesazhi i kryeministrit. "Ngushëllime! Pastë dritë shpirti i tij!", ka përfunduar postimi i kryeministrit./Insajderi.com The post Haradinaj: Elsie do mbahet mend për përkthimin e "Lahutës së Malësisë" appeared first on INSAJDERI. |
| Hapet qendra për luftimin e sulmeve hibride në Evropë Posted: 02 Oct 2017 06:52 AM PDT Shefja për politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se Bashkimi Evropian, "nuk mund ta merrte më seriozisht se kaq çështjen e sulmeve hibride". Qendra, me iniciativë të Finlandës, bashkon 10 vende të BE-së, bashkë me Norvegjinë dhe SHBA-në, që të fokusohen në hulumtime, trajnime dhe edukim. Mogherini ka folur para inaugurimit të Qendrës Evropiane të Përsosmërisë për Luftimin e Sulmeve Hibride, në Helksink. NATO dhe Bashkimi Evropian do të jenë në bordin udhëheqës, të cilën Mogherini e quajti si " kontribut thelbësor i kapaciteteve tona si përgjigje ndaj krizave". Bashkimi Evropian ka rritur kohëve të fundit aktivitetet për të luftuar krimet hibride të formave të ndryshme. Komisioni Evropian, po ashtu ka propozuar që të themelohet edhe një agjenci për sigurinë kibernetike evropiane. The post Hapet qendra për luftimin e sulmeve hibride në Evropë appeared first on INSAJDERI. |
| I vërtetohet dënimi të akuzuarit për marrje ryshfeti Posted: 02 Oct 2017 06:46 AM PDT Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim prej 7 muajsh për të akuzuarin P.B. nga Prizreni, për shkak të veprës penale "Marrje ryshfeti". "Më këtë kolegji prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e prokurorisë dhe të akuzuarit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, të datës 07.12.2016", thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit. Apeli gjeti se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike, nuk ka bërë shkeljeje të dispozitave të procedurës penale si dhe ka aplikuar mirë ligjin penal. Po ashtu, kjo gjykatë vlerëson se nuk qëndrojnë as pretendimet e prokurorisë për dënim më të ashpër, ngase gjykata e shkallës së parë drejtë ka vlerësuar rrethanat e kryerjes se veprës penale si dhe ka marrë parasysh rregullat e përgjithshme për matje te dënimit./Insajderi.com The post I vërtetohet dënimi të akuzuarit për marrje ryshfeti appeared first on INSAJDERI. |
| Komisioni Evropian i përgjigjet Vuçiqit: Katalonja nuk krahasohet me Kosovën Posted: 02 Oct 2017 06:27 AM PDT Zyrtarë të KE-së kanë hedhur poshtë krahasimin ndërmjet Kosovës dhe Katalonjës e cila dje mbajti një referendum për pavarësi nga Spanja. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq gjatë një deklarimi ka vënë në pikëpyetje qëndrimin e BE-së duke thënë se si është e mundur që Kosova të pavarësohet pa referendum e Katalonja edhe me referendum nuk mundet. Por në Komisionin Evropian i cili referendumin në Katalonjë e shpalli kundër kushtetues, pretendon se rasti i krahinës spanjolle dhe i Kosovës nuk mund të krahasohen. "Kur është në pyetje njohja e Kosovës, ky është kontekst shumë specifik. Ky ishte qëndrimi i pranuar nga ana e Deklarimit të KB dhe Rezolutave të ndryshme të KB dhe të komunitetit ndërkombëtar. Kontest shumë specifik, me arsyet specifike", ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian Margaritis Schinas, transmeton gazetametro.net. Komisioni Evropian në deklaratën e tij të sotëm pretendon se, duke marrë parasysh Kushtetutën spanjolle, votimi i djeshëm në Katalonjë nuk ishte legal. "Për KE kjo është çështje e brendshme e Spanjës, e cila duhet të zgjidhet në përputhje me ligjet kushtetuese të Spanjës. Ne e përsërisim qëndrimin të cilin e kanë pasur edhe ky edhe Komisioni Evropian i mëparshëm, e kjo është se, në rast se ky referendum organizohet në përputhje me Kushtetutën spanjolle kjo do thoshte se ky territor i cili po shkon do të gjendej jashtë BE-së", ka thënë Schinas duke tentuar ta arsyetojë qëndrimin e Komisionit Evropian. The post Komisioni Evropian i përgjigjet Vuçiqit: Katalonja nuk krahasohet me Kosovën appeared first on INSAJDERI. |
| Robert Elsie, kanadezi që zbuloi “thesaret” e kulturës shqiptare Posted: 02 Oct 2017 06:23 AM PDT Para një viti Robert Elsie qëndroi në Zürich, ku foli para studentëve shqiptarë mbi rëndësinë e gjuhës shqipe. Ai e shpjegoi këtë duke prezantuar një shishe me ujë. «Në fund të kësaj shisheje gjendet protoshqipja, janë disa pika, pastaj shihet latinishtja, e cila ka ushtruar një ndikim tepër të madh mbi gjuhën shqipe, më vonë, nga shekulli i '7, në Ballkan vijnë sllavët dhe në gjuhën shqipe edhe sot vërehet ndikimi i fjalëve sllave, mandej pushtimi 500-vjeçar turk ka lënë gjurmë edhe në gjuhë, jo në strukturën e saj, por në fondin e fjalëve, në vokabular». Sa i përket gjenezës së fjalës shqiptar, Elsie iu referua foljes latine excipio, -ere, që domethënë flas qartë. «Njerëzit kështu kanë dashur të tregojnë se ne flasim qartë, ndërsa të tjerët jo, ngase ata kanë folur një gjuhë tjetër. Sllavët, për shembull, gjermanëve u thonë nemci, memecë, ata që s'flasin. Meqë nuk mund të merreshin vesh me ta i quajtën nemci». Robert Elsie ishte i obsesionuar me botën shqiptare – me gjuhën, njerëzit, natyrën, kulturën e përgjithshme, etnografinë. Ai ishte një koleksionist i jashtëzakonshëm i dokumenteve të vjetra të shqipes, i veprave, regjistrimeve radiofonike, fotografive. Vdekja e tij sot herët në Berlin, në moshën 67-vjeçare, është një lajm i hidhur dhe një humbje e madhe për kulturën shqiptare. Robert Elsie ishte një akademi në vete, i palodhshëm në shërbim të kulturës shqiptare. Shqipërinë e zbuloi përfundimisht në fund të viteve '70, kur e vizitoi për herë të parë. Dhe që nga atëherë nuk iu nda studimit, hulumtimit dhe lartësimit të letërsisë, kulturës dhe dijeve shqiptare. Një urë lidhëse e tij me botën shqiptare ishte Seminari i Gjuhës Shqipe në Prishtinë që mbahet çdo vit në gusht. Robert Elsie u lind më 29 qershor 1950 në Vancouver të Kanadasë. Studioi filologjinë klasike dhe gjuhësinë në Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Europë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoratën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të «takimeve shkencore» midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve '70 dhe në fillim të viteve '80 i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t'i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është tani autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. Në mes të viteve 80-të, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Qysh nga vitet '90 deri ne fillim të shekullit të '21 ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Europës, etj. Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Robert Elsie është anëtar i Shoqatës së Europës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime. Kjo vepër e fundit doli në shqip me titullin Histori e letërsisë shqiptare, Pejë 1997, dhe polonisht me titullin Zarys historii literatury albanskiej (Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare), Torunj 2004. Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponjë e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991, dhe në gjermanisht në vëllimin Freie Verse (Vargjet e lira), Idshtajn (Idstein) 1987; një antologji gjermanisht e poezisë shqiptare në Einem Adler gleich: Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert bis zur Gegenwart (Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri me sot), Hildesheim 1988; dhe veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja në Who Will Slay the Wolf: Selected Poetry (Kush do të vrasë ujkun: poezi të zgjedhur), Nju Jork 2000; Flora Brovina në vëllimin Call Me by My Name: Poetry from Kosova (Ma vë emrin tim: poezi nga Kosova), Nju Jork 2001; dhe Eqrem Basha në vëllimin Neither a Wound nor a Song: Poetry from Kosova (S'është plagë s'është as këngë: poezi nga Kosova), Nju Jork 2003. Kritika e tij e letërsisë shqiptare u mblodh dhe u botua në vëllimin Studies in Modern Albanian Literature and Culture (Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare), Boulder, Colorado 1996, i cili doli në shqip me titullin Një fund dhe një fillim, Tiranë & Prishtinë 1995. Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Powder Keg (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997. Pas kësaj botoi edhe një përmbledhje tekstesh historike për Kosovën me titullin Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia, Early Twentieth-Century Documents (Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë), Pejë 2002. Në vitet e mëpasshme, Robert Elsie u përqendrua më shumë në fushat e tjera të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Një ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte libri i tij Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fejës, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare), Londër 2001, i cili doli në gjermanisht në vëllimin Handbuch zur albanischen Volkskultur (Doracak i kulturës popullore shqiptare), Visbadën (Wiesbaden) 2002, dhe në shqip në vëllimin Leksiku i kulturës popullore shqiptare, Tiranë 2005. Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Der Kanun: Das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001; dhe në bashkëpunim me Antonia Young (Bradford) dhe Ann Christine Eek (Oslo) botoi studimin antropologjik të fshatit kosovar nga antropologia norvegjeze Berit Backer (1947-1993), Behind Stone Walls: Changing Household Organization among the Albanians of Kosova (Prapa mureve të gurta: ndryshime në organizimin familjar ndër shqiptarët e Kosovës), Pejë 2003. Pas kësaj ai botoi dorëshkrimin e hershëm në gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz Doda (rreth 1888-1933), Albanisches Bauernleben im oberen Rekatal bei Dibra, Makedonien (Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë), Vjenë 2007. Në fushën e historisë, me të cilën është marrë më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, Elsie ka botuar – në bashkëpunim me Robert Dankoff (Universiteti i Çikagos) – dhe ka përkthyer nga osmanishtja pjesët e veprës Sejahatname të udhëtarit osman Evlija Çelebi (1611-1683) që flasin për trevat shqiptare: Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje), Leiden 2000, libër që doli edhe në shqip në vëllimin Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje, Tiranë 2008. Përveç kësaj, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), Histoire de l'Albanie (Histori e Shqipërisë), Pejë 2001, që doli në shqip në vëllimin Historia – më e vjetër – e Shqipërisë, Tiranë 2004. Elsie zbuloi dhe botoi gjithashtu dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) në Reisen in den Balkan (Udhëtime në Ballkan), Pejë 2001, që doli shqip në vëllimin Udhëtime nëpër Ballkan, Tiranë 2007. Në bashkëpunim me Bejtullah Destanin (Londër), ai botoi ditarin e poetit dhe piktorit të njohur anglez, Edward Lear (1812-1888), në vëllimin Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans (Edward Lear në Shqipëri, ditari i një piktori pejsazhesh), Londër 2008, që doli shqip në vëllimin Edward Lear në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849, Tiranë 2008. Gjithashtu u botua një përmbledhje tekstesh të hershme historike për Shqipërinë, përkthyer nga gjuhë të ndryshme, Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries (Shqipëria e hershme: antologji e teksteve historike, shek. 11-17), Wiesbaden 2003. Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova vazhdonin të ishin relativisht të panjohura nga masat e lexuesve perëndimorë, Elsie botoi dy manualë informativ për këto vende: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2004; dhe Historical Dictionary of Kosova (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland, 2004, të cilët, me gjithë titullin «historik», janë vepra informative të përgjithshme. Përsëri në fushën e letërsisë, Elsie botoi një vëllim të ri të historisë së letërsisë, më të përmbledhur dhe më të shkurtër, në vëllimin Albanian Literature: A Short History, Londër 2005, që doli në shqip në vëllimin Letërsia shqipe: një histori e shkurtër, Tiranë 2006. Ai ka bërë edhe përkthime të tjera letrare, prapë me Janice Mathie-Heck: vepra të zgjedhura të këngës epike të veriut në vëllimin Songs of the Frontier Warriors: Këngë Kreshnikësh, Albanian Epic Verse (Këngë kreshnikësh, poezia epike shqiptare), Wauconda, Illinois 2004; tregime të shkrimtarëve të veriut, Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Migjeni, në vëllimin Tales from Old Shkodra: Early Albanian Short Stories (Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare), Pejë 2004; vepra të përmbledhura poetike të Visar Zhitit (l. 1952) në The Condemned Apple (Molla e dënimit), Los Anxheles 2005; antologjinë e parë në anglisht të prozës bashkëkohore shqiptare në vëllimin Balkan Beauty, Balkan Blood: Modern Albanian Short Stories (Bukuria e Ballkanit, gjaku i Ballkanit: tregime bashkëkohore shqiptare), Evanston, Illinois 2006; romanin e Fatos Kongolit (l. 1944) The Loser (I Humburi), Brixhend (Bridgend), Uells 2007; veprat poetike të Azem Shkrelit (1938-1997) në vëllimin Blood of the Quill: Selected Poetry from Kosovo (Gjaku i penës: poezi të zgjedhur nga Kosova), Los Anxheles 2008; një antologji të plotë historike të poezisë shqipe Lightning from the Depths: An Anthology of Albanian Poetry (Se fund'i ujit vetëti: antologji e poezisë shqipe), Evanston, Illinois 2008; romanin e Ornela Vorpsit (l. 1968) The Country Where No One Ever Dies (Vendi ku nuk vdes askush), Shampejn (Champaign), Illinois 2009; dhe përkthime të mëtejshme të poezisë gojore në librin e Anna Di Lellio-s The Battle of Kosovo, 1389, An Albanian Epic, (Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar), Londër 2009. Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsie-t është sigurisht përkthimi në anglisht (në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck) nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atit Gjergj Fishta (1871-1940), The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, një vepër me 30 këngë dhe 15,613 rreshta. Rishfaqja në dritë e këtij eposi, të ndaluar për vite me radhë nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit. Robert Elsie e ka mrekulluar edhe bota e fotografisë së hershme shqiptare. Në këtë fushë ai ka botuar dy albume të mëdha: Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani, Prishtinë 2007, i cili përfshin fotografitë e para të bëra ne Shqipëri (pesëdhjetë fotografi të fotografit vjenez Jozef Sékeli (Josef Székely) nga viti 1863), dhe koleksionet e baronit Franc Nopça, të Bajazid Elmaz Dodës, të albanologut austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963), dhe të ushtarakëve të misionit ushtarak holandez të viteve 1913-1914. Ai ka botuar gjithashtu në një vëllim trigjuhësor – anglisht, frëngjisht, shqip, të fotografive të para me ngjyra në Shqipëri dhe në Kosovë, që janë autokromat e koleksionit Albert Kan (Albert Kahn) në Paris, me titullin Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913, Tiranë 2010. Së fundi janë botuar për herën e dytë, të përditësuar dhe dukshëm të zmadhuar: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2010, me 660 faqe; dhe Historical Dictionary of Kosovo (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland 2010, me 451 faqe. Këta dy libra janë përkthyer edhe shqip. Me gjithë se puna studimore dhe, si pasojë, botimet e Robert Elsie-t janë përqendruar kryesisht në albanologji, ai ka botuar edhe vepra të tjera: Dialect Relationships in Goidelic: A Study in Celtic Dialectology (Marrëdhëniet dialektore në goidelishten: një hulumtim në dialektologjinë keltike), Hamburg 1986; dhe antologjitë poetike The Pied Poets: Contemporary Verse of the Transylvanian and Danube Germans of Romania (Poetë të shumëngjyrshëm: poezia bashkëkohore të gjermanëve të Transilvanisë dhe të Danubit në Rumani), Londër 1990; dhe An Anthology of Sorbian Poetry from the 16th-20th Centuries (Antologjia e poezisë sorbe nga shek. 16-20), Londër 1990, si dhe një përkthim në gjermanisht të poetit të njohur grek Konstantin Kavafis (1863-1933) në vëllimin Konstantinos Kavafis: Das Gesamtwerk, griechisch und deutsch (Konstantin Kavafis: Veprat e plota, greqisht dhe gjermanisht), Zürich 1997. Vendi që zë Robert Elsie ndër radhët e albanologëve është rritur edhe më shumë pas viteve 1990-të me faqet e tij të njohura të internetit, të cilat i japin botës të dhëna të hollësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Përveç faqes së tij personale www.elsie.de, Robert Elsie ka faqet: www.albanianhistory.net, e cila ofron një gamë të gjerë tekstesh dhe dokumentesh të historisë shqiptare; www.albanianlanguage.net, e cila përmban regjistrime zanore të më shumë se 150 të folmeve të shqipes nga dhjetë shtete, të incizuar kryesisht nga vetë Elsie, si dhe zërat e disa figurave të njohura shqiptare të së kaluarës; www.albanianliterature.net, që ofron koleksionin më të madh botëror të letërsisë shqiptare përkthyer në anglisht; www.albanianphotography.net, ku ndodhen koleksione të ndryshme të hershme fotografike nga Shqipëria dhe Kosova; dhe www.albanianart.net, që përmban një prezantim të artit pamor shqiptar (piktura e hershme shqiptare, veshje popullore etj.). The post Robert Elsie, kanadezi që zbuloi "thesaret" e kulturës shqiptare appeared first on INSAJDERI. |
| Sulmi në Las Vegas: Mbi 400 të plagosur po trajtohen në spital, në turmë ishin mbi 22 mijë persona Posted: 02 Oct 2017 06:15 AM PDT Si pasojë e sulmit me armë zjarri të llojit automatik, mbi 50 persona raportohen të jenë vrarë kur një 64 vjeçar qëlloi në drejtim të turmës e cila ishte pjesë e festivalit muzikor "Route 91 Harvest" këtë të diel në Las Vegas. Përveç viktimave tashmë raportohet se 406 persona janë dërguar në spital për trajtim pas plagëve të marra në resortin e njohur, zonë e cila u shndërrua në vend krimi. Këto janë shifrat e fundit të departamentit të policisë së Las Vegasit, ndërsa shtohet se kur sulmuesi ka qëlluar me automatik, më shumë se 22 mijë njerëz ishin pjesë e turmës së koncertit muzikor i cili po zhvillohej në ato momente. The post Sulmi në Las Vegas: Mbi 400 të plagosur po trajtohen në spital, në turmë ishin mbi 22 mijë persona appeared first on INSAJDERI. |
| Policia e Kosovës realizon aktivitete me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafik Posted: 02 Oct 2017 06:10 AM PDT Policia e Kosovës, përveç aktiviteteve të tjera të shumta, gjatë muajit shtator, ka ndërmarrë aktivitete shtesë në ofrimin e sigurisë së fëmijëve gjegjësisht nxënësve, duke realizuar ligjërata nëpër shkolla dhe kopshte të fëmijëve, si dhe në mbajtjen e pikave të kontrollit në afërsi të shkollave. E gjithë kjo me qëllim të krijimit dhe vetëdijesimit sa më të madh për njohuri dhe respektim të rregullave të trafikut rrugor. Bazuar të dhënave të aksidenteve fatale që kanë ndodhur në këtë muaj (shtator 2017), prej tetë (8) aksidenteve fatale, jetën e kanë humbur dhjetë (10) persona, prej tyre pesë (5) shoferë, tre (3) pasagjerë dhe dy (2) këmbësorë. Vlen të ceket se asnjë prej personave që kanë humbur jetën në trafik për këtë periudhe kohore, nuk ka qenë nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç. Duke iu referuar numrit të nxënësve dhe lëvizjes së tyre nga shtëpia në shkollë apo nga shkolla në shtëpi, Policia e Kosovës, apelon: që të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi i prindërve dhe i nxënësve gjatë pjesëmarrjes në trafikun rrugor. Në veçanti të shtohet kujdesi nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë të gjitha rregullat që dalin nga ligji mbi trafikun rrugor, për të garantuar një siguri më të madhe dhe për shmangie të aksidenteve nëpër rrugë. Në të kundërtën Policia e Kosovës, për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që bien ndesh me rregullat e trafikut do të vazhdojë të aplikojë ndërmarrjen e masave ligjore dhe do të ketë zero tolerancë. The post Policia e Kosovës realizon aktivitete me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafik appeared first on INSAJDERI. |
| 15 policët e jugut në Mitrovicë nuk e pranojnë fajësinë për marrje ryshfeti Posted: 02 Oct 2017 06:03 AM PDT 15 zyrtarët policorë, nuk e kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti, në shqyrtimin fillestar që është mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Policët e akuzuar Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, deklaruan se nuk e ndjejnë vetën fajtor për veprën penale me të cilën i ngarkon Prokuroria Themelore e Mitrovicës. Pasi të akuzuarit nuk pranuan fajësinë, gjyqtari Avni Mehmeti, njoftoi se nuk do të mbahet shqyrtimi i dytë, por palëve do tu jepet mundësia e kundërshtimit të aktakuzës dhe provave në afat prej 30 ditësh dhe se vendimin mbi kundërshtimin e aktakuzës do ta marrë jashtë seancës gjyqësore. Ky shqyrtim fillestar u mbajt ndaj zyrtarëve policorë të stacionit të jugut në Mitrovicë, pas veçimit të procedurës për zyrtarët e tjerë të veriut, me vendim të gjykatës, më 03 gusht 2017. Në këtë shqyrtim prezent ishin të gjithë të akuzuarit, por munguan mbrojtësit Ruzhdi Maloku, Shefqet Ibrahimi dhe Zhivojin Jokanoviq, përkundër kësaj të akuzuarit Sllavisha Spasiq, Sahir Hajdari dhe Bojan Saviq, u pajtuan që seanca e shqyrtimit fillestar të vazhdojë pa prezencën e mbrojtësve të tyre. Avokati Agon Lufi, njoftoi gjykatën se zyrtarisht ka kërkuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, më shkresën e datës 19 qershor 2017, që t'i sigurohen deklaratat në polici e të bashkakuzuarve Bojan Saviq, Destan Rrecaj dhe Nazim Hamiti, por tha se deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga prokuroria. Në lidhje me këtë, prokurorja e rastit Zejnije Kela, njoftoi se ka pranuar shkresën në fjalë dhe dokumentacionin e kërkuar, avokatit Lufi ia dorëzoi në seancë. Prokuroria Themelore e Mitrovicës aktakuzën e ka ngritur ndaj 35 policëve të trafikut rrugor, por pas veçimit të procedurës, kjo seancë e shqyrtimit fillestar u mbajt vetëm ndaj zyrtarëve te jugut, ndërsa për zyrtarët policorë të veriut, seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 3 tetor 2017. Ndryshe, Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari , Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, Vojkan Stepiq, Vasko Raduloviq, Shefqet Maxhuni, Srdjan Zivkoviq, Sinisha Milutinoviq, Milan Jovanoviq, Sllavisha Filipoviq, Nedzad Islamoviq, Zmajko Milenkoviq, Sdrjan Djoroviq, Branko Radosavljeviq , Milan Vitkoviq, Stevica Ignjatoviq, Zlatomir Simoviq, Milijan Jovanoviq, Vesko Kandiq, Srdjan Milojeviq, Manjole Vlaskoviq, Milorad Mitroviq dhe Milijan Miliceviq, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës se duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare si punonjës të Policisë së Kosovës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit, kanë pranuar para në shuma të ndryshme nga kundërvajtësit në trafik. Shumat në fjalë i kanë ndarë në mes tyre në pjesë të barabarta, e disa i kanë mbajtur për vete, me qëllim të mos shqiptimit të tiketave me gjobë për shkak të shkeljeve të dispozitave të Ligjit mbi Komunikacionin Rrugor. Vepra penale "marrja e ryshfetit", dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet sipas KPRK-së./Betimi për Drejtësi/ The post 15 policët e jugut në Mitrovicë nuk e pranojnë fajësinë për marrje ryshfeti appeared first on INSAJDERI. |
| Vetëvritet adoleshenti sepse shkolla nuk i pranoi emrin e ri Posted: 02 Oct 2017 05:59 AM PDT Leo Etherington, 15 vjeçar, kishte ndjekur shkollën e mesme Wycombe, një shkollë për vajza në Buckinghamshire. Ai kishte dalë para shoqërisë si transgjinor dhe filloi të paraqitet si mashkull. Sidoqoftë, shkolla refuzoi t'i referohet atij nga emri i tij i ri dhe i tha se ata nuk do të respektonin kalimin e tij në gjini derisa të bëhej 16 vjeç. Më vonë, ai kreu vetëvrasje në dhomën e tij të gjumit në këtë shkollë. Befasisht, qëndrimi i shkollës këtë javë ishte i njëjtë, ata i referoheshin Leos me emrin e tij të vjetër, si vajzë. Për the Telegraph, babai i Leos ka treguar se djali ishte i inatosur me mësuesit që vazhdonin t'i referoheshin me emrin e tij femëror kurse ai ishte kthyer në mashkull në vitin 2016. Nuk ka asnjë arsye legjitime përse shkolla ka refuzuar të respektojë identitetin e një studenti.
The post Vetëvritet adoleshenti sepse shkolla nuk i pranoi emrin e ri appeared first on INSAJDERI. |
| You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |










