Tirana Observer: “FOTO-REPORTAZH/ Rrugës për në Valbonë” plus 9 more |
- FOTO-REPORTAZH/ Rrugës për në Valbonë
- Frika nga një përçarje e Evropës
- Formacionet zyrtare/ Shqipëria e nis pa Sadikun, ja kush e zë vendin e tij
- Droga në Itali, Basha: Projekti i Ramës, PS+drogë+kriminelë+korrupsion
- Studentes i hedhin gabimisht 1 mln dollarë në llogari dhe ajo i harxhon
- Vendimi i pazakontë në Angli: Një korsi shpejtësie…për këmbësorët
- SHIFRAT: Po rritet përdorimi i narkotikëve nga të rinjtë shqiptarë
- Gramoz Ruçi, rrufepritësja e Edi Ramës
- Edhe më tej kështu – Kancelarja kandidon edhe njëherë
- Martin Schulz-i, optimisti
| FOTO-REPORTAZH/ Rrugës për në Valbonë Posted: 02 Sep 2017 09:34 AM PDT Entela Resuli – DITA Pushimet verore nuk kalohen vetëm në det, por edhe në mal. Një nga destinacionet e preferuara për turistët është edhe Valbona. Nëse e lë rezervimin e hotelit për në ditët e fundit do e kesh shumë të vështirë të gjesh një dhomë të lirë. Nëse nisesh nga Tirana dhe kalon nëpërmjet Kosovës, do të duhen rreth katër orë për të mbërritur. Ndërsa nëse zgjedh të udhëtosh me linjën e tragetit Koman- Fierzë do të duhen dy orë më tepër. Me hyrjen në "Bajram Curr" kupton se Rilindja Urbane po vepron edhe aty. Rrëmuja që të fal rindërtimi i diçkaje, por edhe kënaqësia që shumë shpejt qyteti do të ketë një pamje tjetër janë ndjesi që kanë mbërthyer banorët. Me të vazhduar rrugën drejt Valbonës nën shoqërinë e lumit me të njëjtin emër, që cilësohet se ka ujërat më të pastër në Shqipëri, duhen edhe rreth 40 minuta. Dalëngadalë kupton se po pushtohesh nga një copë parajse. Qetësia, ajri i pastër, bukuria natyrore dhe mirësia e banorëve të zonës bëhen bashkë. Hotelet dhe bujtinat janë plotë me vizitorë. Na bien në sy dy tipa turistësh; ose janë ish-banorë të asaj zone të cilët kanë emigruar dhe tani janë kthyer për të kaluar pak ditë aty, ose janë të huaj, kryesisht, polak, çek dhe gjerman. Ushqimi është i freskët dhe i çastit. Menyja e produkteve varion nga llojet e mishit të pjekur në furrë ose në prush deri te flija e famshme. Midis fshatit Margegaj dhe Koçanaj "takuam" edhe Bajram Currin. I cili ishte i vendosur në një shtatore të rrënuar edhe në mes të ferrave e shkurreve. Na erdhi keq, ndoshta këtë vendosje nuk e meriton. Valbona të dhuron ajër të pastër, i cili na mungon në kryeqytet. Kur gjendesh e rrethuar nga malet e thepisur të asaj zone dhe nën këmbët e tua ke Valbonën, e kupton se sa bujare është treguar natyra me këtë vend. Ndërsa kur sheh pak më tutje betoniere dhe makineri që janë duke shkatërruar rrjedhën normale të lumit duke ndërtuar hidrocentrale mbi atë të, ndjen keqardhje…Mos ia bëni këtë Valbonës! |
| Frika nga një përçarje e Evropës Posted: 02 Sep 2017 09:07 AM PDT Për të parandaluar një kolaps të BE-së duhet që evropiano-perëndimorët t’i marrin seriozisht frikërat e evropiano-lindorëve, mendon Ivan Krastev. Nga Ivan Krastev -DW Ivan Krastev “Njeriu priret ta shohë rendin në të cilin jeton, si të natyrshëm”, shkruante Czeslaw Milosz në vitin 1951, duke përmbledhur përvojën tragjike të brezit të luftës në Evropë. Më tej ai shkruan: “Shtëpitë përgjatë të cilave ai kalon rrugës për në punë duken më shumë si shkëmbinj që ngrihen nga toka sesa si produkt i dorës së njeriut … Ai nuk mund të besojë se një ditë në rrugën që ai njeh mirë, ku flenë mace dhe luajnë fëmijë, mund të shfaqet një kalorës dhe të fillojë t’i kapë kalimtarët me lak … Për ta thënë me një fjalë: ai sillet pak si Çarli Çaplini në filmin “Ethet e floririt”, i cili hidhet sa andej këndej në një kasolle, që gjendet pranë buzës së një shkëmbi të rrezikshëm.” Për evropianët Bashkimi Evropian ishte një botë e tillë natyrore. Por ajo nuk është më. Në fund të vitit 2016, të shkatërruar nga Brexiti dhe të pasigurt nga fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane, shumë evropianë ranë thellësisht në dëshpërim. Dhe u përhap bindja se ora e Bashkimit Europian në histori kishte marrë fund. Një e çarë përmes Evropës Tani, nëntë muaj më vonë, gjendja shpirtërore ka ndryshuar. Fitorja e Trumpit u ka rikthyer shumë evropianëve vlerësimin e tyre për projektin evropian. Dhe fitorja zgjedhore e Emmanuel Macronit në Francë mbi bazën e një platforme të qartë pro-evropiane ka bërë që shumë të besojnë se BE-ja do të ketë një shans të dytë dhe se do të bëjë maksimumin e saj. Eurobarometri, i publikuar muajin e kaluar, shënon një rritje të ndjenjës publike ndaj BE dhe një monedhe të vetme. Dhe të dhënat ekonomike janë gjithashtu inkurajuese. Por entuziazmi i verës 2017 mund të jetë po aq i shkurtër dhe çorientues si dëshpërimi në fund të vitit 2016. Megjithëse “Momenti i Macronit” e ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjendjen shpirtërore në Evropë, ai nuk ka zgjidhur asnjë nga problemet që BE-ja ka aktualisht. Ndërkohë që mund të shpresojmë që një udhëheqje e re franko-gjermane do të ketë sukses në tejkalimin e ndarjes që u shfaq në mes të Veriut Europian dhe Evropës Jugore pas krizës financiare, ka gjithnjë e më shumë shenja se kriza e refugjatëve mund të thellojë më tej ndarjen mes Lindjes dhe Perëndimit. Një paradoks lindoro-perëndimor Paradoksi i gjendjes aktuale është se edhe pse sondazhet e opinionit tregojnë një konvergjencë të qëndrimeve ndaj refugjatëve dhe emigrantëve në Lindje dhe në Perëndim (publiku perëndimor është bërë më i shqetësuar dhe skeptik, ndërsa evropianolindorët e kanë zbutur pak qëndrimin e tyre në krahasim me vitin e kaluar), ndërkohë që tensionet ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes po përshkallëzohen në BE. Muajin e kaluar, kryeministri hungarez Viktor Orban ka bërë të qartë: “Njëzet e shtatë vjet më parë ne në Evropën Qendrore kemi besuar se Evropa është e ardhmja jonë – sot ne kemi përshtypjen se ne jemi e ardhmja e Evropës.” Disa javë më vonë, presidenti francez, Emanuel Macron iu përgjigj kritikave nga Varshava për idetë e tij për reformimin e tregut të punës të BE-së me fjalët: “Qëndrimi i një vendi që ka zgjedhur për t’u vetëizoluar në Evropë nuk do ta kërcënojë në asnjë mënyrë arritjen e një kompromisi ambicioz “. Përmbledhtazi mund të thuhet se udhëheqësit populistë në Evropën Qendrore nuk mund ta shohin më BE-në dhe vlerat e saj si një model që duan të ndjekin. Nga ana tjetër, liderët perëndimorë e marrin faktin që qytetarët e vendeve të Evropës Qendrore kanë zgjedhur njerëz si Viktor Orban dhe Jaroslaw Kaczysnki, si shkak për të injoruar frikën e ligjshme të Evropës Qendrore. Ata kanë frikë se disa nga reformat e propozuara, nëse nuk shoqërohen nga iniciativa të tjera politike, mund të dëmtojnë konkurrueshmërinë e ekonomive të tyre. Një rrezik me vonesë Nuk është e vështirë të parashikohet se përplasja mes qeverive të Evropës Qendrore që shpërfillin standardet dhe vlerat e BE-së dhe qeveritë evropiane perëndimore që e lënë pas dore interesat e Evropës Qendrore, mund të shkaktojnë shembjen e BE-së në atë moment kur shumica e evropianëve kanë rifituar besimin tek BE-ja. Evropianolindorët bëjnë ende pjesë tek mbështetësit më të fuqishëm të BE-së, por ata kanë dyshime në lidhje me përfitimet e integrimit evropian. Lindja dhe Perëndimi tani janë të ndarë jo vetëm prej murit të ndjeshmërisë kur është fjala për fatin e refugjatëve që vijnë në Evropë, por edhe për efektet e hapjes së kufijve brenda BE-së, kur është fjala për të ardhmen e Evropës Lindore. Njerëzit i kanë parë gjatë kufijtë e hapur në BE si ndryshimin më të rëndësishëm pozitiv që erdhi pas vitit 1989. Sot, ndërsa nga njëra anë miliona evropianolindorë po thurin plane për të studiuar, punuar dhe jetuar në Perëndim, ata që kanë vendosur të qëndrojnë e shohin se e kanë vështirë të udhëtojnë për shkak të dallimeve në rritje të të ardhurave midis vendeve të BE-së. Frika e evropianoqendrorëve Të paralizuar nga frika demografike, shumë evropianolindorë fillojnë t’i shohin kufijtë e hapur si një portë për transferimin e prosperitetit nga Lindja në Perëndim. Për shembull, shumë njerëz kanë filluar të pyesin veten pse duhet të investojmë në një edukim më të mirë nëse përfituesit kryesorë të këtyre investimeve janë shoqëritë në Evropën Perëndimore. Brukseli, Berlini dhe Parisi e kritikojnë me të drejtë autoritarizmin në disa vende të Evropës Lindore. Megjithatë, ata nuk duhet t’i përdorin Orbanin ose Kaczynskin si një justifikim për shpërfilljen e frikërave të reja të krijuara në Evropën Qendrore lidhur me të ardhmen e tyre në BE. *Ivan Krastev është drejtues i ‘Centre for Liberal Strategies’ në Sofie. Që prej vitit 2015 ai shkruan rregullisht analiza për New Jork Times. Libri i tij i fundit “Perëndimi i Evropës” është botuar në vitin 2017. |
| Formacionet zyrtare/ Shqipëria e nis pa Sadikun, ja kush e zë vendin e tij Posted: 02 Sep 2017 08:15 AM PDT Pas 45 minutash në "Elbasan Arena" starton takimi kualifikues i eliminatorëve të Botërorit "Rusi 2018" me Shqipërinë e cila e ka taksative të mundë kundërshtarët më të dobët të grupit, Lihtenshtejnin. Ky takim do të jetë shumë special pasi pas më shumë se 5 viteve e gjysmë në pankinë nuk do të jetë më De Biazi, por një italian tjetër, Christian Panucci. Tekniku mund t'a cilësojë veten pak me fat pasi starton kundër një kundërshtari të lehtë në letër, por nga na tjetër duhet të bëj kujdes pasi fitorja nuk duhet diskutuar. Dy ekipet kanë zbardhur formacionet zyrtare më të cilët do të nisin takimin. Nga kombëtarja kuqezi kishte disa pikëpyetje, por më e rëndësishmja ishte maja e sulmit pasi bomberi i vetëm për këto dy ndeshje, Armando Sadiku, nuk gëzonte një gjendje optimale ku humbi edhe disa stërvitje. Tanimë Christain Panucci ka vendosur përfundimisht dhe futbollisti elbasanas nuk do ta nisë nga fillimi. Vendin e tij do ta zë Azdren Llulaku të cilit sot do t'i duhet të bëj rolin e pykës. Shqipëri-Lihtenshtejn 18:00 Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ajeti, Mavraj, Agolli, Abrashi, Basha, Memushaj, Roshi, Grezda, Llullaku. Trajner: Kristian Panuçi Lihtenshtejni: Jehle, Malin, Kaufman, Gopel, Kuintans, Byshel, Viser, Burgmaier, Hasler, Selanoviç, Frik. Trajner: Rene Poritsh Gjyqtar: Sergej Laposhkin
|
| Droga në Itali, Basha: Projekti i Ramës, PS+drogë+kriminelë+korrupsion Posted: 02 Sep 2017 08:08 AM PDT Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se ngarkesa prej 2.3 tonë drogë e kapur sot në Itali dëshmon të vërtetën e hidhur se, trumbetat e kryeministrit Rama për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. "Ndërkohë, ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti "PS+" i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion", ka thënë Basha. Ai ka theksuar se, kjo faktohet edhe nga promovimi nga kryeministri i Gramoz Ruçit, të cilit që nga viti 2005 qeveria amerikane i refuzon hyrjen në SHBA për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar; si dhe Fatmir Xhafës, i përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar kokaine. "Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë", ka shtuar Basha. |
| Studentes i hedhin gabimisht 1 mln dollarë në llogari dhe ajo i harxhon Posted: 02 Sep 2017 07:45 AM PDT Një studente në një universitet në Afrikën e Jugut, e cila zbuloi në llogarinë e saj një depozitë të gabuar prej 1 milion dollarë në llogarinë e saj të ndihmës financiare. Studentja Sibongile Mani shpenzoi më shumë se 60.000 dollarë para se autoritetet të kuptonin gabimin. Kjo "lajthitje" ndodhi në universitetin Walter Sisulu në krahinën e Kepit Lindor, ku një shumë marramendëse parash u ngarkua aksidentalisht në kartën e debitit të ndihmës financiare të studentes.
Katër zero më shumë u shtuan në depozitën direkte. Autoritetet e universitetit u vunë në dije nga një studente tjetër e cila kishte vënë re shpenzimet marramendëse të studentes. Kompania mori përgjegjësinë e plotë për këtë ngjarje të jashtëzakonshme dhe tha se tashmë po zbatonin politika të reja që një incident i tillë të mos përsëritet më kurrë, ndërkohë që studentja që mori paratë mund të hetohet penalisht. |
| Vendimi i pazakontë në Angli: Një korsi shpejtësie…për këmbësorët Posted: 02 Sep 2017 07:30 AM PDT Një studim i fundit i kryer në Britaninë e Madhe është bërë shkak për një vendim të pazakontë të autoriteteve qeverisëse vendore të Liverpulit. Sipas këtij studimi, 47 përqind e të anketuarve shihnin si gjënë më të mërzitshme dhe më stresuese kur ecnin në trotuare, ecjen e ngadaltë të personave që u rastisnin përballë. Për të reduktuar stresin dhe të për shmangur këtë shqetësim të qytetarëve, Liverpuli ka dalë më një vendim; korsi shpejtësie edhe për këmbësorë. Në qendrën e qytetit, që është edhe zona më e frekuentuar janë vendosur dy korsi për ata që duan të ecin më shpejt. |
| SHIFRAT: Po rritet përdorimi i narkotikëve nga të rinjtë shqiptarë Posted: 02 Sep 2017 07:20 AM PDT Krahas kthimit të Shqipërisë në një vend prodhues dhe trafikues të narkotikëve, paralelisht po konstatohet se numri i përdoruesve të drogave të jashtëligjshme po rritet me shpejtësi në Shqipëri, ku më të rrezikuarit janë të rinjtë. Si po kalohet nga hashashi te drogat më të forta, që në pjesën më të madhe janë përzierje jo cilësore me pasoja të rrezikshme. Kostot që duhet të paguajë shoqëria për trajtimin, frenimin e rritjes së kriminalitetit dhe pasojat e uljes së produktivitetit, ndërsa qendrat e trajtimit të tyre po shkojnë drejt mbylljes prej mungesës së fondeve. Ekspertët ngrenë zërin se faktor për rritjen e prevalencës së përdorueseve po bëhet oferta e lartë në tregun vendas dhe se cilësia tepër e ulët po rrezikon shëndetin e popullatës… Nga Ledina Loga- Monitor Nuk ishte aspak e vështirë të identifikoje që nga larg repartin e toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku në dyert e klinikës ishin përplasur të gjithë përdoruesit e heroinës. Metadoni në qendrën jo-fitimprurëse Aksion Plus kanë përfunduar prej ditësh, ndërsa sasia që duhet të vinte që në qershor po vonon, duke lënë në mëshirë të fatit këtë komunitet, që është i varur nga medikamenti qetësues, duke bërë që t'i drejtohen repartit të toksikologjisë në QSUT. Pacientët kishin filluar të shfaqnin shenjat klinike të mungesës së metadonit, substancë që mban larg heroinës përdoruesit e varur. Toksikologjia në Tiranë, repart që nuk ka më shumë se 20 shtretër, trajton vetëm pacientët, që vijnë në gjendje akute. Në mesin e tyre qëndronte një vajzë e re, nënë e tre fëmijëve, e cila kërkonte dozën e përditshme të metadonit, ndryshe nuk kujdesej dot për fëmijën, që kishte të shtruar në Spital. Te vajza kishte filluar që të shfaqej sindroma e abstinencës. Ashtu me padurim, ajo hyn në zyrën e doktor Alert Drishtit, duke na ndërprerë bisedën dhe si për të konfirmuar pohimet e doktorit lidhur me rritjen e përdoruesve të narkotikëve vitin e fundit. Drishti, doktor në repartin e toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare 'Nënë Tereza', tregon se në ditë të tilla, kur ilaçi mungon, bëhet i vështirë menaxhimi i përdoruesve. Në mungesë të ilaçit ata i rikthehen drogës. Për sa i përket tendencës së rasteve që paraqiten në QSUT, doktor Drishti thotë se ka një rritje të lartë të numrit të përdoruesve të kokainës dhe shton se përgjithësisht motivi që përplas përdoruesit tek ndihma e specializuar është ai ekonomik. "Vijnë kur nuk përballojnë dot më ekonomikisht që të blejnë drogë",- shton doktori. Në të gjithë Shqipërinë numri i personave që marrin trajtim për varësinë nga drogat është 800, prej të cilëve 719 marrin trajtim për varësinë nga heroina, sipas të dhënave nga Aksion Plus. Ndërsa drejtuesit e OJF-së tregojnë se trendi i përdoruesve ka qenë në rritje. Një gram heroinë kushton në tregun e paligjshëm nga 3 deri në 5 mijë lekë. Ndërsa metadoni shpërndahet falas nga OJF-të. Deri para pak kohësh sasia e metadonit sigurohej me fondet që jepte GlobalFund, por duke qenë se Shqipëria nuk është më në listën e vendeve të varfra, ky fond është ndërprerë. Genci Muçollari, drejtues i Aksion Plus, thotë se për të plotësuar nevojën me metadon kërkohet një buxhet vjetor prej 30-45 mijë euro. Sasia e metadonit, që merr çdo shtet përcaktohet nga Komisioni Europian. Alarmi: Në rritje përdoruesit e kokainës jo cilësore Doktor Alert Drishti tregon për "Monitor" se trendi i rritjes së përdoruesve të kokainës është i dukshëm në klinikën e toksikologjisë. Kjo tendencë konfirmohet dhe nga të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, të bërë të ditura pas kërkesës për informacion nga Monitor. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se për periudhën 2011-2015 ka pasur një rritje në përqindje të prevelancës gjatë jetës për pothuajse të gjitha drogat ilegale, nga 13.3 për qind në 15.3 për qind për grup moshën 14-65 vjeç. Shifrat tregojnë se rritjen më të lartë e kanë pasur përdoruesit e heroinës me 2.4 herë, ku prevalenca gjatë jetës është rritur nga 0.7 për qind në 1.7 për qind. Kokaina është droga e dytë që ka pasur rritje të lartë të prevalencës me 2.3 herë nga 2011 ku prevalenca ishte 1.6 për qind në 3.7 për qind në 2015-n. Prevalenca gjatë jetës e kanabisit në 2015-n përllogaritej 6.6 për qind, ndërsa në 2011-n prevalenca e përdorimit gjatë jetës ishte 4.4 për qind. Në "Raportin Vjetor Global Të Drogave" për vitin 2017, publikuar në 23 qershor nga Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), krahas prodhimit dhe trafikimit, raporti jep alarmin se substancat narkotike po përdoren gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë. Në kapitullin "Analiza e tregut të drogave sintetike- stimulantët e tipit amfetaminë, substancat e reja psikoaktive", kur flitet për përdorimin e substancave të reja psikoaktive, raportohet se djemtë shqiptarë, më shumë se vajzat kanë raportuar përdorimin e tyre. Shqipëria rezulton si vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, sipas një harte interaktive po të UNODC. Në hartën, prevalenca vjetore e përdorimit për Shqipërinë ishte 2.5%, për të dhënat që i referohen vitit 2014 dhe për grupmoshat nga 15.64 vjeç (të dhënat janë marrë nga ISHP dhe janë bërë të krahasueshme me shtetet e tjera). Kjo është më e larta nga të gjitha shtetet që raportohen nga UNODC . Pas Shqipërisë, përdorimin më të larë të kokainës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një prevalencë prej 2.3%. Më pas renditen shtetet e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia 2.34%, Anglia dhe Uellsi 2.25%. Spanja është e treta në Europë, me prevalencë 2.2%. Nga shtetet e tjera në botë ka një përdorim të lartë të kokainës në Australi (2.1%), Uruguai (1.8%), Kili (1.73%). Interesant është që Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj, ka një prevalencë të ulët prej 0.7%. Pse po rritet përdorimi Rritja e përdorimit të drogave më të forta lidhet me shtimin vitet e fundit të konsumit të kanabisit, që është faza primare drejt kalimit drejt narkotikëve të tjerë, si kokaina, ose heroina, me çmimet e ulëta, por edhe me lehtësinë e gjetjes së këtyre produkteve. Para gati 1-2 vitesh pati një trend në rritje të personave përdorues të hashashit që kërkonin ndihmë të specializuar në qendrën tonë. "Përdoruesit e hashashit vijnë me dëmtime të karakterit psikiatrik, kanë simptoma të të gjitha sëmundjeve që njeh psikiatria",- shpjegon Drishti. Duhet thënë se hapi i parë për të gjithë përdoruesit është hashashi. Nuk bën dot hapin e dytë pa bërë të parin, shton doktor Drishti. Ndërkohë, që sipas regjistrave në spital, ai thotë se ka një numër në rritje të përdoruesve të kokainës, veçanërisht përdoruesit e tipit eksperimental. "Shenjat klinike na tregojnë që nuk kemi të bëjmë me kokainë. E përziejnë me nga më të ndryshmet",- tregon dr. Drishti. Disa prej shenjave më të shpeshta që hasen të pacientët që drejtohen tek ne janë halucinacionet, takikardia dhe ndjenja e frikës që po vdesim. Fakti se Shqipëria krahasuar me rajonin ka çmimet më të ulëta lidhet drejtpërsëdrejti me cilësinë, e cila është shumë herë më e keqe se rajoni, sipas dr.Drishtit. 1 gramë kokainë blihet tek trafikantët nga 6 deri në 18 mijë lekë. Sipas informacioneve jo zyrtare nga Mjekësia Ligjore, e cila analizon sasitë e kapura, në pjesën më të madhe të rasteve, kokaina përbën vetëm 5% të sasisë, pjesa tjetër është përzierës. Këtë sasi konsumatori e blen për kokainë. Është përllogaritur se 1 në 10 përdorues i drejtohet shërbimit të specializuar. Pra nëse për shërbim të specializuar vetëm në 2016-n përllogariteshin 719 përdorues heroine, numri real është afërsisht 7 mijë përdorues. Kryesisht të rinjtë e fillojnë eksperimentimin me drogat për të kërkuar kënaqësi, pa menduar se do të bëhen të varur, tha Erlind Plaku. Shumë e bëjnë për të qenë pjesë e shoqërisë; të tjerë janë kuriozë për efektet; të tjerë për t'iu shmangur punëve stresuese.
Të rinjtë pjesa më e rrezikuar Çdo fundjavë në Tiranë, paralel me jetën e natës, vihet në lëvizje tregu i jashtëligjshëm i drogave, ku përdorimi i tyre është bërë i zakontë dhe ku grupi më i rrezikuar janë të rinjtë. Të dhënat janë akoma dhe më shqetësuese për të rinjtë, që kanë raportuar përdorim të kanabisit dhe kokainës të paktën një herë në muaj. Shëndeti Publik ka raportuar se prevalenca e përdorueseve të cilët kishin provuar kanabis në muajin e fundit është 4.1%, ndërsa e kokainës 1.4%.
Sipas zotit Toçi pritet një trend në rritje i përdoruesve duke parë edhe tendencën në Europë. Për të parë këtë do të bëhet anketa e familjeve (general population survey) në 2018-2019, e cila realizohet në mënyrë periodike, por që nuk dihet akoma nëse do të sigurohet fondi. Në 2014-n, ai u bë me fondet që dha EMCDDA.
Sipas të dhënave të krahasueshme midis viteve 2011 dhe 2015 nga IShP, për prevalencën e duhanit gjatë jetës ka shënuar një rënie nga 39.7 në 34.9. Nëse në 2011 në 100 individë, 40 raportonin se kishin pirë të paktën një herë ne jetë duhan, ky numër në 2015-n është 35. E kundërta ka ndodhur me përdorimin e drogave, ku për të njëjtën periudhë përdoruesit e kanabisit janë rritur me 1.5 herë, përdoruesit e kokainës janë rritur me më shumë se 2 herë dhe po aq janë rritur edhe përdoruesit e heroinës. Alarmi! Sipas zotit Toçi shqetësues është fakti se nga anketat nëpër shkolla, të cilat bëhen çdo vit, nxënësit raportojnë rritje për hyrjen e drogave të reja, shumë të rrezikshme. Kostot ekonomike të varësisë nga droga Sipas statistikave të vitit 2016, më shumë se gjysma e personave që kanë marrë trajtim në organizatën Aksion Plus janë të papunë, ndërsa gati 20% e tyre kanë deklaruar se punojnë në punë të rastësishme dhe me kohë të pjesshme. Edhe pse mbi gjysma e tyre raporton se janë të papunë, mbi 63% e përdoruesve që kanë kërkuar trajtim për t'u larguar nga varësia kanë një diplomë të arsimit të mesëm dhe të lartë. Sipas psikologut Erlind Plaku është i rëndësishëm trajtimi i vazhdueshëm i tyre. Personat e varur nga droga, duke qenë përdorues aktiv, janë të ekspozuar në rrugë me shitësit e drogës; ndaj injektimit të vazhdueshëm, rrezikut për t'u infektuar me HIV/AIDS dhe Hepatite, si dhe kërkesës për të gjetur para për të blerë drogën, dhe rrezikut për t'u përfshirë në sjellje kriminale. Kosto për trajtimin e të varurve nga heroina për një person përllogaritet të jetë 1 euro në ditë, ndërsa kostot e mos trajtimit të tyre variojnë nga 15-20 euro, po në ditë. Nga të dhënat e qendrës Aksion Plus për trajtim të përditshëm kanë nevojë rreth 500 individë, prej të cilëve 220 në qytetin e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër në rrethe. Sa më shumë zënë, aq më shumë përhapet Shqipëria konsiderohet si një vend prodhues i kanabisit, ndërsa destinacioni kryesor janë vendet fqinje në Ballkanin Perëndimor dhe në BE. Drogat që vijnë nga bima e kanabisit janë ndër drogat më të zakonshme të kapura në Shqipëri. Nga 2012-a, sekuestrimi i kanabisit dhe shkatërrimi i plantacioneve ka qenë në rritje. Duke qenë pjesë e korridorit jugor të rrugës ballkanike, Shqipëria është një vend transit për trafikimin e heroinës. Rrugët kryesore të përdorura janë Turqia-Bullgaria-ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë-Shqipëria dhe Turqia-Bullgaria-Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë-Kosova-Shqipëri. Krahasuar me rajonin Shqipëria ka raportuar sasitë më të larta të drogës së konfiskuar nga policia. Sasia e zënë e kokainës është trefishuar nga 2010 dhe është e para në rajon për sasitë e kapura. Mesatarja e rajonit për vitin 2014 (vit për të cilin disponohen të dhëna të krahasueshme) për kokainën e konfiskuar ishte 3.5 kilogramë, ndërsa sasia e zënë për Shqipërinë ishte 10 kilogramë. Skadon Strategjia Kombëtare e Drogës Sipas ekspertëve duhet punuar më shumë në ndalimin e këtij fenomeni, duke investuar veçanërisht në fushatat e ndërgjegjësimit të grupeve të rrezikuar dhe duke rritur projektet në shkolla në komunitet. Kostot, si ato të trajtimit edhe kostot oportune, si rënia e produktivitetit në punë, rritja e kriminalitetit, financimi i trafikut të drogës, etj., janë shumë herë më të larta. Për ndalimin e këtij fenomeni qeveria shqiptare hartoi strategjinë Kombëtare të Drogës, e cila do të shtrihej në periudhën 2012-2016. Aktualisht nuk ka asnjë projekt apo strategji për menaxhimin e situatës me përdoruesit e drogave, tregun e jashtëligjshëm dhe ndalimin si të kërkesës për drogë ashtu edhe të ofertës, megjithëse qeveria ka njohur në strategjinë e mëparshme rëndësinë e kësaj çështjeje. |
| Gramoz Ruçi, rrufepritësja e Edi Ramës Posted: 02 Sep 2017 07:03 AM PDT Rikthimi i numrit dy të përjetshëm të socialistëve në post publik, ka ndezur debatin rreth të kaluarës së ish-ministrit të brendshëm të qeverisë së fundit të Partisë së Punës. Arsyet që e çuan të shkelë betimin 26-vjecarë, rrugëtimi politikë nga Tepelena, arbitrimi i betejës mes koministëve të vjetër dhe të rinj, dy dorëheqjet për të shpëtuar kryetarët dhe deri te ngjitja në kreun e Kuvendit si pritë e sulmeve të opozitës Nga Luljeta Progni Duhet të ketë një arsye të fortë, që e ka çuar Gramoz Ruçin të thyejë betimin e tij të 26 viteve më parë. Ata që e njohin, në raporte politike apo miqësore e dinë mirë se ai ka refuzuar të marrë poste drejtuese në qeverisjen socialiste, si në kohën e Fatos Nanos, ashtu edhe në qeverinë e parë të Edi Ramës. Kryetari duket e ka "bindur" që këtë shtator të ulet në karrigen e kryetarit të parlamentit për ta drejtuar për katër vite. Me shumë gjasë, Gramoz Ruçi do të ngjitet në atë poltron me të njëjtën përtesë, si miku i tij i kohëve të vjetra, Ilir Meta, kur ngjiti gati i dëshpëruar, shkallët e presidencës. Ishte Ruçi ai që ndikoi apo mori përsipër imponimin e rrugës së Ilir Metës drejt presidencës. Tani po duket kaq i imponuar të mbajë një post, i cili e ka vënë në shënjestër të kundështive nga të gjitha anët. Është krejt normale nëse kthehemi në vitet e para të karrierës së tij politike. Ka qënë ministër i brendshëm në qeverinë e PPSH-së, pak javë pasi u shpall pluralizimi politik. Ka prej atyre që duan ta quajnë ministër i parë i Brendshëm në qeverisjen postkomuniste dhe le ta pranojmë si të tillë. Por, është fakt se Gramoz Ruçi, ishte Sekretar i parë i Komitetit të PPSH-së për Tepelenën në dy vitet e fundit të diktaturës komuniste. Këtu merr argumentin indinjata e grupeve dhe individëve kundër emërimit të tij në krye të parlamentit. Kur Gramoz Ruçi e ka pranuar detyrën e kryetarit të kuvendit, me siguri ka parashikuar se do të sulmohet shumë ashpër nga opozita por më së shumti nga të përndjekurit politik e më shumë akoma nga familjarët e viktimave të 2 prillit 1991. Është pikërisht ky moment i historisë së viteve të para të tranzicionit që e kishte çuar Gramoz Ruçin drejt vendimit për të mos marrë kurrë një detyrë të rëndësishme në drejtimin e shtetit, por për t'u angazhuar veçse në poste partiake në PS. Ishte Ministër i Brendshëm pikërisht atëherë kur ndodhi ngjarja e 2 prillit, ku u vranë në Shkodër 4 të rinj, në protestat antikomuniste. Natyrisht që Gramoz Ruçi ishte i akuzuari i parë për atë krim të rëndë, që edhe pse formalisht u mbyll me një process gjyqësor, mbetet sot e kësaj dite i pazbardhur . Pranvera e vitit 1991, ka qenë një stinë politike e ngarkuar me ngjarje të rëndësishme dhe zhvillime të vrullshme, fill pas dimrit që mbylli kapitullin e fundit të historisë prej pothuajse 5 dekadash të një prej sistemeve më te egra dikatoriale në Evropë. Ishte shpallur pluralizmi politik dhe në një periudhë shumë të shkurtër u realizuan zgjedhjet e para pluraliste për kuvendin e ri, duke mos ju dhënë as kohë e as mundësi aletrantivave të tjera politike, përveç PPSH-së dhe organizatave të kontrolluara prej saj. Rrjedhimisht PPSH fitoi zgjedhjet e para pluraliste të zhvilluara më 31 mars dhe vendi u përfshi nga protestat masive në të gjithë Shqipërinë. Në qeverinë e dalë nga ato zgjedhje ishte ministër edhe Gramoz Ruçi. Ai ishte nisur nga Tepelena drejt kryeqytetit vetëm disa javë më herët për t'u emëruar Ministër i Brendshëm(Sekretar i parë i PPSH-së për Tepelenën në vitin 1989). Gjithçka përkoi me momentin kur udhëheqësi i fundit komunist po bënte përpjekjet e fundit për të reformuar PPSH-në për t'i rezistuar stuhive të rrëzimit të sistemit komunist në vendet e ish – Bashkimit Sovjetik. Ministri i Brendshëm i 2 prillit Gramoz Ruçi ishte 38 vjeç kur u zgjodh nga Ramiz Alia për të mbajtur një ndër detyrat më të rëndësishme, atë të Ministrit të Brendshëm. "Me thënë të drejtën në fillim hezitova për ftesën e Ramiz Alisë, por në fund mendova se këtë detyrë dikush do ta bënte, pra një shqiptar do të ishte ministër i Brendshëm në atë kohë të vështirë të vitit 1991. Kështu vendosa ta pranoj këtë detyrë. Ky fat i mirë apo i keq më ra mua". Fat i mirë apo i keq? Deri më sot, në Shqipëri ngjarjet politike nuk kanë qenë ndonjëherë në dorën e fatit. As në dorën e Zotit, e aq më pak në dorën e shqiptarëve. Megjithëse akuzohet shpesh për ngjarjen e 2 prillit, ende nuk kanë dalë në dritë dokumente qe ta implikojnë Gramoz Ruçin si njeriu që ka lidhje me urdhrin e dhënë për të qëlluar mbi turmat e protestuesve më 2 prill. Kjo ngjarje nuk u zbardh kurrë ashtu si shumë ngjarje të tjera të tranzicionit dhe autorët e vrajses së katër të rinjve shkodranë nuk dihet se ku janë dhe me çfarë merren. Kongresi i 10 i PPSH Ruçi, thotë se nuk është se e njihte udhëheqjen komuniste, madje nuk ia dinte aspak tendencat, sepse vinte nga Tepelena, provinca e largët me kryeqytetin. Por në ato rrëmujë ngjarjesh të vitit 1991, "provinciali" Gramoz Ruçi do të merrte pozicione strategjike për të menaxhuar ngjarje, që do të përcaktonin përfundimisht drejtimin e tranzicionit shqiptar. Pas ministrisë së brendshme, drejtimi i kongresit të 10 të PPSH, ishte prova e rradhës për një ndër karakteret më interesante të politikanëve të rinj të PPSH-së, që Ramiz Alia kishte promovuar në fund të viteve '80. "Unë vija nga një provincë si Tepelena dhe nuk i njihja mirë drejtuesit e partisë. Nuk kisha lidhjet e duhura, nuk njihja as tendencën e tyre." Gjithsesi, rezultati i kongresit të 10-të të PPSH, të cilin Ruçi e drejtoi, ngre dyshime për padijen e tij rreth tipareve të udhëheqjes komuniste. Ai ia doli të orjentojë debatin në atë kongres ashtu siç pritej, apo ishte paracaktuar nga udhëheqësi Ramiz Alia. Beteja mes anëtarëve të plakur të Byrosë politike dhe komunistëve të rinj, që ishin aty për të marrë pushtetin, u duk se po shkonte në skaj. Dëshmitarë të atij kongresi thonë se në tri ditët e debatit pati momente kur në tavolina u shfaqën edhe pistoleta. Përfundimisht, gjithçka shkoi siç duhet. Një ndër sfidat ishte edhe reagimi i 1500 delegatëve kur do të duhej të përjashtohej nga partia e veja e diktatorit. Por Gramoz Ruçi gjeti një strategji për ta shmangur. "Është e vërtetë që nuk hodha në votë Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën. E bëra këtë zgjedhje, pasi unë dyshoja se salla mund të reagonte në atë mënyrë sa Nexhmija të mos përjashtohej dhe Ramiz Alia të përjashtohej. Kështu e gjykova unë në atë kohë dhe duke ju ruajtur këtij rezultati vendosa të mos i përfshij në procedurën e përjashtimit me votë. Në një rast të tillë, vendime të tilla do të kompromentonin të gjitha ndryshimet e rëndësishme që po ndodhnin në atë Kongres. Unë nuk kisha këtë përvojë që kam sot, dhe e treta, sot ne e kemi të qartë nga vijmë, ku jemi dhe ku do vemi. Atëherë kishim të qartë nga vinim, dinim ëndrrën ku donim të shkonim, por nuk e dinim ku ishim dhe situata ishte shumë komplekse…" Gramoz Ruçi arbitroi në podiumin e kongresit të fundit të partisë-shtet, betejën mes komunistëve të rinj e të vjetër. Aty u realizua skenari që do të finalizohej me pastrimin e imazhit të së shkuarës së përgjakshme të PPSH-së. Ndodhi brenda një nate. Në mëngjesin e 12 qershorit, PPSH u gdhi me një emër të ri, Partia Socialiste e Shqipërisë, pa byroistë, pa Nexhmijen, pa Llambi Gegpriftin, pa Vito Kapon, Muho Asllanin, Hekuran Isain, Spiro Kolekën, Adil Çarçanin e të tjerë. Brenda asaj partie, Gramoz Ruçi, Fatos Nano e të tjerë do të nisnin betejën e re përballë Sali Berishës, me të cilin dikur kishin qënë shokë të një ideali. Kishin përballë edhe të tjerë si Edi Rama, publicisti i asaj kohe që kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të partisë së Gramoz Ruçit, si ndëshkim për të shkuarën komuniste. Dy dorëherqje për të shpëtuar kryetarët Gramoz Ruçi mbeti në krye të PS-së si sekretar i përgjithshëm për më shumë se dhjetë vjet. Ishte thuasje në një llogore më Fatos Nanon në të gjithë historinë e konfliktit të brendshëm në PS. Mbeti besnik i kryetarit të partisë në betejën e tij me Ilir Metën. Është me rëndësi momenti kur ai dha dorëheqje në kongresin e vitit 1996. Dorëhqeja e Ruçit, ishte një veprim taktik, që i jepte udhë strategjisë së Fatos Nanos për të larguar kundërshtarët nga drejtimi i partisë. Përmes një letre drejtuar KPD së korrikut 1996, Gramoz Ruçi, përcjell "emocionet" për idealet e partisë dhe arsyet e dorëheqjes për t'i hapur rrugë reformimit. ." … Në situatën e sotme politike e gjykoj të arsyeshme të deklaroj përpara jush e opinionit publik dorëheqjen time nga të gjitha funksionet drejtuese në PS, duke mbetur një shok e mik i përjetshëm i idealeve socialdemokrate evropiane të partisë sonë. Gjej rastin t'ju siguroj ju, anëtarët e simpatizantët e PS, se e gjithë puna ime partiake e shtetërore, ka qenë e pastër si ujët e maleve të Kurveleshit dhe ka qenë i ndershëm si karakateri i pastër shqiptar. Dua të garantoj gjithashtu, se Partisë Socialiste i kam shërbyer me përkushtim, por aktin e dorëheqjes time, si një atribut normal i demokracisë, e bëj për të njëjtën gjë, që ajo të jetë përherë një organizëm i gjallë politiko-shoqëror me program e statut gjithnjë në reformim, se reformimi është proces i vazhdueshëm jo vetëm për partinë tonë, por për të gjithë shoqërinë shqiptare…. Ju lutem të pranoni dorëheqjen time të parevokueshme dhe të më ndjeni e më kuptoni drejt, pa e marrë atë si një tërheqje nga idealet e partisë tonë" .-shkruante Ruçi në aktin e dorëheqjes. Por, shumë shpejt ai hoqi dorë nga dorëheqja. Ngjarjet e vitit 1997 çuan drejt zgjedhjeve të parakohëshme. Ruçi u kthye në PS në postine sekretarit të Përgjithshëm ndërsa PS fitoi zgjedhjet e 29 qershorit të atij viti. Gati dhjetë vite më pas Ruçit do ti duhej të jepte sërish dorëheqeje, por kësaj here për të shpëtuar Edi Ramën. Ishte tetorit i vitit 2005. Një muaj më herët Fatos Nano kishte dhënë dorëhqeje si kryetar i PS-së dhe në garë për ta fituar këtë post ishin Edi Rama dhe Rexhep Meidanin. Gramoz Ruçi deklaroi paraprakisht mbështetjen për Edi Ramën, duke vendosur në njëfarë mënyre përfundimin e garës pa filluar ende. Në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të 13 tetorit 2005, u paraqit për miratim një platformë me ndryshime në statutin e PS-së. Platforma e Ramës, me ndryshimet në statutin e partisë, mori emrin "platforma Ruçi". Në seancën e parë të kongresit, në 8 tetor 2005, u votua për dy platformat. Delegatët e kongresit votuan kundër "platformës Ruçi", dhe situata u vështirësua për kandidatin Rama. Pas rënies së platformës, Gramoz Ruçi dha dorëheqjen, duke marrë përsipër edhe dështimin e kësaj platforme. Në takime dhe negociata të gjata dhe të vështira midis dy grupeve, gjatë gjithë natës, me ndikimin e fortë të Gramoz Ruçit, u vendos të votohej ditën e dytë të kongresit për zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe të sekretarit të përgjithshëm. Atje u zgjodh kryetar i PS-së fitoi Edi Rama, përballë kandidatit Rexhep Meidani. Gramoz Ruçi ka mbajtur gjithmonë vendin e autoritetit të dytë në PS dhe është e gjithëpranuar se gëzon një mbështetje të fortë në elektoratin e PS-së. Nuk e ka përdorur kurrë këtë pushtet kundër kryetarit. Me sa duket Ruçi është i vendosur të qëndrojë aty i dytë, si shtylla kurrizore e PS-së, por duke i shërbyer karriges së kryetarit, cilido që të ulet atje. E ka fituar këtë status që në sfidat e para me të cilat e përballi Ramiz Alia. "Qari dhe zarari" Ngjarjet kanë rrjedhur vrullshëm këto 27 vjet. Sot, Gramoz Ruçi është kryetar i një parlamenti, që mban shumë mbiemra të byrosë politike që janë rithyer në politikë këto dhjete vitet e fundit përmes bijve, nipërve, nuseve e dhëndurëve. Fatos Nano nuk është më në PS. Janë larguar thuajse të gjithë ata intelektualë që iu bashkuan PS-së në vitin 1991,e përmes të cilëve kjo parti ia doli të shfaqej me një imazh të reformuar. Në krye të PS-së së Ruçit është Edi Rama dhe përballë tyre në sallën e Kuvendit është sërish Sali Berisha, por jo më si kryetar i PD-së, por si deputet "i thjeshtë" i saj. Si dikur në vitin 1990, Berisha do të zhvillojë betejën e tij. Në krah të Berishës në opozitë do të jetë Lulzim Basha dhe lista e tij e shumëpërfolur, por shumë larg politikës së zhurmshme që vetëm Berisha di ta bëjë në parlament. Gramoz Ruçi do të jetë në atë podium, si një "rrufepritëse" për çdo sulm që mund t'i vijë brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit. Ndoshta për këtë arsye Ruçi shkeli betimin e tij të hershëm për të mos marrë poste drejtuese. "…unë jam nga ata që nuk i përsëris gabimet", ka thënë Ruçi, në një intervistë të pesë viteve më parë. Kjo përgjigje i përket vlerësimit të tij për një moment të rëndësishëm në historinë e PS-së, debatin e brendshëm në këtë parti që kulmon me mbledhjen e famshme të KPD-së së vitit 2001. Ai merr përsipër provokimin e atij debatiti në KPD dhe thotë se po të kthehet pas në kohë, nuk do ta bënte sërish. "Qari me zararin ishin 50 me 50". Në rrugën e re të Gramoz Ruçit, në krye të Kuvendit të Shqipërisë, nuk dihet mirë sa është qari e sa zarari. (Mapo) |
| Edhe më tej kështu – Kancelarja kandidon edhe njëherë Posted: 02 Sep 2017 06:40 AM PDT Angela Merkeli është programi elektoral i CDU. Ajo do ta drejtojë vendin me pragmatizëm dhe inovacion në të ardhmen – duke përfshirë edhe globalizimin. Në vitin 2015 ajo ishte në presion – por arriti ta marrë kthesën. Ndodhesh i ulur në ndonjë kafene në një nga taracat e çative në kryeqytet – dhe nga qendra e pushtetit para teje ngrihet një helikopter. Kjo tani thuajse ndodh përditë: Angela Merkeli rrugës për në Gjermaninë Jugore, Perëndimore dhe Veriore, shumë shpesh në Lindje. Merkeli në udhëtim në fushatën elektorale. Më shumë se 50 paraqitje në fushatën elektorale do të ketë kryer kryetarja e CDU deri në 24 shtator. Gjithmonë janë disa mijëra dëgjues, para të cilëve flet ajo. Nganjëherë janë disa, në raste të tjera pak qindra prishës të qetësisë nga skena populiste e djathtë ose ekstreme e djathtë. 63-vjeçarja është në qendër të çdo aktiviteti elektoral të CDU-së dhe në qendër të të gjithë fushatës elektorale. Dhe gjithmonë ajo që ka rëndësi – si në 2013 dhe në 2009 dhe më fort se në 2005-ën – është Merkeli vetë. Fushata elektorale e partisë në pushtet është gjithmonë fushatë elektorale e kancelarit. Temë vendimtare kriza e refugjatëve Qendra e pushtetit e Republikës së Berlinit është Zyra Kancelarore. Në këtë mënyrë Merkeli nganjëherë duket si presidente e Gjermanisë. Nga pikëpamja tematike për të ka rëndësi e gjitha. Gjermania. Siguria, roli i Gjermanisë në botë, integrimi i qytetarëve të rinj – e thënë në mënyrë të përgjithësuar – për të ka rëndësi sa mirë ndihen gjermanët në vendin e tyre. Temën e "refugjatëve" ajo nuk e përmend gjithmonë, kur e përmend më tepër në kuadër të perspektivës evropiane. Kjo në një kohë kur viti 2015, me pranimin e qindra-mijëra refugjatëve, mund të thuash që për të qe një vit me rëndësi vendimtare. Si një kancelare helikopteri ulet ajo në fushatë elektorale mbi temat e opozitës, ashtu si i bën të sajat, që prej 2005 si kancelare me sukses dhe në mënyrë pragmatike tema të preferuara të çdo ngjyrimi politik. Dhe Merkeli është me udhëtimet e saj të shumta fizikisht të mundimshme, kryediplomate. Ajo dikur mund të bëhej edhe sekretare e përgjithshme e OKB-së. 2015-a fjala "merkeln" ishte një ndër "fjalët e preferuara të rinisë". Ajo kishte kuptimin "të mos bësh asgjë, të mos marrësh asnjë vendim". Pastaj erdhi vendimi i fuqishëm i Merkelit për pranimin e refugjatëve. Dhe "merkeln" u harrua – me të drejtë. Sepse me emrin e saj janë të lidhura vendosje piketash në çështje bazë dhe të debatueshme të shoqërisë: eleminimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, për shembull, braktisja e energjisë atomike, së fundi vendimi parlamentar i martesës për të gjithë. Këtë javë, ajo tha se "ka krijuar përshtypjen se kjo më tepër ndikoi në paqëtimin e diskutimit shoqëror". Tabloja e përgjithshme Duke pasur parasysh partinë ajo thotë se, "vlerat bazë të CDU-së" kanë mbetur të pandryshuara, "këto janë rrënjët, prej të cilave ne ushqejmë politikën tonë". Kjo përputhet me vështrimin e saj ndaj tablosë së përgjithshme. Kancelarja lejoi që në vitin 2015 dhe sërish në 2017 ta intervistojnë yje të rinj në skenës së youtube-t. Takimet me kulturën e të rinjve janë të detyrueshme. CDU-ja, partia e saj me një moshë mesatare 60 vjeç, e inskenon veten me një "program përmes të cilit mund të kalosh" në një ambjent të të rinjve. Duke u moshuar, Merkeli fiton padyshim një seriozitet të ri, krejt të çlirët, ndaj adoleshentëve. Ajo i nxit ata që të tregohen kureshtarë, të kërkojnë dhe për inovacione. "Tani prapë mendoni: Gjyshja po na tregon për luftën", bën shaka ajo me të rinjtë. Por te ish-shkencëtarja vihet re gëzimi në përcjelljen e ideve dhe në pasjen e një qëndrimi personal. Me to ajo dëshiron të vijë në mandatin e saj të katërt si kancelare e Gjermanisë./DW |
| Posted: 02 Sep 2017 06:30 AM PDT “Unë do të bëhem kancelar”, thotë kandidati i SPD-së, Martin Schulz. A do ta arrijë dot këtë? Në sondazhe CDU-ja e Merkelit është shumë përpara. Kush është ky burrë që e sfidon kancelaren? Viti elektoral 2017 nisi për Martin Schulz-in me një fluturim në lartësi: Schulz u bë kandidat për kancelar i socialdemokratëve, pasi kryetari i SPD, Sigmar Gabriel hoqi dorë – dhe pas kësaj i injektoi “hallës së vjetër SPD” një injeksion të vërtetë adrenaline. Vlerat në sondazhe u ngjitën në qiell, SPD që dukej e mbuluar nga pluhuri, krejt papritur u bë shumë moderne. Mijëra anëtarë të rinj hynë në parti. Demoskopët e shpjeguan këtë me faktin që europolitikani Martin Schulz qe “i pakonsumuar” në politikën e brendshme dhe kjo zgjonte shpresa për ndryshime. Por çfarë karriere ka ky burrë, që i dha krahë SPD-së? Karrierën e tij politike, socialdemokrati 61 vjeçar nuk e bëri në politikën federale, por në Parlamentin Evropian në Strasburg. Në vitin 2012 ai u bë President i tij – një post që përshtatej me të dhe të cilin ai e donte. Vetëm me vështirësi pranoi Schulz-i faktin që nuk qe në gjendje ta zgjaste mandatin e tij edhe përtej janarit 2017. Prandaj ai u orientua nga Berlini, ku SPD po riorganizohej edhe para zgjedhjes së ministrit të Jashtëm, Frank Walter Steinmeier President të Gjermanisë. Me 100 përqind në krye Vërtet që Schulz nuk u bë ministër i Jashtëm – por u bë kandidat për kancelar dhe kryetari i ri i SPD. Atij udhëheqja e partisë i besonte se kishte më shumë aftësi për ta shqetësuar Angela Merkelin. Në fund të fundit, Schulzi nuk ishte anëtar i qeverisë së përbashkët të SPD dhe CDU/CSU. Edhe baza qe entuziaste: një kongres i veçantë partie e zgjodhi Schulzin në mars 2017 me njëqind për qind të votave kryetar të ri të Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD. Jo vetëm fjalimet e tij u pritën mirë, por mbi të gjitha aftësia e tij për të komunikuar me njerëzit, për t’i motivuar. “Unë isha fare përtokë” Një fillim të mbarë në jetën profesionale, Martin Schulzi, që u rrit në qytetin e vogël Würselen pranë Ahenit, e hodhi dëm: në moshën 17 vjeçare ai donte të bëhej patjetër futbollist profesionist dhe për këtë nuk e mbaroi maturën. Për shkak të një plage të rëndë që mori, iu desh të ndahet nga futbolli dhe nisi të pijë. Në fund ai përfundoi në rrugë si alkoolist i papunë, prej ku e tërhoqi i vëllai dhe shokët e partisë. “Dikur kam qenë fare përtokë”, thotë Schulzi vetë për këtë kohë. Pasi e mori veten, ai hapi një librari në Würselen. “Leximi është esenca e jetës sime”, thotë Schulzi që është i martuar dhe ka dy fëmijë. Kur ishte vetëm 31 vjeç ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Würselenit dhe në vitin 1994 hyri në Parlamentin Evropian, President i të cilit u bë në vitin 2012. Por njohuritë e tij të thella në politikën evropiane e ndihmuan Schulzin vetëm pak: profili i tij në politikën e brendshme mbeti për një kohë të gjatë i turbullt. Schulzi përfaqëson “gjithçka, me përjashtim të përmbajtjeve”, talleshin me të kritikët. Më vonë ai paraqiti një program partiak, që ndër të tjera parashikon investime prej miliardash në sistemin arsimor. Por në zgjedhjet në lande, në Landin e Zarës, SPD nuk arriti ta largojë nga pushteti CDU, në Shlesvig-Holshtajn dhe në landin e Rinit Verior -Vestfalisë ai e humbi postin e kryeministrave socialdemokratë të landeve përballë CDU-së. Ndërkohë, vlerat në sondazhe për SPD kanë rënë sërish në nivelin para pranverës – në rreth 20 përqind. Kjo vetëm e nxit Martin Schulzin. Ai ndërkohë sulmon edhe vetë kancelaren: ajo “fluturon” dhe “ka humbur kontaktin me realitetin”, thotë ai. Shumë zgjedhës janë ende të pavendosur – dhe për votat e tyre Schulz do të luftojë deri në fund./DW |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |










































