“Roli i Presidentit në tejkalimin e ngërçit politik” plus 18 more Radio Evropa e Lirë

“Roli i Presidentit në tejkalimin e ngërçit politik” plus 18 more Radio Evropa e Lirë


Roli i Presidentit në tejkalimin e ngërçit politik

Posted: 01 Sep 2017 07:08 AM PDT

Ngërçi politik, i cili ka bllokuar përfundimin e procesit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duhet të zgjidhet nga vet deputetët, por prezenca e një roli aktiv të Presidentit të Kosovës, do të ishte ndihmesë për kapërcimin e situatës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë. Sipas tyre, deri më tash, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka ushtruar një rol të tillë. Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se në mungesë të një konsensusi të subjekteve politike parlamentare, deri më tash, që të gjejnë një zgjidhje që do ta zhbllokonte situatën, përfshirja e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, do t'i kontribuonte shtendosjes së situatës. "Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend duhet të tregohen më të përgjegjshme karshi konstituimit të Kuvendit. Nëse një gjë e tillë nuk po arrihet të bëhet deri më tani, është obligim dhe detyrë e Presidentit, të cilit i përcaktohet edhe me Kushtetutë që të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve, që të ketë një rol më aktiv dhe të tentojë të gjejë një kompromis ndërmjet palëve". Njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Emrush Ujkani, thotë për Radion Evropa e Lirë se pushtet në Kosovë janë të ndara dhe legjislativi i vendit duhet ta zgjidhë vet situatën, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, për të hapur rrugë krijimit të Qeverisë së re. "Vetëm Kuvendi mund ta zgjidhë (situatën), në aspektin edhe kushtetues, problemin. Deputetët kanë mandatin e popullit dhe ata janë sovrani, sepse askush nuk mund t'i zëvendësojë ata në detyrë, për faktin se ata janë zgjedhur nga populli. Natyrisht që roli i Presidentit në këtë drejtim do të mund të ndihmonte, për do të ishte një rol më tepër për të shtendosur raportet ndërmjet partive politike. Por, assesi të ndikonte dhe nuk mund të ndikojë në punën e Kuvendit për të marrë kahe të njëanshme". Por, analisti Krasniqi e konsideron të papranueshme që deri më tash nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e Presidentit të vendit, duke thënë se ai po qëndron indiferent karshi këtij procesi. "Eventualisht, (Presidenti) të kërkojë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin, për të nominuarin për kandidat për kryetar të Kuvendit, pasi që Presidenti ka caktuar datën për thirrjen e seancës konstituive dhe kjo datë e caktuar nga Presidenti, tani nuk po respektohet nga partitë politike. Kështu që në këtë kuptim, besoj që do të mund t'i kontribuonte daljes nga kriza aktuale politike ose nga bllokimi i konstituimit të Kuvendit dhe që eventualisht, që të mund të lehtësojë një dialog ndërmjet partive politike". Analisti Ujkani thekson se roli i Presidenti nënkupton ruajtjen e unitetit të popullit. Por, sipas tij, një pjesë e opozitës së deridjeshme në vend e konteston pozitën e tij dhe rrjedhimisht edhe rolin eventual të tij gjetjen e një zgjidhje për të dalë nga kriza politike. Megjithatë, siç thotë ai, Presidenti i vendit duhet ta kryej obligimin e tij dhe t'i ftojë partitë politike për konsultime. "Është në mandatin e Presidentit që ai ta bëj një veprim të tillë, të iniciojë konsultime të tilla dhe kështu me radhë. Tani, a ka bërë sa duhet dhe a duhet të bëj më tepër? Përjashto faktin që një pjesë e opozitës e konteston figurën e zotit Thaçi si president, megjithatë, unë mendoj që ai duhet të bëj edhe më tepër përpjekje, me të cilat do ta ushtrojë funksionin e vet dhe në njëfarë forme të provojë që vendit t'ia japë një zgjidhje ose që partitë politike të binden që të mos e mbajnë peng vendin". Kriza politike, e cila është produkt i mospërfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, sipas njohësve të Kushtetutës së Kosovës, nuk ka ndonjë zgjidhje kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i gushtit të vitit 2014, i jep të drejtën subjektit politik apo koalicionit parazgjedhore , i cili merr numrin më të madh të ulëse në Kuvend, që ta propozojë kryetarin e legjislativit. Në rastin e tanishëm, propozimin duhet ta bëj koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Deri më tash, koalicioni PAN nuk ka propozuar një kandidat për kryetar të Kuvendit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Koreja e Veriut - Putin paralajmëron për rrezikun e “konfliktit të gjerë”

Posted: 01 Sep 2017 06:11 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se qëndrimi aktual ndaj programeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut çon kah një "konflikt i shkallës së gjerë". Në një artikull të botuar në ueb-faqen e Kremlinit, Putin, në mënyrë jodirekte, kritikoi paralajmërimet e SHBA-së për veprim të mundshëm ushtarak dhe tha se rritja e presionit mbi Phenjanin nuk do ta zgjidhë problemin. Komentet vijnë pasi Koreja e Veriut ka lëshuar këtë javë një raketë mbi Japoni dhe ka kërcënuar ishullin amerikan Guam. Putin tha se kriza mund të zgjidhet vetëm përmes "dialogut të drejtpërdrejtë midis palëve, pa parakushte". "Provokimet, presioni, retorika sulmuese nuk çojnë askund", tha Putin. Koreja e Veriut ka kryer disa prova raketore kohëve të fundit, por të martën ka qenë hera e parë që ajo ka lëshuar mbi Japoni një armë balistike.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shkupi dhe Athina intensifikojnë dialogun

Posted: 01 Sep 2017 05:55 AM PDT

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare konsiderojnë se bisedimet e drejtpërdrejta mes Shkupit dhe Athinës zyrtare, nuk paraqesin kthesa radikale që do të çonin kah zgjidhja e kontestit për çështjen e emrit, megjithëse thonë se marrëdhëniet e ngushta në frymë pozitive mes dy vendeve fqinje, i hapin rrugë zhbllokimit të procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat e aleancës veri-atlantike. Këto komente vijnë pas mesazheve të së enjtes në Shkup nga ana e shefave të diplomacive mes dy vendeve, Nikola Dimitrov të Maqedonisë dhe Nikos Kozias të Greqisë, se janë diskutuar modalitet që do të çonin kah zgjidhja e kontestit të çështjes së emrit. Bekim Kadriu, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se edhe kundrejt faktit të shprehur zyrtarisht nga Athina zyrtare se pa e zgjidhur çështjen e emrit, Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në NATO, duke intensifikuar takimet në një nivel mirëbesimi, ky qëndrim mund të modifikohet duke zhbllokuar procesin e integrimit në strukturat veri-atlantike për Maqedoninë. "Këto kontakte dhe ky vullnet i mirë që ekziston për momentin nga ana e të dyja palëve mund të çojë kah arritja e një kompromisi që do t'i mundësonte Maqedonisë të anëtarësohet në NATO. Për këtë nevojitet pëlqimi i Greqisë ngase anëtarësimi në strukturat veri-atlantike bëhet me konsensus nga ana e të gjitha shteteve anëtare". "Pra mund të bëjë një lëshim Greqia që Maqedonia të anëtarësohet në NATO me referencën e përkohshme, dhe në të njëjtën kohë Maqedonia të premtojë përkatësisht të japë garanci se do të futet në negociatat më të thella lidhur me ndryshimin e emrit dhe zgjidhjes së këtij kontesti që zgjatë tanimë dy dekada", thotë për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kadriu, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës. Mitko Gaxhovski, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e lirë thotë se për dallim nga Qeveria e kaluar është e dukshme angazhimi i Qeverisë së re të Maqedonisë, për të tejkaluar dallimet mes Athinës dhe Shkupit zyrtar rreth kontestit për çështjen e emrit, duke demonstruar gatishmëri për kompromis. Ai, si shumë të rëndësishme e sheh komunikimin e drejtpërdrejtë të shefave të diplomacive të dy vendeve fqinje. "Me qëllim që të absorbohen problemet që kanë për bazë kontestin për çështjen e emrit, nëse ndjekim me vëmendje gjuhën diplomatike është evidente se përmirësohet dukshëm klima e raporteve mes dy vendeve, që çon kah debllokomi i procesit integrues për Maqedoninë". "Kontaktet e drejtpërdrejta mes dy vendeve kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, raporte këto që dukshëm ishin acaruar si rrjedhojë e politikave të Qeverisë së kaluar. Megjithatë, më duhet të theksoj për zgjidhjen problemit që ka Maqedonia me Greqinë, duhet që Maqedonia të pranohet si partner i barabartë nga Greqia", thotë Gaxhovski Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ditë më parë tha se nga negociatori ndërkombëtar për çështjen e emrit Metju Nimic, pret propozime të reja që do të çonin kah një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, ajo maqedonase dhe greke. Përderisa, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare megjithatë theksojnë se për të arritur deri tek pika që dy vendet të arrijnë për çfarëdo ujdie për të tejkaluar kontestin për çështjen e emrit, përpos krijimit të marrëdhënieve të mira diplomatike mes dy vendeve fqinje, nevojitet dhe një angazhim i drejtpërdrejtë i faktorit ndërkombëtar, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vazhdon dhuna në Birmani; gati 400 të vrarë në një javë

Posted: 01 Sep 2017 05:04 AM PDT

Rreth 370 kryengritës Rohingya dhe 13 forca të sigurisë kanë vdekur në luftimet që kanë përfshirë pjesën veriperëndimore të Birmanisë, javën e fundit, bëri të ditur ushtria e këtij vendi. Kombet e Bashkuara, në anën tjetër, njoftuan për rreth 40,000 myslimanë Rohingya që kanë kaluar kufirin nga Birmania në Bangladesh. Dhuna ka shpërthyer pasi kryengritësit Rohingya kanë sulmuar disa stacione policore të premten e kaluar, duke nxitur më pas reagimin e ushtrisë birmaneze. Ushtria thotë se po kryen operacione pastrimi kundër "terroristëve ekstremistë" dhe se forcat e sigurisë janë udhëzuar të mbrojnë civilët. Por, myslimanët që kanë ikur në Bangladesh, thonë se janë detyruar të largohen për shkak të vrasjeve dhe zjarrvënieve. Kryengritësit Rohingya janë shfaqur për herë të parë në tetor të vitit 2016, kur kanë kryer sulme të ngjashme kundër policisë. Edhe atëherë ka pasur ikje masive të myslimanëve. Trajtimi i 1.1 milion myslimanëve Rohingya është sfida më e madhe me të cilën po përballet udhëheqësja kombëtare, Aung San Suu Kyi. Disa kritikë perëndimorë thonë se Suu Kyi nuk e ka mbështetur këtë pakicë, e cila për kohë të gjatë ankohet për persekutim.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE kërkon formimin e institucioneve në Kosovë “sa më parë”

Posted: 01 Sep 2017 04:42 AM PDT

Bashkimi Evropian, përmes zëdhënëses Maja Kocijançiq, u bëri thirrje të gjitha partive parlamentare të Kosovës të veprojnë me përgjegjësi dhe të formojnë Kuvendin, të zgjedhin kryetarin e tij dhe të krijojnë qeverinë "sa më parë që të jetë e mundur". "Kosova nuk ka kohë për të humbur. Qeveria e re duhet të punojë drejt reformave që lidhen me sundimin e ligjit, ekonominë, të sigurojë liberalizimin e vizave, të luajë rolin e saj në rajon dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian", tha Kocijançiq për gazetarët në Bruksel. "Të gjitha këto janë kërkesa thelbësore për Kosovën për të përparuar në agjendën e saj evropiane", shtoi Kocijançiq. Kosova nuk ka arritur ende të krijojë institucionet e reja pas zgjedhjeve paralmentare të 11 qershorit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Qytetarët e mashtruar nga tregtarët

Posted: 01 Sep 2017 04:07 AM PDT

Qytetarë dhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit thonë se shumë nga kompanitë tregtare në Kosovë po bëjnë marketing të rrejshëm. Zbritje çmimesh në përqindje të ndryshme, duken në reklamat gati në shumicën e dyqaneve, varësisht se çfarë produktesh shesin, por që sipas disa qytetarëve kjo nuk del të jetë reale në të shumtën e rasteve. Adem Sylejmani një qytetar nga Prishtina thotë se këto reklama bëhen vetëm për përfitime të tregtarëve dhe jo se ka zbritje të produkteve. "Këto nuk janë të vërteta, ata për vete po dinë t'i rregullojnë, ndërsa neve po na mashtrojnë", thotë ai. Ngjashëm shprehet edhe Suzana. "Po nëpër dyqane shkruhet apo reklamohet se kanë zbritje deri në 50 apo 70 për qind, por jo çdo herë është e vërtet në veçanti në dyqanet ushqimore", thotë ajo. Edhe Hamdiu një qytetar tjetër, mendon se këto reklama bëhen nga dyqanet për të shitur produktet e tyre. "Reklamat që ata po bëjnë neper shitore apo edhe fletushkat që po i shpërndajnë janë gënjeshtra. Qytetarët kur shohin këto reklama shkojnë në ato markete dhe blejnë diçka dhe bizneset përfitojnë". Ndryshe, sipas Ligjit për mbrojtje të konsumatorit në Kosovë, konsiderohet mashtruese dhe dënohet në qoftë se një kompani bën një reklamë e cila përmban informata të pasakta, dhe rrjedhimisht ka mundësi të mashtrojë konsumatorin e rëndomtë. Megjithatë, një Ligji i tillë sipas përfaqësuesit të Organizatës Joqeveritare Konsumatori, Selatin Kaçaniku nuk respektohet dhe qytetarët vazhdojnë të mashtrohen nga tregtarët. "Nëse po në këtë momente aktivizohet televizori do të ketë reklama mashtruese të shitjeve online. Thuhet se oferta është e kufizuar derisa reklama jepet rreth 100 herë. Afër 90 për qind e reklamave që jepen, qoftë me mediume elektronike apo të shkruara, janë mashtruese. Ata në një mënyrë mashtrojnë lajthitin haptas dhe pa nevojë apo në mënyrë jo të ndershme qytetarin konsumator", thotë Kaçaniku. Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve thonë se reklamat e bizneseve më shumë bëhen për të nxitur qytetarët që të vizitojnë dyqanet e tyre dhe jo për të mashtruar. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë se marketing i bizneseve bëhet për të informuar qytetarët dhe se nuk bëhet marketing mashtrues. "Duke u nisur nga aspekti i bizneseve dhe perceptimet e tyre në asnjë formë nuk ka marketing mashtrues, por që ka marketing dhe në atë marketing marrin pjesë pak produkte në formë të aksioneve në krahasim me reklamimin, gjë që në marketing gjërat janë të lejueshme dhe kjo shpesh e nxit interesimin e konsumatorit për të shkuar për të blerë gjëra të ndryshme", thotë ai. Por, gjithsesi Shahini shton qytetarët kur mendojnë se janë të mashtruar nga tregtarët, në raste të tilla kanë të drejtën e tyre që të ankohen. "Unë ftoj konsumatorët që ata ta mbrojnë të drejtën e vet dhe të ankohen sipas ligjit, ndërsa bizneset i ftojë që sa më shumë të bëjnë marketing të drejt se vetëm me këtë arrijnë të rrisin shitjen dhe produktivitetin e vet", shton Shahini. Gjobat për ato kompanitë të cilët identifikohen se kanë bërë reklama mashtruese, sipas Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit janë prej një mijë euro deri në tre mijë euro.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Brnabiq: Çdo dialog është i shkëlqyeshëm

Posted: 01 Sep 2017 03:34 AM PDT

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se "çdo dialog është i shkëlqyeshëm" dhe se Serbia, në takim me Kosovën në Bruksel, ka hyrë me vizione dhe siguri të reja. Në këtë kontekst, ajo tha se nisma e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të nisur dialogun e brendshëm për Kosovën është veprim i guximshëm dhe i përgjegjshëm. "Mendoj se kjo nismë është përshëndetur në Bruksel", tha Brnabiq për Radio-Televizionin e Serbisë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë. Brnabiq përsëriti se qëndrueshmëria rajonale është një nga prioritetet e Qeverisë së Serbisë, sepse pa të "nuk ka prosperitet afatgjatë". Pas takimit të enjten në Bruksel me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se janë hapur bisedimet për marrëdhëniet afatgjata të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tensione të reja diplomatike midis SHBA-së dhe Rusisë

Posted: 01 Sep 2017 02:56 AM PDT

Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar mbylljen e konsullatës ruse në San Francisko, duke rritur tutje tensionet diplomatike që kanë pasuar urdhrin e Moskës për zvogëlim të mprehtë të personelit diplomatik të SHBA-së në Rusi. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se dy ndërtesa të tjera diplomatike në Uashington dhe Nju Jork, të shfrytëzuara si anekse të tregtisë, duhet të mbyllen. "Në frymën e barazisë, që kanë nxitur rusët, kërkojmë nga Qeveria e Rusisë të mbyllë konsullatën e saj të përgjithshme në San Francisko, një aneks kancelar në Uashington dhe një aneks konsullor në Nju Jork", thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit. "Këto mbyllje duhet të përfundojnë deri më 2 shtator", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. Muajin e kaluar, Rusia ka urdhëruar që SHBA-ja të zvogëlojë stafin e saj diplomatik në këtë vend nga 775 veta në 455. Zyrtarët rusë kanë përmendur si arsye ligjin e ri të sanksioneve, të miratuar nga Kongresi amerikan. "Ne besojmë se ky veprim ka qenë i pajustifikuar dhe i dëmshëm për marrëdhëniet e përgjithshme midis dy vendeve tona", ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit. Mbyllja e objektit diplomatik në San Francisko do ta lërë Rusinë me ambasadën kryesore në Uashington dhe me tre poste të tjera konsullore në SHBA: në Sietëll, në Hjuston dhe në Nju Jork Siti. Përveç ambasadës në Moskë, SHBA ka edhe tre poste të tjera diplomatike në Rusi: në Shën Petersburg, në Jekaterinburg dhe në Vlladivostok. "Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin veprime të mëtejshme, sipas nevojës", ka paralajmëruar Departamenti i Shtetit. Urdhri për të mbyllur objektin në San Francikso reflekton marrëdhëniet e tensionuara midis Moskës dhe Uashingtonit. Zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-së është mirëpritur në Moskë, ku shumë zyrtarë kanë parashikuar lidhje më të ngrohta – diçka që edhe vetë Trump e ka kërkuar vazhdimisht. Megjithatë, ky optimizëm është zbehur, pasi administrata Trump nuk ka bërë ndonjë gjest konkret pajtimi që ka kërkuar Moska. Më e rëndësishmja midis këtyre kërkesave ka qenë kthimi i dy komplekseve diplomatike ruse në Merillend dhe Llong Ajllënd, mbyllja e të cilave është urdhëruar nga paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, në muajin dhjetor. Obama ka thënë se ky veprim ka qenë hakmarrje për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Zyrtarët amerikanë kanë dyshuar se objektet janë përdorur për mbledhje të inteligjencës. Obama po ashtu ka urdhëruar dëbimin e 35 diplomatëve rusë. Në muajin korrik, pasi është bërë e qartë se Uashingtoni nuk synon t'i kthejë ato objekte, Rusia ka konfiskuar një pronë rurale në Moskë, e përdorur me vite nga diplomatët amerikanë, së bashku me një depo. Raportet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet në SHBA e kanë ndjekur Trumpin prejse ka marrë detyrën në muajin janar. Katër komitete të Kongresit janë duke hetuar ose këtë ndërhyrje të dyshuar, ose ndërveprimet midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë. FBI po ashtu është duke i hetuar këto ndërveprime. Pas urdhrit për mbylljen e konsullatës ruse në San Francisko, Ministria e Jashtme e Rusisë ka shprehur keqardhje për, siç ka thënë, përshkallëzimin e tensioneve dhe ka shtuar se përgjigjja e saj do të komunikohet. Përgatiti: Valona Tela

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Besllani i Rusisë kujton përvjetorin e sulmit në shkollë

Posted: 01 Sep 2017 02:47 AM PDT

Qyteti Besllan i Rusisë ka nisur tre ditët e zisë, për të shënuar 13-vjetorin e pengmarrjes në një shkollë, që ka përfunduar me 334 njerëz të vrarë, në mesin e tyre 186 fëmijë. Ceremonia ka nisur të premten, më rënien e ziles në rrënojat e Shkollës Numër 1 në Besllan, në rajonin e Osetisë Veriore. Njerëzit kanë sjellë lule, qirinj dhe shishe me ujë, në shenjë kujtimi për viktimat që janë mbajtur dy ditë, gati pa ujë. Militantët kanë sulmuar shkollën më 1 shtator të vitit 2004, duke marrë peng rreth 1,200 fëmijë, prindër, mësimdhënës dhe staf. Shumica e pengjeve që kanë vdekur, janë vrarë pasi kanë ndërhyrë forcat ruse të sigurisë, më 3 shtator. Në muajin prill, Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut ka konstatuar se Rusia duhet të paguajë afro tre milionë euro për të afërmit e viktimave në Besllan, duke thënë se autoritetet ruse kanë dështuar të mbrojnë nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hyn në fuqi Marrëveshja e Asociimit midis Ukrainës e BE-së

Posted: 01 Sep 2017 02:14 AM PDT

Marrëveshja e Asociimit që forcon lidhjet midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, ka hyrë në fuqi sot, duke i dhënë fund dramës politike rreth saj. Në vitin 2013, ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, ka hequr dorë nga kjo marrëveshje, duke nxitur protesta në rrugë, të cilat kanë çuar më pas në rrëzimin e tij nga pushteti. Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, përmes një postimi në Facebook, tha se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Asociimit konfirmon të ardhmen që ka zgjedhur populli ukrainas në Revolucionin e Dinjitetit. Poroshenko e ka nënshkruar këtë marrëveshje në qershor të vitit 2014.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Marinsat ndihmojnë të prekurit nga përmbytjet në Teksas

Posted: 01 Sep 2017 01:52 AM PDT

Një njësi e marinsave amerikanë, më 31 gusht, ka përdorur makina amfibe për të lëvizur nëpër rrugët e përmbytura në Arthur të Teksasit, me qëllim që të ndihmojnë personat e prekur nga stuhia Harvey. Më shumë se 40 persona thuhet se kanë humbur jetën dhe rreth një milion të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre, si pasojë e stuhisë Harvey. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Iran: 11 vajza vdesin në një aksident trafiku

Posted: 01 Sep 2017 01:22 AM PDT

Njëmbëdhjetë nxënëse shkolle kanë humbur jetën në një aksident trafiku në qytetin Shiraz të Iranit. Shoferi i autobusit, me të cilin udhëtonin 45 vajza, ka vdekur po ashtu. Të plagosurat, disa prej tyre në gjendje kritike, janë dërguar në spitale. Sipas disa njoftimeve, vajzat, kryesisht të moshës së shkollës së mesme, kanë qenë duke udhëtuar drejt një konference kombëtare të studentëve të talentuar në Shiraz. Irani është në mesin e vendeve me numrin më të madh të aksidenteve në trafik. Rreth 17,000 vdekje në komunikacion raportohen çdo vit. Për to shpesh fajësohen ngasjet e pakujdesshme, automjetet e pasigurta dhe shërbimet joadekuate të emergjencës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA ndalon ndihmat ushtarake për Pakistanin

Posted: 31 Aug 2017 11:33 PM PDT

Shtetet e Bashkuara nuk do t'i paguajnë Pakistanit ndihmën ushtarake prej 255 milionë dollarësh, derisa Pakistani të shkatërrojë, siç ka thënë presidenti Donald Trump, "strehat e sigurta" të grupeve militante. Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit thanë se fondet nuk do të shpërndahen derisa SHBA-ja të shohë se Pakistani po ndërmerr hapa kundër talibanëve afganë dhe grupeve të tjera, si rrjeti Hakani. Pakistani mohon se strehon terroristë dhe thotë se SHBA-ja po e shfrytëzon Islamabadin si "dash kurbani" për luftën e saj të dështuar në Afganistan. Duke prezantuar strategjinë e re për Afganistanin, javën e kaluar, Trump ka thënë se SHBA i ka paguar Pakistanit miliarda dollarë, ndërsa "Pakistani ka strehuar terroristë". "Kjo duhet të ndryshojë", ka thënë Trump.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mesazhe paqeje e tolerance për Kurban Bajram

Posted: 31 Aug 2017 10:57 PM PDT

Besimtarët myslimanë festën e Kurban Bajramit në Kosovës e kanë nisur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës "Sulltan Mehmed Fatih", ku kanë bërë faljen e namazit të Bajramit. Drejtues të Medresesë "Alaudin" në Prishtinë dhe kryeimam kanë adresuar mesazhe urues me rastin e kësaj feste. Festa e Kurban Bajrami është një nga festat më të shënuara për botën islame që shënon dhe fundin e ritit të haxhillëkut i konsideruar si proces bindjeje, paqeje dhe sakrifice. Simbolikë tjetër e kësaj feste është therja e kubanëve dhe dhuratat ndaj të varfërve. Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora në mesazhin e Kurban Bajramit tha se sot me tepër se kurrë bota ka nevoje për paqe dhe harmoni. Ai ka ftuar dhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës që të punojnë më shumë për fuqizimin e shtetësisë. "Nga ky vend i bekuar i ftoj të gjithë udhëheqësit tanë politike dhe qytetarët e Republikës se Kosovës që të punojnë dhe kontribuojnë edhe më shumë për ndërtimin dhe fuqizimin e mëtejmë të vendit tonë. Kontributi ynë për ndërtimin e një shteti funksional ku do të respektohet e drejta e çdo individi është amanet mbi amanetet dhe është detyrë e shenjtë", tha Bajgora. Në xhamin e madhe në Prishtinë, në ligjëratën e tij, për fenë dhe festën e Kurban Bajramit, Jakup Çunaku, drejtor i Medresesë "Alaudin" në Prishtinë, tha se qytetarët në Kosovës në këtë ditë feste duhet të tregohen solidar për familjet në nevojë.  "Ju sot përmes sakrificës tuaj që do të bëni, do të mundësoni që festën e Kurban Bajramit ta gëzojnë edhe jetimët, skamnorët njerëzit në nevojë, sepse vetëm kështu i shtohet kuptimi kësaj feste të shenjtë. Dobitë e fesë janë të panumëruara dhe njëra nga to është vlera e përmendjes së Zotit", tha Çunaku. Me rastin e festës së Kurban Bajramit, besimtarët islamë i kanë uruar edhe udhëheqësit e institucioneve më të larta dhe ata të partive politike. Në urimin për këtë festë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se "kjo festë e solidarizimit, humanizmit dhe bashkimit të qytetarëve, uroj që të sjellë sa më shumë gëzime, mirëkuptim dhe harmoni në familjet tuaja",ka shkruar Thaçi në faqen e tij në rrjetin social Facebook. Ai ka shkruar po ashtu se "Kosova dhe qytetarët e saj krenohen me tolerancën ndërfetare dhe vlerat tjera që po kultivohen në shoqëri". Kurse, kryeministri i Republikës së Kosovës në largim Isa Mustafa, me rastin e festes ka uruar besimtarët myslimanë dhe Bashkësinë Islame të Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ai ka thënë se "Festa e Kurban Bajramit e gjen shoqërinë tonë në përpjekje e sipër për të zhvilluar e forcuar rrugëtimin tonë, për zhvillim, paqe dhe integrime euroatlantike, tashmë të dëshmuar si të drejtë e të dobishëm për vendin tonë dhe qytetarët tanë", thuhet në mesazhin e kryministrit Mustafa duke vazhduar se "Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë pandalshëm angazhimin për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave të dëshmuara për të mirën e lirisë, barazisë dhe tolerancës për të gjithë qytetarët e Kosovës".  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Komandanti amerikan: Lideri i IS-it me gjasë është gjallë

Posted: 31 Aug 2017 10:56 PM PDT

Një komandant i ushtrisë amerikane tha se lideri i grupit militant Shteti Islamik është me gjasë gjallë dhe se fshihet në luginën e Lumit Eufrat, midis Irakut dhe Sirisë. "Po e kërkojmë çdo ditë. Nuk mendoj se është i vdekur", tha gjenerali Stephen Townsend, komandant i koalicionit kundër Shtetit Islamik. Lideri i grupit ekstremist, Abu Bakr al-Baghdadi, është raportuar disa herë i vrarë. Në muajin qershor, ushtria ruse ka thënë se ai mund të jetë vrarë në një sulm ajror në Siri. Komandanti amerikan, Townsend, tha se nuk ka parë "prova bindëse" për vdekjen e tij. "Kemi po ashtu disa tregues në kanalet e inteligjencës se ai është ende gjallë", tha Townsend.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Festohet Kurban Bajrami

Posted: 31 Aug 2017 10:48 PM PDT

Besimtarët myslimanë po festojnë sot Kurban Bajramin, festën e sakrificës. Në xhaminë "Sulltan Mehmet Fatih" në Prishtinë, qindra besimtarë morën pjesën në faljen e namazit të Kurban Bajramit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shtëpia e Bardhë do të kërkojë ndihmë për Teksasin

Posted: 31 Aug 2017 10:18 PM PDT

Shtëpia e Bardhë tha se do të kërkojë fonde emergjente nga Kongresi, për të ndihmuar rindërtimin e Teksasit dhe të Luizianës nga uragani Harvey. Tom Bossert, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Donald Trump, nuk e specifikoi shumën që do të kërkohet, por, sipas vlerësimeve, bëhet fjalë për miliarda dollarë. Bossert vetëm tha se rreth 100,000 shtëpi janë prekur nga uragani shkatërrues. Harvey ka zbarkuar në Teksas një javë më parë, si uragan i kategorisë 4, përpara se të shndërrohej në stuhi. Shirat e furishëm kanë përmbytur pjesën më të madhe të qytetit Hjuston dhe zona të tjera. Së paku 39 njerëz kanë vdekur gjatë uraganit dhe pas tij. Lexoni edhe këtë: Uragani Harvey: Dy shpërthime në një uzinë kimike

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Myslimanët festojnë Kurban Bajramin

Posted: 31 Aug 2017 10:08 PM PDT

Myslimanët anembanë botës festojnë sot festën e Kurban Bajramit, e cila pason Haxhin, pelegrinazhin vjetor në Mekë. Festa katërditëshe, e njohur edhe si Festa e Sakrificës, është njëra prej dy më të rëndësishmeve të fesë islame. Ajo përkujton gatishmërinë e Profetit Ibrahim për të sakrifikuar djalin e tij te Zoti. Gjatë festës, tani është traditë që besimtarët të sakrifikojnë një kafshë.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Britania thërret në bisedë ambasadorin e Koresë Veriore

Posted: 31 Aug 2017 10:00 AM PDT

Britania ka njoftuar se ka thirrur në bisedë ambasadorin e Koresë së Veriut, për të dënuar lansimin e raketës balistike mbi Japoni, më herët gjatë kësaj jave. Më herët gjatë ditës, kryeministrja britanike, Theresa May dhe homologu i saj japonez janë pajtuar që të punojnë së bashku, për tu përballur me kërcënimin që paraqet Koreja e Veriut. "E kemi thirrur në bisedë ambasadorin e Koresë së Veriut në Ministrinë e Jashmte dhe e kemi bërë të qartë se sa fuqishëm Britania e dënon lansmin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi mbi Japoni", ka thënë përmes një deklarate,ministri britanik për Azi dhe Paqësor, Mark Field. "Veprimet e pamatura të Koresë së Veriut, shkelin një varg rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kërcënojnë sigurinë botërore… I bëj thirrje regjimit, që t'i jap fund përpjekjeve për raketa bërthamore dhe balistike dhe t'i kthehet dialogut me komunitetin ndërkombëtar", ka thënë Field.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now