Shkruan Prof.Dr. Islam Lauka
Midis protagonistëve të kësaj ideje po spikasin Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të vetëshpallur si omnipotentët e Ballkanit, që mund të bëjnë breshërin dhe diellin në këtë rajon të trazuar, duket se në çështjen e krijimit të tregut ballkanik ata janë marrë vesh mirë dhe kanë bërë edhe ndarjen e punës për promovimin e kësaj ideje. Me gjasë, Vuçiçi, ka marrë përsipër që ta shesë atë në hapësirat e ish Jugosllavisë, ndërsa Rama, në botën shqiptare. Deri tani, Vuçiçi paraqitet si më i suksesshëm. Para pak ditësh, në një intervistë në gazetën, Politico, ai i ëmbëlsoi jugonostalgjikët me pilulën “tregu i përbashkët ballkanik është Jugosllavia e vjetër plus Shqipëria”.
Ndarja e roleve nuk kufizohet vetëm në promovimin e këtij projekti. Revista britanike, The Economist, “zbulon” se rolet janë ndarë edhe në funksionimin e tregut të përbashkët ballkanik. Ajo vë në dukje se aty Serbia do të ketë rolin që ka Gjermania në BE, pra lokomotivë e këtij organizmi. Ajo nuk shkon më tej për të sqaruar se cili do jetë roli i Shqipërisë, dhe i Kryeministrit “omnipotent” të saj. As nuk ka nevojë ta bëjë këtë gjë, sepse, mëse një herë, vetë Rama, duke folur per pajtimin shqiptaro-serb, i është referuar shembullit franko-gjerman. Pasi është “zbuluar” Gjermania në Serbi dhe Adenaueri te Vuçiçi, pjesa tjeter e ekuacionit del vetiu – Shqipëria është Franca dhe Rama, kush tjetër, veç vetë De Goli!
Të zhytur në delirin e tyre të madhështisë, Ramës dhe Vuçiçit nuk iu bëhet vonë për pakënaqësitë që ka ngjallur ideja e krijimit të tregut ballkanik tek “të vegjëlit” e rajonit tonë, Malit të Zi dhe Kosovës, sidomos tek kjo e fundit. Drejtuesit e saj më të lartë shtetërorë, Kryeministri, Isa Mustafa dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj kanë shprehur qartë qëndrimin e Prishtinës zyrtare kundër kësaj nisme, si të papajtueshme me interesat e saj politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, si një “ambalazhim i ri i së kaluarës”, apo “një projekt i stilit rus”.
Qëndrimi i Vuçiçit është i kuptueshëm. Ai shpreh dhe mbron interesat kombëtare të shtetit serb, në kushtetutën e të cilit sanksionohet që Kosova është pjesë përbërëse e tij. Dhe që nuk lë gur pa lëvizur për të minuar pavarësinë dhe integritetin shtetëror të saj, si dhe për të penguar, me çdo kusht e me çdo mjet, anëtarësimin e saj në strukturat euroatlantike dhe në organizatat ndërkombëtare.
Po Edi Rama interesat e kujt mbron, duke promovuar e mbrojtur idenë e një projekti që është në kundërshtim të hapur me interesat jetike të Kosovës? A mos ka harruar që vetë ai ka firmosur “ Deklaratën e Partneritetit strategjik” midis Shqipërisë dhe Kosovës? Apo ai është për partneritet strategjik me Kosovën, në letër dhe më Serbinë, në vepër?
Nuk ështe hera e parë që Edi Rama dëshmon që problemet e Kosovës janë të huaja për t?. Ai nuk i njeh as nuk i kupton ndjeshmëritë e saj historike. Ai nuk e ka kuptuar dhe, duket se nuk ka për ta kuptuar kurrë, se çfarë kanë hequr shqiptarët e Kosovës nën sundimin e Beogradit, pavarësisht formës së atjeshme të regjimit.
Por nuk janë vetëm ndjeshmëritë historike që i bëjnë shqiptarët e Kosovës ta perceptojnë idenë e tregut të përbashkët ballkanik si kërcënim serioz të interesave të veta. Edhe analiza e ftohtë racionale i çon ata tek i njëjti përfundim. Serbia është shteti më i fuqishëm i Ballkanit Perëndimor, me territorin dhe popullsinë më të madhe, si dhe vendi më i militarizuar i rajonit. Nuk do shumë mend për ta kuptuar që pikërisht ajo do të dominojë në tregun e përbashkët ballkanik. Që do të thotë, se aty do të mbizotërojnë interesat e saj gjeopolitike dhe ekonomike, në dëm të të tjerëve. Në konceptin e Prishtinës, tregu I përbashkët ballkanik nuk e afron atë me BE-në, por me Serbinë; ai nuk iu hap rrugë mallrave të standardit europian, por atyre të standardit serb, të prodhuara qëllimisht për të mbytur tregun kosovar; para se të flitet për qarkullimin e lirë të trangujve e patateve, duhet të sigurohet lëvizja e lirë e njerëzve; nuk mund të ketë bashkim doganor a treg unik me atë që mohon ekzistencën tënde, si shtet. Analiza e ftohtë racionale duhet që edhe Tiranën zyrtare ta çojë në përfundimin se ky projekt, duke qenë kundër Kosovës, në të vërtëtë, është kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përgjithësi, pra është anti kombëtar.
Historikisht, idjea e dominimit ka shoqëruar çdo projekt ballkanik të Beogradit, pavaresisht, etiketimit të tyre, si federatë, konfederatë, aleancë ballkanike, bashkim doganor, a treg i përbashkët. Shqiptarët, kudo në Ballkan, i kanë provuar në kurrizin e tyre pasojat e rënda të projekteve serbe.
Dominimi i Serbisë në Ballkan, në thelb, do të thotë dominim i Rusisë. Beogradi është pajtuar me rolin e tij si instrument i ndikimit të Moskës në rajonin tonë, në këmbim të ndihmës së Kremlinit në çështjen e Kosovës dhe në faktorizimin e Serbisë në sytë e BE-së. Fakti që ideja e tregut të përbahskët ballkanik mbështetet nga Brukseli dhe disa kryeqytete europiane nuk ndryshon asgjë. Ky nuk është hapi i menduar e i pjekur i Brukselit të qetë, të dikurshëm, por hapi i nxituar i Brukselit të sotëm, në ankth dhe të kapluar nga kriza ekzistenciale. Nuk i qëndron kritikës ideja se tregu i përbashkët ballkanik e afron rajonin tonë më shumë me Bashkimin Europian. Më afër së vërtëtës është argumenti që tani Brukseli, më shumë, mendon për të larguarit ose ata që mund ta braktisin, se sa për anëtarësimin e të rinjve. Nuk i qëndron kritikës as ideja tjetër që, duke i dhënë Serbisë rol qëndror në Ballkan, pra duke ndarë me të një pjesë të përgjegjësisë për rajonin, Brukseli mund të çlirohet disi nga problematika ballkanike. Së pari, roli udhëheqës nuk dhurohet, por fitohet. Çfarë ka bërë Beogradi që të konsiderohet si udhëheqës i rajonit? Ka filluar 4 luftra në hapësirat e ish Jugosllavisë. Ka kryer genocid e spastrim etnik kundër popullsisë civile. Sot e kësaj dite, Serbia vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë, të mos zhdëmtojë dëmet e shkaktuara prej saj, të mos kthejë eshtrat e të vrarëve prej saj dhe të fshehura, po prej saj. Së dyti, Brukseli duhet ta dijë se ndarja e përgjegjësisë me Serbinë për problemet e Ballkanit, në fakt, është ndarje përgjegjësie me Moskën. Më saktë, është ndarje dominimi. Në mungesë të hapave konkretë të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ekziston rreziku real që peshorja e dominimit në rajon të anojë nga Rusia. Se çfarë “çlirimi” mund të sjellë dominimi rus në Ballkan, këtë mund të mos e dinë vetëm postmodernistët e Brukselit dhe Edi Rama.
Shërbimet e Ramës ndaj politikes së Beogradit dhe Presidentit Vuçiç kundër Kosovës nuk mbarojnë me kaq. Duke e paraqitur Tiranën zyrtare si nismëtare dhe mbështetësë të projektit për tregun ballkanik, nga njëra anë dhe, duke braktisur Kosovën në kundërshtimin e saj të vendosur të këtij projekti, nga ana tjetër, Kryeministri Rama i bashkohet tezës së Beogradit se ai mund të merret vesh me të gjithë shqiptarët, me përjashtim të atyre të Kosovës, se ata nga natyra, janë të këqinj, të papërgatitur e të paaftë për shtet. Kjo është edhe pikëpamja e Moskës, e cila Kosovën e konsideron “pseudoshtet artificial”, një nga burmet bazë të destabilitetit, bartës kryesor i potencialit konfliktues në Ballkan”. Shërbim më të mirë, as Vuçiçi, as Beogradi dhe as Kremlini nuk mund të prisnin nga shqiptari “i mirë”, Edi Rama.
Kuvendi i Shqipërisë, Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme, partitë politike, intelektualët e përgjegjshëm dhe shoq?ria civile duhet të ngrihen në këmbë për t’ia ndalur turrin Edi Ramës, i cili, në partneritet të plotë me Vuçiçin, nisur nga axhenda, ngushtësisht personale, kryesisht, për t’u shitur në Perëndim si liberal e pajtues i madh midis popujve, po punon intensisivisht kundër Kosovës. Qeveria shqiptare, Ministra e Jashtme, duhet të organizojnë konsultime, sa më shpejt të jetë e mundur, me Qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës, në Tiranë dhe në Prishtinë, për të dëgjuar pikëpamjet dhe argumentet e njëra tjetrës. Do ishte mirë që kjo çështje të shtrohet në mbledhjen e përbashkët të qeverive, jo për butafori, siç është vepruar në takimet e deritanishme, por për të diskutuar seriozisht e për t’u dhënë zgjidhje problemeve që nuk janë të pakta në marrëdhëniet tona dypalëshe. Qëllimi duhet të jetë që në Samitin e Triestes, Kosova dhe Shqipëria të shkojnë më qëndrim të unifikuar – kundër idesë së krijimit të tregut të përbashkët ballkanik, si një projekt që, në rrethanat e sotme, u shërben të tjerëve, jo interesave kombëtare e shtetërore të shqiptarëve.