Tirana Observer: “Pas betimit, mbledhja zyrtare. Qeveria merr vendimet e para” plus 9 more

Tirana Observer: “Pas betimit, mbledhja zyrtare. Qeveria merr vendimet e para” plus 9 more


Pas betimit, mbledhja zyrtare. Qeveria merr vendimet e para

Posted: 13 Sep 2017 09:44 AM PDT

Kryeministri Rama doli nga selia e Presidencës bashkë me anëtarët e kabinetit të ri për t'u mbledhur në selinë e qeverisë, ku u mbajt edhe mbledhja e parë zyrtare.

Në nisje të mbledhjes u publikua lista e vendimeve. I pari ishte vendimi për shpalljen e 2018-s si vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Vendimet e tjera lidhen me dhënien e mundësive të nisjes nga puna të procesit të vetting-ut. Qeveria vendosi që ambjentet e ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve t'i jepen institucioneve të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Administrata e vetting-ut do punojë edhe në një pjesë të ndërtesës ku ndodhet Kontrolli i Lartë i Shtetit. Aty do vendoset Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Një nga vendimet lidhet me lehtësimin e procedurave me çertifikatat që lëshohen nga Gjendja Civile. Ky ishte edhe një nga premtimet e kryeministrit për lehtësimin e burokracive shtetërore.

Qeveria e re diskutoi edhe për dhënien e një ndihme financiare qeverisë amerikane për të lehtësuar pasojat e dëmeve të shkaktuara nga uraganët "Irma" dhe "Harvei".

Vendimet e tjera janë për formatimin e qeverisë së re, e cila është më e vogël në numër. Për çdo ministri janë miratuar vedimet për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore.

Betimi i Qeverisë/ Detajet që nuk i vutë re, nga emocionet e Senidës te buzëqeshjet e Majkos me Metën

Posted: 13 Sep 2017 09:01 AM PDT

Pasditen e sotme u bë betimi para Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta, i kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë ministrave të kabinetit të ri qeveritar.

Ajo që u vu re që në fillim, ishte firmosja e kryeministrit pa e vënë dorën mbi Kushtetutë, ndërsa zv/kryeministrja dhe të gjithë ministrat e tjerë, para se të firmosnin, kanë thënë 'betohem', duke vendosur dorën mbi Kushtetutë.
Një tjetër detaj që ra në sy është fakti se Presidenti Meta u ndal më gjatë në fotografimin me zv/kryeministren Senida Mesi, të cilit i hapi edhe librin e betimit dhe pozuan para kamerave. Teksa kjo e fundit u pa të kishte emocione gjatë hedhjes së firmës.

Ndërsa në rradhë pas saj vinte ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ai u pa të largohej shpejt nga Meta, me të cilin nuk qëndroi gjatë për tu fotografuar.

Përfaqësues të PD dhe LSI kanë munguar në ceremoninë e sotme. Ndërsa Meta u pa të ishte më i buzëqeshur me ministrin Pandeli Majko.

VIDEO: Si do të ndryshojë Toka pas 250 milionë vitesh!

Posted: 13 Sep 2017 08:45 AM PDT

Lëvizjet e pllakave tektonike kanë zhvendosur dhe vazhdojnë të zhvendosin gradualisht kontinentet e Tokës.

Në bazë të kësaj teorie, por edhe të ndryshimeve klimaterike, profesori i Universitetet të NorthWestern, Chris Scotese, ka realizuar një simulim kompjuterik se si do të jetë planeti ynë pas 250 milionë vjetësh,

Sipas këtij simulimi, pas 250 milionë vitesh do të formohet një megakontinent. Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut do të afrohen me njëra tjetrën duke bërë që Deti i Karaibeve dhe Oqeani Arktik të zhduken. Vetë Amerika e dalë nga bashkimi i jugut me veriun do të bashkohet me Azinë.

Ndryshime do të pësojë edhe Europa, që do të tkurret ndjeshëm, ndërsa Ngushtica e Gjibraltarit nuk do të ekzistojë më, por do të jetë një brez tokësor që do të lidhë Kontinentin e Vjetër me Afrikën.

“Rama 2” betohet në Presidencë. Shtrëngim duarsh Rama-Meta

Posted: 13 Sep 2017 08:35 AM PDT

Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të tij kanë bërë pasditen e së mërkurës betimin në Presidencë.

Në ceremoninë e zhvilluar, në praninë e presidentit Ilir Meta, kreu i qeverisë dhe ministrat janë betuar se do të zbatojnë Kushtetutën në interes të qytetarëve dhe vendit.

Në momentin e betimit, mes kryeministrit dhe kreut të shtetit ka patur edhe një shtrëngim duarsh. Duke marrë fjalën në këtë event, Meta ka shprehur urimin që qeveria e re të jetë në lartësinë e detyrave që e presin.

"Dëshiroj që në këtë moment të rëndësishëm të ndaj me ju urimin më të sinqertë për suksese dhe rezultate sa më pozitive në qeverisjen e vendit. Qytetarët presin përpjekje më të mëdha për të përballur sfidat që kemi përballë", ka deklaruar Meta.

Në cilësinë e presidentit, Meta ka kërkuar përshpejtimin e zbatimit të reformës në drejtësi, ndërkohë që theksin e ka vendosur edhe tek integrimi europian.

"Anëtarësimi në BE është një aspiratë kombëtare, ndaj besoj se mazhoranca dhe opozita do të bashkëpunojë ngushtë për çeljen e negociatave sa më parë të jetë e mundur", ka thënë Meta.

Ndër të tjera, kreu i shtetit ka vënë në dukje se, qeveria duhet t'i përgjigjet kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi dhe krimi i organizuar, ndërsa ka shtuar se një rëndësi të vecantë sa i takon sigurisë së vendit dhe rajonit janë marrëdhëniet e mira me fqinjët.

Mini-tanket që do të përdoren në luftërat e së ardhmes (VIDEO & FOTO)

Posted: 13 Sep 2017 08:30 AM PDT

Kompania britanike e mbrojtjes "BAE Systems" ka publikuar imazhe të mini-tankeve që mund të revolucionarizojnë luftën në të ardhmen.

Koncepti i ri, i koduar me emrin "Ironclad" është parashikuar që të bashkëpunojë në të ardhmen së bashku me mjetet e tjera tokësore, por edhe ajrore të telekomanduara, në mbështetje të trupave ushtarake në fushën e betejës.

Këto pajisje mund të përdoren për zbulime, të evakuojnë trupat ushtarake, si dhe të veprojnë si një njësi për asgjësimin e bombave.

Kompania britanike synon që në një të ardhme të afërt këto pajisje të jetë plotësisht autonome, duke vepruar pa u kontrolluar nga njerëzit.

Aktualisht, këto modele janë të afta të veprojnë në një rreze deri në 1 kilometër.

Pajisjet do të paraqiten këtë javë në konferencën Ndërkombëtare të Mbrojtjes dhe Sigurisë.

 

Si “pushtuan” tregjet shqiptare mallrat e Japonisë në periudhën 1931-1934!

Posted: 13 Sep 2017 08:15 AM PDT

Me 20 qershor të vitit 1930, Shqipëria do të nënshkruante me Japoninë traktatin e miqësisë dhe tregtisë. Marrëveshja do të nënshkruhej në Athinë e do të merrte fuqi ligjore në qershor të 1931. Kjo marrëveshje vinte në një kohë kur Japonia po njihte një zhvillim të madh industrial e kur Shqipëria po ndjente vështirësi të konsiderueshme ekonomike si rrjedhojë edhe e krizës globale.

Si rrjedhojë e politikave zhvillimore të ndjekura Japonia po zinte pozitë dominuese gjithnjë e në më shumë tregje të huaja. Ajo kishte arritur të fitonte treg në vendet aziatike, europiane e amerikane si rrjedhojë e faktit se mallrat e saj ishin të pakonkurrueshme nga çmimi.

E gjendur përballë sfidave si rritja e shpejtë e popullatës, thellimi i papunësisë e i varfërisë, Japonia në një periudhë të shkurtër aplikoi si zgjidhje rritjen e prodhimit industrial, përmes disa politikave jo të zakonshme. Pagat ishin të ulëta ndërsa dita e punës shkonte deri në 11 orë në ditë.

Mallrat e Japonisë do të arrinin të depërtonin edhe në Shqipëri, duke krijuar jo pak probleme për ekonominë vendase e për industrinë e asaj periudhe. Mallrat që vinin nga Japonia kishin çmime shumë të lira, çka i bënte të preferueshme nga konsumatorët, por ky çmim i ulët i tyre do të konkurronte me lehtësi prodhimet e zejtarëve shqiptarë të cilëve mallrat u mbetën stok.

Në botimin e shtatorit të vitit 1939 me titullin "Albania: il paese e le genti" me autor Michele Craveri, pretendohet se ka qenë pikërisht traktati i nënshkruar mes dy vendeve, ai i cili i hapi rrugë vërshimit të mallrave japoneze në Shqipëri.

"Qeveria shqiptare dhe klasa drejtuese (jo populli që meriton admirim, respekt e dashamirësi), blinte jashtë atë që mund të blinte me çmim më të lirë ose të njëjtë me atë në Itali. Tregon për shembull Montanelli, që disa tregtarë stofërash furnizoheshin zakonisht në Itali, në Prato, deri në ditën kur si rrjedhojë e nënshkrimit të traktatit tregtar, "Japonia pushtoi tregun shqiptar" me materiale me çmime të ulëta e që ishin ulur dhe më tej si rrjedhojë e lehtësimit të tarifave doganore, në kuadër të këtij traktati. Tregtarët që i kishin furnizuar mirë magazinat me mallra italiane, iu desh t'i boshatisin ato në mënyrë që të merrnin në vijim prodhime japoneze për të mos falimentuar si rrjedhojë e konkurrencës" shkruhet në këtë botim.

Më tej, autori krahason të dhënat zyrtare ku evidenton se brenda një periudhe 3 vjeçare nga nënshkrimi i traktatit mes dy vendeve, Japonia do të rezultonte në Shqipëri në vendin e dytë të listës së vendeve importuese, menjëherë pas Italisë.  Ndërkohë, në listën e vendeve në të cilat Shqipëria eksportonte, Japonia nuk do të kishte ndonjë peshë të konsiderueshme.

Një debat për dumping në Shqipërinë e 1934

Vërshimi i mallrave japoneze në tregjet të ndryshme të Azisë, Europës e Amerikës do të sillte pikëpyetje e diskutime globale nëse bëhej fjalë për dumping. (Dumpingu nënkupton shitje të prodhimeve jashtë vendit me çmime më të ulëta se sa në tregun vendor të prodhuesit. Synimi është zotërimi i tregut dhe eleminimi i konkurrencës, një strategji që konvertohet më pas në fitime të mëdha në afatgjatë).

Pavarësisht stadit të zhvillimit të dijes për ekonominë, në Shqipërinë e atyre viteve nuk kanë munguar diskutimet publike lidhur me faktin nëse në këtë rast kishim të bënim apo jo me *dumping.

Sidomos në vitin 1934, kohë ku Shqipëria ishte në kulmin e krizës ekonomike, revista si Rilindja apo Hylli i Dritës do të përkthenin artikuj të ndryshëm në të cilin shpjegohej debati ndërkombëtar për ndikimin që mallrat e Japonisë kishin në tregje dhe nëse në këtë rast kishin të bënim me dumping apo jo./SCAN

Donald Trump bëhet gjysh për herë të 9-të

Posted: 13 Sep 2017 08:05 AM PDT

Djali i dytë i Presidentit Donald Trump është bërë baba.

Me anë të një postimi Eric Trump ka treguar që bashkëshortja e tij Lara Lea, lindi djalin e tyre sot në mëngjes duke publikuar madje edhe foton e djalit të vogël dhe emrin e tij, Eric "Luke".

Eric kishte zbuluar marsin e kaluar që bashkëshortja e tij ishte shtatzënë.

Ky është nipi i nëntë i Donald Trump, i cili ka pesë fëmijë dhe djali i tij i madh ka gjithashtu pesë fëmijë, nga vjen dhe numri i madh i nipërve dhe mbesave të Presidentit.

“Ç’po ndodh me PD-në, kanë frikë Gramozin apo janë dakord të mos flasë Doktori”? Reagon Shkëlzen Berisha

Posted: 13 Sep 2017 07:58 AM PDT

Ndërprerja e fjalës ish-kryeministrit Berisha nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kur i mbaroi koha në dispozicion teksa fliste dje në foltoren e Kuvendit, nuk ka kaluar pa komente.

Ka qenë Julian Deda, anëtar i Këshillit Kombëtar në PD, i cili ka reaguar për rastin në fjalë, shkruan se nuk kupton se çfarë ka ndodhur me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, që nuk ka reaguar fare në atë moment. Ai kujton se në raste të tjera, grupi behej xhind dhe kacafytej, kurse dje vetëm heshti.

"Çfarë ka ndodhur me grupin? Kane frike Gramozin, apo jane dakort te mos flasë Doktori?"- pyet ai.

Një përgjigje, në morine e komenteve që pasojnë është edhe reagimi i Shkëlzen Berishës, djalit te ish-kryeministrit, jo pak ironik me grupin. "Duartrokitja është formë e re proteste", – thotë ai

Postimi i Dedës

Ajo qe me beri përshtypje ne Parlamentin e ri, ne krahasim me te vjetrin është se kur ishte Meta Kryetar, i jepte kohë Berishës pafund dhe jashtë liste dhe kur qëllonte ndonjëherë që e ndërpriste, ngrihej i gjithe grupi i PD dhe behej xhind duke u kacafytyr per kete nderpreje. Ndersa sot, kur ia nderpreu Gramozi, i cili me sa u duk nuk e ka ndermend ta lere te flase Doktorin duke hequr keshtu te vetmin ze real opozitar ne ate Parlament, asnje nuk u ndje, thjesht e pranuan. Si shpjegohet kjo? Çfare ka ndodhur me grupin? Kane frike Gramozin, apo jane dakort te mos flase Doktori?

Reagimi i Shkëlzen Berishës: Duartrokitja është formë e re proteste.

“Pablo” organizatori i sulmit ndaj policisë në Lazarat

Posted: 13 Sep 2017 07:26 AM PDT

Organizatorët e sulmit me armë ndaj policisë në lazarat Qershorin e 2015 ku mbeti i vdekur efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha ende nuk janë arrestuar.

Në gjyqin ndaj 11 të arrestuarve në seancën e kësaj të mërkure e zhvilluar me dyer të mbyllura ka dëshmuar Eligent Basha. I riu ka sqaruar se pak ditë para ngjarjes ka takuar në kafe Elison Kazmëm, i pandehur në këtë proces. Ai i ka thënë se disa të rinj ishin organizuar në dy grupe dhe do përzinin policinë nga fshati me qëllim mbjelljen e kanabisit me vonë.

Sipas tij ai nuk ka pranuar të bëhej pjesë, por më pas u shoqërua nga blutë. Eligent Basha deklaroi se ndaj tij është ushtruar dhunë psikologjike për të fajësuar të rinjtë.

Gjatë marrjes në pyetje në një moment sqaroi i riu punonjësit e policisë i kanë nxjerrë fotografinë e një personi dhe e pyesnin nëse ky ishte "Pablo". Në këtë kohë ka ndërhyrë prokurori i çështjes, i cili ka sqaruar që dëshmitari të mos pyetej për këtë çështje, pasi për "Pablon" ka një hetim të veçuar i cili vazhdon.

Identiteti i këtij personi ende nuk dihet, por burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda sqarojnë se ai është një nga organizatorët e sulmit ndaj policisë, pasi ka përcaktuar nëse është shqiptar apo i huaj. Në këtë seancë kanë dëshmuar edhe tre efektive të RENEA-s të cilët kanë qenë në operacion. Kanë qenë dëshmitë e tyre që detyruan gjykatën të zhvillojë seancën me dyer të mbyllura, për shkak të sigurisë së tyre.

Tv Klan

Dosja “Balili”, Prokuroria në pritje të provave nga Greqia

Posted: 13 Sep 2017 07:23 AM PDT

Ndryshimet e reja kushtetuese për reformën në drejtësi mund të çojnë dosjen e Klement Balilit në Sarandë.

Shpallja e moskompetencës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të cilësuarin si Eskobari Ballkanit pritet të vijë në një kohë kur hetimet janë pezulluar, kjo për shkak të mosardhjes së letërporosisë nga Greqia për ish-kreun e transporteve të Sarandës, raporton Vizion Plus.

Akuza shqiptare pretendon se Greqia nuk ka sjellë provat e plota, duke bërë që hetimi i Balilit të shtyhet.

Burimet thanë se edhe pse janë dërguar dy shkresa drejtësisë greke, ajo ende nuk ka sjellë materialet e plota të akt-ekspertimeve të drogës së bllokuar apo edhe provat e tjera për çështjen.

Shtyrja e afateve të hetimit, por edhe ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi, pritet që fatin e dosjes ta marrë akuza e Sarandës.

Sipas Prokurorisë, drejtësia greke ka sjellë në nëntor të vitit të kaluar vetëm 12 fashikujt e kësaj dosje, por nuk ka sjellë akt-ekspertimin e lëndës së sekuestruar, dëshmitë e të arrestuarve, por edhe biznesmenëve grekë me të cilët dyshohej se Balili mbante kontakte.

Veç këtyre provave, Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka përfunduar dhe hetimin për pasurinë e të shpallurit në kërkim dhe të familjarëve të tij. Kjo për arsye të vonesave në kthim përgjigje nga hipotekat, bankat dhe institucione të tjera.

Për llogari të kësaj dosje, mësohet se autoritet greke kanë arrestuar 15 persona, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në një grup kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.