“Qeveria e Kosovës shkarkon Komisionin për shënjimin e kufirit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Qeveria e Kosovës shkarkon Komisionin për shënjimin e kufirit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Qeveria e Kosovës shkarkon Komisionin për shënjimin e kufirit

Posted: 11 Sep 2017 10:12 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot mbledhjen e parë me kabinetin e tij qeveritar. Ai ka theksuar se programi qeverisës do t'i dorëzohet Kuvendit të Kosovës, brenda pak ditësh. "Orientimi im është që, të hënën që do të vjen, t'i dorëzojmë parlamentit të vendit, popullit të Kosovës dhe të gjithëve, programin qeverisës", ka thënë Haradinaj. Ai, gjithashtu ka bërë edhe propozimin e parë për kabinetin qeveritar, propozim ky për shkarkimin e përbërjes së Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror. "Ky komision, edhe ashtu e ka pasur afatin e skaduar. Është dashur të krijohet një komision i ri. Unë sot jam konsultuar edhe me partnerët politik. I propozoj qeverisë shkarkimin e këtij komisioni, sot. Njëkohësisht edhe ta votojmë komisionin e ardhshëm, por atëherë kur ta kemi të gatshëm. Ju njoftoj se i kam kërkuar dhe besuar udhëheqjen e këtij komisioni, profesor Shpëtim Bulliqit, i cili do ta merrte përsipër që ta krijuar një komision", ka thënë kryeministri Haradinaj. Kabineti qeveritar kanë votuar propozimin e kryeministrit Haradinaj dhe ka marrë vendimin për shkarkimin e këtij komisioni.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump: Tmerri i 11 shtatorit është ngulitur në kujtesën tonë kombëtare

Posted: 11 Sep 2017 08:55 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbajtur një minutë heshtje në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, me rastin e 16-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001. Afro 3,000 njerëz janë vrarë pasi rrëmbyesit kanë përplasur katër aeroplanë komercialë në Qendrën Botërore të Tregtisë, në Pentagon dhe në një fushë në Pensilvani. Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, kanë mbajtur një minutë heshtje në orën 8:46, për të shënuar momentin kur aeroplani i parë është përplasur për Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Presidenti mori pjesë edhe në një ceremoni në Pentagon. "Tmerri dhe ankthi i asaj dite të errët është ngulitur përgjithmonë në kujtesën tonë kombëtare". "Vlerat tona do të rezistojnë, njerëzit tanë do të përparojnë, kombi ynë do të mbizotërojë dhe kujtesa për të dashurit tanë nuk do të vdesë kurrë", tha Trump në ceremoninë në Pentagon. Sulmet e 11 shtatorit, më vdekjeprurëset në tokën amerikane, kanë bërë që Shtetet e Bashkuara të pushtojnë Afganistanin dhe më vonë Irakun.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB: Në Mianmar po bëhet spastrim etnik i myslimanëve

Posted: 11 Sep 2017 08:24 AM PDT

Operacioni kundër myslimanëve Rohingya në Mianmar është shembull i "spastrimit etnik", tha komisionari për të drejta të njeriut i Kombeve të Bashkuara, Zeid Raad Al Hussein. Ai u bëri thirrje autoriteteve në Mianmar të ndalojnë, siç tha, operacionin mizor ushtarak në shtetin e Rakhines. Mbi 300,000 myslimanë Rohingya kanë ikur në Banladesh, që nga shpërthimi i dhunës në Minamar, në fund të muajit të kaluar. Refugjatët akuzojnë forcat e sigurisë në Mianmar dhe turmat budiste për djegien e fshatrave të tyre. Qeveria thotë se forcat e sigurisë janë duke iu përgjigjur një sulmi të militantëve Rohingya kundër postblloqeve policore, që ka ndodhur më 25 gusht. Zeid tha se situata në Rakhine nuk mund të vlerësohet plotësisht, sepse Mianmari u ka refuzuar qasjen hestuesve të të drejtave të njeriut, por, shtoi Zeid, "raporte të shumta dhe imazhe satelitore tregojnë forcat e sigurisë dhe milicitë lokale duke i djegur fshatrat e myslimanëve dhe duke qëlluar civilët që ikin". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vriten 10 policë egjiptianë në një sulm të IS-it

Posted: 11 Sep 2017 07:39 AM PDT

Së paku 10 policë egjiptianë janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur, sot në një sulm, që thuhet të jetë kryer nga grupi militant ekstremist, Shteti Islamik, ndaj një kordoni të sigurisë policore në gadishullin e Sinait. Autoritetet egjiptiane kanë thënë se sulmuesit kishin shpërthyer një pajisje të improvizuar të eksplozivit dhe kishin shkatërruar disa makina të blinduara. Kur beteja me armë ka shpërthyer, agresorët kanë sulmuar punonjësit e ndihmës së shpejtë, duke plagosur katër prej tyre. Në një deklaratë të postuar në agjencinë e lajmeve Amaq, ISIS ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Sulmi ka ndodhur në pjesën jugore të gadishullit të Sinait, që është në kufi me Rripin e Gazës. Që nga viti 2013, ushtarë të ISIS-it kanë vrarë qindra ushtarë dhe policë në këtë rajon, kur ushtria rrëzoi presidentin ilsamik, Muhammad Morsi, pas një proteste masive kundër sundimit të tij.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Emërimet në krye të Supremes dhe Apelit presin dekretin e Presidentit 

Posted: 11 Sep 2017 07:26 AM PDT

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nuk i ka përfillur ende rekomandimet dhe shqetësimet e shprehura të përfaqësuesve ndërkombëtar, rreth mënyrës së emërimit të kryetarit të Gjykatës se Apelit dhe atij të Gjykatës Supreme të Kosovës. Në fund të muajit të kaluar, Ambasada e Mbretërisë se Bashkuar, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,pastaj Zyra e Bashkimit Evropian dhe misioni i EULEX-it, patën reaguar ndaj këtyre emërimeve, pasi që ato i kishte anuluar paraprakisht Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke u thirrur në mosrespektimin e procedurave. Këshilli Gjyqësor i Kosovës në muajin janar të këtij viti, kishte emëruar kryetar të Gjykatës se Apelit, Hasan Shalën. Kurse në muajin mars, ky Këshill emëroi Enver Pecin në postin e kryetari të Gjykatës Supreme të Kosovës. Ndërkohë, dy kandidatet për këto pozita, Valdete Daka dhe Tonka Berisha, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo Gjykatë, në muajin qershor, po të këtij viti konstatoi se në këtë rast Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk i kishte parashikuar masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e mjaftueshëm të parimeve të barazisë dhe transparencës. Mirëpo, pavarësisht aktgjykimit të Kushtetueses, më 9 gusht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka riemëruar të njëjtit persona për kryetar, përkatësisht Hasan Shalën, kryetar të Gjykatës së Apelit dhe Enver Pecin, kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës. Ky riemërim pati nxitur më pas reagimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë të cilët kërkuan që procesi të jetë i drejtë dhe transparent. Megjithatë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha për Radion Evropa e Lirë se tash për tash nuk ka ndonjë ndryshim, ngase pavarësisht reagimeve, sipas tij, Këshilli Gjyqësor i ka respektuar rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.  "Këshilli ka vendosur për emërimin e këtyre personave dhe sipas nesh nuk ka ndonjë shkelje të Kushtetutës", është përgjigjur shkurt Idrizi. Ndërkaq, Enver Peci i emëruar në pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se nuk i komenton reagimet ndërkombëtare, por se emërimi i tij është bërë nga Këshilli Gjyqësor. "Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas Kushtetutës, është propozues për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, ndërsa Presidenti i shtetit e emëron. Këshilli Gjyqësor më ka propozuar, kurse çështja ka mbetur tek Presidenti për emërim, për dekretim", tha Peci. Në anën tjetër në një përgjigje më shkrim nga zyra për informim e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se kjo gjykatë ka pranuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftimin për zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës. "Me po të njëjtën shkresë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka informuar Gjykatën edhe përkitazi me mbajtjen e procesit të ri të votimit për kryetar të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës së Apelit, në përputhje me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese", thuhet në përgjigje.  Sidoqoftë, në reagimet e shprehura të përfaqësuesve ndërkombëtarë thuhet se "shqetësimet e tyre kanë të bëjnë me procesin e përzgjedhjes, por jo edhe me emrat e kandidatëve".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedoni: Opozita thërret në interpelancë gjashtë ministra

Posted: 11 Sep 2017 06:01 AM PDT

Njohësit e çështjeve politike, duke komentuar thirrjen në interpelanca të gjashtë ministrave të Qeverisë së Maqedonisë, thonë se ky veprim i opozitës ka për qëllim të nxisë debat të ashpër kundër veprimeve të Qeverisë në institucioni ligjvënës, vetëm dy javë para se të fillojë zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale, të cilat janë caktuar të mbahen më 15 tetor. Partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, e cila drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ka ngritur interpelancë ndaj gjashtë ministrave të Qeverisë së re të Maqedonisë, edhe atë për Ministrin e Financave, të Punës dhe Politikës Sociale, Bujqësisë, Ekologjisë, Kulturës dhe atë të Punëve të Jashtme për kryerje të pandërgjegjshme të detyrës zyrtare, si dhe mostransparencë gjatë punës. Në seancën parlamentare të së hënës është futur në rend dite interpelanca ndaj tre ministrave, atij të Bujqësisë Lubço Nikollovski, për shkak siç ka theksuar opozita keqmenaxhimit me zjarret, për ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, për shkak siç ka theksuar opozita maqedonase mungesës së transparencës gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Bullgarinë dhe ministren e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carevsk, për shkak të rezolutës kombëtare për migrantët. Njohësit e çështjeve politike thonë se duke analizuar shkaqet për çka kanë ngritur interpelancë deputetët e VMRO-DPMNE-së ndaj ministrave të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, ende pa u prononcuar ata për punën 100 ditëshe, duke fokusuar marrëveshjen me Bullgarinë, rebalancin për buxhetin, zjarret, menaxhimin e deponive si dhe strategjinë për migrantët, synohet të hapen tema që do të shërbejnë si bazë për fushatën e zgjedhjeve lokale. "Në masë të madhe delegjitimohet vetë mekanizmi interpelancë. Njëkohësisht do të thosha se delegjitimohet edhe vetë puna e Parlamentit, duke e shndërruar debatin politik në një karikaturë politike për qëllime partiake. Kjo në asnjë mënyrë nuk është e lejueshme, aq më pak në një periudhe parazgjedhore", thekson Stojan Andov, kryetari i përbërjes së parë parlamentare në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Nga ana tjetër, Naser Ziberi, njohës i çështjeve politike thotë partia maqedonase në opozitë dëshiron që para fillimit të fushatës zgjedhore, përmes interpelancës të imponojë tema në interes të kësaj partie. "Si e para, interpelanca është bërë thjesht me motive elektorale që të hapen diskutime, në prag të zgjedhjeve lokale. E dyta, do të fokusoja tendencën që të defokusohet vëmendja nga aktivitet e Qeverisë, në kuptimin e ndryshimit të më shumë ligjeve që kanë rritur mbështetjen ndaj Qeverisë, duke përfshirë këtu dhe aktivitet ndërkombëtare të Qeverisë në raport me relaksimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, po edhe në raport me BE dhe NATOS-s". "Dhe si e treta, përmes kësaj Nikolla Gruevski dëshiron të forcojë pozitën e tij brenda partisë, e cila qartë duket se është lëkundur dhe gjithnjë e më tepër ka zëra për ndryshime kadrovike në kreun e kësaj partie", nënvizon për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi ish-deputet. Ndryshe, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, për shtatë vjet, sa ishte në opozitë, kishte thirrur tetë interpelanca.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lideri tartar në Krime u dënua me 8 vjet burg

Posted: 11 Sep 2017 04:51 AM PDT

Një gjykatë në rajonin Krime të Ukrainës, që është aneksuar nga Rusia, e ka dënuar liderin e njohur tartar, Akhtem Chiygoz, me tetë vjet burg. Ai sot është shpallur fajtor nga gjykata në kryeqytetin rajonal, Simferopol, për akuza lidhur me një demonstratë ilegale në këtë qytet, në shkurt të vitit 2014. Zoti Chiygoz është zëvendëskryetar i Mexhlisit, që është Asambleja e tartarëve të Krimesë, që pas aneksimit ishte shpallur jashtëligjore nga Rusia. Në Kijev, Ministria e jashtme e Ukrainës e ka kritikuar ashpër dënimin e shqiptuar nga zyrtarët e gjykatës së imponuar nga Rusia. Kjo ministri tha se Chiygoz ishte arrestuar "për shkak të mbështetjes së tij për integritetin territorial të Ukrainës dhe luftën për të drejtat e njeriut".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj takimin e parë si kryeministër me Delawie

Posted: 11 Sep 2017 04:35 AM PDT

Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi mori detyrën nga paraardhësi i tij, ka pritur në takim ambasadorin amerikan, Greg Delawie. (Video: Bujar Tërstena)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj merr postin e kryeministrit

Posted: 11 Sep 2017 04:21 AM PDT

Ramush Haradinaj ka marrë postin e kryeministrit. Me një ceremoni shtetërore, ish-kryeministri Isa Mustafa ia ka dorëzuar postin Haradinajt. Kabineti i Haradinajt është miratuar më 9 shtator, me 61 vota për dhe një abstenim. (Video: Bujar Tërstena)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Britania do të votojë një projektligj të rëndësishëm për jetësimin e Brexit-it

Posted: 11 Sep 2017 04:15 AM PDT

Agjencia e lajmeve Reuters, ka raportuar se qeveria e kryeministres britanike, Theresa May, është e bindur se do të dalë fituese në votimin e projektligjit që do të mbahet sot ose nesër, ka thënë zëdhënësi i kryeministres. Ky projektligj është pjesë e rëndësishme e legjislacionit të Brexit, ka shtuar ai. Parlamenti do të votojë projektligjin rreth Brexit-it, hap ky që i mundëson Britanisë të kalojë në fazën tjetër të largimin nga BE, në fazën e ligjbërjes. I pyetur nëse qeveria ështe e bindur për rezultatin e votimit të këtij projektligji, ai tha "Po, e kemi thënë se është një projektligj i rëndësishëm për shkëputje të lehtë nga Brexit, si në fushën e bizensit, ashtu edhe për gjithë vendin, dhe ne inkurajojmë të gjithë anëtarët e parlamentit të mbështesin këtë projektligj".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Fallon: Ushtrimet ushtarake ruse – “provokim” për Perëndimin

Posted: 11 Sep 2017 03:57 AM PDT

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, ka thënë se ushtrimet e ardhshme ushtarake të Rusisë së bashku me Bjellorusinë, synojnë "provokimin" e NATO-s dhe "testimin" e mbrojtjes së saj. "Rusia po na teston dhe këtë po e bënë në çdo rast", tha Fallon, gjatë një interviste të djeshme për rrjetin BBC, dhe ka shtuar se "ne po shohim një Rusi më agresive dhe ne duhet të merremi me këtë". Sipas rregullave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të njohura me emrin, Dokumenti i Vjenës, vendet që ndërmarrrin manovra ushtarake me më tepër se 13 mijë ushtarë, duhet tu tregojnë paraprakisht shteteve të tjera dhe të jenë të hapura për observatorët. Rusia dhe Bjellorusia thonë se në ushtrimet me emrin Zapad (Perëndimi) 2017, që do të mbahen në periudhën 14-20 shtator në Bjellorusi dhe në pjesën perëndimore të Rusisë, do të marrin pjesë 12,700 trupa. Por, zyrtarët ushtarakë perëndimorë dhe ekspertët thonë se ky numër mund të jetë shumë më i lartë, dhe mund të arrijë deri në 100 mijë pjesëtarë të ushtrisë, që do të jenë të involvuar. Rusia pretendon se shqetësimet perëndimore për këto ushtrime janë të pabaza dhe thotë se ato do të jenë mbrojtëse dhe nuk paraqesin rrezik për fqinjët e Rusisë, për NATO-n apo për Perëndimin. "Ky është ushtrimi më i madh ushtarak i Rusisë për afro katër vite, janë më se 100 mijë ushtarë rusë dhe bjellorusë, në kufjtë e NATO-s", tha Fallon, dhe ka shtuar se "kjo është e paraparë për të na provokuar, është paraparë për t'i testuaar mbrojtjet tona dhe për këtë arsye ne duhet të jemi të fortë". NATO-ja thotë se do t'i dërgojë tre vëzhgues në Bjellorusi dhe Rusi për monitorimin e ushtrimeve Zapad 2017, por ka kërkuar disa herë nga të dy vendet që të lejojnë monitorim më të gjerë të manovrave. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje Rusisë që të jetë "plotësisht transparente", duke i thënë rrjetit BBC, se Rusia ka histori të "mosraportimit" adekuat për numrin e ushtarëve në ushtrimet e saj dhe për "përdorim të lëshimeve në marrëveshjet ndërkombëtare për evitim të vëzhgimit ndërkombëtar". "Ne kemi parë se Rusia ka përdorë ushtrime të mëdha ushtarake për maskim ose parahyrje për aksione agresive ushtaake kundër fqinjëve të vet", tha Stoltenberg, dhe ka shpjeguar se "kjo ka ndodhur në Gjeorgji në vitin 2008, kur ata e invaduan Gjeorgjinë dhe ka ndodhur në Krime në vitin 2014, kur ilegalisht e aneksuan rajonin ukrainas të Krimesë". Ministret e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Francës, javën e kaluar në kryeqytetin, Talin të Estonisë, e kanë dënuar ushtrimin Zapad 2017, duke thënë se Moska po synon të tregojë fuqi ushtarake në kufijtë NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. "Është veçanërisht e rëndësishme që në këtë kontekst të riafirmohet prania jonë në ballafaqim me këtë demonstrim që po e bëjnë rusët, e që është një strategji e frikësimit", tha ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Partly. "Është e pakontestueshme që ne të shohim demonstrimin e kapaciteteve dhe fuqisë së rusëve", tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, dhe ka shtuar se "secili që dyshon vetëm le ta shikojë numrin e lartë të forcave pjesëmarrëse në ushtrimin ushtarak Zapad: më tepër se 100 mijë". Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se është e "befasuar nga deklarata e ministres der Leyen, që ka bërë akuza arbitrare për 100 mijë trupa ruse dhe për kërcënim të fshehtë për Evropën". Para disa ditësh, kjo Ministri tha se shefi i shtamadhorisë së ushtrisë së Rusisë, Valery Gerasimov, e ka shfrytëzuar një takim në Baku të Azerbajxhanit, me kryesuesin e Komitetit ushtarak të NATO, Petr Pavel, për ta siguruar atë për ushtrimet ushtarake ruse. Gerasimov i ka thënë zotit Pavel se ushtrimet e përbashkëta me Bjellorusinë janë "shumë përpara të planifikuara dhe defensive" dhe nuk "janë kundër ndonjë vendi të tretë", kanë raportuar agjencitë ruse të lajmeve. NATO-ja tha se takimi në Baku "demonstroi interesin e qartë të dyanshëm për mbajtje të linjave ushtarake të komunikimit", por nuk ka dhënë detaje se për çka ishte diskutuar. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vërshime dhe shkatërrim pasi Irma goditi Floridën

Posted: 11 Sep 2017 03:37 AM PDT

Uragani Irma, më 10 shtator ka goditur bregdetin e Floridës. Erërat e fuqishme, të përcjellura me reshje të dendura të shiut, kanë shkaktuar dëme në Majami të Floridës. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Norvegjia sot voton në zgjedhjet parlamentare

Posted: 11 Sep 2017 03:30 AM PDT

Norvegjezët po hedhin votat e tyre në zgjedhjet parlamentarë që do të jenë vendimtare, nëse ky vend në katër vitet e ardhshme, do të udhëhiqet nga koalicioni i partisë së djathtë tashmë në ikje, apo nga opozita. Një sondazh me opinionin publik, sugjeron se pritet garë shumë e ngushtë në mes të koalicionit të partisë konservatore të kryeministres, Erna Solberg dhe partisë opozitare laburiste të udhëhequr nga Jonas Gahr Store. Kjo nënkupton se disa parti të vogla në vend, mund të kenë rol kyç si partnerë koalicioni në qeverisjen e vendit. Koalicioni i përbërë nga konservatorët e Solsbergut dhe partia Progress, që është kundër imigrimeve, kanë qenë në pushtet që nga viti 2013. Konservatorët dhe laburistët pajtohen në shumë qështje, duke përfshirë edhe kërkimin e naftës në Arktik, politika të kufizuara të imigrimit, dhe lidhje të ngushta me Bashkimin Evropian. Norvegjia nuk është anëtare e BE-së.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bëhet renditja e partive politike në fletëvotimet për zgjedhjet lokale

Posted: 11 Sep 2017 03:20 AM PDT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen më 22 tetor 2017. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 91 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetar komune apo për këshilltar në kuvendet komunale). Nga Partitë kryesore politike, Lëvizja Vetëvendosje është renditur me numrin 10, Partia Demokratike e Kosovës me numrin 94, Lidhja Demokratike e Kosovës 47, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka numrin 50, Nisma për Kosovën 31, Aleanca Kosova e Re 34 dhe Lista Serbe numrin 29.   

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj nis punën me çështjet e lëna në gjysmë rreth Demarkacionit dhe Asociacionit 

Posted: 11 Sep 2017 02:16 AM PDT

Kryeministri i deritanishëm i Kosovës, Isa Mustafa, i ka dorëzuar detyrën kryeministrit të sapozgjedhur, Ramush Haradinaj. Pritja e zotit Haradinaj në Kryeministri është bërë me ceremoni shtetërore, ku Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës është rreshtuar dhe ka intonuar himnin e Kosovës, për nderë të dorëzim-pranimit të detyrës së kryeministrit. Haradinaj takimin e parë në postin e kryeministrit e ka realizuar me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie. Delawie pas takimit me kryeministrin Haradinaj, ka ritheksuar mbështetjen që do të vazhdojë ta ketë Kosova nga SHBA-ja. "Prioritetet tona sa i përket politikave, mbesin ato që kanë qenë edhe gjatë viteve të kaluara, kanë të bëjnë më përmirësimin e sundimit të së drejtës me zhvillimin ekonomik, dhe përmirësimin marrëdhënieve dhe sigurisë rajonale". "Natyrisht që ju bëj ftesë të gjithë udhëheqësve të ri të Kosovës pa marrë parasysh a janë në Qeveri apo ministra apo deputetë, që të t'i vënë interesat e shtetit të tyre para të gjitha çështjeve të tjera", ka thënë Delawie duke shtuat se nuk ka kohë për të pritur bota po ecë përpara, Evropa po ecë përpara dhe, siç tha ai, edhe Kosova duhet të sigurojë që të marrë vendime të rëndësishme për të siguruara se është në rrugëtimin euro-atlantik. Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me rastin e konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës ka kërkuar që institucionet të vazhdojë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane. "Kosova përballet me sfida të vështira, duke përfshirë korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit, papunësi të lartë dhe performancë të dobët në sistemin arsimor". "Këto janë pengesa serioze për zhvillimin e ekonomisë, për të tërhequr investime të qëndrueshme dhe për të krijuar mundësi punësimi", thuhet në një deklaratë nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. BE-ja kërkon nga Qeveria e sapoformuar të fillojë menjëherë të punojë për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Agjendën e Reformave Evropiane, dhe marrëveshjeve tjera përkatëse mes BE-së e Kosovës. BE-ja pret që Qeveria e re të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe të punojë së bashku me Beogradin për të siguruar që një hap para është bërë në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga BE-ja. Nga, ana tjetër, analisti Artan Muaxheri tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e sapoformuar është më e komplikuara, me delikatja dhe më e brishta që nga paslufta në Kosovë. Sipas tij, kjo Qeveria e re e Kosovës do të përballet me sfida e probleme të shumta. "Zoti Haradinaj ka trashëguar shumë probleme të mëdha. Disa prej tyre do të jenë më të vështira sesa tjerat, posaçërisht çështja e Demarkacionit dhe çështja e Gjykatës Speciale. Po ashtu edhe problemet tjera të cilat janë tradicionale në Kosovë, siç janë korrupsioni apo mungesa e zhvillimit ekonomik. Pra, këto janë probleme të cilat Qeveria Haradinaj do të duhet t'u qaset me një seriozitet të jashtëzakonshëm", tha Muhaxheri. Kurse Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës "Fol", tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria Haradinaj do të duhej shumë shpejt të adresojë tema të rëndësishme, por në të njëjtën kohë duhet pritur disa muaj për të parë mënyrën e qeverisjes. "Kompozimi i Qeverisë prej gjithë këtyre subjekteve politike e bënë të vështirë një lloj disipline të domosdoshme për të qeverisur me vendin. Ndër më të rëndësishmet do të jenë këto temat e nxehta politike, siç janë quajtur, pra temat që Qeveria Mustafa për dy vite e gjysmë nuk arriti t'i përfundojë e që lidhen me shënimin e vijës kufitare, lidhen me liberalizmin e vizave , me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra këto janë temat e nxehta për të cilat Haradinaj duhet me urgjencë t'i adresojë", tha Zogaj. Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës të shtunën mbrëma e ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinajn. Koalicioni i ri qeverisës përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Aleanca Kosova e re, Lista Serbe dhe komunitetet tjera joserbe.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ukraina nisë hetim penal ndaj Saakashvilit

Posted: 11 Sep 2017 01:51 AM PDT

Policia në Ukrainë thotë se kanë nisur një hetim penal ndaj ish-presidentit të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, pasi ky i fundit sfidoi autoritetet duke u kthyer në Ukrainë, vend ky që i'a kishte revokuar nënshtetësinë. I mbështetur nga qindra vetë, Saakashvili, ish-presidenti gjeorgjian dhe ish-guvernatori ukrainas i rajonit Odesa, ka hyrë në Ukrainë duke kaluar nga Polonia, përmes një koridori të rojeve kufitare të Ukrainës. Prokurori, Yuriy Lutsenko ka thënë se akuzat bien mbi organizatorët që mundësuan hyrjen e pa autorizuar të Saakashvilit. Në një deklaratë të policisë, në veri të Ukrainës, ku thuhet se Saakashvilli kishte kaluar natën, policia rajonale kanë hetuar "ngjarjet afër kufirit të Ukrainës me Poloninë". Në deklaratë nuk përmendet emri i Saakashvilit, por policia thonë se ata që do të shpallen fajtorë për kalimin illegal të kufirit, mund të ndëshkohen deri ne 5 vite burgim. Saakashvili pretendohet të njihet nga UNHCR si "pa nënshtetësi" dhe ka thënë se ai dëshiron të sfidojë tërheqjen e nënshtetësisë së tij në një gjykatë në Ukrainë. Saakashvili, rrezikon arrestimin e tij, e poashtu edhe ekstradimin në Gjeorgji, ku ai akuzohet për shpërdorim të pronës dhe abuzim me pozitën zyrtare, gjatë nëntë viteve sa shërbeu si president vendit. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Për të parën herë Trump e kryeson përkujtimin për 11 Shtatorin

Posted: 11 Sep 2017 01:05 AM PDT

Presidenti amerikan, Donald Trump, për të parën herë do ta kryesoj përkujtimin për 11 Shtatorin, që është një ngjarje ceremoniale e cila zakonsiht është jopartiake, me të cilën përkujtohen 3 mijë njerëzit e vrarë, kur rrëmbyesit e aeroplanëve e goditën Qendrën Tregtare Botërore, Pentagonin dhe një hapësirë në Pensilvani. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania Trump, do të mbajnë një moment të heshtjes në Shtëpinë e Bardhë, pak para orës 9 të mëngjesit, sipas kohës në Nju Jork, që ishte koha kur aeroplani i parë i kishte goditur Kullat Binjake të Qendrës Tregtare Botërore, më 11 Shtator të vitit 2001. Presidenti dhe zonja e parë, po ashtu, do të marrin pjesë në ceremoninë në Pentagon, e cila udhëhiqet nga sekretari i mbrojtjes, Jim Mattis, dhe gjenerali Joseph Dunford, që është shef i shtamadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara. Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, planifikon që ta përfaqësoj administratën Trump gjatë përkujtimit të sotëm në Shamksville të Pensilvanisë. Para tri ditësh, para shënimit të 16 vjetorit të sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, presidenti Trump e shpalli periudhën prej 8 e deri më 10 shtator, si "Ditët e Përkujtimit dhe Lutjes", ndërsa 11 Shtatorin e ka shpallur "Ditë të Patriotizmit".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Taifun i fuqishëm pritet të godasë Tajvanin

Posted: 11 Sep 2017 12:58 AM PDT

Derisa Shtetet e Bashkuara ende po përballen me uraganin Irma, Tajvani po përgatitet për nja taifun të fuqishëm, duke paralajmëruar anulime dhe evakuime të shumta. Taifuni "Talim" pritet të arijë në Tajvan këtë të mërkurë. Qeveria tajvaneze tashmë është në kontakt me udhëheqësit e fshtarave në zonat malore të vendit, duke aranzhuar evakuimin dhe strehim e tyre, e poashtu edhe duke monitoruar lumenjt dhe zonat që priren për rrëshqitje të dheut. Tajvani goditet nga taifunet gati çdo vit, por përgatitjet gjithnjë janë më të mëdha që kur taifuni Morakot kishte goditur ishullin në vitin 2009, duke lënë të vdekur rreth 700 vetë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Uragani Irma godet Floridën

Posted: 11 Sep 2017 12:52 AM PDT

Uragani Irma ka goditur jugun e Floridës më 10 shtator. Pamjet e incizuara janë në qytetin Majami të Floridës. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pakistan: Janë vrarë katër anëtarë të një familjeje shiite

Posted: 11 Sep 2017 12:38 AM PDT

Policia në Pakistan thotë se persona të armatosur me motoçikleta kanë hapur zjarr kundër një familjeje myslimane shiite, gjatë natës së kaluar, në provincën jugperëndimore, Baloçistan, duke i vrarë katër vetë, përfshirë një fëmijë. Zëdhënësi i policisë, Tanvir Shah, tha sot se sulmi kundër familjes myslimane të etnicitetit Hazara, ka ndodhur afër qytetit Kuçlak, në veri të kryeqytetit provincial, Kueta. Zëdhënësi tjetër i policisë, Mohammad Khan, tha se tetë anëtarë të familjes Hazara udhëtonin në Kueta nga Afganistani dhe ishin ndalur për karburant, kur u sulmua makina e tyre. Ky zëdhënës tha se dy persona të tjerë ishin plagosur, në këtë sulm, që sipas tij, ishte i karaterit sektar. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Por, militantët e Shtetit Islamik dhe grupet lokale të ndërlidhura me ta, gjatë viteve të fundit i kanë sulmaur myslimanët shiitë në Baloçistan.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now