Ora News: “Dasma e Xhensila Myrtezajt dhe Bes Kallakut përmes fotografive” plus 9 more

Ora News: “Dasma e Xhensila Myrtezajt dhe Bes Kallakut përmes fotografive” plus 9 more


Dasma e Xhensila Myrtezajt dhe Bes Kallakut përmes fotografive

Posted: 02 Sep 2017 12:29 AM PDT

Këngëtarja Xhensila Myrtezaj dhe aktori i humorit Bes Kallaku i dhanë fund beqarisë duke kurorëzuar dje dashurinë e tyre me martesë në një ceremoni me shumë të ftuar.

Xhensila mori vëmendjen e gjithë të pranishmëve, teksa u shfaq plot shkëlqim në vellon e bardhë, të punuar bukur dhe me detaje enkas për të.

Momentet më të lumtura të kësaj nate, Xhensila nuk ka hezituar t'i ndajë me fansat e saj në rrjetet sociale përmes fotografive, të publikuara në një album që ajo e quan "Momentet e Bekuara".

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Frikë në Barcelonë, substanca irrituese në një stacion metroje

Posted: 02 Sep 2017 12:25 AM PDT

Frika në Barcelonë u rikthye sërish pas një alarmi të dhënë në linjën 3 të metrosë të Barcelonës, ku makinisti i një prej trenave u ankua për probleme të frymëmarrjes.

Policia dyshon se dikush mund të ketë futur lëngë kimike në kanalet e ventilimit. Megjithatë ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një sulm terrorist apo akt vandal.

Dy stacione të metrosë në Barcelonë, midis Lesseps dhe Diagonal, u mbyllën pas alarmit.

Një substancë e lëngshme ngjyrë jeshile u gjet në një prej vagonëve të trenit.

Disa njerëz pësuan irritime nga lënda e dyshimtë, raportojnë mediat lokale pas marrjes së dëshmive të para.

Udhëtarët u evakuuan, ndërsa forcat e sigurisë ndodhen në vendngjarje.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Kosova, një ngjarje ruse në Bruksel

Posted: 02 Sep 2017 12:20 AM PDT

Mund lehtë të paramendoj buzëqeshjen e Moskës zyrtare në të dëgjuar se edhe një herë do të fillojë "dialogu për Kosovën", tash në nivel të presidentëve, të Serbisë e të Kosovës, ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

Nga atje mund të loznin një kuiz me një pyetje e me gajasje kënaqësie:

"X, njëri prej shteteve më të varfra të Evropës, është dëmtuar nga korrupsioni i gjithëpërhapur, migracioni i lartë dhe konflikti i ngrirë në regjionin e vet Y".

Kështu thotë BBC, shkruajnë nga Moska. Tash gjeni X dhe Y.

Përgjigjja është e lehtë, apo jo? Kosova është X, ndërsa Veriu është Y?

Gabim. Fjalia e plotë është "Moldova, njëri prej shteteve më të varfra të Evropës, është dëmtuar nga korrupsioni i gjithëpërhapur, migracioni i lartë dhe konflikti i ngrirë në regjionin e vet Transdnjistria".

Moldova sapo festoi 27-vjetorin e pavarësisë së vet ndërsa Moska po kaq, ngaqë Rusia vendosi një parim të rëndësishëm të politikës së vet të jashtme, atë të "konflikteve të ngrira". Kur Moldova (atë që e njohim me emrin e parë Moldavia) vendosi të bëhej shtet i pavarur, një pjesë e këtij shteti qe kundër pavarësisë dhe pos argumenteve pse nuk donte të bëhej pjesë e një shteti të ri kishte edhe përkrahjen e Armatës së 14-të të Rusisë. Pjesa e shtetit që nuk pranoi qe tej lumit Dnjestër dhe u quajt Transdnjestër (tej Dnjestrit, matanë Dnjestrit). Për çerekshekulli mbetet një "konflikt i ngrirë", ku nuk shtrihet autoriteti i Moldovës, ku për sigurinë e vendit duhet të vendosin së bashku Rusia dhe Moldova së bashku me autoritetet e Transdnjestrit dhe ku ritualisht do të merret ndonjë iniciativë në OSBE a OKB që "më në fund të zgjidhet ky konflikt".

Prej themelimit të Transdnjestrit Rusia ka shënuar sukses pas suksesi në politikën e konflikteve të ngrira. Ka përkrahur atë të Nagorno Karabakhut në konfliktin Armen-Azerbajxhan. Ka njohur, edhe para se të themeloheshin, republikat e Osetisë Jugore dhe Abhazisë nga territori i Republikës së Gjeorgjisë.

Shumë vjet më pas Rusia ka përkrahur në formë aktive (ushtarake, logjistike, politike) themelimin e shteteve apo kuazishteteve në territorin e Ukrainës, me emra si Republika e Donbasit. Edhe kjo krijesë mori emër prej lumit, një shkurtesë sovjetike prej Basenit të lumit Donec, DonBas.

Dhe obsesioni me lumenj nuk qe, rrjedhimisht, koincidencë, me Ibrin, kur Rusia mbrojti në formë aktive, politike, diplomatike dhe logjistike formimin e një entiteti funksional në veri të këtij lumi, si forcim edhe të një konflikti të ngrirë. Me pak ngulm ndoshta do t'ia kishin vërë edhe emrin TransIbar.

2.

Në rastin e Kosovës, politika ruse ka thënë se NATO-ja ka bërë një precedencë, me ndërhyrjen e vet ushtarake ndaj një vendi sovran që ishte "RFJ"- një vend që qe aq sovran sa as vetë përbërësit e tij, Serbia e Mali i Zi, nuk pajtoheshin se ishte shtet i përbashkët. Sidoqoftë, Rusia tërhoqi doktrinën e vet të re, të precedencës së Kosovës me të cilën edhe ajo vetë do të përkrahte vende që luftonin për pavarësi të vet, si Osetia e Abhazia, dhe do t'i përkrahte nëse e shpallnin pavarësinë. Nëse mundet Kosova, pse nuk mundet Abhazia, pyeste Putini, për ta zgjeruar edhe më tutje këtë doktrinë me Krimenë në Ukrainë. Meqë Krimeja do të jetë pjesë e Rusisë, pasi që trupat ruse pa flamuj rusë në uniformë e "çliruan" këtë territor, atëherë Rusia nuk ka si të mos e pranojë.

Kosova i shërbeu Rusisë për shumëçka, madje edhe si instrument harrese, sepse para se të lindte çfarëdo "parimi Kosovë" kishte lindur parimi Transdjestër. Rusia nuk kishte nevojë të merrte si precedencë Kosovën; me forcën e vet ushtarake, me një politike aktive e agresive dhe me një forcë të pashoq në Këshillin e Sigurimit të OKB-së çfarëdo që Rusia të vendoste se ishte parimore do të bëhej.

Në fakt, parimi i narracionit rus ka fituar jo vetëm në OKB, por tash edhe në BE. Negociatat e tanishme mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel janë fitore e drejtpërdrejtë e parimit rus të vendosur në Transdnjestër. Ashtu si në atë pjesë të Moldavisë duhet të bashkëvendosin Rusia e Moldavia, ashtu edhe në negociatat mes Kosovës e Serbisë tema qendrore është bashkëpërgjegjësia e Kosovës dhe Serbisë për një pjesë të territorit të Kosovës.

Parimi rus, sipas të cilit shtetet që i sheh rrezik për vete nuk do të jenë funksionale (në shtrirje territoriale apo institucione shtetërore) ka fituar në gati tridhjetë vjetët e kaluar, prej Kaukazit deri në Ballkan. Dhe, për këtë Rusia ka përdorur një ligj të thjeshtë: është më lirë të shkatërrosh apo ta pengosh ndërtimin sesa të ndërtosh. Aty ku mbyllen dyert e historisë, Rusia ka shpejtuar ta vendosë çizmen, në mënyrë që dyert të mos mbyllen.

3.

Transdnjestri u aktualizua këto ditë, sepse Moldova paralajmëroi se në OKB do të kërkojë tërheqjen e forcave ruse nga territori i vet, si pjesë e një politike të re të jashtme properëndimore që do ta shohë këtë si një territor në BE e NATO.

Për Moskën, çdokush që paralajmëron se do të jetë pjesë e NATO-s e BE-së do të gjejë ndëshkimin e vet. Gjeorgjia dhe Ukraina u zgjuan me republika separatiste pasi që kishin shpallur në Samitin e Bukureshtit të NATO-s dëshirën të jenë shtete anëtare të NATO-s. Kosova që nuk ka fshehur prej ditëve që i paraprinë pavarësisë qasjen e vet perëndimore fitoi TransIbrin. Mali i Zi, në prag të anëtarësimit në NATO, përjetoi përpjekje për grusht shtet dhe atentat ndaj prijësit Milo Gjukanoviq.

Dhe, ja ku është në lajme Maqedonia. Sapo mori pushtet qeveria e re, e cila nuk fsheh se e ka prioritet anëtarësimin në NATO, përnjëherë u krijua një krizë diplomatike. Serbia brenda një dite tërhoqi diplomatët e vet nga Shkupi, me arsyetim sigurie. Pasoi komunikimi mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Maqedonisë, për shtendosjen e marrëdhënieve. Në qarqet spekulative kosovare mund të lexohet se e tëra kjo lidhet me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Për ata që e përcjellin politikën konsistente të Moskës, kriza e fundit Serbi-Maqedoni është vetëm një paralajmërim: sa më shpejt të niset Maqedonia drejt NATO-s, aq më të shpejta e të shpeshta do të bëhen "krizat" e ndryshme në vend.

4.

Në Bruksel dita e enjte mund të duket si një ngjarje e madhe. Ndoshta dhe në Prishtinë e Beograd.

Në Moskë dita e enjte është një incizim i rëndomte gjeopolitik.

Aty është një president i Kosovës, i cili me sukses bart në supe akuzat për krim të organizuar, përndjekje minoritetesh e kapje shteti, pa forcë reale politike në një ambient që nuk mund të formojë as Kuvend e as Qeveri. I padijshëm dhe andaj i dobishëm, i gatshëm të pranojë parimet e Transdnjestrit. I gatshëm të pranojë çdo gjë që mund ta ruajë vazhdimësinë e tij. I dobishëm për të treguar se pa Rusinë nuk ka zgjidhje.

Aty është një president i Serbisë, i cili me sukses transformon pozicionin e tij prej politikani fashist në një proevropian, duke u shndërruar në forcë dominuese në shoqëri. I bindur, me përvojë, se çfarëdo koketimi me Rusinë i shërben për të marrë më shumë favore nga BE-ja. Me "dialogun e brendshëm për Kosovën" është duke përgatitur një platformë, e cila në thelb është forcim i pozicionit të tij negociator. I dobishëm për të treguar se pa Rusinë nuk ka zgjidhje të asnjë problemi, pra as të Kosovës.

Një shefe e diplomacisë e BE-së që trashëgoi një tjetër shefe të diplomacisë (a e mban mend kush emrin?) që futi në punë një ndërmjetës (a e mban kush mend emrin) që shpalli një Marrëveshje historike mes Thaçit dhe Daçiqit, një marrëveshje që ende nuk mund të hyjë në histori, sepse ka nevojë për marrëveshje të tjera që kanë nevojë për marrëveshje plotësuese. Të enjten në mëngjes është zgjuar me dosjet e Transdjestrit, një konflikt herë të ngrirë e herë të shkrirë në Ukrainë, raportin për largimin e diplomatëve serbë nga Maqedonia dhe çfarëdo që t'i ketë rënë në mend të bëjë atij në Kremlin. E dobishme, sepse duhet të kuptojë se pa Rusinë nuk ka zgjidhje.

5.

Në fakt, vetëm pa Rusinë ka zgjidhje.

*Shkruar për “Koha Ditore”

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Apeli i Meritës: Më ndihmoni! Burri kërkon të më vrasë mua dhe fëmijët

Posted: 02 Sep 2017 12:16 AM PDT

Dy ditë pas vrasjes së gjyqtares, Fildes Hafizi, një tjetër apel për ndihmë vjen këtë herë nga një grua e cila kërcënohet nga ish-bashkëshorti i saj.

Merita Brama i ka dërguar një letër publike Nismës Thurje, ku kërkon të ndihmohet dhe të mos ketë edhe ajo fatin e gjyqtares.

Gruaja tregon sesi disa kohë më parë është rrahur barbarisht me levë në rrugë nga ish-burri, Agim Doçi.

Në mesazhin e saj gruaja nga Fushë Kruja tregon se është divorcuar disa muaj më parë nga ish-burri, i cili më pas e ka rrahur në publik me levë.

Zonja tregon sesi është larë në gjak nga ish-bashkëshorti dhe ka shkuar më pas në Komisariat por nga Prokuroria nuk ka marrë asnjë lloj kallzimi.

Sipas saj është dashur një muaj e gjysmë që ish-bashkëshorti të shpallej në kërkim.

Sakaq ajo tregon se ai fshihet tek të afërmit e tij dhe i çon kërcënime nëpërmjet vëllezërve se do ta vrasë.

Dramën e saj po e përjetojnë dhe fëmijët ku njëri e ruan gjithë ditën se mos babai vjen ta vrasë, ndërsa tjetri punon. Merita Brama ngre akuza ndaj prokurorisë dhe gjykatës që ka refuzuar urdhër-mbrojtje për të.

Për ngjarjen ka reaguar dhe policia e cila apelon qytetarët që të denoncojnë vendodhjen e Agim Doçit.

Policia thotë se ka angazhuar të gjithë kapacitete për të vënë para përgjegjësisë autorin e dyshuar duke bërë kërmime në zonat ky dyshohet se është fshehur ndërsa thekson se do të mbajë përgjegjësi kushdo që e fsheh.

URGJENTE!
APEL PËR JETËN TIME!

Nga Merita Brama

Nisma përshëndetje. Quhem Merita Brama dhe dua ti bëj nëpërmjet jush një apel gjithë strukturave të shtetit dhe shoqërise sepse jam e rrezikuar për jetën, unë dhe fëmijët e mi.
Unë jam ndarë nga im shoq në maj sepse ai ishte i dhunshëm. Nuk mund ta duroja më. Mbas vitesh dhune e vendosa dhe u largova me fëmijët. Pasi u ndamë, në mëngjesin e 15 korrikut, në orën 6, burri më ka zënë pritë teksa shkoja në punë dhe tentoi të më vriste me levë. Kam ngrënë mbi 40 goditje levash në kokë dhe gjithë trupin dhe një Zot e di si munda ti shpëtoj e të largohem prej tij. E larë në gjak kam shkuar në komisariat ku më ka rënë të fikët dhe jam zgjuar në spitalin e traumës. Aty ka ardhur prokuroria dhe më ka marrë kallzimin por ju desh 1 muaj e gjysëm që ta shpallnin personin në kërkim. Ndërkohë ai fshihet te të afërmit e tij dhe me con kërcënime nëpërmjet vëllezërve të tij se do më vrasë edhe mua dhe fëmijët. Fëmijët janë me mua, njëri rri gjithë ditën e më ruan teksa tjetri punon. Jam shumë e frikësuar. Nuk dua ta pësoj si Fildesi që iku nga kjo jetë. E dua jetën dhe nuk kam bërë asnjë faj që të ma marrë dikush. I dua fëmijët dhe duam të jetojmë të qetë. Policia, prokuroria as që na dëgjojnë. Kam kërkuar urdhër mbrojtjeje, asgje. Askush nuk na i vë veshin dhe ndaj ju drejtuam ju që ndoshta duke e bërë publike, shumë njerëz solidarizohen dhe shteti reagon e na mbron. Ky në foto është ish burri im, Agim Isuf Doçi, njeriu që do të na vrasë. I cili eshtë betuar se nëse nuk na vret, nuk gjen paqe.
Ju lutem na ndihmoni!

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Stuhia Harvey, Trump kërkon 7.8 mld dollarë për rimëkëmbjen

Posted: 01 Sep 2017 11:45 PM PDT

Presidenti Donald Trump ka kërkuar miratimin e një fondi prej 7.8 miliardë dollarësh nga Kongresi, për t'i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga Stuhia Harvey. Presidenti do të vizitojë sërish Teksasin sot, ndërkohë që bilanci i viktimave nga përmbytjet është të paktën 47 të vdekur.

Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Kongresit një fond prej 7.8 miliardë dollarësh si pagesë fillestare për të ndihmuar përpjekjet e rimëkëmbjes pas përmbytjeve në Teksas dhe Luiziana.

Zyrtarët thonë se do të ketë edhe të tjera kërkesa për fonde, sapo të bëhet i ditur edhe impakti i plotë i Stuhisë Harvey.

 Disa banorë janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre por niveli i përmbytjeve është ende në rritje në disa zona. Presidenti Trump pritet ta vizitojë Teksasin për herë të dytë gjatë ditës së sotme.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka deklaruar se shtetit mund t'i nevojiten më shumë se 125 miliardë dollarë ndihma për t'u rimëkëmbur.

Mendohet se rreth 80% e teksanëve nuk kanë sigurime nga përmbytjet për të mbuluar dëmet.

Ndaj në këtë rast, është tepër e rëndësishme ndërhyrja e Kongresit dhe dhënia e një fondi më të madh për të realizuar përpjekjet e rimëkëmbjes.

Përmbytjet masive të shkaktuara nga stuhia i kanë marrë jetën të paktën 47 personave dhe rreth 43.000 janë vendosur aktualisht në streha.

Grupet e kërkimit dhe shpëtimit ndërkohë vijojnë punën e tyre në disa qytete ku përmbytjet kanë ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm.

Sipas Agjensisë për Mbrojtjen e Mjedisit, aksesi ndaj ujit të pijshëm është kërcënimi më i madh për banorët, pasi ujërat e përmbytura mund të përmbajnë baktere dhe të tjerë ndotës nga kanalizimet e tejmbushura.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Kryeministri Rama sjell versionin e ri të “Despasito”

Posted: 01 Sep 2017 11:34 PM PDT

Kryeministri Edi Rama duket se nuk e ka humbur sensin e humorit, i cili e shoqëroi përgjatë gjithë fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit.

Mëngjesin e ditës së parë të fundjavës ai ka zgjedhur t'ua uroj miqve të tij në fb me një video të krijuar nga Çmendina.

Nëse keni nostalgji për Ramën si këngëtar, ju ftojmë ta shijoni versionin e ri të këngës "Despasito" me premtimet e fushatës së Kryeministrit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Terrorizmi, kontrollohen 27 mijë automjete të rënda në tre ditë

Posted: 01 Sep 2017 11:24 PM PDT

Operacioni i koduar “Kilometri i fundit ” i policisë u mor pas sulmit që goditi Barcelonën. Agjentët arrestuan 24 persona.

Policia italiane ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër terrorizmit në të gjitha provincat italiane, si përgjigje ndaj sulmeve në Barcelonë.

Përgjatë tre ditëve, 28, 29 dhe 30 gusht, oficerët raportohet se kanë kontrolluar 27.043 furgonë dhe kamionë në krah të qendrave historike të qyteteve, duke sekuestruar 157 prej tyre.

Gjatë operacionit janë arrestuar 24 persona, kryesisht për veprat penale të drogës dhe 114 persona janë denoncuar.

Ndërkohë janë kontrolluar 32.619 persona të dyshimtë, prej tyre 5,634 të huaj.

Operacioni policor i koduar " Kilometri i fundit" ka intensifikuar kontrollet mbi rrugët hyrëse të qendrave historike.

Qëllimi ishte identifikimi i shoferëve dhe verifikimi i identiteteve të tyre përmes bazave të të dhënave të policisë, duke përfshirë Shengenin.

Në operacion u angazhuan 3.500 punonjës policie në ditë.

Mbi 9.000 automjete dhe rreth 10.800 njerëz janë kontrolluar çdo ditë.

21% e pesonave të kontrolluar rezultonin me precedent të mëparshëm penalë.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Vazhdon dhuna në Birmani, gati 400 të vrarë në një javë

Posted: 01 Sep 2017 10:58 PM PDT

Rreth 370 kryengritës Rohingya dhe 13 forca të sigurisë kanë vdekur në luftimet që kanë përfshirë pjesën veriperëndimore të Birmanisë, javën e fundit, bëri të ditur ushtria e këtij vendi.

Kombet e Bashkuara, në anën tjetër, njoftuan për rreth 40,000 myslimanë Rohingya që kanë kaluar kufirin nga Birmania në Bangladesh.

Dhuna ka shpërthyer pasi kryengritësit Rohingya kanë sulmuar disa stacione policore të premten e kaluar, duke nxitur më pas reagimin e ushtrisë birmaneze.

Ushtria thotë se po kryen operacione pastrimi kundër “terroristëve ekstremistë” dhe se forcat e sigurisë janë udhëzuar të mbrojnë civilët.

Por, myslimanët që kanë ikur në Bangladesh, thonë se janë detyruar të largohen për shkak të vrasjeve dhe zjarrvënieve.

Kryengritësit Rohingya janë shfaqur për herë të parë në tetor të vitit 2016, kur kanë kryer sulme të ngjashme kundër policisë.

Edhe atëherë ka pasur ikje masive të myslimanëve.

Trajtimi i 1.1 milion myslimanëve Rohingya është sfida më e madhe me të cilën po përballet udhëheqësja kombëtare, Aung San Suu Kyi.

Disa kritikë perëndimorë thonë se Suu Kyi nuk e ka mbështetur këtë pakicë, e cila për kohë të gjatë ankohet për persekutim./REL/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Sot Panucci kërkon fitoren e parë ndaj Lihtenshtejnit

Posted: 01 Sep 2017 10:49 PM PDT

Kombëtarja shqiptare zbret sot në orën 18:00 në fushën e "Elbasan Arena" për të kërkuar fitoren ndaj Lihtenshtejnit, ndeshje kjo e vlefshme për eliminatoret e botërorit "Rusi 2018".

Tekniku i ri, Christian Panucci do të debutojë sot për herë të parë nën drejtimin e kuqezinjve. I pyetur për formacionin dje në konferencë për shtyp, trajneri italian nuk ka zbuluar gjë por ka thënë se do ta vendosë atë sot para ndeshjes.

Përsa i përket emrave që mund të zbresin në fushë, ende nuk ka konfirmime 100%, megjithatë ka gjasa që 11-ja titullare të përbëhet nga këta elementë.

Berisha në kuadrat, Hysaj nga e djathta, Gjimshiti e Mavraj në qëndër dhe Memolla nga e majta. Kukeli do të vendoset përpara mbrojtjes, me Memushajn e Bashën në qëndër, nga e majta ka një balotazh mes Hykës e Grezdës, po ashtu edhe në krahun tjetër në luftë për një vend janë Ahmedi  e Roshi.

Llullaku pritet ta nisë nga minuta e parë nëse Sadiku nuk ia del.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Evakuohet Kulla Eiffel, policia arrestoi një person të dyshuar

Posted: 01 Sep 2017 01:47 PM PDT

Mbrëmjen e kësaj të premteje në Parsi janë dhënë dy alarme terroriste. Sipas Tgcom, alarmi i parë u dha në stacionin Eurostar në Gare du Nord, ndërsa alarmi i dytë në Kullën Eiffel. Kjo e fundit u evakuua, ndërsa policia arresoit një person të dyshimtë.

Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi emergjencën terroriste.

Policia evakuoi turistët në kullë dhe më pas njoftoi arrestimin e një personi që po kryente lëvizje të dyshimta.

Edhe në stacionin "Gare du Nord', një prej terminaleve është evakuuar, ndërsa arsyet nuk dihen. Ndërkohë, thuhet se pasagjerët e terminalit kanë ngelur të bllokuar. Në faqen e Eurostar në Twitter shkruhet se: "Na vjen keq, por për shkaqe sigurie duhet të përsëriten kontrollet tek udhëtarët".

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter