“Haley: Koreja Veriore po “kërkon luftë”” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Haley: Koreja Veriore po “kërkon luftë”
- Matoshi: Pacolli do ta takoj Haradinajn
- Frankfurt: Asgjësohet me sukses bomba masive
- “Mbreti i kokainës” është arrestuar në Uruguaj, pas fshehjes 23 vjeçare
- I dyshuari për krime lufte përballë dëshmive të fqinjit të tij
- Prokuroria deklaron ekspertizën për rastin Dehari
- Shërbime të mangëta shëndetësore për personat me nevoja të veçanta
- Turqia rrezikon anëtarësimin në BE, thonë zyrtarët evropianë
- Oda Ekonomike Amerikane ndanë 13 mijë dollarë ndihmë për Teksasin
- AKR një hap më afër PAN-it
- Maqedoni: Viti i ri shkollor me probleme të vjetra
- Shareviq dhe Gjuriq nuk lejohen të hyjnë në Kosovë
- Çeçeni: Protestë në mbështetje të myslimanëve në Birmani
- Duka dhe Dukesha e Kembrixhit presin fëmijën e tretë
- Koreja e Jugut kryen stërvitje ushtarake
- Xi kërkon rol më të madh të BRICS-it në botë
- Eksodi i myslimanëve të Birmanisë
- Malala kërkon nga Suu Kyi të dënojë trajtimin e myslimanëve
- SHBA kryen manovra ushtarake në Gjeorgji
- Sharapova eliminohet nga turneu U.S. Open
Haley: Koreja Veriore po “kërkon luftë” Posted: 04 Sep 2017 09:11 AM PDT Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se aksionet e Koresë Veriore tregojnë se lideri i saj, Kim Jong Un, po "kërkon luftë" dhe se është koha që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të miratoj masa në të fuqishme të mundshme. "Mjaft është mjaft. Lufta kurrë nuk është diçka që Shtetet e Bashkuara e dëshirojnë. Ne nuk na duhet ajo tash. Por, durimi i vendit tonë nuk është i pakufizuar.", tha Nikki Haley sot në seancën urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, një ditë pasi Koreja Veriore e ka lansuar atë që tha se ishte Bombë hidrogjenike. Kjo seancë urgjente është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Franca, Britania dhe Koreja Jugore. I dërguari i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, tha në këtë mbledhje se testet e Koresë Veriore tregojnë se "paqja në rajon është në shkatërrim serioz". Por, ai theksoi se zgjidhjet ushtarake nuk mund ta zgjidh krizën dhe shtoi se ekziston "nevojë urgjente për mbajtjen e kokës së ftohtë dhe përmbajtje nga aksionet që mund t'i përshkallëzojnë tensionet". Ambasadori i Kinës, Liu Jievi, përsëri ka kërkuar bisedime diplomatike për këtë krizë dhe i tha Këshillit të Sigurimit se Pekini nuk do të lejoj kaos dhe luftë në Gadishullin Korean. Anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Japoninë, dhe Francën, kanë kërkuar sanksione të reja kundër Koresë Veriore. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Matoshi: Pacolli do ta takoj Haradinajn Posted: 04 Sep 2017 08:54 AM PDT Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, do ta takojë sot më vonë Ramush Haradinajn, i cili është i nominuar për kryeministër nga koalicioni PAN, koalicion ky i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, konfirmojnë zyrtarët e AKR-së. Fatmir Matoshi, kryetar i Komisionit Zgjedhor në Aleancën Kosova e Re, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se zoti Pacolli është i interesuar që ta zhbllokojë situatën, për krijimin e institucioneve të reja të vendit. "Zoti Pacolli do të bëj propozime dhe do të shoh nëse këto propozime mund të harmonizohen me zotin Haradinaj, në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që ta kemi një qeveri të mundshme", tha Matoshi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Frankfurt: Asgjësohet me sukses bomba masive Posted: 04 Sep 2017 08:07 AM PDT Ekspertët e bombave në Frankfurt me sukses e kanë asgjësuar një bombë masive të paeksploduar nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Dje në mëngjes afro 60 mijë banorë është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. Ishte ky evakuimi më i madh në Gjermani prej Luftës së Dytë Botërore. Në mesin e të evakuuarve kishte edhe pacientë në spitale dhe persona të moshuar. Zyrtarët i kanë urdhëruar njerëzit që banonin brenda territorit me rreze prej 1.5 kilometrash, që të evakuoheshin. Bomba masive britanike ishte zbuluar javën e kaluar në një terren ndërtimi në Frankfurt. Ky qytet është qendra më e madhe financiare në Gjermani. Më tepër se 70 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Gjermani rregullisht zbulohen bomba të paeksploduara. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
“Mbreti i kokainës” është arrestuar në Uruguaj, pas fshehjes 23 vjeçare Posted: 04 Sep 2017 07:57 AM PDT Njëri prej shefave më të kërkuar të nëntokës në Itali, Rocco Morabito, është arrestuar në Uruguaj, pas 23 vitesh në ikje nga dënimi për lidhje me mafian, kontrabandim të drogës dhe krime të tjera serioze, ka njoftuar sot Ministria e brendshme e Italisë. Rocco Morabito, 50 vjeçar, konsiderohej personi më i kërkuar në ikje, i cili ishte pjesëtar i grupit të krimit të organizuar në Itali, i njohur me emrin "Ndragheta" në Kalabri dhe njëri prej importuesve më të mëdhenj evropianë të kokainës nga Amerika Jugore, raporton agjenciaa Reuters nga Roma. I njohur si "mbreti i kokainës në Milano", Morabito është person i kërkuar prej vitit 1994, pasi ishte i përfshirë në operacionin e pagesës së 8 milionë dollarëve për importin e gati një tonelate të drogës, ka raaportuar e përditshmja Corriere della Sera. Për Morabiton është dhënë një fletarrest ndërkombëtar në vitin 1995 me qëllim që të gjendet ndonjë gjurmë e tij dhe që ai eventualisht të ekstradohej në Itali, ku është i dënuar me 30 vjet burg. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
I dyshuari për krime lufte përballë dëshmive të fqinjit të tij Posted: 04 Sep 2017 07:49 AM PDT I dyshuar për krime lufte në Kosovë, në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës (Therandës), Bogdan Mitroviq, i arrestuar ditë më parë, është duke u mbajtur në paraburgim. Avokati i tij, Dejan Vasiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm. Ndërkohë që një nga fqinjët e tij pretendon se është dëshmitar për veprat penale të Mitroviqit, që ndërlidhen me kime lufte gjatë vitit 1999. Mitroviq ishte arrestuar më 28 gusht, përderisa me një grup të serbëve po vizitonin shtëpitë e tyre në Mushtisht të Komunës së Suharekës. Gjykata Themelore e Prizrenit e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. I pandehuri Mitroviq, sipas Gjykatës Themelore në Prizren, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale, krime lufte kundër popullsisë civile sepse, me datën 02 prill 1999, në fshatin Sopi, ishin vrarë 32 persona civilë të paarmatosur nga ana e forcave të armatosura serbe. Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili është marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informatë për personin me emrin, Mitroviq dhe implikimeve të tij në krime të luftës në Kosovë. "Në momentin që është bërë publik lajmi se është arrestuar, ne kemi shikuar bazën e të dhënave nëse kemi diçka, por nuk figuron në asnjë nga dokumentacionet tona, as në deklaratat. As në dokumentacionet tjera të çfarëdo lloji, emri i tij nuk përmendet askund. Ne nuk kemi asnjë të dhënë për të, por nuk do të thotë se ai nuk është i përfshirë, pasi që ne nuk jemi Prokurori apo polici për t'i pasur të gjitha të dhënat e sakta", ka thënë Blakaj. Xheladin Sadikaj nga fshati Sopi, pretendon se është njëri nga dëshmitarët e veprave penale për krime luftë me të cilat dyshohet Bogdan Mitroviq. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ai tha se Mitroviq duhet të përgjigjet për veprat që i ka kryer gjatë luftës kundër popullatës civile, kundër popullatës së pambrojtur të fshatit Sopi. Sadikaj tha se Bogdan Mitroviq ka qenë një prej organizatorëve të masakrës së fshatit Sopi. "Jo vetëm unë, por ka shumë e shumë dëshmitarë të tjerë që vërtetojnë fajësinë e tij. Ky është person i cili është identifikuar. Ai mund të bashkëveprojë me institucionet tona të sigurisë, me gjykatat dhe prokurorinë dhe të vë në shesh të gjithë ata personat të tjerë, pasi që një person i vetëm ka qenë e pamundur të bëjë 32 vrasje". "Ka dëshmitarë okularë, ka dëshmitarë të cilët e kanë parë, janë dokumentacionet të cilat janë gjetur pranë arkivave që i kanë lëshuar nga vendet përgjegjëse me organizim, me operativën që e kanë pasur dhe me kandidatët që duhet të eliminohen", thotë Sadikaj. Ndërkohë, avokati i Mitroviqit, Dejan Vasiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se lënda e Mitroviqit është ende në fazën e hershme të hetimeve dhe se, sipas tij, ende nuk është përcaktuar pjesëmarrja e tij eventuale si pjesëmarrës (në vepër). Ai ka thënë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm. "Atë, një fqinj i tij e ka cilësuar si person që ka marrë pjesë në një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1999", ka thënë Vasiq. Por, sipas tij, ky dëshmitar nuk ka arritur ta vërtetojë se ka parë vet atë që ka ndodhur, por më shumë ka dëshmuar në bazë të atyre që ka dëgjuar. "Kjo për mua nuk mund të ketë ndonjë peshë të rëndësishme", ka thënë avokati Vasiq. Sidoqoftë, ka nënvizuar ai, edhe kjo dëshmi ishte cilësuar e mjaftueshme që në këtë fazë të ngritët procedura hetimore. Megjithatë, ai ka shprehur edhe habinë e tij se si dëshmitari, Xheladin Sadiku gjatë gjithë këtyre viteve ka heshtur, edhe pse është takuar me Mitroviqin dhe ka vendosur që të dëshmojë në gjykatë pas 18 vjetësh. Sipas tij, kjo mund të lidhet edhe me probleme pronësore, pasi që Mitroviq, ka thënë ai, ishte afër procedurës për largimin e Sadikut nga lokali, të cilin ai thotë se e kishte uzurpuar. Megjithatë, Xheladin Sadikaj thotë se prona e Bogdan Mitroviq është e lirë dhe nuk është e uzurpuar. "Prona është e hapur, le të kthehet kur të dëshiron, askush nuk mund t'i thotë që nuk është prona e tij. Askujt nuk i ndalohet e drejta e kthimit. Kosova është e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar të kthehen, të cilët nuk kanë kryer krime, madje edhe atyre që përballen me drejtësinë", thekson Sadikaj. Bogdan Mitroviq, po mbahet nën masën e paraburgimit. Pritet që organet e drejtësisë të vendosin rreth masave të mëtutjeshme. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Prokuroria deklaron ekspertizën për rastin Dehari Posted: 04 Sep 2017 07:05 AM PDT Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar raportin e ekspertizës së analizave të video-incizimeve të kamerave të sigurisë, lidhur me rastin e vdekjes së të ndjerit Astrit Dehari, të cilat janë siguruar nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, ka konfirmuar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Astrit Dehari, vdiq në nëntor të vitit 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Siç thuhet në komunikatën për medie të lëshuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit "raporti është pranuar nga Republika e Austrisë, përkatësisht nga Ministria Federale e Brendshme, Enti Federal i Kriminalistikës". Video-incizimet janë dërguar në muajin shkurt në institutin "IT Forensics BKA", në Republikn e Austrisë (Ministrin Federale të Brendshme, Enti Federal i Kriminalistikës), për të vlerësuar autenticitetin e tyre, nëse ka pasur ose jo ndërhyrje në to. Në komunikatë thuhet se raporti ka konstatuar se "të gjitha video-incizimet paraqesin vulat kohore dhe janë gjithashtu të shikueshme". "Gjatë transparencës së videove raporti ka konstatuar se këto janë në gjatësi identike dhe me këtë mund të përjashtohet manipulimi i video-incizimeve. Raporti i ekspertizës po ashtu ka konstatuar se nuk ka pasur manipulim apo ndërprerje të video-incizimeve", thuhet në komunikatë. Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se pas pranimit të raportit të ekspertizës do t'i vlerësoj dhe analizojë të gjitha provat dhe faktet e mbledhura për këtë çështje penale dhe së shpejti do të dalë me vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Shërbime të mangëta shëndetësore për personat me nevoja të veçanta Posted: 04 Sep 2017 06:59 AM PDT Shërbimet shëndetësore për personat me nevoja të veçanta në Kosovë vazhdojnë të jenë të mangëta. Shumë trajtime që do duhej t'i merrnin personat me nevoja të veçanta, sidomos ata që janë të varur nga karrocat, nuk mund t'u ofrohen atyre brenda institucioneve publike shëndetësore. Këtë e thotë Mejreme Llumnica, asistente e mirëqenies sociale në organizatën Hendikos. Sipas saj, ka raste kur në mungesë shërbimesh shëndetësore adekuate, shumë raste kanë përfunduar me fatalitet. "Fatkeqësisht shërbimet shëndetësore nuk janë të mira, ndonëse janë të domosdoshme. Shumë nga to edhe mungojnë. Një shërbim që ka nevojë më së shumti është trajtimi për dekubit. Ky shërbim mungon, është shërbim për varrët dekubotare. Kjo është një sëmundje e shpeshtë e personave të varur nga karroca. Tek ne trajtohet vetëm në fazën e fundit, atëherë kur duhet intervenimi kirurgjikal. Më pas prapë mungon rehabilitimi e që është i domosdoshëm", thekson Llumnica. "Ka pasur raste që kanë përfunduar me fatalitet, si pasojë e diagnozës , nga varrët dekubitare, dhe kjo ndodhë për shkak të pozitës që e kanë njerëzit që janë të varur nga karroca", shton ajo. Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj tha për Radion Evropa e Lirë se duhet të bëhet më shumë për këtë kategori të shoqërisë, ndonëse përmend disa lëvizje pozitive që janë bërë sa u përket shërbimeve shëndetësore për personat me nevoja të veçanta. "Është miratuar Ligji për personat e varur nga karroca dhe në këtë kuadër kemi formuar komisione konsoliare në nivel të spitaleve, aty ku janë specializimet e që ka nevojë. Së paku një herë në javë, këtyre personave të ju dalin në ndihmë e që ju takon me ligj", thotë Gjocaj. "Për shërbimet që nuk ekzistojnë dhe që duhet dalin jashtë vendit, është e rregulluar me udhëzime administrative. Në të kaluarën ka pasur edhe qendra rehabilituese, por tash mungojnë pasi janë privatizuar. Është folur shumë që lista esenciale të ndryshojë për këtë kategori, pasi kanë nevojë për material hargjues të vazhdueshëm", thekson ai. Në anën tjetër, zonja Llumnica tha se përpos shërbimeve mungon edhe stafi i trajnuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për personat me nevoja të veçanta. "Personat në karroca kanë probleme edhe me infeksione, për shkak të pozitës së detyrueshme dhe trajtimet janë shumë të mangëta. Në gjithë Komunën e Prishtinës, por mungon edhe stafi i trajnuar", thotë Llumnica. Aktualisht, në Kosovë nuk ka statistika të sakta, por sipas informatave që posedojnë organizatat që merren me të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë, thuhet se janë rreth 150 mijë persona me nevoja të veçanta, ku prej tyre, rreth gjysma, vlerësohet të jenë fëmijë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Turqia rrezikon anëtarësimin në BE, thonë zyrtarët evropianë Posted: 04 Sep 2017 06:09 AM PDT Veprimet e autoriteteve turke po e bëjnë 'të pamundur" anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, kanë thënë zyrtarë të BE-së. Zëdhënësi i presidentit të Komisionit Evropian, Jean- Claude Juncker, ka cituar deklaratën e bërë nga presidenti javën e kaluar, ku kishte thënë se Turqia "po bën hapa të mëdhenj larg Evropës". Çdo vendim për të penguar formalisht procesin e gjatë të anëtarësimit tashmë të ngecur të Turqisë në Bashkimin Evropian, duhet të merret nga 28 vendet anëtare të BE-së. Në anën tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë dje se ajo duhet të diskutojë me homologët e saj nëse "do t'i japin fund këtyre bisedimeve për anëtarësim". "Nuk e shoh Turqinë duke i'u bashkuar ndonjëherë Bashkimit Evropian, kurrë nuk kam besuar se kjo do të ndodhë" ka thënë Merkel, duke shtuar se Turqia është duke "përjashtuar të gjitha praktikat demokratike me shpejtësi të rrezikshme". Ibrahim Kalin, zëdhënës i presidentit turk, Recep Tayp Erdogan ka shkruar në rrejtin social Twitter se " është reflektim i mungesës së vizionit, që duke sulmuar Turqinë, përkatësisht Erdoganin, injorohen problemet fundamentale dhe urgjente të Gjermanisë dhe Evropës". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Oda Ekonomike Amerikane ndanë 13 mijë dollarë ndihmë për Teksasin Posted: 04 Sep 2017 05:58 AM PDT Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe anëtarët e saj kanë ndarë mbi 13,000 dollarë amerikanë për zonën e Teksasit të prekur nga stuhia katastrofike. Me këto mjete thuhet se do të mbështeten organizatat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ofrojnë asistencë direkte për zonat dhe banorët e prekur nga vërshimet. "Për t'u dalë në ndihmë zonave të prekura nga stuhia e përmasave katastrofike që ka goditur Gjirin e Teksasit, si njëra ndër fatkeqësitë më të rënda natyrore në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me dhjetëra të vdekur dhe dhjetëra mijëra persona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka krijuar një fond të ndihmës financiare.", thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga OEAK. Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka citohet të ketë thënë se kontributi ka vlerë të lartë simbolike dhe "dëshmi e mirënjohjes së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar për Kosovën në kohërat më të vështira të saj". Ndërkohë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i kishte kërkuar edhe Qeverisë së Kosovës që t'i ndajë 100 mijë dollarë amerikan për t'i ndihmuar zonat e prekura në Huston. "Ne, si shtet i ri, ende kemi probleme me varfërinë, por jemi popull solidar dhe që nuk harron kurrë ndihmën e popullit amerikan për Kosovën, kur ne ishim pllakosur nga vuajtjet e luftës në fund të shekullit të kaluar. Prandaj, i bëj thirrje dhe kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejt të marrë vendim për ndarjen e së paku 100.000 dollarëve amerikan në ndihmë të familjeve amerikane të prekura nga kjo katastrofë", thuhet në kërkesën e presidentit Thaçi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Posted: 04 Sep 2017 05:33 AM PDT Aleanca Kosova e Re ka bërë hapin e parë drejt zhbllokimit të nyjës politike të krijuar rreth formimit të institucione të reja të Kosovës. Ky subjekt politik, ka braktisur koalicionin parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën. Ndonëse ende nuk i është bashkuar taborit tjetër politik, pritjet janë që tani, koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, t'i ofrojë AKR-së marrëveshje, e cila do t'i siguronte këtij koalicioni shumicën e munguar deri tani në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i Aleancës Kosovare e Re, Behgjet Pacolli, pas një takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se "rrugët më këtë parti ndahen dhe AKR-ja do të funksionojë në Parlament si e pavarur". "Ne i kemi kryer të gjitha obligimet kontraktuale deri më tash. Tani rrugët tona ndahen. Ne kemi pak deputetë, tentojmë të krijojmë një grup parlamentar dhe të funksionojmë në Parlament si të pavarur. Ne jemi parti liberale dhe asgjë nuk kemi pasur tjetër në kontratë. Dhe të gjitha pikat kanë përfunduar si duhet, tani ne do të funksionojmë si të pavarur", ka thënë Pacolli. Kjo javë është paralajmëruar sërish se do të jetë vendimtare për të mbyllë seancën konstituive, e cila ka nisur më 3 gusht, por edhe pas gjashtë vazhdimeve nuk u përmbyll me zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni për shkak të mungesës së votave nga koalicioni PAN. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, ky koalicion e ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendi. Pritet që AKR të pozicionohet tani në raport me koalicionin PAN, nëse do t'i bashkohet këtij rreshtimi politik, në mënyrë që të thirret vazhdimi i shtatë i seancës konstituive të 3 gushtit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Maqedoni: Viti i ri shkollor me probleme të vjetra Posted: 04 Sep 2017 05:18 AM PDT Viti i ri shkollor ka filluar me probleme të vjetra në më shumë shkolla të Maqedonisë, të trashëguara nga vitet e kaluara, si mungesa e kushteve për mësim, mungesë të teksteve shkollore, ndërsa shumë prej teksteve tjera edhe këtë viti janë me gabime të shumta përmbajtjesore, gjuhësore, e madje edhe nxitëse dhe me paragjykime etnike. Ministrja e Arsimit, Renata Deskoska, ka pranuar se nxënësit do të përballen me probleme sa i përket cilësisë së arsimit dhe kushteve nëpër shkolla, por ka theksuar se dikasteri që ajo drejton po punon për evitimin para se gjithash të gabimeve në tekstet shkollore. Disa prej tyre edhe janë tërhequr nga procesi mësimor deri në hartimin e teksteve të reja. "Këtë do ta bëjnë grupe ekspertësh, për të gjitha lëndët, jo vetëm për historinë, shoqërinë por për të gjitha lëndët. Pra, revidimi i teksteve shkollore do të jetë pjesë e një procesi të gjerë që do të përfshijë ekspertët e fushës. Ky është një proces që do të zgjasë, por që do të kryhet në të mirën e nxënësve dhe të gjithë shoqërisë, meqë opinioni shpesh është përballur me shembuj të ndryshëm në tekstet shkollore, me konstatime të gabuara, fjalor të urrejtjes, qëndrime diskriminuese e kështu me radhë", ka deklaruar ministrja e Arsimit, Renata Deskoska. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur edhe nisma tjera për ndryshimin e planeve mësimore, shkurtimin e orëve për nxënësit për shkak të ngarkesës së madhe, por edhe krijimin e kushteve më cilësore në arsim. Se arsimi në Maqedoni po përballet me probleme të shumta, flasin edhe nga Plenumi i Mësimdhënësve, një organizatë që ka qenë ndër më të zëshmet me kërkesën për reforma dhe përmirësimin e kushteve në shkolla dhe ngritjen e cilësisë në arsim. Enver Ajdini nga kjo shoqatë, që pretendon të shndërrohet edhe në organizatë sindikale, thotë se problemet në arsim nuk kanë fund që nga cilësia, mungesa e objekteve shkollore, tekstet mësimore përplot me gabime, numri i madh i nxënësve, mungesa e transportit, rrogat e ulëta të arsimtarëve, e probleme tjera. "Një nga problemet më të rëndësishme, sidomos në shkollat me mësim në gjuhën shqipe është numri jashtëzakonisht i madh i nxënësve në një klasë. Pra, ne vlerësojmë se numri patjetër të zvogëlohet dhe të mos jetë më i madh se 20 apo 24, e jo si tani që ndodhë një klasë të ketë mbi 35 e më shumë nxënës. Sidomos problem i theksuar është edhe ai me tekstet shkollore, që nuk janë profesionale, por me gabime të shumta si në aspektin teknik, gjuhësor, por edhe më gjuhë të urrejtjes në përmbajtjen e teksteve mësimore. Kemi edhe shumë probleme tjera, përfshirë edhe mungesën e transportit të nxënësve në shkollat rurale", thotë Ajdini. Ai thotë se reformat e nisura nga Qeveria e kaluar janë bërë pa konsultime paraprake, që kanë çuar në dështimin e tyre ende pa nisur të realizohen. Këtu Ajdini veçon programet e Kembrixhit që kanë dështuar për shkak të mos studimit të mirë nëse këto programe mund të zbatohen në Maqedoni, ku shkollat ende përballem me problemet më elementare. "Qeveria e mëparshme vendosi disa reformat ë cilat nuk u pritën sikur tek mësimdhënësit, ashtu edhe tek nxënësit, duke filluar që nga projekti i Kembrixhit. Si projekt nuk është i keq, por kushtet në vendin tonë nuk janë për një projekt të tillë. Ne nuk mund të kopjojmë projekte nga vendet e zhvilluara botërore, pasi atje veprohet ndryshe kur vendoset për një reformë. Së pari krijohen kushtet e pastaj nis zbatimi i saj, por te ne ndodhë e kundërta, nisin reformat pa pasur as kushtet minimale për realizimin e saj", thotë Ajdini. Mësimin në arsimin fillor në Maqedoni e ndjekin rreth 185 mijë nxënës apo rreth 1.7 për qind më pak se në vitin e kaluar. Për herë të parë në bankat shkollore do të ulen rreth 20 mijë nxënës. Në shkollat e mesme mësimin e ndjekin rreth 90 mijë nxënës ndërsa rreth 17 mijë për herë të para janë regjistruar në vit të parë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Shareviq dhe Gjuriq nuk lejohen të hyjnë në Kosovë Posted: 04 Sep 2017 05:15 AM PDT Ministrit të Arsimit të Qeverisë së Serbisë, Mladen Sharqeviq dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, nuk u është lejuar sot hyrja në Kosovë. Ata janë ndaluar në vendkalimin kufitar në Jarinë, në veri të vendit, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Shareviq dhe Gjuriq ishin nisur për të marrë pjesë në hapjen e Entit për mbrojtjen shëndetësore të studentëve, në Qendrën e studentëve në Mitrovicë të veriut, ent i cili është ndërtuar dhe furnizuar financiarisht nga Qeveria Serbisë. Nga Zyra e Qeverisë së Serbisë është konfirmuar se Gjuriq dhe Sharçeviq janë kthyer pa shpjegime. Kjo Zyrë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës janë njoftuar për këtë vizitë, më 29 gusht. Për herë të fundit, Gjuriq ka qëndruar në Kosovë me 12 korrik, për shënimin e festës në manastirin Banjska. Paraprakisht, hyrja në Kosovë nuk i ishte lejuar as me 9 maj, kur në Mitrovicë të veriut ishte shënuar Dita e fitores mbi fashizmin. Ai, atëherë, pati thënë se një veprim i tillë i Prishtinës është i turpshëm dhe goditje serioze ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Çeçeni: Protestë në mbështetje të myslimanëve në Birmani Posted: 04 Sep 2017 05:10 AM PDT Mijëra njerëz kanë protestuar në rajonin rus të Çeçenisë, në shenjë mbështetjeje për minoritetin mysliman Rohingya në Birmani, e njohur edhe si Mianmar. Në protestën e sotme, përballë xhamisë çeçene në qytetin Grozni, ka marrë pjesë edhe lideri çeçen, Ramazan Kadyrov dhe zëdhënësi parlamentar rajonal, Magomed Daudov. Në protestë të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë dhe klerikë myslimanë, të cilët në arabisht dhe në çeçenisht kanë cituar vargje nga Kurani, duke u bërë thirrje myslimanëve për bashkim. Protesta është transmetuar në televizionin shtetëror në Çeçeni, ku kontrolli i rreptë i Kadyrov-it, liderit çeçen, lejon qeverinë të mbajë protesta të tilla. Protestuesit kanë brohoritur "Zoti është i madh" ndërsa mbanin pano me fotografi të komunitetit Rohingya, të marra nga internet. Afro 90,000 myslimanë Rohoingya kanë ikur nga dhuna në këtë vend, për të gjetur strehim në Bangladesh. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Duka dhe Dukesha e Kembrixhit presin fëmijën e tretë Posted: 04 Sep 2017 04:50 AM PDT Duka dhe Dukesha e Kembrixhit janë duke pritur fëmijën e tretë, ka bërë të ditur Pallati Mbretëror i Britanisë së Madhe. Në deklaratë thuhet se Mbretëresha dhe të dyja familjet "i janë gëzuar lajmit". Ashtu si me dy shtatëzanitë e mëparshme, Dukesha, 35 vjeçe, po vuan nga të vjellat. "Catherine po mbahet nën kujdes në Pallatin Kesington", thuhet në komunikatë. Duka dhe Dukesha kanë një djalë, princin George, dhe një vajzë, princeshën Charlotte. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Koreja e Jugut kryen stërvitje ushtarake Posted: 04 Sep 2017 03:39 AM PDT Forcat ajrore të Koresë Jugore ka kryer stërvitje ushtarake më 4 shtator, në përgjigje ndaj testit të gjashtë bërthamor të Koresë së Veriut një ditë më parë. Phenjani pretendon se ka testuar me sukses një bombë me hidrogjen. Seuli thotë se ushtrimet, ku përfshihen edhe raketat me rreze të gjatë tokë-ajër dhe raketa balistike, duke stimuluar goditjen e zonës ku është kryer testi nga Koreja e Veriut. (Video: Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut). This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Xi kërkon rol më të madh të BRICS-it në botë Posted: 04 Sep 2017 03:31 AM PDT Presidenti kinez, Xi Jinping u ka bërë thirrje vendeve të BRICS-it që t'i bashkohen luftës kundër mbrojtjes së tregtisë në gjithë botën dhe të "kenë rol më aktiv në qeverisjen botërore". Në samitin vjetor të liderëve nga Kina, Brazili, Rusia, India dhe Afrika Jugore, që po mbahet në qytetin Ksiamen, Xi ka thënë se ata duhet të "flasin njëzëshëm", të paraqesin zgjidhje së bashku për problemet globale dhe të mbrojnë interesat e tyre të përbashkëta. "Na duhet një rregull i ri ndërkombëtar më i paanshëm", ka thënë presidenti kinez. "Pa ne, shumë sfida nuk mund të zgjidhen", u ka thënë ai homologëve të BRICS-it. Presidenti rus, Vladimir Putin ka propozuar në samit që BRICS të zgjerohet në hapësirë, sigurim shëndetësor dhe në sigurimin e informatave, raporton agjencia e lajmeve, Interfax. Ndër të tjera, Putin ka bërë thirrje te vendet anëtare të BRICS-it që të "rrisin energjinë e dialogut", duke krijuar, sipas tij, "platforma të hulumtimit të energjisë që mundësojnë informata sektoriale, analitike dhe shkëmbime shkencore", raporton TASS. Samiti i BRICS-it, që përfshin ekonomitë në zhvillim, po mbahet nën hijen e tensioneve në gadishullin korean. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Eksodi i myslimanëve të Birmanisë Posted: 04 Sep 2017 03:22 AM PDT Të paktën 400 persona janë vrarë në valën e dhunës që ka shpërthyer në shtetin Rakhine, në veriperëndim të Birmanisë. Mijëra myslimanë rohingya, janë larguar për në Bangladesh. (Video: Reuters). This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Malala kërkon nga Suu Kyi të dënojë trajtimin e myslimanëve Posted: 04 Sep 2017 02:13 AM PDT Malala Yousafzai, fituesja më e re e Nobelit për Paqe, i bëri thirrje laureates tjetër të këtij çmimi, Aung San Suu Kyi, të dënojë, siç tha, trajtimin e turpshëm të myslimanëve Rohingya në Birmani. Afro 90,000 myslimanë Rohoingya kanë ikur nga dhuna në këtë vend, për të gjetur strehim në Bangladesh. Përleshjet kanë shpërthyer më 25 gusht, pasi kryengritësit Rohingya kanë sulmuar disa stacione policore, duke nxitur më pas reagimin e ushtrisë budsite. Ushtria thotë se po kryen operacione kundër "terroristëve ekstremistë", por myslimanët që kanë ikur në Bangladesh, thonë se janë detyruar të largohen për shkak të vrasjeve dhe zjarrvënieve. Është kjo sfida më e madhe politike me të cilën po përballet udhëheqësja e Birmanisë, Suu Kyi. Disa kritikë perëndimorë thonë se Suu Kyi nuk e ka mbështetur pakicën myslimane, e cila për kohë të gjatë ankohet për persekutim. Në një deklaratë në Twitter, Malala tha se bota "është duke pritur atë të flasë". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
SHBA kryen manovra ushtarake në Gjeorgji Posted: 04 Sep 2017 01:59 AM PDT Trupat ushtarake gjeorgjiane u janë bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera për të filluar manovrat ushtarake të ashtuquajtura "Agile Spirit 2017", të cilat mbahen për të shtatën herë me radhë. Ushtrimet kanë filluar më 3 shtator në rajonin jugor të Kaukazit Jugor. Këto ushtrime ushtarake kanë për qëllim të forcojnë ndërveprimin e "Shteteve të Bashkuara, Gjerorgjisë dhe partnerëve tjerë rajonalë, në mënyrë që të kuptohen më shumë taktikat, teknikat dhe procedura e secilit vend", ka thënë ushtria amerikane. Ministri i mbrojtjes së Gjerogjisë, Giorgio Kacharava ka shkruar në rrjetin social Twitter se "ushtrimet multinacionale, bashkë me partnerët strategjikë, e bëjnë Gjeorgjinë më të qëndrueshme dhe paqësore, poashtu edhe ushtrinë e tyre më profesionale". Zyrtarë nga ushtria amerikane kanë njoftuar se në këto manovra ushtarake, së bashku me marinsat amerikanë, do të marrin pjesë edhe 1000 shërbime tjera ushtarake nga Gjeorgjia, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Letonia, Romania dhe Ukraina. Megjithatë, në provat ushtarake po mungon Armenia, që sipas ministrit të mbrojtjes së Gjeorgjisë, Giorgio Kacharava ka kërkuar më shumë informata në lidhje më aktivitetet ushtarake. Kjo, ngase Armenia është anëtare e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) pjesë e të cilit është edhe Azerbajxhani, e që këto dy vende janë rivale me njëra tjetrën. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Sharapova eliminohet nga turneu U.S. Open Posted: 04 Sep 2017 01:17 AM PDT Ylli rus i tenisit, Maria Sharapova, u eliminua nga turneu U.S. Open në Nju Jork, pasi në rrethin e katërt u mposht nga letonezja Anastasija Sevastova. Ajo ka humbur turneun prestigjioz me rezultat 5-7, 6-4, 6-2. Sharapova, ish-lojtare numër një në botë, ka pasur paraqitjen e parë në U.S. Open prejse i ka përfunduar ndalesa prej 15 muajsh, për shkak të shkeljes së rregullave të dopingut. Paraqitja e saj e fundit e madhe ka qenë në Australian Open, në janar të vitit 2016. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |