Tirana Observer: “Myftiu i Tiranës: Sqarim për vëllezërit e krishterë, pse u vu ekrani në shesh. Më kërcënuan me jetë!” plus 9 more

Tirana Observer: “Myftiu i Tiranës: Sqarim për vëllezërit e krishterë, pse u vu ekrani në shesh. Më kërcënuan me jetë!” plus 9 more


Myftiu i Tiranës: Sqarim për vëllezërit e krishterë, pse u vu ekrani në shesh. Më kërcënuan me jetë!

Posted: 01 Sep 2017 09:43 AM PDT

"Dua të jap një sqarim publik për vëllezërit katolikë e ortodoksë. Nuk kemi pasur asnjë qëllim të fyejmë apo të mbulojmë Skënderbeun. Ai është Heroi Kombëtar i shqiptarëve dhe as nga ana fetare, as nga historike prania e monumentit të tij në shesh nuk përbën asnjë problem për myslimanët, as për faljen e namazit".

Kështu u shpreh sot në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Teksa i është kërkuar një sqarim për "mbulimin" e Skënderbeut me ekran gjatë faljes së namazit, Gurra tha se kanë qenë më së shumti kushtet teknike që kanë çuar aty, por pa e pasur si qëllim.

"Unë nuk jam marrë shumë me pjesën teknike, foni e ndriçim, këtë herë, por nga herët e tjera, di që forma e sheshit kërkon që ekranet "led uoll" të kenë një farë pjerrësise në mënyrë që të shihen në të gjitha anët e sheshit", tha Gurra për "Gazetën Shqiptare".

Myftiu i Tiranës shprehu keqardhjen për mënyrën si është perceptuar dhe rrëfeu se "unë kam marrë kërcënime me jetë" për shkak të imazheve që qarkullojnë dhe perceptimit të krijuar se myslimanët e mbuluan monumentin e Skënderbeut gjatë faljes se mëngjesit.

"Për këtë arsye, dua të jap një sqarim publik për gjithë vëllezërit katolikë që janë të ndjeshëm. Montimi i gjithë asaj skenës aty, e para punës është bërë natën. Çka do të thotë se është më e vështirë ta shohësh dhe më e vështirë të punohet. Teknikët e kanë gjykuar sicc po gjykohet atë strukturë". Myftiu kujton se në disa koncerte të bërë në sheshin e ri, praktikisht Skënderbeu është fshehur dhe asnjëherë ska qenë e qëllimtë.
"Nuk ka pasur kurrësesi një qëllim as këtë herë, e kanë parë më të lehtë montimin e funksionimin e led-uolleve. Njëri prej led uolleve duhet të shihet nga zonjat që falen, e që kanë qenë në krah të djathtë. Ndaj ekranet duhet të kishn një farë pjerrësie. Por kurrësesi, theksoj, se nuk ka kurrsesi tendencë. Nuk ka sepse pasi edhe Bajramin e parë, falja u krye me monumentin aty", tha myftoi.

Në përgjigje të interesimit të "GSH", Gurra vërejti se monumenti i Skënderbeut ka qenë më i dukshëm në Bajramin e parë për shkak se ekranet kanë qenë ndryshe por asnjëherë sipas tij për myslimanët nuk përbën shqetësim prania e Skënderbeut në shesh. "Ne vendosëm disa ekrane më të vogla duke qenë se skeletet e struktura e bashkisë ishte më e vogël".

I pyetur për reagimet, që shtrihen më thellë në histori, Gurra tha: "Nuk ka asnjë arsye fetare e qyetare që myslimanët të ushqejnë e të kenë iluzionet e mbulimit të heroit, të Skënderbeun, sepse nuk është kundër asnjë rituali, as të fesë".

Ai shtoi se "në aspektin fetar nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, pra falja të njihet e po ashtu nuk ka asnjë kundërshtim as në aspektin historik. Heronjtë kombëtar në çdo vend, kanë flijuar veten për kombin, apo kanë mbrojtur tërërsinë e kombit jo mbi baza fetare. Kjo e vërtetë është deri vonë. Myslimanë e të krishterë kanë qenë bashkë kur kanë shpallur pavarësinë. Unë ju kujtoj se verdiktin përfundimtar mbi llojin dhe përmbajtjen e flamurit e ka vendosur kryemyfiu i atëhershëm, Veli Dibra, në krah të Ismail Qemalit".

Në fund, Ylli Gurra, u shpreh se "i shoh të nxitura e provokative, ose mbase më mirë të them, shoh një keqkuptim në perceptimin për faljen e sotme. Të gjithë, si ju, duhej të kishin pyetur si qëndron situata, pasi ne nuk kemi dashur të mbulojmë Skënderbeun. Nuk është justifikim ky i yni, por shpjegim. Ne do të falim aty edhe Bajramin tjetër që është në qershor, e nuk ka asnjë arsye për të mbuluar heroin. Nuk ka arsye për një dritëshkurtësi të tillë. Nuk kanë pse ta ushqejnë vëllezërit katolikë e ortodoksë këtë dyshim, pasi gjith sa është perceptuar sot, është perceptuar gabim".

E dini pse taksitë kanë ngjyrë të verdhë?

Posted: 01 Sep 2017 09:15 AM PDT

Në pjesën më të madhe të botës ngjyra e taksive është e verdhë.

Po kush e vendosi këtë ngjyrë?

E gjithë merita është e John Hertz.

Hertz ishte një punëtor i thjeshtë nga Çikago, SHBA, i cili fillimisht shiste gazeta dhe ngiste fugonin e distribucionit.

Kjo gjë zgjati deri në vitin 1905 kur takoi Walden W.Shaw, një pasanik i ri i cili po kërkonte një partner të besueshëm për ta përfaqësuar në marrëveshjet dhe kontratat e shitjes së automjeteve.

Hertz bëri një punë të mirë jo vetëm në rimëkëmbjen e kompanisë, por disa vite më vone ai e pa veten të rrethuar nga një numër i madh makinash në dispozicion të tij.

Duke patur shumë makina në dispozicion Hertz i lindi ideja e përdorimit të tyre për të ofruar shërbimin taksi. Gjithsesi, ky nuk ishte i vetmi shërbim taksi në Shtetet e Bashkuara në atë moment.

Por Hertz po kërkonte diçka të veçantë, një element që ta veçonte kompaninë e tij nga të tjerat.

Kështu që ai bëri kërkime rreth këtij biznesi deri sa arriti në konkluzionin se sekreti i suksesit ishte imazhi dhe vizualiteti.

Pas kësaj Hertz vendosi të lyente të gjitha makinat me të njëjtën ngjyre, por cila duhet të ishte ngjyra?

Për të mos gabuar, ai kontaktoi Universitetin e Chicagos që ti përcaktonte se shkencërisht, cila ishte ngjyra që binte më shumë në sy në distancë.

Ata përcaktuan se ngjyra e verdhë, e cila në fakt ishte edhe ngjyra më e thjeshtë për t'u prodhuar, ishte ngjyra e cila dallohej më shumë në distancë dhe hynte tek ngjyrat e ngrohta të cilat përfaqësojnë shërbimin.

Kështu, në vitin 1915 Hertz krijoi kompaninë e taksive të verdha në Çikago dhe të gjitha makinat kishin këtë ngjyrë.

Pas kësaj të gjitha taksitë në New York u lyen me ngjyrë të verdhë në mënyrë që vizualisht të dalloheshin më shumë në rrugë.

Sistemi i Hertz u kthye në një simbol dhe ndiqet sot nga shumica e kompanive të taksive kudo në botë.

Xavi: Ja ku ndryshon Barcelona nga Real Madridi

Posted: 01 Sep 2017 09:00 AM PDT

Xavi Hernández, futbollisti që ka luajtur më shumë ndeshje në historinë e Barcelonës, gjithashtu ish-kapiteni i saj, tha se "Barça ka rënë në gjumë" kohët e fundit, pasi ka dominuar futbollin botëror.

Në një intervistë për "Marca", lojtari aktual i Al-Sadd të Katarit portretizoi politikën e tanishme sportive të klubit azulgrana. "Unë kam qenë pjesë e një kafshe të tillë, që tani nuk duket e njëjtë. Barcelona luan shumë mirë futboll, por mund të ketë më shumë fitore. Ajo ra në gjumë, sepse pesë ose gjashtë vjet më parë kishte lojtarët më të mirë në botë për sistemin e Barçës," – tha ai.

Sipas Xavi, në skuadrën e tanishme, "për këtë sistem ka pesë, ose gjashtë lojtarë: Iniesta, Alba, Messi, Piqué, Luis Suarez, Busquets. Por klubi duhet të ketë të paktën njëmbëdhjetë lojtarë për atë sistem (tiki-taka). Duhen afruar lojtarë që i përshtaten Barçës shumë mirë. Realiteti është se vitet e fundit Barcelona ka nënshkruar me lojtarë që nuk përshtaten në atë sistem".

Duke folur për "La Masia", Xavi mendon se Barça beson në të, por "një gjë tjetër është nëse ata që dalin nga akademia janë titullarë. Ju keni për t'i rritur ato. Kur jeni në dyshim, shikoni më mirë ata lojtarë që keni në shtëpi. Në sezonin më të mirë të Barçës, ajo është ushqyer të paktën 60% nga prurjet e reja. Thiago u largua me të gjitha të drejtat e tij, sepse nuk i dhanë mundësi, por gjithçka duhet të ketë durim, sepse është klubi më i vështirë i botës".

Për Xavi, Barça "është klubi më i vështirë në botësepse "aty kërkojnë të fitohet dhe të luhet mirë. Real Madridi fiton 3-2, duke kthyer një ndeshje katastrofike, por është më i miri dhe ne flasim për epikën, shpirtin… Ne fituam në minutën e 90-të dhe analizuam gjithë javën pse nuk kishim posedim topi, pse shënuam vetëm një herë, pse superioriteti brenda dhe jo jashtë. Në Madrid nuk ka asnjë arsye, ju fitoni dhe nuk ka më debate. Dallimi është se në Madrid, kur gjërat shkojnë keq, tifozët dhe lojtarët, stafi teknik dhe mediat, bashkohen. Në Madrid nuk ka kundërshtim për presidencën për vite me radhë. Te Barça ka gjithmonë një kontestim, të paktën, dhe presidenti mund të jetë vetëm gjashtë vjet në detyrë. Barça pothuajse asnjëherë nuk është e bashkuar.

Unë insistoj: është klubi më i vështirë për të pasur sukses, jo vetëm për lojtarët. Megjithatë, unë besoj se Barça përpiqet të luajë njësoj. E shoh ekipin duke u përpjekur të luajë në të njëjtën mënyrë, që na dha aq shumë tituj. Që nga ardhja e Cruyff, Barça është e ndryshme, respektohet në mbarë botën, bie në dashuri me tifozët e futbollit".

Si do të dalim nga kjo ide?

"Unë nuk e di, a e kanë bërë këtë pyetje drejtuesit e sotëm, por nuk dua që Barça të luajë ndonjë stil tjetër futbolli. Më pëlqen shumë trajneri Valverde, ai ka një propozim që përshtatet në mënyrë të përkryer me Barçën".

E ardhmja ime në stolin e Barçës?

"Një krenari që më pret. Në afat të shkurtër nuk është e mundshme. Unë nuk e kam licensën e trajnerit, derisa ta marr atë do të kalojnë dy apo tri vite".

 

 

A do të printojnë kompanitë në të ardhmen kartmonedhat e tyre?

Posted: 01 Sep 2017 08:47 AM PDT

Kartëmonedhat nuk janë me të vërtetë të dallueshme ose joshëse siç ishin dikur.
Faji për këtu mund të jetë edhe i "parasë digjitale".
Por shumë monedha letre mbesin thellësisht simbolike, tregime patriotike të pasurisë dhe kulturës së një kombi, të stolisura me fytyra të njerëzve të mëdhenj dhe momente të përjetshme.
Po sikur kartmonedhat nuk vijnë vetëm nga vendet, por edhe nga kompanitë?!
Shumë marka dhe korporata e  kanë PBB më të mëdhe se shtete dhe kanë më shumë pasuri se disa vende të vogla, kështu që ndoshta ka kuptim që ata të shtypin paratë e tyre.
Projektuesi grafik Jade Dalloul ka shkuar një hap më tej, duke imagjinuar se si mund të duken këto monedha të kompanive.
Në një seri të re të ilustrimeve të titulluar "Valuta e Markës", projektuesi francez ngjall një të ardhme ku lojtarët e ekonomisë botërore si Steve Jobs dhe Mark Zuckerberg janë bërë imazhe të parave të reja.

Këto janë 9 bimët dhe lulet që pastrojnë ajrin, thithin lagështinë dhe eliminojnë erën e keqe në shtëpi

Posted: 01 Sep 2017 08:32 AM PDT

Një nga problemet më të mëdha të momentit është pa asnjë dyshim ajri i keq! Shkencëtarët e NASA-s kanë zbuluar lulet veçanërisht të dobishme për të thithur gazin dhe për të pastruar ajrin e ndotur. Ndotësit më të përhapur që mund të gjenden në ambientet e shtëpisë janë: formaldehidi një përbërës organik (si benzeni), monoksidi i karbonit, azoti dhe gazi radon.

Zbulimi i NASA-s

Këta elementë mund të shkaktojnë alergji, marramendje, lodhje, çrregullim të sistemit nervor, kancer dhe madje edhe vdekje në rastet ekstreme të intoksikimit (helmim). NASA, në fund të viteve '80, ka identifikuar 50 lule dhe bimë që rriten në shtëpi, të cilat eliminojnë shumë agjentë të kontaminuar dhe gazra të sipërpërmendur. Zbulimi antindotës i këtyre luleve u bë nga shkencëtarët në kohën kur po studionin se si mund të rikrijonin një ambient ideal për astronautët në hapësirë. Pas këtij zbulimi thuajse rastësor, ndërhynë edhe studimet e specialistëve të këtij sektori, botanikët dhe agronomët, të cilët zbuluan llojet më të mira të luleve që filtrojnë më shumë ajrin nga substancat toksike të pranishme në ambientet e shtëpisë.

Ja se cilat janë ato

1-Këto janë lloje të ndryshme Aloe Vera, një bimë, të mirat e së cilës tashmë janë të njohura në shumë drejtime. Që nga kurimi i djegieve te  përgatitja e produkteve për ftohjen. Ndër të tjera, llojet e saj arrijnë të pastrojnë edhe ajrin e t'i japin apartamentit një lloj freskie. Gjithashtu arrijnë të thithin në mënyrë efikase formaldehidet.

2-Këto bimë origjinale, të njohura me emrin Drakena, gjenden në treg me më shumë se 40 lloje të ndryshme.

Bëhet fjalë për një bimë e cila rritet brenda ambienteve të shtëpisë dhe që mund të eliminojë nga ajri grimcat e dëmshme të benzenit. Por e vetmja gjë negative e kësaj bime lidhet me toksicitetin (helmin) e saj, i cili u bën shumë keq miqve tuaj më katër këmbë, sidomos maceve dhe qenve.

 

3-Kjo lule është Chlorophytum, e njohur ndryshe edhe si lulja merimangë.

Bëhet fjalë për një zgjidhje të mirë për këdo që ka shumë kohë të merret me "mikeshat e gjelbra". Ajo është shumë e përhapur dhe shumë e kollajtë për t'u shtuar. Arrin të thithë të gjitha grimcat që mund të jenë krijuar pas pastrimit të shtëpisë.

4- Kjo bimë e bukur është një Chamaedorea, ndërkohë që te luleshitësi mund ta gjeni edhe me emrin Palma Bamboo.

Ajo ka shumë aftësi të mira për të pastruar ajrin, sidomos prezencën e formaldeideve. Këshillohet ta mbani në ambiente me shumë dritë ose gjithsesi pranë një dritareje. Ajo mund të arrijë deri në tre metra lartësi. Forma e saj lejon ta bëni ambientin tuaj plot elegancë dhe klas.

5-Shumë e njohin me emrin e saj Lule Gjarpri, i cili i referohet formës dhe pamjes së jashtme, por kjo lloj e Sanseverias është çdo gjë tjetër përveçse helmuese.

Me shumicë gjendet nëpër zyra dhe restorante, pikërisht prej karakteristikës së saj: për të nuk duhet të tregoni shumë kujdes, mjafton ta ujisni një herë në muaj dhe ta lini në ambient të thatë. Madje, ajo mund të rritet edhe në errësirë. Arrin të pastrojë ajrin nga substanca të ndryshme të dëmshme.

6- Këto pemë janë dy ekzemplarë të Fikusit, një nga lulet-pemë më të përhapura në të gjithë botën.

Përmasat e saj mund të ndryshojnë në varësi të vazos në të cilën mbillen. Në treg ajo gjendet në forma të ndryshme. Përveçse është e bukur ajo është edhe një e mirë shtesë për mjedisin duke qenë se e pastron atë në mënyrë natyrale. Në verë mund ta vendosni edhe në tarracë ose në ambientet e jashtme.

7- Edhe këto lule mund të jenë të dobishme për çështjen që po trajtojmë sot.

Të bukurat kizantema (emri i tyre) arrijnë të heqin nga ajri substancat e dëmshme si, benzenin, xilenin, formaldeidet dhe amoniakun.

8- Emri i saj është Nephrolepis Exaltata. Bëhet fjalë për një bimë shtëpie e cila është në gjendje të arredojë me stil vërtet çdo ambient, nga ai modern deri tek ai më klasik, sidomos nëse mbillet në një vazo shumë të madhe për t'u parë.

Kushtet ideale për të janë: klima e lagësht dhe e freskët, si dhe drita e reflektuar. Ajo vlerësohet për aftësinë e saj pastruese të ajrit nga xileni (substancë e dëmshme).

9- Edhe pse emri i saj duket shumë i vështirë për t'u shqiptuar, kjo lule e Spathiphyllum është një nga më të vlerësuarat nga adhurueset femra për shkak të luleve të saj shumë të bukura dhe për rezistencën e tyre ndaj prekjeve.

Ajo lulëzon gjatë verës, por rrezet e diellit të drejtpërdrejta nuk i bëjnë mirë. Ndërkohë, nga ajri arrin të eliminojë benzenin, formaldeidet, trikloroetilenin dhe amoniakun.

Mbi një e treta e popullsisë së botës jeton në Kinë dhe Indi

Posted: 01 Sep 2017 08:15 AM PDT

Popullsia që jeton në Kinë dhe Indi përbëjnë 36.3 përqind të popullsisë 7.4 miliardë të botës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas përpilimit që gazetarja e AA-së ka kryer nga të dhënat e Bankës Botërore, mësohet se popullsia e botës e cila në vitin 1960 ka qenë afërsisht 3 miliardë, në vitin 1970 është rritur në 3.7 miliardë, në vitin 1980 në 4.4 miliardë, në vitin 1990 në 5.3 miliardë, në vitin 2000 në 6.1 miliardë, në vitin 2010 në 6.9 miliardë dhe në vitin 2016 ajo është rritur në 7.4 miliardë.

Parashikohet se popullsia e botës deri në fund të këtij viti do të tejkalojë 7.6 miliardë ndërsa deri në vitin 2050 parashikohet që ajo të arrijë në 9 miliardë njerëz.

Sipas të dhënave Republika Popullore e Kinës ku jetojnë 1 miliardë e 378 milionë e 665 mijë banorë është vendi më i populluar në mesin e 216 vendeve të botës. Kina e cila përbën afërsisht 18.5 përqind të popullsisë së botës, nga pikëpamja e popullsisë është afërsisht sa 17 Turqi ose sa 4 SHBA.

Ndërsa vendi i dytë në botë me popullsinë më të madhe është India e cila ka një popullatë prej 1 miliardë e 324 milionë e 171 mijë njerëz. India me këtë popullatë përbën 17.8 përqind të popullsisë në botë.

Ndërsa në SHBA ku jetojnë 323 milionë e 127 mijë persona radhitet vendi i tretë me popullsinë më të madhe e cila përbën afërsisht 4.3 për qind të popullsisë së botës. SHBA-në e ndjek Indonezia me një popullatë prej 261 milionë e 115 mijë njerëz dhe më pas renditet Brazili me një popullsi prej 207 milionë e 652 mijë njerëz.

Popullsia totale e Kinës, Indisë, SHBA-ve, Indonezizë dhe Brazilit përbëjnë 47 përqind të popullsisë në botë.

Nga pikëpamja e popullsisë në vendin e gjashtë radhitet Pakistani me 193 milionë e 203 mijë njerëz, i cili ndiqet nga Nigeria me 185 milionë e 989 mijë, dhe Bangladeshi me 162 milionë e 951 mijë njerëz.

Ndërsa Turqia me popullsinë prej 79 milionë e 512 mijë renditet në vendin e 18-të në botë, ku ajo përbën 1.06 për qind të popullsisë totale të botës. Popullsia e Turqisë pritet që në fund të këtij viti të tejkalojë 80 milionë dhe në vitin 2034 parashikohet se popullsia e saj do të tejkalojë 90 milionë.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 30 vendet më të populluara të botës radhiten si në vijim:

Vendi Popullsia totale
Kina 1.378.665
India 1.324.171
SHBA 323.127
Indonezia 261.115
Brazili 207.652
Pakistani 193.203
Nigeria 185.989
Bangladeshi 162.951
Rusia 144.342
Meksika 127.540
Japonia 126.994
Filipinet 103.320
Etiopia 102.403
Egjipti 95.688
Vietnami 92.701
Gjermania 82.667
Irani 80.277
Turqia 79.512
Kongo 78.736
Tajlanda 68.863
Franca 66.896
Mbretëria e Bashkuar 65.637
Italia 60.600
Afrika e Jugut 55.908
Tanzania 55.572
Mianmari 52.885
Republika e Koresë 51.245
Kolumbia 48.653
Kenia 48.461
Spanja 46.443
POPULLSIA TOTALE E BOTËS 7.442.135

Provokatorët real të Skënderbeut!

Posted: 01 Sep 2017 08:07 AM PDT

Nga Mero Baze

Vjet për Kurban Bajram pati një histeri qysh në mëngjes. E kishin kapur me Skënderbeun. Qysh herët në mëngjes, të njëjtët njerëz që sot kanë vënë kujen për Skënderbeun e "mbuluar", po krenoheshin që gjunjëzuan myslymanët besimtarë në Tiranës, dhe i "detyruan" ti faleshin Skënderbeut. E postuan e ripostuan një foto të besimtarëve në gjunjë para Kalit të Skënderbeut, ndërkohë që mua nuk më dukej e tillë. Myslimanët falen duke u drejtuar andej nga u thotë feja e tyre, çka koincidon me pozicionin e Monumentit të Skënderbeut.

Aq e neveritshme u bë zhurma që "myslimanët ishin gjunjëzuar" para Skënderbeut, që edhe mua që jam ateist dhe kam një bezdi nga këto ritet fetare kolektive nëpër sheshe, filloi të më vij keq që ua paskan bë me hile këtyre myslimanëve dhe i kanë "gjunjëzuar".

Sot në mëngjes që në orën 6.00, ma nxorri gjumin një prej këtyre tipave. Kishte pritur se si do t'ua "dhiste" Skënderbeu prapë myslimanëve. Por pa që dhjetë metra para Skënderbeut, tabela elektronike e reklamave pengonte pamjen e Skënderbeut. Në pozicionet e tjera Skënderbeu duket normalisht, por me rëndësi ka fotua që nuk duket, e që quhet se është "mbuluar Skënderbeu" Dhe nisi një histeri e re.

Nga Kosova një miku më shkruan se i kanë vënë burk, një tjetër thotë i kanë mbuluar dhe koqet kalit. Në fakt ato duken po të ulesh poshtë siç falen ata. (Me një fjalë i kanë rrujt koqet siç thotë populli në këtë rast).

Kjo është një histeri e shëmtuar, nga ato provokacionet e ndyra që duan doemos konflikt mes myslimanëve dhe feve të tjera në Shqipëri.

Nuk e vë në dyshim që dikush është kujdesur për skenografinë që edhe Skënderbeu të mos mbulohej, por dhe të mos shikohej nga të gjithë, duke e penguar skena. Ka aty brenda një zell politiko-fetar kundër tij, duke kujtuar natyrisht dhe "triumfalizmin" e vitit të kaluar, të atyre që i "tallën" se ju gjunjëzuan Skënderbeut. Por këta histerikët që bëjnë si "Gardistë të Skënderbeut", janë në fakt autorët e vërtet të kësaj beteje fallco.

E donin vitin e kaluar, duke "u tallur" me besimtarët se ua kishte futur Erion Veliaj dhe i kishte vënë të faleshin para Skënderbeut dhe po i provokojnë sivjet kur shpikin sikur kanë mbuluar Skënderbeun.

Më e neveritshme është pastaj që gjithë llumi i shoqërisë, ata që duan të bëhen protagonist, ata që duan të bëhen "properëndimorë" me Skënderbeun, dhe pro turq në grabitje të vendit, vazhdojnë histerinë.

Ky është një rast i mirë për të hartuar një rregullore të përdorimit të Sheshit Skënderbej për festa fetare, manifestime politike, apo festa kombëtare dhe këtu merr fund debati.

Skënderbeu nuk ka nevojë as të "gjunjëzoj" besimtarët mysliman, as të gjunjëzohet prej tyre. Atij i janë gjunjëzuar gjithë shqiptarët duke e pranuar si simbolin unfikues kombëtar dhe jo si drejtues meshash apo Kurban Bajramesh. Ai është aty për të na kujtuar historinë dhe rrënjët e kombit dhe i ka mbyll betejat me të gjallët më 1468, gati 550 vjet më parë.

Ndaj figurave të tilla të mëdha, do ketë gjithnjë njerëz që do hedhin gurë, apo njerëz që do ti ngjitet pas bishtit të kalit, që të duken si ai, por kjo nuk e prek atë.

Ata që gëzojnë dhe vajtojnë, duke përmendur emrin e tij, thjeshtë kanë axhendën e tyre ku Skënderbeu është i keqpërdoruri i madh.

Nëse i bën keq dikush Skënderbeut në këto kohë, janë pikërisht këta që e duan Skënderbeun, antimysliman, katolik apo ortodoks.

Lëreni të qetë maj kalit, dhe altarit të kombit shqiptar, se as ata që ulin kokën poshtë tij, e as ata që duan të rrinë në krah të tij, si "Skënderbej" të rinj, thjesht e bezdisin. Siç bezdisnin në të gjallë mizat kalin e tij, kur i hyjnë nga poshtë.

De Biasi: Vij si shqiptar, Panucci s’ka nevojë për këshillat e mia

Posted: 01 Sep 2017 07:57 AM PDT

Ka mbërritur në Tiranë edhe ish-trajneri i përfaqësueses kuqezi Xhani de Biasi si i ftuari i veçantë për ndeshjen e Shqipërisë ditën e shtunë përball Lihteshtejnit. Në fjalët e para të mbërritjes në aeroportin "Nënë Tereza" ai tregon arsyet e prezencës.

"Vij si shqiptar, si ish-trajner dhe si mik i Shqipërisë dhe tifoz i Shqipërisë. Përtej shkas vij me shumë dëshirë këtu përveç faktit që jam një mik i presidentit Duka në këtë ndeshje. Por më vjen shumë mirë gjithashtu që do të rishoh miqtë e mi të vjetër", u shpreh De Biasi.

Më pas De Biasi thotë se Panucci nuk do të ketë nevojë për këshillat e tij.

"Kam folur me Panuccin pak kohë më parë, është shumë i motivuar shumë i karikuar. Shpresojmë që të bëjë mirë dhe ja uroj me zemër. Nuk kam ndonjë këshillë të veçantë, ai është i zoti është i ri dhe ka shumë dëshirë të bëjë mirë. Uroj të jetë serioz dhe i qetë, më pas të gjitha të tjerat vijnë vetë", u shpreh De Biasi.

Sa i përket çështjes më të përfolur të këtij grumbullimi të parë të Panuccit, asaj të largimit të Cikalleshit, ish-trajneri është dakord me kolegun e tij.

"Unë mendoj që gjithsecili është padron i zgjedhjeve të tij që i mendon më të drejta. Mendoj që përderisa e ka marrë këtë vendim ka arsyet e tij. Edhe unë ndonjëherë kam marrë vendime të forta që duhen për t'i bërë të qartë skuadrës rregullat dhe se si duhet menaxhuar ajo", tha ish-trajneri i kombëtares.

I zhveshur nga emocionet e postit të trajnerit, tani De Biasi e ka luksin edhe të parashikojë.

"Të fitojmë ndeshjen e parë si fillim, duke kryqëzuar gishtat sigurisht, më pas të mendojmë për Maqedoninë që është një ndeshje më e vështirë. Maqedonia është një skuadër që nga mesfusha dhe deri tek sulmi ka lojtarë shumë të mirë", u shpreh De Biasi.

“Zoti Kryeministër, shkencërisht ne po bëhemi një komb i leshtë!”

Posted: 01 Sep 2017 07:37 AM PDT

Letër zotit Edi Rama, kryeministër!

Ndaleni katrahurën e 4 shtatorit në Akademinë e Shkencave!

Nga Artan Fuga

I nderuar zoti Kryeministër Edi Rama,

Po Ju drejtohem me këtë letër publike për të tërhequr vëmendjen Tuaj rreth problemeve akute të grumbulluara në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, si edhe në sistemin e kërkimit shkencor të vendit, me cilësinë time si anëtar i asaj Akademie dhe si kërkues shkencor.

Më konkretisht, shkas, dhe pretekst marr nga zgjedhjet për kryesinë të re të Akademisë të Shkencave, një test domethënës, të cilat, të parashikuara për në datën 4 shtator të këtij viti, i gjej të papërgatitura, jashtë standarteve dhe mbi të gjitha, të pagjetura për t'u zhvilluar tani.

Unë do ta kuptoja edhe habinë Tuaj për këtë letër. Kam qenë dhe jam publikisht kritik me kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e universiteteve dhe të arësimit të lartë të vendit, si edhe për çështje të tjera për të cilat kam opinionet dhe bindjet e mia. Por, nga ana tjetër, në kuadrin e një grupi pedagogësh dhe studjuesish kam marrë pjesë në studime si për gjendjen e opinionit publik të vendit, për imazhin e institucioneve publike, për përdorimin e teknologjive të reja të informacionit nga konsumatorët shqiptarë, për cilësinë e ofertës të televizionit publik, si edhe për mjaft çështje të tjera, studime me certifikim ndërkombëtar, me financime autonome, dhe të shoqëruara me dhjetra rekomandime konstruktive. Por, nuk besoj se ka qenë rasti që t'Ju kenë njohur me to.

Kështu e kuptoj rolin e intelektualit dhe të kërkuesit shkencor, kritik për gjërat që i konsideron se duhet të vinë në modelin e tyre normal, por edhe propozues konstruktiv me studimet e veta dhe ato kolektive.

I gjithe ky kontekst nuk më pengon, përkundrazi më shtyn t'Ju drejtohem sepse mendoj që Ju sikurse edhe unë do të donim një Shqipëri inteligjente dhe jo mediokre, që kërkon në shkencë dhe racionalizon modelet e saj të administrimit dhe nuk mbetet pas. Aq më shumë që Ju keni kompetencën, detyrën, përgjegjësinë shtetrore dhe pushtetin për t'i vendosur në rrugën e zgjidhjes problemet akute të grumbulluara në këto fusha.

+++

Akademia e Shkencave në gjykimin tim është një agjenci publike e pazëvendësueshme në kërkimin shkencor të vendit. E pavarur, si përfaqësuese e komunitetit shkencor të vendit, ajo do të mund të luante një rol vetëregullues në mjaft aspekte të kërkimit shkencor dhe të ishte partnere e qeverisë dhe e gjithë aktorëve të tjerë publikë dhe privatë, pa zëvendësuar asnjërin prej tyre, në ecurinë e shkencës dhe kërkimit shkencor shqiptar.

Por fatkeqësisht nuk ndodh kështu sepse kjo Akademi është pozicionuar keq ; për përgjegjësinë e kryesisë së saj, në strategjitë e saj, është plakur, nuk ka fuqi të cojë përpara misionin e saj, dhe mbi të gjitha e mbyllur në vetvete dhe pa strategji të mirëpërcaktuar.

Nuk dëshiroj të marr kohën Tuaj për të bërë një analizë të hollësishme të kësaj gjendjeje. Le të ndalem vetëm në disa parametra.

Akademia cdo vit bën raportin e bilancit të kërkimit shkencor dhe të veprimtarive të veta. Prej vitesh unë ngre çështjen se në fakt në këto raporte që justifikojnë paranë publike të harxhuar ka fiktivitet.

Pra, ka rrena !

Veprimtaria shkencore e të gjithë ne që punojmë në institucione të tjera mësimore dhe shkencore, rimerret edhe njëherë në raportin e Akademisë të Shkencave dhe integrohet si bilanc i saj. Një pjesë tjetër e këtij bilanci që i raportohet zyrave të shtetit është punë krejt e pavarur e kërkuesve shkencorë në pension dhe nuk ka asnjë lidhje me bilancin e aktivitetit të Akademisë të Shkencave. Asnjë planifikim konkret nuk ka për veprimtaritë kërkimore – shkencore në terren që Akademia duhet të kontribuojë.

Fakti i këtij fiktiviteti është për mua një shqetësim i madh sepse ka të bëjë pikërisht me paranë publike që harxhohet me raportime dyfishe. Ju merrni pra dyfish numra artikujsh shkencorë, pjesëmarjesh në konferenca, etj. Ju ushqejnë me gënjeshtra që besoj verbërisht se po qe se do t'i kishit parë nuk do t'i kishit besuar.

Mbi të gjitha, edhe ato veprimtari shkencore që kryhen nuk iu nënshtrohen parametrave matës. Po qe se pyetet se cili është kontributi i Akademisë të Shkencave, por edhe institucioneve të tjera kërkimore dhe shkencore, pra se cili është kontributi i tyre në formimine GDP të vendit, nuk ka asnjë parametër matjeje. Akademia e Shkencave funksionon sipas mentaliteteve të vjetra që institucioni shkencor harxhon paranë publike, por nuk prodhon vlerë të shtuar financiare dhe nuk kontribuon në GDP.

Sigurisht mund të përmenden projekte ku individë të veçantë në aparatin administrativ të Akademisë marrin pjesë, por pjesëmarrja e tyre është individuale në këto projekte dhe mbi të gjitha kërkund nuk gjendet rentabiliteti financiar i kërkimeve të kryera dhe rezultati i tyre praktik. Po ta kërkonit këtë në raportin vjetor nuk do ta kishit gjetur.

Ju raportohen artikuj shkencor, por nuk do të gjeni asnjë analizë se çfarë i ka sjellë ai artikull a komunikim shkencor shkencës shqiptare si risi.

Akademia e Shkencave funksionon si një agjenci e mbyllur dhe e pahapur dhe e paintegruar me agjencitë e tjera shkencore dhe universitare të vendit dhe nuk e luan rolin e vet pararojë në përpunimin e strategjive shkencore dhe prioritetet e kërkimit shkencor kombëtar.

Mjafton të shohësh bibliotekën e saj, ku në vend të kemi një qendër përpunimi të informacionit dokumentar shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar, do të gjeni një bibliotekë të modelit të shekullit të kaluar. Dhe kjo jo për faj të punonjësve, por të drejtimit dhe menaxhimit të Akademisë të Shkencave.

Duket cudi, por revista e Akademisë të Shkencave nuk rezulton me asnjë faktor impakti, si tregues cilësor i një reviste shkencore.

Botohen libra, por askush nuk di audiencën e tyre dhe dobinë e tyre sociale.

Edhe në planin menaxhues gjendja paraqitet e rëndë. Shtatë anëtarë të akademisë janë edhe të punësuar në administratën e saj, pra një e gjashta e numrit të përgjithshëm të akademikëve punojnë në administratën e saj. Më shumë se gjysma jonë, jo për fajin tonë, nuk ka asnjë integrim apo nuk udhëheq asnjë grup shkencor dhe kërkimor. Po aq akademikë, në mos më shumë janë në pension dhe nuk kanë asnjë infrastrukturë në dispozicion për ta zhvilluar kërkimin shkencor në kushtet e duhura. Pothuajse për dy ose tre anëtarë akademie ka një punonjës administrate që paguhet atje.

Shifra alarmante që duhen saktësuar sepse sa herë kam kërkuar të bëhet një transparencë për personelin, jam penguar të kem të dhënat e duhura.

+++

Zoti kryeministër,

Duke Ju drejtuar këtë letër, kam në kujtesë se para dy vitesh Ju mblodhët të gjithë akademikët në zyrat Tuaja në kryeministri dhe shprehët vullnetin Tuaj për ta reformuar dhe gjallëruar Akademinë e Shkencave.

Dua t'Ju informoj se qysh atëhere nuk është bërë asgjë. Komisioni që u ngrit, nën presionin e lobive të interesit individual dhe kolektiv, pa fuqinë e duhur, nuk konludoi veçse me disa faqe të zbehta, mbushur me propozime paradoksale dhe të pabazuara fluturake, çka shkaktoi një lumë kritikash ndaj propozimeve të bëra. Ndonëse ne dhamë propozimet tona individualisht sikurse na i kërkuat, kurrë, askush nuk dha një përgjigje a nuk na thirri për t'i debatuar ato.

Të leshtë këta nëpunës, zoti Rama !

Personalisht Ju bëj me dije se edhe pse anëtar formal i atij komisioni, nuk u kontaktova kurrë, veç një thirrje në mbarim të punimeve të tij pata për të lexuar materialet e përgatitura. Kur kërkova të dija i habitur se çfarë hyja unë aty, përgjigja ishte se kisha qenë anëtar i atij komisioni !!! Habisë sime iu përgjigjën me pretekstin se sekretaret komunikonin me një adresë e-mail që nuk ishte verifikuar nëse ishte faktikisht imja apo jo !!!

Me këtë nuk dua të them se kontributi im do të kishte qenë kushedi se çfarë, por për t'Ju vendosur në dijeni pra se reformimi që Ju kërkonit as ka ecur as edhe një hap dhe është lënë krejt në baltë nga vartësit Tuaj.

+++

Papritur, në fillim të muajit gusht, paraqiten kandidaturat për kryesinë e re të Akademisë të Shkencave.

Deklaroi publikisht se unë kam respekt tepër të madh si për anëtarët e kryesisë të Akademisë ashtu edhe për kolegët e mi akademikë. Janë një pasuri e mendimit intelektual kombëtar. Po ashtu ka aktivitete që janë bërë mirë sidomos ndonjë konferencë shkencore. Pavarësisht këtyre, Ju bëj me dije publikisht se përgatitja dhe konceptimi i zgjedhjeve për kryesinë e re të Akademisë të Shkencave është në kufijtë aluçinantë të imagjinatës njerëzore.

Kandidon nënkryetari për t'u ribërë kryetar dhe kandidon kryetari për t'u bërë nënkryetar ! Dhe kjop ndodh disa herë radhazi.

Sigurisht ata janë shkencëtarë të shquar, me kontribute, e drejta e tyre për rikandidim me rregulloren tinzare që është në fuqi justifikohet, por çështja nuk është këtu.

Kam kërkuar që para rikandidimit ata të bëjnë një raport të konsultueshëm publikisht për arritjet dhe mosarritjet e tyre personale në drejtim. Asgjë.

Kërkova të dilet me një platformë kandidimi. Nuk imagjinohet.

Zgjedhjet do të bëhen : hidh letrat në kuti pa debate.

Nuk ka kandidatura rivale si kusht i parë i zgjedhjes.

E mbi të gjitha ndonëse na është premtuar përpunimi i një rregulloreje të re të brendshme, ajo ende nuk është bërë.

Dhe Ju bëj me dijeni është planifikuar që pesë a gjashtë akademikë të asociuar të bëhen anëtarë të rregullt të Akademisë. Ata mund ta meritojnë, unë nuk paragjykoj kënd, por puna është që nuk janë hapur fusha studimi dhe për to të gjendet njerëzit, por janë njerëzit që kërkonin me peticione promovim dhe mbi atë bazë u hapën fushat e studimit.

Unë e ndjej se Ju e përjetoni sikurse është këtë fakt që është në kufijtë e demencës institucionale !

Në këto kushte, me një akademi që Ju kërkoni reformim, me parametra të ulët performance, pa një rregullore të re, pa platforma zhvillimi, pa ditur se çfarë perspektivash kandidatët hapin para saj, cfarë zgjedhjesh do të bëhen ?

Në këto kushte nuk ka rinovim, nënkryetari do të bëhet kryetar dhe kryetari do të bëhet nënkryetar, ndonëse janë të dy kërkues shkencorë të respektuar.

Dhe mos harroj t'Ju ve në dijeni se nga akademikët që janë të punësuar në administratë dhe paguhen si pjesë e saj, shumica e kanë kaluar moshën prej 68 vjeçve, moshë kur asnjë profesor universiteti nuk kryen më dot ligjërisht detyra administrative.

+++

Por, e njejta situatë është edhe me sistemin e kërkimit shkencor të vendit, që Ju me të drejtë kërkuat rinovim në mbledhjen e përmendur.

Nëpunësit e leshtë nuk bën dot asgjë dhe e dështuan edhe këtë reformë.

Dështuan sepse janë të ndarë nga komuniteti i pedagogëve, i kërkuesve shkencorë, madje edhe i intelektualëve jashtë vendit, që Ju me të drejtë keni kërkuar integrim nga ana e Akademisë të Shkencave. Ju e dini sesi iu përgjigj Akademia e Shkencave kërkesës Tuaj. Në mënyrë të turpshme duke refuzuar t'a kryejë këtë detyrë.

Parametrat e matjes të kërkimit shkencor janë jashtë çdo standardi bashkëkohor.

Integrimi i shkencës shqiptare në kërkimin shkencor europian është në ditë të hallit.

Mbrojta e doktoraturave vazhdon të bêhet sipas ligjit të vjetër të arësimit të lartë.

Asgjë nuk është bërë për rinovimin e shkollave doktorake universitare.

Ekipet ndërdisiplinare të kërkimit shkencor pothuajse nuk ekzistojnë.

Kontratat me kërkuesit shkencorë nuk ekzistojnë dhe pjesa më e madhe e tyre ka status si nëpunës me parametra matës të punës numra faqesh të shkruara, etj.

Tituj merren e jepen pa fund, me lopata e govata eskavatori, por askush nuk pyet për impaktin e asaj pune shkencore që jep tituj, por nuk jep efekt mbi zhvillimin e vendit.

Kërkimi në agjencitë private, publike si edhe në sipërmarrje është krejt i coroditur dhe pa asnjë bashkëpunim.

Unë e kuptoj se gjendja e sotme vjen si rezultat i akumulimeve të vjetra dhe të reja. Por, është sot që e gjithë kjo situatë duhet menaxhuar, reformuar. Cdo lënie pasdore e kësaj detyre ose trajtim me mungesë kompetencash, do të çojë jo vetëm në falimentimin e shkencës shqiptare, por ndikon përditë edhe në kulturën kombëtare dhe në mëncurinë e kombit !

Shkencërisht ne po bëhemi një komb i leshtë !

Të gjithë duan me të drejtë më shumë investime për kërkimin shkencor, por askush nuk pyet se ku do të gjenden ato. Mbi të gjitha shkenca do financime për t'u kryer, por ajo edhe jep vlerë të shtuar financiare.

Pyetini Ju lutem nëpunësit Tuaj, pra tanët, se sa është financiarisht kontributi i shkencës shqiptare në GDP dhe do të shihni se ata do të hapin sytë dhe do të ulin kokën përpara kësaj kërkese.

Unë marr lejen etike t'Ju them se Ju duhet ta vazhdoni insistimin Tuaj që nuk u pasua me asnjë energji nga nëpunësit Tuaj, pra tanët.

+++

Zoti kryeministër,

Unë Ju drejtohem me besim se Ju do të ndikoni që zgjedhjet e kryesisë të Akademisë të Shkencave të 4 shtatorit të mos kthehen në një mekanizëm të turpshëm rrotative.

As të mos jenë formale, por të jenë në funksion të rinovimit të strategjive të Akademisë të Shkencave, si agjenci e pazëvendësueshme në sistemin e kërkimit shkencor të vendit.

Idetë nuk mungojnë mjafton të mos censurohen nga kryesitë sikurse kanë bërë këto vite dhe diskutimi i lirë nga ana e kërkuesve shkencorë do ta lejonte zgjidhjen e këtij problemi dhe propozimin e modeleve më të mira në kushtet tona.

Ju sigurisht keni të gjitha të drejtat në emër të parasë publike kundrejt fiktivitetit të rezulateve rrena ta ndaloni procedurën e zgjedhjeve fallco të 4 shtatorit.

Le të ndërtohet një platformë e re për Akademinë e Shkencave, një kuadër ligjor i ri, dhe pastaj të bëhen zgjedhjet, lirisht, dhe vetëm atëhere nëse duhet le të ribëhet nënkryetari kryetar dhe kryetari nënkryetar. Kjo do të ishte një çështje e dorës së dytë.

Po ashtu lutem që ta rikonsideroni çështjen se sistemi i kërkimit shkencor në vend është në gjendje dramatike dhe kjo kërkon reforma jo të konceptuara nga zyra nëpunësish që nuk mund ta bëjnë këtë transformim, por studime, debat të lirë të vërtetë. Jam krejt i bindur se çështja nuk është as e vështirë dhe as ka nevojë për shumë kohë për t'u zgjidhur. Cështje dy ose tre muajsh.

Duke kërkuar ndjesë për shqetësimin dhe duke Ju falenderuar thellësisht nëse Ju gjeni kohën për ta lexuar këtë letër, më lejoni t'Ju them se ndërhyrjet Tuaja të shpejta dhe të vendosura si për të penguar katrahurën e 4 shtatorit si edhe për rinovimin e sistemit të kërkimit shkencor janë për mua personalisht një test besimi. Dhe Ju siguroj, se këtë e pret i gjithë komuniteti shkencor i vendit, i cili kërkon dinjitet, mbështetje, funksion si edhe kërkesë llogarie për të bërë më të mirën e mundshme për Shqipërinë.

Jam i sigurtë se ky është qëllimi ynë i përbashkët përtej divergjencave në mendime për çështje të tjera !

Me respekt,

Artan Fuga

Anëtar i Akademisë të Shkencave

Profesor në Universitetin e Tiranës

Anëtar i senatit të UT

Pedagog kontraktual pranë shkollës superiore të biznes – administrimit IPAG (Paris – Los- Anxhelos – Kunmin)

Kërkues shkencor i asociuar CNRS Francë

Manipulimi me “mbulimin” e monumentit të Skënderbeut për Kurban Bajram (VIDEO)

Posted: 01 Sep 2017 07:13 AM PDT

Ceremonia e festës së Kurban Bajramit është organizuar këtë të premte, nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në sheshin "Skënderbej" në Tiranë.

Besimtarët janë falur në orët e para të mëngjesit në sheshin e ri, por ajo që ka ngjallur debat në rrjetet sociale ka qenë vendosja e një ekrani që transmetonte ceremoninë, para monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ky ekrani vendosur në një skelë disa metra të lartë uronte besimtarët për Kurban Bajramin.

Kjo u cilësua si mbulim i Heroit Kombëtar, duke sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale.

Sekretaria e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, e kontaktuar nga Shqiptarja.com, sqaroi se vendosja e ekranit nuk është bërë me tendencën për ta mbuluar monumentin e Heroit Kombëtar, duke e cilësuar madje injorancë pjesën e aludimit për mbulim, pasi thekson se as nuk është mbuluar.

Në fakt, statuja nuk është mbuluar dhe kjo shikohet në videon e postuar nga Komuniteti Mysliman për faljen e namazit.