INSAJDERI: “Partia nacionaliste tërhiqet nga koalicioni PAN, tregon arsyet” plus 19 more |
- Partia nacionaliste tërhiqet nga koalicioni PAN, tregon arsyet
- Qeveria Haradinaj do të mbrohet nga padia e biznesit pronë e Pacollit
- Simiq thotë se do ta pyes Vuçiqin nëse do të hyjnë në Qeveri
- Nait Hasani dhe Fadil Beka “ia shohin hairin” marrëveshjes PAN-AKR
- Shqipëria si Turkmenistani – rrezikon të mbetet pa Akademi të Shkencave
- Kryeprokurori Shala i reagon Tomë Gashit për rastin Dehari: Mos manipulo
- “Messi i Kosovës” dëshiron hapësirë tek Genk, ka një mesazh për Bunjakin
- Policia: Nuk ka emigrim, por po kthehen bashkatdhetarët
- Formacionet zyrtare të Gjermanisë U-21 kundër Kosovës U-21
- Trajneri i Malit të Zi ndezi një cigare, FIBA e dënon
- Mogherini thotë se ia ka vënë qëllim vetës që t’i pajtojë Kosovën me Serbinë
- Mustafës i kalon hidhërimi me Thaçin, shfaqet buzagaz afër tij
- “Ekspertiza nga Austria vërteton manipulimet e inçizimit rreth rastit Dehari”
- Protagonisti i përgjimeve shprehet i gatshëm që të drejtojë Ministrinë e Financave
- Krasniqi: Falja në sheshe është reklamim, hienat s’mund t’i bëjnë asgjë Skënderbeut
- Presidenti gjen kohë të flas me të akuzuarin për krim të organizuar
- Aleatët e Zaevit kundër Ligjit për Gjuhën Shqipe
- Kundërshtari i radhës tejet i rrezikshëm i Anthony Joshuas
- Gjykata Supreme e Kroacisë lejon ekstradimin e Ballistit në Serbi
- Si u radikalizua Islami në Kosovë dhe sa ndikuan OJQ-të arabe në këtë fenomen?
| Partia nacionaliste tërhiqet nga koalicioni PAN, tregon arsyet Posted: 05 Sep 2017 09:56 AM PDT Partia Lëvizja për Bashkim, e cila kishte formuar një koalicion parazgjedhor me koalicionin PDK-AAK-NSIMA, ka njoftuar sot se do të shkëputet nga koalicioni me partitë nga krahu i luftës. Kryetari i kësaj partie, Valon Murati ka treguar dy arsyet e vendimit të Lëvizjes për Bashkim për largimin nga PAN-i. Murati ka thënë se njëra nga arsyet është fuqizimi i Listës Serbe në Qeverinë Haradinaj, raporton Insajderi. “Nuk mund të jemi pjesë e një qeverie që do të varet nga Lista Serbe. Arsyeja tjetër që po tërhiqemi është se në zgjedhjet e ardhshme kemi në plan që të shkojmë të vetëm në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj. Ai ka thënë se koalicioni PAN-AKR nuk e kanë vendosur në plan të parë interesin e qytetarëve të Kosovës. “Nuk e kanë pasur interesin e qytetarëve të Kosovës, në parim. Prandaj ne nuk mund të sillemi me nonshalancë dhe ne kemi nevojë ende për shumë çështje kryesore në vend”, ka thënë Murati, në intervistë për RTV Dukagjinin. Sipas Muratit, Lëvizja Vetëvendosje do duhej të krijonte qeverinë e ardhshme. “Ka qenë mirë që në pushtet të hynte edhe Vetëvendosje. Unë kam qenë idhtar që Lëvizja Vetëvendosje të merret me përgjegjësitë e vendit, me qeverisjen në vend apo edhe me bisedimet me Serbinë”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com The post Partia nacionaliste tërhiqet nga koalicioni PAN, tregon arsyet appeared first on INSAJDERI. |
| Qeveria Haradinaj do të mbrohet nga padia e biznesit pronë e Pacollit Posted: 05 Sep 2017 09:55 AM PDT Një ndër punët e vështira që e presin Qeverinë e Ramush Haradinajt në mandatin e tij si kryeministër është edhe një betejë ndërkombëtare të drejtësisë, saktësisht në Gjykatën e Arbitrazhit. Me 24 korrik të këtij viti, kur Haradinaj po mundohej ti bënte numrat për të formuar Qeverinë e tij, duke përfshirë edhe bisedat me deputetë të AKR-së, kompania në pronësi të Behgjet Pacollit kishte ushtruar padi ndaj Qeverisë së Kosovës për çështjen e Hotel Grandit. Hiq më pak sesa biznesmeni Behxhet Pacolli dhe kompania e tij "MabCo Sontructions" ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë. Lajmin e kishte marrë vesh Insajderi ndërsa vet Gjykata e Arbitrazhit e njohur me emrin zyrtar si Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve e ka publikuar këtë informacion në faqen e Bankës Botërore.
Përmes këtij publikimi, Arbitrazhi ka treguar se e ka pranuar lëndën e kompanisë në pronësi të Pacollit me datën 21 korrik. Në këtë informacion thuhet se subjekti i mosmarrëveshjes është "blerja e aksioneve" dhe hyn tek sektori i turizmit, sipas të dhënave të publikuara nga Arbitrazhi. Padia e kompanisë në pronësi të Pacollit ka të bëjë me rastin e Hotel Grandit të cilin Pacolli e kishte blerë e më pas i ishte anuluar ky privatizim. Kjo temë ka qenë një ndër më të komentuarat në vitet e fundit në Kosovë, sa i përket skandaleve të privatizimit në vend. Pranimi i lëndës në Gjykatën e Arbitrazhit është hapi i parë që padia të ecë tutje megjithatë kjo nuk do të thotë asgjë për vendimet që kjo gjykatë mund të marrë. Insajderi ka marrë vesh se kompanisë së Pacollit i është kërkuar që brenda 10 ditëve të dërgojë materialet përcjellëse./Insajderi.com
The post Qeveria Haradinaj do të mbrohet nga padia e biznesit pronë e Pacollit appeared first on INSAJDERI. |
| Simiq thotë se do ta pyes Vuçiqin nëse do të hyjnë në Qeveri Posted: 05 Sep 2017 09:25 AM PDT Lista Serbe ka vlerësuar se lëvizja drejt zhbllokimit të institucioneve është një hap i mirë, ndërsa ka paralajmëruar se të gjitha vendimet e kësaj partie do të merren pas konsultimeve me Qeverinë serbe dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë për KosovaPress, se lëvizja drejt zhbllokimit të institucioneve është e mirë për shkak të qytetarëve, ndërsa ka përsëritur se qëndrimet e kësaj partie tashmë janë të njohura. "Jemi të hapur për bisedime. Ata, të cilët dëshirojnë të bisedojnë me Listën Serbe duhet të tregojnë respekt ndaj popullit serb dhe së bashku me ne të punojnë në avancimin e pozitës së serbëve. Natyrisht, para çfarëdo bisedimesh, sikur deri më tash, ne do të konsultohemi me qeverinë tonë dhe presidentin Vuçiq", ka deklaruar Simiq./KosovaPress/
The post Simiq thotë se do ta pyes Vuçiqin nëse do të hyjnë në Qeveri appeared first on INSAJDERI. |
| Nait Hasani dhe Fadil Beka “ia shohin hairin” marrëveshjes PAN-AKR Posted: 05 Sep 2017 09:20 AM PDT Marrëveshja e mbrëmshme mes koalicionit PAN dhe AKR-së i hap rrugë formimit të institucioneve të Kosovës, emërimit të kryetarit të Kuvendit e më pas edhe formimit të Qeverisë. Kandidat për kryeministër nga koalicioni PAN-AKR është Ramush Haradinaj. Haradinaj si deputet i zgjedhur në momentin që merr postin e kryeministrit ia liron vendin kandidatit që është në listë të pritjes me më së shumti vota. Në këtë rast Haradinajn do ta zëvendësojë Nait Hasani i cili në zgjedhjet e përgjithshme ka marrë 9578 vota. Edhe Nisma për Kosovën do t'i takojë posti i zëvendëskryeministrit dhe tri Ministri. Nëse kryetari i saj Fatmir Limaj merr post qeveritar atëherë vendin e tij do ta zë po ashtu një kandidat nga PDK-ja. Fadil Beka në zgjedhjet e përgjithshme ka fituar 9234 vota. The post Nait Hasani dhe Fadil Beka “ia shohin hairin” marrëveshjes PAN-AKR appeared first on INSAJDERI. |
| Shqipëria si Turkmenistani – rrezikon të mbetet pa Akademi të Shkencave Posted: 05 Sep 2017 09:16 AM PDT Një ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se do t'i heqë buxhetin Akademisë Shkencave, pas zgjedhjeve për kryetarin e ri, proces të cilin ai e quajti një farsë. Por që kjo të ndodh fillimisht duhet të anulohet ligji për Akademinë e Shkencave. Nëse parlamenti voton pro, atëherë, sipas Gudar Beqiraj, kryetarit të zgjedhur për herë të dytë në këtë detyrë, Shqipëria do të jetë vendi i parë pa institucionin më të rëndësishëm shkencor kombëtar. "Vetëm një ka bërë vaki në historinë e gjithë njerëzimit. Turkmenistani, vite përpara, ai që ishte në krye të shtetit, mbylli Akademinë, mbylli ca institucione të tjera të kulturës", shprehet ai. Për të mos mbërritur deri në zhbërjen e këtij institucioni, akademiku Beqir Meta thotë për Tv Klan se reforma duhet të nisë që te procesi i zgjedhjes së drejtuesve. Në qendër të debatit ishte rokada disa-vjeçare që ndodh mes kryetarit dhe nënkryetarit. "Që mos kemi po të njëjtët persona që po konkurrojnë, ligji me një pikë të vogël mund të rregullohet që kryetari i Akademisë të zgjidhet vetëm njëherë". Për sa i takon reformës së papërfunduar të nisur 3 vite e gjysmë më parë, kryetari i ri ka këtë propozim. "Reformën e bën qeveria, pra kjo pyetje i duhet bërë qeverisë". Varianti të cilin Beqiraj mbështet është rikthimi i instituteve të kërkimeve shkencore nën çatinë e Akademisë së Shkencave. Meta e kundërshton. "Modeli më i mirë i provuar është të kemi institute brenda Akademisë së Shkencave", thotë Beqiraj. "Fuqizojmë asamblenë", shprehet Beqir Meta. Akademisë së Shkencave i janë akorduar 120 milionë lekë të reja ne buxhetin e fundit. Fondi i ketij institucioni është 0.16 për qind i Prodhimit të Brendshëm Bruto, më i ulët edhe ne krahasim me Kosovën, që akordon 0.5 perqind për Akademinë e saj.
The post Shqipëria si Turkmenistani – rrezikon të mbetet pa Akademi të Shkencave appeared first on INSAJDERI. |
| Kryeprokurori Shala i reagon Tomë Gashit për rastin Dehari: Mos manipulo Posted: 05 Sep 2017 09:16 AM PDT Një ditë pasi ka pranuar raportin e ekspertizës austriake për video-incizimet e kamerave të sigurisë së qendrës paraburgimit në Prizren të ditës kur vdiq në qelinë e tij aktivistit i VV'së i dyshuar për terrorizëm, Astrit Dehari, avokati i familjes ka dalë me interpretime të kundërta. Prokuroria e Shtetit të hënën njoftoi se raporti thekson se nuk ka pasur manipulim të incizimeve. Por, Tomë Gashi pretendon se në raport shkruan se në 6 fajlla të incizimeve ka pasur ndërprerje. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e cila po heton rastin e vdekjes së Deharit, thotë se Gashi po mundohet të manipulojë opinionin publik duke e keqinterpretuar raportin. Kryeprokurori Admir Shala sqaroi të martën për Express, se në raport tregohet se ka pasur ndërprerje të incizimeve rreth orës 20:00 të 5 nëntorit 2016, ndërsa vdekja e të dyshuarit për terrorizëm ka ndodhur rreth orës 16:00 të së njëjtës ditë. Madje, sipas Shalës, në raportin e ekspertizës së video-incizimeve të ardhur nga Austria, vetë hetuesit konstatojnë se ndërprerjet mund të jenë të kohës kur policia i ka nxjerrë incizimet nga serverët e kamerave të sigurisë, apo nga ndonjë ndërprerje eventuale e rrymës. "Në ora 8 të mbrëmjes, thotë raporti, dikun rreth 1 minutë e 4 sekonda ka shkëputje, por vdekja [e Astrit Deharit] ka ndodhur rreth orës 4 të pasdites", pohoi Admir Shala për Gazetën Express. "Në raport është arsyetuar se ajo ndërprerje nuk ka të bëjë me kurrfarë ndërhyrje, por është qoftë ndërprerje e rrymës apo e tërheqjes së incizimeve, në ora 8 të mbrëmjes. Ndërsa, rasti ka ndodhur pas orës 3. Pra, kjo është në ora 8 të mbrëmjes, kur kanë mundur t'i tërheqë policia incizimet, apo ndonjë ndërprerje e rrymës. E kanë shpjegu ata në raport se nuk ka lidhje me këtë gjë", tha kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit. Por, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, në një postim në facebook thotë se gjetjet e ekspertizës austriake të kamerave të sigurisë kanë pasur ndërhyrje në gjashtë dosje të ruajtura. "Vetë ekspertiza e Entit Federal të Kriminalistikës të Austrisë, e të siguruar nga Prokuroria, vërtetohen manipulimet e video incizimit, dhe atë duke konstatuar në ekspertizë se ka pasur ndërprerje të vulave kohore të 6 video fajllave" ka shkruar Gashi. Ai, tutje ankohet edhe se prokurori i rastit asnjëherë nuk e ka njoftuar se ku i ka dërguar video incizimet për analiza, edhe pse sipas tij këtë e ka obligim ligjor. "Të gjitha çështjet teknike dhe çështje të tjera do të vërtetohen me rastin e hetimeve të pavarura jashtë Kosovës në ndonjërin prej Instituteve të shteteve të BE-së apo SHBA-së, siç edhe thotë Rezoluta/Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës i datës 20.12.2016, e të cilin Qeveria nuk e zbatoj kurrë, duke pretenduar se Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Zvicra, nuk mund të angazhohet si Institut i përzgjedhur nga familja Dehari, pasi që Zvicëra nuk është anëtare e BE-së", shton avokati kosovar. Ndryshe, një ditë më parë, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar ekspertiza e kryer në Austri e video-incizimeve të kamerave të sigurisë të qendrës së paraburgimit të Prizrenit, të ditës kur kishte vdekur Astrit Dehari, kanë rezultuar autentike. Kështu, autroitetet kosovare, përmes këtij njoftimit u kanë dhënë fund pretendimeve të 'Lëvizjes Vetëvendosje' se dikush ka mundur të ndërhyjë në incizime, për të fshehur, sipas tyre, vrasjen e aktivistit politik të dyshuar për sulmin terrorist ndaj objektit të Kuvendit, 4 gushtin e vitit të kaluar. Xhirimet që kanë rezultuar të jenë autentike shfaqin korridorin e qendrës së paraburgimit, gjatë 24 orëve të 5 nëntorit 2016, përfshirë edhe intervalin kur ka ndodhur vdekja e Astrit Deharit. "Raporti ka konstatuar se të gjitha video-incizimet paraqesin vulat kohore dhe janë gjithashtu të shikueshme. Gjatë transparencës së videove raporti ka konstatuar se këto janë në gjatësi identike dhe me këtë mund të përjashtohet manipulimi i video-incizimeve. Raporti i ekspertizës po ashtu ka konstatuar se nuk ka pasur manipulim apo ndërprerje të video-incizimeve", ka bërë të ditur Prokuroria e Shtetit në njoftimin e së hënës. /Express The post Kryeprokurori Shala i reagon Tomë Gashit për rastin Dehari: Mos manipulo appeared first on INSAJDERI. |
| “Messi i Kosovës” dëshiron hapësirë tek Genk, ka një mesazh për Bunjakin Posted: 05 Sep 2017 09:13 AM PDT Talenti 18-vjeçar nga Kosova, Edon Zhegrova, i cili cilësohet si “Messi i Kosovës” në Belgjikë, ka thënë se është i gatshëm të luajë për Kosovën nëse merr ftesë nga selektori Albert Bunjaki. Zhegrova i cili luan me skuadrën e RKC Genk në Belgjikë, ishte ftuar nga trajneri i skuadrës Albert Stuivenberg ishte ftuar vetëm për ndeshjen e parë të kampionatit belg kundër Waasland-Beveren. Që prej asaj ndeshje, ai ka luajtur vetëm me skuadrën e dytë të Genk. Por, tani, Zhegrova dëshiron më shumë hapësirë në skuadrën e njohur nga Belgjika. Ai, po ashtu ka pasur ftesë nga përfaqësuesja U-21 e Kosovës për ndeshjet kualifikuese të shtatorit, por Zhegrova thotë se dëshiron të luajë për përfaqësuesen A. “Ata më thirrën, por në U21 nuk ndihesha shumë mirë”, tha Zhegrova për mediumin belg Het Belang Van Limburg. “Nëse Albert Bunjaki, trajner i ekipit kombëtar, më kontakton, do të doja ta mendoja këtë si mundësi, pasi deri tani unë nuk kam luajtur asnjë ndeshje zyrtare ndërkombëtar”. Para se të transferohej në Belgjikë, Zhegrova kishte luajtur me skuadrat e mosave të FC Prishtinës dhe KF Flamurtarit nga Prishtina. /Insajderi.com The post “Messi i Kosovës” dëshiron hapësirë tek Genk, ka një mesazh për Bunjakin appeared first on INSAJDERI. |
| Policia: Nuk ka emigrim, por po kthehen bashkatdhetarët Posted: 05 Sep 2017 08:51 AM PDT Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim publik në lidhje me raportimet e disa mediave, gjatë mbrëmjes së djeshme, se ka krisur një valë e re emigrimi i kosovarëve. Mbrëmë Indeksonline dhe Intearktiv i KTV-së, bazuar në disa video dhe fotografi në të cilat shfaqeshin një numër i madh njerëzisht në stacionin e autobusëve në Prishtinë të cilët po marrin rrugën për vende të ndryshme të Evropës.
Sipas Policisë së Kosovës, nuk ka një "fluks apo eksod të ri të kosovarëve". "Menjëherë janë ndërmarr veprime për verifikim të këtyre informacioneve dhe bazuar në punë operative të zyrtarëve policor dhe në bashkëpunim me ministrinë e transportit dhe infrastrukturës, si dhe autoritetet tjera është konstatuar se nuk bëhet fjalë për kurrfarë eksodi të qytetarëve tanë dhe se nuk ka vend për shqetësime të tilla", ka thënë Policia e Kosovës në komunikatë për media. "Gjithashtu nuk ka asnjë konfirmim nga asnjë shtet i BE -se, se ka rritje të numrit të kërkesave të kosovarëve për azil në këto shtete", shton Policia në komunikatë. Madje sipas Policisë ekziston një arsye përse në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë gjatë dy mbrëmjeve të fundit ka pasur një numër më të madh të njerëzve. "Gjatë sezonit sezonit verorë vendin tonë e kanë vizituar shumë bashkatdhetarë tanë, prandaj një numër i madh i tyre kanë përfunduar pushimet dhe festat dhe si zakonisht kthehen nëpër vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Autoritetet tona kanë njoftuar rregullisht përmes mediave për qarkullimin dhe fluksin nëpër pikat e kontrollit kufitar si në hyrje dhe dalje të Republikës së Kosovës dhe masat e ndërmarra për lehtësim në qarkullim, prandaj raportimet për ikje masive apo eksod të qytetarëve në mënyra tjera janë të pavërteta", thuhet në komunikatën e Polcisë./Insajderi.com The post Policia: Nuk ka emigrim, por po kthehen bashkatdhetarët appeared first on INSAJDERI. |
| Formacionet zyrtare të Gjermanisë U-21 kundër Kosovës U-21 Posted: 05 Sep 2017 08:44 AM PDT Janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes Gjermani U21 – Kosovë U21. Gjermania dhe Kosova në kategorinë deri në 21 vjeçar kanë publikuar formacionet zyrtare, para takimit të tyre në kuadër të grupit të pestë, ku Kosova prin me 6 pikë, por me dy ndeshje më shumë të zhvilluara. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Gjermani nga ora 19:00. /Insajderi.com The post Formacionet zyrtare të Gjermanisë U-21 kundër Kosovës U-21 appeared first on INSAJDERI. |
| Trajneri i Malit të Zi ndezi një cigare, FIBA e dënon Posted: 05 Sep 2017 08:39 AM PDT Federata e Basketbollit e Malit të Zi është dënuar me dy mijë euro, pasi që trajneri i kësaj përfaqësueseje Bogdan Tanjeviq kishte ndezur një cigare dhe ishte larguar nga konferenca për media, pas takimit me Hungarinë në kampionatin evropian. Komiteti teknik i FIBA-s ka sanksionuar sjelljet e Tanjeviqit me nga një mijë euro për shkak të pirjes së duhanit dhe për shkak se para gazetarëve kishte dërguar asistentin Boshko Radoviq, transmeton Vijesti nga Podgorica. The post Trajneri i Malit të Zi ndezi një cigare, FIBA e dënon appeared first on INSAJDERI. |
| Mogherini thotë se ia ka vënë qëllim vetës që t’i pajtojë Kosovën me Serbinë Posted: 05 Sep 2017 08:33 AM PDT Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se është synim i saj personal që në dy vjetët e ardhshëm të shohë përparim konkret të të gjithë Ballkanit perëndimor kah strukturat evropiane. Duke folur në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë, Mogherini tha se BE, para 13 vjetësh, i ka premtuar rajonit dyer të hapura dhe pranim në familjen evropiane". "Synim i imi personal është që deri në fund të mandatit të Komisionit Evropian, pas dy vjetësh, të shohim përparim praktik të të gjashtë partnerëve tanë në Ballkanin perëndimor", tha Mogherini. Duke folur për dialogun për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë, Mogherini pranoi se ai ka përjetuar një ngërç, por tha se tani po përparon sërish, me angazhimin e nivelit më të lartë politik të të dyjave vendeve. Ajo paralajmëroi se në periudhën e ardhshme, dialogu Kosovë-Serbi do të prodhojë rezultate pozitive. The post Mogherini thotë se ia ka vënë qëllim vetës që t'i pajtojë Kosovën me Serbinë appeared first on INSAJDERI. |
| Mustafës i kalon hidhërimi me Thaçin, shfaqet buzagaz afër tij Posted: 05 Sep 2017 08:25 AM PDT Një ftohje e raporteve mes kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi u vu në pah kur presidenti të dielën i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndihmojë me një shumë parash viktimat në Amerikë. Këtë kërkesë, Thaçi ia drejtori qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa përmes rrjetit social Facebook. Thaçi nuk i dërgoi kërkesë zyrtare Mustafës. E reagimi i kryeministrit Isa Mustafa erdhi më pas. Ai tha se pajtohet me idenë që Kosova të ndihmojë në këtë tragjedi por një kërkesë të tillë presidenti nuk duhet ta dërgojë përmes Facebook-ut. "Për këto çështje presidentët nuk komunikojnë me qeverinë me facebook të dielën, por me akte zyrtare dhe duke respektuar legjimitetin e saj", shkruajti Mustafa. E pas kësaj ftohje të raporteve dhe hidhërimit që Mustafa e shprehu ndaj Thaçit, të dy janë parë afër njëri-tjetrit në shugurimin e katedrales “Nëna Terezë” të martën. Madje, ata janë parë të buzëqeshur nga biseda që patën mes vete. Siç raporton Gazeta Zëri, Mustafa e bëri të qeshë disa herë presidentin Thaçi, kurse ky i fundit siç duket i vazhdonte batutat në anën e tij të djathtë, ku ishte ulur djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Uka. Përveç kryeministrit Mustafa, Presidenti gjeti kohë që të fliste edhe me Ukë Rugovën. të akuzuarin për krim të organizuar dhe të dyshuar për udhëheqjen e një bande kriminale. Prezent në ceremoninë e shugurimit të katedrales kryesore në Prishtinë sot, ishin krerët më të lartë të shtetit, politikanë, familje të dëshmorëve, përfaqësues të bashkësive fetare e personalitete të ndryshme. /Insajderi.com
The post Mustafës i kalon hidhërimi me Thaçin, shfaqet buzagaz afër tij appeared first on INSAJDERI. |
| “Ekspertiza nga Austria vërteton manipulimet e inçizimit rreth rastit Dehari” Posted: 05 Sep 2017 08:12 AM PDT Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi në një postim të vetin në facebook ka hedhur poshtë gjetjet e ekspertizës nga Austria për video – incizimet në burgun në Qendrën e Paraburgimit Prizren ku, para dhjetë muajsh vdiq Astrit Dehari. "Edhe nga vetë ekspertiza e Entit Federal të Kriminalistikës të Austrisë, e të siguruar nga Prokuroria, vërtetohen manipulimet e video incizimit, dhe atë duke konstatuar në ekspertizë se ka pasur ndërprerje të vulave kohore të 6 video fajllave, ka shkruar Gashi duke theksuar se "Prokurori i rastit asnjëherë nuk na ka njoftuar se ku i ka dërguar video incizimet për analiza, edhe pse këtë e ka obligim ligjor", ka thënë Gashi. Ky është postimi i plotë i Gashit: SOT BËHEN 10 MUAJ NGA VRASJA E ASTRIT DEHARIT Edhe pse sot janë mbushur 10 muaj nga vrasja e aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ende sot ka deklarime të pavërteta rreth vrasjës, e fundit është ajo se kinse rezultati i ekspertizës së video incizimeve të kamerave të burgut nuk janë minipuluar. Prokurori i rastit asnjëherë nuk na ka njoftuar se ku i ka dërguar video incizimet për analiza, edhe pse këtë e ka obligim ligjor. Por edhe nga vetë ekspertiza e Entit Federal të Kriminalistikës të Austrisë, e të siguruar nga Prokuroria, vërtetohen manipulimet e video incizimit, dhe atë duke konstuar në ekspertizë se ka pasur ndërprerje të vulave kohore të 6 video fajllave… Të gjitha çështjet teknike dhe çështje të tjera do të vërtetohen me rastin e hetimeve të pavarura jashtë Kosovës në ndonjërin prej Instituteve të shteteve të BE-së apo SHBA-së, siç edhe thotë Rezoluta/Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës i datës 20.12.2016, e të cilin Qeveria nuk e zbatoj kurrë, duke pretenduar se Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Zvicra, nuk mund të angazhohet si Institut i përzgjedhur nga familja Dehari, pasi që Zvicra nuk është anëtare e BE-së. Angazhimi i Institucioneve të Specializuara jashtë Kosove për hetime të pavarura dhe ekspertiza të pavarura, lidhur me vrasjen e Astrit Deharit, është peng i formimit të Qeverisë së re të Kosovës për zbatimin e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. The post “Ekspertiza nga Austria vërteton manipulimet e inçizimit rreth rastit Dehari” appeared first on INSAJDERI. |
| Protagonisti i përgjimeve shprehet i gatshëm që të drejtojë Ministrinë e Financave Posted: 05 Sep 2017 08:02 AM PDT Ministria e Financave do të jetë njëra nga dikasteret qeveritare që do të udhëhiqen prej Partisë Demokratike të Kosovës, në Qeverinë Haradinaj. Ambiciet për të qenë në krye të Ministrisë së Financave nuk i ka fshehur as ish-ministri nga radhët e PDK-së, Besim Beqaj. Beqaj nuk e ka mohuar dëshirën të pasur një post qeveritar. Në një prononcim për portalin Lajmi.net, ai ka thënë se është i gatshëm për çdo deturë që i caktohet nga partia. "Nuk mund t'iu konfirmoj asgjë, kur të bëhen emërimet do ta kuptoni. Normalisht jam i gatshëm për çdo detyrë që ma cakton partia të merrem", ka thënë shkurt Besim Beqaj. Ministritë e tjera që pritet të drejtohen nga PDK-ja janë: Ministria e Drejtësisë, e Diasporës, e Integrimeve Evropiane, Ministria e Kulturës dhe Ministria për dialog. Ish-ministri i Financave, Beqaj, ka qenë një nga zyrtarët e lartë të PDK-së që u bën protagonistë në Dosjen e Shefave, një seri përgjimesh telefonike, përmes të cilave konfirmohet ndërhyrja e tyre për të "sistemuar" njerëzit e afërt të PDK-së në pozita të ndryshme udhëheqëse, përfshirë edhe agjencitë e pavarura, Policinë e Kosovës e të tjera. Në njërën nga këto biseda, vërtetohet se Beqaj kishte pasur "dorë" në emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të PTK-së, pas dorëheqjes së Shyqri Haxhës.
Beqaj ka qenë Ministër i Zhvillimit Ekonomik në kohën kur ka dështuar procesi i privatizimit të PTK-së dhe kur janë bërë akuzat së kjo kompani po bëhej gati t'i shitej një kompanie fantome. Ai kishte marrë kritika edhe për çmimin e privatizimit të distribucionit të energjisë elektrike tek kompania KEDS. Në zgjedhjet e vitit 2014, ai kishte dështuar të mbledhë votat e mjaftueshme për t'u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në kabinetin e Qeverisë Mustafa, Ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti, ndërsa Beqajt nuk i ishte ofruar post qeverisës. /Insajderi.com The post Protagonisti i përgjimeve shprehet i gatshëm që të drejtojë Ministrinë e Financave appeared first on INSAJDERI. |
| Krasniqi: Falja në sheshe është reklamim, hienat s’mund t’i bëjnë asgjë Skënderbeut Posted: 05 Sep 2017 07:52 AM PDT Historiani Jakup Krasniqi, në një shkrim të publikuar në Facebook, ka reaguar ashpër ndaj ngjarjeve të së premtes në Tiranë, ku është mbuluar monumenti i Skënderbeut, për shkak të namazit të Bajramit. Ai ka thënë se "hienat" nuk mund t'i bëjnë asgjë Skënderbeut, duke kundërshtuar ashpër faljen nëpër sheshe, pasi, sipas tij, një gjë e tillë bëhet për reklamim. Këtu mund ta lexoni të plotë shkrimin e Krasnqit. Kujdes, lodhemi kot, nuk e kanë me Skënderbeun Heroi ynë Gjithëkombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEU iu ka mbijetuar të gjitha kohërave dhe në të gjitha e ka lënë vulën e lavdisë e të triumfit për vete e të krenarisë për ne, shqiptarët! Historia jo vetëm e jona, nuk e ka lënë në harresë, por ia ka denjuar të gjitha nderimet, ndriçimet dhe shkëlqimet! E ka përjetësuar në të gjitha llojet e veprave madhështore të artit. Prandaj, kushdo qofshin e ngado qofshin, nuk mund ta lënë asnjë shenjë njollosjeje mbi Kryeheroin e kombit tonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun Lodhemi kot me zhvillimet e fundit rreth "mbulimit" të Monumentit të Skënderbeut, sepse nuk e kanë me të, ndaj kujdes! Pse? Sepse Heroi ynë Gjithëkombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEU iu ka mbijetuar të gjitha kohërave dhe në të gjitha e ka lënë vulën e lavdisë e të triumfit për vete e të krenarisë për ne, shqiptarët! Historia jo vetëm e jona, nuk e ka lënë në harresë, por ia ka denjuar të gjitha nderimet, ndriçimet dhe shkëlqimet! E ka përjetësuar në të gjitha llojet e veprave madhështore të artit. Prandaj, kushdo qofshin e ngado qofshin, nuk mund ta lënë asnjë shenjë njollosjeje mbi Kryeheroin e kombit tonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Skënderbeu jo vetëm për së gjalli i dha zemër e zë popullit të Arbërisë (të Maqedonisë apo të Epirit) siç quheshin asaj kohe trojet e shqiptarëve, por edhe Skënderbeu i rilindur nga Naim Frashëri e Jeronim de Rada, i dha jetë idesë së Rilindjes Kombëtare, për një gjuhë, për një komb e për një shtet SHQIPTAR. Ide kjo e parealizuar as sot e kësaj dite, se bijtë e shqipeve janë bërë si zogjtë e qyqes! 28 Nëntori i vitit 1912, e (për)mbylli historinë e kombit e të shtetit të shqiptarëve – Shqipërinë, edhe pse shqiptarët mbetën të ndarë e të copëtuar, për shkakun e vetëm pse kombi, territori i tyre dhe shteti kishin armiq të shumtë, jashtë e brenda tij. Skënderbeu i rilindur i ngjizi me krenari të gjithë brezat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të gjithë brezat pas saj. Andaj prekja dhe përpjekja për të denigruar atë personalitet gjithëkombëtar as ka qenë e as do jetë, kurdo e kudo që bëhet, diçka e rastësishme apo ndjenjë thjesht fetare, pasi feja në këto troje nuk është "zbulim" i kohës sonë. Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më mirë sesa sot. Kanë dy shtete të pavarura dhe janë element shtetformues në Maqedoni, kanë edhe aleatë të fuqishëm, por njëkohësisht kanë edhe armiq të shumtë nga jashtë, nga brenda. Duhet pranuar pa hezitim se më të shumtë e më të ligjtë janë këta që keqpërdorin ndjenjat fetare të njerëzve që t'i mbushin sheshet për t'i shkatërruar shtyllat kryesore të kombit: Skënderbeun, shqiptarizmën, traditën shumëshekujsh, gjuhën, identitetin. Këto forca ogurzeza, kurrë nuk kanë pushuar se mohuari mëvetësisë tonë kombëtare, por në harkun kohor çerek shekullor nisi ngritja e tyre si hiena. E sot i kemi jo në prag, por në shtëpi, duke i rrënuar të arriturat e shekujve për komb e atdhe. Këto hiena asgjë nuk mundi t'i bëjnë Skënderbeut! As idesë që rilindi me aq shkëlqim në shekullin XIX, sepse ajo është kurorëzuar tashmë, por mund ta godasin fort të sotmen e të ardhmen e brezave tanë, ashtu siç po rrënohet e sotmja dhe e ardhmja e irakianëve, sirianëve, kurdëve etj., në Lindjen e Afërme. Ju kujtohet "pranvera arabe" se çfarë dimri solli për vetë kombet e vendet që lindi! Dhe askush nuk është goditur më shumë e më fatalisht sesa ato kombe të asaj “pranvere”! Shikoni përpëlitjet e tyre edhe sot e kësaj dite, përpëlitje që i kalojnë edhe kufijtë e atyre vendeve e kombeve. Mos pritni diçka tjetër nga ideatorët e keqpërdorimit të njerëzve dhe të të drejtave të tyre fetare, të cilët nuk janë vetëm në kërkim të uzurpimit të hapësirave publike të qytetarëve, siç janë sheshet e qyteteve të Shqipërisë e të Kosovës, ata kërkojnë mohimin e shkatërrimin e traditave tona kombëtare. Në çdo shoqëri të civilizuar, vende të lutjeve fetare janë xhamitë ose kishat, dalja jashtë tyre nuk ka për qëllim shfrytëzimin e së drejtës për të kryer ritin fetar. Dalja në sheshe është reklamim e prezantim i një fuqie ogurzezë, që po sillet si një fantazmë apo një gjarpër i zi kundër vlerave tona kombëtare, por mbi të gjitha kundër të ardhmes sonë kombëtare. Institucionet relevante të shteteve tona duhet t'i bëjnë sytë katër dhe jo të përgjumen, me ç'po duket, nga këto akte të shëmtuara. Familjet shqiptare duhet t'ju kthehen vlerave tradicionale të familjeve shqiptare. Rinia shkollore duhet të mendojë më shumë për të ardhmen e vet e të kombit. Ne duhet të jemi krenarë me të qenit komb shqiptar! Këto vlera që na kanë bërë e na bëjnë krenarë, janë duke u sulmuar nga një farë e keqe. Shpirti i rilindësve duhet të rilindë përsëri! Ky është obligimi i energjive të reja, që sot po duken të fjetura! Të mos keqkuptohemi: ritet fetare vendin si kudo në botën e qytetëruar, e kanë në tempujt përkatës, në kishë e në xhami. Pushteti tokësor është obligim i institucioneve shtetërore, të cilat zgjidhen me votë të lirë nga populli për çdo katër vjet. Këto institucione kanë obligime më shumë sesa punët rutinore të administrimit të sigurisë se përditshmërisë, por kanë një kryepërgjegjësi – Sigurimin e Ardhmërisë Kombëtare në shtigje të gjata. Feja duhet të jetë e ndarë nga shteti, nëse vendi e do zhvillimin dhe përparimin. Kudo ku feja e shteti bëhen si lesh arapi, nuk ka zhvillim, nuk ka progres, nuk ka liri, nuk ka drejtësi dhe as solidaritet. Ndaj fjalia e fillimit: Lodhemi kot me zhvillimet e fundit rreth "mbulimit" të Monumentit të Skënderbeut, sepse nuk e kanë me të, ndaj kujdes!
The post Krasniqi: Falja në sheshe është reklamim, hienat s'mund t'i bëjnë asgjë Skënderbeut appeared first on INSAJDERI. |
| Presidenti gjen kohë të flas me të akuzuarin për krim të organizuar Posted: 05 Sep 2017 07:49 AM PDT Në shugurimin e katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë, Hashim Thaçi ishte njëri nga zyrtarët më të lartë të shtetit që merrte pjesë në këtë ceremoni, së bashku me kryeministrin e vendit Isa Mustafa. Presidenti dhe kryeministri ishin ulur shumë pranë njëri tjetrit. Për ta, ishin rezervuar ulëset në rreshtin e parë. Por, shumë pranë tyre në sallën kryesore të katedrales ndodhej edhe Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova. Aktakuza e ngritur ndaj tij mbi dyshimet për udhëheqjen e një grupi kriminal nuk e penguan shkuarjen e Ukë Rugovës në ceremoni. Edhe Uka ishte i ulur në rreshtin e parë të karrigeve të katedralës. Ngjitur me presidentin Thaçi. Figura famëkeqe që ka krijuar Ukë Rugova për dyshimet e tij për lidhjet me krimin, nuk e bënë Thaçin indiferent ndaj djalit të ish-presidentit Rugova. Madje, siç raporton Gazeta Zëri, presidenti aktual i Kosovës dhe i dyshuari për krim të organizuar kanë shkëmbyer fjalë mes vete. Për ta kryer shugurimin e katedrales “Nëna Terezë” kishte ardhur nga Vatikani edhe i dërguari special i Papës, Ernest Simoni. Prezent në këtë ceremoni ishin krerët më të lartë të shtetit, politikanë, familje të dëshmorëve, përfaqësues të bashkësive fetare e personalitete të ndryshme. Ukë Rugova, i cili mori pjesë në këtë ceremoni, akuzohet se ka udhëhequr një grup kriminal që ka përfituar nga biznesi i paligjshëm i shitjes së vizave italiane. Insajderi në serinë e hulumtimeve të emërtuara "Dosja Grande", kishte publikuar tërë dyshimet e akuzat që rëndojnë mbi djalin e ish-presidentit Rugova. Po ashtu, Insajderi ka zbuluar se një kompani private, ku është aksionar Ukë Rugova, ka vepruar përgjatë viteve në kundërshtim me postin që ka mbajtur ai: atë të deputetit të parlamentit të Kosovës. Biznesi i tij – restorant dhe autolarje, i kishte borxh Administratës Tatimore të Kosovës. /Insajderi.com The post Presidenti gjen kohë të flas me të akuzuarin për krim të organizuar appeared first on INSAJDERI. |
| Aleatët e Zaevit kundër Ligjit për Gjuhën Shqipe Posted: 05 Sep 2017 07:46 AM PDT Në Kuvendin e Maqedonisë sot filloi debati i Ligjit për Gjuhën Shqipe por lind dyshimi se si do të miratohet ky ligj kur intelektualët maqedonas të afërt me LSDM-në, po dalin me teza se ky ligj është antikushtetues. Pra Zoran Zaev bën sikur do që ta bëjë gjuhën shqipe zyrtare por nga ana tjetër urdhëron intelektualët e tij që ta çojnë atë deri tek gjykata kushtetuese dhe ta rrëzojnë. Ndër të parët që reagoi ishte Dimitar Apasiev nga lëvizja e “Majtë” dhe konsiderohet si aleat i LSDM-së dhe Zaevit. Apasiev në profilin e tij në Facebook shkroi se Ligji duhet të tërhiqet, ose ata do ta sfidojnë me të gjitha mjetet e mundshme në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka thënë se në lojë janë dy skenarë të mundshëm – sipas skenarit të parë, menjëherë pas zgjedhjeve lokale, Ligji për Gjuhën Shqipe do të korrigjohet nga Komisioni i Venecias, duke i zvogëluar kompetencat e gjuhës shqipe. Nëse kjo nuk ka sukses, atëherë aktivizohet skenari i dytë – Lëvizja 'Levica' e apelon Ligjin për Gjuhën Shqipe në Gjykatën Kushtetuese, e cila e shpallë atë antikushtetues, duke e zhbërë krejtësisht, shkroi Apasiev në Facebook Në lidhje me ligjin për gjuhën shqipe reagoi edhe Katica Kulavkova, anëtare e Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë, e cila është e afërt me partinë e Zaevit. Ajo ka pohuar se ligji i ri për gjuhët është në kundërshtim me kushtetutën. Kjo nënkupton se ky ligj do të bie poshtë nëse vjen para gjykatës. "Edhe unë kam vërejtjet e mija, tani duhet edhe një analizë më bazike, por për fat të keq një gjë e tillë nuk kërkohet nga ekspertët. Përsëris, ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë", ka shkruar ajo në rrjetin social Twitter. The post Aleatët e Zaevit kundër Ligjit për Gjuhën Shqipe appeared first on INSAJDERI. |
| Kundërshtari i radhës tejet i rrezikshëm i Anthony Joshuas Posted: 05 Sep 2017 07:40 AM PDT Tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht se Kobrat Pulev do të jetë kundërshtari i ardhshëm i kampionit absolut të kategorisë së rëndë, Anthony Joshua. 28 tetori është dita kur dy boksierët do t'i masin forcat e tyre në Cardiff. 36 vjeçari bullgar është në formë jashtëzakonisht të mirë, teksa duelin me Joshuan e caktoi si mandatar për duelin e madh në kategorinë "IBF", kurse Joshua ka vendosur t'i vë në lojë të gjitha titujt e tij.
Kobrat Pulev ndryshe quhet "Kobra" dhe ky pseudonim i përshtatet mjaft mirë statistikave të tij. Ai ka zhvilluar 26 duele profesionale në kategorinë e rëndë duke triumfuar në 25 duele, 13 prej të cilave i ka fituar me nokaut (KO). Dueli i tij i vetëm i humbur ishte pikërisht ndaj Wladimir Klitschkos më 15 nëntor, 2014. Ai ka arritur që të triumfojë ndaj emrave të mëdhenj të boksit botëror si Kevin Johnson, Samuel Peter, Dereck Chisora, Maurice Harris, Tony Thompson etj. Joshua konsiderohet favorit për këtë duel, por se me çka do të ballafaqohet ai më së miri tregojnë duelet e bullgarit tejet të rrezikshëm. The post Kundërshtari i radhës tejet i rrezikshëm i Anthony Joshuas appeared first on INSAJDERI. |
| Gjykata Supreme e Kroacisë lejon ekstradimin e Ballistit në Serbi Posted: 05 Sep 2017 07:25 AM PDT Gjykata Supreme e Kroacisë ka lejuar ekstradimin e shtetasit të Shqipërisë, Ismail Morinës – Ballistit, në Serbi. Ai kërkohej nga Serbia për shkak të lancimit të një droni, që sipas drejtësisë serbe ka shkaktuar trazira në ndeshjen futbollistike ndërmjet Serbisë e Shqipërisë më 2014. Por vendimin përfundimtar do ta marrë ministri i Drejtësisë, raporton agjencia kroate e lajmeve, Hina, transmeton Koha.net. Morina, sipas fletarrestit, u kap në qershor të sivjetshëm në territorin e Dubrovnikut. Serbia atë e ngarkon se para tri vjetësh duke dirigjuar një dron që, sipas autoriteteve serbe, kishte mesazhe nacionaliste që pasqyrohej përmes hartës së Shqipërisë së Madhe, për ç'arsye qe ndërprerë ndeshja futbollistike midis përfaqësueseve të Serbisë e të Shqipërisë në Beograd, për pasojë ndodhën trazira midis tifozëve. Gjykata e Qarkut e Dubrovnikut lejoi ekstradimin e tij në Serbi që në korrik të sivjetshëm, kur u konstatua se janë përmbushur kushtet gjyqësore, por pas ankesës së Morinës në Gjykatën Supreme e anuloi këtë vendim dhe rastin e ktheu për rigjykim. Edhe në procedurën e ripërsëritur Gjykata e Dubrovnikut lejoi ekstradimin. Por, Morina sërish u ankua, ndërsa Gjykata Supreme vendosi aë ankesa e tij ishte e pabazë, përkatësisht se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për ekstradim. Por, vendimin përfundimtar e merr ministri i Drejtësisë, thekson Hina, trnamseton Koha.net. "Pjesa më e madhe e ankesës së personit për ekstradim në thelb ka të bëjë me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike meqë nga përmbajtja e ankesës del se ai konsideron se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vërtetuar se janë përmbushur kushtet ligjore për ekstradim dhe se nuk ka vërtetuara se ka pengesa për ekstradim. Mirëpo, gjykata e shkallës së parë të gjitha faktet vendimtare i ka vërtetuar drejt dhe plotësisht", thuhet në vendimin e fundit të Gjykatës Suprenem të publikuar sot në faqen e internetit. Gjykata ka gjetur po ashtu se nga pohimi që ka parashtruar Morina në ankesën e tij "se nuk mund të supozohet me arsye se personi për ekstradim në Republikën e Serbisë, vetëm pse është shqiptar dhe për shkak të bindjeve të veta politike do të jetë i diskriminuar gjatë gjykimit, përkatësisht se për këtë shkak do të ketë pozitë të vështirësuar". Vendimin e tij Gjykata Supreme duhet t'ia përcjell gjykatës së shkallës së parë në Dubrovnik, e cila pastaj duhet ta informojë për çdo gjë- ministrin e Drejtësisë, aë ai të ndërmarrë vendimin përfundimtar. Sipas një informate jozyrtarem Morina në ndërkohë ka kërkuar azil në Kroaci, aë do të mund të ndikonte në vendimin përfundimtar për ekstradim. The post Gjykata Supreme e Kroacisë lejon ekstradimin e Ballistit në Serbi appeared first on INSAJDERI. |
| Si u radikalizua Islami në Kosovë dhe sa ndikuan OJQ-të arabe në këtë fenomen? Posted: 05 Sep 2017 07:19 AM PDT Në Kosovë nuk dihej aspak rreth fraksioneve të shumta Islame që ekzistonin në vendet arabe. Nuk kishte njohuri rreth shiizmit, sunnizmit …etj Poashtu edhe lëvizjet që vepronin politikisht nën petkun Islam si " Vëllezëria Musimane", "Vehabizmi", " Hamasi" dhe të tjera pothuajse xhemati as që kishte idenë se çfarë ishin. Xhemati në Kosovë dinte vetëm për Arabinë, Mekken dhe Qaben.
Portali "Foltash", të marten ka organizuar një tryezë diskutimi ku ka prezantuar hulmtimin me temën "Shkaqet e shfaqjes së elementëve ekstreme në Kosovë, objektivat dhe hapat drejt deradikalizmit". Fillimisht,Kryeredaktori i Foltash, Bekim Jashari, ka prezantuar raportin e hulumtimit duke treguar se këtë hulumtim e kanë bërë imamë, profesorë dhe stafi i Foltash. Gjatë hulumtimit të tyre Jashari ka thënë se kanë arritur të bisedojnë me shumë imam e të rinj ku kanë arritur t'i marrin opinionet e tyre se si kanë arritur që në Kosovën e pasluftës të dalin nga një islam që ne e quajmë tradicional. "Një ekip i përbërë nga imamë, profesorë dhe staf i portalit FOLTASH, ka arritur të bëj një punë që ndërlidhet me temën aktuale që është edhe përballja me ekstremizimin dhe redikalizimin fetar. Gjatë punës tonë si ekip ne kemi biseduar me shumë imam me shumë të rinj dhe kemi arritur të marrim opinionet e tyre se si kanë arritur që t'i marrim opinionet e tyre se si kane arritur që në Kosovën e pasluftës të dalim nga një islam që ne e quajmë tradicional, që shqiptarët e kanë kultivuar ndër shekuj e që është thirrje për paqen tolerancën, respektin. Kemi ardhur në përfundim që kombi i ynë asnjëherë nuk ka zhvilluar beteja dhe luftëra apo konflikte fetare, por ka zhvilluar përpjekjen për atë që i mungonte, ajo që i mungonte ishte liria. Andaj kemi ardhur në analizën tonë që modelet e Lindjes që synuan nëpërmjet politikës të përfaqësojnë islamin, pikërisht në ato vende të Lindjes, nuk arritën sukses përkundrazi dështuan keq", ka thënë Bekim Jashari. Tutje Jashari ka thënë se shqiptarët nuk hasin në problematik të natyrës fetarë në këtë kaluarën. Sipas Foltash kanë konstatuar se insititucionet fetare në Kosovë e në veçanti institucioni i Bashkësisë Islame në periudhën e paraluftës ishte në funksion të lirisë së atdheut. "Shqiptarët nuk hasin në problematik të natyrës fetare në të kaluarën, në këtë pikë ne kemi konstatuar se institucionet fetare të Kosovës, e në veçanti institucioni i Bashkësisë Islame, po flasim për periudhën e paraluftës ishte vu në funksion të lirisë së atdheut dhe seritë e tyre ishin bërë pjesë e përpjekjeve për liri. Feja në vitet e 90-ta nuk ishte cak i forcave serbe. Ata kryenin ritet fetare por preokupim kishin lirinë e atdheut. Bashkësisë Islame e Kosovës arriti që të kultivojë frymën e Islamit unik dhe të ruajë predikimin e Islamit nën drejtimin e shkollës juridike hanefite. Shkollat tjera ishin të panjohura në shoqërinë tonë-xhematin", është shprehur Jashari, shkruan Gazeta e Re. Ai më tutje ka thënë Xhemati në Kosovë dinte vetëm për Arabinë, Mekken dhe Qaben në të kaluarën. Sipas Jasharit në të kaluarën Hoxhallarët e Kosovës më tepër merreshin me çështje parimore se sa përiferike. "Numri i studentëve nga Kosova në botën arabe, pothuajse ishte simbolik. Edhe ata që ishin atje, sidomos në vitet e 90-ta financoheshin nga familja. Kishte prej tyre të atillë që edhe në vendet ku studionin lobonin për Kosovën dhe çështjen e saj. Në Kosovë nuk dihej aspak rreth fraksioneve të shumta Islame që ekzistonin në vendet arabe. Nuk kishte njohuri rreth shiizmit, sunnizmit …etj Poashtu edhe lëvizjet që vepronin politikisht nën petkun Islam si " Vëllezëria Musimane", "Vehabizmi", " Hamasi" dhe të tjera pothuajse xhemati as që kishte idenë se çfarë ishin. Xhemati në Kosovë dinte vetëm për Arabinë, Mekken dhe Qaben. Raporti konstaton se pas luftës së fundit në Kosovë “gjendja humanitare ishte e rrezikshme, plagët e mëdha nga lufta. Këtu kemi një vërshim të OJQ-ve nga vendet arabe ( sidomos Arabia Saudite-Kuvajti). Ato shumë shpejt hapën zyret e tyre në Kosovë, duke ofruar ndihmën humanitare në gjëra si fillim elementare për qytetarët. Udhëheqësit e këtyre shoqatave ishin arab dhe pjesë e stafit të tyre ishin disa imam kryesisht që kishin mbaruar studimet në Arabinë Saudite dhe vende tjera të lindjes. Përveq ndihmës humanitare ata ofruan edhe ndihma në; Sipas këtij raporti puna e këtyre OJQ’ve ishte shtrirë në drejtimin për ta “krijuar përshtypjen që Kosova ka problem fetar”, që sipas përpiluesve të raporti nuk ishte ashtu realiteti. Hoxhollarët e Kosovës më tepër mirreshin me çështje parimore se sa periferike. Ata ishin pranë qytetarëve, në raste të ndryshme si; dasma, ahengje,mevlud, raste mortore si dhe pjesë e zgjidhjes së mospajtimeve midis qytetarëve. Ftonin popullin për unitet, dashuri dhe largim nga veprat e ndaluara në Kur'an.", ka përfunduar Bekim Jashari, kryeredaktor i Foltash. Ndërsa Shemsi Jashari nga "Demokracioa Fillon këtu", bashkëpjesmarrës në hulumtim ka thënë se kanë dhënë kontributin e tyre duke i pa dhe i trajtuar çështjet prej këndit të jashtëm fetar, domethanë të këndit të shoqërisë civile. "Ne kemi pasur kënaqësinë te jemi pjesë e një hulumtimi i cili është zhvilluar prej portalit Foltash. Një bashkëpunim i cili na është afruar neve që të japim kontributin tonë duke i pa dhe i trajtuar çështjet prej këndit të jashtëm fetar domethënë të këndit të shoqërisë civile e në këtë formë të mos dalim që të objektivat e këtij hulumtimit devijohen apo të shikohen vetëm nga një kënd, kjo ka bë që na të japim pak kontribut në këtë hulumtim dhe të fillojmë një bashkëpunimi cili është i kërkuar edhe në një strategji kombëtare që i lufton dukurit negative siç është edhe ekstremizmi", ka thënë Shemsi Jashari. Tutje ai ka vazhduar duke thënë se i kanë parapa objektivat të cilat duhet të bëhen e të arrihen nëpërmjet disa hapave që kish me qu drejt deradikalizmit. "Në fund të këti hulumtimi bashkërisht me konsulta të përbashkëta tu i analizu disa çështje që janë ngritë në këtë raport i kemi parapaobjektivat të cilat duhet të bëhën të arrihennëpërmjet disa hapave që ne të bëjmë një aktivitet që kish me çu drejt deradikalizimit, si pikë e parë është identifiku një nevojë për identifikimin e gjendjes aktuale dhe veprimtarisë fetare që e zhvillojnë ata që nuk janë kompetent të merren me çështje fetare dhe nuk e kanë përgatitjen e duhur në aspektin akademik dhe nuk i njeh institucionet siç jan BIKU që mirret me menaxhimin e jetës fetare, mandej e kemi identifiku si nevojë që institucionet shtetërore duhet që të fuqizojnë ligjin që mbikëqyr financimet e brendshme dhe te jashtme të këtyre organizatave që fshihen nën emrin e organizatave jo qeveritare diçka që është e lehet për mu regjistrua dhe diçka, që deri tash është tregu, që shteti ka pas vështirësi për t'i kontrolluar deri në at masë, sa mos me prodhu një ndikim negativ", ka përfunduar Shemsi Jashari. ![]() The post Si u radikalizua Islami në Kosovë dhe sa ndikuan OJQ-të arabe në këtë fenomen? appeared first on INSAJDERI. |
| You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |










